Tryezë shkencore në Akademinë e Shkencave mbi tekstin letrar e dokumentar

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua tryeza shkencore me tematikë “Filologjia si dije e saktësimit të një teksti letrar dhe dokumentar”.

Akad. Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe i Letërsisë, nënvizoi rëndësinë e gjurmimeve filologjike në lidhje me studimet albanologjike dhe në veçanti me historinë e letërsisë shqipe dhe të shkrimit shqip.

Tematikat që kanë shërbyer dhe si premisa për të organizuar këtë tryezë u shtjelluan gjithashtu nga prof. as. dr. Evalda Paci.

Në këtë tryezë u referua për probleme të historikut të veprave të rëndësishme të letërsisë së shkruar shqipe, për variantet tipike mbi të cilat janë kryer vëzhgime të natyrës filologjike e kritike, për dëshmi mbi përmbajtjen dhe qarkullimin e tyre në letërkëmbime më të hershme, që janë dhe elemente të një kujtese domethënëse për vetë tipologjinë e tyre.

Në tryezën shkencore kumtuan: prof. as. dr. Merita Bruci, e cila u ndal në përvojën e filologut përballë dorëshkrimit: rasti i romanit “Sofia e Kominiatëve”. Ajo e vuri theksin në çështje të njohjes e të receptimit të teksteve përkatëse; dr. Ardian Doka, i cili u ndal në temën me titull “Pseudo-Brokardi, çështje të riatribuimit”, duke e ilustruar dhe me shembuj nga puna e tij në përkthimin e teksteve nga latinishtja; dr. Edmond Çali, i cili referoi mbi “Filologjinë dhe variantistikën në ditët e sotme: rasti Ismail Kadare”, duke theksuar dhe aspekte të reflektimit të fakteve të caktuara në variantet kryesisht në prozën e Kadaresë; prof.as.dr. Evalda Paci, e cila referoi mbi “Të dhënat dokumentare dhe historikun e teksteve të vjetra shqipe”, duke u ndalur dhe në përditësimet më të fundit në lidhje me autorë të letërsisë së vjetër shqipe.

Çdonjëra nga kumtesat e mbajtura ishte e lidhur në mënyrë referenciale me tekste të përveçme dhe dukuri të cilat pikërisht nëpërmjet vëzhgimit të imtësishëm filologjik janë rishfaqur në tipologjinë që i karakterizon, por dhe në vendin që u përket në studimet tona, përfshirë historinë e letërsisë dhe shkrimin shqip. /atsh/ KultPlus.com

Instituti Albanologjik organizon tryezë diskutimi për veprimtarinë shkencore të Prof. Shefqet Pllanës në folkloristikë

Instituti Albanologjik i Kosovës ka njoftuar se do të mbajë tryezën shkencore “Prof. Shefqet Pllana (1930 – 1994) dhe veprimtaria e tij shkencore në folkloristikë”.

Pjesë e këtij paneli diskutues do të jenë:

Leontina Gega – Musa
Profili shkencor i prof. Shefqet Pllanës në kontekst të filleve të folkloristikës institucionale

Liburn Jupolli
Digitalizimi i materialeve audio-folklorike: Rasti studimor i incizimeve audio-analoge të Shefqet Pllanës

Vlorë Fetaj Berisha
Shefqet Pllana, studiues i vajtimeve shqiptare në Kosovë

Kristina Perkola
Vlera historike e kontributit dhe veprimtarisë së Shefqet Pllanës në fushën e folkloristikës dhe etnomuzikologjisë

Arbnora Dushi
Prof. Shefqet Pllana, autor dhe redaktor në revistat e hershme shkencore në Kosovë

Takimi mbahet në sallën shkencore të Institutit Albanologjik i Kosovës, më 17 Prill, në ora 11:00./ KultPlus.com

‘Një monarki në letër’, tryezë shkencore për principatën e Vidit

Në kuadër të “110-vjetori i Principatës së Wilhelm von Wied”, mars-shtator 1914 është mbajtur në Akademinë e Shkencave një tryezë shkencore ku u diskutuan ngjarjet dhe tiparet e kësaj principate. Profesor Ksenofon Krisafi u ndal te vështirësitë dhe mënyrës se si kjo principatë u pa nga studiuesit e huaj.

“Vidi erdhi të mbretëronte, të merrte aktin e pronësisë së një oborri mbretëror, që ia bënë dhuratë të mëdhenjtë e kohës dhe të qeveriste një pjesë të shqiptarëve që që donatorët ia kishin lënë brenda kufijve të mikroshtetit që kishin pranuar, por me sa duket nuk diti, nuk mundi ose nuk e lanë ta bënte sepse do të ishte e vështirë ta imagjinojmë se nuk deshi. Kjo ishte nga ana e tyre një vepër pa themel sepse monarkia e re nuk u krijua veçse në letër, dhe në imagjinatën e diplomatëve, ajo nuk jetoi kurrë sepse nuk hodhi rrënjën në popull”, tha Krisafi.

Për historianin Romeo Gurakuqi, ata 6 muaj ishin pjesë e procesit të shtet ndërtimit të një Shqipërie të vënë në qendër të pretendimeve territoriale.

“Së pari principata e Shqipërisë nuk është sipërmarrje individuale dhe as një organizëm artificial i implantuar nga Fuqitë Imperialiste por është pjesë integrale e shtetformimit, është materializëm i vendimit të Fuqive të mëdha, mbi shtetin, kushtetutën e brendshme, Pirnc vidit iu desh të përballte përpjekjet e Esat Pashë Toptanit për të ruajtur privilegjent ushtarako-politike dhe përpjekjet e tij për të kontrolluar pushtetin”, tha Gurakuqi.

Trashëgimia politiko-institucionale, pozita juridiko-ndërkombëtare, sistemi i drejtësisë, këndvështrimi i dokumentacionit arkivor gjerman u morën po ashtu në shqyrtim gjatë tryezës./balkanweb/KultPlus.com