“Kosova Brass Festival” i cili po e sjellë edicionin e dytë, mbrëmë shënoi edhe mbrëmjen më të rëndësishme koncertale, me trumpetistin gjerman me renome botërore, Otto Sauter si dhe trombonistin gjerman, Peter Körner, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Publiku prishtinas rrallë ekspozohet ndaj tingujve të një instrumenti siç është trumpeti, dhe aspak i rëndomtë ishte edhe rasti që të dëgjoje një instrumentist si gjermani Otto Sauter, i cili kishte shkelur skenat më të njohura në botë, e kishte interpretuar me solistët më të spikatur. Ky koncert mbrëmë erdhi për publikun prishtinas, nën organizimin e Kosova Brass Festival në bashkëpunim me Asociacionin Botëror të Tunxhit.
Instrumentistët mysafirë, u shoqëruan me lojë bindëse e harmoni, nga kuarteti i harqeve i cili mbrëmë erdhi në përbërje nga: Visar Kuci dhe Erlinda Gashi në violinë, Arianit Shehu në Violë dhe Antonio Gashi në violonçelo.
Kuarteti qëndroi gjatë gjithë koncertit pa lëvizur nga ulëset, mirëpo instrumentet e tyre ishin ato që lëviznin tingujt në sallë, e bashkëdyzoheshin me lojën e instrumentistëve gjerman. Në mes tyre, vëmendja u përqendrua tek Otto Sauter, i cili përveç lojës plot muzikalitet, e tinguj që depërtonin, ai shpërfaqte edhe emocionet teksa lëvizte, mes buzëqeshjeve e lëvizjeve të lehta të trupit.
Trumpetisti gjerman Otto Sauter, numëron rreth pesë dekada të rrugëtimit të tij me këtë instrument, pasioni për të cilin nuk i është ndarë që nga fëmijëria. Ai mbrëmë solli për herë të parë në Kosovë, lojën në piccolo trumpetë ndërsa theksoi se kënaqësia që i dhuroi qëndrimi këtu, do ta kthej atë përsëri vitin tjetër në Prishtinë.
“Unë luaj në piccolo trumpet qysh kur isha fëmijë i vogël. Është krejt çka dua dhe bëjë, prandaj edhe dua që këtë dashuri ta ndaj me të tjetër, me fëmijët. Jam shumë i lumtur që erdha këtu dhe pata rastin të luaj për juve në këtë festival. Kam luajtur në shtetet e Evropës Jugore dhe e di ndjenjën se si është të luash këtu. Më kanë thënë se është vend i varfër por unë i pash rrugët e mbushura plotë me njerëz, atmosferë dhe jetë të bukur. Prandaj edhe më pëlqeu që luajta këtu. Do të rikthehem edhe vitin tjetër. Zakonisht në repertorin tim zgjedhë vepra barokene por edhe të tilla që janë kompozuar tani, ose për mua”, ka treguar trumpetisti Otto Sauter për KultPlus.
Trumpetisti Sauter, për të disatën herë më radhë u largua në prapaskenë për t’i lënë vendin bashkëkombësit të tij, trombonistit Peter Körner. Ai i rrethuar nga loja bindëse e harkorëve kosovarë filloi interpretimin e veprës së Lepaldd Mozart.
Duke qenë se ky festival fokus kryesor ka në afirmimin e studentëve dhe nxënësve të tunxhit në vend andaj edhe ka organizuar vazhdimisht masterklase për studentët me pjesëmarrës të festivalit. Për trombonistin Korner, puna me studentët dhe interpretimi para tyre kishte një rëndësi të veçantë.
“Në çdo festival ne i mësojmë fillimisht studentet dhe pastaj luajmë në koncert të shohim nëse ajo çfarë ne kemi mësuar ka qenë e duhura, është e rëndësishme që studentët me të cilët kemi punuar këto ditë, na dëgjuan sonte, kjo është shumë interesante dhe e vështirë në të njëjtën kohë. Nuk ka shumë vepra për trombon, unë sonte luajta me trombonin e vogël dhe është gjithnjë e vështirë për shkak të madhësisë së tij dhe për shkak se duhet ta ndryshosh pozitën gjatë gjithë kohës por kjo lojë sonte ”, shpjegoi trombonisti gjerman për KultPlus.
Çelisti nga Kosova, Antonio Gashi tha se ishte kënaqësi e jashtëzakonshme interpretimi me instrumentistët gjermanë, dhe interpretimi i këtyre veprave nga një kuartet i vogël solli një miniversion të suksesshëm sonte.
“Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe bashkëpunimi me dy instrumentistët me famë botërore dhe me kuartetin tonë, edhe pse nuk kemi pasur shumë kohë për prova, sonte u pa që nuk kemi pasur as problem në komunikim me njëri-tjetrin dhe kjo është çfarë na lidh të gjithëve, një gjuhë universale, e cila kuptohet në secilin vend njësoj. Veprat janë përzgjedhur nga solistët dhe sollëm një variant vetëm për një kuartet të vogël, këto normalisht luhen nga një orkestër e madhe por në këto kushte krize është e vështirë angazhim i një orkestre të plotë kështu që e kanë bërë një miniversion i cili ka dalë i lezetshëm”, tha çelesti Gashi.
Festivali ndërkombëtar i tunxhit në Kosovë do të përmbyll edicionin e dytë, më 14 Dhjetor me koncertin e pestë i cili do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës
Universitare, kjo mbrëmje do t’u kushtohet studentëve dhe instrumentistëve të tunxhit në vend./ KultPlus.com