Dokumentari i televizionit publik gjerman që i kushtohet bregdetit shqiptar, arrin audiencë rekord

Programi i “Mare TV” këtë herë iu kushtua bregdetit shqiptar.

“Bregdeti shqiptar, e fshehta e bukur e Europës”, një dokumentar kushtuar bregdetit shqiptar ka arritur kuota rekord të këtij programi në raport me shikueshmërinë, në kuotën e 9.2 % të totalit të ndjekësve të ekraneve gjermane.

“Mare TV” është një institucion në formimin e opinionit turistik gjerman në televizionin NDR, televizioni publik gjerman për Veriun, i ndjekur kudo në Gjermani, Austri e Zvicër.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se në kushtet e pandemisë globale, ky program është një marketing i jashtëzakonshëm i Shqipërisë turistike, për efektet e pritshme pas lirimit të masave dhe rifillimit të udhëtimeve.

Producenti lokal, gazetari Nolian Lole dhe kolegu gjerman Steffen Schneider e treguan Shqipërinë, pikërisht bregdetin jonian, nëpërmjet njerëzve që jetojnë dhe punojnë pranë detit.

“Një numër i konsiderueshëm turistësh vizitojnë vendet ku kamera e “Mare TV” shkon dhe i zbulon. Pamje të mahnitshme të brigjeve joniane janë një ftesë e hapur për shikuesit për të ardhur në Shqipëri”, thotë Klosi.

Falë audiencës rekord së këtij dokumentari, trupa e “Mare TV” thotë se po planifikon një seri të dytë të dokumentimit të bregdetit shqiptar, këtë herë nga Laguna e Karavastasë deri në kufi me Malin e Zi. /atsh/ KultPlus.com

https://www.ndr.de/fernsehen/sendungen/mare_tv/Albaniens-Kueste-Europas-schoenes-Geheimnis,maretv1338.html?fbclid=IwAR2J_iL1Y-kqQLO0-NumwBwTczsl87wq731RiCUELCSvhNFOEGZjHrhJJTY

Strategji për hapjen e sezonit turistik, Klosi: Distancim social në zonat e plazhit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se ka nisur diskutimi për një strategji për hapjen e sezonit turistik në Shqipëri.

Gjatë një interviste në një nga studiot televizive, Klosi u shpreh se për afatin se kur do të mund të hapen plazhet shqiptare do të vendosin mjekët, ndërsa ne, shtoi ai, po punojmë për të përcaktuar sesi do të funksionojë sezoni, në mënyrë që të mos ketë rrezik për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Kemi filluar të bëjmë një strategji. Ka nevojë që të mbështetet turizmi edhe duke bërë pushime brenda kufijve”, u shpreh ministri Klosi, duke nënvizuar se prioritet është jeta e njerëzve.

Sipas Klosit, po punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë mbi parimet e Organizatës Botërore të Turizmit si dhe me një dakordësim me partnerët e rajonit.

“Po përgatisim rregullat për distancimin social edhe në zonat e plazhit, po përgatisim edhe opinionin që këtë vit plazhi nuk mund të jetë si në 2019, do jetë gjithçka më e reduktuar. Por ne shpresojmë që do të kemi mundësi që sezoni të ketë turizëm”, tha Klosi.

Ministri Klosi bëri të ditur se falë mënyrës së si u menaxhua në Shqipëri, situata e infeksionit nga COVID-19, ne sot do të kemi mundësinë të dalim shumë më shpejt në treg, sesa vendet e tjera, përreth si Italia, Greqia, Mali i Zi apo edhe Turqia, të cilat janë shumë të dëmtuara prej COVID-19, si dhe kanë struktura hoteliere shumë të mëdha, që ja u vështirësojnë vënien në kohë të shpejtë në punë.

Ndërsa strukturat tona hoteliere, bëri të ditur Klosi, janë të vogla, disa edhe familjare dhe janë lehtësisht të menaxhueshme për tu vënë në punë, brenda një periudhe kohore të shkurtër edhe për rreth 3 ditë.

“Këto dy faktorë do na japin shumë dorë që në të vazhdojmë të kërkojmë një treg të vendeve të pa prekura nga COVID-19, siç janë vendet Balltike, Ukraina, Bjellorusia, vendet e zonave Skandinave, Çekia, Polonia me të cilat ne po komunikojmë çdo ditë për të ndihmuar hotelierët shqiptarë, duke përpjekur të bëjmë, si të thuash edhe negociata shtetërore, në mënyrë që, nëse ne do të kemi hapje të tregut të kemi të siguruar edhe turistët”, deklaroi Klosi./atsh / KultPlus.com

“Shqipëria, vendi më i sigurt për të bërë turizëm këtë verë”, Rama: Na shohin si shembull

Kryeministri Rama tha se agjenci turistike mendojnë se Shqipëria është vendi ku mund të bëhet turizëm këtë verë, pasi nuk ka probleme me COVID-19, por ne do ecim me kujdes.

Në lidhje me periudhën e turizmit dhe lehtësimit të masave për turizëm, Rama tha se “kemi pas disa interesime nga Itali, Çekia, Japonia për turizëm, dhe agjenci të rëndësishme turistike mendojnë se Shqipëria është vendi më i sigurt për të bërë turizëm këtë verë se praktikisht nuk ka probleme me COVID. Marrja e këtij vendimi është një barrë shumë e madhe, nuk di çfarë të them tani se do shikojmë dhe të tjerët”.

“Pra, do ecim me kujdes duke parë dhe të tjerët, por ne nuk jemi Reali, Barcelona, por ne do bëjmë atë që mundemi me forcat që deri tani nuk na kanë lënë në baltë dhe na shohin si shembull dhe po thonë, si po ia dalin kaq kollaj”, tha ai. /atsh/ KultPlus.com

Klosi: Do kemi sezon veror jo të dëmtuar në maksimum, gati plani për distancimin në plazh

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, deklaroi se “duke parë mënyrën shumë të mirëmenaxhuar të pandemisë së koronavirusit, besoj do të kemi një sezon relativisht jo të dëmtuar në maksimum, një sezon që mund të shpëtojë për realitetin shqiptar”.

Në një intervistë televizive, Klosi tha se “nëse do të vendosim rregulla të qarta të distancimit dhe higjienës, besoj do të kemi një sezon që do t’i shpëtojë katastrofës në vendin tonë. Kemi turistë nga Kosova, Mali i Zi, turistë që nuk janë të varur nga kompanitë e fluturimit”.

“Avantazhet e turizmit në Shqipëri janë fakti që biznesi hotelier është familjar dhe nuk ka nevojë për vendimmarrje në borde, ndërkohë që me anulimin e fluturimeve dhe mosditjen se kur do të rinisin, vendi ynë ka një numër të madh turistësh që vijnë nga toka. Në gjithë historinë e koronës dhe krizës në Shqipëri dhe botë, pyetja më e vështirë është se kur do të përfundojë. Vendimi se kur do të hapet situata nuk dihet. Nuk dihet nëse sezoni do të jetë i përfshirë në aktivitet”, nënvizoi Klosi.

Ministri Kosi u shpreh se “me grupet e ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është duke u përgatitur një material të plotë për mënyrën e re të sezonit turistik ku të respektohen rregullat e higjienës dhe të distancimit social”.

Sa i përket fluturimeve, Klosi tha se “nëse situata fillon të marrë për mirë, dhe të kufizohet aq sa mundemi në raportin e higjienës besoj se do të fillojnë fluturimet, nga qershori me fluturimet e para shumë më tepër të kontrolluara për të hapur mundësi për udhëtime çarter”, tha ministri.

I pyetur nëse në qershor ka mundësi për të hapur fluturimet nëse kemi këta tregues, ministri Klosi tha se “rregullat e reja më shumë se sa pasaporta identifikuese, do të ketë ajo e historikut shëndetësor. Megjithatë, situata duket jo premtuese për rinisjen e fluturimeve nëse deri atëherë nuk do të gjendet vaksina”.

“Po diskutohet të hapen fluturime të kontrolluara ku më tepër se pasaporta me emër me mbiemër, do të ketë rëndësi pasaporta shëndetësore. Pa dalë vaksina do ta kemi të vështirë të kthehemi në normalitet”, theksoi ministri Klosi.

Lidhur me masat specifike për distancat mes çadrave në plazhe, Klosi tha se “ne kemi përgatitur një material të plotë së bashku me Ministrinë e Shëndetësinë që edhe ai është në diskutim nga grupet e ekspertëve. Italia i ka nxjerrë materialet e para, se e ka më specifike sipas rajoneve dhe ka nxjerrë masat e reja për plazhet, me distanca nëpërmjet çadrave, ka propozime në turizëm elitar ku të ketë ndarje me pleksiglas ndërmjet çadrave”.

“Ne e kemi bërë një material, do të jetë pjesë e diskutimet deri në momentin që do të mendojmë se do të fillojë hapja, një ide se si mund të jetë sezoni i plazhit po përpunohet nga grupi i ekspertëve. Sa i përket hotelerive dhe lokaleve, do të jenë të fundit që do të hapen”, tha Klosi. /atsh/ KultPlus.com

10 mijë punonjës të sektorit të turizmit mbështetje prej 400 mijë lekësh nga qeveria

Me paketën e zgjeruar financiare të prezantuar sot nga Kryeministri Edi Rama do të mbështeten edhe 10 mijë punonjës të angazhuar në sektorin e turizmit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në listën e individëve që do të ndihmohen me bonus të drejtpërdrejtë prej 40 mijë lekësh për 40 ditët në vazhdim, do të përfshihen edhe 10 mijë punonjës të regjistruar në sektorin e turizmit.

Fondi i vënë në dispozicion për këtë kategori, bëri të ditur Kryeministri, është 400 milionë lekë ose 4 milionë dollarë. /atsh / KultPlus.com

COVID-19 do të prekë turizmin, Denaj: Po punojmë që rënia të mos jetë aq e madhe

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaron se sektori i turizmit është një nga sektorët që do të preket, në krahasim me vitet e tjera për shkak të anulimeve të prenotimeve, si pasojë e infeksionit COVID-19 që ka prekur mbarë botën.

Në një intervistë për ATSH-në, ministrja Denaj u shpreh se po shikohet mundësia ta adresojmë ndikimin në këtë sektor me stimuj të ndryshëm, që nxisin konsumin e brendshëm në fushën e turizmit.

“Jemi akoma shpresëplotë. Situata në sektorin e turizmit mund të adresohet në një periudhë të dytë, në qershor edhe mbështetur në konsumin e brendshëm më shumë se sa te ai i jashtmi, i cili mund të ndihmojë në uljen e regresionit të qarkullimit që ishte parashikuar të kishim”, u shpreh ministrja Denaj.

Ne nuk mund të jemi në të njëjtin nivel, thotë ministrja Denaj, në krahasim me porositë që ishin para se të ndodhte përhapja e COVID-19.

“Nuk mund të presim që situata mbas daljes nga COVID-19, do të kthehet shumë shpejt në të njëjtën nivel siç ishte më përpara, por të paktën ne po punojmë që rënia të mos jetë aq e madhe”, vuri në dukje Denaj për ATSH.

Të jemi të qartë, vijon ajo, që të gjitha bizneset sikurse edhe qeveria do të jenë të prekur financiarisht nga kjo situatë dhe çështja është këtë adresojmë në radhë të parë dhe të arrijmë të zbusim sa më shumë këtë rënie./atsh / KultPlus.com

Thumana, qytezë turistike si Puka dhe Belshi

Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me banorët e Thumanës për projektet e rindërtimit u shpreh se falë rindërtimit të banesave të reja Thumana do të zhvillohet si një qytezë turistike në shembullin e Pukës dhe Belshit.

“Ne duam që Thumana, tani kjo ju mund të duket si përrallë. Po përrallat e mia përgjithësisht dalin. Ka ndonjë përrallë që nuk ka dalë akoma se kërkon kohën e vet po të jeni të sigurt që dalin. Kur thosha unë që Puka do të bëhet qytet turistik, vetë pukjanët thoshin kur do iki ky palla i gjatë se boll na kanë pallu në rrena të shkurtrit, por të vijë një i gjatë që rren nuk durohet fare, se i shkurtri mund të rrejë dhe pastaj fshihet. Dy metra rrena nuk ke ku i fsheh. Shkoni në Pukë, shiheni Pukën”, tha Rama.

“Belshi ishte njësoj si Thumana nga pikëpamja e degradimit, more s’kishte asgjë. Pse kujtoj Pukën dhe Belshin, sepse dhe në Pukë dhe në Belsh ka një liqen që është ngjitur me zonën e banuar. Edhe këtu ka një liqen. Ai liqeni është komplet i shkëputur nga jeta juaj. Nuk e di a i bini ndonjëherë nga liqeni, po di që ai liqen aty është një arsye për të besuar se dhe Thumana mund të bëhet një zonë. Ku jo vetëm njerëzit të jetojnë shumë më mirë se sa jetonin, por edhe të tjerë të vijnë. Do thoni kush do të vijë për në Thumanë për ditë të shtunë dhe të dielë. Këtu do jemi”, theksoi Rama.

Por, shtoi Kryeministri, “le ta fillojmë me këtë pjesë njëherë se ne në fillim na intereson që të sistemohen, familjet që janë këtu, pastaj do shikoni se do të vijnë dhe të tjerë”.

Rama shtoi se, “zona që do të ndërtohet do ketë parametra komplet ndryshe. Po bëjmë projektin e infrastrukturës që do të thotë do të fillojmë shumë shpejt me rrugët e brendshme, me kanalizimet, ujësjellësin, ndriçimin, dhe pastaj do të fillojmë me ndërtimin”. /atsh / KultPlus.com

Klosi: Parku Kombëtar i Qafështamës, potencial për zhvillimin e guidave të sporteve në turizëm

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi një takim me studentët e Masterit Profesional për Menaxhim të Sporteve në Turizëm, të Universitetit të Sporteve, Tiranë, të cilët po kryenin praktikën mësimore në ambientet Shkreli Resort, në zemër të Parkut Kombëtar Qafështamë.

“Bëhet fjalë për të rinj dhe të reja të specializuara për të bëjnë guida profesionale për tipe të ndryshme në turizmin tonë. Dhe kur këto vijnë nga Fakulteti i Sporteve padyshim që janë shumë të kërkuara dhe ky treg i ri që është hapur në Shqipëri treg i ri i shoqërimit, të tregimit të natyrës së vendit tonë edhe i sporteve të aventurës është realisht nga më të kërkuarit. Ne si ministri në bashkëpunim me operatorët turistik gjithmonë kemi shumë kërkesa për profesionin tuaj. Njerëz që dinë se çfarë është Shqipëria, dinë ta tregojnë Shqipërinë ashtu siç duhet, dinë të shoqërojnë në ambiente të ndryshme dhe në zona të caktuara si kjo e Qafështamës, turistët e huaj”, u tha ministri Klosi studentëve të këtij masteri.

Ata kërkuan një takim dhe prezantim me operatorët turistik të vendit, pasi dhe disa muaj dhe ata janë gati për të hyrë në tregun e punës. Diploma e studentëve të kësaj dege, është e njehsuar dhe njihet në Shqipëri dhe vendet e Rajonit. Në Parkun Kombëtar të Qafështamës mund të ushtrohen shumë mirë sportet e natyrës, sic janë ecje nëpër shtigjet e hapura enkas, hiking, çiklizëm, ngjitje në majat përreth, kamping dhe ski.

“Është një nga ato sfidat që ka Shqipëria dhe një nga ato politika që merret institucioni ynë që ta afrojmë turizmin me shqiptarët. Në flasim shumë për turizmin për miliona turistë që i ofrohen Shqipërisë, miliona turistë që kanë qenë vitet e fundit, rreth 7 milionë turistë pritet që të vijnë këtë vit, por ne na duhet ta promovojnë shumë më tepër për qytetarët shqiptarë. Pra, që ta njohin dhe ata shumë më tepër Shqipërinë dhe të ndihmojnë kaq shumë investime që po bëjnë në turizëm. Prandaj ajo që tha dhe profesori është që na duhet që përveçse të dine, të ketë edhe argëtim, të kenë arsye përse të qëndrojnë në një pikë kaq të bukur si Qafështama. Pra të bëjnë ecje në natyrë, ecje në bukuritë e kësaj zone, të njihen me aktivitete të ndryshme dhe pastaj të bëhet një komunikim më shumë për sa i përket kësaj hapësire”, tha ministri Klosi. Në fund të takimit ministri Klosi u dorëzoi administratorëve të “Shkreli Resort” certifikatën e kategorizimit, si resort në fushën e agroturizmit.

Pjesë e Vargmalit të Skënderbeut, Qafështama ofron një natyrë mbresëlënëse, në një lartësi prej 1100 dhe ngrihet lart deri në Majën e Liqenit, 1725 m mbi nivelin e detit dhe ndërthuret me vlerat kurative, ujin e familjes mbretërore dhe historisë së 90 vajzave krutane që u flijuan te “Shkëmbi i Vajës”. Zona e Mbrojtur e Parkut të Qafështamës që ka një frekuentim gjithëvjetor, ka një sipërfaqe prej rreth 20 km2, e shpallur si e tillë prej vitit 1966. Ajo gjendet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës. Ky park, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, si vend kurativ dhe turistik. / atsh / KultPlus.com

Syri i Kaltër, një nga pasuritë më të vizituara, tani me një plan menaxhimi

Komiteti i Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura në Qarkun Vlorë, në drejtimin e kryetarit Flamur Mamaj, njëherësh edhe prefekt i këtij Qarku, miratoi në mbledhjen e fundit që u zhvillua Sarandë, Planin e Menaxhimit për Zonën e Mbrojtur të Parkut Natyror “Syri i Kaltër “.

Ky plan u diskutua gjerësisht nga anëtarët e këtij komiteti, ekspertë të mjedisit dhe specialistë nga rajoni i këtij Qarku.

Flamur Mamaj, prefekt i qarkut Vlorë, me cilësinë e kryetarit të Komiteti të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura të këtij qarku, vuri në dukje se ”Prezantimi i draftit të Planit të menaxhimit “Syrit te Kalter” përbën një event të rëndësishëm jo vetëm se realizohet për herë të parë një produkt  i tillë me një vizion bashkëkohor dhe një standard të ri të shërbimeve por edhe se adreson objektiva të qarta të menaxhimit  të qëndrueshëm.“

Nexhip Husolakoj, drejtor i Administrates se Zonave të Mbrojtura të qarkut Vlorë tha për ATSH-në se “anëtarët e Komitetit me diskutimet, vërejtjet dhe adresimet konkrete, sollën një pasurim të dobishëm të draftit për menaxhimin e Zonës së mbrojtur “Syri i Kaltër”, një nga pasuritë më të vizituara gjeonatyrore të vendit, nga mijëra shtetas vendas e të huaj. Husolakoj, vuri në dukje se në këtë park është planifikuar funksionimi i biletarisë elektronike si në Butrint dhe përmirësime të disa shërbimeve sot me mangësi si nyje hidrosanitare, tualete, pika informacioni, shtigje me sinjalistikë në natyre, etj.

Parku natyror i Syrit të Kaltër përfshihet në territorin administrativ të Bashkisë Finiq në qarkun Vlorë. Ky park mori statusin Zonë e Mbrojtur në vitin 2002.

Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore. Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me  harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare./ atsh/ KultPlus.com

Beautiful turquoise spring Blue Eye (Syri i Kalter) near a town of Muzine, Albania. The spring is very powerful, cold and deep and is a source of a river Bistrice

Reportazhi i televizionit gjerman WDR: Një realitet i mrekullueshëm mes Alpeve Shqiptare

Shqipëria është shndërruar në një destinacion shumë të njohur turistik, pasi vitet e fundit numri i vizitorëve është më shumë se dyfishuar, shkruan rrjeti i njohur televiziv gjerman, WDR, në një reportazh kushtuar turizmit në Shqipëri.

Në një reportazh mes Alpeve Shqiptare, gazetari i televizionit gjerman, Christian Loss thekson se “aktualisht, edhe infrastruktura është përmirësuar shumë për turistët dhe udhëtimet mes qyteteve kryesore nuk përbëjnë më një problem”.

Ai ka udhëtuar nga Shkodra, drejt Thethit dhe Valbonës, duke u shprehur se “sa më thellë nëpër male që futemi aq më i bukur bëhet peizazhi”.

”Shqipëria është e njohur edhe për mikpritjen e njerëzve të saj. Për standardet gjermane, kostoja e jetesës është relativisht e ulët dhe ju mund të darkoni për rreth 10 euro për person”, thuhet në reportazhin e WDR.

Pas Komanit, Christian Loss i drejtohet lumit të Shalës, duke e përshkruar si një  “parajsë e vogël”, ku mund të shkosh vetëm duke kaluar në ujë.

“Le të marrim pak ushqim, kam shumë uri. Kjo është gjëja më emocionuese në udhëtim, kur shkon diku dhe porosit diçka që të pëlqen dhe nuk e ke idenë se çfarë është, por mendoj se kështu mëson dhe ja vlen. Unë nuk kam ngrënë shumë, por provoni gjithçka, jini kuriozë. Pra ky tani është peshku, troftë, troftë e ujërave të ftohta, ose diçka e tillë. Mendoj se duhet ta shikoj, por është shumë e shijshme. Gjithçka këtu më pëlqen jashtë mase shumë”,- shprehet ai.

“Pas darkës kemi pak kohë për t’u qetësuar. Në Instagram ky vend krahasohet shpesh me Tailandën. Nuk kam qenë asnjëherë në Tailandë, por pak a shumë ashtu mendoj dhe unë. Gjëja që të bën të kuptosh se dikush nuk është në Tailandë, por në Shqipëri është uji akull i ftohtë. Por sigurisht këtë gjë e kupton vetëm ti”,- përshkruan gazetari gjerman.

“Ishte bukur, por e lodhshme. Por shëtitja ishte një mrekulli. Pra nëse dëshironi të vini në Shqipëri, udhëtimi për në lumin e Shalës është shumë i bukur. Kushton 40 euro, që më duket i përshtatshëm për atë çfarë merr prej tij dhe peizazhet janë të thjeshta, të bukura dhe të përshtatshme për instragram”, thekson ai në këtë reportazh.

”Kampimi lejohet pothuajse kudo në Shqipëri. Sidoqoftë, kjo nuk vlen për parqet kombëtare. Duhet të pyesni paraprakisht se ku mund të vendosni një çadër. Sidoqoftë, mund të kaloni pushimet në kampe ose bujtina. Akomodimi në qytetet më të mëdha fillon nga 25 euro për natë. Sidoqoftë, numri i hosteve dhe bujtinave nuk është ende shumë i madh”, shkruan televizioni gjermane.

Një tjetër ndalesë e gazetarit gjerman ishte edhe Thethi, duke e konsideruar një vend perfekt dhe të bukur.

”Alpet Shqiptare ndodhen në veri të vendit në kufirin me Malin e Zi dhe Kosovën. Maja më e lartë është Jezerca me lartësi 2 694 metra. Falë vendndodhjes në distancë, ka disa specie të rralla kafshësh si ariu në ngjyrë kafe dhe ujku. Koha më e mirë për të vizituar malet është nga prilli deri në tetor. Në dimër, kalimi në Theth mund të mos jetë i mundur”, shkruan WDR.

“GIZ, Shoqëria Gjermane Për Bashkëpunim Ndërkombëtar, promovon turizmin në Shqipëri prej shumë vitesh. Familjeve u është dhënë mundësia për të përfituar grante për investime në bujtinat që ata drejtojnë. Që atëherë lugina, Parku Kombëtar i Thethit, kanë patur një zhvillim të turizmit. Përshtypja jonë rreth bujtinave është relativisht të mirë. Një dhomë këtu kushton 10-20 euro nata. Por këtu mund të gjeni një paqe absolute dhe idilet e mrekullueshme të vendit”,- përshkruan ai, duke theksuar se “është një vend i mrekullueshëm. Të lë vërtet pa frymë. Sapo kemi mbërritur në bujtinë, duket një vend piktoresk”.

“Kudo që sheh përreth është mahnitëse. Kështu që, vendi është gjithandej i mrekullueshëm. Gjëja më fantastike është se nuk mund të zgjedhësh një pamje si më të mirin për Instagram, si përshembull, Kulla Eiffel, ose Big Ben, ku të gjithë vrapojnë për të bërë foto, por këtu ndodh ndryshe, sepse i gjithë vendi është i mahnitshëm. Mund të qëndroj për javë të tëra në këto male, por në orën 7:00 në mbrëmje duhet të jem në bujtinë për të ngrënë darkën, dhe nuk dua ta humbas këtë”, shprehet ai.

“Do ta përshkruaja Shqipërinë si një vend të mrekullueshëm. Unë u njoha me vendin, me njerëzit, shumë të këndshëm dhe mikpritës, dhe siç mund ta imagjinoni ushqimi është i shkëlqyer, peizazhet janë fantastike”, thuhet ndër të tjera në reportazhin e televizionit gjerman. /ATSH / KultPlus.com

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/2809172099126575/

Shqipëria destinacion i 2020-ës, prestigjiozja “Fodors”: Vendi mesdhetar më tërheqës

Guida prestigjioze e udhëtimeve në botë, “Fodors”, e ka renditur Shqipërinë në listën e vendeve mesdhetare më tërheqëse për vitin 2020.

Kjo guidë ka publikuar dy lista, atë të vendeve ku nuk duhet shkuar dhe atë të vendeve ku duhet shkuar në 2020-ën. Shqipëria është listuar në vendet që duhet të shkuar, e madje cilësohet si vendi mesdhetar më tërheqës për 2020-n.

Shqipëria renditet nga prestigjiozja “Fodors” e dyta në listën e destinacioneve që duhet të vizitohen për vitin 2020 pas ishullit të Sicilisë, duke lënë pas Athinën, Bukureshtin, Ishujt Faroe, Andaluzinë në Spanjë dhe Britaninë.

“Liqenet e saj malore, pyjet magjepsëse dhe kultura e pasur e bëjnë këtë vend jo shumë të populluar bregdetar destinacionin më të nxehtë mesdhetar për vitin 2020”, kështu e nis shkrimin për Shqipërinë “Fodors”.

“E vendosur përgjatë deteve Adriatik dhe Jonit, Shqipëria ka një pozicion mahnitës në Mesdhe. Malet në veri janë shtëpi për disa nga liqenet më të bukur në Europë, përfshirë liqenin ngjyrësmerald të Komanit dhe liqenin e kristaltë të Ohrit, ndërsa vija bregdetare është e rrethuar nga plazhet me rërë të bardhë që mbeten freskuese dhe gjatë sezonit të pikut turistik dhe në brendësi të vendit gjenden qytete të vogla të tipit mesdhetar, si Gjirokastra që është shpallur si zonë e trashëgimisë botërore”, shkruan prestigjiozja e udhëtimeve në botë, “Fodors”.

“Pushimi i kafes në Shqipëri zgjat me orë dhe ndodh gjatë të gjitha orëve të ditës, ku kafenetë mbushen me shokë e kolegë të cilët e shijojnë kafen në stilin turk “avash-avash””, mbyllet shkrimi për vendin tonë. /atsh / KultPlus.com

Anglia zë vendin e dytë si vendi më i mirë turistik, Maqedonia Veriore e treta

Kompania këshilluese për turizëm, “Lonely Planet”, e ka publikuar listën e dhjetë vendeve më të mira për t’u vizituar në vitin 2020. Në krye të listës është shteti i vogël aziatik, Butani, ndërsa pas tij renditen Anglia dhe fqinja e Kosovës, Maqedonia Veriore.

Në përshkrimin e kësaj kompanie për Anglinë thuhet: “Paqartësitë për Brexit-in kanë mbizotëruar në kryetitujt e gazetave viteve të fundit, por diçka e qëndrueshme në tërë këtë konfuzion janë thesaret e çmuara për të cilat Anglia është e famshme, përfshirë kështjellat dhe katedralet historike, fshatrat tërheqëse me stil të vjetër dhe natyrisht, bregdetin”.

Kjo kompani theksoi se Anglia është duke krijuar shtigje dhe rrugë të reja përgjatë bregdetit të saj dhe kjo do ta bëjë më të lehtë shëtitjen e turistëve nëpër këto zona.

Në anën tjetër, shteti i vogël aziatik, Butani, i cili shtrihet në Himalaje, mes Kinës dhe Indisë, e zuri vendin e parë për shkak të bukurive natyrore që ka. Ky vend pritet të bëhet shteti i parë që shfrytëzon vetëm materiale organike.

Shtetet tjera që janë përfshirë në mesin e dhjetë vendeve më të mira për t’i vizituar vitin e ardhshëm janë: Maqedonia Veriore, Aruba, Svazilandi, Kosta Rika, Holanda, Liberia, Maroku dhe Uruguai, shkruan “The Guardian”. / Gazeta Express / KultPlus.com

Turizmi në Zonat e Mbrojtura, më shumë se 900 mijë vizitorë vetëm në periudhën janar-shtator

Turistët e shumtë vendas e të huaj gjithnjë e më shumë po shijojnë freskinë dhe bukurinë e zonave të mbrojtura që nga Lugina e Valbonës në veri e deri tek Syri i Kaltër në Sarandë.

Këto zona tashmë janë kthyer në destinacione turistike mjaft të vizituara për shkak të bukurive natyrore dhe relievit të larmishëm, i cili është i përshtatshëm për turistët, që nga ata që duan të shijojnë natyrën, deri tek turistët aventurierë të cilët mund ta eksplorojnë zonën duke bërë hiking nëpër shtigje të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me publikimin e të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për numrin e vizitorëve nga janari-shtator 2019.

“Më shumë se 916,660 vizitorë në zonat e mbrojtura në janar -shtator 2019, 28% më shumë krahasuar me janar-shtator 2018”, shprehet Rama.

Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.

Në Shqipëri, zonat e mbrojtura zënë 20% të territorit ose e shprehur ndryshe, 1 në çdo 6 metra katrorë është zonë e mbrojtur.

Këto vitet e fundit (pas krijimit të Administratave të Zonave të Mbrojtura Mjedisore), tashmë vizitorët (turistët), të cilët janë pjesë e vizitave dhe ecjeve në natyrën shqiptare, kanë në shumicën e rasteve informacionin e duhur për destinacionet e veçanta që duhet të vizitojnë në këto hapësira.

Turisti në çdo rast merr informacionin e detajuar për resurset natyrore të zonës së mbrojtur mjedisore, për vendndodhjen dhe vlerat e larta natyrore, kulturore, historike, biologjike e trashëgimore të tyre si; shpella, ujëvara, kanione, maja shkëmbore, shtigje kalimi, objekte kulti etj, që ka zona e mbrojtur. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim po luajnë punonjësit e AdZM ve (veçanërisht Rengersat) në terren, që orientojnë vizitorët drejt këtyre pikave. Po kështu, në ndihmë të tyre vijnë dhe tabelat e ndryshme informuese e orientuese që janë vendosur në hyrje dhe vende të dallueshme.

Prioritet në këto zona po merr dhe turizmi i vëzhgimit të shpendëve, sidomos i atyre ujorë. Shquhen Laguna e Karavastasë, Nartës, Kune-Vain, Liqeni i Shkodrës, Prespës etj./atsh / KultPlus.com

Rihapet “Syri i Kaltër”

“Syri i Kaltër” në Sarandë, një mrekulli natyrore që të befason, disa ditë pas incidentit të ndodhur rreth një javë më parë, rihapet për vizitorët.

Lajmi u konfirmua për ATSH- në nga prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, i cili së bashku me drejtorin e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Nexhip Hysolakoj dhe ekspertë të jashtëm, inspektuan këtë pikë turistike.

“Gjatë inspektimit të zonës dolëm në konkluzionin se është kjo pikë turistike është e parrezikshme për vizitorët”, – tha Mamaj.

Prefekti Mamaj bëri të ditur se u vërejtën disa mangësi, të cilat do t’i korrigjojë Administrata e Zonave të Mbrojtura, Vlorë, si rrethimi i gjithë zonës së Syrit të Kaltër dhe ballkoni panoramik që shërben për të fotografuar burimin”.

“Ballkonin panoramik do ta mbajmë të bllokuar për shkak të dëmtimit nga rënia e gurëve dhe pasi të përfundojë restaurimi do të hapet”, – tha ai.

Mamaj shtoi se bashkë me ADZM do t’i mbyllin sa më shpejt të jetë e mundur punimet.

Monumenti do të jetë i aksesueshëm per vizitorët prej ditës së enjte, duke respektuar këto masa sigurie: lëvizje e orientuar e vizitorëve me asistencën e rojeve mjedisore dhe guidave.

ADZM Vlorë kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vizitorëve dhe të agjencive turistike për respektimin e masave të sigurisë dhe konsultimin e rojeve mjedisore në terren për çdo problematikë.

Rreth një javë më parë si pasojë e rrëshqitjes së gurëve në Syrin e Kaltër u plagosën 2 turistë, një prej të cilëve grekë dhe tjetri izraelit.

“Syri i Kaltër” konsiderohet gjerësisht si një thesar kombëtar. Ai është i klasifikuar si një fenomen i befasues i natyrës, një vend i bukurisë natyrore që ndodhet në rrugën midis qyteteve të Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një burim 45 metra i thellë me ujë të kthjellët në mes të një pylli me lajthi, arra, qershi, pisha dhe drurë të tjerë gjelbërues./atsh /KultPlus.com

CNN: Shqipëria ngjit 12 vende në klasifikimin botëror të turizmit për 2019


Shqipëria ngjit 12 vende në klasifikimin botëror të turizmit për 2019, thuhet në shkrimin e gazetares së CNN-it, Julia Buckley, e cila analizon Raportin Konkurrues të Udhëtimit dhe Turizmit 2019 nga Forumi Ekonomik Botëror, organizata me seli në Zvicër që mbledh çdo vit elitën globale për të diskutuar çështje madhore.

Në renditjen e përgjithshme, më shumë lëvizje pati jashtë 10 vendeve të para.

”Shqipëria, Rumania dhe Serbia u ngjitën me 12 vende, përkatësisht në vendin e 86-të, 56-të dhe 83-të”, shkruan CNN.

”Egjipti u ngjit me nëntë vende”, shton Buckley.

”Me më shumë se 3 000 milje vijë bregdetare dhe jo më pak se 48 qendra të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Spanja është shpallur vendi më i mirë në botë për t’u vizituar.

Lidhur me sigurinë, Finlanda, Islanda dhe Omani u vlerësuan si vendet më të sigurta. Ndërsa, El Salvadori, Nigeria dhe Jemeni u renditën më pak të sigurta.

Ndërkohë, Tajvani humbi shtatë vende në renditje dhe ra në vendin e 37-të, Ekuadori ra nga vendi i 57-të në të 70-in dhe Trinidad Tobago pësoi rënien më të madhe, duke rënë 14 vende nga vendi i 73-të në të 87-in./ atsh/ KultPlus.com

Shqipëria, ndër gjashtë vendet më të bukura për t’u vizituar në shtator

Shqipëria dhe plazhet e saj janë përzgjedhur mes gjashtë destinacioneve turistike botërore, ndër to Gjermania, Bullgaria, Norvegjia dhe Kina, të cilat duhet të vizitohen gjatë muajit shtator.

Agjencia çeke e udhëtimeve “Kiwi.com” shkruan se nga të gjitha vendet e preferuara për pushime deri më sot, me bregdetin dhe plazhet e saj mahnitëse, Shqipëria ka të gjitha tiparet e një destinacioni klasik mesdhetar.

Moti është ende shumë i mirë, por megjithatë sezoni turistik thuajse ka përfunduar. Por çfarë u ofron vizitorëve muaji shtator?

Fëmijët pothuajse në të gjitha vendet tashmë janë rikthyer në shkollë dhe çmimet ndërkohë janë ulur. Për këtë arsye, shtatori është muaji kur mund t’u gëzoheni pushimeve paksa të vonuara verore. Ne kemi disa ide që mund t’ju frymëzojnë për të zgjatur edhe pak sezonin e pushimeve verore.

Plazhet e Shqipërisë

Jeni në kërkim të pushimeve diku në bregdet, ku numri i pushuesve nuk është më edhe aq i lartë, ndërkohë që moti është ende i mirë? Greqia? Ende plot e përplot me turistë. Kroacia? Sigurisht, por një vend gjithnjë e më i zhurmshëm. Spanja? Praktike, por e eksploruar së tepërmi. Shqipëria? Epo… sigurisht, përse jo?

Deri më sot, nga të gjitha vendet e preferuara turistike, Shqipëria ka të gjitha tiparet e një destinacioni klasik mesdhetar. Në pjesën jugore, Shqipëria ka një vijë të gjatë bregdetare dhe plazhe, që, në shumicën e tyre, janë vërtet mahnitës. Në atë që tashmë njihet si Riviera Shqiptare ju do të gjeni plazhet e Gjipesë dhe Jalit, rreth 13 kilometra larg njëri-tjetrit, dhe që të dy të fshehur në gjire magjepsës shkëmborë.

Jugu i Shqipërisë ofron edhe dhjetëra opsione të tjera. Plazhi i Dhërmiut, që shtrihet pranë fshatit me të njëjtin emër, është vendi që duhet ta vizitoni patjetër nëse ju mundon dilema e përjetshme e përzgjedhjes mes plazhit me rërë dhe atij me gurë. Në mënyrë të pazakontë, ky plazh i ofron të dyja. Kepi i Rodonit është një gadishull mahnitës i rrethuar nga plazhe dhe me një kështjellë mbi të; ky vend mund të arrihet lehtësisht nga kryeqyteti i vendit, Tirana. Po kështu, nëse ju pëlqen historia, në Parkun Kombëtar të Butrintit mund të vizitoni rrënojat romake rrethuar nga një peizazh i mrekullueshëm.

Atëherë, të vizitoni Shqipërinë? Përse jo? / atsh / KultPlus.com

Turisti krahason grykën e Rugovës me Zvicrën

Një turist ka ardhur në Kosovë, e si shumë të tjerë, ai ka vizituar bukuritë natyrore të vendit tonë. Ndër to, ai ka vizituar edhe Bjeshkët e Rugovës.

Ai e ka shpërndarë një video në rrjetin social Facebook përderisa ka qenë në Bjeshkët e Rugovës, dhe ndër tjera ka treguar se sa vend i bukur është Kosova dhe se në malet e Rugovës është si në malet e Zvicrës, shkruan Express.

Ai po ashtu ka shkruar se sa herë që vjen në Kosovë mbetet gjithmonë e më i befasuar, e këtë për arsye të thjeshta të cilat i ka renditur.

Njerëzit e dashur, ushqimi i mirë janë disa nga shumë arsyet.

Ai në fund shkruan për kosovarët se “ata janë të mrekullueshëm. Shumë prej tyre flasin anglisht, janë shumë të shoqërueshëm, punojnë shumë dhe shakaxhinj… Mendoj që duhet të ketë pak gjak irlandezi këtu”, shkroi ai me humor.

https://www.facebook.com/1eyeontheworld/videos/2435283323400586/

Media gjermane realizon reportazh për turizmin kulinar të Shqipërisë




“Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të turizmit kulinar”, kështu fillon reportazhi i medias gjermane për turizmin kulinar të Shqipërisë, që nga ta po vlerësohet si shumë unik.

KultPlus më poshtë ju sjellë disa nga pjesët më interesantë të përshkrimit në këtë reportazh.

“Pallate të bardha të ndritshme me shtylla prej guri dhe shqiponja të arta mbi çati, shtëpi me fasada tërheqëse, kafene të populluara mbi tarraca, struktura me kupolë të stërmadhe e Katedrales moderne “Ngjallja e Krishtit”. Një udhëtim me taksi nëpër kryeqytetin e Shqipërisë është si një turne nëpër ndalesat kryesore të historisë shqiptare – dhe pse jo një pjesë e pazbuluar e Europës”.

“Vendi nuk është akoma i mbipopulluar, ndonëse shquhet për pushime në bregdetin e Adriatikut, me fshatra origjinale, çmime të arsyeshme, njerëz mikpritës dhe, mbi të gjitha, kuzhinën e shkëlqyer tradicionale. Ky vend ishte harruar prej kohësh. Shqipëria zë një sipërfaqe të vogël dhe ka arritur të ruajë shumë mirë traditën e saj të kulinarisë”.

“Kuzhina tradicionale e Shqipërisë po modernizohet

Pjesa e parë e udhëtimit kulinar nëpër kuzhinën orientale-mesdhetare të Shqipërisë na çon në skajin e Parkut të Madh me liqenin e krijuar nga dora e njeriut, ku gjendet edhe një shatërvan tepër i këndshëm. Një ndërtesë e viteve ’70, fasada me elementë në ngjyrë portokalli”.

“Specialitetet në Qytetin e Trashëgimisë Botërore në Berat.

Udhëtimi të çon në drejtim të kundërt. “Të gjithë gjermanët shkojnë në Berat”, thotë taksisti në Tiranë me shaka. Vizitorët e apasionuar pas turizmit kulturor shkojnë në qytetin e vogël rreth 120 kilometra në jug të Tiranës për t’u njohur me arkitekturën osmane: pallatet e bardhë në kafe që ngrihen sipër njëra-tjetrës deri në kështjellën mbi kodër – Trashëgimia Botërore e UNESCO-s në Shqipëri”.

“Por nëse largohesh nga qendra historike dhe ecën përgjatë Rrugës Antipatrea, është si të udhëtosh mbrapa në kohë drejt komunizmit, sepse ka kaq shumë fasada të pangjyrosura ose të çimentuara si për të thënë. Dyqanet e vogla ushqimore ofrojnë të njëjtën pamje si në Tiranë: ushqim vendas, birrë shqiptare, ujë nga kompanitë lokale në vend të korporatave ndërkombëtare”.

“Edhe bajamet e pjekura në shtëpi dhe reçeli prej mandarine i përgatitur në kushte shtëpie janë produktet në shitje – shumë pronarë po fitojnë të ardhura shtesë falë këtij biznesi. Ndihet aroma e kafesë së sapobluar. Asnjë Starbucks dhe McDonald nuk duket në horizont. Në ditët e sotme, nuk ia vlen që korporatat globale të zgjerohen në vende relativisht të vogla dhe të varfra. Frutat dhe perimet në shitje vijnë nga zonat rurale më në brendësi të vendit”.

“Kthehuni në Tiranë ku nuk duhet të humbisni një vizitë në “Fishop”, një restorant i vogël, kuzhina e të cilit është e dukshme përmes një paneli xhami. Edhe në orët e vona të pasdites, dhoma e ftuarve është e mbushur plot e përplot”.

“Një vend i cili nuk tund kokën. Nuk ke pse të hysh në një bisedë për Flinë, peshkun e freskët dhe verën vendase, për të vizituar Shqipërinë”.  / KultPlus.com


Siviaggia.it: Rilindja e Sazanit, nga një bazë ushtarake e paarritshme, në një ishull turistik

Nga një bazë ushtarake e paarritshme në një atraksion turistik, ja përse ky ishull i vogël po shndërrohet në një destinacion që nuk duhet humbur, shkruan portali italian që i kushtohet udhëtimeve dhe turizmit, “siviaggia.it”.

Për grekët dhe romakët antikë ishte “Sason”, ndërsa për shqiptarët quhet “Sazan”.

Sazani është një ishull i vogël prej rreth gjashtë kilometrash katrorë, që ndodhet përballë gjirit të Vlorës, në Kanalin e Otrantos. Një shkëmb gjigant që prej dekadash ka qenë një bazë ushtarake e paarritshme, dhe që sot po shndërrohet në një prej atraksioneve turistike kryesore të Shqipërisë.

Në fakt, ishulli është një parajsë e vogël me natyrë të egër dhe të padëmtuar, ku mund të eksplorosh shtigje jo shumë të rehatshëm por jashtëzakonisht tërheqës dhe misterioz, dëshmi e të kaluarës së tij të trazuar ushtarake. Këtu ujërat e kristalta dhe plazhet mbresëlënëse shërbejnë si kundërpeshë ndaj relikteve të Luftës së Ftohtë, një pjesë e të cilave është mbledhur nga arkeologët dhe ekspozuar në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

E kaluara e trazuar e Sazanit shfaqet në çdo cep të këtij shkëmbi gjigant me një kulm prej gati 340 metrash mbi nivelin e detit, mes 3600 bunkereve të shpërndarë në sipërfaqen e tij dhe galerive nëntokësore të gjata disa kilometra, të ndërtuara për ushtarët e Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës.

Gjatë fashizmit, këtu u shfaqën veprat e para të fortifikimit, por edhe rrugë, shtëpi, shkolla dhe teatro. Nga pak, kudo mund të admirohen disa prej godinave të ndërtuara gjatë dominimit italian dhe më pas ato të periudhës së Luftës së Ftohtë, ndonëse një pjesë e mirë e strukturav u shkatërruan gjatë manovrave të fundit të përbashkëta mes forcave ushtarake të NATO-s dhe atyre shqiptare. Mes këtyre u shkatërrua edhe vila që Musolini ngriti në ishull në vitin 1930.

Sazani ndodhet gjysmë ore larg me traget nga Vlora, porti që pret turistët ndodhet në pjesën lindore. Nga këtu, mund të shkohet në këmbë në bregun perëndimor, ku ndodhet Gryka e Xhehenemit dhe Gjiri i Djallit, që përbëjnë një peizazh spektakolar.

Duke vazhduar në drejtim të jugut, do të shihni një prej vendeve më të jashtëzakonshme të ishullit, të mrekullueshmin Plazhi i Admiralit, mes shkëmbinjve që lagen nga ujëra transparenca e të cilëve është një dëshmi e qartë e izolimit që ka mbrojtur Sazanin, duke i mundësuar që të mos ndotet.

Nga viti 2010, ishulli bën pjesë, bashkë me gadishullin e Karaburunit, në Parkun Kombëtar Karaburun-Sazan, që mund të arrihet nëpërmjet një prej shumë anijeve që nisen nga porti i Vlorës. Këtu mund të admirohet Shpella e Mrekullueshme e Haxhi Aliut, e konsideruar si më e madhja dhe e thella në gjithë Shqipërinë. Një spektakël unik dhe emocionues si pakë në botë. /atsh / KultPlus.com

Turizmi i errët dhe magjepsja morbide me vendet e vdekjes!

Turizmi i errët është përzierje e kureshtjes morbide, voajerizmit dhe pelegrinazhit. Por, a është etik? Shkrimin e gazetares Jessica Alice, të botuar në ditoren Guardian.

Në fillim të vitit 2016, me një kompani të specializuar në “destinacionet ku nëna juaj nuk do të donte të shkoje”, isha në një rrugëtim në pjesën evropiane të ish-BRSS. Një nga preferencat e tyre është Koreja e Veriut. Partneri im kishte qenë në Kore dhe tash donte të shkonte në Ukrainë, për të parë hapësirën e katastrofës bërthamore të Çernobilit.

Kjo ndodhi para serisë “Çernobil” të HBO-së apo të “Turistit të errët” të Netflix-it, dhe referencat që shihja ishin filmat horror të kategorisë B që përdorin stereotipat për mutacionet e rrezatimit. Kam qenë skeptike nëse ishte e mundur vizita. Kam menduar se do të ketë ryshfete dhe marrëveshje për të na futur brenda, por natyrisht që nuk kishte. Vendi paska qenë i hapur për publikun që nga viti 2010. Ndërsa, kur u afruam në kufirin e zonës së përjashtimit, rreth 150 kilometra në veri të kryeqytetit Kiev, kemi pritur në një radhë autobusësh të bardhë për rreth gjysmë ore.

Të vizitosh Çernobilin është përvojë e çuditshme: skanohet trupi yt për të testuar nivelet e rrezatimit dhe ju kërkohet të nënshkruani se pranoni rreziqet që lidhen me rrezatimin që hasni. Por, nivelet brenda zonës janë të sigurta, meqë qëndroni aty për një kohë të shkurtër. Kaluam ditën duke eksploruar radarin e madh Duga dhe disa vende rreth Pripiatit – hapësirën e shkollës së braktisur dhe ndërtesat në qendër të qytetit.

Kohët e fundit ka pasur një sërë rrëfimesh për selfiet në Çernobil – fotografitë e marra në sfondin makabër që japin përshtypjen se turizmi në këto vende papritmas po lulëzon. Por, ky lloj turizmi nuk është i ri. Është quajtur turizmi i errët, udhëtim në vende ku ka ndodhur vdekja ose tragjedia. “Turizmi i errët” i vitit 2018 i David Farrierit, kapte këtë fenomen, teksa gazetari i Zelandës së Re eksploronte ndër të tjera narko-turizmin në Kolumbi dhe në Meksikë, turizmin bërthamor në Fukushimë, hapësirat e ekzekutimeve në Pnom Pen dhe turneun në vendet e vrasjes së familjes Manson në SHBA.

Njerëzit janë shpesh të fascinuar nga vdekja dhe fatkeqësia, ndoshta pse kureshtja morbide është gjë e pashmangshme. Shembuj të hershëm të turizmit të errët, ose tanaturizmit, janë të njohura në formën e ekzekutimeve publike mesjetare apo pelegrinazhet në varrezat dhe fushëbetejat.

Por, pse jemi kaq të magjepsur?

Filozofi Damon Young beson se kjo na çon përtej të zakonshmes së përditshme. Megjithatë, thekson ai, mund të ndjesh një elektrizim për vdekjen veç nëse je i sigurt. Turistët në një turne të organizuar mund të kenë afërsi fizike me vendet e fatkeqësive, por janë të mbrojtur nga trauma reale e atyre vendeve.

“Ta kthesh shkatërrimin publik në diçka tërheqëse është gjë jo e ndershme. Nxitesh nga vuajtja e tjetrit”, thotë ai.

Pas turit sovjetik, me siguri që u ndjeva keq. Në mesin e shumë udhëtarëve perëndimorë, kryesisht të rinj të bardhë dhe meshkuj, kishte tundime për atë që po bënim: duke eksploruar Pripiatin e braktisur, duke prekur sustat në bazën e raketave dhe bisedat me zyrtarët e kufirit.

“Të mendosh për turizmin e errët deri në ekstrem, nuk është gjë e dobishme”, thotë shkrimtarja Maria Tumarkin.

Ajo është autore e “Aksiomatikut”, një koleksion i eseve të ndërthurura me memoare dhe reportazhe për të eksploruar traumën dhe pikëllimin. E pyes nëse është etike të vizitosh vendet e vdekjes. Ajo thotë se përderisa ka një ndryshim mes turizmit dhe vizitës në një vend për të bërë respekt, motivet mund të mbivendosen. Por, njerëzit ndjejnë një shtytje instinktive për të prekur fizikisht vendet e tragjedisë, jo nga respekti.

“Shpesh nuk ka kohë mes përfundimit të traumës dhe fillimit të turizmit”, thotë ajo. “Për shembull, jo shumë kohë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, shumë njerëz vizituan fushëbetejat ku humbën aq shumë jetë”.

Rik Brinks udhëtoi me mua në Çernobil në vitin 2016. Tani ai e drejton një kompani të tij të turizmit të errët.

“Ka paragjykime për disa shtete”, thotë ai për magjepsjen tonë me këto vende. “Sidomos për vendet më të vështira për t’u shkelur, si Pakistani, Koreja e Veriut, Iraku apo Angola. Pjesërisht është e kuptueshme kjo, duke pasë parasysh se si këto vende janë portretizuar në media, pasi ato nuk janë gjithmonë të njohura për stabilitetin dhe sigurinë. Por, unë e kam parë anën tjetër të tregimit. Këto vende shpesh kanë peizazhe të bukura, banorë të mrekullueshëm, dhe pjesë të mëdha të vendit janë të sigurta për të udhëtuar”.

Kritikët e turizmit të errët shpesh i referohen mos respektimit të vendeve të fatkeqësive, siç janë ato të dokumentuara nga regjisori ukrainas Sergei Loznitsa, në filmin “Austerlic”. Në film shfaqen vizitorët në kampin e përqendrimit të Aushvicit, duke qeshur, duke u shtyrë për të bërë foto, ose duke u endur pa interes dhomë më dhomë. Unë kujtoj shaka për rrezatimin dhe selfie të buzëqeshura në Çernobil.

“Sjellja joetike është në të gjitha kontekstet”, thotë Tumarkin. “Motivet e turistëve të errët janë më të nuancuara se voajerizmi i pastër. Ka një përzierje të çuditshme mesë zisë, pelegrinazhit, nderimit dhe kureshtjes morbide, dhe të gjitha përzihen në mënyrë të çrregullt”.

Problemi i turizmit të errët është se duke u fokusuar në të kaluarën, shpesh injorohet kultura e vendeve dhe atyre që jetojnë atje. Tumarkin pajtohet: “Këto turne që përfitojnë duke qenë subversivë, hedhin baltë tek njerëzit duke i paraqitur ato vende si vende ku askush nuk shkon, duke e kthyer një vend të ndërtimit të familjes në një cirk grotesk”.

Shpesh ekziston një qasje paternaliste e Perëndimit ndaj udhëtimit në përgjithësi. Por, nga çdo vizitë duhet të përfitojnë komunitet lokale. Siç thotë Young: “Duhet t’i trajtoni vendasit si qenie njerëzore, jo si instrumente argëtimi. Duhet të ndaleni dhe të shtroni pyetje e ta kuptoni kontekstin”.

Ndoshta të gjithë vizitorët duhet të pyesin fillimisht veten: pse dua ta vizitoj këtë vend?

Margariti: Të huajt shijojnë edhe atë pjesë të turizmit që shqiptarët i anashkalojnë

Pjesë të turizmit që shqiptarët i anashkalojnë, të huajt kanë gjithmonë e më shumë interes dhe e shijojnë më së shumti gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha gjatë një interviste televizive se janë të huajt ata të cilët na mësojnë akoma edhe më shumë Shqipërinë tonë. Sipas saj, ata janë të parët që kanë vizituar Thethin apo Valbonën si dhe shprehin interes të lartë për turizmin natyror e sportiv.

“Janë të huajt ata të cilët na mësojnë akoma edhe më shumë Shqipërinë tonë. Po të takosh të huajt, ata janë të parët që kanë qenë ne Theth, në Valbonë, Zogaj, Shirokë, e vende të tjera. Ka shumë të huaj që shkojnë në Nivicë dhe vizitojnë kanionet e Nivicës. Ka pjesë të turizmit që ne Shqiptarët disi i kemi anashkaluar apo mënjanuar që kanë të bëjnë më turizmin sportiv, më turizmin natyror të cilët të huaj e shijojnë gjithmonë e më shumë. Ata patjetër që janë larguar bregdetit, ata e shijojnë për dy apo tre ditë dhe më pas vazhdojnë drejt pjesëve më të brendshme të Shqipërisë. Edhe pjesa e Rilindjes Urbane ka bërë të mundur që të shtohen edhe disa funksione të tjera”, -theksoi Margariti.

Ministrja tha po ashtu se është thelluar bashkëpunimi me bashkitë dhe kjo vihet re në organizimin e festave lokale tanimë jo vetëm në qytete por edhe fshatra.

“Ka ndryshuar sidomos kam vënë re bashkëpunim me bashkitë për festat lokale. E lidh ketë edhe me atë qe u tha më parë, me pjesën e folklorit, e traditës, është një nismë që vazhdon edhe tani. Në këtë sezon turistik kemi bashkëpunim shumë të mira me bashkitë. Ne kemi një Task forcë të ngritur, një grup punë në ministri, një kalendar aktivitetesh. Me ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit ka gjithashtu një bashkëpunim shumë të mirë për të gjithë këtë kalendar. E rishikoj me interes atë që thashë edhe në fillim. Pra, është një zinxhir nismash dhe nuk ngelemi më vetëm në qytetet por vazhdojmë edhe me aktivitete të tilla i kryejmë në kala ose vende të tjera në zonat rurale”, -shpjegoi ajo.

Më tej, Margariti tha se është rritur numri i turistëve që promovojnë traditat shqiptare.

“Jo më larg se dje isha në Krujë dhe aty takuam një grup që ishin turistë dhe artistë bashkë, holandezë të cilët bashkë me një grup folkloristik po ndërmerrnin një nismë që kishte të bënte me promovimin e kësaj pjese të folklorit tonë në Holandë. Të gjitha këto janë të mbështetura nga ne, nga fakti që i lejojmë të bëjnë xhirimet e tyre”, -tha Margariti. Ajo nënvizoi se interes të lartë për Shqipërinë kanë shfaqur edhe gazetarë të huaj në gazeta e revista prestigjioze.

“Kemi shumë interes nga gazetarë të huaj, të cilët gjithnjë e më shumë kanë interes më të madh për sitet arkeologjike, i bëjmë të vizitueshme dhe të frekuentueshme gjatë periudhave të caktuara sidomos për grupet e gazetarëve të mëdhenj. Kemi në dorë monumente shumë të rëndësishme që në këtë moment është në dorën tonë dhe është e rëndësishme që të fillojmë ti promovojmë dhe t’i promovojmë mirë. Ne i kemi, duhet t’i dokumentojmë dhe të dimë t’i tregojmë bukur. z.tosku/ /atsh / KultPlus.com

Turistët e huaj: Shqipëria të magjeps, do të rikthehemi sërish

Shqipëria turistike e cila ofron një itinerar gjithëvjetor dhe ka një natyrë të mrekullueshme në katër stinë, vijon të mbetet destinacioni i preferuar i turistëve nga Europa.

Për turistët Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë vijon të jetë një nga destinacionet më të preferuara. Në këto ditë ku ka nisur dhe sezoni turistik rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me turistë të huaj.

Gjatë një vëzhgimi nga Agjencia Telegrafike Shqiptare grupet e turistëve i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek “Piramida”, por edhe në muzeumet e Tiranës, të cilat mbeten një nga pikat e preferuara të tyre, pasi turistët nga Europa kanë interes të mësojnë shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.

Turistët e huaj përveç Tiranës, kanë vizituar edhe qytetin muze të Beratit, Gjirokastrën, Sarande Durrësin, Shkodrën, Tropojën, etj.

Ata shprehen të mrekulluar nga bukuria natyrore, historia, kultura dhe mikpritja e shqiptarëve.

Turistët e huaj që gjenden në Tiranën gjatë këtyre ditëve, janë nga vende si Holanda, Gjermania, Franca dhe Anglia gjë kjo e cila vërteton se tashmë Shqipëria është një pikë kyçe e itinerareve turistike për këta turistë.

Një turiste nga Holanda shprehet se, “kjo është vizita jonë e parë në Shqipëri. Është vend i mahnitshëm. Na pëlqen vërtet ky vend. Për ne është magjepse që ju keni një përzierje ndikimi otoman, italian, por dhe komunist gjë që përbën një përzierje interesante”.

Turistja holandeze vijon se “njerëzit janë shumë miqësorë, ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Ne qëndruam këtu për tre javë duke i rënë përreth Shqipërisë. Filluam në Tiranë, shkuam në jug, në Butrint. Pamë Beratin, Gjirokastrën dhe Vlorën. Më pas vijuam udhëtimin tonë në veri, në Theth, pamë liqenin e Komanit dhe ishte shumë i bukur.  Mikpritja na bëri përshtypje, e ndjemë se njerëzit e bëjnë me dashuri, dhe kjo të bën përshtypje. Do rikthehemi përsëri, pasi duam të shohim shumë gjëra në Veri. Nuk patëm kohë të mjaftueshme për të bërë ecje të gjata në Veri. Duam vërtet të vijmë përsëri”.

Një i ri nga nga Gjermania shprehet se, “kjo është hera e parë që vij në Shqipëri. Arkitektura në Tiranë është vërtetë e mahnitshme, të lë pa frymë. Mendoj se këtu është vërtet këndshëm. Në Tiranë do qëndrojmë dy ditë dhe në të gjithë Shqipërinë tri javë. Do shkojmë në Alpet e Shqipërisë dhe Rivierën në Jug. Njerëzit këtu janë shumë miqësorë dhe mikpritës. Janë njerëz të mirë”.

“Në Tiranë do të qëndrojmë vetëm dy ditë. Këtu është shumë bukur. Ka shumë pemë dhe gjelbërim. Njerëzit janë shumë të mirë. Ushqimin ende nuk e kam provuar, por mëngjesi ishte shumë i mirë”, – shprehet një tjetër turiste nga Gjermania.

Një çift turistësh gjermanë u shprehën se, “kjo është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Do udhëtojmë rreth gjithë Shqipërisë nga veriu, në lindje dhe jugu në perëndim. Këtu çdo gjë është e bukur. Veriu është shumë i mirë për të bërë ecje. Jugu është interesant për kulturë si Butrinti dhe lindja për liqenin e Ohrit. Në Tiranë gjithçka është shumë ndryshe. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe të sjellshëm. Ia kaluam shumë mirë këtu. Çdo gjë është e mirë në Shqipëri”.

Një tjetër turist nga Anglia tha se “vij për herë të tretë në Shqipëri. Më pëlqen shumë është një vend interesant me një histori të mahnitshme. Kemi ardhur në Shqipëri me një grup studentësh për të mësuar për Shqipërinë dhe historinë e saj. Ky udhëtim do jetë një përvojë e mrekullueshme. Do qëndrojmë pesë ditë në Shqipëri. Do shkojmë në Elbasan, Librazhd, Durrës dhe natyrisht në Tiranë. Këtu më pëlqejnë shumë njerëzit pasi janë miqësorë dhe interesantë. Këtu dëgjon shumë histori mahnitëse”.

“Jam nga Franca dhe është vizita ime e parë në Shqipëri. Tirana është qyteti i parë që kemi vizituar. Do shkojmë në Jug. Gjithashtu do vizitojmë Beratin dhe më pas në det”, – u shpreh një tjetër turiste nga Franca. /atsh/ KultPlus.com

Express Tribune: Shqipëria vendi i vogël me zemër të madhe

Gazeta më e madhe e Pakistanit në gjuhën angleze ”The Express Tribune” rendit pesë vendet me shumicë myslimane, që nuk duhen humbur së vizituari.

Sipas kësaj gazete, Shqipëria ndodhet në pesë vendet kryesore që përbëjnë trend në në destinacionet turistike për këtë vit.

”Një sekret i jashtëzakonshëm ballkanik i ruajtur më së miri, Shqipëria ka një pafundësi atraksionesh natyrore që duket se duhet të jetë në listën e çdo blogeri udhëtimesh. Çdo gjë, që nga malet me kurora dëbore te plazhet e kristalta dhe një trashëgimi të fortë islame në zemër të kryeqytetit të saj kozmopolit”, shkruan ”The Express Tribune”.

”Por, jo vetëm kjo, pasi Shqipëria ka një histori të shquar mikpritjeje. Le të mos harrojmë faktin shqiptarët mbrojtën hebrenjtë gjatë Holokaustit nazist dhe të gjithë ata arritën të mbijetonin në Shqipëri”, shton gazeta.”Riviera Shqiptare. Mendoni plazhe me rërë me ujëra blu në jeshile, rrugë të gurta dhe lule kudo. Plazhet më të mira për t’u vizituar janë Dhërmiu, Drimadhe, Vuno, Qeparo dhe qyteti bregdetar i Himarës”, përfundon gazeta më e madhe e Pakistanit në gjuhën angleze ”The Express Tribune”./ atsh / KultPlus.com


Kanina, fshati turistik me pamje mahnitëse

Kanina, 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës, është e njohur për bukurinë e saj të rrallë.

Pamja që të ofron ky fshat mbi qytetin e Vlorës është mbresëlënëse për këdo që e viziton këtë fshat turistik, shumë pranë Vlorës.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmengjes me një video, nga ku shfaqet peizazhi mahnitës i Vlorës.

“Mirëmengjes dhe me këto pamje nga Kalaja e Kaninës, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Kalaja e Kaninës shpalos historinë 3000-vjeçare të kësaj qendre të banuar, që është më shumë se një thesar për kombin.

Kalaja dhe fshati, ndodhen në një pikë strategjike me një bukuri të rrallë.
Sot Kanina përmban rreth 253 objekte. Përveç kalasë, ndodhen aty edhe 3 objekte monument kulture të kategorisë së parë: Teqeja e Kaninës, banesa e Shefikat Begajt dhe banesa e Kujtim Hamzait.

Në lagjen e vjetër të Kaninës ka edhe banesa të tjera që spikasin me vlerat e tyre arkitektonike dhe dekorative, të cilat meritojnë të bëhen pjesë e trashëgimisë sonë kulturore./ atsh/ KultPlus.com