Thethi, i preferuari i rreth 5 mijë turistëve vetëm në gusht

Rreth 5 mijë turistë shijuan gjatë muajit gusht natyrën e bukur, ajrin e freskët dhe ushqimet bio të zonës së Thethit, 70 km larg Shkodrës.

I cilësuar si një magji turistike Thethi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër, Agim Dardha tha për ATSH-në se gjatë muajit gusht Thethi pati një rritje të numrit të turistëve, ku gjatë ditëve ka patur rreth 200 turistë në ditë, ndërsa në fundjavë mbi 500 turistë që vijnë për të parë nga afër bukuritë natyrore të Thethit”.

Sipas tij, pjesa më e madhe e turistëve ëstë vendas, ndërsa nga turistët e huaj kanë qenë francezë, polakë, çekë, si dhe një numër i lartë nga Kosova.

Ndër pikat më të vizituara nga turistët janë Shtegu Theth- Valbonë, Theth –Pejë, Ujëvara, Kanioni, Syri i Kaltër, Shpella e Arapit, Shtegu i Bjeshkëve të Namuna etj.

Thethi gjendet në mes të Alpeve në veri të Shqipërisë, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet, Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit. Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

Thethi është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë./ atsh/ KultPlus.com

Ringrihet “Nëndetësja 105” e Pashalimanit, aset i ri i kulturës në Shqipëri

Specialisti i trashëgimisë kulturore shpirtërore Sejmen Gjokoli ka publikuar foto të “Nëndetëses 105”, e famshmja historike e Pashalimanit të viteve gjashtëdhjetë, duke na treguar se tashmë ajo është rindërtuar.

Duke e etiketuar si “një aset që fle në det”, Gjokoli thotë se tanimë do kemi një aset të rëndësishëm në shërbim të kulturës e historisë.

“E shkatërruar dhe e zhveshur tërësisht në vitin e mbrapshtë ‘97, ajo do të mbetej ashtu bark tharë e lidhur në një nga kalatat e bazës ushtarake të Pashait”, shkruan Gjokoli në rrjetin social “Facebook”.

Sakaq, ai thotë se dy ish-specialistë të teknikës së kohës, kanë punuar pa ndërprerë për ta ringritur e për t’i dhënë shkëlqimin e madhështinë e dikurshme./KultPlus.com

Postimi i plotë:

Kam kohë që i ruaj pa publikuar këto foto.

Prej dimrit që shkoi, ditës që pata rastin të vizitoj nga afër Nëndetësen 105, të famshmen historike të Pashalimanit të viteve gjashtëdhjetë.

E quaj fat atë moment kur për të parën herë do të hyja në “barkun” e një nëndetësje e ca më tepër kur ky mjet i sofistikuar ushtarak lidhet me një nga historitë më të lavdishme e më dridhëruese të ushtrisë shqiptare në vitet e luftës së ftohtë.

E shkatërruar dhe e zhveshur tërësisht në vitin e mbrapshtë ‘97, ajo do të mbetej ashtu bark tharë e lidhur në një nga kalatat e bazës ushtarake të Pashait.

Këtu do t’i shpëtonte edhe “skartimit” të çmendur kur simotrat u bënë skrap për pangopësinë.

Askush se di, ose më mirë të them fare pak e dinë që, pikërisht brenda kësaj nëndetësje, për rreth tri apo katër vite dy burra, dy ish specialistë të teknikës së kohës, kanë punuar pa ndërprerë për ta ringritur e për ti dhënë shkëlqimin e madhështinë e dikurshme.

Me thonj kanë punuar e ashtu një e nga një ja kanë gjetur e montuar paisjet, pjesët dhe aksesorët e rrjepur barbarisht.

Prej rrjetit elektrik, të ajrimit e aspirimit, vendkomandës, pultin e drejtimit, dhomën e silurave, krevatet e marinarëve, guzhinën etj. Gjer te dhomat zyra të komandantit e komisarit, të dya përballë njera tjetrës të ndara nga koridori i ngushtë.

Çdo gjë ashtu si ka qenë, në çdo detaj e paisje deri te vidat më të imta e ornamentet e varura.

Edhe boja e ngjyrat rigorozisht orgjinale, jashtë e brenda.

Tani thuajse e gatshme të presë e të përcjellë vizitorë duke shtuar kështu një aset të jashtëzakonshëm turistik jo vetëm për Vlorën.

Pa diskutim dita që do deklarojë startimin zyrtar të aksesimit të Nëndetëses 105, vendosur diku në një nga kalatat detare të Gjirit të Vlorës, do të shënojë edhe krijimin e një prej atraksioneve më madhore në fushën turistike e historike në hapësirën gjithë shqiptare.

Dhe me siguri atë ditë do flitet gjatë e mbase nuk do mungojë nderimi e vlerësimi për Neim Shehun e Ferdinand Hodon, dy mjeshtrat orikumas që 105-sën e shkretuar e rijetësuan për ta patur përsëri në ujrat adriatiko-joniane, tanimë të qeta por jo pak të lakmuara.

Tani për t’u treguar brezave se edhe për luftën e kemi të lashtë e gjëmimtare historinë…

Numri i vizitorëve në Kalanë e Rozafës gjithnjë në rritje

Monumentet e kulturës si vende atraksion dhe historike po presin çdo ditë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj. Fillimi i sezonit të ri turistik duket premtues pasi këto vende janë ”magnet” për turistët e huaj sepse kanë brenda tyre histori, kulturë dhe detaje mistike që ngjall jo pak kuriozitet tek vizitorët.

E lashta kalaja e Rozafës, në Shkodër vizitohet çdo ditë e më tepër nga të gjitha moshat, vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer. Numri i vizitorëve është gjithnjë në rritje në këtë atraksion turistik i cili përveç bukurive mban dhe misterin e historisë së Rozafës.

Kalaja e Shkodrës në periudhën janar-qershor 2018 në total ka tërhequr 43690 vizitorë, nga të cilët 6623 është numri i atyre që kanë përfituar hyrje falas gjatë festave zyrtare, ditëve të shënuara të Trashëgimisë dhe të dielave të fundit të çdo muaji.

Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Kështjella Rozafa është monumenti historik më antik, shkruan atsh.

Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX).

E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare.

Objekte të tjera me vlera të mëdha kulturore e që tregojnë shumë për historitë e kaluara të popullit tonë janë ,cisternat e ujit të shek XV, katedralja e shek XIII, e cila pas pushtimit osman u kthye në xhami. Po kështu aty ndodhet edhe muzeu i Rozafës, i cili shpjegon periudhat e ndryshme të kalasë./KultPlus.com