Tropojë: 166 000 turistë gjatë 9 muajve, vizitorë nga e gjithë bota

Turizmi malor dhe atraksionet e veriut të Shqipërisë, vazhdojnë të mbeten një “pasaportë” atraksioni për vendasit dhe të huajt që vazhdojnë ta vizitojnë këtë zonë në çdo periudhë të vitit.

Aranit Imeraj, përfaqësuesi për mediet në bashkinë e Tropojës, i kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, pasqyroi të dhënat dhe shifrave për periudhën 9-mujore, janar-shtator 2024.

“Si rezultat i promovimit nga bashkia Tropojë, viti 2024 ka rezultuar i suksesshëm duke pasur një bum vizitorësh vendas dhe turistësh të huaj. Nisur nga këto shifra për periudhën 9-mujore janar-shtator 2024 në bashkinë Tropojë kanë hyrë 75,426 shtetas shqiptarë; 24,389 automjete; 49,147 shtetas kosovarë me 15,651 automjete; 41,660 shtetas të huaj me 10,592 automjete; gjithsej 166,233 vizitorë me 50,632 automjete”, tha Imeraj.

Sipas përqafuesit të kësaj bashkie, Tropoja vazhdon të mbetet një nga vendet më magjepsëse të natyrës dhe relievit shqiptar.

“Pozita gjeografike, klima, pasuritë e trashëgimisë kulturore, zonat e gjuetisë, fshatrat karakteristikë si dhe mikpritja tradicionale e banorëve të kësaj treve, ofrojnë turizëm malor cilësor. Vit pas viti interesi për zona të caktuara ka ardhur duke u rritur, ku përveç Parkut Kombëtar të Valbonës ka pasur interes edhe për zonën e lumit të Gashit, Currajn e Epërm dhe bjeshkët tona të mrekullueshme”, tha Imeraj.

Tropoja vitet e fundit po vizitohet nga mijëra turistë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit. Lugina e Valbonës, pjesë e Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë, mbetet një prej destinacioneve më të preferuara nga turistët dhe të pasionuarit pas alpinizmit.

Kryeministri Rama, gjatë takimit me shqiptarët në Amerikë pak ditë më parë u shpreh se miniera më e çmuar e turizmit për Shqipërinë mbetet veriu i vendit, ndërsa siguroi se do të vijojnë investimet për ndërtimin e akseve rrugore. Kryeministri tha se Tropoja sot është bërë pjesë e hartës së destinacioneve turistike.

“Kur unë shkoja në Tropojë dhe thosha këtu turizmi do të jetë pika e kthesës më shikonin si komunist i pandreqshëm. Ja që Tropoja sot është bërë pjesë e hartës së destinacioneve turistike. Ne bëmë një sërë ndërhyrjesh dhe do të vazhdojmë të bëjmë një sërë ndërhyrjesh në atë zonë, ku kanë filluar edhe shumë investime private, sidomos në luginën e Valbonës deri lart në Lekbibaj, ku ka investime private”, tha Rama.

Sa i përket investimeve, tha Rama, “brenda pak javësh besoj ne do të publikojmë një program të ri për të gjitha zonat malore, pikërisht për emigrantët që vijnë nga ato zona, një program që quhet “Paketa e Maleve” dhe që do t’i japë të gjithë atyre që janë në emigracion dhe duan të investojnë kursimet e tyre në vendlindje për agroturizëm, për agropërpunim, për çfarëdo qoftë, një mundësi të re me shumë avantazhe të natyrës së taksave, të natyrës së detyrimeve dhe me mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria”.

“Kështu që, ajo që unë i them të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Amerikë ose në Evropë, që kanë punën e tyre këtu, që kanë familjen e tyre këtu, që kanë vendosur të rrijnë këtu, nuk është kthehuni përgjithmonë, por është: Po të investoni kursimet tuaja në Shqipëri tek shtëpia e gjyshit, për ta kthyer atë në një agroturizëm, apo për të bërë agropërpunim, në fund të muajit do të fitoni më shumë nga shtëpia e gjyshit sesa nga ai që ju jep punë këtu dhe që ju paguan me një rrogë. Kështu flasin shifrat e të gjithë atyre që kanë filluar ta bëjnë këtë gjë”, tha Rama./atsh/ KultPlus.com

Eksploruesit e maleve, në Bjeshkët e Namuna në Tropojë

Bjeshkët e Namuna në Tropojë zgjohen çdo ditë me zhurmën e këmborëve dhe zërat e eksploruesve të maleve.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro solli sot pamje nga Bjeshkët e Tropojës, ku vera ka ndryshuar peizazhin e ashpër të dimrit duke sjellë pamje baritore ndërsa liqenet alpine dhurojnë ngjyrën e kaltër.

Turizmi malor po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj edhe në zonat që dikur ishin pothuajse të panjohura.

Bjeshka e Doberdolit është një bjeshkë e bukur e vendosur në lartësitë e maleve te Tropojës 2200 m mbi nivelin e detit.

Bjeshkët e Tropojës dallohen për larmishmërinë e bimësisë dhe klimën e shëndetshme duke tërhequr vit pas viti vizitorë./atsh/ KultPlus.com

Prag vere në Bjeshkën e Dobërdolit në Tropojë

Turizmi malor po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj edhe në zonat që dikur ishin pothuajse të panjohura.

Kryeministri Edi Rama përcolli mëngjesin e sotëm foto nga Bjeshka e Dobërdolit në Tropojë, zonë kjo që duket sikur ka dalë nga eposi i Kreshnikëve.

Pranvera ka rigjallëruar bjeshkët ndërsa vendasit bëhen gati për të nxjerrë bagëtitë në kullotat alpine që në këtë periudhë të vitit janë të gjelbra dhe plot me lule shumëngjyrëshe.

Bjeshka e Doberdolit është një bjeshkë e bukur e vendosur në lartësitë e maleve te Tropojës 2200 m mbi nivelin e detit.

Përurohet ambienti i ri frigoriferik për ruajtjen e gështenjave në Tropojë

Shqipëria zotëron pyllin më të madh të gështenjave në Ballkan, me sipërfaqe 10000 hektarë, 30% e të cilit ndodhet në Tropojë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bashkë me zëvendësambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, në Tiranë, Mia Marzouk, ishin në Tropojë, ku morën pjesë në përurimin e një ambienti të ri frigoriferik për ruajtjen e gështenjave, financuar nga Britania e Madhe.

Me dy ambiente për ruajtjen e gështenjave, një ambient freskues dhe një ambient ngrirës, frigoriferi arrin një kapacitet prej 40 metër kub. Ky proces siguron ruajtjen e gështenjave në kushte optimale, zgjat jetëgjatësinë, ruan cilësinë dhe përmirëson mundësitë për tregtim duke rritur të ardhurat për familjet që varen nga ky sektor.

Denaj tha se, ky investim nuk i shërben vetëm sipërmarrjes që ka ngritur këtë qendër frigoriferike, por të gjithë zonës.

Sipas saj, kjo pikë ofron një kombinim perfekt të agroturizmit me bujqësinë, pasi pika frigoriferike dhe e grumbullimit janë hallka që do të rrisim vlerën e produktit të stampuar.

“Me anë të këtij investimi, po punojmë për krijimin e të gjitha kushteve për të garantuar mbështetje dhe mbrojtje nga të gjitha anët për sipërmarrësit dhe produktin”, tha ajo./atsh/ KultPlus.com

Lumi i Gashit në Tropojë, pasuri botërore e mbrojtur edhe nga UNESCO

Lumi i Gashit në Tropojë është shndërruar në një destinacion të preferuar nga vizitorët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga kjo pasuri botërore, e cila është e mbrojtur edhe nga UNESCO.

Kreu i qeverisë theksoi se Lumi i Gashit bashkon bukuritë e rralla të natyrës me turistët e apasionuar pas aventurës të shoqëruar nga udhërrëfyesit profesionistë.

Lumi i Gashit, shpallur si zonë e mbrojtur ‘Rezervë Strikte Natyrore” në vitin 1996 dhe prej vitit 2017 pjesë e rrjetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, konsiderohet një mrekulli natyrore.

Me një sipërfaqe prej 3 mijë hektarë, Lumi i Gashit shtrihet në pjesën lindore të Alpeve Shqiptare duke u kufizuar në veri me Malin e Zi dhe në verilindje me Kosovën.

Për të vizituar këtë mrekulli natyrore në pellgun e parkut kombëtar të Valbonës në Tropojë, duhet ndjekur rruga automobilistike nga Bajram Curri në fshatrat Dragobi, Qerem, Markovçë, Rorkuz dhe Dobërdol, ndërsa nga këtu ndiqet rruga këmbësore drejt Lumi të Gashit, rrugë e cila zgjat 45 minuta. Gjithashtu një tjetër shteg në rrugë këmbësore që të çon në Lumin e Gashit është Tropojë e vjetër duke kaluar përmes zonave, Degaj, Kanali i Gashit, Brodoshnicë, Qafa e Livadhit, Kusheticë dhe Dobërdol.

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së Lumit të Gashit është thuajse tërësisht e mbuluar me pyje të virgjëra ahu dhe pjesa tjetër me pyje halorë si Pinus heldreichii, Abies Alba Pinus sylvestris, Pinus peuce. Rrjedha e pandalshme e shumëvjeçare e ujit të këtij lumi e ka ndihmuar botën e gjallë të lulëzojë dhe të marrë jetë nga ai. Llojet më të përhapura ndër to janë Ranunculus platanifolius, Cardamine enneaphyllos, Actaea spicata, Geum coccineum, Cephalantera rubra, Digitalis grandiflora, Viola aethiolica, Viola tricolor. Përveç kësaj, këtu gjenden edhe specie bimore të listuara në librin e kuq që ja rrisin vlerat zonës si; Atropa Belladonna, Lilium albanicum, Convallaria majalis dhe Lunaria telekiana kjo e fundit bimë endemike. L. telekiana është një specie shumë e rrallë dhe e rrezikuar e cila rrit vlerat e biodiversitetit në pjesën e Lumit të Gashit.

Përsa i përket faunës kjo zonë krijon kushte shumë të favorshme për rritjen dhe përhapjen e shumë llojeve të kafshëve dhe shpendëve.

Llojet kryesore të kafshëve që gjenden në këtë zonë të rrallë natyrore janë, ariu i murrmë (Arsus arctos), dhia e egër (Rupicapra rupicapra), kaprolli (Capreolus capreolus) macja e egër (Felis silvestris), ujku (Canis lupus), derri i egër, lepuri, dhelpra. Kurse shpendë mund të përmendim; gjeli i egër (Tetrea urogallus), shqipja e Ballkanit (Circus pygargus), zhgaba (Gyps fulvus), thëllëza e malit, (Alectoris graeca) etj.

Shqipëria është një vend i bekuar me bukuri natyrore të larmishme dhe mjaft të veçanta, mes të cilëve edhe kjo zonë e cila vit pas viti ka tërhequr turistë të shumtë vendas edhe të huaj.

Për turistët e shumtë që vizitojnë Valbonën ka terrene dhe atraksione të reja ende për t’u eksploruar.

Kulla e Mic Sokolit në Bujan të Tropojës, një vlerë e madhe historik

Në kuadër të nismës “Njih trashëgiminë”, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, prezanton një tjetër monument kulture me rëndësi të veçantë. Ajo është Kulla e Mic Sokolit, Monument Kulture, Kategoria l ( e shpallur në vitin 1974).

Kulla e Mic Sokolit gjendet në fshatin Bujan të Tropojës.

Ndërtimi i saj daton në shek. XVIII. Është një banesë tradicionale trekatëshe prej guri, që përfaqëson arkitekturën e kullave të Malësisë së Gjakovës.

Kati përdhes ka shërbyer si vend magazinimi dhe për mbajtjen e kafshëve, ndërsa katet e sipërme janë përdorur për banim.

Banesa ka një vlerë të madhe historike, për shkak se në kujtesen historike ajo lidhet me personalitetin e Mic Sokolit, një patriot i shquar dhe një udhëheqës gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit./ atsh / KultPlus.com