NEX24news: Shqipëria thesari i pazbuluar i kirurgjisë estetike

Shqipëria, vendi i vogël përgjatë bregdetit adriatik dhe atij jonian, nuk ka rënë ende në sy për sa i përket turizmit shëndetësor, shkruan faqja e njohur gjermane NEX24.news.Jo shumë të huaj njohin bukurinë e peizazhit dhe mikpritjen e njerëzve atje.E megjithatë, Shqipëria mund të ofrojë më shumë.

Turizmi shëndetësor, një lloj i ri i turizmit, po bëhet gjithnjë e më popullor në vitet e fundit. Nëse disa pacientë e shfrytëzojnë atë për parandalimin e sëmundjeve, për të tjerët bëhet domosdoshmëri për trajtime mjekësore.

Në Gjermani, shoqëria është duke pësuar ndryshime dhe për këtë arsye shëndetit i jepet një rëndësi e madhe. Nga njëra anë, kjo përforcohet nga zhvillimi demografik, nga ana tjetër nga ndryshimi i strukturave të financimit.

Një trajtim dentar mund të çojë në një barrë shumë të madhe financiare, ndërkohë që kirurgjitë estetike janë të papërballueshme për shumë njerëz. Për këtë arsye, parandalimi shëndetësor dhe trajtimet mjekësore rrisin kërkesën për shërbimet e turizmit shëndetësor. Gjithnjë e më shumë vende po i përmbushin këto kërkesa.

Një treg i ri, që cili po rritet me shpejtësi.

Vetëm disa vjet më parë, Franca, Italia, Spanja dhe Anglia ishin destinacionet kryesore për trajtim mjekësor jashtë vendit, ndërsa tani janë shtuar me kalimin e kohës dhe Hungaria, Republika Çeke, Polonia dhe Rumania. Për disa vite, Turqia ka qenë gjithashtu një destinacion shumë i njohur për udhëtimet shëndetësore.

Në panairin më të madh ndërkombëtar të botës për turizmin, ITB, që u hap në Berlin, ky lloj i ri i turizmit për shumë ekspozues zinte një pjesë të konsiderueshme në prezantimin e vendeve të tyre.

“Shqipëria është ende pak e njohur në këtë sektor, por ne kemi mjekët dhe spitalet më të mira”, u shpreh Anduela Çela, nga klinika “Travel and Smile” ose “Viaggiare e Sorridere” në një bisedë me NEX24, në ambientet e këtij panairi.

Ajo thekson se kursehen mbi 60 për qind të vlerës për sa i përket trajtimeve dentare si dhe për procedurat estetike të cilësisë së lartë krahasuar me vendet e tjera evropiane.

Sipas Dritan Gremit, themeluesit të kompanisë, në këtë mënyrë, ata do t’u ofrojnë pacientëve të tyre edhe shërbime individuale turistike për ta bërë qëndrimin e tyre në Shqipëri sa më të këndshëm.

“Misioni ynë nuk përbëhet vetëm nga përsosmëria mjekësore, por ne gjithashtu garantojmë mirëqënie dhe mikpritje”, shpjegon themeluesi Gremi, duke shtuar se “shpenzimet e trajtimit përfshijnë transfertën vajtje-ardhje nga aeroporti si dhe akomodimin në hotel ose apartament. Shoqërimi nga një përkthyes si dhe vizita nëpër vende të bukura të një kombi të ri dhe dinamik, në kryeqytetin e të cilit duken simbolet e rilindjes së tij, të cilat janë gjithashtu pjesë e shërbimit falas”, thotë Gremi.

‘’Travel and Smile’’ është ende një klinikë e re. Në vitin 2009, Dritan Gremi realizoi ëndrrën e tij. Ishte e rëndësishme për të që të kombinonte bukurinë e vendit të tij me artin mjekësor të shërimit. Ai ndërtoi një klinikë dentare dhe një qendër kompetente bashkëpunimi për klinikat, të cilat janë të specializuara në trajtimet minimale invazive të kirurgjisë estetike. Ndërhyrjet kryhen nga mjekë specialistë të njohur ndërkombëtarisht.

Sipas deklaratës së Anduela Çelës, klinikat janë duke zhvilluar punën në nivelin më të lartë.

Ata ofrojnë trajtime dentare të cilësisë së lartë duke përdorur teknika pa dhimbje dhe mini-invazive, si dhe produktet dentare të certifikuara nga BE. Implantet dentare nga Tirana tashmë i kanë dhënë një buzëqeshje të re shumë pacientëve.

Që nga themelimi i tij janë trajtuar me sukses 12 000 pacientë. Një pjesë e konsiderueshme e klientëve vijnë nga Italia, por gjithnjë e më shumë pacientë gjermanë kanë vlerësuar përparësitë e një trajtimi profesional në klinikën e tij./  a.jor. / KultPlus.com