Plot 27 vjet pas vdekjes, reperi më me influencë në botë, Tupac Shakur është nderuar me një yll në Bulevardin e Famës në Hollivud.
Muzikanti që konsiderohej se revolucionalizoi botën e hip-hopit u nda nga jeta në moshën 25 vjeçare pas një atentati që u krye në një kryqëzim në vitin 1996.
“Tupac ishte një reper, aktor, aktivist dhe poet revolucionar. Ky artis ikonik vijon të lerë gjurmë edhe 27 vite pas ndarjes nga jeta dhe do të vijojë të jetë një figurë shumë e rëndësishme. Mendoj se ky yll do të jetë një ndër më të vizituarit në këtë bulevard”, u shpreh producentja Ana Martinez.
Në ceremoni ishte e pranishme dhe motra e vogël e artistit e cila ndau për të pranishmit disa momente të bukura kur Tupac ishte ende gjallë.
“Tupac e dinte që herët se ishte i destinuar që të bënte diçka të jashtëzakonshme. Dhe unë si motra e tij e vogël pata fatin të shihja tek arrinte majat. Që nga dita e parë kur doli në skenë në teatrin Apollo në moshën 13 vjeçare besonte se do të kishte një yll këtu”, tha motra e reperit./ a2cnn / KultPlus.com