Gonxhja: Paketë ‘one stop shop’ për emigrantët, program i ri ‘investo në tokën tande’ për turizmin malor

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri publik programin e ri të qeverisë, për zhvillimin e turizmit malor nën logon “investo në tokën tande”, që synon të rikthejë emigrantët për të investuar në tokën tyre, falë lehtësirave dhe mundësive të ndryshme që do të ofrohen për ta përmes një pakete “one stop shop” .

“Ne po punojmë fort për një transport ndërqytetas për një rrjet ndërlidhës shumë më të mirë, nga pikat hyrëse, marinat, portet, aeroportet. Shqipëria po përfundon aeroportin e dytë shumë të madh për kargo dhe për një afrim më shumë me zonën e jugut”, u shpreh Gonxhja në sot Konferencën për Investimet dhe Zhvillimin Ekonomik të Europës e Shqipërisë – “Nxitja e investimeve në turizëm për ndryshim pozitiv në përfitim të të gjithëve”, që u zhvillua në Tiranë.

Gonxhja tha se, “jemi në përpunim të një programi të ri për turizmin malor dhe për zhvillimin në zonat malore, e themi këtë sepse turizmi sezonal për ne në një vend me më shumë se 300 ditë diell është i pamjaftueshëm vetëm në det dhe bregdet, por edhe nga pikëpamja e një menaxhimi vjetor dhe i nevojës që popullsia ka për të përfituar nga turizmi duhet të jetë në të gjithë gjeografinë dhe hapësirën e vendit, ndaj bëhemi gati që të shpallim një paketë dhe projekt që do ta quajmë “investo në tokën tande” për pjesën e veriut ku ne do të thërrasim shumë emigrantë, që sot janë në gjendje shumë më të mirë ekonomike, të cilët kthehen dhe do ta kenë këtë paketë një “one stop shop” shumë interesante. Duam t’i nxisim ata dhe të investojnë me lehtësi shumë të mëdha në zona shumë të largëta”.

Gonxhja e cilësoi këtë nismë një shtytje për zhvillimin e ekonomisë rurale në zonat veriore të vendit.

“Kthimi i emigrantëve për të investuar në tokën e tyre është alternativa më e mirë sesa ata të investojnë në vendet ku ata janë të suksesshëm”, u shpreh ai, teksa vuri në dukje ambicien e  qeverisë për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor nga jugu deri në veri të vendit./atsh/KultPlus.com

Shishtaveci, xhevahir i turizmit malor

Shishtaveci, 30 km larg Kukësit është kthyer vitet e fundit në një nga destinacionet më të preferuara të turizmit malor.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Shishtaveci duke ftuar turistët ta vizitojnë atë, sidomos në stinën e dimrit kur mbulohet edhe nga dëbora.

Kumbaro e cilësoi Shishtavecin, pjesë e Parkut Korab-Koritnik me peizazhet e veçanta dhe monumentet e natyrës që nga pyjet me Mështekna, Guri i Mëngjesit, Liqeni Novosejit, Mali i Kallabakut apo Bjeshkët e Shishtavecit si një prej xhevahirëve të veriut.

Fshati Shishtavec ndodhet në verilindje të Shqipërisë, në lartësinë 1260 m mbi nivelin e detit. Ai shtrihet buzë një kodre pothuajse shkëmbore, në lartësinë e së cilës ndodhet Kamenica me 1330 m lartësi.

Bjeshkët e Shishtavecit gjatë stinës së dimrit, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sportit të skive. Po ashtu Bjeshkët e Shishtavecit dhe të Kallabakut, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e udhëtimeve dhe ekskursioneve./ atsh / KultPlus.com

Munella, destinacion i të pasionuarve pas turizmit malor

Parku natyror i Munellës në Pukë është kthyer në një atraksion dhe vlerë e shtuar në guidat turistike për potencialet e veçanta që mbart.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky park natyror, që sidomos gjatë verës tërheq një numër të lartë turistësh.

“Munella, me natyrën çlodhëse dhe biodiversitetin karakteristik që tashmë ruhet si Park Natyror, ia shton vlerat edhe në guidat turistike, ku sidomos gjatë verës po tërheq përherë e më tepër të pasionuarit pas malit”, tha Kumbaro.

Mali i Munellës, ndodhet në kufirin midis Pukës dhe Mirditës dhe arrin një lartësi prej 1996 metra. Ky mal ofron një natyrë çlodhëse me biodiversitet të larmishëm të faunës dhe florës që ka. Në këtë mal rritet një florë e larmishme me llojshmëri bimësh dhe ku nuk mungojnë lloje të ndryshme kafshësh nga lepuri, rrëqebulli, kaprolli, derri i egër e ariu, të cilat e bëjnë Munellën një vend me mjaft interes për t’u eksploruar.

Munella ofron mundësinë edhe të zhvillimit të biznesit blegtoral dhe agroturistik.

Me vendim të Këshillit të Ministrave në 26 janar të këtij viti, Parku Natyror i Munellës u shpall zonë e mbrojtur. /atsh / KultPlus.com