Amfiteatri i Durrësit, ‘magnet’ për turistët

Durrësi po tërheq gjithnjë e më shumë turistë, falë edhe thesareve të tij kulturore dhe historike. Amfiteatri Romak, një nga atraksionet kryesore të qytetit antik, mahnit vizitorët me historinë dhe arkitekturën e tij të lashtë.

“Jam nga Sllovakia, Amfiteari është shumë i bukur. Është hera e parë që vij  në Shqipëri dhe mendoj që është mahnitëse.”

“Më pëlqen ky vend, historia e tij, edhe mozaikët që pash.”

“Kthehemi për të disatën herë në Shqipëri sepse më pëlqen shumë, veçanërisht Durrësi”.

“Është shumë i bukur ky sit, historia e tij është interesante po aq sa mënyra që i ka rezistuar kohës.”

Amfiteatri, i ndërtuar në shekullin e II Pas Erës Sonë gjatë periudhës Romake, mbetet një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend. Statistikat tregojnë një rritje të dukshme të interesit të vizitorëve gjatë periudhës Janar-Korrik.

Jona Saraçi, specialiste në Qendrën Muzeore të Durrësit, thekson se turistët që e vizitojnë Amfiteatrin i përkasin grupmoshave të ndryshme, por mbizotëron mosha e tretë.

Amfiteatri ka një kapacitet prej rreth 15,000 spektatorësh dhe është përdorur për lojëra gladiatorësh dhe shfaqje të tjera publike në atë periudhë.

Me kalimin e kohës, ai ka mbetur një dëshmi e fuqishme e historisë dhe traditës së lashtë të Durrësit, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj./klantv/ KultPlus.com

Kumbaro: Turistë nga e gjithë bota në Qafën e Pazarit në Gjirokastër

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës gjatë këtij viti ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj.

Qendra muzeale e qytetit është destinacioni fillestar, pasi të gjithë turistët e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ftoi sot turistët që të vizitojnë Gjirokastrën, si një destinacion që “i ofron të tëra”.

“Shi në plazh? Asnjë problem! Kemi Gjirokastrën që i ka të tëra. Ju presim te Qafa e Pazarit ku java nisi plot me turistë nga e gjithë bota”, u shpreh ajo.

Ndër destinacionet më të preferuara për turistët janë Pazari karakteristik, kalaja e Argjiros, banesat karakteristike të Zekatëve, Skëndulajve, Parku Natyror i Viroit apo vlerat e trashëgimisë kulturore në njësitë administrative si Parku Arkeologjik i Antigonesë, objektet e kultit.

Gjatë këtij viti bashkia e Gjirokastrës ka organizuar një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike për promovimin e vlerave të folkut, traditës, etj.

Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.

Kumbaro: Turistët edhe gjatë mbrëmjeve vijojnë aktivitetet në Vjosë

Turistët nuk hezitojnë të vijojnë me aktivitetet e shumëllojshme edhe përgjatë mbrëmjeve në lumin Vjosa.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot foto nga turistët, të cilët vijojnë aktivitetet e tyre sportive edhe gjatë mbrëmjes.

“Vjosa është po aq magjike  dhe sfiduese edhe përgjatë mbrëmjeve ku turistët nuk hezitojnë të vijojnë me aktivitetet e shumëllojshme”, shprehet Kumbaro.

Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa karakterizohet nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.

Çfarë e bën këtë lumë vërtetë të veçantë ndërkombëtarisht është fakti, se pothuajse të gjitha degët e tij rrjedhin të pandërprera dhe të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë si diçka që nuk haset më aktualisht në Evropë.

Në 13 mars 2023 lumi i Vjosës, i fundit i egër në Evropë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “Park Natyror”.

Taverna e Adriatikut, panairi me prodhime artizanale në rrugët e qytetit të Durrësit mirëpritet nga turistët

Për të dytin vit radhazi, qyteti i Durrësit organizon panairin “Taverna e Adriatikut”, që synon të promovojë produktet gastronomike dhe artizanale të fshatrave turistikë dhe qytetit bregdetar.

“Një aktor shumë i fuqishëm është gastronomia në fushën e turizmit dhe turizmi është motori i ekonomisë lokale. Ju ftoj të vizitoni stendat”, u shpreh Gentian Kallmi, zv.kryetar i bashkisë Durrës.

Artizanë, kantina vere, agroturizme, prodhues të vajit të ullirit dhe bletërritës ofruan një larmi produktesh për vizitorët. Nuk munguan as stendat e librit dhe guidave turistike.

 “Ushqimet janë shumë të mira. I kemi bërë vetë ne nxënësit. Shkolla jonë është shumë e mirë dhe ia rekomandoj çdokujt që hyn në vit të parë”, tha një nxënëse e shkollës profesionale “Hysen Çela”.

“Falenderoj bashkinë që mundësoi promovimin e produkteve vendore. Shpresojmë që sezoni të jetë dhe më i mirë. Njerëzit e kanë pëlqyer si produkt. Kryesisht i pëlqejnë produktet shqiptare, po vajin e ullirit e preferojnë”, u shpreh një prodhues.

“Bukuroshen e Durrësit e kemi stampuar, e kemi hedhur në letër e pastaj në copë dhe e kemi qendisur dhe kjo ka një punë shumë të madhe”, tha një tjetër.

Përveç ekspozimit dhe degustimit të produkteve të zonës, banorë dhe turistë ndoqën një program të pasur artistik.

“Blemë vaj ulliri dhe ata na dhuruan dhe ullinj. Ishte vërtet e këndshme nga ana e tyre. Unë jam adhuruese e flaktë e vajit të ullirit. Më pëlqen dhe atmosfera e krijuar këtu”, rrëfeu një turiste.

“Jemi nga Estonia. Shumë interesante. Kemi qenë në shumë vende, po nuk kemi hasur në një vend si ky“, shtoi një tjetër turiste.

Panairi do të vazhdojë edhe të shtunën në mbrëmje, duke ofruar jo vetëm shijen e mirë dhe ofertat e prodhuesve lokalë, por dhe atmosferën festive në shëtitoren bregdetare “Taulantia”/ Top Channel/ KultPlus.com

‘Mbrëmjet e kulturës bullgare’ sjellin turistë nga Bullgaria dhe emocione të veçanta për publikun e Durrësit

Mbrëmja e dytë e kulturës bullgare u zhvillua të shtunën në Durrës.

Përmes një njoftimi për shtyp, Ambasada e Bullgarisë në Tiranë bëri të ditur se kjo nismë solli në bregdetin shqiptar shumë turistë bullgarë, të cilët duke shijuar pushimet e tyre, prezantuan po ashtu para publikut të Durrësit bukurinë e folklorit bullgar.

Për dy vite rresht, organizatorët tregojnë shumëllojshmërinë e valleve, këngëve dhe veshjeve popullore nga krahinat e ndryshme folklorike të Bullgarisë.

Kjo bëhet me ndihmën e klubeve folklorike që vijnë nga rajonet e ndryshme të Bullgarisë. Partnerët e tyre janë Ambasada bullgare në Tiranë dhe Bashkia e Durrësit, të cilët mundësojnë zhvillimin e aktiviteteve.

Tre ishin ansamblet që prezantuan artin e vet në mbrëmjen e kulturës bullgare më 22 qershor. Ato erdhën nga qyteti Bjala (Bullgari Veriore), qyteti Vratsa (Bullgari Perëndimore) dhe fshati Vasilovo (Bullgari Qendrore).

“Mbrëmje të tilla janë planifikuar edhe më 12 dhe 17 gusht 2024 në sheshin para qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Po punohet dhe për zgjerimin e iniciativës, duke përfshirë edhe qytete të tjera shqiptare”, thuhet në njoftimin e Ambasadës bullgare./atsh/ KultPlus.com

Po eksploronin Jezercën/ Dy turistë nga Bullgaria humbin kontaktet, nis kërkimi me helikopterë

Dy turistë nga Bullgaria kanë humbur kontaktet me njëri-tjetrin teksa po eksploronin malin e Jezercës. Sipas prefektit të qarkut Kukës, Agron Geca njëri prej tyre ka kaluar në Mal të Zi në gjendje të mirë shëndetësore, kurse tjetri dyshohet se ka humbur në thellësitë e Malit.

Prej mëngjesit, është ngritur një helikopter në zonë për lokalizmin dhe gjetjen e turistëve.

Për këtë ngjarje është njoftuar dhe ekipi i kërkim-shpëtimit i FNSH Shkodër, i cili së bashku me strukturat tjera dhe banorë të zonës po kërkojnë në terren. Terreni është mjaft i vështirë pasi kemi të bëjmë me mbi 2000 metra lartësi mbi detare me terren të thepisur./abcnews/ KultPlus.com

Kruja mbipopullohet nga turistët në fundjavë

Qyteti i Krujës, pak kilometra larg kryeqytetit Tiranës vizitohet çdo ditë nga turistë vendas dhe të huaj. Ndërsa fundjava është e mbipopulluar.

Ajo çka tërheq më së shumti vëmendjen e tyre është kalaja e Krujës, ku gjendet muzeu i Heroit Kombëtar, Skenderbeut,  pazari karakteristik, ku shpaloset e gjithë trashëgimia kulturore e zonës dhe mjeshtëria e artizaneve të këtij qyteti.

Këtë vit pritet numri i  vizitorëve të kapërcejë parashikimet, falë edhe jehonës që i është bërë Shqipërisë nga mediat ndërkombëtare.

Në 4 mujorin e parë të këtij viti, Muzeun Historik të Krujës e kanë vizituar 27.931 vizitorë, ndërsa vetëm në muajin prill 14.294 të tillë,  më shumë se dyfishi i vizitorëve,  krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Në muajn prill muzeu është vizituar nga 8005 turistë të huaj dhe 6289 vendas.

Turistët e huaj janë në përqindje më të madhe nga Italia, Gjermania, SHBA, Spanja, Polonia.

‘Express’: Shqipëria ka gjithçka që një turist mund të dëshirojë për pushime

Vendi befasues ka gjithçka që një turist mund të dëshirojë për pushime, mot të shkëlqyer, ujëra mahnitëse bruz dhe madje rrënoja të lashta romake, shkruan Aditi Rane në një artikull të publikuar në të përditshmen britanike “Express”.

Ndërsa vendet klasike të pushimeve në Evropë pritet të jenë të mbipopulluara këtë verë, një numër në rritje vizitorësh po kërkojnë destinacione më pak të frekuentuara për të udhëtuar.

Butrinti, i vendosur në qarkun e Vlorës, është një park kombëtar dhe një vend arkeologjik që ofron gjithçka që turistët mund të dëshirojnë për pushime, mot të shkëlqyer, ujëra mahnitëse bruz dhe madje rrënoja të lashta romake.

Butrinti është cilësuar si ‘Maldivet’ e Evropës, por gjithashtu strehon rrënojat romake.

Ky park kombëtar është krahasuar me “Maldivet”, falë detit piktoresk, plazheve me rërë të bardhë dhe klimës së ngrohtë verore.

Vizitorët në Butrint mund të shijojnë shëtitjet në natyrë, vendet historike, diellin, rërën dhe detin.

Parku Kombëtar i Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, shtrihet në një sipërfaqe prej 9 424 hektarësh, duke përfshirë kodra, liqene, ligatina dhe kënetat e kripura.

Parku përfshin qytetin antik të Butrintit, i banuar që nga kohërat parahistorike dhe më vonë i zhvilluar si një vendbanim grek, romak, bizantin dhe venecian.

Pasuria e tij historike është e dukshme në rrënojat e ruajtura mirë që shtrihen nga shekulli i IV deri në shekullin e XIX, duke përfshirë një teatër, kisha, porta, kulla dhe bazilika.

Hyrja në Parkun Kombëtar të Butrintit është e përballueshme, kushton më pak se 5 paund për person, duke e bërë atë një opsion të shkëlqyer të një udhëtimi ditor.

Vizitorët mund të eksplorojnë bukurinë natyrore, të admirojnë rrënojat, të vizitojnë kështjellën dhe madje të marrin një traget për të vizituar kështjellën më të vogël veneciane përgjatë kanalit të Vivarit, që ofron pamje të strukturave të lashta romake dhe otomane./atsh/KultPlus.com

Afresket e kishave të Voskopojës, ftesë për turistët

Voskopoja është e njohur për qytetërimin e saj shekullor, peisazhin e mrekullueshëm, kishat dhe afresket e shumta, të cilat bartin në vetvete një trashëgimi të çmuar kulturore. Dikur një qendër e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe artit, plot prosperitet, njohu ritmin e tregëtisë së kohës me qendra të tjera të rëndësishme të Shqipërisë, Ballkanit dhe më tej.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë sjell një set fotografish me afreske të kishave të Voskopojës.

Arkitektura e kishave i ka rezistuar kohës, luftrave, dëmtimit nga dora e njeriut, si dëshmimtare unike e atij qytetërimi, janë ato të cilat tregojnë vlerat e saj të papërsëritshme. Nga 22 kishat e dikurshme kanë mbetur në këmbë në Voskopojë ende pesë kisha: Kisha e Shën Athanasit, Kisha katedrale “Fjetja e Shën Marisë”, Kisha e Kryeëngjëjve, Gabriel dhe Mihael, Kisha e Shën-Kollit dhe Manastiri i Shën Prodhromit.

Voskopoja tregoi interes të veçantë për zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe artit bizantin të kohës dhe në vite u zhvillua dhe vazhdoi të ruajë zakonet, historinë dhe traditat e krijuara prej kohësh. Një element dallues është përgatitja e punimeve të dorës bazuar në mjeshtërinë lokale dhe burimet natyrore, veçanërisht për punimin e drurit, thurrjen e veshjeve te leshta e shumë punime të tjera me vlerë.

Pikërisht këto vlera arkitektonike dhe kulturore e bëjnë fshatin e Voskopojës një ndër destinacionet më intersante për t’u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj./atsh/KultPlus.com

Bujtinat karakteristike të Beratit, mikpresin vizitorë vendas e të huaj

Ish banesa e Llambi Kolovanit, sot bujtina “Kodikët” e Vasilika Gogut, është një zgjidhje e arritur e variantit përpendikular me gjysmëkat. DRTK Berat shkruan se, banesa mund të jetë ndërtuar gjatë shek. XVIII.

Data 1842 e shkruar mbi dritaren anësore në pamjen jugore të banesës, mund të jetë koha e ndonjë riparimi, që i është kryer kësaj trashëgimie arkitektonike. Në katin e banuar, ambienti i dhomës së miqve, duket se ka pësuar një rindërtim të kompleksit fundor gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX.

Prej vitit 1961, kjo pasuri ndërtimore mban statusin juridik Monument Kulture, Kategoria I.

Një pjesë e madhe e banesave karakteristike të Beratit, janë restauruar dhe kthyer tashmë në bujtina mikpritëse të vizitorëve vendas e të huaj, numri i të cilëve, vitet e fundit ka ardhur gjithnjë në rritje.

Berati me kalanë e tij, kishat e xhamitë, lagjet karakteristike etj, të cilat bartin vlera historike, arkitektonike e kulturore, ka se çfarë t’u ofrojë vizitorëve të tij./atsh/KultPlus.com

56 mijë turistë vizituan parkun natyror Korab-Koritnik në vitin 2023

Parku natyror Korab-Koritnik gjithnjë e më shumë po vizitohet nga turistët vendas e të huaj.

I cilësuar si një nga zonat më të bukura që ka rajoni i Kukësit dhe veriu i Shqipërisë, ky park shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe në të mund të gjesh gjithë bukurinë natyrore dhe peizazhet e mrekullueshme.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana, tha sot për ATSH-në se “nga janari deri në dhjetor të 2023 parku u vizitua 56 501 turistë, nga të cilët 24 526 vendas dhe 36 825 të huaj”.

“Viti 2023 ka shënuar një rritje të vizitorëve në këtë park në të gjitha stinët e vitit. Më të preferuarit vijojnë të mbeten Shtegu i Ngjyrave, si dhe shtegu “Brekijë-Tërshenë-Shkalla e keqe”.

Gjana u shpreh se “një punë e mirë është bërë gjatë viteve të fundit edhe për shenjimin e  shtigjeve për orientimin e turistëve të shumtë që vizitojnë këtë park”.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: Alpet, destinacion i turistëve të pasionuar pas sporteve natyrore e të aventurës

Alpet shqiptare të mbuluara nga dëbora ofrojnë një peizazh mbresëlënës për të pasonuarit pas ngjitjeve në mal.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga Alpet, duke ftuar vizitorët t’i frekuentojnë ato në këto ditë dimri.

Kumbaro tha se “Alpet, deri pak vite më parë ishin të izoluara gjithë dimrin e gjatë, kurse sot frekuentohen nga turistë e të pasionuar pas sporteve natyrore e të aventurës”.

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij.

Lartësia mesatare e tyre mbi nivelin e detit arrin në 1500 m. Këtu ndodhen shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2000 m.

Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat.

Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpe dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit.

Korab-Koritnik, shtegu ‘Bele-Zbinec-Stanet e Pobregut’ më i vizituari në vjeshtë nga turistët

Vjeshta është stina e preferuar e të pasionuarve pas ngjitjeve në parkun natyror Korab-Koritnik.

Një ndër shtigjet më të preferuara për turistët është “Bele – Zbinec – Stanet e Pobregut”, pjesë e këtij parku.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Kukës ndau në rrjetet sociale pamje nga ngjitja në këtë park e një grupi turistësh.

“Shtegu ‘Bele – Zbinec – Stanet e Pobregut’, pjesë e Parkut Natyror “Korab-Koritnik” është një ndër destinacionet turistike më të bukur dhe më të vizituar nga turistët. Shtegu ka një shkallë vështirësie mesatare. Përgjatë këtyre muajve, ai ofron ngjyra vjeshtore të mrekullueshme”, theksoi ADZM Kukës.

Parku natyror Korab-Koritnik nga muaji janar deri në shtator u vizitua nga 39 735 turistë, nga të cilët 18810 vendas dhe 20925 të huaj.

Vizitorët gjatë ngjitjes për në mal vizitojnë dhe monumente të tjera të natyrës, si “Gryka e Vanave”, Ujëvara e Beles, liqeni i Kallabakut, ku shijojnë panoramën që ofron ky liqen.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës./atsh/KultPlus.com

Berati mirëpret turistët edhe në vjeshtë, deri tani mbi 720 mijë vizitorë

Turizmi në qytetin e një mbi një dritareve nuk njeh stinë. Këtë e vërteton numri i lartë i turistëve edhe gjatë periudhës së vjeshtës, ku rrugët e qytetit 2400 vjeçar po gjallërojnë nga një fluks i lartë i tyre.

Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha në një intervistë sot për ATSH-në se “në Berat janë bërë shumë investime të reja, të cilat kanë bërë që turizmi ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit të vazhdojë edhe në muajt e vjeshtës.

Në këtë periudhë në vitet e kaluara fluksi i turistëve ka qenë shumë i ulët, ndërkohë që këtë vit nuk po njeh ulje. Nga janari deri më sot numri i turistëve vendas e të huaj e ka kaluar shifrën 720 000”.

Sipas saj, këtë vit në qytetin e Beratit ka patur një shtim në numrin e turistëve nga Anglia dhe nga Holanda.

Merdani vë në dukje se është shtuar oferta në dobi të turizmit si psh: turizëm kulturor, arkitekturor, malor apo edhe hiking në natyrë.

“Këto oferta turistike janë perfekte për stinën e vjeshtës duke qenë se edhe temperaturat nuk janë shumë të larta. Krijimi i shtigjeve të reja në zonat si: Kalaja apo Gorica kanë bërë që të rritet fluksi i turistëve që janë të pasionuar pas ngjitjeve në mal”, theksoi Merdani.
Gjithashtu, shtoi ajo, kemi krijuar marrëdhënie shumë të mira edhe me subjektet të cilat janë pjesë e turizmit ku vlejnë të përmenden hotelet, bujtinat, restorantet si ato që kanë qenë ekzistente, por edhe ato të cilat janë hapur së fundmi”, tha Merdani.

Në zonën e kalasë dhe tek “Ura e Varur” janë krijuar rampa, të cilat kanë bërë të mundur që edhe ata turistë me aftësi të kufizuara mund të vijnë dhe të vizitojnë qytetin.

Merdani bën të ditur se shtimi i numrit të turistëve vjen si pasojë edhe e aktiviteteve kulturore dhe turistike në Berat.

“Këto muaj na presin aktivitete të ndryshme si: Festivali i Verës, Festa e Ullirit, Festat e Nëntorit, festat e fundvitit, të cilat e kthejnë qytetin në destinacionin e duhur për t’u vizituar. Dhe kjo tashmë është fakt, në Berat nuk flasim për sezon turistik, por për një sezon gjithëvjetor të turizmit”, tha Merdani.

Berati vijon të mbetet ndër qytetet më të preferuara të turistëve. Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit./atsh/KultPlus.com

Turistët italianë zbulojnë Shqipërinë mes mijëra paragjykimeve të lashta

Marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë janë të rrënjosura thellë në historinë e imperializmit dhe kolonializmit italian në Mesdhe.

“Zbulimi i Shqipërisë. Shqiptarët sipas masmedias”, i botuar ne 1995 tregon se si imazhi i shqiptarëve në Itali kushtëzohej fort nga stereotipet, për shkak të mbylljes së vendit në kohën e komunizmit, shkruan në një artikull Fabio Bego të botuar në revistën italiane “Left”.

Vëmendja mediatike që turizmi italian ka pasur në Shqipëri së fundmi zbulon aktualitetin e librit, pasi paragjykimet ndaj shqiptarëve vazhdojnë ende, pavarësisht se regjimi komunist ka mbi 30 vjet që ka marrë fund.

Marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë janë të rrënjosura thellë në historinë e imperializmit dhe kolonializmit italian në Mesdhe.

Në fund të shekullit të IX, elitat politike të Italisë synonin të aneksonin territoret shqiptare pranë bregut të Adriatikut që ishin pjesë e Perandorisë Osmane.

Disa diplomatë, studiues dhe gazetarë italianë vizituan rajonin midis shekujve IX-XX.

Udhëtimet e tyre u bënë burimet kryesore të informacionit për shqiptarët dhe përdoren edhe sot si burime historike.

Duke mos njohur as gjuhën dhe as kulturën vendase, përshtypjet e udhëtarëve ishin kontradiktore dhe të kushtëzuara nga paragjykimet

Perëndimorët i shihnin vendet e Ballkanit si një vend kalimi midis Evropës së qytetëruar dhe Lindjes barbare.

Shqiptarët cilësoheshin si një popull i egër dhe me tendencë kriminale që jetonin të ndarë në “fise” dhe që nuk mund të qytetëroheshin pa mbështetjen e Italisë.

Këto argumente u përdorën për të justifikuar aneksimin italian të Shqipërisë së Jugut pas shpërthimit të Luftës së Madhe dhe pushtimit të të gjithë vendit në prill 1939, në prag të konfliktit të ri botëror.

Interesi turistik në Shqipëri lindi kur u fillua të mendohej për territoret “shqiptare” si zotërime të ardhshme italiane.

Udhëtarë si Antonio Baldacci, Arturo Galanti, Pio Biondoli, Vico Mantegazza e shumë të tjerë e treguan Shqipërinë si një destinacion për gjuetarët, adhuruesit e natyrës dhe alpinizmin.

Ata gjithashtu dhanë përshkrime të veshjeve dhe aspekteve fizike të grave dhe burrave, të cilat shërbyen për të nxitur kureshtjen dhe imagjinatën erotike të lexuesve, gjithashtu me funksion eugjenik.

Guidat turistike janë produkt i procesit të zbutjes dhe përfshirjes së mjediseve “të tjera” dhe “ekzotike” në imagjinatën perandorake.

” L’Adriatico orientale da Venezia a Corfù”, botuar nga Giuseppe Marcotti në 1899, nxjerr në pah trashëgiminë arkitekturore dhe kulturore të dominimit romak dhe venecian, të cilat konsideroheshin nga shumë udhëtarë italianë si periudhat e vetme në të cilat trevat shqiptare kishin pasur paqe dhe prosperitet.

I njëjti objektiv u tregua edhe në vepra të tjera më të përpunuara që u botuan në dekadat në vijim si “L’Albania Antica” (1924), nga Luigi Maria Ugolini, financuar nga bordi turistik italian dhe “L’Albania” (1940), botuar nga shoqata italiane turistike.

Opinionet, konceptet dhe kategoritë e origjinës koloniale janë ende të përhapura në shoqërinë bashkëkohore pasi, me përjashtim të studiuesve individualë, një reflektim sistematik mbi efektet afatgjata të kolonializmit nuk është ndërmarrë kurrë.

Përkundrazi, vërejmë se si figurat institucionale vlerësojnë kolonializmin italian duke e konsideruar atë një faktor qytetërimi dhe për rrjedhojë duke përdorur të njëjtat argumente që ishin në modë në periudhën liberale dhe fashiste.

Nuk është e pazakontë të lexosh artikuj dhe libra të kohëve të fundit që i referohen “Albania una e mille” të Indro Montanelli i botuar në vitin 1939, si një burim i besueshëm, pavarësisht se libri është shkruar për të justifikuar aneksimin italian të shtetit fqinj.

Trashëgimia e ideologjisë koloniale kushtëzon edhe politikën aktuale të jashtme italiane, e cila e sheh Shqipërinë dhe Ballkanin si një zonë të zgjerimit ekonomik.

Italia është partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë.

Në Shqipëri ka mbi dy mijë kompani italiane, disa prej të cilave operojnë në sektorë kyç si banka, ndërtimi dhe energjia.

Zyra e Agjencisë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim ka selinë në Tiranë.

Shumica e fondeve në dispozicion të agjencisë shpenzohen për projekte që zhvillohen në Shqipëri.

Ekonomia shqiptare tashmë është e lidhur fort me atë italiane.

Megjithatë, qeveria italiane po u kërkon kompanive të investojnë më shumë në vendin fqinj.

Në përputhje me këto direktiva, ministrja italiane e Turizmit, Daniela Santanché shkoi në Tiranë në fillim të gushtit për të bindur homologen e saj Mirela Kumbaro që t’u japë operatorëve italianë më shumë mundësi biznesi.

Vëmendja aktuale që shtypi italian i ka kushtuar turizmit italian në Shqipëri nuk rrjedh drejtpërdrejt nga marrëdhëniet italo-shqiptare, por nga çështje të tjera.

Fushata mediatike u popullarizua nga “La Repubblica”, e cila e përshkroi Shqipërinë si një “zgjidhjen e duhur” për italianët që nuk mund të përballojnë pushimet vendin e tyre pasi kushtojnë shumë.

Qëllimi i gazetës nuk ishte të lavdëronte Shqipërinë e cila paraqitet si një destinacion me kosto të ulët, por të kritikonte qeverinë dhe në veçanti ministrin Santanché se nuk i kishte vlerësuar vendndodhjet italiane.

Kryeministri Edi Rama ua vodhi të gjithëve pamjen duke publikuar më 8 gusht një foto të anijes shqiptare “Vlora” të ngarkuar me emigrantë që mbërrinin në bregdetin italian në verën e vitit 1991.

Udhëtimi i anijes “Vlora’ është i famshëm për mënyrën se si u trajtuan mijëra persona në bord nga autoritetet italiane.

Emigrantët u sollën brenda stadiumit të vjetër në Bari, ku u lanë në diell për ditë të tëra pa akses adekuat në ujë dhe ushqime.

Ishte një nga faqet e këqija të tranzicionit shqiptar që tregoi papërgatitjen dhe racizmin e institucioneve italiane.

“Trollaggio” ishte e dobishme për Ramën për të tërhequr vëmendjen e gazetave italiane të cilave u jepte intervista të bollshme.

Në “Libero” Edi Rama e quajti Melonin “tigër” të politikës dhe Shqipërinë si “Itali e vogël”.

Duke e barazuar vendin që ai qeveriste me një shtojcë të shtetit fqinj, duke mbështetur kështu planet për zgjerim që mbeten ende në diplomacinë italiane, ishte një mënyrë për të promovuar turizmin për atë pjesë të popullsisë që shfaq me krenari paragjykimet e saj ndaj shqiptarëve.

Kthimi te paragjykimet klasike është mirëpritur nga njerëz të cilët, ashtu si guvernatori Toti, janë ndjerë të indinjuar nga ideja se Shqipëria mund të krahasohet me Italinë, e cila, nga pikëpamja e saj eurocentrike, duket se ka “përqindjen më të lartë të trashëgimisë kulturore në botë“.

Pavarësisht orientimit politik, shtypi kombëtar nuk është gjithëpërfshirës dhe nuk përfaqëson pjesë të mëdha të shoqërisë bashkëkohore.

Duke qenë se rrëfimi i Shqipërisë u është besuar njerëzve që e njohin atë përmes filtrave të ideologjisë koloniale, ai do të rizbulohet ciklikisht përmes dinamikës relacionale dhe kategorive përshkruese të shekullit të IX. /atsh/KultPlus.com

Saranda destinacioni i 32 kroçerave dhe 511 jahteve në 7 muaj

Saranda vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike për turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë me kroçera dhe jahte turistike.

Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro tha për ATSH-në se “nga janari deri në fund të korrikut në portin e Sarandës kanë mbërritur 32 kroçera dhe anije turistike”.

Sipas tij, gjatë verës ka pasur një numër të lartë të jahteve luksoze që kanë vizituar Sarandën.

“Në janar-korrik në port janë ankoruar  511 jahte turistike”, shtoi ai.

Qendro u shpreh se “kroçerat kanë pasur në bord turistë nga vende të ndryshme të botës si Amerika, Franca, Austria, Belgjika, Brazili, Bullgaria, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Italia, Spanja, Zvicra, Ekuadori, Polonia, etj ”, theksoi Qendro.

Qendro tha se “vetëm në muajin korrik kanë vizituar Portin e Sarandës 9 kroçera dhe tragete turistike si dhe 230 jahte”.

Sipas tij, muaji gusht dhe 8 mujori i këtij viti pritet të ketë një tjetër rritje në krahasim me 2022.

Turistët që vijnë me kroçera kanë vizituar sitet turistike e arkeologjike të Sarandës, Gjirokastrën, si dhe kanë shijuar kulinarinë shqiptare të zonës./atsh/KultPlus.com

Kush i merr paratë që turistët hedhin në shatërvanin e famshëm në Romë?

Kush ka vizituar Romën, ka hedhur një monedhë në shatërvanin e famshëm, ashtu siç bëjnë mijëra turistë çdo ditë. Pyetja është – çfarë ndodh me kaq shumë para në fund?

Kjo traditë fitoi popullaritet në vitin 1954 falë komedisë “Tre monedha në shatërvan”, por filloi shumë më përpara.

Sipas besimit fillestar, një gotë ujë nga ky shatërvan nënkuptonte fat dhe një kthim të shpejtë në “Qytetin e Përjetshëm”, shkruan The Sun.

Sot këto para mblidhen nga punëtorët e organizatës bamirëse katolike “Caritas”, e cila i përdor për të blerë ushqime për të varfrit, si dhe për të realizuar programe të ndryshme sociale. Ndihma financiare arrin në më shumë se 200 vende në mbarë botën.

Nga shatërvani mblidhen çdo ditë rreth 3 mijë euro, që është rreth 1.26 milionë dollarë në vit./ KultPlus.com