Pushuesit dhe vizitorët që do të zgjedhin këtë verë Lezhën do të kenë mundësi të eksplorojnë lehtësisht edhe malin e Rrencit.
Një shteg mjaft interesant përshkon kurrizin malor të një zone që më parë ka qenë e banuar duke shijuar pamjet e mrekullueshme që natyra ka krijuar në këtë zonë, historinë, kulturën dhe panoramën e bukur që e shoqëron këtë udhëtim.
Për ta bërë më të lehtë udhëtimin, që mund të bëhet në këmbë, me biçikletë mali, motora apo fuoristrada, Drejtoria e Turizmit e Kulturës në Bashkinë e Lezhës ka realizuar edhe markimin e këtij shtegu, që nis në hyrje të rrugës për tek Rana e Hedhun dhe vijon ngjitjen e malit.
Janë 16 km shteg që tani do të mund të aksesohet më lehtë për shkak të sinjalistikës që është vendosur, por eksploratorët orientohen edhe për drejtimin e objekteve të kultit dhe vlerave kulturore që ndodhen në këtë zonë. / atsh / KultPlus.com
Janë të shumta vendet që ka kaluar piku i epidemisë së COVID-19, po mendojnë seriozisht për muajt verorë që po afrojnë, në tentativën për ta shpëtuar sadopak sezonin turistik, edhe pse tashmë të cunguar.
Japonia është një nga vendet që ka kaluar tashmë valën e pandemisë me “vetëm” 16.500 të prekur dhe 783 viktima. Vendi aziatik sapo ka dalë nga gjendja e emergjencës, dhe mendon të hapë sezonin veror në fillim të korrikut.
Për të tërhequr turistë nga e gjithë bota, Japonia ka planifikuar një paketë ndihmash për sektorin me rreth 10.5 miliardë euro.
Një nga propozimet më interesante për turistët që do të munden të arrijnë shtetin ishullor këtë verë do të jetë fushata e uljeve të çmimeve, që sipas agjencive të turizmit do të përgjysmojnë kostot e udhëtimit dhe ndenjjes në atë vend. Një në tre net në hotel do të jetë falas, ashtu si pjesa më e madhe e muzeve dhe parqeve, dhe pjesë e kostove të transportit hekurudhor, më i shpejti dhe komodi.
Për fatlumët, kjo periudhë mund të jetë një periudhë e papërsëritshme për të shijuar pa fluksin e zakonshëm dhe me kosto të përballueshme bukuritë e një vendi unik. / KultPlus.com
Në Pogradec nuk të pret vetëm natyra e bukur dhe turizmi familjar, por edhe një botë plot aventura dhe histori.
Pogradeci dhe rrethinat e tij, ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa Liqeni i jep hijeshinë.
Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin t’i vizitosh.
Pogradeci ofron shumë mundësi për turizëm ujor, malor dhe historik. Gjithashtu edhe kuzhina dhe kulinaria pogradecare është shumë e veçantë dhe e pëlqyeshme nga vizitorët shqiptarë dhe të huaj.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, publikoi një video me pamje nga Pogradeci për promovimin e qytetit në juglindje të vendit, që mbledh rreth vetes mijëra turistë në çdo stinë të vitit.
“Pogradeci, ky destinacion turistik që duhet shijuar. Aty gjen njerëz mikpritës e të buzëqeshur, peizazhe fantastike, atraksione që duhen shijuar”, – tha Klosi.
Në këtë qytet kudo ka bukuri si Lini, një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër.
Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla. Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor ndërtuar në sipërfaqe të liqenit, si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Ka gojëdhëna që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të lulëzuar.
Ndërsa burimet e Drilonit që ndodhen rrëzë kodrave afër fshatit Tushemisht dhe Gurras, 4 km nga Pogradeci kanë një pamje të pakrahasueshme.
Këtë monument natyre mund ta vizitoni në qoftë se ndiqni rrugën Pogradec-Doganë-Shën Naum. Ai është një burim i madh gëlqeror që buron me rrjedhje vertikale të ujit në fund të bllokut gëlqeror, duke vazhduar më pas rrjedhjen në liqenin e Ohrit. Uji vjen nga liqeni i Prespës përmes Malit të Thatë. Uji del jashtë si një burim i madh i veçantë me një rrjedhje prej 7 m3 /sek. Zona është e rrethuar me bimësi të dendur.
Pogradeci ka edhe mjaft kisha mesjetare si Kisha e Shën Bitrit, që vendasit janë mësuar ta thërrasin kisha e Shën Bitrit, ndodhet disa qindra metra larg fshatit Potkozhan. Kjo ndërtesë e vogël prej guri, mbuluar me plloça është me vlera unikale përsa i përket dy kupolave të vogla në anën lindore dhe murit shumë të veçantë pikturuar me afreske në pjesën e brendshme të tij. Edhe pse afresket janë dëmtuar, vizitorët përseri mund të admirojnë misterin dhe bukurinë e shenjtorëve pikturuar në muret e tij.
Një tjetër kishë është ajo e Shën Marenës në veri të fshatit Llenge, zonë e Pogradecit, me një pamje dominuese në majë të malit mbi lumin Shkumbin. Kisha është një ndërtesë e vogël afërsisht 8-12 metra e gjatë. Altari është i ndarë nga pjesa qendrore e kishës me një ikonostas druri 6 m të gjerë dhe 4 m të lartë. Ikonostasi është gdhendur me motive luleje. Gjithë pjesa e brendshme e kishës është e mbuluar me afreske që i përkasin dorës së mjeshtrit të këtyre zonave, Kostandin Shpataraku.
Qyteti i Liqenit, Pogradeci, është qyteti elitar i Shqipërisë i cili vizitohet në të katër stinët./atsh / KultPlus.com
Shqipëria dhe Kosova prezantohen si një destinacion turistik i përbashkët, për të gjithë të huajt që duan të dinë diçka më tepër për historinë, kulturën, bukuritë natyrore dhe vendet atraktive, ku mund të argëtohen dhe të pushojnë.
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi publikoi sot pamje të atraksioneve turistike të të dy vendeve duke ftuar turistët ti shijojnë ato.
“Nëse keni shpirtin e eksperiencës, nëse ju pëlqen të zbuloni kulturat e lashta dhe dëshironi të gjeni veten në mes të një natyre përrallore e ende të pazbuluar, të shijoni një ushqim të mrekullueshëm, duam t’u mirëpresim në një natyrë të paprekur e të egër prej 39 635 km2”, thuhet në videon e publikuar nga ministri Klosi.
”Vendet tona”, thuhet më tej në video, “nuk kanë industri të mëdha dhe nuk ka asnjë McDonald. Është mallkim, apo bekim?”
“Harrojeni rregullin, lëreni pas ritmin e qyteteve të zhurmshme, shmangni radhët e gjata të turistëve, ejani të përjetoni vendet unike që ofrojnë vendet tona”, është ftesa për aventurierët./atsh/ KultPlus.com
Një parajsë në brigjet e rivierës shqiptare. Kështu e cilësojnë mediet e huaja Ksamilin, që ndodhet 12 km larg Sarandës dhe që pret çdo vit në ishujt e tij, mijëra turistë vendas e të huaj.
Ksamili me plazhet e tij po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e medieve dhe portaleve të huaja, të cilat e rendisin ndër destinacionet që duhen vizituar çdo verë.
Shumë prej tyre i kanë konsideruar plazhet e Ksamilit si më të bukurit në Europë.
Tërheqja kryesore e Ksamilit është e përfaqësuar nga plazhet e tij të kristalta për mijëra turistë që duan të gëzojnë detin e bukur, një tipar pothuajse i të gjitha plazheve në Vendin e Shqiponjave, ku rëra është e mirë dhe e pastër, ndërsa deti ofron një pamje të plotë të jetës marine me qartësinë e tij.
Rëra e bardhë, deti kristal tërheq çdo vit turistët vendas e të huaj, për të kaluar pushimet verore.
I mbipopulluar kryesisht në muajt korrik, gusht, Ksamili ofron një pamjeje mbresëlënëse me ishujt e vegjël shkëmborë me një bimësi të egër të dendur.
Në një lartësi nga 7.5 deri në 15 metra mbi nivelin e detit këta ishuj janë vendosur pranë njeri-tjetrit të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft të zhvilluar.
Këta ishujt e bëjnë Ksamilin aq të veçantë e të dëshirueshëm nga turistët e sidomos nga të rinjtë. Me varka të ndryshme që ndodhen në Ksamil ju mund të vizitoni ishujt që preferoni për të bërë një shëtitje dhe për tu larë në detin e kristaltë.
Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell një fotogaleri me pamje nga Ksamili në këto ditë pranvere, ku temperaturat kanë filluar të rriten dhe bën që qytetarët të presin me padurim nisjen e sezonit turistik, që këtë vit do të jetë me masa të larta sigurie për shkak të pandemisë COVID-19 që ka prekur vendin tonë dhe pothuajse shumicën e vendeve në botë.
Turizmi në plazhet e Ksamilit po rritet çdo vit. Fshati është i mbushur me restorante që shërbejnë kuzhinë shqiptare, ku vendin kryesor e zënë pjatat me produkte të zonës si prodhimet e detit, por edhe ato të tokës.
Në Ksamil ka shumë njësi akomoduese, hotele apo edhe apartamente me qira, që dikur mbusheshin nga shqiptarët, ndërsa vitet e fundit gjithnjë e më shumë nga të huajt nga vende të ndryshme.
Tërheqja kryesore e Ksamilit është e përfaqësuar nga plazhet e tij të kristalta për mijëra turistë që duan të gëzojnë detin e bukur, një tipar pothuajse i të gjitha plazheve në Shqipëri, ku rëra është e mirë dhe e pastër, ndërsa deti ofron një pamje të plotë të jetës marine me qartësinë e tij./ATSH / KultPlus.com
“Brenda majit Shqipëria do të jetë e hapur tërësisht, kufijtë e Shqipërisë do të jenë hapur dhe ne do të përgatitemi për sezonin turisitik”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend, duke theksuar se “ natyrisht jo duke i kërkuar atyre që bëjnë zgjedhjen e gabuar duke i kthyer shpinën të madhit Shekspir. Ndërkohë që i kanë sytë ngulur tek teatri, por duke përgatitur neve në rast se do të vijë një valë tjetër që do të jetë e rëndë po ua them sot ajo që kaluam edhe për ne, edhe sikur të përsërisim të njëjtat gjëra, sidoqoftë ta përballojmë përsëri me atë dinjitet e seriozitet që e përballuam duke e vendosur Shqipërinë në atë grup shumë të vogël vendesh që sot shihen me admirim për rezultatin e arritur”.
“Jam shumë krenar që shumë kolegë të mi, jo me larg se mbrëmë Presidenti i Turqisë, më kanë shprehur këtë admirim për ç’ka ka bërë shteti shqiptar dhe për çfarë rezultatesh janë krahas Shqipërisë në tabelën e përgjithshme”, – tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “kur po të shihja (deputetit Myzlim Murrizi) që po flisni për popullin, i prekur siç jam, prekur nga kjo dashuri e beftë për Teatrit, që ka shpërthyer në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë papritur fytyra jote mu zëvendësua me fytyrën e Sandër Prosit që thoshte në një rol të tij: “Eh sa gjera thuhen në emrin tend o popull”.
Rama tha se “meqë kështu erdhi kjo punë dhe Shqipëria papritur u kthye në arene ku përplasen bijtë e Shekspirit me një regjim të imagjinar në filxhanin e Ledi Makbeth, e duke qenë se ndërkohë jemi edhe në një kohë kur përballemi me sëmundje ngjitëse, po ju kujtoj fjalët e Shekspirit juve këtu dhe të gjithë atyre që kanë zgjedhur të përfshihen jo për një plan politik, po për një lëndim shpirtëror. “Budallallëku dhe mençuria ngjiten kollaj, njësoj si sëmundjet infektive, prandaj zgjidhni me kujdes ata që dëgjoni”, thotë Shekspiri”.
Kryeministri Edi Rama tha se “ meqënëse Teatrin e politikës sot e ka pushtuar politika për teatrin më lejoni të ju them se ky është një lajme i mirë në këtë moment kur nëse nuk do të kishim bërë të gjitha gjerat e duhura mund të mos ishim këtu ose mund të mos u takoheshim fare këtu, por mund të përjetonim një halla të madhe duke numëruar humbjet e jetës, plagët e rënda dhe kolapsin e sistemit tonë shëndetësor në kushtet e një përballje që shumë shtet shumë më të fuqishme, shumë më të ditura, shumë më të zhvilluara se ne e humbën”.
Rama tha më tej se “jeta më ka çuar dikur pa dashjen time pranë njeriut të zemrës në një spital amerikanë në Masacusten dhe kur kam hyrë në atë spital dhe kam parë se çfarë ndodhte, kam menduar se kjo këtu është dora e Zotit, se s’ka mundësi. Dhe para syve të mi kam parë atë qenie për të cilën do jepja jetën time të kthehej nga koma. Dhe sot në atë vend ku gjendet ai spitale, numërohen deri më tani 6 mijë të vdekur, me vetëm dyfishin e popullsisë së Shqipërisë. Por, si çdo sukses edhe ky sukses ka koston e vet dhe kostoja e këtij suksesi është pikërisht rritja e përditshme e numrit të atyre që thonë ishte lojë, që përqeshin, që tallën dhe të atyre që te gjithë te ajo që bëmë shohin fytyrën e vërtetë të diktaturës dhe diktatorit që mbylli shqiptarët sepse i do brenda, që krijoi një zinxhirë autorizimesh dhe lejesh dhe që i detyroi me pahir të hynin në botën digjitale dhe të vuanin padrejtësish internimin në kolltuqet e tyre para ekraneve të televizorit, të vuanin sakrificat e madha të një lufte të përgjakshme në krevat duke fjetur pa nevojën për të shkuar në punë e kështu em radhe. Kjo është kostoja e këtij suksesi. Përderisa ne ia dolëm natyrisht që shumëkush duke bërë zgjedhjen e gabuar dhe duke mos dëgjuar këshillën e Shekspirit që të zgjedh ata që dëgjon, të bjerë pre e zinxhirit të infektimit të budallallëkut që kalonë gojë më vesh dhe vesh me gojë”./ atsh / KultPlus.com
Ukraina është e gatshme të nisë fluturimet e dedikuara turistike drejt Shqipërisë më 2 qershor.
Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i cili zhvilloi një videokonferencë me zv. ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Vasyl Bodnar.
“Në videokonferencë me zv.ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Vasyl Bodnar, i ngarkuar për bisedime dypalëshe për hapjen e kufijve për fluturime të dedikuara, charter, i cili shprehu gatishmërinë të nisë me vendin tonë, fluturimet e dedikuara turistike më 2 qershor”, tha Klosi.
Ditën e djeshme Klosi zhvilloi një videokonferencë me ministrat e Turizmit të rajonit, ku u diskutua mbi hapat që duhet të ndërmerren, në respekt të vendimeve të organeve të shëndetësisë, për hapjen e kufijve dhe lëvizjen e lirë të njerëzve./ atsh/ KultPlus.com
Greqia po i jep fund mbylljes së shkaktuar prej koronavirusit, duke u hapur plotësisht në mes të muajit qershor.
Më konkretisht më 15 qershor, Greqia do të hapë kufijtë për turistët.
Deklarata u bë këtë të martë nga Kryeministri grek Kiryakos Mitsotakis duke folur gjatë një samiti të përbashkët me vende të tjera të Ballkanit.
“Në fillim të muajit qershor do të hapen kufijtë për udhëtimet e bizneseve, punëtorët sezonal dhe për pjesëtarët e familjeve që banojnë në vende të tjera. Ndërsa për turistët kufijtë do të hapen më 15 qershor”, u shpreh Mitsotakis.
Greqia humbi 165 persona nga koronavirusi, ndërsa në total u infektuan 2.840. / KultPlus.com
Në prag të sezonit veror dhe me një turizëm global në pikëpyetje për shkak të pandemisë, ne parashikojmë një të ardhme të suksesshme për turizmin shqiptar, shkruan Sara Perico e vadoinalbania.it, një operator turistik që promovon Shqipërinë në Itali dhe që kryesisht është i përqendruar në turizmin kulturor, natyralist dhe mjedisor.
”Në janar ishim bërë tashmë gati për sezonin, të karikuar dhe plot entuziazëm.
Programi ynë i tureve dhe ekskursioneve ishte i mbushur me propozime, njëri më interesant se tjetri dhe, gjithashtu, kishim gati edhe një gamë të gjerë hotelesh e apartamentesh për pushime.
Një punë përzgjedhëse e shkëlqyer e strukturave dhe burimeve, e bëre me kujdes dhe përpikmëri për të ofruar më të mirën, sepse ky është misioni dhe qëllimi ynë kryesor.
Ky vit, përsërisnim gjithmonë me vete, do të jetë vit i mrekullueshëm për Shqipërinë, do të jetë viti i suksesit, viti i ngritjes së pandalshme, vit në të cilin Shqipëria do t’i bashkohet përfundimisht destinacioneve më të parapëlqyera mesdhetare.
Ne ishim aq të lumtur dhe plot energji, me panaire, katalogë, bashkëpunime, sa nuk u ndalëm për asnjë çast.
Në fund të shtatorit, ne mbyllëm turneun e fundit në grup të sezonit dhe para mesit të tetorit kishim filluar të planifikonim për vitin 2020.
Dhe shifrat na dhanë shpejt të drejtë; shumë vizita në faqen e internetit dhe në janar kërkesat për kuotat ishin kaq shumë, saqë mezi arrinim t’i ndiqnim. Edhe konfirmimet e para erdhën shumë herët dhe shumë më të shumta se vitin e kaluar.
Me pak fjalë, parashikohej një sukses i paparë.
Pastaj erdhi ai, ashtu krejt papritur, si një tornado. Ky COVID-19 na zuri të gjithëve në befasi, si në nivel njerëzor, ashtu edhe në atë professional.
Në pak javë, ai u bë protagonisti i maktheve tona më të këqija, na hodhi në një det trishtimi, frike, zemërimi, pasigurie, dëshpërimi dhe melankolie.
Edhe ne u tronditëm, do të ishte marrëzi ta mohonim atë.
Datat e para të udhëtimeve tona me nisje të garantuar u anuluan, grupet private që duhej të nisnin në prill u shtynë në një datë të pacaktuar dhe kërkesat u ndërprenë befas për javë të tëra.
Dhe kështu, i gjithë sektori i turizmit, që është ndër më të dëmtuarit në botë dhe në të gjitha nivelet, nga agjencia më e vogël lokale e udhëtimeve deri te kompanitë e mëdha të menaxhimit të ushtëtimeve ndërkombëtare, të gjithë do të vuajnë për një kohë të gjatë.
Por, ajo që nuk ka munguar kurrë është shpresa që na mban gjithmonë në një nivel të lartë entuziazmi dhe dëshire për të filluar nga e para.
Na duket vetja si në vijën e nisjes, me një këmbë te frenat dhe tjetrën te gazi, gati për t’u nisur!
Të ushqyer nga shpresa se Shqipëria e ka përballuar mirë pandeminë, pjesërisht falë faktit që ka pak zona me dendësi të lartë të popullsisë, falë gatishmërisë vendimmarrëse të qeverisë dhe pjesërisht, kjo duhet pranuar, falë edhe pjesëmarrjes bashkëpunuese të popullatës.
Por çfarë do të ndodhë pas një, dy apo tre muajsh, këtë ne nuk e dimë.
Si do të shkojë kjo verë 2020, që tashmë e kemi në prag, kjo është një e panjohur e vërtetë.
Ajo që dimë është se, sido që të shkojë, viti 2020 është dhe do të mbetet viti i suksesit të madh të turizmit në Shqipëri, viti i shumë kërkesave, viti i hyrjes në mesin e destinacioneve më të kërkuara, viti i marrjes së shpërblimit!
Fakti që ky sukses u mbyt pjesërisht nga forca madhore, nuk do të thotë se nuk është një sukses, nuk do të thotë se kemi humbur gjithçka, nuk do të thotë se dëshira për të vizituar këtë vend të bukur është zvogëluar, përkundrazi, besoj se pas rimëkëmbjes Shqipëria do të dalë fitimtare, sepse gjatë kësaj periudhe të vështirë ka treguar se është në gjendje të përballojë situatat e urgjencës në një mënyrë pragmatike dhe vendimtare dhe ka treguar vazhdimisht se ka një zemër të mrekullueshme.
Pra, sido që të shkojë, tashmë Shqipëria është një histori suksesi! /atsh/ KultPlus.com
Thesarin e Rivierës Shqiptare e ka konsideruar Ksamilin faqja e specializuar amerikane për turizmin thrillist.com.
”Ndoshta ju nuk e keni vënë Shqipërinë në krye të listës për pushimet e këtij viti sepse nuk keni parë Ksamilin”, shkruan ajo.
Plazhi i Ksamilit
”A është Shqipëria në krye të listës për pushimet verore? Ndoshta jo, por kjo vjen sepse ju nuk keni parë plazhin e Ksamilit”, shkruan thrillist.
”Ksamili është thesari i Rivierës Shqiptare, me rërë të bardhë, ujë të kaltër dhe tre ishuj. Mos harroni pajisjet për zhytje në ujë”, porosit faqja e specializuar amerikane për turizmin thrillist.com.
”Këtë muaj, shumë vende europiane filluan të lehtësojnë masat e izolimit dhe njoftuan se do të rihapen për turistët. Megjithatë, ndalimi i Europës për udhëtimet e huaja është zgjatur deri më 15 qershor dhe pjesa më e madhe e SHBA-së është pjesërisht ose plotësisht e mbyllur. Në normalitetin tonë të ri, është e vështirë të imagjinohet të bëjmë fotografi përgjatë lumit Sena ose të pimë xhin dhe tonik në Barcelonë”, shkruan thrillist.
”Për këtë arsye, po ju sjellim më të mirën e Europës. Gjithsej ekzistojnë 48 shtete në të gjithë këtë kontinent super të larmishëm, nga Islanda në veri deri në Qipro në jug dhe madje edhe deri në malet Urale në Rusi. Këtu janë vendet më të bukura. Ato duhet t’i shtoni në listën e vendeve për t’u vizituar”, shton ajo./ atsh/ KultPlus.com
Dega e turizmit dhe udhëtimeve është një ndër më fitimprurëset në Turqi. Ky vend është destinacioni më i preferuar turistik për miliona pushues të huaj. Por pandemia e ka paralizuar tani këtë sektor.
Që pas ndalimit të fluturimeve në mars dega e turizmit në Turqi ka pasur humbje të mëdha sipas Entit turk të statistikave (TÜIK). Krahasuar me një vit më parë rënia në prenotimet e hoteleve ka qenë me 55,2 përqind. Ndërkohë që dega e turizmit është për Ankaranë burimi më i rëndësishëm i të ardhurave – pikërisht tani edhe në sfondin e krizës ekonomike që nga vera e vitit 2018.
Duke filluar nga mesi i qershorit do të lejohen fluturimet ndërkombëtare. Ministria e Turizimit e argumenton planin e hapjes me faktin, se Turqia e ka nën kontroll virusin.
Në luftë kundër virusit Turqia, sipas të dhënave të veta, ka pasur sukses: Spitalet ia kanë dalë që ta përballojnë dyndjen e pacientëve, infeksionet e reja janë në rënie që nga fillimi i muajit maj dhe numri i vdekjeve nga virusi është relativisht e ulët krahasuar në nivel ndërkombëtar.
Një program çertifikimi për më shumë siguri
Që sipërmarrjet turistike të rifillojnë nga puna, një komision ekspertësh nën drejtimin e Ministrisë së Turizmit ka përpiluar masat e sigurisë. Pasi pandemia është përballuar, Turqia tani do të marrë një rol paraprijës në degën e turizmit, deklaroi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Nuri Ersoy.
Sikurse njoftoi Ministria e Turizmit do të vihet në jetë një “Program i certifikimit për turizëm të shëndetshëm”. Hoteleritë, aeroportet, shoqëritë ajrore, bizneset e gastronomisë dhe strehimit do të verifikohen, nëse i respektojnë standardet e kërkuara për higjienën dhe sigurinë.
“Punonjësit e hoteleve në kuadër të programit të certifikimit do t’u nënshtrohen kontrolleve shëndetësore si dhe testit për CPVID-19”, deklaroi zëdhënësi i Shoqatës së Sipërmarrjeve të Udhëtimit Tur Operatörleri Platformu, Cem Polatoğlu. Një mjek do të jetë 24 orë në dispozicion.
Për të ruajtur distancat e nevojshme mes njerëzve dhe personelit hotelet do të punojnë vetëm me 60 përqind të kapaciteteve që kanë. Restaurantet lejohen të presin vetëm 500 klientë dhe ushqimi do t’u serviret në tryezë. Klientët duhet të shkojnë duke ruajtur distancat në plazhe dhe për çdo dalje në plazh duhet të regjistrohen. Diskotekat dhe baret do të qendrojnë të mbyllura tërësisht, vuri në dukje Polatoglu.
Kryetari i shoqatës së hotelerisë në Turqi, TÜROB, Müberra Eresin, tërhoqi vëmendjen, se ndërkohë hotelet kanë filluar të përgatiten për pritjen e turistëve. Por shoqata megjithatë është skeptike. Fakt është, thotë ai, që po jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme me pak siguri planifikimi. “Shpresojmë që në mes të qershorit të ndërmerren hapat e parë në këtë degë. Por është ende e vështirë të vlerësosh, nëse do të mund ta arrijmë objektivin financiar deri në fund të vitit”. Prioritet ka megjithatë shpëtimi i jetës së njerëzve si dhe i vendeve të punës, thotë Eresin. /KultPlus.com
Nënkryetari i Durrësit, Florian Tahiri tha se për shkak të COVID-19, nuk do të ketë një sezon turistik si gjithmonë dhe numri i turistëve nuk do të jetë si më parë.
Tahiri tha se bizneset kanë nisur përgatitjet dhe kanë shpresë që qytetarët e Kosovës do të shkojnë dhe t’i kryejnë pushimet në Durrës.
Tahiri tha se do të ketë disa masa pa i përket distancimit por plani turistik akoma nuk ka përfunduar.
“Plani është në përfundim dhe do të ketë informacion të mjaftueshëm se si do të bëhet plazhi në këtë vit”, tha ai në RTV Dukagjini. / KultPlus.com
Numri i turistëve në botë do të ulet mes 60 dhe 80 për qind në vitin 2020, për shkak të koronavirusit, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Turizmit, duke ulur ndjeshëm parashikimet e bëra më herët.
Masat e ndalimit të udhëtimeve dhe mbyllja e aeroporteve dhe kufijve tokësorë për të ndalur shpërndarjen e virusit, kanë zhytur turizmin në krizën më të thellë që kur nisi mbledhja e të dhënave më 1950, ka bërë të ditur kjo organizatë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Lëvizja e turistëve ka rënë për 22 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020, dhe 57 për qind vetëm në muajin mars, me Azinë e Evropën që kanë vuajtur më së shumti, sipas këtyre të dhënave.
“Bota po përballet me krizë të paparashikueshme shëndetësore dhe ekonomike. Turizmi është goditur fort, me miliona vende pune në rrezik në një prej sektorëve më intensivë të ekonomisë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Zurab Pololikashvili, raporton “The Guardian”.
Kompanitë ajrore kanë pësuar më së shumti që nga shpërthimi i virusit në fund të vitit 2019 në Kinë me fluturimet e anuluara, por që kanë prekur edhe zinxhirin e turizmit duke përfshirë hotelet e operatorët e turizmit.
Organizata kishte parashikuar në fillim të vitit se turizmi botëror do të rritej për 3-4 për qind më 2020, por më pas rishikoi parashikimin në fund të marsit, duke thënë se do të ketë rënie prej 20-30 për qind. Tani, me zgjatjen e izolimit, organizata ka thënë se do të ndryshojë edhe parashikimi. Në skenarin më të mirë, sipas saj, nëse lehtësohen masat në korrik, turizmi do të pësojë rënie për 58 për qind. Nëse kufijtë mbesin të mbyllur e udhëtimet nuk lehtësohen para dhjetorit, rënia mund të jetë deri në 78 për qind.
Ministri i Turizmit, Blendi Klosi deklaroi sot në një intervistë në media se vendi ynë në krahasim me Kroacinë, Greqinë dhe Turqinë favorizohet nga strukturat e vogla hoteliere të cilat menaxhohen më lehtë.
Sipas tij, parashikohet që fluturimet e para charter me turistë të huaj të mbërrijnë në fund të këtij muaji, ndërkohë që do të synohet që kufiri tokësor të hapet përpara kësaj date për të pasur më shpejt turistë nga vendet e rajonit.
“Nuk do të kemi shifrat e vitit 2019, por do të kemi turistë të huaj këtë sezon. Bashkë me ministrin Ahmetaj që menaxhojmë situatën e krizës së pandemisë, do t’i propozojmë qeverisë hapjen e kufijve tanë tokësorë për të pasur mundësinë e lëvizjes së turistëve nga vendet fqinjë dhe do të synojmë që në fund të muajit maj të kemi çarterat e parë me turistë të huaj. Janë disa vende me të cilat ne kemi komunikim të shpeshtë si Çekia, Polonia, vendet Skandinave, Ukraina, Bjellorusia, që janë të gatshme të dërgojnë çartera nëse ne si struktura shtetërore e hoteliere i garantojmë standarde të higjienës.
“Po synojmë hapjen e parë në rajon”, deklaroi ministri i Turizmit.
Klosi tha se do të synohet së pari një turizëm rajonal për të shpëtuar sektorin nga kriza. Jemi qeveria e parë në rajon, nënvizoi ministri Klosi që kemi ofruar një paketë mbështetëse për industrinë e turizmit. Lidhur me ligjin që do të përcaktojë rregullat për funksionimin e plazheve, ai tha se pritet të jetë gati brenda kësaj jave.
Ministri Klosi vuri në dukje se protokolli i paraqitur për rregullat e pushimeve është pranuar nga 95% e operatorëve turistikë, ndërsa shtoi se ka disa elementë që pritet të ndryshohen.
“Është një proces që ministria e ndjek shpesh, pra materiali është shpërndarë për mendim. E gjithë ideja e këtij manuali, është që turizmin ta kemi jo vetëm një mjet kënaqësie, por ta kemi edhe industri. Është një industri që mban me mijëra njerëz në punë, që mban rrjete të tjera industrish me punë dhe kemi mundësitë, falë investimeve që janë kryer në këtë industri, që të dalim të parët në treg”, u shpreh Klosi.
Ai theksoi se ky draft dhe ky protokoll masash është hartuar për kushtet në të cilat jemi, por nëse situata do të ndryshojë, Klosi tha se masat do të lehtësohen. /atsh / KultPlus.com
Do t’ju tregojmë sot për një nga kryeqytetet më ekzotike dhe tërheqëse europiane, shkruan Cristina Fernandez Gonzalez e revistës së njohur spanjolle të udhëtimeve, traveler.es.
”Tirana është rishfaqur fuqishëm pas dekadave vuajtje nga diktatura paranojake e Enver Hoxhës. Ajo që e la Shqipërinë plotësisht të izoluar nga bota dhe që, në një farë mënyre, i jep asaj këtë rol misterioz, atë të thesarit për ta zbuluar, që sot na pëshpërit në vesh këngë sirenash.
Tirana ka diçka që të fut në kurth. Kjo ju befason dhe ju fton ta ”zhvishni” atë dalëngadalë deri sa të zbuloni se cili është thelbi i saj i vërtetë. Dhe ne jemi të gatshëm ta ”zhveshim”. Për 48 orë, jo më pak.
Dita e parë
Ora 09:30. Pas një mëngjesi të bollshëm, i denjë për kampionë, për ditën turistike që na pret, vendosëm itinerarin apo pikënisjen e çdo rruge nëpër qytet: Sheshin ”Skënderbej” dhe 40 000 metra katroret e tij që na presin.
Nga kjo hapësirë e jashtëzakonshme, nderohet heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili u vu në krye të luftës kundër osmanëve në shekullin XV. Statuja e tij ekuestriane dominon mbi gjithçka. Por, ky shesh është gjithashtu vendi i përsosur për të ndjerë pulsin e qytetit.
Por, gjithashtu, është vendi i përsosur për të matur pulsin e qytetit: i përshtatur për këmbësorë që nga viti 2017, nëse ndalojmë të shikojmë lëvizjen e jetës, do të shohim zotërinj të moshuar që shëtisin në kohën e lirë, të rinj me biçikletë rrugës për në vendet e tyre të punës dhe turistë të rastit duke masakruar me klikime aparatesh fotografike muralen e madhe që kurorëzon Muzeun Historik Kombëtar. Titulli i tij? Shqiptarët.
Ora 10:00. Sapo muzeu hap dyert e tij, ne jemi atje për të zbuluar dhe për të mësuar historinë e Shqipërisë. Vizita e plotë atje mund të zgjasë një jetë dhe prapë se prapë diçka do të na mungojë.
Ne bëjmë një udhëtim të shkurtër kohor që na çon nga Parahistoria në të kaluarën e tij ilire; nga pushtimi osman deri në Luftën e Dytë Botërore; nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë te, natyrisht, vitet e diktaturës së errët. Një orë e gjysmë ku pamë xhevahire si koka e Apolonit nga shekulli IV para Krishtit dhe deri te mozaiku i parë i zbuluar në Shqipëri: Bukuroshja e Durrësit.
Ora 11:30 Përsëri në shesh po hedhim një vështrim nga Banka Kombëtare, Hotel Tirana Internacional dhe Pallatin e Kulturës, me Operën në krye: ndërtesat e thjeshta, por monumentale në një stil racionalist vazhdojnë të flasin për kohët e shkuara dhe kontrastin me ato modernet, rrokaqiejt që ngrihen atje, në distancë, në sfond. Përpara nesh, Xhamia historike e Et’hem Beut nga shekulli XVIII, një nga ndërtesat më të vjetra në Tiranë. Të dy afresket e saj të jashtme dhe pikturat e brendshme janë një kënaqësi absolute.
Por, ne mund të gjejmë pamjen panoramike të sheshit edhe nga maja e Kullës së Sahatit, një tjetër nga reliket arkitektonike të qytetit, megjithëse kjo vështirë se përfshin ngjitjen në shkallët e pjerrëta dhe të ngushta në 35 metra lartësi.
Ora 12:00 Rrethinat e sheshit ”Skënderbej” vazhdojnë të na mbushin me histori të vjetra: ne hasim nëpër ato rrugë që ishin dhe akoma janë, Toptanasit, një nga familjet fisnike më të rëndësishme dhe më të pasura në Shqipëri, dhe ndërtesat e tyre të bukura.
Deri tani kemi kuptuar se Tirana është një qytet që më shumë ndihet sesa duket. Një qytet që na kërkon fort që ne ta ”gërvishtim” thellë nga brenda. Dhe për ta bërë këtë, asgjë nuk vlen më shumë sesa të vizitosh një nga mijëra bunkerët që Hoxha urdhëroi të ndërtonte në të gjithë vendin, e gjithë kjo nga frika e tij e jashtëzakonshme nga një sulm bërthamor nga armiqtë e tij.
Tirana ka dy që janë thelbësore. Për të vizituar Bunk´Art 1 do të jetë e nevojshme të kaloni disa orë, pasi ai ndodhet në periferi të qendrës historike: një kompleks i tërë, që përfshin zyra dhe dhoma gjumi për zyrtarët qeveritarë, apartamente për liderët politikë, madje edhe një kantinë, gjithsej 106 dhoma. Për afërsi dhe prakticitet, vendosim për Bunk´Art 2, ngjitur me sheshin ”Skënderbej”, që lidhej me korridore nëntokësore me Ministrinë e Brendshme, që do të kishin shërbyer në rast të ndonjë sulmi.
Përgjatë korridoreve të tij, në këtë bodrum të qytetit, fshihen deri në 24 ambiente të zymta, të shpërndara mes dhomave të marrjes në pyetje, qelitë për të arrestuarit, një dhomë dekontaminimi, një apartament luksoz për ministrin e Brendshëm dhe madje disa instalime artistike moderne.
Pamë panele informative dhe video me dëshmi, që jo vetëm na mësojnë shumë për historinë politike të Shqipërisë, por që edhe na ngritën qimet e kokës përpjetë.
Ora 14:00 Kur kuptojmë se stomaku po na kërkon ”karburant” dhe mendja diçka më të lehtë, çfarë të hamë? Ne zgjodhëm bulevardin me pemë ”Murat Toptani”, vetëm disa hapa larg, ku ndodhen edhe Teatri Kombëtar, Kinema “Millenium”, kopshte rastësore dhe tarraca të ndryshme. Në këtë zonë të qytetit, jeta rrjedh me një ritëm të ngadaltë, boritë e makinave janë larg. Më të afërtat janë cicërimat e zogjve, që rrinë pezull rreth tryezave, në pritje për të marrë çdo thërrime. Një mjedis i qetë dhe i përsosur për të ngrënë një vakt të lehtë, para se të vazhdoni rrugën.
Ora 15:30 Tani është radha e artit. Dhe rezulton se jemi pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, një monument i vërtetë i trashëgimisë kulturore dhe një botë tjetër për të eksploruar përsëri historinë e Shqipërisë, këtë herë bazuar në krijimtarinë e artistëve të saj.
Në muret e saj shpaloset një festival i tërë pikturash dhe punimesh, me të cilat mund të zbulohet realizmi socialist, deri tek mostrat shumë interesante të propagandës komuniste. Paradoksalisht, ishte pikërisht këtë herë, kur censura ishte më e rëndë, që arti njohu rritjen më të shpejtë në vend.
Çdo devijim nga arti i promovuar socialist ishte rreptësisht i ndaluar. Veprat artistike duhej të idealizonin Enver Hoxhën. Ata që guxuan të anashkalonin rregullat u ndëshkuan rëndë. Për fatin tonë të mirë, pikturat dhe skulpturat për të tani janë shfaqur në muze.
Një shënim i fundit? ”Cloud” vepra artistike shumë origjinale e arkitektit japonez Sou Fujimoto që dekoron kopshtin në natyrë që prej vitit 2016, është një nga qoshet më të mrekullueshme dhe të paharrueshme në të gjithë Tiranën.
Ora 17:30 Ne zbresim rrugën drejt një prej ikonave të kryeqytetit, por jo përpara se të kalojmë pranë kalasë së vjetër të Tiranës, pronë e familjes Toptani, që vendosi ta rimodelojë atë dhe ta hapë së fundmi. Aty gjenden restorantet bashkëkohore të kuzhinës – pastat që përgatisin te ”Luga e Argjendtë” janë spektakolare, me dyqane origjinale, të përqendruara në delikatesat kombëtare, ashtu sikurse vajrat e ullirit të prodhuar në Vorë dhe sendet origjinale artizanale.
Ora 18:30 Dhe tani, po: pas një shëtitje të shkurtër që na çon përtej lumit Lana, shkojmë te ndërtesa e Piramidës. Piramida, një sulm autentik ndaj estetikës, e realizuar nga vetë vajza e Enver Hoxhës. Ndërtimi, që gjithashtu nuk kalon pa u vënë re, u krijua për të strehuar një mauzole në nder të babait të saj, megjithatë, gjatë luftës së Kosovës, funksionoi edhe si një qendër konferencash dhe seli e NATO-s.
Sot është krejtësisht e braktisur, pa roje. Jo pak njerëz guxojnë të ngjiten në muret e saj të pjerrëta deri në majë, me gjithë rrezikun që sjell aventura. Sigurisht, ka nga ata që thonë se soditja e perëndimit të diellit nga lart është gjëja më e mirë për të bërë në Tiranë.
Ora 19:30 Dhe më në fund arritëm në lagjen në modë, Blloku, lagje ku një pjesë e madhe e nomenklatura komuniste – përfshirë edhe vetë Hoxhën – banonin gjatë viteve të diktaturës.
Ajo ishte e mbyllur për njerëzit e zakonshëm për katër dekada. Kur mbaroi diktatura dhe tiranasit më në fund ishin në gjendje të përshkonin rrugët e saj, ata gjetën shtëpi që nuk kishin asnjë lidhje me ndërtesat e stilit komunist të pjesës tjetër të qytetit.
Sot, shumica e atyre shtëpive janë shndërruar në restorante, bare, kafene të lezetshme dhe klube. Shëtisim nëpër rrugët e saj dhe shijojmë si atmosferën e gjallë, ashtu edhe tezgat e librave.
Në kohën e darkës, ne zgjodhëm ”Salt”, në rrugën ”Pjetër Bogdani”, një restorant me një stil avangard, elegant dhe të rafinuar, dizajni i të cilit në format dupleks na bën të dashurohemi.
Specializuar në kuzhinën mesdhetare, ushqim deti dhe sushi, ajo gjithashtu ka edhe një ambient për koktej. Aty gjendet edhe ”Choko” që bashkon tradicionalen me modernen në të njëjtën pjatë.
Për një pije pas darke, ”Nunu Club” ka tavolina të larta dhe një zonë tarracë ku mund të shijoni me kënaqësi cilindo nga koktejet e shijshme në menunë tuaj.
Dita e dytë
Ora 10:00 Pas një dite të parë intensive, destinacioni i radhës ishte Pazari i Ri, megjithëse në realitet origjina e tij daton nga 1939.
Kjo hapësirë ku mëngjeset janë të mbushura me atmosferë u rimodelua në fund të vitit 2018 për t’u bërë një treg më në përputhje me ato europiane. Kjo është arsyeja pse, nga mesdita, dyqanet mbyllen, por restorantet hapen aty ku ne mund të kënaqemi me të gjitha llojet e shijeve. Gjithashtu, shpesh organizohen ngjarje kulturore si festivale, koncerte dhe panaire artizan ale.
Ora 12:00 Shkojmë për shëtitje me një itinerar shumë origjinal: ai që na çon të zbulojmë të gjitha ato fasada, që ishin pjesë e një projekti karakteristik të promovuar nga ish-kryetari i bashkisë së qytetit, Edi Rama, tani kryeministër i vendit. Që nga viti 2000, ai kërkoi t’i jepte një pamje të re të gjitha ndërtesave gri të kohës së komunizmit, të shpërndara në të gjithë qytetin. Si? Duke pikturuar fasadat e tyre me ngjyra dhe figura të ndritshme.
Guidat me rrugën e shënuar janë falas dhe mund të merren në Zyrën e Turizmit pranë sheshit ”Skënderbej”. Ka edhe itinerare të arkitekturës komuniste, historisë dhe temave të tjera dhe përfshin një mori fasadash më befasuese, të shpërndara përreth qendrës historike të Tiranës.
Artistë kombëtarë dhe të huaj kanë marrë pjesë në projekt si Ann Edholm nga Stokholmi, Franz Ackermann nga Berlini ose Tala Madani, nga Irani – të cilët vazhdojnë, edhe sot, duke reflektuar krijimtarinë e tyre përmes vizatimeve origjinale dhe muraleve mbi ndërtesat.
Qëllimi? Shndërrimi i Tiranës në një galeri të vërtetë të hapur arti.
Ora 14:30 Jemi duke provuar kuzhinën tradicionale shqiptare në restorant ”Oda”, një restorant komod i vendosur në një shtëpi të vjetër, kuzhina e të cilit kombinon receta antike me propozime të tjera më moderne.
Mjedisi? Autentik. Aq shumë, sa besojmë se po drekojmë në shtëpinë e një tirani: tavolina të ulëta prej druri, dekorim disi të veçantë dhe vëmendja më e kujdesshme sigurojnë një përvojë të shkëlqyer. Në pjatë, të gjitha llojet e propozimeve me një aromë Shqipërie: Qengji i pjekur, byrek me spinaq dhe patëllxhanë të mbushur.
Ora 16:30 Është e domosdoshme të shihni Shtëpinë e Gjetheve. Ky muze, i hapur në vitin 2017, zë ndërtesën e vjetër nga epoka komuniste që shërbeu si bazë për Sigurimin, policinë sekrete shqiptare.
Në dhomat e saj tregohet gjithçka që mund të imagjinohet për procedurat dhe sistemet e spiunazhit: pajisje fotografike, sisteme regjistrimi, mikrofonë, video, intervista…
Një univers paralel që tregon, edhe një herë, që ndonjëherë realiteti tejkalon trillimet.
Ora 18:30 Vendi ideal për t’i thënë lamtumirën Tiranës, këtij qyteti që na ka treguar kaq shumë fytyra të ndryshme, është mushkëria e gjelbër e kryeqytetit: 289 hektarët e Parkut të Madh janë vendi ideal ku të shëtisësh, të merresh me sport, të peshkosh në liqenin e tij artificial ose të pushosh, i shtrirë në lëndinë, pas një ditë të ngarkuar.
Në këtë pikë, një gjë është e qartë për ne, Tirana po ndryshon me hapa të mëdha, duke u munduar të kompensojë kohën e humbur, por pa hequr dorë nga e kaluara e saj, thelbësore për të kuptuar se cila është bërë sot.
Dhe për ta zbuluar atë, bëni mirë të nxitoni, sepse kur erërat e reja të Europës ta pushtojnë, ka për të qenë vonë. / KultPlus.com
Edhe pse kohë pandemie zonat turistike të qarkut të Kukësit janë gjallëruar nga ngjyrat e lulet e pranverës edhe pse dëbora ende nuk ka shkrirë në majat e maleve.
Kjo pranverë e ka zbukuruar më shumë Kukësin dhe Tropojën me lule të shumëllojshme dhe kurorat e gjelbra të pemëve rreth e përqark.
Ermal Hallaçi, guidë turistike në qarkun e Kukësit tha për ATSH-në se “në këto zona turistike në këto ditë pranvere ndjehet mungesa e turistëve që në këtë kohë nuk ishte e pakët. Pikat turistike të qarkut sidomos në pranverë pushtoheshin nga turistët vendas e të huaj, që mahniteshin me bukuritë natyrore që ofrojnë Kukësi dhe Tropoja”.
“Në parkun kombëtar të Valbonës që sot do të ishte në përgatitjet e para për sezonin turistik, fundjavat do të ishin plot me turistë duke shfrytëzuar kohën e mirë të këtyre ditëve dhe ajrin e pastër”, – shprehet Hallaçi.
Sipas tij, të paktë kanë qenë banorët e Tropojës që kanë kaluar ndonjë fundjavë në ndonjë lëndinë apo ecje në natyrë.
“E njëjta situatë është edhe në Parkun Natyror Korab-Koritnik qetësi, turistë të huaj jo e jo, por as vendas. Në këto parqe mungojnë grupet e alpinistëve, si dhe të apsionuarit pas ngjitjeve në mal. Por shpresojmë që shumë shpejt kjo situatë të ndryshojë dhe këto zona turistike të kthehen në një oaz pushimi për turistët”, – tha Hallaçi.
Lugina e Valbonës, një nga bukuritë e rralla natyrore të vendit tonë, vazhdon të tërheqë çdo ditë e më shumë turistë vendas e të huaj. Fundjavat janë dhe piku më i lartë i këtij fluksi. Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse.
Lundrimi me tragetin Koman-Fierzë paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën dhe Valbonën në të katër stinët. Por, janë dhe dy rrugë të tjera që të çojnë në luginën e bukur.
Ndërsa parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.
Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë./atsh / KultPlus.com
Përfaqësuesit e turizmit në Mal të Zi nuk e përjashtojnë mundësinë që në fillim të korrikut të nisë sezoni turistik me vizitorë nga rajoni, megjithëse nuk kanë paraqitur ndonjë plan kohor për hapjen e mundshme të sezonit pas pandemisë së koronavirusit.
Ata paralajmërojnë lehtësira për pronarët e plazheve dhe të objekteve si dhe mbrojtje të përshtatshme për vizitorët.
Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Fatmir Gjeka beson se edhe sivjet do të ketë sezon turistik.
“Shpresoj dhe besoj se edhe sivjet do të kemi sezon turistike. Nisem nga fakti se ne kemi pas 70-80% të mysafirëve nga rajoni. Edhe pse nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga situata në rajon, megjithatë duke u bazuar në situatën aktuale ne mund të hyjmë direkt në vrullin e sezonit turistik në korrik dhe gusht”, tha Gjeka.
Në këtë kuadër edhe Ndërmarrja Publike për menaxhimin e bregdetit të Malit të Zi paralajmëroi lehtësira për pronarët e plazheve dhe të objekteve bregdetare. Kryetari i Këshillit Drejtues të kësaj ndërmarrjeje, Xhaudet Cakuli vuri në dukje lehtësirat për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
“Jemi përcaktuar për shtyrjen e obligimeve të qiramarrësve në zonën e ‘Të Mirave Detare’ të plazheve dhe të objekteve të ndryshme në bregdetin e Malit të Zi në afatin prej 90 ditëve “, tha Cakuli.
Edhe në bregdetin e Ulqinit po mendohet për qasje të ndryshme në ruajtjen e distancës mes pushuesve. Kjo distancë sipas Cakuli do të jetë prej 4 metrave.
“I kemi bërë disa propozime provizore, të cilat parashohin largimin e çadrës prej njëra tjetrës në distancë prej 4 m. Gjithsesi, në këtë kuadër do të jetë me rëndësi edhe vlerësimi i autoriteteve të shëndetësisë dhe në bashkëpunim me ata do t’i miratojmë planet përfundimtare”, tha Cakuli.
Edhe Fatmir Gjeka beson se një veprim i tillë në ruajtjen e distancës e ndihmojnë plazhet e veçanta dhe tejet gjata të Ulqinit.
“Përparësia jonë është se ne kemi hapësira bregdetare siç është Plazhi i Madh ku mundemi lehtë ta ruajmë distancën. Jemi e vetmja komunë në Mal të Zi ku kemi hapësirë për distancë për një numër shumë të madh të mysafirëve”, tha Gjeka.
Komuna e Ulqinit është ndër vendet me resurse të veçanta turistike në Mal të Zi, e cila falë kësaj pasurie edhe mbijeton ekonomikisht. /VoA2 maj 2020, 20:30. /KultPlus.com
Faqja e njohur e udhëtimeve turistike TripAdvisor ka shpallur listën me 25 destinacione, të cilat i sugjeron për t’u vizituar këtë vit.
Në renditjen e Tripadvisior, qyteti i Sarandës renditet në vendin e dytë, që duhet vizituar këtë vit. Vlerësimi bëhet sipas destinacioneve që panë rritjen më të madhe të vlerësimeve pozitive dhe sipas kërkesës së turistëve.
Saranda është një qytet që nga viti në vit, ka një rritje të numrit të turistëve të huaj që kalojnë pushimet në këtë vend.
Në vendin e parë të TripAdvisor, është krahina ruse e Kaliningrad, dhe pas saj vjen Saranda dhe pas saj Bejruti i Libanit.
25 destinacionet më të reja në botë sipas “TripAdvisor” janë si më poshtë:
Presidenti Ilir Meta, ndërsa ka vizituar Këlcyrën, tha se lumi Vjosa është një trashëgimi natyrore dhe një potencial i madh për turizmin.
Meta thekson se Vjosa mbetet lumi i fundit i egër në Europë, i cili është një trashëgimi natyrore me rëndësi të jashtëzakonshme dhe potencial të madh turistik.
“Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë, është një trashëgimi natyrore me rëndësi të jashtëzakonshme dhe potencial të madh turistik. E duam Vjosën dhe duhet ta mbrojmë! Nga Këlcyra ju uroj të gjithëve një mbrëmje të këndshme!”, shprehet Meta. /atsh/ KultPlus.com
Dhërmiu është padyshim një nga destinacionet më tërheqëse turistike të Shqipërisë.
Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, ka vijuar edhe këtë të mërkurë, promovimin e destinacioneve turistike të vendit tonë. Fokusi tashmë ka qenë te turizmi blu dhe Dhërmiu padyshim është një nga perlat e bukurisë shqiptare.
Fshati i Dhërmiut, prej nga merr emrin edhe bregdeti, ndodhët 52 km në Jug të Vlorës, 72 km në vëri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti i Tiranës. I vendosur buzë detit Jon dhe në shpatet e maleve , midis gjelbërimit të ullinjve, fshati ka një bukuri madhështorë.
Dhërmiu shtrihet në fund të një plazhi më tepër së pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon më një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Fshati përbëhet nga tri lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku dhe Dhërmiu – lagja e tretë dhe më e madhja që i ka dhënë edhe emrin fshatit. Në total, tërë fshati ka rreth 600 shtëpi, ku rreth 300 janë në Dhërmi.
Dhërmiu është një vend ku gërshetohet tërheqja nga deti i kaltër dhe i pastër i Jonit më atë të ajrit të pastër dhe të shëndetshëm të maleve. I mbrojtur nga veriu nga gadishulli i Karaburunit, fshati është tepër tërheqës edhe në periudhën e dimrit, pa vënë në dyshim atë të verës që tërheq edhe më shumë turistët. I cilësuar si një nga perlat e Rivierës shqiptare është pa dyshim nga vendet më tërheqëse të Shqipërisë, siç njihet edhe shumë guida turistikë të vendit dhe të huaja.
Shpella e Piratëve është një shpellë e bërë e famshme nga libri i Petro Markos dhe më pas nga filmi i Kinostudios “Shqipëria Sot” me të njëjtin titull. Mund të arrihet nga deti dhe toka. Vendosur në shkëmbej thikë, në një det shumë të thellë që merr “ngjyrën e verës“ (Homer), Shpella e Piratëve, ruan vlera të rëndësishme turistike, që të sjellin në kohërat e Mesjetës. /atsh/ KultPlus.com
Dy javët e parë të majit do të jenë një fazë përcaktuese për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, e cila shpreson të çelë sezonin turistik në muajin qershor.
Rovena Moçka, drejtore e Turizmit, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, tha në një prononcim për mediet se “kemi shpresën dhe besimin që do mund të kemi një riaktivizim të sektorit të paktën në muajin qershor. Gjithçka varet se si do të reagohet ndaj liberalizimit të masave dhe dy javët e para të majit do jenë një fazë përcaktuese”.
Sipas saj, ministritë e Turizmit dhe të Shëndetësisë do të mbyllin brenda kësaj jave librin e rregullave për turizmin, me masa të veçanta për stacionet e plazhit, shërbimet hoteliere, baret e restorantet.
“Distanca dy metra e personit me personin, do të thotë që në zbatimet në terren në një stacion plazhi, një çadër nga një tjetër duket të ketë një hapësirë prej 4 metra. Edhe për tavolinat në restorante po mendohet që distanca e tavolinave dhe karrigeve nga njëra-tjetra të shkojë deri në 3 metra. Është duke u diskutuar me të gjitha strukturat e bareve dhe restoranteve që të kemi fasha të ndryshme të orareve të shërbimit, të mëngjesit, drekës dhe darkës, në mënyrë që pushuesit mos të jenë në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend”, nënvizoi Moçka.
Ajo tha se “do ketë rregulla edhe për turizmin në natyrë, sitet arkeologjike, turizmin malor, të aventurës”.
Ndërsa ministri Klosi tha dje në një intervistë televizive se “për plazhet kemi një rregullore të re masash. Kemi propozuar dy variante, por një nga modelet është distanca për çadrat 3.5 metra horizontalisht”. / atsh / KultPlus.com
Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan shënon 10 vjet si zonë e mbrojtur detare.
Parku Detar Karaburun Sazan është e para dhe e vetmja zonë e mbrojtur detare në Shqipëri me biodiversitetin dhe peizazhin natyror ndër më uniket për Mesdheun. Ka vende të mrekullueshme dhe oaze natyrore. Parku është nga zonat më të bukura në Adriatik dhe Jon.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura AKZM, dhe Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë, UNDP punon për ruajtjen dhe mbrojtjen e kësaj pasurie të rrallë natyrore.
“E gjithë puna 10 vjeçare për Parkun nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtare si Qeveria Italiane dhe Fondi Global i Mjedisit”, thekson UNDP, që ka publikuar edhe një video nga ky park.
“Bashkëpunimi i shkëlqyer me pushtetin lokal dhe me komunitetin e Vlorës, i kanë dhënë punës tonë një vlerë të shtuar. Parku është pasuri e përbashkët, respekto rregullat dhe mbrojeni atë bashkë me ne. Parku je edhe ti!”, thekson UNDP. / atsh/ KultPlus.com
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko deklaroi në një nga mediet e vendit se në muajin maj do të hapen kufijtë e Shqipërisë, megjithatë liberalizimi i lëvizjes do të funksionojë mbi bazën e disa rregullave të caktuara, për mbrojtjen nga infektimi i koronavirusit.
“Puna e strukturave administrative po përpiqet brenda mundësive që maji të na gjejë me një situatë sa më të liberalizuar për të gjithë shtetasit që duan të rikthehen ose ata që duan të largohen nga vendi për tu krijuar atyre mundësi. Por, dua të nënvizoj faktin se nuk do të thotë se do rikthehemi në gjendje normale. Do ketë një lëvizje me rregulla të përcaktuara të cilat hap pas hapi do të tejkalohen. Rregulla të cilat ne i kemi shumë të rëndësishme se kanë të bëjnë me jetën e njeriut”, u shpreh Majko.
Majko dha edhe detaje lidhur me telefonatën që pati sot kryeministri Rama me homologun grek, për shqiptarët që duan të kthehen por edhe për ata të cilët bëjnë punë sezonale në shtetin fqinj.
“Rama ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin grek Mitsotakis, për këtë çështje. Sidomos sa i përket situatës së koronavirusit dhe për të stabilizuar atë marrëdhënie të veçantë e cila rivlerësohet nga shtetasit tanë në një numër të madh që punojnë aktualisht në Greqi. Jo vetëm ata që janë rezidentë, por sidomos ata që shkojnë për punësim sezonal. Ju e dini që Greqia ka shpallur interes të veçantë për këtë”, tha ai.
Ministri sqaroi se flesibiliteti në lëvizje do të shpëtojë këtë vit turizmin.
“Vera që vjen do ta gjejë Shqipërinë më fleksibël, më të liberalizuara qoftë lëvizjes dhe situatës në përgjithësi. Por duhet të kemi parasysh diçka që këtë situatë nuk e parashikojmë dot. Kërkohet një mirëkuptim se kjo që po ndodh, nuk po ndodh vetëm me Shqipërinë. Ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria e vuri poshtë atë që mund të na vendoste ne poshtë. Pas lehtësimit në maj, këtu do vihet për të bërë turizëm”, shtoi ministri Pandeli Majko. / atsh/ KultPlus.com
Ministrii i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se kemi të gjitha shanset që sektori i turizmit ta mbajë ekonominë të mos gjunjëzohet në kushtet e pandemisë COVID-19.
Klosi theksoi se ka shumë interes për të bërë turizëm në Shqipëri dhe për shkak të masave të marra për të luftuar COVID-19.
Duke marrë skenarin sikur mos hapen kufijtë, Klosi tha se “nëse ndodh do të ketë më tepër rregulla për turizmin e brendshëm, por nëse do vazhdojë kriza kaq e fort padyshim do ketë humbje të mëdha, por mendoj shumë për të filluar hotelerinë pa strukturat e mëdha ndihmëse, por duke krijuar atraksion brenda hotelit do kemi mundësi të bëjmë turizëm por të mos fitojmë shumë”.
“Ajo që dua shumë që ky sektorë të mos goditet aq shumë sa të gjunjëzohet dhe unë mendoj se nuk do të gjunjëzohet. Në 2019 35% e eksportit shqiptar ka ardhur nga turizmi, pra para të reja që futen në ekonomi. Dhe ne i kemi të gjitha shanse që ky sektor ta mbaje ekonominë të mos gjunjëzohet”, tha ai.
Në lidhje me hapjen e turizmit, Klosi në qoftë se nuk do të kishim menaxhuar në mënyrë të shtrënguar krizën, sot nuk do bëhej biseda për turizmin dhe këtë bisedë nuk do ta bëje dot në Itali kur dihet gjithë bota është super e infektuar. Debati është kur do fillojnë masat lehtësuese. Ka turistë që luten të bëjnë marrëveshje më 30 maj, por problemi është a e bëjmë dot. Në qoftë se ne bëjmë diçka të zgjuar vazhdojmë aty ku jemi, përpiqemi të karikojmë fort këtë lloj biznesi. Ne do të bëjmë gjera që të jemi reaktiv, ne duhet të veprojmë”, u shpreh Klosi.
Klosi shton se “ne kemi kapacitete për të pritur turistë, por problemi është se nuk dimë datën e hapjes”. /atsh/ KultPlus.com