Elbasani mirëpret trofeun ‘Dita e Verës’, çiklistët pushtojnë rrugët e qytetit

Elbasani mirëpriti sot trofeun “Dita e Verës”, një aktivitet tashmë tradicional që mbledh çiklistë nga qytete të ndryshme të vendit, duke promovuar sportin dhe një stil të shëndetshëm jetese.

Të apasionuarit pas çiklizmit kaluan një ditë fantastike, duke përshkuar rrugët e qytetit në një atmosferë festive dhe plot energji. Aktiviteti u përshëndet nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili vlerësoi angazhimin e të rinjve dhe sportdashësve në këtë event të rëndësishëm.

Falë masave të marra nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake, turi u zhvillua pa probleme, duke garantuar sigurinë e çiklistëve dhe qytetarëve që ndoqën nga afër këtë garë sportive.

Trofeu “Dita e Verës” është kthyer në një traditë që jo vetëm promovon sportin, por edhe promovon qytetin e Elbasanit si një destinacion të rëndësishëm për evente sportive dhe kulturore. /atsh/ KultPlus.com

Trofeu i Eurovisionit shitet për të blerë dronë për Ukrainën, kjo është shuma

Orkestra Kalush, bendi ukrainas që ka fituar garën për këngën më të mirë këtë vit në Eurovision, ka shitur trofeun për 900,000 dollarë amerikanë, për të mbledhur para për luftën në Ukrainë.

Mikrofoni i kristaltë është shitur në një ankand në Facebook, me qëllim të blerjes së dronëve për ushtrinë ukrainase.

Prezantuesi ukrainas, Serhiy Prytula, ka thënë se paratë e mbledhura nga shitja e trofeut do të përdoren për blerje të tre dronëve ukrainas PD-2, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.

Trofeu është shitur në ditën kur bendi është shfaqur në një koncert bamirësie në Berlin, me qëllim të mbledhjes së parave për kujdes shëndetësor dhe furnizime tjera.

Duke folur gjatë koncertit, anëtari i grupit, Oleh Psiuk ka bërë thirrje që njerëzit të mos mësohen me luftën, e cila ka lënë 4,031 njerëz të vdekur dhe mbi 4,730 të plagosur, sipas Kombeve të Bashkuara.

Numri i luftëtarëve të vdekur nuk dihet ende.

Pushtimi rus në Ukrainë – i nisur më 24 shkurt – ka nxitur mbi 14 milionë njerëz të ikin nga shtëpitë e tyre, derisa qytezat janë shndërruar në gërmadha.

“Mendoj se lufta duhet të jetë në ballina gjithmonë, derisa të kemi paqe”, ka thënë Psiuk. /REL / KultPlus.com