IOL: Në Shqipëri, ku shëtitja është një argëtim kombëtar

Shqipëria tashmë është kthyer në një nga destinacionet më të lakuara nga revistat dhe portalet prestigjioze duke filluar nga britaniket “The Guardian” apo “The Sun” deri tek Australia e largët me “Lonely Planet”.

Këtë herë është portali multimedial IOL, nga Afrika e Jugut, që i dedikon një reportazh të mrekullueshëm Shqipërisë turistike:

“Krejt papritur, filluam një ngjitje drejt malesh të mbuluara nga retë, duke kaluar pranë bletarëve që shisnin mjaltë në anë të rrugës. Më pas kaluam përmes reve të dendura të shiut dhe dalluam detin shumë poshtë. U dehëm nga kjo pamje.

Motra ime dhe unë kemi kërkuar një destinacion mesdhetar për të pushuar. Kriteri i vetëm? Jo pushime që të boshatisin llogarinë bankare, por një aventure me plazhe dhe shumë kulturë.

Shqipëria qëndron në krye. Një drekë për dy persona në Korfuzin fqinj, Greqi, kushton 60 dollarë, por në Shqipëri kushton vetëm 20 dollarë.

Për më tepër ka udhëtime në rrugë epike. Mësuam se rruga e Llogorasë, nga ku admiruam peizazhin, është një prej rrugëve më të larta të shtruara në Europë, një udhëtim emocionues nëpër klima të ndryshme. Ndërsa poshtë dukeshin plazhet ikonike të detit Jon.

Shqipëria, vendi i shqiponjave, sundohet nga legjenda shekullore dhe një grupim karakteresh të shumëllojshme përfshirë luftëtar trim të shekullit XV që quhej Skënderbe, një mbret i shekullit XX me emrin Zog dhe një diktator komunist, Enver Hoxha, i cili e izoloi vendin për 40 vite duke ngritur bunkerë betoni në të gjithë vendin. Ndoshta nuk ishte edhe aq paranojak, thuhet se Hoxha i ka mbijetuar më shumë se 50 përpjekjeve për vrasje. Kur regjimi i tij komunist ra në 1990, qytetarët u larguan nga vendi në turma të mëdha.

Sot, Shqipëria është një konservuese e kohës me një përzierje të traditave antike dhe ambicieve moderne.

Nga plazhi në Qeparo, u ngjitëm në kodrat që rrethojnë bregdetin jonian. Dhe më pas u shfaq fshati i vjetër. Një bastion qindra vjeçar prej gurësh që qëndrojnë në krye të kodrës, ndërsa deti shkëlqen nga poshtë. Këtu, ndërsa endeshim nëpër rrugicat, të mbuluara nga vreshtat me rrush, hasëm një grua të moshuar të veshur me rroba tradicionale të zeza. Qyteza e re ndodhet pranë bregut shumë larg, por ky i vjetri, një fshat i harruar vazhdon të ruajë gjithë lavdinë e tij antike.

Një parkim makinash është ngjyrosur si një flamur gjigant i kuq, ndërsa krahët e shqiponjës së zezë shtrihen përgjatë makinave. Sipas legjendës, gjenerali i madh Skënderbe mbante një flamur me shqiponjën dy krenare në betejë kundër osmanëve në shekullin XV, një simbol i fortë i krenarisë kombëtare sot.

Vendi është krejtësisht i pazakontë, gjuha shqiptare nuk ka lidhje me ato sllave apo latine dhe ka degën e saj në familjen e gjuhëve indo-europiane.

Më vonë, morëm një tjetër mësim historie, nga menaxheri i një restoranti në anë të detit. Restoranti “Barbarossa”, plot stil, shërben ushqime deti shumë të shijshme dhe gatime tradicionale, si spinaq i egër i skuqur me barëra të egra. Familja e tij u largua nga Shqipëria kur ra regjimi, në ishullin grek të Paros.

“A e dini që ka një lidhje mes Shqipërisë dhe Eneas?”, pyeti ai.

Qyteti antik i Butrintit në jug u themelua nga trojanët që u larguan nga Troja. Sikurse përshkruhet në veprën e Virgjilit, Eneda, Butrinti u ndërtua që të ngjante me një Trojë të Vogël. Disa ditë më vonë, e gjetëm veten duke shëtitur në rrënojat arkeologjike të Butrintit, të shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO në vitin 1992.

Më pas vizituam qytetin e Ksamilit, bregdeti i të cilit është i mbushur me klube buzë detit. Një shëtitje nëpër librat e autorit shqiptar, Ismail Kadare, i cili fitoi në vitin 2015 “Man Booker International Prize”, një zhytje në folklor dhe tradita. Kadare i referohet shpesh Kanunit të Lekë Dukagjinit, një kod antik i ligjeve shqiptare bazuar mbi nderin dhe mikpritjen.

“Shtëpia jonë i përket Zotit dhe mikut”, thotë një shprehje e vjetër.

Kjo mikpritje shfaqet në Berat, “qyteti i një mbi një dritareve”, për trashëgimi e mrekullueshme e Perandorisë Osmane në qendër të Shqipërisë. I njohur si Trashëgimi Botërore nga UNESCO, Berati është i famshëm për shtëpitë e tij të bardha osmane që ngjiten në anë të kodrës që ndodhet buzë lumit Osum. Qyteti u pushtua nga turqit osmanë në vitin 1450, por kështjella e tij daton që në vitin 4 para e.s.; si rezultat përzierja kulturore është e dukshme mes kishave bizantine dhe xhamive.

Qëndruam gjithashtu në qytetin e famshëm bregdetar të Sarandës, që ndodhet në jug të vendit. Ky qytet port të dhuron emocione fantastike. Në mbrëmje, një gumëzhimë e fortë na tërhoqi të dilnim në ballkon. Në shëtitoren buzë ujit, gjyshërit, të vegjlit, adoleshentë të dashuruar, të gjithë shëtisnin me ngadalë në anë të detit.

Në Shqipëri, xhiroja, ose shëtitja e pasdites, është një ritual i shenjtë dhe aktivitet krijues. Si të mos dashurohesh me një vend ku argëtimi kombëtar është një shëtitje mbrëmjeje?” /G.S/ KultPlus.com

Nga Mary Winston Nicklin

https://www.iol.co.za/travel/world/europe/albania-where-strolling-is-a-national-past-time-18891909?fbclid=IwAR30LW20xx7kxi9JzOYacmWqATxrrxd1iznCPYyiuyZo-2G5iNqJYDyWZr0

Britanikja “Express” rendit Ksamilin në pikat turistike kryesore për 2019-ën

Gazeta prestigjoze britanike “Express” ka renditur Kasmilin si një nga destinacionet turistike kryesore për t’u vizituar gjatë vitit 2019.

Ksamili në Shqipërinë e Jugut është përshkruar si një “perlë e fshehur kur bëhet fjalë për plazhe të bukura” me ushqim deti të mrekullueshëm dhe njerëz miqësorë.

E vendosur në riverën shqiptare, Ksamili ka “ujëra të qarta, plazhe të izoluara dhe restorante paqësore”, me një liqen si Syri i Kaltër një pikë turistike popullore, ku flluska krijojnë ngjyra që duken si sy.

Ksamili, një qytet në Meksikë, një qytet në Ruandë, një qytet në Kolumbi, një qytet holandez, një shkretëtirë në Jordani, një qytet antik i Rrugës së Mëndafshit në Gjeorgji dhe një qytet i rrethuar nga malet dhe liqenet në Uzbekistan janë ndër destinacionet kryesore të udhëtimit për këtë vit, thekson Express./gj.mima/ KultPlus.com

“The Washington Post”: Në Shqipëri, te tradita antike dhe plazhet e bukura

Vendi ynë vlerësohet e rekomandohet si vendi i traditave antike, plazheve të bukura dhe të lira mesdhetare, kulturës e historisë nga prestigjiozja “The Washington Post” në një artikull kushtuar Shqipërisë.

Mes magjisë së vendit bregdetar dhe lashtësisë, “The Washington Post” nënvizon fort mikpritjen që ka mbetur e pandryshuar nga kohët.

MIRËMËNGJES, dhe me këtë artikull të shkruar bukur nga “The Washington Post” dedikuar Shqipërisë dhe atraksioneve të jashtëzakonshme turistike të saj, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kryeministri Edi Rama duke publikuar artikullin e plotë kushtuar vendit tonë.

”Në vijë të drejtë – siç e konfirmon edhe Google – bregdeti ishte vetëm çështje miljesh larg. Një udhëtim i lehtë me makinë dhe ne do të ndiheshim mirë në Mesdhe. Në vend të kësaj, makina lëvizte përgjatë rrugëve të papastra duke ndaluar nga ndonjë dhi e vetmuar apo karrocë, ndërsa shoferi buzëqeshte nga reagimi ynë.

Papritmas temperaturat u ulën, ndërkohë që filluam ngjitjen në malet e mbështjella nga mjegulla, me maja të veshura që dukej se fusnin hundën në re. Përshëndetje, harta Google?! Makina ngadalësoi shpejtësinë, ndërsa kalonim bletërritësit, të cilët shisnin kavanoza me mjaltë në anë të rrugës. Dhe më pas vazhdojmë nën retë e dendura dhe detin që shkëlqen nga poshtë. Duke bërë gjeste triumfuese, shoferi e ndaloi makinën në një vend me pamje të bukur. Dolëm nga makina për ta shijuar.

Unë dhe ime motër ishim në kërkim të një destinacioni mesdhetar për një pushim të shkurtër veror. Kriteri i vetëm? Jo pushime në një vend të rrahur nga era, por një aventurë që do të mundësonte shumë plazhe të bukura, not në det të hapur dhe kulturë.

Albania, apo Shqipëria siç e quajnë vendasit, ka turistë të shumtë. Ndërsa dreka për dy vetë në Korfuzin e afërt, një destinacion popullor pushimi në Greqi, mund të kushtonte fare mirë 60 dollarë, në Shqipëri hëngrëm drekë si për festë për më pak se 20 dollarë.

Dhe më vonë kishim ato udhëtime epike – krejtësisht të papritura në një vend me përmasat e Merilendit. Do të mësonim se Qafa e Llogorasë, ku ishim tani, është një nga rrugët e shtruara më të larta të Europës – një udhëtim emocionues nëpër kushte të ndryshme klimaterike – nga nxehtësia e peizazheve mesdhetare deri te mjegulla dhe pyjet me gjelbërim të përhershëm. Më poshtë, ne mund të shihnim një brez të rërës të bardhë në bregun e detit Jon. Këto plazhe të pazhvilluara në formën e gjysmëhënës janë disa nga gjërat më të bukura që mund të gjeni në një hapësirë të kaltër.

Jashtë, gjinkallat gumëzhinin dhe aroma e rigonit të pjekur nga dielli përhapej në makinën tonë. Ne zbritëm nga retë në Rivierën Shqiptare. Një varg si perlë e qyteteve bregdetare shtrihej në jug drejt kufirit grek. Shqiptarët mund të jenë një grup njerëzish i dashuruar me muzikën elektronike të klubit që i tund klubet e plazhit deri në orët e vona.

Edhe nëse nuk je një buf nate, mund të gjesh kënaqësi përgjatë këtij shtrati idilik të vijës bregdetare. Ne e gjetëm atë në Qeparo, një fshat i përgjumur, i rrethuar midis maleve dhe detit. Ne u bashkuam me pushuesit shqiptarë vendas në shezlongët e plazhit (pesë dollarë në ditë) dhe pamë të gjitha ujërat ku – sipas legjendës së shkëlqyer të Homerit – Odiseja doli në breg në Korfuz.

Pas rënies

Por, më lejoni t’ju rrëfej për Shqipërinë, “vendin e shqiponjave”, një vend me legjenda të vjetra dhe personazhe përfshirë një trim luftëtar të shekullit XV, Skënderbeun, një mbret i shekullit XX, i quajtur Zog dhe një diktator komunist, Enver Hoxha, i cili vulosi kufijtë e vendit për 40 vjet, ndërsa ngriti bunkerë betoni në çdo cep të vendit. (Ndoshta, ai nuk ishte paranojak, Hoxha thuhet se u mbijetoi 50 tentativave për atentat.) Kur regjimi i tij komunist ra në vitet ’90, qytetarët ikën masivisht nga vendi. Sot, Shqipëria është një vend me tradita të lashta të përziera me ambicie moderne.

Nga plazhi në Qeparo, ne lidhim çantat e shpinës për një ngjitje në kodrat që duket se kanë përqafuar vijën bregdetare të detit Jon. Ne ndalemi me ngurrim në rrugën që ndahet në dysh. Një treshe zotërinjsh të moshuar, ulur jashtë në një kafene, na nxisin, duke bërë me gisht përpjetë. Duke shprehur falënderimet tona, ne fillojmë ngjitjen që do të na çojë në peizazhin e egër me diell të Mesdheut, këngën e vazhdueshme të gjinkallave që ndërpritet vetëm nga thirrjet e një bariu. Era sjell aromën e livandos, nenexhikut dhe lulemines; zhurma e largët e këmbanës së kishës së fshatit dëgjohet nëpër luginë. Dhe pastaj fshati i vjetër i Qeparoit afrohet: një bastion shekullor prej guri që kapet në një majë kodre, deti që shkëlqen shumë më poshtë.

Këtu, ndërsa kalojmë përmes rrugicave, nën hijen e hardhive, kalojnë disa zonja të moshuara të veshura tradicionalisht me të zeza. Qyteti “i ri” i Qeparoit është vendosur në bregdet shumë më poshtë, por ky fshat i vjetër, i harruar, ende ekziston në gjithë lavdinë e tij të lashtë. Zukatja e bletëve, ”fluturimet” e rrobave nga telat ku janë nderur, lulet e trëndafilave bëjnë kontrast me muret e lyera… Ne kemi ecur në kohë.

Ne tronditemi përsëri ndërsa shohim një makinë të parkuar, të pikturuar si një flamur i madh, i kuq, shqiptar, me krahët e shqiponjës së zezë të shtrirë në të gjithë kofanon e makinës. Sipas legjendës, gjenerali i madh Skënderbeu mbajti një flamur të një shqiponje me dy koka në betejë kundër osmanëve në shekullin XV. Flamuri i shqiponjës është një simbol i krenarisë kombëtare. Vetë vendi është krejtësisht unik; gjuha shqipe nuk është e lidhur me gjuhët sllave ose gjuhët romane që rrjedhin nga latinishtja dhe zë degën e vet të familjes indoeuropiane. Një nga vendet më të vogla në botë, Shqipëria nuk ishte pjesë e Jugosllavisë së Titos.1 nga 3  

Më vonë atë pasdite, ne marrim një tjetër mësim historik për mirësjelljen e menaxherit ortodoks grek të një restoranti përpara detit. Në restorantin ”Barbarossa”, shumë elegant, shërbehen ushqime deti të shijshme dhe pjata tradicionale si spinaq me erëza.

Familja e menaxherit u largua nga Shqipëria pas rënies së regjimit komunist dhe ai mori zanatin e kuzhinierit duke punuar në ishullin grek të Parosit.

“A e dini lidhjen e Shqipërisë me Enean? Ne shqiptarët dëshirojmë të gjejmë figurat tona historike nga Antikiteti”, shpjegon ai me një buzëqeshje duke na ofruar një pjatë bujare me shalqin për ëmbëlsirë. Qyteti i lashtë i Butrintit, në Shqipërinë e Jugut, u themelua nga trojanët, të cilët ikën pas rënies së Trojës. Siç përshkruhet te “Eneida” e Virgjilit, Butrinti u ndërtua për t’u dukur si një miniTrojë.

Disa ditë më vonë, ne e gjejmë veten duke ecur ngadalë mbi rrënojat arkeologjike të Butrintit, që në vitin 1992 u shpall Trashëgimi e UNESCO-s. Duke datuar që nga shekulli XIII përpara Krishtit, Butrinti është një vend me bukuri të pashoqe, një park natyror i pyllëzuar, i mbushur me ekualipte dhe që laget nga baticat e detit. Madje, edhe turmat e vizitorëve njëditorë që marrin anijet nga Korfuzi nuk mund ta zvogëlojnë misticizmin e tij. Aty ka rrugë të ndërtuara nga helenët, një teatër dhe banjo romake, një bazilikë të madhe nga periudha e hershme kristiane (shekulli VI) dhe një kështjellë veneciane të shekullit XIV.

Pas disa orësh në vapën e mesditës, ne freskohemi në qytetin e afërt të Ksamilit, ku çdo centimetër i bregdetit të tij është i mbushur me lokale plazhi. Prej këtu ju mund të notoni drejt tre ishujve të vegjël, që pluskojnë në Mesdhe, pas komardareve të mëdha në formën e kuajve njëbrirësh dhe varkave me pedale.

Mikpritja dhe folklori

Një vështrim i shpejtë te librat e autorit shqiptar, Ismail Kadare, i cili fitoi për herë të parë çmimin ndërkombëtar ”Man Booker International Prize”, në vitin 2005, është një zhytje në folklor, traditë dhe shprehje të çuditshme si – ”dhi e zgjebosur dhe bishtin përpjetë” – për të mos përmendur gjakmarrjen dhe krenarinë mashkullore. Kadare bën referenca të shumta me Kanunin e Lekë Dukagjinit, kodin antik të ligjeve shqiptare të bazuara mbi nderin dhe mikpritjen.

”Shtëpia jonë i takon Zotit dhe mikut”, thotë një sentencë e vjetër.

Kjo mikpritje manifestohet në Berat, i njohur si ”qyteti i një mbi një dritareve”, një trashëgimi e mrekullueshme e Perandorisë Otomane, që ndodhet në qendër të Shqipërisë. I njohur si Trashëgimi e UNESCO-s, Berati është i njohur për shtëpitë e tij të bardha të stilit otoman, që i ngjiten një faqe kodre mbi lumin Osum. Qyteti ra nën kontrollin e turqve osmanë në vitin 1450, por kështjella e tij daton që nga shekulli IV përpara Krishtit. Ndërthurja kulturore është e dukshme në ansamblin e kishave bizantine dhe xhamive.

Kur mbërritëm në hotelin ”Mangalemi”, që drejtohet nga një familje, i ndërtuar mbi një shtëpi të madhe të shekullit XVIII, ne u pritëm me pije dhe buzëqeshje, pikërisht si motoja e re e turizmit shqiptar ”Buzëqeshje nga Shqipëria!” (”Smile from Albania!”). Hotel ”Mangalemi” ofron një pritje të ngrohtë, pa përmendur një restorant dhe një tarracë panoramike të jashtëzakonshme, vetëm për 45 dollarë nata.

Si për të provuar se mikpritja është ligj në këtë vend, më vonë ne ngecëm në një restorant që gjendej brenda shtëpisë së një djali që quhej Lili. Ai na shoqëroi në një tavolinë në kopshtin e shtëpisë, ndërkohë që bashkëshortja e tij përgatiste specialitete tradicionale si byrek me spinaq dhe fërgesë, për t’u ”shpëlarë” me verën e prodhuar nga babai i tij. Ne nuk parashikuam as gotat me raki të fortë që Lili na dha pasi hëngrëm.

Përpara se të iknim për në Korfuz, ne qëndruam në Sarandë, resorti popullor i pushimeve dhe një pikë kyçe e bregdetit jugor të Shqipërisë. Me të mbërritur, na u shfaq një pamje e vrullshme ndërtimesh të larta mbi plazh. Por, ky port ka një atmosferë fantastike. Në pikë të mëngjesit, sarandjotët notonin përgjatë bregut pa çarë kokën për trafikun e anijeve. Çadra të shumta shumëngjyrëshe ndodhen në rërën me guralecë, ndërkohë që restorantet që ofrojnë ushqime të shijshme gumëzhijnë.

Në mbrëmje, një turmë e zhurmshme na çon drejt ballkoneve për të parë se çpo ndodh. Duke vëzhguar me kujdes nga shëtitorja përgjatë bregut, ne pamë një paradë njerëzish – gjyshër, fëmijë, adoleshentë të dashuruar – duke bredhur ngadalë pranë detit, ndërkohë që dritat e verës veniteshin në errësirë. Në Shqipëri, ”xhiroja”, apo shëtitja e mbrëmjes, është një ritual i shenjtë dhe aktivitet rekreativ.

Mallkuar qoftë gjakmarrja historike. Si mund të rrimë ne pa e pëlqyer një vend, koha e lirë e të cilit është thjesht një shëtitje në mbrëmje? Ne zbritëm shkallët për t’u bashkuar me ta”. https://www.washingtonpost.com/lifestyle/travel/in-albania-age-old-traditions-and-mediterranean-beaches-on-the-cheap/2019/01/10/9a744ca2-0d1e-11e9-831f-3aa2c2be4cbd_story.html?fbclid=IwAR1ELiH_SeasRWX9a-ipvFKldMz_ZEv4i33pRmYbl_tM8p_phBeal3l2wBI&noredirect=on&utm_term=.8d335c01ba2f

A ka Kosova vende turistike gjatë sezonit dimëror?

Kosova ofron shumë mundësi dhe ka shumë vende atraktive për turistët të cilët vijën në Kosovë.

Zekë Çeku, kryetar i Asociacionit të Turizmit të Kosovës, tha se është shtuar numri i turistëve që vizitojnë Kosovën.

“Kosova ka shumë pika turistike. Ka ndryshuar shumë turizmi, Peja dhe Prizreni kanë bërë më shumë për turizmin, sa i përket komunave. Duhet të punohet më shumë të kemi edhe promovim të turizmit të Kosovës. Turistët që vijnë për të vizituar janë vendin, janë nga Evropa, nga Turqia, dhe lindja e largët. Turistët vijnë për kohë të shkurtër”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas tij edhe turizmi dimëror në Kosovë ofron shumë mundësi. Çeku vlerësoi se të ardhurat nga turizmi do të ishin shumë të mëdha nëse do të kishte zhvillim të mirëfilltë.

“Kosova i ka mundësitë më të mira për turizmin në Evropën Juglindore, kemi shumë male të mira që i përshtaten aktiviteteve të ndryshme”, tha ai.

Turizmi i bardhë, Valbona destinacioni i preferuar

Sezoni i turizmit dimëror ose turizmi i bardhë, tashmë ka nisur dhe  biznesi privat i ka filluar përgatitjet, ka ngrohur ambientet pritëse dhe kërkon ndihmën e pushtetit lokal dhe atij qendror në mirëmbajtjen e rrugëve e shërbimeve energjetike e mjekësore për të qenë në lartësinë e duhur. Flitet për zonat e veriut të vendit ku dhe prania e dëborës është më e madhe dhe më e vizitueshme.

Thethi është vend i bukur për t’u vizituar, por është shumë vështirë për të shkuar atje në dimër, sepse, sipas informacionit që kemi nga Drejtori i AdZM Shkodër Agim Dardha, nga Qafë Thorë deri në Theth, rruga është e vështirë dhe kalohet me mjete të larta. Ndërsa për në Razëm është e mundshme.

Po kështu, vështirësi në periudhën e dimrit paraqesin edhe  Valbona. Besnik Hallaçi, specialist i AdZM Qarku Kukës që mbulon zonën e Tropojës, konfirmon për ATSH se rrugë-kalimi drejt Luginës së Valbonës është i kalueshëm dhe vizitorët e bardhësisë janë të përditshëm por sidomos në fundjavë. Halluçi thotë se më të shumtit vijnë nga Kosova, por pritet që ndërrimi i viteve t’i gjej hotelet dhe bujtinat vendase të mbushura sepse pronotimet po thuajse janë mbyllur.

Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.

Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror.

Dimri është një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore, peizazheve dhe natyrës së bukur. Në natyrën tonë ka disa vende që preferohen për pushimet dimërore.

Destinacionet më perfekte për të provuar një aventurë të tillë, çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë, mundësitë infrastrukturore që deri diku janë të përballueshme në mënyrë normale, janë edhe Razma e Boga, në veri të vendit mbi Shkodër, por edhe Voskopoja e Dardha në zonën e Korçës.

Edhe Razma ofron mundësi për zhvillimin e disa llojeve të turizmit, më i frekuentuar është ai i skive në morenat akullnajore, sidomos në fushën e Zezë e në fushën sportive të kampit të Razmës etj.

Po kështu dhe Boga sipër Razmës është një destinacion tepër interesant për turizmin dimëror.

Këtu keni mundësi të akomodoheni në disa shtëpi pritëse mjaft komode, të ushqeheni në restorantet e fshatit, të provoni gatimet tradicionale si, mishin e fërlikut, jardunin e deles, djathin e zier, kaçamakun, patatet në kaki etj.

Biznesi i turizmit të dëborës ka nisur përgatitjet për të pritur vizitorët e shumtë që preferojnë këto lartësi të ashpra malore që nisin me malësinë e Shkodrës e vazhdojnë me ato të Tropojës, Kukësit, Peshkopisë e të jugut të Shqipërisë. Ne sot u njoftuam për lartësitë e veriut me Thethin e Valbonën, por ndërrimi i viteve do të ketë më shumë vizitorë të lartësive të bardha. Dhe të parët kanë mbërritur bashkë  me festën e Krishtlindjes.

Ata janë vendas dhe të huaj që kanë nisur pronotimet hotelerike. atsh / /Kultlus.com

“Flight Network”: Gjiri i Gjipesë mes 50 plazheve më të bukura të botës

Gjiri i Gjipesë është renditur mes 50 plazheve më të bukura të botës për vitin 2018 nga faqja më e madhe kanadeze që u kushtohet udhëtimeve, “Flight Network”, në një listë që është përpiluar duke u bazuar në opinionin e 1 200 gazetarëve, botuesve, blogerëve dhe agjencive të udhëtimeve për të dhënë këndvështrimin e tyre prej eksperti.

“Nëse po kërkoni për një parajsë, ju e keni gjetur atë”, shkruan “Flight Network” për plazhin e Gjirit të Gjipesë.

“Plazhi i Gjipesë duket më shumë si një ishulli i vetmuar përrallor se sa një tjetër plazh në Europë dhe kjo sepse mënyra më e lehtë për të vajtur është me varkë”, lexohet në faqen kushtuar për udhëtimet.

“Shkëmbinj me gura të bardhë, ujëra të kaltra, rëra e bardhë dhe shpellat e rehatshme me hije krijojnë atë që është një prej plazheve më të pastra, por edhe më të pavlerësuara në botë”, shkruhet në këtë klasifikim të 50 plazheve më të bukur të vitit 2018.

“Merr me vete kamerën, shumë krem për diellin dhe mos harroni rrobat e banjës, sepse është e pamundur që t’i rezistosh ujërave kristal të pastra”, e mbyll përshkrimin për plazhin e Gjirit të Gjipesë “Flight Network”, të cilin e ka renditur mes 50 plazheve më të bukur të të gjithë botës./ /G.S/ a.jor. /KultPlus.com

“El Pais”: Pesë arsye për të zbuluar Shqipërinë

E përditshmja prestigjioze spanjolle “El Pais” i dedikon një artikull bukurive të Shqipërisë ku fton lexuesin që të zbulojë pesë arsye përse duhet të vijë të zbulojë këtë vend të mrekullueshëm.

“Në Ngushticën e Otrantos, aty ku gati prek takën e çizmes së Italisë, ky vend i vogël të mahnit me peizazhet e mrekullueshme dhe kështjellat fantastike”, shkruan “El Pasi”.

Ka qenë vendi më sekret në Europë. Kur komunisti Enver Hoxha erdhi në pushtet në Shqipëri në vitin 1944, askush nuk mund të dilte apo të hynte. Ka qen një regjim brutal, një laborator i stalinizmit. Nuk kishte pronë private, asnjë hapësirë lirie, nuk kishte as buke, as qumësht, por kishte radhë gjigante për t’i marrë ato. Si dhe më shumë se një milion bunkere betoni, në rast se armiku i jashtëm do të sulmonte.

Shqipëria, një kandidat për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, është një vend i vogël, me një sipërfaqe sa ajo e Galicisë (Spanjë) dhe gati tre milionë banorë, një e treta e të cilëve jetojnë në kryeqytet, Tiranë. Pavarësisht territorit të vogël, variacioni i peizazheve është mahnitës, me male në veri, liqene që dalin në vendet fqinje, plazhe që mund të konkurrojnë ato në Greqinë fqinje… Madje edhe “Lonely Planet” e ka përfshirë Shqipërinë në listën e destinacioneve kryesore për vitin 2019 për çmimet shumë të ulëta që ka. Më poshtë keni pesë arsyet pse duhet ta vizitoni Shqipërinë.

1- Ndikimi italian

Para Luftës së Dytë Botërore, influenca italiane ishte e jashtëzakonshme. Madje shkrimtari italian, Indro Montanelli botoi udhëtimet e tij në Shqipëri në vitin 1939. Pas aneksimit të Austrisë nga Hitleri, Musolini, që të mos mbetej pas, pushtoi Shqipërinë (1939) dhe e bashkoi atë me Kurorën e Italisë. Kur ra fashizmi dhe erdhi komunizmi, të gjithë flisnin italisht në Shqipëri. Përveç arsyeve historike, ka edhe një shpjegim tjetër më prozaik: gjatë viteve të sundimit të regjimit komunist, e vetmja linjë lidhjeje me jashtë ishte lidhja kalandestine me pjata satelitore… që kapnin valët e televizionit italian.

2 – Tirana në pararojë

Në vitin 1920, Tirana kishte 10 000 banesa, rrugë të pista dhe vetëm një bulevard. Kur erdhën italianët, vendosën ta kthejnë atë në një qytet me të gjitha kushtet. Për këtë Konte Çiano, dhëndri i Musolinit, bëri një përpjekje të veçantë. Ata ngritën ministritë sipas arkitekturës fashiste, hapën bulevarde, rregulluan rrugët. Sot pranë godinave italiane ngrihen kulla prej xhami, qendra tregtare, një xhami qendrore dhe projekte në pararojë siç janë Tetari Kombëtar i ardhshëm, një projekt i një teatri transparent nga “Bjarke Ingels Group” (BIG).

Tirana është porta kryesore hyrëse në vend falë aeroportit Nënë Tereza (që ishte shqiptare). Por janë duke u planifikuar dy aeroporte të reja ndërkombëtare, një në Kukës, në veri, për fluturimet me çmim të ulët dhe një në Vlorë, në jug, për turistët që duan plazhin dhe diellin.

3 – Qyteti i Krujës

Në veri të Tiranës të presin peizazhe me majat e maleve plotë dëborë, shpate për ski dhe pyje të dendura. Si dhe kështjella të ngritura në maja të pamundura, sikur të ishin foletë e shqiponjave. Një nga këto fortesa ruan qytetin e Shkodrës, përballë liqenit me të njëjtin emër që del edhe në Mal të Zi.

Një pamje të ngjashme ofron edhe qyteti i Krujës, që ngrihet në maja të thepisura. Pazari i tij oriental të dërgon në një qytezë që është një simbol i patriotizmit. Nga këtu u drejtua rezistenca kundër Turqve, në shekullin XV, heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ai kishte një bashkëpunim të mirë me Alfonson V të Aragonës para se të lidhej me italianët. Madje Vivaldi i ka dedikuar një opera (Scanderbeg). Kështjella, që vazhdon të qëndrojë është kthyer në një muze të historisë, që lartëson figurën e tij.

4- Trashëgimia historiko-kulturore

Rreth gjysmë orë me makinë larg Tiranës, Durrësi qëndron mbi një plazhi gjigant me rërë që mirëpret shumë turistë në verë (dikur ishte destinacioni veror i liderëve komunistë). Aty ndodhen disa rrënoja të amfiteatrove romake apo mure otomane. Por më në jug do të gjeni zonat kryesore arkeologjike, disa prej të cilave cilësohen nga UNESCO si trashëgimi botërore. Në Apoloni, për shembull, mund të gjeni rrënoja greko-romake.

Vlora, rreth 50 km në jug, është një tjetër resort veror. Plazhet e saj, të mbrojtura nga gadishulli i Karaburunit dhe ishulli i Sazanit, përfundojnë në me një liqen dhe rrënojat romake të Orikumit.

Në brendësi, Berati, një trashëgimi botërore dhe një destinacion turistik. Qyteti, që ngrihet mbi lumin Osum, ka shtëpi me arkitekturë osmane. Aty ndodhet një qyteze e konservuar shumë mirë, me katër kisha bizantine që mbuluara me afreske dhe muze që kanë objekte të jashtëzakonshme.

5- Llogaraja dhe Gjirokastra

E ashtuquajtura Riviera Shqiptare fillon nga Parku Kombëtar i Llogarasë. Një seri plazhesh dhe gjiresh, shpellash ujore, shkëmbinjsh dhe fshatërash tradicionale. Ka të njëjtën bukuri si fqinji i saj, Greqia dhe ishulli i Korfuzit. Në zbarkimin e tij në 1823 për të luftuar për çlirimin e grekëve (ku edhe vdiq), Lord Bjroni, pasi vizitoi Tepelenën i dedikoi vargje maleve të Shqipërisë. Madje në portretin e tij më të famshëm, ai shfaqet me veshje shqiptare.

Porto Palermo është një prej vendeve që duhen vizituar gjatë pushimeve në këto brigje dhe Saranda, më në jug, është kryeqyteti i tyre. Kjo pjesë pret dy prej zonave arkeologjike më të famshme të vendit, Butrintin, një imitim i Trojës dhe Gjirokastrën, me shtëpitë e saj me arkitekturë osmane që janë ruajtur me shumë kujdes sepse ky ishte qyteti i lindjes i Enver Hoxhës, ndonëse dikush u përpoq të shpërthente shtëpinë e tij. /G.S/ KultPlus.com

Must Do Travels: Shqipëria, parajsa e fshehur apo zemra e Mesdheut

Shqipëria si destinacion europian i cili ka shumë për t’u zbuluar dhe për t’u eksploruar vazhdon të tërheqë vëmendjen e agjencive dhe web-siteve të huaja.

Vendi i shqiponjave po promovohet kudo në botë si një thesar që pret për t’u zbuluar dhe promovimi i saj dhe nga turistët e huaj ka bërë që vendin ynë të jetë në axhendën e vendeve turistike mjaft të pëlqyera e cila ofron një turizëm gjithëvjetor dhe të larmishëm.

Së fundmi ”Must Do Travels” komuniteti më i madh dhe një influencues i lartë i udhëtimit për promovimin e turizmit në mbarë botën ka shpërndarë një video duke treguar vendet më të bukura të Shqipërisë nga liqenet, deti dhe deri tek malet si një vend turistik plot ngjyra dhe mjaft i bukur ku ndërthuret gjelbërimi dhe natyra e qetë me majat e thepisura me bukuri të egër.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi citon sajtin “Must Do Travels” që shkruan: “Shqipëria është thjesht spektakolare”, ndërsa i referohet sajtit si një nga komunitetet më të mëdha të udhëtimit, që ka publikuar një video për Shqipërinë të vlerësuar si “parajsa e fshehur” dhe “zemra e Mesdheut”./a.a/KultPlus.com

Gjatë sezonit turistik këtë vit, 20% e vizitorëve ishin turistë kulturorë

Gjatë sezonit turistik të këtij viti 20% e vizitorëve ishin turistë kulturorë. Kështu deklaroi sot ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në fjalën e saj në Kuvend.

“A e dini sa ka qenë numri i vizitorëve në kalanë e Gjirokastrës në 2013, 6 900 vizitorë, 96 mijë të tillë shënoi deri në shtator të këtij viti kjo kala”.

Duke iu drejtuar opozitës, Kumbaro u shpreh se “kur guxojnë të flasin sot ata që nuk i lanë kusur Gjirokastrës dhe e lanë në atë derexhe. Por, nuk do të merrem me ta se vëmendja jonë është tek kultura tek njerëzit. Vëmendja jonë është tek kultura, tek Gjirokastra dhe gjirokastritët, që bënë sa mundën, e shumë herë nuk mundën të bënin gjë sepse u gjendën vetëm. Kjo ishte Gjirokastra që gjetëm me sokaqet copë-copë, me zemrën e qendrës historike të sfilitur dhe ajo Gjirokastër as me tre hotele në gjithë qytetin dhe me një restorant e gjysmë”.

Prandaj, vijoi ajo nuk kishim asnjë dilemë se Gjirokastra ishte dhe mbetet një prioritet.
Ministrja Kumbaro bëri të ditur se investimet për turizmin e trashëgimisë kulturore nuk do të ndalen.

“Besoj kemi qenë të qartë në këtë projekt për t’i kthyer Gjirokastrës vëmendjen e munguar . 91 oferta fjetje kemi sot dhe kjo në më pak se katër vite.Vetëm në qafën e Pazarit 3 milionë dollarë investime me partnerët tanë strategjikë siç është Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillimin . U restauruan mbi 5 mijë metra katrore që në fakt janë prona të gjirokastritëve të vlerësuara dhe nuk do ndalemi. Kemi nisur punën në Gjirokastër me Bankën Botërore për fazën e dytë të restaurimeve me një fond prej 10 milionë dollarësh bashkë me Beratin, Sarandën, Përmetin ku marrëveshja me BB shkon në 71 milionë dollarë për turizmin e trashëgimisë kulturore”, theksoi ajo.

Ministrja Kumbaro tha se “në katër vitet e fundit 2014-2018 kemi ngritur investime nga partnerët ndërkombëtarë dy herë më shumë seç është fondi i investimeve publike në kulturë. Në 8 vite nga 2005-2013, të paktën në kujtesë nuk na kanë mbetur asgjë. Të gjitha ata që e vizituan janë të mrekulluar, edhe nga sa mirë e kemi ruajtur. Së bashku do të jemi këtu për të prezantuar projekte të reja”, shkruan ata./ KultPlus.com

Apolonia, destinacioni turistik i shtatorit

Monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike në vendin tonë tashmë janë kthyer në atraksione turistike për turistët e huaj por dhe vendas.

Në Parkun Arkeologjik të Apolonisë mozaiku që ndodhet në Vilën me Impluvium është i hapur për vizitorët dhe gjatë muajit shtator pasi sezoni turistik në vendin tonë nuk ka mbaruar ende.

Specialistë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës kanë bënë të mundur zbulimin e mozaikut që ndodhet në Vilën me Impluvium. Kjo vilë i takon shek. III-II p.Kr. dhe zotëron një oborr të rrethuar me peristil dhe të shtruar me mozaikë me motive gjeometrike dhe floreale.

Mozaiku që daton ne vitet II-III para Krishtit,është një tjetër destinacion turistik por dhe historik i cili nuk duhet ti mungojë guidës turistike të turistëve të huaj dhe gjatë këtij muaji./a.a/ KultPlus.com

Hajrulla Çeku tregon shifrën marramendëse të kosovarëve që pushuan në Shqipëri

Hajrulla Çeku, ish udhëheqës i organizatës “Ec Ma Ndryshe”, i cili u emëruar zëvendësministër i Turizmit në Qeverinë e Shqipërisë, ka dhënë disa statistika rreth vizitorëve kosovarë në territorin e Shqipërisë.

Sipas tij kosovarët realizuan afër 670 mijë vizita/hyrje në territorin e Shqipërisë gjatë muajit gusht 2018, një rritje prej 40% në krahasim me gushtin 2017. Në total (janar-gusht 2018) kemi mbi 1.5 milionë hyrje, 17.7% më shumë se e njëjta periudhë 2017.

“Kosovarët vazhdojnë të dominojnë turizmin shqiptar. Përkundër të gjithave dhe gjithçkaje. #VisitAlbania”, ka shkruar Ceku në Facebook./KultPlus.com

Sa turistë vizituan Shqipërinë për 8 muaj?

Sipas INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në muajin gusht 2018, është 2 120 822, krahasuar me gushtin 2017, ky tregues rezulton me rritje 21.1%.

Turizmi shqiptar po njeh një ngritje të stabilizuar dhe cilësore. Fluksi i lartë i turistëve, veçanërisht atyre të huaj në Shqipëri, shoqëroi edhe muajin gusht të këtij viti.

Instituti i Statistikave publikoi të dhënat zyrtare, ku evidenton se në total për 8-mujorin 2018, në Shqipëri kanë hyrë 4.4 milionë të huaj, me rritje 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në muajin gusht 2018, është 2 120 822, krahasuar me gushtin 2017, ky tregues rezulton me rritje 21.1%, transmeton “ATSH”.

Si tremujor, bën të ditur INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në tetëmujorin e 2018 është 4 397 638 duke u rritur me 16.8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Shifrat e INSTAT konfirmojnë edhe parashikimet e Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimeve (WTTC), i cili njoftoi për një rritje të gjithanshme për turizmin shqiptar gjatë vitit 2018.

Në një analizë të përgjithshme, WTTC-ja përmend ndikimin e turizmit shqiptar në Produktin e Brendshëm Bruto, në punësim, në numrin e vizitorëve si edhe në totalin e investimeve. WTTC-ja i parashikon në rritje të gjithë këta faktorë. Sipas saj, kontributet direkte të turizmit në PBB gjatë vitit 2017 ishin 134.1 miliardë lekë (USD 1124.1 mln), ose 8.5% të PBB-së totale, ndërkohë që për vitin 2018 parashikohet një rritje prej 3.9% in 2018 dhe një rritje prej 4.7% në vit përgjatë viteve 2018-2028. Kjo rritje do të arrijë në 220.4 miliardë lekë (USD 1847.2 mln) ose në 9.3% të PBB-së totale në vitin 2028.

Sipas WTTC kontributi total për vitin 2017 ishte 414.2 miliardë lekë (USD 3471.9 mln), ose 26.2% e PBB dhe parashikimi është një rritje prej 4.4% në vitin 2018 dhe një rritje prej 4.7% në vit, në 684.2 miliardë lekë (USD 5,735.0 mln), ose 28.9% e PBB në vitin 2028.

Ndërkohë, kontributi direkt për punësimin nga turizmi gjatë vitit 2017 ishte 93,500 vende pune (7.7% e punësimit total). Kjo pritet të rritet 3.3% në vitin 2018 si edhe një rritje prej 1.4% çdo vit në 111,000 vende pune (8.8% e punësimit total) në vitin 2028. Në 2017, kontributi total i turizmit në punësim, përfshi punët e mbështetura në mënyrë indirekte nga industria ishte 24.1% e punësimit total (291,500 vende pune).

“DELO.si”: Shqipëria vendi që nuk harrohet lehtë

Shumica e europianëve mendojnë gabimisht se oferta turistike është e dobët, ky është një paragjykim që e kanë edhe sllovenët.Por, shërbimet nuk janë të bezdisshme dhe as të ekzagjeruara shkruan “delo.si” në një reportazh që ia dedikon Shqipërisë.

Megjithatë, fluturimi nga Lubjana për në Tiranë zgjat rreth një orë dhe çmimet e biletave të avionëve janë të pranueshme edhe në mes të sezonit.

Rrugët nuk janë të këqija. Në disa zona më pak të zhvilluara, normalisht që rrugët nuk janë aq të mira, por nuk janë edhe aq keq sa mendohej. Nëse udhëton me makinë, duhet patur parasysh se shumica e qyteteve nuk kanë rrugë bypass, kështu që kur udhëton nëpër vend duhet të kalosh brenda qyteteve. Kjo e zgjat kohën e udhëtimit.

Gorica

Kostoja për një darkë të mirë për dy persona, me një pije, në një prej restoranteve më të mirë në Berat është 40 euro.

Në bregun e majtë të Osumit ndodhet një kodër, Gorica, ndërsa emri i qytetit të Beratit rrjedh nga sllavishtja e vjetër, nga fjala Beli Grad. Në të djathtë ndodhet Kalaja me një fortesë bizantine dhe një muze të jashtëzakonshëm në manastirin e Onufrit. Nga maja e kodrës është një pamje e jashtëzakonshme e qytetit dhe lumi që kalon mes dy kodrave. Në çdo gur të fortesës ndihet një atmosferë e veçantë. Një vend i tillë harrohet me vështirësi.

Gjirokastra

Në qytetin e dytë të UNESCO-s, Gjirokastra, rreth katër orë me makinë në drejtim të jugut, ndodhet një fortesë 336 metra e lartë që mban një muze me armë të vjetra. Në mur, ekspozohet me krenari një avion ushtarak amerikan, që në vitin 1957, për shkak të një defekti teknik, duhej të ulej pranë Tiranës.

Versioni i kësaj historie në gazetën shqiptare është shumë ndryshe, bëhej fjalë për një avion spiun të forcave imperialiste nga Perëndimi, që ushtria shqiptare e rrëzoi. Piloti ishte gjallë dhe më pas u la i lirë. Avioni ishte lënë si një trofe në anë të fortesës historike.

Çmime të ulëta dhe njerëz miqësor

Llogaraja është krejtësisht ndryshe nga Saranda dhe është vetëm 50 kilometra në veri të Dhërmiut. Dhomat këtu nuk janë të nxehta dhe shkohet nëpërmjet një rruge spektakolare që ngrihet rreth 1 000 metra mbi nivelin e detit. Guidat thonë se është mes më të rrezikshmeve në vend. Por, hija në hotelet në majë të kalimit dhe pemët në Parkun Kombëtar të Llogarasë, të paktën gjatë muajve të verës, shpërblejnë 20 minuta ankth.

Një pikë e mirë për të qëndruar është resorti turistik Llogara, që në kopshtin e tij të madh ka drerë që hanë nga duart e turistëve. Nga këtu mund të zgjidhni të bëni ecje të shkurtëra ose të gjata. Jeni me fat nëse takoni ndonjë. Shqiptarët nuk para bëjnë ecje në mal.

Ushqimi është i mirë në Shqipëri. Jo vetëm sepse ata dinë si të gatuajnë, por edhe sepse ushqimet e tyre nuk janë shumë të globalizuar kështu që për herë të parë mund të provohen vetëm këtu. /ata

Tirana destinacioni i turistëve të huaj edhe në shtator

Për turistët muaji shtator në Tiranë është më i preferuari. Në këto ditë vjeshte, ku temperaturat i ngjasojnë atyre të verës, rrugët e Tiranëa janë të mbushura me turistë të huaj.

Grupet e turistëve i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek “Piramida”, por edhe në muzeumet e Tiranës, ku mund të mësojnë më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.

Nuk i mungon itinerarit të tyre, edhe shëtitjet në lagjet e vjetra të Tiranës dhe ndërtesat shumëngjyrëshe, ku njihen me historinë e Tiranës dhe shijojnë kuzhinën vendase.

Por, vendi që vijon të tërheqë më së shumti interesin e vizitorëve të shumtë, është sheshi “Skënderbej”, në qendër të qytetit të Tiranës. I kthyer tashmë në një atraksion të ri për vetë rikonstruksionin modern dhe bashkëkohor, ky shesh është shndërruar në një vlerë të shtuar për turizmin e qytetit.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet se “asnjë grup turistësh nuk ikën nga Tirana, pa ndaluar qoftë edhe një herë në sheshin më të bukur të qytetit”.

“Tirana është në listën e 10 destinacioneve të sugjeruara nga Lonely Planet për vitin 2018”, thekson Veliaj.

Tirana është pa dyshim një nga qytetet më të gjalla e më në shndërrim të Europës Juglindore. Ajo është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Europa, por edhe më gjerë. Transforimimi që po pëson Tirana po zë gjithashtu hapësira në revistat më të njohura të botës.

Në vetëm 15 kilometra katrorë sipërfaqe, në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe i aventurës.

Disa prej pikave atraktive, që mund të vizitojnë turistët e huaj në Tiranë, por dhe në rrethina janë Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art”, “Shtëpia e gjetheve”, etj./ ata

Kosova dhe Japonia me marrëveshje për rritjen e potencialit të turizmit

“Republika e Kosovës është e përkushtuar që të zgjerojë raportet me partnerët strategjik” Ushtruesja e detyrës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi ka nënshkruar marrëveshje me Agjencinë Japoneze të Turizmit, për lehtësimin e zhvillimit ekonomik dhe për rritjen e potencialit të turizmit në të dy vendet.

Krasniqi tha se Republika e Kosovës është e përkushtuar që të zgjerojë raportet me partnerët strategjik, siç është Japonia, prandaj dhe është iniciuar dhe finalizuar nënshkrimi i marrëveshjes me Agjencinë Japoneze e Turizmit.

“Kjo marrëveshje do të ketë impakt shumë pozitiv për shtetin e Kosovës dhe njëkohësisht hap mundësi të reja për të dyja vendet, sidomos në fushën e turizmit. Po ashtu kjo marrëveshje është një eksperiencë e re për Republikën e Kosovës sepse do të ketë shkëmbime të materialeve të ndryshme dhe përvojave në turizëm dhe do të lehtësojë komunikimin në mes të dyja vendeve”, ka theksuar Krasniqi.

Sipas një komunikate të MTI-së, po ashtu Republika e Kosovës është duke u prezantuar në panairin e turizmit në Japoni nga Agjencia për Promovimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, KIESA, në kuadër të MTI-së, panair ky që synohet të promovohet turizmi i Kosovës dhe potencialin që e ofron Kosova. Në këtë panair po marrin pjesë dy kompani të Kosovës që janë përzgjedhur nga KIESA.

Ushtruesja e Detyrës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi tha se panairi është mundësi e mirë për t’iu treguar investitorëve Japonez për mundësitë që ofron Kosova në fushën e turizmit dhe investimeve. “Jemi të interesuar qa ta thellojmë bashkëpunimin ekonomik, dhe jemi të interesuar që të kemi rritje të turistëve nga Japonia në Kosovë”, tha Krasniqi./ KultPlus.com

Thethi me 1200 shtretër në pikun e lëvizjeve turistike

Thethi është kthyer në qendrën turistike të veriut të Shqipërisë, gjatë këtij sezoni turistik.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej deklaron për ATSH se zona turistike e Thethit aktualisht ofron 1200 shtretër.

Ai e konsideron mjaft të suksesshëm lëvizjen turistike në këtë zonë për periudhën 6 mujore të vitit 2018 dhe e radhit Thethin si një veçanti të turizmit të natyrës, të ecjes sportive, të peizazhit dhe të historisë e mitologjisë.

Dedej thotë për ATSH se turizmi familjar në këtë zonë po bëhet mjaft i suksesshëm në të katër stinët e vitit fal konceptit të banorëve atje që zona e tyre mund të sjell të mira material edhe nga turizmi.

Së shpejti nis edhe asfaltimi i rrugës Qafë Thore – Theth me gjatësi 17 km që do të lehtësoj shumë lëvizjen e vizitorëve në këtë luginë mbresëlënëse.

Po kështu Dedej flet edhe për qendrën e vizitorëve që po ngrihet në qendër të fshatit e cila do t’u shërbej vizitorëve në orientimin e tyre drejt vendeve më interesante për tu parë. /ata

Shqipëria, midis peizazheve të përrallave dhe mikpritjes së jashtëzakonshme

Shqipëria është një pjesë e paprekur dhe e paeksploruar në enigmën komplekse të Europës, shkruan gazeta italiane online “Tizinonline -20 minuti” në një artikull kushtuar Shqipërisë.

E mbushur me peizazhe përrallash, pamje që të lënë pa frymë, kulturë të pasur dhe banorë jashtëzakonisht mikpritës, Shqipëria duhet të jetë në krye të listës së destinacioneve për ta vizituar për një eksperiencë autentike udhëtimi. Peizazhi i Shqipërisë është 70% e territorit malor, kështu që nëse e doni natyrën dhe ajrin e pastër, ajo duhet patjetër të jetë një nga destinacionet tuaja më të dëshiruara.

Një tipar tjetër dallues i këtij vendi është karakteri. Shqiptarët kanë një ndjenjë të madhe humori dhe një qëndrim të relaksuar: ndonjëherë, ky i fundit mund të bëjë një tendosje mbi durimin e udhëtarëve më entuziastë. Shqiptarët kujdesen shumë për traditat e tyre dhe është pak sikur vendi të ishte ndalur në kohë, duke frymëzuar për të jetuar dhe udhëtuar në një mënyrë të thjeshtë. Teknologjia shkon në sfond dhe udhëtimi këtu është një mundësi e shkëlqyer për të trajnuar për të jetuar në momentin e tanishëm. Shqipëria mund të arrihet me avion në aeroportin e vetëm të vendit, që ndodhet në kryeqytet, Tiranë.

Tirana, kryeqyteti aktiv e Shqipërisë, është një shkrirje e kulturave dhe zemra që rreth e këtij vendi interesant. Pas rënies së komunizmit në vitin 1992, Tirana ka ndryshuar pamje, duke transformuar atë që dikur ishte një qytet i fikur dhe i kufizuar, në një kryeqytet në ngjyra të ndritshme, me rrugët plot me bare dhe restorante dhe sheshe të reja publike të vendosura në çdo pjesë të qytetit .

Në qytetin bregdetar të Sarandës do të gjeni restorante të shkëlqyera të peshkut, një natë energjike dhe një atmosferë gëzimi. Në verë, Saranda gumëzhin nga të rinjtë dhe ofron një natë plot argëtim, me një natë që zgjat deri në dritën e parë të agimit.

Saranda është gjithashtu një bazë ideale për eksplorimin e qyteteve dhe plazheve të tjera përgjatë Rivierës. Nga këtu, ju gjithashtu mund të merrni tragetin në Korfuz, një nga ishujt më të gjelbër dhe të dashur të Greqisë. Shpesh, vizitorët që qëndrojnë në Korfuz vijnë këtu gjatë ditës për të zbuluar fqinjën shumë më të qetë dhe ekonomike se Greqinë, Shqipërinë.

Gjatë qëndrimit në Sarandë, sigurohuni që të vizitoni “Syrin e Kaltër”,i vendosur vetëm 20 km larg. Është një burim me thellësi prej më shumë se 50 metra, por nuk ka matje të saktë, pasi zhytësit kanë arritur të zhyten deri në 50 metra thellë./ ata

Turistët i japin Shqipërisë 15 % të GDP-së, lë pas Serbinë

Turizmi në Shqipëri është një nga sektorët, i cili gjeneron të ardhura të shumta për ekonominë dhe buxhetin e shtetit. Sipas përllogaritjeve të fundit, shuma e parave të shpenzuara nga turistët e huaj përbën 14.8 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Kjo është një shifra e konfirmuar kohët e fundit nga Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së, sipas së cilës në Ballkan, Mali i Zi kryeson me 21.8% të PBB-së, e ndjekur më pas nga vendi ynë”, shkruan “IBANA”

Ndërkohë, në vende të tjera si Serbia dhe Maqedonia, kjo përqindje është shumë e ulët, sepse këto vende nuk kanë bregdet siç ka Shqipëria dhe vendi fqinj, Mali i Zi.
Shqipëria ka fatin e madh, pas territori i saj laget nga dy dete. Deti Jon dhe Adriatik, janë dy burime të pashterueshme, të cilët kontribuojnë vazhdimisht për ekonominë shqiptare dhe thithjen e turistëve./KultPlus.com

Berati, 100 mijë turistë brenda vitit 2018

Rreth 100 mijë pritet të jetë numri i turistëve, që do të vizitojnë qytetin e Beratit.

Qyteti 2400 vjeçar i Beratit i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, ka zgjuar interesin e turistëve të shumtë që e kanë vizituar.

Një muze i gjallë në natyrë ku “ngjizen” natyrshëm historia , arti dhe arkitektura e monumenteve ka shënuar një rekord historik vizitorësh gjatë këtij viti. Në periudhën janar-gusht, Berati u vizitua nga 95 000 vizitorë, ndërsa vetëm gjatë muajit gusht u vizitua nga 23 000 vizitorë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Eugen Kallfani, në një video të publikuar nga Banka Botërore, e cila po ndihmon zhvillimin e turizmit në Berat, thekson se “sot mund të flasim për një shifër prej 100 mijë vizitorë , që priten të vijnë këtë vit”.

“Në Berat numërohen rreth 486 monumente kulture në të gjithë qarkun e Beratit dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos këto 3 vitet e fundit”, nënvizoi Kallfani.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. /ata

Faqja më e njohur koreano-jugore: Shqipëria pika kulmore

Pikë kulmore e konsideron Shqipërinë koreano-jugorja travie.com, një nga faqet më të njohura aziatike në botë për udhëtimet turistike.

”Njohuritë për Shqipërinë ishin më të holla se një copë letre me lagështirë… Për fat të mirë, përshtypjet e para për Shqipërinë ishin mjaft mbresëlënëse”, thekson travie.com.

Koha më e mirë për të udhëtuar në Shqipëri është nga muaji prill deri në maj dhe nga muaji shtator deri në tetor. Moti i përgjithshëm është me dëborë dhe i lagësht në dimër, por verat janë të nxehta dhe të thata. Tirana është aq e lagësht në verë për shkak të efektit të saj gjeografik dhe është shumë e rrallë që temperatura të bien nën zero madje edhe në dimër.

Shqipëria ndodhet në bregun perëndimor të Adriatikut. Në veri janë Alpet e Shqipërisë së Veriut mbi 2 500 metra mbi nivelin e detit.

TIRANA

Ka tre pika që bien në sy. Njëra është Kulla e Orës, e ndërtuar në vitin 1822, e cila ishte ndërtesa më e gjatë në Tiranë (deri në 35 metra) deri në vitin 1971, ndërsa tjetra është xhamia e Et’hem Beut, pranë kullës së orës. Ndonëse nuk është madhështore, konsiderohet si një nga xhamitë më të bukura. Një gjë e fundit që nuk duhet të të humbasë është statuja e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ai është një monark shqiptar dhe një hero kombëtar që luftoi kundër Perandorisë Osmane në shekullin e 15-të. Emri i sheshit gjithashtu erdhi prej tij.

DURRËSI

Durrësi, rreth 40 kilometra në perëndim të Tiranës, është një kryeqytet i lashtë me rreth 3 000 vjet histori dhe qyteti më i madh portual në Shqipëri. Qyteti ka amfiteatrin e dytë më të madh romak në Ballkan.

BERATI

Berati është një qytet i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Origjina e qytetit fillon nga kështjella e Beratit (e quajtur ‘Carla’), e cila u ndërtua 2 400 vjet më parë. Ka ende më shumë se 1 000 banorë në kështjellë dhe shumica e ndërtesave duke përfshirë zonën e banimit janë ndërtuar në shekullin e 13-të.

Berati ishte gjithashtu i sunduar nga Perandoria Osmane, por pa sakrifikuar traditat e Kishës Ortodokse, ruhen stilet e jetës dhe traditat e para të paspushtimit. Pikë kryesore është stili bizantin te Katedralja e Shën Mërisë, e cila është një mbetje e një relikeje katolike. Emri i muzeut të katedrales erdhi nga piktori i famshëm i Shqipërisë Onufri i shekullit të 16-të./ ata

“Il Messaggero”: Numër i madh turistësh në Shqipëri, në mesin e tyre shume italiane

Bum turistësh drejt Shqipërisë, një prej destinacioneve më popullore gjatë verës 2018, sipas të dhënave nga portalet e prenotimeve të hoteleve dhe fluturimeve, shkruan në faqen e saj në internet gazeta italiane “Il Messaggero”.

Vendi i Shqiponjave pëlqehet shumë edhe nga italianët. Rreth 5,7% e tyre e kanë zgjedhur si destinacion për të kaluar pushimet e verës. Por, edhe ata që kërkojnë në internet informacione për Shqipërinë janë të shumtë.

Një rezultat i jashtëzakonshëm, nëse shihet historia e këtij vendi, që vetëm pak vite më parë turizmi gati nuk ekzistonte fare.

Arsyet përse turistët zgjedhin këtë vend si destinacion për pushimet e tyre janë të shumta.

Në radhë të parë ka një raport të shkëlqyer cilësi-çmim. Shqipëria është një destinacion i lirë dhe cilësia e shërbimeve është e mirë.

Nga ana tjetër, komentet e turistëve janë shumë pozitive dhe kjo tregon se vendi ka shumë për të ofruar.

Për të mos u nënvlerësuar është edhe pozicioni i mirë i Shqipërisë, që është pranë të gjitha baseneve të Mesdheut.

Në fund, një faktor tjetër i rëndësishëm që tërheq gjithnjë e më shumë persona janë 3390 atraksionet turistike të vendit.

Mund të gjeni për të gjitha shijet. Nga plazhet e bukura të Velipojës, Rana e Hedhun, tek Parku Kombëtar i Divjakë-Karavastasë dhe gadishulli i Karaburunit, pa harruar qytetet dhe fshatrat e shumta për të vizituar. / KultPlus.com
https://economia.ilmessaggero.it/economia_e_finanza/albania_turismo_italiani-3952366.html

“Rana e Hedhur”, perla e Shëngjinit me plazhe të pastra dhe shëruese

Turizmi mbetet prioritet për Bashkinë e Lezhës dhe këtë verë bregdeti është çdo ditë e më i pastër.

Drejtoria e shërbimeve publike të Lezhës po vijon çdo ditë punën për pastrimin e plazhit publik te Rana e Hedhur.

Rana e Hedhur ndodhet fare pranë qytetit të Shëngjinit në veriperëndim të portit detar.

Vendasit e quajnë kështu sepse rrymat detare dhe era e kanë grumbulluar rërën në këtë gji të vogël detar në formë xhepi.

E veçanta është se ky grumbull rëre është i pastër dhe i veçuar nga plazhi i madh dhe është një plazh shkëmbor.

Ky plazh i vogël ka një shtrirje rreth 500 m i gjatë dhe rreth 100 m i gjerë.

Është një plazh me vlera kurative për shkak të pastërtisë së rërës dhe ambientit. Pushues të shumtë vendas dhe të huaj preferojnë të pushojnë aty.

Rruga që të çon drejt rërës së hedhur është një rrugë e kalueshme fal edhe bizneseve që kanë aktivitetin e tyre në këtë zonë./ata

Përmeti, perla e turizmit historik, kulturor dhe e kulinarisë

Përmeti ka qenë gjithnjë një qytet i këndshëm për t’u vizituar, por së fundmi me investimet e reja të qeverisë shqiptare, gjithnjë e më shumë turistë po kthejnë sytë nga kjo zonë e vendit, e pasur në tradita historike, kulturore dhe kulinarie.

Fotot flasin vetë për bukurinë e zonës dhe atraksionet që presin vizitorët.

Programi i investimeve për zhvillimin e integruar urban të Beratit dhe Përmetit, dy qytete në juglindje të Shqipërisë, që karakterizohen nga vlera të veçanta të trashëgimisë kombëtare, bukurisë natyrore dhe turistike ka nisur të detajohet.

Qeveria synon që në periudhën afatgjatë të fuqizojë ekonomitë lokale drejt orientimit të zhvillimit të turizmit kulturor dhe natyror, vlera specifike që karakterizojnë këtë dy qytete.

Mbi 80,000 banorë të Beratit dhe Përmetit do të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga këto investime, të cilat do t’u shërbejnë gjithashtu edhe turistëve.

Vetëm gjatë 2017-ës rreth 100,000 turistë vizituan këto dy qytete dhe pritet që numri të rritet gjatë viteve që vijnë.

Investimet planifikohen në kuadër të projektit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. /ata

Magazine: Turizmi, ari i Shqipërisë

“Toka e Shqiponjave” duket se ka zgjedhur rrugën e duhur për rimëkëmbjen e saj ekonomike: atë të një territori të ndodhur në një pamje të bukur të Mesdheut, në kufirin midis Jonit dhe Adriatikut, që më në fund ka arritur të përmirësojë gjendjen e saj detare dhe turistike pas dekadave të gjata të diktaturës komuniste.

Turizmi në Shqipëri është bërë tashmë një temë debati midis institucioneve politike dhe komerciale të “Tokës së Shqiponjave”.

Kështu e nis artikullin e botuar në përditshmen italiane “Magazine”, presidenti i Institutit të kërkimit të Ekonomisë dhe Politikës Ndërkombëtare, Domenico Letizia.

Fluksi i vazhdueshëm turistik që shikon Shqipërinë protagoniste absolute ka krijuar një rrjedhë të vazhdueshëm të kapitalit për investime të shumta në sektorët e mikpritjes dhe hotelerisë.

Flukset turistike, vazhdimisht në rritje në Shqipëri, kanë çuar gjithashtu në një rritje të kërkesës për ndërtimin e hoteleve në vend. Vetëm në vitin 2017 janë dhënë leje për ndërtimin e 53 hoteleve, në një sipërfaqe totale prej 89 mijë metra katrorë.

Kjo, 6 herë më e lartë se ajo e ndarë në objektet e akomodimit në vitin 2016. Vetëm në Tiranë po punohet për ndërtimin e një hoteli të madh me 5 yje, një investim prej rreth 30 milionë euro. Edhe “Hilton Garden Inn” gjithashtu po punon për një hotel të ri në kryeqytetin shqiptar. Shumica e lejeve të ndërtimit kanë të bëjnë me ndërtimin e strukturave hoteliere në bregdet. Qeveria shqiptare ka miratuar kohët e fundit lehtësira fiskale për ata që ndërtojnë hotele me 5 yje, duke i përjashtuar ato nga një sërë taksash.

Kryeministri Edi Rama në fillim të sezonit të verës theksoi se “masat e marra kohët e fundit nga qeveria në mbështetje të turizmit do të ndihmojnë zhvillimin në këtë drejtim të Shqipërisë”. Në mënyrë të veçantë, reformat e thella janë të lidhura me taksën e turizmit, e cila është reduktuar në 6% nga 20%. Pa harruar përjashtimin e pagesës së TVSH për hotele luksoze me 4 ose 5 yje. “Këto janë nisma konkrete, të cilat qeveria i sjell në mbështetje të zhvillimit të këtij sektori”, thotë Kryeministri shqiptar. Qëllimi i qeverisë është ta transformojë Shqipërinë në një destinacion kryesor turistik në Mesdhe.

Ndër projektet në zhvillim për promovimin e turizmit, Kryeministri ka nënvizuar ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës. “Tuneli është një domosdoshmëri strategjike për të përmirësuar dhe shkurtuar distancën me bregdetin jugor”, ka përsëritur Rama, “ndërsa aeroporti i Vlorës do të jetë një hyrje dhe dalje për Shqipërinë, duke lehtësuar udhëtarët dhe turistët që duan të ndalojnë në jug të vendit tonë “.

Për më tepër, katër muze të rinj janë ndërtuar vitet e fundit. Në Tiranë, bunkerët e famshëm të kohës komuniste janë shndërruar në muze të vërtetë, si “Shtëpia e Gjetheve”, ku diktatura komuniste ka kryer aktet më të neveritshme. Është një ndërtesë jo shumë larg sheshit qendror të Tiranës, Sheshit Skënderbej, ku midis viteve 1944 dhe 1990 mijëra shqiptarë u morën në pyetje dhe torturuan nga shërbimet sekrete të regjimit komunist. I fshehur plotësisht nga pemët të gjithë e njihnin, por askush nuk e dinte saktësisht se çfarë ndodhte brenda.

I braktisur pas rënies së regjimit, “Shtëpia e Gjetheve” u rindërtua nga arkitektja italiane Elisabetta Terragni dhe dokumentet e gjetura brenda saj u bënë publike, siç janë procesverbalet e gjykimit të famshëm politik dhe përgjimet telefonike të kryera me pajisje të sofistikuara elektronike. Nga këtu, ministritë, ambasadat dhe hotelet kryesore kontrolloheshin me lidhje direkte në çdo dhomë të vetme. Pas Tiranës, kryeqytetit, Durrësi është qyteti i dytë shqiptar në aspektin e historisë dhe numrit të banorëve. Këtu gjenden amfiteatri romak, një forum bizantin dhe muzeu arkeologjik.

Bashkia shpenzon 8 milionë euro në vit për të rikualifikuar ndërtesat dhe strukturat. Burime të mëdha janë të destinuara për modernizimin e rrjeteve elektrike dhe të kanalizimeve: pastruesi i Durrësit, një impiant i gjeneratës së fundit, u realizua nga një kompani nga Puglia.

Megjithatë, shumica e përpjekjeve janë të përqendruara në port. Ashtu siç thekson kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, “ai duhet të jetë i qytetarëve”, sepse nuk është më vetëm industrial, por një impiant i destinuar për publikun, që përfshin edhe kroçerat.
Flukset kryesore turistike në Shqipëri mbeten të përqendruara përgjatë më shumë se 450 kilometrave të bregdetit Adriatik dhe Jon, ku është në zhvillim e sipër oferta e shërbimeve për turizmin e verës, i cili këtë vit shënoi një rekord të ri të pranisë së të huajve në vend.

Duke ofruar kushte të mira dhe mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit detar, edhe pse aktualisht infrastruktura është pak e zhvilluar.

Në periudhën janar-qershor të këtij viti, vizitorët që mbërritën në Shqipëri nga jashtë kanë tejkaluar pragun e 1 milion e 900 mijë njerëzve që kanë qëndruar në “Tokën e shqiponjave”, në shumë raste kthehen nga një vit në tjetrin ose gjatë periudhës së njëjtë gjashtëmujore. Hyrja në sezonin e verës ka rritur intensitetin e ardhjeve, të cilat në muajin qershor të këtij viti kanë prekur gjysmë milioni vizitorë, duke u rritur me 13.3% krahasuar me të njëjtin muaj të 2017 dhe kundrejt një mesatare prej + 9.1% në krahasim me tërë gjysmën e parë të vitit 2018.

Midis vizitorëve, në vend të parë janë qytetarët e Kosovës me 566.263 vizitorë në periudhën janar-qershor të këtij viti.
Bumi i vërtetë është ai që vjen nga vendi tjetër fqinj, Maqedonia, me 285,758 vizitorë në 6 muajt e parë: më shumë se 15,5% në gjashtë muaj dhe madje më shumë se 58,3% vetëm në qershor .

Në vendin e tretë, fqinji i jugut të Shqipërisë: Greqia. Nga gadishulli i Peloponezit, 221.144 turistë arritën në gjashtë muajt e parë, në rritje prej 10.5%. Ndërsa përsa i përket Italisë, renditja jonë duket e dyfishtë: e pesta pas Malit të Zi, duke iu referuar totalit të 6 muajve të parë të vitit; e katërta pas Greqisë, në lidhje me muajin qershor, në të cilin filloi sezoni turistik bregdetar dhe detar.

Nga janari deri në qershor, në Shqipëri erdhën 139,702 vizitorë italianë më shumë se 6.6%), nga të cilët 34,838 nga të cilët vetëm në muajin qershor më shumë se 5,6%).
Një gjë është e sigurt: institucionet shqiptare e shohin fenomenin turistik me interes ekstrem, si për potencialin ekonomik të turistëve, ashtu edhe për promovimin e investimeve të shumta në mikpritje dhe rikrijues.

Elementë thelbësore për ekonominë dhe rritjen infrastrukturore të vendit ballkani./ KultPlus.com