Sociologia, poetja, aktivistja dhe zëdhënësja e politikës, Sibel Halimi, shtjelloi një temë interesante dhe shumë atraktive të titulluar “Trupi dhe politika” mbrëmë në ambientin e librarisë Dukagjini në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Si një grua që mundohet t’i shtyjë gjithmonë përpara temat e problemet e ndryshme shoqërore e sidomos ato që lidhen me gruan, Sibeli edhe mbrëmë solli para publikut disa nga këndvështrimet e saj sociologjike mbi trupin dhe politikën.
“Trupi dhe politika” erdhi si një diskutim më ndryshe për politikën dhe trupin si konstrukt shoqëror dhe për politikën që mësyn kontrollin mbi trupin. Diskutim ky që kishte mbledhur një audiencë mjaft të larmishme të cilët ishin të interesuar për të njohur dimensione specifike të funksionit të shoqërisë dhe politikës në kontekstin e trupit.
Sibel Halimi është një grua që i ka tri botë të ndryshme brenda vetes: poezinë, sociologjinë dhe politikën. Këto tri sfera ajo arrin t’i gërshetojë në mënyrën më të mirë të mundshme me njëra tjetrën. Në sociologji identifikon problemet, merresh me çështje shoqërore, në poezi në formë poetike përmes figurave stilistike i përshkruan problemet shoqërore, ndërsa përmes politikës punon në rrugën se si përmes vendimeve të ndryshojmë jetën e njerëzve. Në pamje të parë, të tria këto janë botë të ndryshme por që arrijnë të bashkëveprojnë mirë me njëra-tjetrën.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, në epiqendër të temës ishte studimi i sociologes Halimi mbi trupin dhe shtetin. Sipas saj secili prej neve ka lirinë e plotë të vendimmarrjeve mbi trupin. Në disa dimensione, trupi dhe politika janë në bashkëdyzim.
“Trupi shihet si një vend i pushtetit, i regjimit dhe i negociatave. Në mënyrë indirekte kontrollon riprodhimin, kontrollon gruan, abortin, natalitetin. Sa i përket trupit duhet të dallojmë çështjen natyrore dhe shoqërore. Në sociologji përfshihen tri çaste. Në rastin e parë, trupin e sheh si parashoqërorë. Natyra feministe është se ne nuk duam ta shohim trupin e gruas në kuptimin biologjik. Qasja e dytë, mendja dhe trupi bashkëjetojnë dhe ne nuk mund t’i shohim si të ndarë. Dhe qasja e tretë ku trupi shihet si shoqëror. Pra nëpërmjet konstruktivimit shoqëror, trupi nuk shihet vetëm në konotacionin biologjik por edhe shoqëror. Në femenologji, që është një drejtim fiziologjik, ekzistenca i prinë esencës dhe jo më esenca ekzistencës”, u shpreh Halimi.
Sipas Halimit, në qoftëse e shohim trupin në jetën e përditshme, shohim se çdo gjë lidhet me trupin. Se si dukemi, se si jetojmë, se si marrim vendime për jetën.
“Femenologjia thotë se trupi është vend i diskriminimit, vend i pushteteve. Është vend ku i gjithë konstrukti i një shoqërie të caktuar projektohet dhe formësohet përmes trupit. Por edhe në letërsinë shqiptare edhe filozofia popullore, gruan nëpërmjet nënës e kanë glorifikuar deri në atë nivel sa që e kanë humbur subjektivitetin e saj”, tha Halimi e cila shtoi gjithashtu se ka një poezi që shpreh dëshirën për ta parë lirinë e nënës.
Krejt në fund, sociologia, kërkoj mekanizma nga shteti për zhvillimin e trupit, lirinë e trupit dhe emancipimin e grave.
“Emancipim për gruan është kur ajo ka vetë vendimmarrjen mbi trupin e vet”, përfundoi Halimi. / KultPlus.com