Kryetari i grupit Parlamentarë të PS-së Taulant Balla ka publikuar pamje nga Kanioni i Holtës në Gramsh.
Ai shprehet se Kanioni i Holtës në Gramsh një destinacion për fundjavë.
“Mirëmëngjes, Kanioni i Holtës në Gramsh, me shpatet e luginës që arrijnë deri në 100-150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 2-3 m. Kanioni ka shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike, si dhe gropa me ujëra termale. Ngjyrat e shumta e bëjnë këtë bukuri natyrore një destinacion të fundjavës”, shprehet Balla.
Kanioni i Holtës në Gramsh, mbeten një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe kryesisht të huaj.
Holta është një zonë turistike që vizitohen në të gjitha stinët e vitit, por kryesisht në pranverë, verë dhe vjeshtë. Ngjyrat e shumta e bëjnë këtë bukuri natyrore një destinacion të paharrueshëm ofron pamje magjepse me lartësi malesh, thellësi kanionesh, bimësi dhe lule të shumëllojshme por mbi të gjitha ujërat e freskëta që burojnë nga malet.
Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive. Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.
Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë disi e vështirë për makinat e ulëta dhe ka një gjatësi rreth 18 km. / KultPlus.com
Shqipëria turistike e cila ofron një itinerar gjithëvjetor dhe ka një natyrë të mrekullueshme në katër stinë, vijon të mbetet destinacioni i preferuar i turistëve nga Europa.
Për turistët Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë vijon të jetë një nga destinacionet më të preferuara. Në këto ditë ku ka nisur dhe sezoni turistik rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me turistë të huaj.
Gjatë një vëzhgimi nga Agjencia Telegrafike Shqiptare grupet e turistëve i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek “Piramida”, por edhe në muzeumet e Tiranës, të cilat mbeten një nga pikat e preferuara të tyre, pasi turistët nga Europa kanë interes të mësojnë shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.
Turistët e huaj përveç Tiranës, kanë vizituar edhe qytetin muze të Beratit, Gjirokastrën, Sarande Durrësin, Shkodrën, Tropojën, etj.
Ata shprehen të mrekulluar nga bukuria natyrore, historia, kultura dhe mikpritja e shqiptarëve.
Turistët e huaj që gjenden në Tiranën gjatë këtyre ditëve, janë nga vende si Holanda, Gjermania, Franca dhe Anglia gjë kjo e cila vërteton se tashmë Shqipëria është një pikë kyçe e itinerareve turistike për këta turistë.
Një turiste nga Holanda shprehet se, “kjo është vizita jonë e parë në Shqipëri. Është vend i mahnitshëm. Na pëlqen vërtet ky vend. Për ne është magjepse që ju keni një përzierje ndikimi otoman, italian, por dhe komunist gjë që përbën një përzierje interesante”.
Turistja holandeze vijon se “njerëzit janë shumë miqësorë, ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Ne qëndruam këtu për tre javë duke i rënë përreth Shqipërisë. Filluam në Tiranë, shkuam në jug, në Butrint. Pamë Beratin, Gjirokastrën dhe Vlorën. Më pas vijuam udhëtimin tonë në veri, në Theth, pamë liqenin e Komanit dhe ishte shumë i bukur. Mikpritja na bëri përshtypje, e ndjemë se njerëzit e bëjnë me dashuri, dhe kjo të bën përshtypje. Do rikthehemi përsëri, pasi duam të shohim shumë gjëra në Veri. Nuk patëm kohë të mjaftueshme për të bërë ecje të gjata në Veri. Duam vërtet të vijmë përsëri”.
Një i ri nga nga Gjermania shprehet se, “kjo është hera e parë që vij në Shqipëri. Arkitektura në Tiranë është vërtetë e mahnitshme, të lë pa frymë. Mendoj se këtu është vërtet këndshëm. Në Tiranë do qëndrojmë dy ditë dhe në të gjithë Shqipërinë tri javë. Do shkojmë në Alpet e Shqipërisë dhe Rivierën në Jug. Njerëzit këtu janë shumë miqësorë dhe mikpritës. Janë njerëz të mirë”.
“Në Tiranë do të qëndrojmë vetëm dy ditë. Këtu është shumë bukur. Ka shumë pemë dhe gjelbërim. Njerëzit janë shumë të mirë. Ushqimin ende nuk e kam provuar, por mëngjesi ishte shumë i mirë”, – shprehet një tjetër turiste nga Gjermania.
Një çift turistësh gjermanë u shprehën se, “kjo është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Do udhëtojmë rreth gjithë Shqipërisë nga veriu, në lindje dhe jugu në perëndim. Këtu çdo gjë është e bukur. Veriu është shumë i mirë për të bërë ecje. Jugu është interesant për kulturë si Butrinti dhe lindja për liqenin e Ohrit. Në Tiranë gjithçka është shumë ndryshe. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe të sjellshëm. Ia kaluam shumë mirë këtu. Çdo gjë është e mirë në Shqipëri”.
Një tjetër turist nga Anglia tha se “vij për herë të tretë në Shqipëri. Më pëlqen shumë është një vend interesant me një histori të mahnitshme. Kemi ardhur në Shqipëri me një grup studentësh për të mësuar për Shqipërinë dhe historinë e saj. Ky udhëtim do jetë një përvojë e mrekullueshme. Do qëndrojmë pesë ditë në Shqipëri. Do shkojmë në Elbasan, Librazhd, Durrës dhe natyrisht në Tiranë. Këtu më pëlqejnë shumë njerëzit pasi janë miqësorë dhe interesantë. Këtu dëgjon shumë histori mahnitëse”.
“Jam nga Franca dhe është vizita ime e parë në Shqipëri. Tirana është qyteti i parë që kemi vizituar. Do shkojmë në Jug. Gjithashtu do vizitojmë Beratin dhe më pas në det”, – u shpreh një tjetër turiste nga Franca. /atsh/ KultPlus.com