Zbuloni Gjirokastrën, hyrja në muze pa pagesë për të gjithë turistët

Gjirokastra është qyteti i traditës, shijes dhe historisë. Gjirokastra nuk është vetëm e shqiptarëve dhe e gjirokastritëve, por një pasuri botërore që duhet shijuar në radhë të parë nga shqiptarët.

Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ka bërë me dije se paketat turistike këtë sezon turistik do të përfshijnë hyrjen në muze pa pagesë për ata që zgjedhin Gjirokastrën për të kaluar pushimet apo një fundjavë.

“Flasim për një qytet që si pasuri botërore që shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik ka turizmin. Në këtë sezon prisnim pikun, në maj qershor është piku në Gjirokastër dhe mbi 80% e turistëve që vijnë dhe qëndrojnë në Gjirokastër janë të huaj. Është gjithë lugina e Drinos një pasuri më vete, ku veç se shijohet historia, trashëgimi, kulturë, çdo shtëpi në Gjirokastër është një muze më vete, kalaja, qyteti antik i Antigonesë, ka kala dhe në zonat përreth Gjirokastrës. E gjithë lugina  e Drinos është një mundësi për të kaluar më shumë se një fundjavë”, shprehet Golemi.

“Deri në këto moment ka qenë e aksesueshme dhe tërheqëse për të huajt. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, pasi ka shumë që nuk e kanë shijuar Gjirokastrën dhe më vjen mirë që këto ditë, pasi jam takuar me miq e shokë, shoh dhe vetë hotelet që rezervohen dhe këto rezervime janë për dy apo tre vite, pra deri në vitin 2022-2023. Gjatë periudhës së punimeve te pazari kemi pasur një shfrytëzim deri 70% të kapacitetit të strukturave akomoduese. Këtë vit kishim parashikuar mbi 90% shfrytëzim dhe prandaj unë bëj thirrje të gjithë shqiptarëve ta shijojnë Gjirokastrën, ku do gjejnë historinë, kulturën, aventurën, kalërimin, hicking dhe patjetër kulinarinë. Gjirokastra është një surprizë e paprovuar për shqiptarët, jo vetëm të Shqipërisë, por dhe të Kosovës. Prandaj duhet të shijojmë vendin tonë dhe të zbulojmë vendin tone”, shprehet Golemi.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë operatorët, strukturat akomoduese dhe zemra e turizmit është pjesa e pazarit. Po flasim për një zonë shumë të ngushtë, më shumë se 500 shtretër, të kufizuar vetëm në një zonë. E gjithë pjesa tjetër, në periferi bujtinat e shumta që janë shtuar vitet e fundit e plotësojnë këtë mozaik, me gjithë strukturat akomoduese kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm. Si Këshill Bashkiak, si Bashki, kemi paraqitur para një muaji lehtësirat fiskale për dy muajt e pandemisë, mars e prill për tarifat vendore i kemi 0 për të gjitha bizneset e mbyllura dhe ato që mund të kenë qenë hapur, por për shkak të situatës nuk kanë pasur dot klientë. Ne si bashki me një kosto i kemi 0 tarifat vendore”, deklaroi GolemI.

“Ndërkohë thash dhe për specifikën që ne kemi, do t’i paraqes pas një jave Këshillit Bashkiak, të gjithë operatorëve, strukturave akomoduese, të gjithë sistemit muzeal për të gjitha paketat që janë bërë gati për t’ju ofruar të gjithë shqiptarëve të zerohen. Pra hyrja dhe vizitat në muzeumet në bashkinë e Gjirokastrës do jetë e zeruar. Kjo do vihet në shërbim për strukturat akomoduese. Të ardhurat që presim për muzeumet, ua kemi vënë në dispozicion operatorëve turistikë dhe strukturave akomoduese. Jemi në koordinim me ta, kemi nxjerr paketat e para dhe do vijojmë të jemi konkurrues me të gjithë këtë treg që do të ofrohet. Kjo është një mundësi për shumë shqiptarë që nuk kanë arritur të shijojnë Gjirokastrën, që mund të kenë qëndruar disa orë, por duhet të qëndrojnë më shumë se kaq. I presim të vijnë dhe të shijojnë Gjirokastrën”, theksoi Golemi.

“Gjirokastra ngelet nga qarqet më të sigurta. Ka qenë në fakt nga ato qytetet që edhe në vitin e mbrapsht të ’97-ës qytetarët gjirokastritë paguanin dritat dhe ujin”, tha ai.

Goli foli edhe për takimin me ambasadorin italian, ku tha se “më erdhi shumë mirë për dashurinë me të cilën ai foli për Gjirokastrën pasi shumë e njohin si qytetin e Kadaresë, një nga arsyet që shumë dëshirojnë të shohin dhe vizitojnë vendin ku ka lindur ky shkrimtar i madh. Ai u mrekullua dhe fjala e tij ishte se kjo vizita ishte një aparitiv, pasi unë do jem një nga ata persona që do ta kem Gjirokastrën në fokus dhe do jem edhe Ambassador i Gjirokastrës”,- përfundoi kryebashkiaku i Gjirokastrës. /atsh / KultPlus.com

Hapen Apolonia dhe Memoriali i Skënderbeut, por mungojnë vizitorët

Sajtet e njohura historike në vend, si parku arkeologjik i Apolonisë dhe vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë janë rihapur pas izolimit dymujor, por vizitorët ende nuk janë kthyer. Situata duket e vështirë, së paku deri në hapjen e kufijve.

Vendvarrimi i heroit kombëtar Gjergj Kastriotit në qytetin e Lezhës, hapi dyert këtë javë, por këtij sajti të njohur historik i mungojnë vizitorët. Paulin Zefi, përgjegjës i trashëgimisë kulturore “Duke qenë se Tirana nuk është kthyer zonë e gjelbër, as Shkodra jo nuk ka lëvizje. Po kështu shkollat janë të mbyllura, pasi numri më i madh i vizitorëve përbëhet nga nxënësit dhe studentët është e pamundur … Po kështu ndikon mbyllja e kufijve”.

Sipas Përgjegjësit të Trashëgimisë Kulturore në 2019-tën memoriali i Skënderbeut është vizituar nga rreth 30 mijë vizitorë. Ndërsa pritshmëritë këtë vit janë të ulëta. “Fluksi zakonisht nis në Maj e deri në Shtator, por për shkak të situatës kam frike se nuk do kemi as 1/3 e vizitorëve krahasuar me vitet e kaluara”.

E njëjta situatë paraqitet edhe në kalanë mesjetare të qytetit të Lezhës si dhe muzeun etnografik. Që nga 18 Maji Parku Arkeologjik i Apolonisë në Fier, është i hapur për vizitorët. Specialisti i këtij parku, Admir Xhelaj shprehet se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një fluks të madh vizitorësh vendas e huaj.

“Numri gjatë këtyre dy ditëve ka qenë minimal por presim me lehtësimin e masave dhe hapjen e kufijve muajin tjeter që të shtohen vizitorët” tha ai.

Sa i përket hapjes së mozaikut arkeologu thotë se vendimi do të merret nëse do të shtohen vizitorët.  “Ne këtë vit kishim menduar të hapim e mozaikët në sektorin G, pranë Manastirit por kjo do shihet në bazë të vizitueshmërisë”. Xhelaj gjithashtu shprehet se janë marrë të gjitha masat anti-covid, jo vetëm në muze por edhe në ambientet e jashtme. /Shqiptarja.com / KultPlus.com

Hoteli luksoz në Graz lëshon për tri ditë të gjitha dhomat falas për turistë

Një pronar i një hoteli luksoz në Graz të Austrisë ka vendosur që për tri ditë të lëshojë falas për turistë 68 dhomat e hotelit të tij me 4 yje. Kjo ka për qëllim të tërheqë vëmendjen pas sfidës me përballjen e Covid -19.

Është një veprim i pazakontë, me të cilin pronari i hotelit, Philipp Florian, dëshiron të stimulojë përsëri turizmin në qytetin e tij pas bllokimit nga koronavirusi, shkruan gazeta austriake, grazer.at, përcjell Albinfo Austria.

Në faqen e tij të Facebook-ut “Parkhotel Graz” dhuron për fundjavën e festës së Rrëshajave “Pfingstwochenende” (nga 29 deri më 31 maj 2020) të gjitha 68 dhomat dhe apartamentet e hotelit me 4 yje superiore – përfshirë edhe Suitet, në të cilat presidentë dhe yje ndërkombëtarë kanë kaluar netët e shumta gjatë traditës së këtij hoteli që ka një histori prej 450 vjetëve.

Me këtë ofertë, Floriani dëshiron të tërheqë vëmendjen ndaj situatës sfiduese me të cilën u përball industria e hotelerisë austriake – dhe veçanërisht industria e hotelerisë së Grazit – para rihapjes së planifikuar pas mbylljes së koronës. “Kur shikoj librin e rezervimeve, shoh pothuajse të gjitha faqet bosh. Do të duhet një përpjekje sociale, por mbi të gjitha, një përpjekje politike për të mbajtur të gjallë turizmin në Austri”, thotë Florian. / KultPlus.com

Në Ulqin s’ka të infektuar me COVID- 19, i presin turistët nga Kosova

Këtë vit për shkak të pandemisë çdo gjë sa i përket turizmit është vonuar.

Kryetari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq, tha se në Ulqin nuk ka të infektuar dhe ata po i përmbahen masave që janë marra nga qeveria qendrore e Malit të Zi.

“Me masat e reja ne mund të presim 100 mijë turistë. Ne i ftojmë turistët kosovarë që të vizitojnë turistët, ne kemi marrë të gjitha masat dhe për të ruajtur distancën”, tha ai.

Sipas tij Ulqini dhe Mali i Zi varet nga turizmi. “Nga nesër do të fillojnë të punojnë të gjitha në Mal të Zi. Ne presim të hapen kufijt, kosovarët janë të mirëseardhur, ata vijn në shtëpinë e tyre”, tha ai. /rtklive/ KultPlus.com

Një investim i ri që ruan traditën i shtohet Korçës, Klosi: Shtëpia e Irakli Qirjakos hap dyert për turistët

Një investim i ri, duke ruajtur traditën po i shtohet Korçës për të mirëpritur turistët e shumtë të cilët zgjedhin të vizitojnë këtë qytetet pothuajse gjatë gjithë vitit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi shprehet se “për fisnikët e shekullit të kaluar, një element i dukshëm i pasurisë së tyre, ishte shtëpia. E tillë është dhe shtëpia e tregtarit korçar Irakli Qirjako, ose Rokos siç e thërrisnin”.

Klosi thekson se shtëpia e ndërtimit të vitit ’39, do t’i hapë dyert për turistët që duan shijojnë këtë vlerë arkitekturore të Korçës.

“Pronari i sotëm po e kthen në identitet këtë ndërtim dinjitoz të arkitekturës. Dekorimi i saj është bërë nga piktori më i mirë i asaj kohe Sotiraq Zografi. Pronari i sotëm i ka restauruar tërësisht pikturat murale. Së shpejti, shtëpia e Rokos do t’i hapë dyert për turistët që duan shijojnë këtë vlerë arkitekturore të Korçës”, shprehet ministri Klosi. /atsh / KultPlus.com

Shtëpia e Nënë Terezës në Shkup me 100 mijë vizitorë në vit

Ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, sot e vizitoi Institucionin nacional “Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës”, ku mbajti konferencë për shtyp bashkë me drejtorin e këtij institucioni, Arjan Asllanaj, dhe me drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani.

Në konferencën për shtyp, drejtori Asllanaj informoi për aktivitetet e Institucionit, i cili këtë vit shënoi një përvjetor të rëndësishëm – 10 vjet të ekzistimit të tij, ndërsa u shënua edhe 40-vjetori i ndarjes së Çmimit Nobel për humanisten e madhe. Në këtë kontekst, ishte theksuar edhe vizita e fundit në arkivin në Lucern prej ku janë siguruar më shumë se 500 dokumente që lidhen me jetën dhe veprën e Nënë Terezës, dhe në kuadër të vizitës ishte nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit.

Ministri Ismaili theksoi para gazetarëve se gjatë hulumtimeve të bëra në Zvicër janë siguruar 5 dokumente origjinale.

“Duke e vlerësuar punën e drejtorëve Asllanaj dhe Asani, ne si Ministri do të shqyrtojmë mundësinë që projekti për botimin e tyre të mbështetet, duke qenë të sigurt se ato janë me rëndësi jo vetëm për këtë Shtëpi Përkujtimore, por edhe për mbarë kombin shqiptar, si dhe për të gjithë të interesuarit për jetën dhe veprën e Nënë Terezës”, tha ministri i Kulturës.

Ai shtoi se në “Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës” sivjet është vendosur ndriçimi i ri, është krijuar një ekspozitë e përhershme, e cila pasurohet me fotografi të reja, dokumente origjinale dhe artifakte që lidhen me jetën dhe veprën e humanistes dhe bamirëses së madhe, ndërsa është vendosur edhe një skulpturë silikoni e Nënë Terezës në madhësi natyrore.

Institucioni “Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës” i cili ishte pjesë e agjendës së kreut të Kishës Katolike Romake, Papa Françesku, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në vendin tonë, më 7 maj të këtij viti, me rreth 100,000 vizitorë në vjet, është njëri nga më të vizituarit në qytet. / KultPlus.com

Shërbim i ri i biletave online për muzetë dhe sitet e trashëgimisë kulturore

Vizitorët që zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik tashmë do të kenë mundësinë të vizitojnë dhjetë muze dhe site të trashëgimisë tonë kulturore duke rezervuar biletat online.

Shërbimi i ri i biletarisë on line u prezantua sot nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me kreun e Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan Të Zhvillimit Michael Granoff.

“Një mundësi e re, një shërbim më shumë për të gjithë vizitorët, që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e radhës. Vizitat në dhjetë muze dhe site të trashëgimisë sonë kulturore janë vetëm një klik larg”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti.

“Së bashku me partnerin tonë, Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit prezantuam shërbimin e biletarisë on line. Kënaqësi të kryenim sot aktin simbolik të prerjes së një bilete on line me kreun e Bordit të AADF, Michael Granoff, një mbështetës i vizionit tonë për të ecur përpara. Me prekje të vogla, drejt projekteve më të mëdha”, u shpreh ministrja Margariti.  /atsh / KultPlus.com

Bukuritë e Alpeve Shqiptare, 1 mijë turistë të huaj gjatë nëntorit

Shqipëria vazhdon të surprizojë dhe në këto ditë nëntori me turistë të shumtë vendas dhe të huaj.

Vendi ynë po promovohet çdo herë e më shumë dhe nga të huajt, pasi ofron një turizëm gjjithëvjetor dhe të larmishëm, ku turistët mund të gjejnë në të katër stinët vende ideale për tu eksploruar që Shqipëria ofron.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi është shprehur për nëntorin turistik në vendin tonë se, “1000 turistë brenda javës së parë të nëntorit kanë vizituar Parkun Kombëtar të Thethit duke e çuar në më shumë se 72 mijë vizitorë vendas dhe të huaj numrin e turistëve gjatë 3 muajve të fundit. Pjesa më e madhe e turistëve të huaj kanë qenë nga Çekia, Gjermania, Anglia, Franca dhe Zvicra. Qendra e re e vizitorëve, padyshim që ofron një mbështetje për guidat dhe udhëtarët që duan të eksplorojnë bukuritë e Alpeve Shqiptare”.

Alpet shqiptare dhe bukuritë natyrore që të ofron zona e Thethit, tërheqin gjithnjë edhe më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë momentet e qetësisë, ujin dhe ajrin e pastër që e karakterizon këtë zonë.

Parku Kombëtar i Thethit ndodhet në pjesën qendrore të Alpeve të Shqipërisë, ndërmjet bllokut të Bjeshkëve të Nëmuna në perëndim dhe bllokut të Jezercës në lindje. Thethi është një qendër turistike-alpinistike që ka njohur rritje të numrit të vizitorëve gjatë viteve të fundit.

Parku është kompleks, me larmi habitatesh dhe tipe vegjetacioni, ku pjesën më të madhe e zënë ato të pyjeve të ahut, të cilat bashkëshoqërohen dhe me shkurre xhuxhe dhe të zonave alpine.

Në park rriten rreth 1500 lloje bimësh, të cilat përfaqësojnë gati gjysmën e florës së vendit tonë. Nga bimët, rreth 100 lloje janë bimë mjekësore dhe tanifere shumë të dobishme. / KultPlus.com

Turistët gjermanë për Beratin: Qytet impresionues

Qyteti 2400-vjeçar i Beratit, i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, vazhdon të zgjojë interesin e turistëve të huaj, të cilët kanë qenë të shumtë gjatë këtij viti.

Turizmi në Berat nuk ka mbaruar ende, pasi qyteti ofron një panoramë të shumëllojshme me vende atraktive të cilat mund t’i shijosh në çdo muaj të vitit.

Gjatë ditës së sotme një çift gjerman, të cilët vizitonin për herë të parë Beratin ndau eksperiencën e tyre duke u shprehur se, ”kjo është hera e parë që ne vizitojmë Beratin. Ne mbërritëm dje dhe kishim një problem të vogël dhe të gjithë këtu u treguan të gatshëm për të na ndihmuar dhe shumë të sjellshëm”.

Ata shtuan se “vizituam kalanë e qytetit dhe po na pëlqen shumë. Gjithashtu qyteti është shumë i bukur dhe sidomos qyteti i vjetër, me shumë dritare nga dy anët e lumit është impresionues”.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. /a.a/j.p/KultPlus.com

Turistët i japin Shqipërisë 15 % të GDP-së, lë pas Serbinë

Turizmi në Shqipëri është një nga sektorët, i cili gjeneron të ardhura të shumta për ekonominë dhe buxhetin e shtetit. Sipas përllogaritjeve të fundit, shuma e parave të shpenzuara nga turistët e huaj përbën 14.8 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Kjo është një shifra e konfirmuar kohët e fundit nga Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së, sipas së cilës në Ballkan, Mali i Zi kryeson me 21.8% të PBB-së, e ndjekur më pas nga vendi ynë”, shkruan “IBANA”

Ndërkohë, në vende të tjera si Serbia dhe Maqedonia, kjo përqindje është shumë e ulët, sepse këto vende nuk kanë bregdet siç ka Shqipëria dhe vendi fqinj, Mali i Zi.
Shqipëria ka fatin e madh, pas territori i saj laget nga dy dete. Deti Jon dhe Adriatik, janë dy burime të pashterueshme, të cilët kontribuojnë vazhdimisht për ekonominë shqiptare dhe thithjen e turistëve./KultPlus.com

Turistja angleze për Kalanë e Rozafës: Unike (VIDEO)

Sezoni turistik i këtij viti ka shënuar një rritje të konsiderueshme të turistëve në monumentet e kulturës në gjithë vendin.

Kalaja e Rozafës në Shkodër, një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë turistët e huaj dhe ata vendas.

Numri i vizitorëve është gjithnjë në rritje në këtë atraksion turistik, i cili përveç bukurive mban dhe misterin e historisë së Rozafës.

Një turiste angleze e cila vizitoi Kalanë e Rozafës dha përshtypjen dhe disa nga ndjesitë e para duke u shprehur se ,”më pëlqeu shumë ,nuk e kam parë asnjëherë dhe ishte vërtetë unike. E pashë është interesante po është e vështirë për tu mbajtur mend por mund të shikosh dhe të ecësh. Gjithashtu vizitova dhe pjesën poshtë të qytetit dhe kalanë dhe kjo vizitë zgjati rreth 40 minuta”.

Kalaja e Shkodrës në periudhën janar- korrik 2018 është vizituar nga 58,241 turistë, nga të cilët 16.105 përfituan nga hyrjet falas në ditët e përcaktuara nga Ministria e Kulturës.

Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të konsiderueshme të vizitorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar , ku kalaja u vizitua nga 22,823 turistë./a.a/ KultPlus.com

Në Tiranë, 300 mijë turistë: Shtohen vizitorët që qëndrojnë disa ditë (VIDEO)

Nga janari në Shqipëri kanë ardhur 1.4 milionë të huaj, nga këta 300 mijë kanë vizituar Tiranën si turistë. Këtë vit është shtuar numri i atyre që qëndrojnë disa ditë në kryeqytet, jo vetëm në hotele, por edhe apartamente.

Kurioziteti dhe çmimet e ulëta janë arsye kryesore. Top channel sjell rrëfimin e disa të rinjve holandeze të cilët Tirana i ka tërhequr.

Gjatë xhiros me makinë ne Tiranë, grupi i turistëve nga Amsterdami na tregon së pavarësisht se nuk i kuptojnë tekstet e këngëve shqiptare, I përkufizojnë ato si këngë të lumtura, plot energji e pozitivitet.

Të surprizuar mbeten me shijen e kafes turke, likerit tradicional shqiptar dhe karameleve Zana.

Aira dhe Fenna udhëtojnë shumë. Ato thonë se edhe pse Shqipëria është një vend i vogël, kurioziteti për ta vizituar ishte i madh.

“Rrallë kam dëgjuar të flitet për Shqipërinë në fakt”, shprehet Fenna de Graaff,turiste

“Gjithashtu mendoja se këtu nuk kishte njerëz që flisnin anglisht, sepse kisha idenë që askush nuk e vizitonte atë”, shton Ayra Gerlach, turiste.

Para planifikimit të pushimeve në Shqipëri, vajzat u përgatitën nga ana financiare. Por shpenzimet e parave, nuk po shkojnë sipas parashikimeve.

“Në krahasim me Amsterdamin është shumë lirë këtu, megjithatë ne jemi ende student dhe s’duam të harxhojmë shumë. Për shembull, kafja, e pashë në menu që kushtonte 60 lekë, ndërkohë që në Amsterdam do paguaja 3 euro”, shpjegon Ayra Gerlach, turiste.

“Në ditë mund të them se kam harxhuar, ndoshta 2 000 lekë,së bashku me fjetjen. Vetëm hosteli 9 euro që shkoi te 1 100 lekë”, thotë Fenna de Graaff.

“Diku te 2 500 lekë në ditë, bashkë me akomodimin. Nuk jam i sigurt, por këtu është vërtet lirë. Mendoj se do të kthehem sërish”, shpjegon James White-turist.

4 të rinjtë do të pushojnë dy javë në Shqipëri. Dy net në Tiranë, e më pas përreth brigjeve të jugut. Drejtoresha e Turizmit në Bashkinë e Tiranës, thotë se ata nuk janë të vetmit.

“Në Tiranë 300 mijë turistë të huaj. Vëmë re që nga viti në vit janë rritur ditët e qëndrimit, pasi e shfrytëzojnë Tiranën si një bazë dhe më pas bëjnë intenerare ditorë të ndryshëm. Pra, qëndrojnë më shumë se dy tre ditë në Tiranë”, u shpreh Mirela Kocollari, Drejtoreshë e Turizmit, Bashkia Tiranë./ Top Channel

Fluks në rritje i turistëve, 1.9 milionë të huaj në 6 muaj

Shqipëria është një destinacion gjithnjë e më i preferuar i turistëve nga Europa dhe veçanërisht nga Polonia.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (INSTAT) në 6 muajt e parë të vitit 2018 janë regjistruar në pikat hyrëse të kufirit shtetëror rreth 1 919 504 shtetas të huaj.

Drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimaj, gjatë një prononcimi për ATSH, bëri me dije se, “numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë gjatë gjashtë muajve të parë është 1 919 504, duke u rritur me 9.1% më shumë se një vit më parë. Në qershor janë regjistruar 500 mijë turistë të huaj më shumë se një vit më parë. Duhet theksuar, se rritje të madhe kanë pasur turistët nga Polonia, ku në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë në Shqipëri kanë hyrë 7 mijë polakë më shumë. Pra në shifra rezulton se gjatë këtij gjashtëmujori kanë hyrë 34,775 polakë, ndërsa një vit më parë, në 2017-ën kanë hyrë në vendin tonë 27,508. Në qershor 2018, hyrjet e shtetasve të huaj në vendin tonë janë rreth 5 mijë dhe është rritur 13,3 % krahasuar me qershorin 2017. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga hyrjet e shtetasve maqedonas me 58,3,% , polakë me 16,9 %, italianë me 5,6 % krahasuar me qershorin e 2017”, – tha Ibrahimaj.

Sipas Drejtoreshës së INSTAT hyrja e polakëve në vendin tonë vjen për shkak dhe të zhvillimit dhe rritjes së ofertave gjithëvjetore. “Turizmi gjithëvjetor po merr hov çdo vit e më shumë. Tashmë prej dy vitesh numri i turistëve polakë rezulton në rritje dhe kjo nuk është vetëm përgjatë sezonit veror, por përgjatë gjithë vitin, pasi ata veç turizmit bregdetar, kërkojnë dhe turizmin malor dhe format e tjera të turizmit”, – tha Ibrahimaj gjatë prononcimit për ATSH./ KultPlus.com

Muzeu Kombëtar “Marubi”, atraksioni më tërheqës për të huajt

Me fillimin e sezonit të verës, turizmi lëviz me hapa shumë më të shpejtë. Kështu, në Shkodër shumë turist nga anë e kënd botës kanë ardhur për të vizituar qytetin dhe për t’u njohur me historinë e tij. Vitet e fundit, forma më e pëlqyer e kësaj njohjeje është nëpërmjet fotografisë.

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”, i vendosur në qendër të Shkodrës aty ku dikur ishte Banka, është kthyer në atraksionin kryesor për turistët e huaj dhe vendas. Nëpërmjet fotografive, ata shohin se Shqipëria nuk ishte vërtetë aq e prapambetur sa thuhet dhe se në të ekzistonte një kulturë e dëshmuar prej asaj fotografike.

Në ndarje të ndryshme të muzeut ka vajtime çka tregon një kulturë gjamash me baza pagane; ka dasma çka tregon një kulturë dashmash; ka pagëzime, meshë dhe falje të namazit.

Martesë, fotografi nga Gegë Marubi. Mungojnë të dhënat për këtë foto.

Funerali i Ferit Frashërit

Gjithashtu ka edhe familje të fisshme, fisshmëria dhe aristokracia e të cilëve shfaqet në gjithë aparencësn, duke nisur me veshjen, mënyrën e rregullimit të flokëve apo të kapeles e duke përfunduar me mënyrën se si i qëndrojnë, plot elegancë.

Lin Luka me grua, ditën e dasmës… Sikruse shihet, burri është në këmbë, ndërsa gruaja, ulur. Diçka e rrallë për kohën…

Edhe fotografitë e objekteve të dikurshme dëshmojnë për një arkitekturë unike të qytetit të Shkodrës, me ndikime të forta nga ajo italiane dhe austro – hungareze.

Katedralja e Shën Shtjefnit “në profil”.

Marubët qenë ato që ndoqën çdo ngjarje historike, prandaj fotografitë e tyre tregojnë pavarësinë, monarkinë, ardhjen e nazizmit, fashizmit, komunizmit dhe manifestimet e tyre.

Festime me rastin e Shpalljes së Pavarësisë, Shkodër.

Leximi i dekretit të shpalljes së Monarkisë në ballkonin e prefekturës së Shkodrës.

Dhe të huajt, në këtë muze, me anë të fotove që mbushin muret e tij njihen shumë mirë me gjithçka duan të dinë e të njohin për Shkodrën dhe Shqipërinë./KultPlus.com

Pas Vlorës, aeroport turistik edhe në Sarandë

Qeveria shqiptare tashmë po bën realitet ëndrrën dhe ambicien e shprehur ndër vite për fuqizimin e infrastrukturës aeroportuale.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Tepelena, ku mori pjesë në ceremoninë e çeljes së punimeve për bypass-in e Tepelenës se paralelisht me infrastrukturën rrugore, mund të themi se ëndrra dhe ambicia e shprehur në fushata elektorale për të fuqizuar infrastrukturën aeroportuale të Shqipërisë është në rrugën e realizimit.

“Jemi në proces dhe së shpejti do të finalizojmë edhe kontratën për të çelur aeroportin e Kukësit. Po ashtu jemi në proces dhe së shpejti finalizohet kontrata për të ndërtuar aeroportin e ri ndërkombëtar të Vlorës. Kemi nisur procesin për të bërë vlerësimet e nevojshme për të ndërtuar aeroportin turistik të Sarandës”, informoi kreu i qeverisë./KultPlus.com

“1000 buzëqeshje për turistët e huaj” në portin e Durrësit (FOTO)

Një pikë informacioni për udhëtarët e kroçerave dhe jahteve do të funksionojë gjatë gjithë sezonit turistik në portin e Durrësit.

Gjithçka është instaluar në sheshin pranë Drejtorisë Ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD), në kuadër të një projekti që mbështetet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Bashkë me Info-point turistik, një instalacion me çadra shumëngjyrëshe do t’i urojë simbolikisht mirëseardhjen me “1000 buzëqeshje për turistët e huaj”, që zgjedhin të vizitojnë Durrësin dhe qytetet historikë të vendit. / KultPlus.com



Turistët: Shkodra është një mrekulli

Një e diel në Shkodër, për të vizituar disa nga vendet më historike të Kryeqendrës së veriut. Turistët që zgjedhin të vijnë janë të predispozuar të vizitojnë një variacion të gjerë zonash, ndërsa nuk mungojnë vizita nga vende si Finlanda e deri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo që bie më shumë në sy është dashuria e tyre për ushqimin në Shkodër, restorantet, kafenetë dhe padiskutim
edhe për motin. Kjo të paktën për këta turistë finlandez, të cilët dashurojnë diellin e Shkodrës.

Një pjesë tjetër vijnë nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa vrapi deri në zonën turistike të Shirokës është një ndër destinacionet e para që ka zgjedhur për të eksploruar në Shkodër.

Kalaja e Rozafës,muzetë e ndryshme të qytetit të Shkodrës dhe zonat muzelae si pedonalja janë pikat më strategjike.

Ndërsa peshku dhe pjatat tradicionale të Shkodrës janë ato që tërheqin më shumë vëmendjen në kulinari.

Pjesa më e madhe e turistëve e kanë Shkodrën si një qytet një apo dy ditor në kalim, ndërsa vijojnë më tej me turin e tyre në vende të tjera të Ballkanit. / KultPlus.com

Muzeu arkeologjik i Durrësit magjeps turistët e huaj

Muzeu arkeologjik në Durrës, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, gjatë muajve janar-qershor të këtij viti është vizituar nga 5386 turistë vendas e të huaj.

Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, muzeu po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve sidomos atyre të huaj, ku në 6 muajt e parë të vitit është vizituar nga 2414 të huaj dhe 936 nga vendi.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, bën të ditur për ATSH-në se “vizitorët e huaj kanë qenë nga shtete të ndryshme si USA, Gjermania, Anglia, Polonia, Suedia, Franca, Italia, Kina, etj”.

“Falë një bashkëpunim të ngushtë me agjencitë turistike vendase dhe të huaja, kemi bërë të mundur mirë koordinimin për një mbarëvajtje sa më të mirë të vizitës në objektet e trashëgimisë kulturore të Durrësit”, shprehet DRKK, Durrës.

Guidës së qytetit të Durrësit këtë vit i është shtuar dhe monumenti Banka Kombëtare Tregtare (Durrës), si dhe është dërguar për propozim për shpallje monument kulture Katedralja e Shën Luçisë në qytetin e Durrësit.

Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë, përcjell ata.

Objektet e para qenë vendosur në një vilë 2-katëshe, që njëlloj si godina e muzeut të ri ndodhej në shëtitoren “Taulantia”. Një emër që kujton banorët ilirë të cilët u bënë bërthama e qytetit, që fillimisht u thirr Epidamn e Dyrrah e në kohët e vona Durrës, ashtu siç e quajmë edhe ne tani.

Ndërtesa e muzeut të parë arkeologjik rrethohej nga dy oborre të mëdha, me dy portikë krejtësisht origjinalë.

Perimetrin e oborrit të parë e zbukuronte portiku i Xhamisë së Kavajës, që pas viteve 1990 u rikthye në qytetin ku ishte marrë 25 vjet më parë, ndërsa streha me monumente e oborrit tjetër mbante në mes një nga lulishtet më të bukura të qytetit tonë. Një shembull për tu admiruar.

Edhe projekti i muzeut aktual lidhet me emrin e arkeologut Vangjel Toçi. Planet për ndërtimin kishin nisur që në fillim të viteve 1980, por dalja e tij në pension dhe përkeqësimi i buxhetit financiar të shtetit e shtynë për një kohë mjaft të gjatë realizimin e tij.

Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, vetëm në katin e parë të godinës janë riekspozuar rreth 2100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.

Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës. / KultPlus.com

Berati mrekullon turistët e huaj

Qyteti i Beratit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i shumë vizitorëve nga e gjithë bota, ku vetëm gjatë muajve janar-maj 2018, u vizitua nga 10.031 turistë të huaj.

Qyteti 2400 vjeçar i Beratit i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, ka zgjuar interesin e turistëve të shumtë që e kanë vizituar. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Berat bën të ditur se “numri i turistëve që vizituan qytetin e Beratit gjatë periudhës Janar-Maj krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur në mënyrë të ndjeshme me rreth 17.956 vizitorë më shumë”.

Sipas DRKK-së, “numri i vizitorëve të huaj nga vende si Gjermania, Polonia, Franca dhe Italia ka ardhur në rritje duke shkuar në 10.031 vetëm në 5 muaj”.

Turizmi është një nga opsionet më premtuese për rritjen ekonomike në Berat, qytet që me monumentet e tij të kulturës është gjithmonë e më shumë në vëmendjen e turistëve. Qendra urbane e Beratit, reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s.

Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë. / KultPlus.com

Kalaja e Beratit, 27,468 turistë në katër muajt e parë të 2018

Monumentet e kulturës në Shqipëri çdo ditë e më shumë po tërheqin vëmendjen e turistëve e sidomos atyre të huaj gjatë kësaj periudhe, e cila përkon dhe me çeljen e sezonit të ri turistik.

Berati është një ndër qytetet më interesantë dhe tërheqës, i cili çdo vit e më shumë po tërheq turistë të huaj dhe vëmendjen e mediave të huaja, ku ky qytet është i pranishëm në shkrimet që bëhen për Shqipërinë, kjo edhe për faktin se është trashëgimi botërore e UNESCO-s.

Kalaja e Beratit është një ndër pikat turistike e cila ka një numër vizitorësh që vjen gjithnjë në rritje. Ajo përbën një nga atraksionet turistike më të preferuara në Shqipëri për turistët e huaj dhe ata vendas.

Këtë e bën të ditur edhe Drejtoria Rajonale Kombëtare Kulturore Berat, e cila na tregon me anë të statistikave se sa shumë është rritur numri i vizitorëve për periudhën janar-prill të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të tre viteve të fundit.

Nga statistikat shohim shifra premtuese dhe shumë pozitive në pragun e çeljes së sezonit turistik, ku turizmi kulturor do të jetë motori i zhvillimit të ekonomisë lokale.

Po të bëjmë një krahasim për periudhën janar-prill 2017 kemi rreth 15,487 vizitorë, po në të njëjtën periudhë për këtë vit numri i turistëve është rritur duke shkuar në 27,468 vizitorë, pra 12 mijë vizitorë më shumë për vitin 2018.

Kalaja e Beratit

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum, shkruan “kultplus”. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II p.e.r. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë. Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, e cila i përket fundit të shek. XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj.

Muzeu i Ikonave Onufri: Ndodhet në lagjen Kala dhe përmban disa nga shembujt më të bukur të artit fetar në Shqipëri. Muzeu u hap në vitin 1986, emrin e ka marrë prej piktorit të madh të shek. XVI të shkollës shqiptare Onufrit. Ka gjithsej tri salla në të cilat janë vendosur ikona të shumta të shenjtorëve, si dhe tekstile e sende të vogla prej metali, objekte të punuara për përdorim gjatë liturgjisë, kapakë të biblës të bërë në Berat nga mjeshtri Agathangjel Mbrica etj. Me mbi 210 objekte muzeale, 60 prej të cilave të shpallura si monumente të kategorisë së parë, Berati konsiderohet si një nga qytetet me trashëgiminë më të pasur kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. /Ata

Para 47 vitesh u hap për turistët Muri i Madh Kinez

Muri i Madh Kinez është hapur për turistët pikërisht më 10 nëntor të vitit 1970. Ky mur mbetet një objekt mahnitjeje për të huajt dhe është tashmë një simbol kombëtar i respektuar.

Historia e Murit të Madh Kinez fillon kur fortifikimet e ndërtuara nga shtetet e ndryshme të lashta kineze gjatë periudhës së pranverës dhe vjeshtës (771–476 p.e.s.) dhe periudhës së shteteve ndërluftuese (475–221 p.e.s.) ishin të lidhur nga perandori i parë i Kinës, Qin Shi Huang, për të mbrojtur dinastinë e tij të sapo-formuar (221–206 p.e.s.) kundër inkursioneve nga nomadët euroaziatikë.

Muret ishin ndërtuar prej dheu të ngjeshur, duke përdorur punën e detyruar dhe rreth vitit 212 p.e.s. shtrihej nga Gansu deri në bregdetin jugor të Mançurisë.

Dinastitë e mëvonshme adoptuan politika të ndryshme kundrejt mbrojtjes së kufirit verior. Dinastia Han (202 p.e.s.–220 të e.s.), Dinastia Veriore Qi (550–574), Dinastia Sui (589–618) dhe veçanërisht Dinastia Ming (1369–1644) ishin midis aty që e rindërtuan, përforcuan dhe i zgjeruan muret, megjithëse ata i ndoqën rrallë rrugët Qin.

Hanët i shtrinë fortifikimet më tej në perëndim, Qi-të ndërtuan rreth 1,600 km. muresh të reja, ndërsa Sui-t mobilizuan mbi një milion njerëz në përpjekjet e tyre mur-ndërtuese.

Megjithëse një penguse i dobishëm kundër inkursioneve, në mjaft pika përgjatë historisë së tij Muri i Madh dështoi për ti ndaluar armiqtë, duke përfshirë vitin 1644 kur mançutë Qing Marshuan përmes portave të kalimit Shanhai dhe zëvendësuan dinastinë më aktive mur-ndërtuese, Mingët, si sundues të Kinës.

Muri i Madh Kinez i dukshëm sot gjerësisht daton nga Dinastia Ming, pasi ata rindërtuan shumë nga muri me gurë dhe tulla, shpesh duke e shtrirë linjën e tij në terrene të vështira. Disa seksione mbeten në gjendje relativisht të mirë ose kanë qenë rinovuar, ndërsa të tjera janë dëmtua ose shkatërruar për arsye ideologjike, të shpërbërë për materialet e tij ndërtuese, ose të humbur për shkak të gërryerjes së kohës./ KultPlus.com

Xhamia në Shqipëri me emër të krishterë, kuriozitet për turistët e huaj

Xhamia historike e Gjin Aleksit në Rusan të Delvinës kthehet në destinacion turistik për vizitorët e huaj.

E ndërtuar në rrënojat e një kishe, në oborrin e xhamisë janë të përfshira tre objekte fetare, një teqe, një kishë dhe xhamia.
Xhamia e Gjin Aleksit është ndërtuar në kohën e Sulltan Sulejmanit.

Këto objekte religjioze janë kthyer në destinacion shumë të pëlqyer për turistët e huaj, pasi brenda pak metrave katrore ka të ndërthurura fe të ndryshme.
Prej disa kohësh kjo xhami po i nënshtrohet një restaurimi, që po financohet me fonde të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Ajo po kthehet në një kuriozitet të përditshëm për vizitorët vendas e të huaj./ KultPlus.com

Turistët të mahnitur gjatë vizitave në zonat e trashëgimisë sonë historike e kulturore

Bregdeti shqiptar këtë vit kishte një fokus të veçantë nga mediat botërore, po jo keq ka mbetur edhe pjesa e trashëgimisë historike e kulturore, shkruan KultPlus.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm në rrjetin social Facebook, një video me mbresa të turistëve gjatë vizitave në zonat e trashëgimisë historike e kulturore të Shqipërisë.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto mbresa të turistëve gjatë vizitave në zonat e trashëgimisë sonë historike e kulturore”, shkruan kryeministri Rama.

Për më tepër rreth mendimeve të turistëve për këto pjesë të Shqipërisë, mund të ndiqni videon në vazhdim. / KultPlus.com