Shpella e Qafkave në Tropojë, midis luginës së Çeremit në verilindje dhe degëve të majta të Valbonës juglindje, një kodër e quajtur Qyteti i Rrasave mbi 2060 m/lmd në mes të majës së Gjarpërit 2142 m dhe të majës së Isuf Demës me 2243 m.
Një grup prej 5 personash nga Kosova për here të parë u futën në një shpellë boshti, shpellë vertikale e veçantë, thjesht një gropë të pa parë ndonjëherë deri tani jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë.
Më 8 gusht 2020, grupi në krye me Aziz Kastratin, Blerton Nuhaj, Isa Balaj, dhe Lorik Bokshin, eksploruan pjesërisht duke u lëshuar mbi 120 m vertikalisht në shpellën unike të quajtur shpella e Qafkave.
Si u zbulua kjo shpellë?
“Më 11 korrik 2020, unë me Lorikun ishim pikërisht në këto anë të rralla në një ecje bjeshkatare për t’i prekur këto dy maja, atë të Gjarprit dhe të Isuf Demës. Para se të fillonim ngjitjen u takuam me një bari të zonës (në interesin tonë për ta mësuar se si quhej ajo bjeshkë), i cili na shpjegoi për Qytetin e Rrasave dhe një shpellë të veçantë të pa vizituar nga askush, përveç barinjve të zonës. Nga kureshtja bëmë ngjitjen në të këtë majë rreth 2060 m/lmd, nuk ishte rastësi që quhej qytet i Rrasave, sepse në maje ishte një rrafsh i madh i paparë i rrasave në të cilin ndodhej kjo shpellë e pa vërejtur. Pas një kërkimi dhe insistimi në limitet e dorëzimit rastësisht hasëm në shpellë, aty qëndruam disa kohë bëmë foto, shijuam bukurinë, por edhe u trishtuam nga thellësia e pafund e shpellës.
Të nesërmen postova të gjithë ngjitjen në profilin tim në Facebook, Aziz Kastrati, një njeri pasionant i shpellave nga Prizreni që punon dhe jeton në Gjermani, e kishte parë postimin, më uroi, dhe shprehu dëshirën dhe entuziazmin për ta vizituar dhe më kërkoi që ta shoqëroja me Lorikun tek vendi ku ndodhej shpella. Dhe kështu filloi, ne e caktuam datën, Azizi mori të gjitha pajisjet e nevojshme për lëshimin, dhe me një shok tjetër nga Diaspora Isa Balaj erdhën në Kosovë.”/ KultPlus.com