Lejohet tërheqja e Trustit vetëm për këtë kategori

Para moshës së pensionimit, nëse kontribuuesi bëhet përfitues i Pensionit Invalidor, ai/ajo mund të aplikojë për tërheqje të kursimeve.

Pensioni invalidor nga Administrata Pensionale pranë MPMS, aprovohet për kohëzgjatje një, tri dhe pesëvjeçare.

Bazuar në kohëzgjatjen e këtyre pensioneve dhe në lartësinë e bilancit të kursimeve, FKPK aprovon tërheqje të pjesërishme përmes pagesave mujore prej €200 derisa vendimi i pensionit invalidor është valid.

Për shembull, nëse personi ka vendim për pension invalidor me kohëzgjatje trivjeçare, FKPK do të aprovojë vetëm atë pjesë kursimi e cila do të mbulojë 36 muaj me pagesë prej €200, që d.m.th €7,200, apo më pak nëse kontribuuesi nuk ka kursime të mjaftueshme për të mbuluar periudhën në fjalë.

Po ashtu, pensionet invalidore, të tërhequra sipas invaliditetit që rrjedh nga “Ligji Nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre”, kanë të drejtë të tërheqin kursimet e tyre sipas mënyrës së lartpëmendur.

Poashtu, ri-aplikimet lejohen vetëm nëse kanë kaluar 12 muaj nga shpagimi i fundit. Megjithatë, Bordi Drejtues nuk iu rekomandon kontribuuesve që ta bëjnë këtë tërheqje të përsëritur.

Meqë, për shkak të kohës së shkurtër akumuluese dhe luhatjes së tregjeve financiare, mund të ndodhë që të tërheqin më pak mjete sesa janë paguar nga kontribuuesi dhe punëdhënësi i tij/saj.

DOKUMENTET E NEVOJSHME

Dokumenti valid identifikimi kontribuuesit

Vendimi për pensionim invalidor, nga Administrata Pensionale

Deklarim për bankën e preferuar (TEB, NLB, BE, BPB)

Nëse zgjedhet TEB, kontribuuesi duhet të ofrojë konfirmimin e llogarisë nga TEB. / Insajderi / KultPlus.com

Nënshkrimet për tërheqjen e parave nga Trusti dorëzohen sot në Kuvend

Organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit sot do të dorëzojnë në Kuvendin e Kosovës nënshkrimet e mbledhura në të gjitha komunat e Kosovës përmes së cilave kërkojnë të bindin ligjvënësit që t’ju plotësohet kjo kërkesë.

Lajmi është dhënë nga Adnan Jashari, një prej përfaqësuesve të grupit, të cilët më parë kanë organizuar edhe protesta duke kërkuar lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Ata do të priten edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili personalisht por edhe partia që përfaqëson është kundër një tërheqjeje të dytë të Trustit.

Në seancën parlamentare të 23 qershorit pas një debati të ashpër ndërmjet pozitës dhe opozitës, nuk kaloi projektligji që mundëson tërheqjen e një përqindje të caktuar nga Trusti.

Nga 102 deputetë të pranishëm në sallë, 44 patën votuar “për”, 57 “kundër” dhe 1 “abstenim”.

Qeveria dhe mazhoranca në Kuvend të Kosovës nuk e kanë mbështetur projektligjin në fjalë për tërheqjen e 10 deri 30 përqind të mjeteve, ku iniciues i kësaj nisme ligjore, ishte deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Para dy vitesh ishte lejuar tërheqja e menjëhershme dhe e parakohshme e 10% të kursimeve pensionale. Sipas të dhënave, asokohe ishin tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribues. / KultPlus.com

Kraki: E ardhmja e qytetarit të Kosovës rifillon çdo mëngjes me instinktin për mbijetesë

Profesori Nezir Kraki nëpërmjet një postimi ka reaguar për pakon e rimëkëmbjes ekonomike, shkruan KultPlus.

Ai ka kritikuar mënyrën se si Qeveria e Kosovës i ndihmon qytetarëve të saj në kohë pandemie nëpërmjet marrjes së parave të kontributit pensional. Sipas tij, kjo do të thotë që po cënohet e ardhmja e popullit mirëpo, në Kosovë nuk ekziston as e tashmja, meqë e gjithë jeta është një përpjekje për mbijetesë.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Nezir Krakit:

Ç’i duhet e ardhmja vendit pa të tashme?

Shumë vende janë prekur brutalisht nga koronavirusi por asnje qeveri deri sot nuk ka propozu ide më absurde per rimekembje e ndihmë sesa qeveria jolegjitime e Kosovës përmes zbrazjes së kursimeve pensionale.

Dhe absurdi merr proporcione tragjike kur dihet që kursimet pensionale te popullit te Kosoves jane nder me te ultat ne Evropen gjeografike.

Megjithate, asgjë e çuditshme! Ky është rezultati logjik i 20 viteve vjedhje e dhunimi te dinjitetit kolektiv te nje populli te dorezuar i cili ka hequr dore nga e ardhmja.

Po, e ardhmja. Sepse kursimet pensionale janë te menduara per te ardhmen por ne vendet ku as e tashmja nuk ekziston, mbijetesa dita-dites është e ardhmja. E ardhmja e qytetarit te Kosoves rifillon çdo mengjes me instinktin per mbijetese.

Prandaj edhe 10 euro shihen si dhuratë hyjnore per ta vazhdu jeten edhe nje dite më shumë derisa bandat politike kcejnë nga pazari në pazar për poste e për privilegja asnjehere te merituara.

Dhe fasin për rimëkëmbje duke pretendu se ajo arrihet me ligj. Jo o idiotë, dinamizmi ekonomik dhe kultura politike nuk behen me ligje por me vullnet per t’i sherbyer interesit kolektiv. Ikni nga absurditeti i trustit dhe dilni nga logjika e zhvatjes nëse i keni dy fije mend e dy miligram integritet moral e personal. / KultPlus.com

Edona Reshitaj me shumë role në seriale, akuzon produksionet që nuk i kanë paguar trustin

Artistja Edona Reshitaj nëpërmjet një postimi në facebok ka ndarë përvojën e saj, shkruan KultPlus.

Reshitaj ka treguar se si nuk iu është paguar me vite kontributi pensional, në kohën kur qytetarët e Kosovës po marrin 10 përqindëshin e të hollave nga trusti.

Edona përmes postimit ka treguar se në disa seriale televizive ku ka punuar u janë ndalur paratë për trust, ndërkohë që sot ato shuma nuk konfigurojnë fare.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Edona Reshitajt:

Ne disa seriale televizive ku une kam marre pjese me vite te tana, ne rroge m’i kane ndale paret per trust, por ne trust nuk me figurojne ato pare sepse produksioni nuk i ka pagu.

A ka dikush pergjigje per keto raste, apo a mund te inicohet diçka e tille nga te gjithe ata artiste qe kane kalu neper keto eksperienca te padrejta? / KultPlus.com

Një qytetar i merr vetëm 3 euro e 12 cent në Trust

Nuk ka kaluar as një orë që është hapur aplikimi në Trust për të tërhequr 10 përqind të vlerës dhe deri më tani kanë aplikuar mbi 30 mijë persona.

Madje ka edhe prej tyre që nga Trusti kanë përfituar shifra të ulta.

Një qytetar gjatë aplikimit të tij u njoftua se do t’i përfitojë vetëm 3 euro e 12 cent. Kjo shumë ishte për t’u qeshur, ndërkohë që qytetari e fotografoi atë. /express/ KultPlus.com

Të premten në orën 15 hapet sistemi online për tërheqjen e 10% nga Trusti

Më 11 dhjetor 2020, do të fillojë aplikimi i kontributpaguesve për të tërhequr 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kjo mundësi është krijuar në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili është miratuar më 4 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.

Hoti tha se Trusti ka njoftuar se janë gati për lansimin e faqes online, lidhur me tërheqjen e 10 për qindëshit. 

“Më vjen mirë që tash ligji është publikuar në gazetë zyrtare dhe këto institucione mund të fillojnë punën ashtu siç parashikohet me ligj. Nga informatat që morëm nga zëvendësguvernatori, nga kryetari i bordit dhe nga drejtori i Trustit është që të gjitha përgatitjet janë bërë, janë ndarë informatat në mes të këtyre dy institucioneve. Është përgatitur edhe sistemi është hapur edhe webfaqja dhe të premten në orën 15:00 pasdite hapet sistemi për qytetarët për të aplikuar për tërheqjen e këtyre kursimeve”, tha Hoti.

Në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, së bashku me ministren e Financave, Hykmete Bajrami, anëtarin e Bordit Drejtues të FKPK-së, Ruzhdi Morina dhe Sokol Havollin, zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Kosovës, tha se këto institucione kanë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për të filluar aplikimin.

Aplikimi për tërheqjen e 10 për qind të kursimeve nga kontributdhënësit mund të bëhet vetëm online përmes një faqeje të veçantë interneti.

“Trusti i Kursimeve Pensionale në bashkëpunim me Bankën Qendrore dhe Ministrinë E financave dhe Institucionet tjera ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme teknike. Jemi duke punuar intensivisht në mënyrë që të bëhen të gjitha testimet e nevojshme dhe të premten sistemi do të hapet për aplikim dhe të gjithë qytetarët do të munden të aplikojnë për tërheqjen e mjeteve. Gjithashtu sot lansohet platforma në internet që është www.trusti10.org do të jetë një faqe tjetër e internetit. Aplikimi do të jetë shumë i thjeshtë, numri personal dhe llogaria bankare. Në bazë të aplikimeve presim që shumë shpejtë të bëjmë pagesën e këtyre mjeteve dhe presim që pagesa më e madhe e këtyre mjeteve për të gjithë ata që aplikojnë para datës 22 apo 24 të këtij muaji, paratë do të mund të paguhen para festës së fundvitit. Besojmë që çdo jave do të bëjmë nga një pagesë të mjeteve dhe shpresojmë që në këtë drejtim nuk do të ketë ndonjë problem”, u shpreh Morina.

Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Kontributpaguesit që kanë kursime deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 përqindëshit nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do t’i kompensojë ata brenda pesë vjetëve të ardhshme. / KultPlus.com

Paratë që tërhiqen nga Trusti do t’i kthejë shteti

Personat që kanë kursime deri në 9.999 mijë euro në Trust dhe i tërheqin, ato do të kompensohen në formë rimbursimi, duke filluar nga viti 2023.

Kjo pasi sot në seancën e Kuvendit u miratua Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Votimi i këtij Ligji parasheh 4 amendamente të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.

Amemdamenti i parë është që mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit sipas këtij neni, e të cilët kanë kursime deri në 9.999 mijë euro kompensohen në formë rimbursimi, duke filluar nga viti 2023.

Amendamenti i dytë, lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, lirohet nga TVSH.

Amendamenti i tretë thotë se të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilët kanë qenë aktive të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, mbështetën financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë euro.

Amendamenti i katërt thotë se do të paguhen nga ana e buxhetit të Republikës së Kosovës, pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor dhe dhjetor 2020 të cilët si pasojë e pandemisë Covid-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj. /gazetaexpress/ KultPlus.com