Berati destinacion i turistëve edhe në dimër, Merdani: Rreth 40 mijë në dy muaj

Qyteti i Beratit me historinë dhe arkitekturën e veçantë vijon edhe këtë fillim viti të tërheqë një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Në 2-mujorin e parë të vitit, siç Silvi Merdani, Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve tha  për ATSH-në, turistët në qytetin e një mbi një dritareve kanë mbushur rrugët e qytetit edhe në dimër.

“Nga janari deri tani Berati është vizituar nga 35-40 mijë vizitorë vendas e të huaj. Në muajt e ardhshëm me ngrohjen edhe të të temperaturave presim një fluks më të lartë të turistëve”, theksoi Merdani.

Merdani bën të ditur se “numri i vizitorëve gjatë janarit në Muzeun ikonografik “Onufri” u rrit me 30% në krahasim me janarin e 2024’.

“Pjesa më e madhe e turistëve vijnë nga vende të ndryshme të Evropës si Italia, Gjermania, Polania, Spanja, Franca, etj”, tha Merdani.

Ndër atraksionet më të vizituara Merdani përmend Kalanë, lagjet muzeale “Goricë” dhe “Mangalem”, ndërsa në qytet më të vizituarat janë Kanionet e Osumit, kantinat e qytetit, muzeumet Onufri, Etnografik etj.

“Edhe për këtë vit bashkia do të organizojë aktivitete të ndryshme, të cilat edhe vitin e kaluar ishin të shumta she ndikuan edhe në rritjen e fluksit të vizitorëve”, tha Merdani.

Gjatë vitit 2024 Berati kaloi shifrën e 1 milion turistëve.

“Për vitin 2025 synimet e bashkisë janë tejkalimi i kësaj shifre. Ndërkohë që qëllimi ynë është që Berati të ketë sezon turistik gjatë gjithë vitit”, tha Merdani

Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze më 1961, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona: zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.

Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Arkitektura e rrallë e këtij qyteti afro 2500-vjeçar, trashëgimia që mbart e bëjnë këtë qytet vërtetë të rrallë.