‘Tulipanët e vonuar’, vëllimi me tregime i Flutura Açkës, ndër pesë finalistët e çmimit për ‘Prozën e shkurtër’ 2022

“Tulipanët e vonuar”, vëllimi me tregime i shkrimtares dhe deputetes Flutura Açka është përzgjedhur një ndër pesë finalistët e çmimit kombëtar për “Prozën e shkurtër” 2022.

“Ishte libri që më ka dhënë një kënaqësi të çuditshme: atë të përqendrimit të vetes në pak rreshta. E bën poezia këtë, por ka ritëm marrafrymës. Tregimi është një mrekulli që të magjeps ta shkruash. Ka pak lexues, thonë. Thonë, por nuk është e vërtetë, pasi çdo gjini letrare ka lexuesin e vet, dhe për shkrimtarin që e ka lexuesin e tij, është vetëm një mënyrë e re takimi, si të them, një gjuhë e re mes tyre”, thotë shkrimtarja Flutura Açka.

“Kam eksperimentuar duke e shkruar, kam ndërruar disa herë gjatë shkrimit të tij rrason e errët të jetës sime e kësisoj të mos ia vishja lexuesit zymtin tim, përzgjodha tregime me një gjeografi më të gjerë mbase se vetë jeta ime dhe stërvita durimin të ngjëroja në gurra të befta ngjarjesh, me kujdesin të mos hyj në përroin e ndërgjegjjes që shpesh më ka lypur shumë e më shumë faqe” – zbulon më tej autorja e librit me tregime, “Tulipanët e vonuar”.

Por pse të vonuar?

“Tulipanët e vonuar” ishte ura e brishtë nga “Biri” te libri që ende e kam ndër duar”, thekson Açka.

Kjo është bota ku pikturohen me nota të stilit të njohur të saj, një galeri qeniesh magjike që e kthejnë këtë libër i ckli gjendet në libraritë kryesore me një çmim për 100 lekë, është ndër më të veçantët dhe të rëndësishmit të autores.

DETAJET E LIBRIT
Titulli: Tulipanë të vonuar
Origjinali: Tulipanë të vonuar
Gjinia: Tregime dhe novela
Autor: Flutura Açka
Shtëpia botuese: Skanderbeg
Viti: 2022
Fq. 208

Përmbledhje mbi librin

Fantazma distopike që shfaqen në kohë pandemie, flutura të ardhura nga botëra të tjera, koleksionistë të dehur thikash, gra që ecin pikëpyetjeve të jetës njëlloj si në bulevarde qytetesh e shtigje pyjesh, fatalitete pa kohë që iu fanepsen të gjallëve në fundin e kohës së tyre biologjike, një gjindje plot larushi që ndërton shpesh gjendje surreale, me gjeografi të gjerë të atdheut të autores, Europës së sotme, dhe jo vetëm. Kjo është bota ku pikturohen me nota të stilit të njohur të saj, një galeri qeniesh magjike që e kthejnë këtë libër ndër më të veçantët dhe të rëndësishmit të autores.
Pas suksesit me veprën “Biri”, fitues i Çmimit Kombëtar “Proza më e mirë e vitit 2020”, Flutura Açka vjen te lexuesi me vëllimin me tregime “Tulipanë të vonuar”, ndër më të beftët në listën e gjatë të veprave të saj./Liberale.al/KultPlus.com

Tulipanët

Poezi nga Sylvia Plath

Përktheu: Faslli Haliti

Tulipanët janë shumë nervozë, është dimër këtu,
Shiko si çdo gjë është e bardhë, e qetë, me dëborë.
Mësoj paqen, ndërsa prehet e qetë afër meje
si drita mbi këto mure të bardha, si ky shtrat, si këto duar.
S’jam askushi, s’kam të bëj me shpërthimet.
I dhashë emrin tim dhe rrobat e mia infermiereve,
historinë time anestezistit dhe trupin tim kirurgëve.

Kanë mbështetur kokën time midis jastëkut dhe buzës së çarçafit
si një sy midis qepallave të bardha që s’do të mbyllen.
Bebëz budallaqe, duhet të grumbullosh gjithçka.
Infermieret kalojnë dhe rikalojnë, nuk turbullojnë,
kalojnë si pulëbardhat drejt tokës me skufjet e tyre të bardha,
duke bërë gjëra me duar, të barabarta me njëra-tjetrën,
kështu që është e pamundur të thuhet se sa janë.

Trupi im është një gur për ata, bëhen gati si uji
për gurët mbi të cilat duhet të rrjedhë, duke i lëmuar me mirësjellje.
Më japin topitje me gjilpërat e halave xixëlluese, më japin gjumë.
Tani kam humbur veten time jam e lodhur nga bagazhet –
Çanta ime prej lëkurë si një kutizë e zezë pilulash,
burri dhe fëmija im buzëqeshin në fotografinë familjare;
buzëqeshjet e tyre më mbërthejnë lëkurën, grepa të vegjël të buzëqeshur.

Kam hedhur gjëra në det, unë, anija tridhjtëveçare.
bashkangjitur fort tek emrin im dhe tek adresa.
Ata kanë fshirë të gjitha ndjenjat e mia.
E frikësuar dhe e zhveshur mbi barelën e gjelbër plastike
Kam parë çajnikun tim, komonë e rrobave, librat e mi
të zhyten thellë, si dhe ujin të më arrijë mbi kokë.
Jam një murgeshë, tani nuk kam qenë kurrë kaq e pastër.

Nuk doja lule, doja vetëm të shtrihem,
me pëllëmbët lart krejtësisht bosh.
Të jesh i lirë, s’e keni idenë se sa të lirë jeni-
paqja është kaq e madhe sa të verbon,
S’ kërkon asgjë, një etiketë me emrin, ndonjë çikërrimë.
Me këtë, më në fund, mbyllin të vdekurit; i përfytyroj
duke e mbllaçitur si një meshë kungimi.

Tulipanët janë tepër të kuq në radhë të parë, më plagosin.
Edhe nëpërmjet dhuratës së paketuar si dhuratë i dëgjoja të merrnin frymë ngadalë,
nëpërmjet fashës së bardhë, si një fëmijë monstruoz.

Faqekuqët i flasin plagës sime, i përgjigjen.
Janë tradhtarë:duken se valëzojnë, edhe nëse më tërheqin poshtë,
duke më ngatërruar me gjuhën e tyre të beftë e me ngjyrën,
një duzinë tulipanësh të kuq të plumbtë rreth qafës sime.

Më parë asnjë s’më përgjonte, tani po më përgjojnë.
Tulipanët kthehen drejt meje, dhe dritarja pas
ku drita çdo ditë zgjerohet e hollohet,
unë shoh veten, madje, qesharake, hije letre e riprerë
midis syrit të diellit dhe syve të tulipanëve,
nuk kam fytyrë, kam dashur të shuhem.
Tulipanët gjallërues konsumojnë oksigjenin tim.

Para se të vinin atmosfera ishte mjaft e qetë,
Pulsonte, frymëmarrje pas frymëmarrjeje, pa ndërprerje.
Pastaj tulipanët e mbushën me zhurmë të madhe.
Tani ajri i shtyn dhe i vërtit përreth si lumë
i shtyn dhe i shtjell rreth një makine të kuqe-ndryshku të thellë.
Koncentrojnë vëmendjen time, që ishte e lumtur
duke luajtur e duke pushuar pa u angazhuar.

Edhe muret duken se u ngrohën midis tyre.
Tulipët duhej të qëndronin pas hekurave si kafshë të rrezikshme;
hapen si goja e një tigri të madh afrikan,
dhe unë kujtohem për zemrën time: hap e mbyll
vazon e saj të gonxheve të kuqe për dashurinë time të vërtetë.
Uji që shijoj është i ngrohtë dhe i kripur si deti,
dhe vjen nga një vend i largët si shëndeti./ KultPlus.com

Parajsë në tokë: Laramni ngjyrash në kopshtin legjendar që mbeti pa vizitorë këtë vit

Nëse nuk e keni ditur, ekziston kopshti më i bukur i tulipanëve në botë që duhet ta vizitoni patjetër sa më shpejt kur plotësohen kushtet për një gjë të tillë

Ky vit është i veçantë, sepse kopshti legjendar i tulipanëve holandezë Keukenhof është i mbyllur, për herë të parë pas 70 vjetëve!

Mund të mos ketë asnjë vizitor, por lulet e mrekullueshme të kësaj “kuzhine kopshti” janë ende atje, dhe falë fotografive të bukura, ne gjithashtu kemi mundësinë t’ia hedhim një sy kësaj parajse në tokë, transmeton KultPlus.

Ka diçka të veçantë në këto shtigje “të zbrazëta” të Keukenhof-it që duket se ftojnë miliona turistë të kthehen në këtë larushi të ngjyrave të mrekullueshme dhe të shëtisin përsëri nëpër to.

Siç thotë vetë fotografi Albert Dross, kjo ishte një mundësi unike për të që të fotografonte një kopsht të magjishëm pa vizitorë.

Jo vetëm që kjo hapësirë, të paktën sipas tij, dukej më e mira (dhe më e çuditshmja!) deri më tani, por ky ishte edhe muaji me më së shumti diell që ka pasur ndonjëherë në Holandë, që sigurisht kontribuoi në faktin se çdo petal në fotografitë që po bashkëngjitim sot të duket hyjnor.

E vetmja gjë për të cilën na vjen keq është fakti që fotografitë nuk mund të na transmetojnë aromën e këtij kopshti mahnitës. / KultPlus.com

Turistët humbën festivalin e tulipanëve, fermerët u kushtojnë një mesazh të veçantë

Çdo vit, turistët udhëtojnë për në Holandë për të shijuar fushat shumëngjyrëshe të tulipanëve.

Por me pandeminë e koronavirusit e cila ktheu përmbys të gjitha planet e udhëtimeve, turistët nuk patën mundësi këtë vit të marrin pjesë në spektaklin e përvitshëm të luleve.

Sipas CNN, kjo është arsyeja pse “Dutch Daffodils”, një fermë lulesh në Holandë e një blog udhëtimi kushtuar tulipanëve në Holandë, u bashkuan për të krijuar një mesazh të veçantë për ata që janë të trishtuar për humbjen e luleve këtë vit.

“Ne i organizuam tulipanët në mënyrë të tillë që të shkruanim këtë mesazh. Nga familjet tona tek ato tuajat!” 

“Dutch Daffodils” shkroi një postim në Facebook fjalinë “Shihemi Vitin tjetër” të shkruar në lule, së bashku me një zemër. 

“Shpresojmë që kjo të ndriçojë paksa ditën tuaj dhe shpresojmë t’ju shohim vitin tjetër! Shumë dashuri!’, janë shprehur ata.

Holanda ka më shumë se 38 mijë raste të konfirmuara të koronavirusit, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins. / KultPlus.com