Jeta Zymberi
45 vite punë, 45 vite të përballur me peripeci nga më të ndryshmet, por gjithmonë duke ja dalë falë vullnetit të madh për të mbijetuar. Kjo është Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët këtë vit shënojnë 45 vjetorin e themelimit, shkruan KultPlus.
E për të gjitha këto vështirësi, sfidat dhe mos realizimit të kushteve për ata që dëshirojnë të merren me balet, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj ka folur për KultPlus.
“Ky 45-vjetor nuk ka ardhur edhe lehtë, kemi pasur jashtëzakonisht shumë peripeci. Ne kemi jetuar në një kohë të vështirë. Baletin e kanë themeluar disa njerëz largpamës. Qysh në vitin 68, por sigurisht edhe më herët, ata janë organizuar ta shkollojnë një gjeneratë dhe të krijojnë trupën e baletit në Kosovë. Në vitin 1972 e kemi filluar punën dhe menjëherë pas kësaj, drejtori i baletit të asaj kohe, Azem Shkreli, e ka bërë kërkesën për hapjen e Shkollës së Baletit në Kosovë, por një gjë e tillë nuk u lejua nga shteti jugosllav. Ka pasur shumë peripeci deri kemi arritur të formohemi si institucion. Në vitin 2000 kemi bërë kërkesë dhe kështu na është lejuar që ta hapim degën e baletit në Prishtinë”, ka thënë fillimisht drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj për KultPlus. Ai tutje ka treguar që problemet ende nuk kanë përfunduar për ta.
“Ne ende nuk e kemi një objekt shkollorë ku do të zhvillohej kjo degë. Kërkesa për ndërtimin e objektit ka kohë që është bërë dhe po presim që këtë vit, në këtë 45 vjetor të bëhet diçka në këtë aspekt”, është shprehur tutje Ahmeti.
Por, përkundër sfidave, Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ka vazhduar të punoj fuqishëm duke sjellë kështu shfaqje nga më të bukurat e ku nuk kanë munguar edhe bashkëpunimet me koreografë të huaj.
Por, në këtë 45-vjetor, gjithçka do të frymojë shqip. Ashtu si shfaqja që është përgatitur të vijë premierë në këtë përvjetor.
“Një legjendë për dashurinë” do të shpalos për publikun prishtinas një histori dashurie. Një çift që dashurohen por hasin në vështirësi, duke u përballur kështu me tradhti, xhelozi por në fund duke triumfuar dashuria. Përmes lojës së Trupës së Baletit të Kosovës, kjo shfaqje sjellë mesazhin e fshehur i cili shpaloset krejt në fund. Shfaqja ka të bëjë me lindjen e kombit shqiptar, vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar, dhe ekzistenca e tij që tash e sa shekuj.
Gjithë kjo histori e cila do të shpaloset në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës më datë 21 shtator, vjen nën koreografinë e Pullumb Agalliut, i cili nuk është zgjedhur rastësisht për këtë premierë, por kjo ka ardhur falë bashkëpunimeve të mëparshme të Agalliut me Trupën e Baletit dhe njohjeve të tij.
“Kjo është premiera e katërt që do ta japim për këtë vit. Shfaqja i është besuar koreografit Pullumb Agalliut. Pullumbi është një koreograf me vlera të mëdha dhe e njeh jashtëzakonisht mirë baletin klasik por edhe vlerat tona kombëtare. Tema e shfaqjes është e jona, muzika poashtu e kompozitorëve tanë dhe ngjarja është e jona. Jemi përpjekur që me një shfaqje tonën kombëtare, me motivet tona, të prezantohemi në këtë 45-vjetor”, ka treguar rreth idesë së shfaqjes Ahmeti.
Por jo gjithçka do të përfundojë me prezantimin e shfaqjes. Mbrëmja e 21 shtatorit do të sjellë para të pranishmëve edhe një monografi. Përgatitja e monografisë që i dedikohet tërësisht historisë së Baletit Kombëtar të Kosovës që nga fillimet e tij, vitit 1968 e deri më sot, i është besuar regjisorit Naser Shatrolli. Për këtë monografi janë mbledhur detaje të shumta, duke përfshirë këtu njerëzit që kanë punuar dhe kanë bashkëpunuar me baletin e Kosovës, për koreografët që kanë përgatitur shfaqjet e baletit, për balerinët e rinj, për festivalet e gjithçka tjetër. Monografia tashmë gjendet në shtyp dhe shumë shpejt pritet të jetë gati.
“Sa i përket Monografisë, nga ajo që kam vërejtur deri më tani, Naseri ka bërë një punë të shkëlqyer. Monografia do të quhet “Këmbët”. Naseri ka disa shprehje të veçanta dhe artistike dhe pikërisht kjo është arsyeja pse e kemi përzgjedhur për ta përgatitur këtë monografi, kemi dashur të jetë më artistike e jo e mbushur vetëm me data”, ka treguar tutje Ahmeti.
Sipas Ahmetit për këtë mbrëmje gala që është përgatitur për 45 vjetorin e themelimit të Trupës së Baletit, do të ketë shumë të ftuar, deri tani kanë njoftuar për ardhjen e tyre shumë njerëz nga Amerika, Azia e të gjitha vendet e Evropës.
Data 21 shtator do ta gjejë Tetarin Kombëtar të Kosovës me një organizim të mrekullueshëm dhe një shfaqje të veçantë përgatitur nga Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com