Kanioni i Holtës, një ndër bukuritë mbresëlënëse të Shqipërisë

Kanioni i Holtës, i cili e mori emrin nga lumi Holta, konsiderohet një nga bukuritë mbresëlënëse të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Kanioni i Holtës, me gjatësi rreth 3 km. me shpatet e luginës që ngrihen deri në i 100 – 150 m, ndërkaq lumi arrin thellësinë deri në tri metra. Kanioni përpihet ndërmjet fshatrave Bardhaj dhe Kabash.

Të veçantë kanionin e bëjnë burimet e shumta termale, me ngjyrë të kaltër, të kristaltë.

Shpellat e shumta karakteristike nga dy anët e këtyre shpateve mbuluar dhe me zona pyjore me drunj pishe panje e bredhi, me botë të pasur flore dhe faune, e bëjnë akoma më atraktiv këtë kanion.

Kanioni i Holtës paraqet interes për ngjitje malore, për adhurues të kampingut si dhe për grupe kacavarësish nëpër shkëmbinj.

Për të sjellë pranë jush këtë bukuri natyrore, fotografi nëntor Oseku ka realizuar një koleksion fotografish të cilat dëshmojnë për këtë bukuri të rrallë e cila pret të vizitohet nga ju.

“Në kanionin e Holtës, i cili ndodhet në zonën e Gramshit, këto ditë bëmë kamping 2 ditor. Gjatë këtij qëndrimi jemi mahnitur nga lindja e diellit dhe rrezatimi i tij në mes të kanionit, si dhe në mbrëmje, reflektimi i rrezeve të hënës mbi sipërfaqen e lumit”, është shprehur fotografi Nëntor Oseku.

Kanioni i lumit të Holtës është 1.30 min. larg Tiranës. /KultPlus.com

Ringrihet “Nëndetësja 105” e Pashalimanit, aset i ri i kulturës në Shqipëri

Specialisti i trashëgimisë kulturore shpirtërore Sejmen Gjokoli ka publikuar foto të “Nëndetëses 105”, e famshmja historike e Pashalimanit të viteve gjashtëdhjetë, duke na treguar se tashmë ajo është rindërtuar.

Duke e etiketuar si “një aset që fle në det”, Gjokoli thotë se tanimë do kemi një aset të rëndësishëm në shërbim të kulturës e historisë.

“E shkatërruar dhe e zhveshur tërësisht në vitin e mbrapshtë ‘97, ajo do të mbetej ashtu bark tharë e lidhur në një nga kalatat e bazës ushtarake të Pashait”, shkruan Gjokoli në rrjetin social “Facebook”.

Sakaq, ai thotë se dy ish-specialistë të teknikës së kohës, kanë punuar pa ndërprerë për ta ringritur e për t’i dhënë shkëlqimin e madhështinë e dikurshme./KultPlus.com

Postimi i plotë:

Kam kohë që i ruaj pa publikuar këto foto.

Prej dimrit që shkoi, ditës që pata rastin të vizitoj nga afër Nëndetësen 105, të famshmen historike të Pashalimanit të viteve gjashtëdhjetë.

E quaj fat atë moment kur për të parën herë do të hyja në “barkun” e një nëndetësje e ca më tepër kur ky mjet i sofistikuar ushtarak lidhet me një nga historitë më të lavdishme e më dridhëruese të ushtrisë shqiptare në vitet e luftës së ftohtë.

E shkatërruar dhe e zhveshur tërësisht në vitin e mbrapshtë ‘97, ajo do të mbetej ashtu bark tharë e lidhur në një nga kalatat e bazës ushtarake të Pashait.

Këtu do t’i shpëtonte edhe “skartimit” të çmendur kur simotrat u bënë skrap për pangopësinë.

Askush se di, ose më mirë të them fare pak e dinë që, pikërisht brenda kësaj nëndetësje, për rreth tri apo katër vite dy burra, dy ish specialistë të teknikës së kohës, kanë punuar pa ndërprerë për ta ringritur e për ti dhënë shkëlqimin e madhështinë e dikurshme.

Me thonj kanë punuar e ashtu një e nga një ja kanë gjetur e montuar paisjet, pjesët dhe aksesorët e rrjepur barbarisht.

Prej rrjetit elektrik, të ajrimit e aspirimit, vendkomandës, pultin e drejtimit, dhomën e silurave, krevatet e marinarëve, guzhinën etj. Gjer te dhomat zyra të komandantit e komisarit, të dya përballë njera tjetrës të ndara nga koridori i ngushtë.

Çdo gjë ashtu si ka qenë, në çdo detaj e paisje deri te vidat më të imta e ornamentet e varura.

Edhe boja e ngjyrat rigorozisht orgjinale, jashtë e brenda.

Tani thuajse e gatshme të presë e të përcjellë vizitorë duke shtuar kështu një aset të jashtëzakonshëm turistik jo vetëm për Vlorën.

Pa diskutim dita që do deklarojë startimin zyrtar të aksesimit të Nëndetëses 105, vendosur diku në një nga kalatat detare të Gjirit të Vlorës, do të shënojë edhe krijimin e një prej atraksioneve më madhore në fushën turistike e historike në hapësirën gjithë shqiptare.

Dhe me siguri atë ditë do flitet gjatë e mbase nuk do mungojë nderimi e vlerësimi për Neim Shehun e Ferdinand Hodon, dy mjeshtrat orikumas që 105-sën e shkretuar e rijetësuan për ta patur përsëri në ujrat adriatiko-joniane, tanimë të qeta por jo pak të lakmuara.

Tani për t’u treguar brezave se edhe për luftën e kemi të lashtë e gjëmimtare historinë…

Nis mirëmbajtja e monumenteve më të frekuentuara nga vizitorët

Itinerarët e rrugëve të besimit vazhdojnë dhe në këtë sezon veror të mbeten fokusi kryesor i institucioneve për t’i kthyer ato në atraksione turistike të denja për të mirëpritur turistët.

Këtë fundjavë fokusi i punimeve mirëmbajtëse të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë ishte në zonën e Himarës dhe në monumentet më të frekuentuar nga vizitorët si kalaja e Himarës, kisha e Ipapandisë, Shën Stefanit dhe Panaisë në Dhërmi, kishat e Shën Mëhillit, Shën Sotirës dhe Shën Spiridhonit në Vuno si dhe në Manastirin e Zvërnecit, Vlorë.

Gjithashtu në të gjitha kishat u afishuan postera me informacione dhe numra kontakti si ndihmë për këdo që dëshiron të vizitojë objektet e kultit në bregdet në kuadër të nismës “Itinerarët e rrugëve të besimit.

Thethi më i pëlqyeri i veriut turistik

Sipas informacionit që ATSH ka siguruar nga Administrata e Zonave të Mbrojtura (AdZM) Shkodër, që mbulon Parkun Kombëtar të Thethit, vlerësojnë se Parku Kombëtar i Thethit, ka qenë tepër i vizitueshëm këtë sezon turistik dhe kryesisht në fundjava.

“Kanë qenë të shumtë vizitorët që u ngjitën drejt Thethit këtë fundjavë”, thotë për ATSH Drejtori i AdZM-së Shkodër, Agim Dardha. Sipas tij, turistët udhëtojnë kryesisht me makinat e tyre apo të organizuar me guidat turistike.

Vitin që shkoi, Thethin e vizituan rreth 80 mijë turistë nga ky pothuajse gjysma kanë qenë vizitorë të huaj. Ndërsa ky sezon turistik sipas trendit të deri tanishëm do të sjell një numër më të madh vizitorësh gjatë gjithë vitit.

Në bukuritë e rralla të Shqipërisë, Thethi pa dyshim zë vend kryesor.

Ai gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre male Radohima, Sheniku dhe Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit.

Historia e Thethit dhe e Shalës është e lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve. Thethi është vendbanim shumë i hershëm duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike.

Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar” dhe sot është një nga pikat turistike më të frekuentuara nga vendasit dhe turistët e huaj.

Aty ndodhen hotele dhe bujtina që presin dhe strehojnë vizitorë dhe pushuesit.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve Shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar.

Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit të tre shteteve, parku quhet “Parku i Paqes”, ku në të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin edhe të turizmit kulturorë.

Një bukuri natyrore të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zonë, Ujevara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me Mullirin e Blojes, kishën në qëndër të fshatit formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar.

Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i Lumit të Shalës në Okol, që derdhet në Liqenin e Komanit dhe formon plazhe të vegjël që shfrytëzohen gjatë verës nga pushuesit e ardhur nga vendi dhe kuriozët nga bota. Për turizmin në Theth, kanë shkruar shumë media botërore dhe shumë televizione kanë shfaqur reportazhe promovuese. Thethi mbetet kurioziteti i turizmit shqiptar dhe vizitohet në çdo stinë të vitit.

Alpet shqiptare prezantohen në Europë si atraksion i veçantë turistik

Agjencia Kombëtare e Turizmit(AKT) organizoi këtë fundjavë një tur për një grup gazetarësh, blogerësh, dhe përfaqësues të turizmit alpin nga vendet e Europës Qrndrore si Austri, Çeki , Gjermani etj .

Ky tur informues u organizua në bashkëpunim me disa agjenci, shoqata, të cilat ushtrojnë këtë veprimtari dhe i janë dedikuar këtij lloj turizmi.

AKT në këtë mënyrë u bë promotor i Alpeve Shqiptare, duke njohur vizitorët me traditat, kulturën, natyrën dhe veçantinë e kësaj zone të vendit tonë. Vizitorët mundën të admironin disa nga bukuritë e zonës së Thethit , Komanit dhe atraksionet përreth.

Vlora me 8 kështjella e dy dete, në krye të turizmit shqiptar

Tetë kështjella të ndërtuara në rajonin e Vlorës dhe që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë rajon bregdetar.

Miradministrimi i tyre mund të krijojë të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj.

Ndër kështjellat më të spikatura është kalaja e Vlorës, e ndërtuar në vitin 1531 nga Sulltan Sulejmani, gjurmë të të cilës janë zbuluar në afërsi të Skelës. Qëllimi i ngritjes së saj, sipas historianëve, ishte mbrojtja e gjirit të Vlorës nga sulmet e venedikasve.

Krahas saj, në listën e kështjellave përfshihet edhe ajo e Gjon Boçarit, e cila ndodhet në fshatin Tragjas dhe është ndërtuar në periudhën mes shekujve XVI-XVII. Ajo ka formë drejtkëndore dhe gjerësia e mureve arrin deri në 1.25 metra dhe lartësi deri në 5.5 metra.

Ndërsa kalaja e Himarës i përket një periudhe shumë më të hershme. E ndërtuar si një fortifikim i fisit të Kaonëve, ajo përmendet shpesh në dokumentet bizantine. Në shekullin VI kalaja u riparua me urdhër të Perandorit Justinian, për t’u bërë ballë sulmeve të barbarëve, gotëve e husëve.

Pak kilometra nga qyteti i Himarës, ndodhet dhe kështjella e Porto Palermos, ose e njohur ndryshe kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XIX nga pashai i famshëm, si një dhuratë për zonjën e vet, Vasiliqinë. Kalaja u projektua nga një inxhinier francez në formën e një pesëkëndëshi, me muret që arrijnë një trashësi prej 1,6 metra dhe u ndërtua nga specialistë italianë dhe shqiptarë. Ky objekt i trashëgimisë kulturore ruhet në një gjendje mjaft të mirë dhe është shndërruar prej disa vjetësh në një qendër mjaft të rëndësishme turistike që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj.

Në listën e tetë kalave me vlera në rrethin e Vlorës përfshihet dhe ajo e Kaninës. E ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi, në shekullin III p.e.s, kjo fortesë ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 3.625 hektarë. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian, në shekullin V, ndërsa rëndësia e saj spikati veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ndaj pushtuesve turq.

Kalaja e Mavrovës ndodhet në Luginën e Shushicës dhe është ndërtuar në shekullin IV p.e.s. E veçanta e kësaj kështjelle lidhet me faktin se muret janë punuar me blloqe gurësh gëlqerorë.

Por, një kështjellë e hershme është edhe ajo e Kukumit, në fshatin Qeparo, në afërsi të gjirit të Porto Palermos, ndërtimi i të cilës daton në shekullin II p.e.s.

Dy detet që lagin brigjet e Vlorës Adriatiku dhe Joni, duke krijuar dhe dy laguna të mëdha si ajo e Nartës dhe Orikumit, janë atraksioni kryesor për turizmin e jugut shqipëtarë. Nisin me plazhet e shumtë të Zvërnecit, me gjire të bukur e rërë të pastër dhe vazhdojnë me plazhin qëndror të Lungomares, Uji i Ftohtë, Radhimë, Orikum, Palas, Dhërmi,Himarë e pa fund plazhe që frekuentohen në këtë periudhë nga pushues të shumtë.

Vlora mbetet kështu qendra e gravitetit për turizmin shqiptar duke i shtuar dhe parqet e shumtë natyrorë si ai i Llogarasë, i Luginës së Vjosës dhe së fundmi Nivicën me kanionet e famshëm për turizmin e aventurës.

Vetëm Parku i Llogarasë për vitin që shkoj u vizitua nga rreth 90 mijë turist. Po kështu dhe Zvërneci kapi mbi 20 mijë vizitorë pa llogaritur plazhet e Vlorës ku pushuesit janë të shumtë. Vlora i ka të gjitha dhe duhet vizituar…

Shqipëria mes detit, historisë dhe gastronomisë

“Është madhështore që nga emri i saj, Shqipëria, vendi i shqiponjave”, shkruan Gloria Ciabbatoni e quotidiano.it.

Ndër legjendat më të njohura është ajo e një luftëtari të ri, i cili shpëtoi shqiponjën e vogël nga një gjarpër, nëna e zogut te vogël e mbrojti duke e bërë djaloshin një gjuetar aq trim sa njerëzit e kurorëzuan mbret duke e thirrur shqiptar, që do të thotë biri i shqiponjës dhe mbretëria e tij ishte e njohur si Shqipëri ose Toka e Shqiponjave.

Shumë afër Italisë, Shqipëria kufizohet me Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën dhe Greqinë në njërën anë dhe në detet Adriatik dhe Jon nga ana tjetër.

Tirana, kryeqyteti, përshkohet nga lumi Lana, është një qytet modern, me bare, pabe, restorante, disko alternative me ndërtesat e së kaluarës, me kështjellë bizantino-mesjetare, me sheshin e madh ‘’Skënderbej’’ me monumentin e heroit me të njëjtin emër kombëtar, me Kullën e Orës dhe mauzoleumin piramidal.

Një oaz i bukur i relaksimit është edhe liqeni artificial brenda parkut të Tiranës. Duke ecur nëpër qendrën historike ju mund të shihni ndërtesat e vjetra të stilit sovjetik, të gjallëruara nga ngjyrat që u japin atyre një kënaqësi origjinale, siç ishte dëshira e Edi Ramës, kryeministrit, i cili ka qenë edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, artist dhe profesor i pikturës në Akademinë e Arteve të Bukura.

Me teleferik ju mund të arrijnë malin e Dajtit, që ofron një pamje spektakolare të qytetit.

Nga Tirana ju mund të zgjidhni… të gjithë Shqipërinë!

Nëse zgjidhni detin, ndër vendet më të famshme të bregdetit janë Durrësi, Golemi i famshëm për plazhin si edhe Vlora. Janë të pajisur mirë, me hotele dhe restorante, por këshilla jonë është të shkojmë më tej në jug, në Sarandë, me një ndalesë në Dhërmi, 6-7 orë me makinë nga Tirana. Rruga vazhdon përgjatë bregut, pastaj ngjitet në mal për të zbritur me kthesa zig-zag që ofrojnë një pamje të mrekullueshme të gjelbërimit të maleve dhe të blu të detit. Dhërmiu është një fshat i bukur në rrethin e Vlorës, pranë maleve ku gjendet Manastiri i famshëm i Shën Mërisë. Fshati është i gjithi prej guri, dhe bregdeti prej pesë kilometrash me rërë të artë ose me zhavor të bardhë dhe të lëmuar, me gjiret e vogla ku arrihet më këmbë ose nga deti, kanoe ose anije me pedale. Ndër plazhet më të bukura, janë ato të Jalit dhe Palasës.

Mos humbisni një vizitë në Manastirin e Shën Theodhorit dhe të vizitoni shpellën e famshme të Piratëve.

Në Jale, ”Soleil Village & Villas” është një hotel shumë i këndshëm, afër bregdetit ku ka restorante aq të mira sa edhe të lira. Rekomandohet udhëtimi me anije përgjatë bregut ku gjenden shkëmbinjt të mëdhenj dhe shpella të lashta misterioze. Gjatë udhëtimit drejt Sarandës ne mund të shohim Porto Palermon, një gji të bukur ku ka pasur një bazë ushtarake nëndetësesh me një bunker të gërmuar në shkëmb.

Edhe dy orë me makinë dhe ti je në Sarandë, por mund të marrësh më shumë pasi pamjet të lënë pa frymë dhe është e pamundur të mos ndalesh për t’i fotografuar.

Perla e bregdetit Jon, pothuajse para Korfuzit (ajo është e lidhur me tragete), është e njohur për klimën e saj të bukur dhe detin e kristaltë të pastër. Deti, limane, plazhe me rërë, por edhe, për të parë, Kalaja e Lëkuresit, manastiri i 40 shenjtorëve dhe burimi i këndshëm i ujit të Syrit të Kaltër.

Qyteti, me 50 mijë banorë, i dyfishuar në verë, dhe ku nuk ka mungesë të jetës së natës, përfshirë bare dhe restorante përgjatë bregdetit.

Restorantet?

“Ne e dimë se italianët janë shumë të kërkuar në këtë drejtim, por në Shqipëri ushqimi është me të vërtetë shumë i shijshëm, kryesisht mesdhetar me peshk të freskët, mish të pjekur në zgarë, sallatë greke, perime, fruta me bollëk, dhe … pica! Ju do të takoni shumë shqiptarë që kanë punuar në Itali dhe flasin italisht, njohin zakonet e vendit tonë kështu që gjithmonë ndiheni pak si në shtëpi.

Një shembull i mikpritjes së re shqiptare është hotel ”Bouganville Bay”, me katër yje, dy kilometra larg nga qëndra e Sarandës, i inauguruar në 2016, një ndërtesë me dhoma të ndryshme, që ofron shtëpi dhe apartamente të ndryshme. Ai është e vendosur buzë plazhit me tarraca të mëdha dielli, 5 pishina me ujë deti, tre restorante dhe tre bare. Një shembull modern se si mund të kombinosh komfortin modern me një traditë të lashtë të mikpritjes. Menaxheri flet një italishte të shkëlqyer dhe është i pazëvendësueshëm me informacionet për vendin.

Jo shumë larg Sarandës ndodhet një plazh i famshëm, në Ksamil, i pajisur shumë mirë me çadra dhe shazllonë, ku restorantet shërbejnë sallatra të freskëta, fritura dhe koce. Nga këtu ju duhet (nëse nuk shkoni do të jetë një ”krim!”) në një vend afër arkeologjik të Butrintit (www.butrint.al), një pasurie e trashëgimisë botërore( UNESCO), në një gadishull të gjelbër në lagunë.

Në hyrje, nën një ndërtesë prej druri, gjendet një fole, ku një dallandyshe sjell ushqim për të vegjlit. Një ambient paqeje që do të na ndjekë gjatë rrugës dhe ku mund të marrësh një atmosferë pozitive dhe të mirë, sikur të kishte perëndi të lashta për të na mbrojtur. Nëse ju nuk keni një udhërrëfyes ekzistojnë fletëpalosje edhe në italisht ku flitet për histori të shekullit VII para Krishtit, periudhën romake, bizantine, helenike, veneciane dhe otomane.

Fillon kthimi për në Tiranë përgjatë rrugës malore për të ndaluar në Gjirokastër, një qytet i vogël me rrugica të ngushta që të çojnë në kështjellë. E themeluar në shekullin XII, me kalimin e kohës ishte një përzierje e kulturave greke, romake, bizantine, turke dhe shqiptare. Kalaja që daton në shekullin V pas Krishtit dhe përmban një koleksion të bukur të armëve të lashta. Një kuriozitet: një aeroplan amerikan është vendosur në kështjellë.

Berati

Ndodhet në një rrugë të tërthortë përgjatë rrugës për në Tiranë, që njihet si “qyteti i një mbi një dritareve” për arkitekturën e tij të ruajtur në mënyrë të përkryer që daton që në periudhën osmane. Ai shtrihet përgjatë lumit Osum, në mes të fushës dhe kodrës ku duken edhe rrënojat e kalasë . Më poshtë është qyteti i vjetër, në anën myslimane, Mangalem, në veri të lumit dhe në jug të lumit (ka dy ura për ta kaluar atë) të krishterët, Gorica. Por, ndarjet mes dy feve janë të papërfillshme, aq shumë saqë në Mangalem Xhamia e Plumbit dhe Katedralja Ortodokse Shën Dhimitri janë shumë afër.

Nga këtu për në Tiranë rreth 100 kilometra dhe natën e fundit mund të kaloni në ”Plaza Hotel”, një hotel luksi me pesë yje në zemër të qytetit.

Turizmi

Kryeministri Edi Rama: “Me Italinë një marrëdhënie miqësie dhe besimi”

Turizmi shqiptar po rritet dhe po arrin në shtatë për qind të PBB-së. Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, vendi ka 3 390 atraksione turistike, duke përfshirë vende historike, kulturore dhe natyrore, këto të fundit janë zgjeruar, si edhe 15 parqe kombëtare, ku e dallon atë nga vendet fqinje, por edhe nga Europa Veriore (p.sh. nga Norvegjia). Vizitorët italianë po rriten në mënyrë të vazhdueshme dhe turizmi italian po vë bast me Shqipërinë.

Eliana Bertozzi, sipërmarrëse e re nga Romagna, u largua nga Rimini dhe u zhvendos në Tiranë për t’u bërë CEO i AlbaniaTravel (www.albaniatravel.com), shoqëri e lindur në vitin 2017 (2018 është sezoni i parë operativ), me 100% në pronësi të Alpitour Spa, ku mund numërohen në të 350 struktura me 3, 4, 5 yje. Ajo ofron pushime detare, kulturore dhe sportive, gjithashtu organizon ngjarje të korporatave dhe merret me fluturimet dhe linjat e trageteve.

Fjalët e saj gjejnë konfirmim në ato të Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, ish-kryebashkiakut të Tiranës, artistit dhe njohësit dhe admiruesit të Italisë. Edi Rama, duke pritur gazetarët italianë, me mirësi, saktësi dhe disa formalitete, tregon planet për të rinovuar fshatrat dhe fermat, por edhe për të inkurajuar investimet në objektet turistike me 4-5 yje dhe për të krijuar aeroportet në Vlorë, në verilindje dhe në qytetin e Sarandës.

Me aeroplan nga Italia

Duke pritur për aeroporte të reja ndërkombëtare, nga ajri nga Italia ne arrijmë vetëm në Tiranë (nga këtu është e këshillueshme të marrësh me qira një makinë, kostot janë të ulëta dhe rrugët shumë të mira).

Linja më e fundit ajrore është Ernest, me kosto të ulët, e themeluar në 2015 në Milano, me dy fluturime nga Malpensa në Tiranë dhe gjashtë fluturime gjatë javës nga Piza në Tiranë.

Dhe lidhjet me Orio al Serio, Bologna, Verona dhe Venecias për në kryeqytetin shqiptar. Ka një raport të mirë për çmim-kualitet me vende të rehatshme dhe me staf të disponueshëm dhe miqësor./ata

Xhafaj pret homologun e Kosovës: Bashkëpunim në sezonin turistik

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj prit sot ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Bejtush Gashin. Ata diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe thellimin e tij.

Dy ministrat kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi për sezonin turistik veror. Protokolli ka qëllim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve për të forcuar bashkëpunimin midis policive të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta në fushën e kontrollit kufitar.

Ai do të kryhet sipas drejtimit të lëvizjes së qytetarëve dhe mjeteve, ku punonjësi i Policisë shqiptare kryen regjistrimin në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë dhe punonjësi i Policisë kosovare kryen regjistrimin në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.

Procedurat e përbashkëta mund të ndryshojnë ndërmjet negociatave dhe me miratim të ndërsjellët. Gjatë zbatimit të këtyre procedurave të kontrollit të përbashkët, do të mbahet lista e përpunimit të automjeteve me procedurë të lehtësuar.
“Besoj fort se midis dy Ministrive dhe dy Policive tona, do të vazhdojë të ketë një bashkëpunim më intensiv në interes të popujve tanë, në interes të të gjithë shqiptarëve, në interes të sigurisë së vendeve tona, të rendit, qetësisë që iu ofrojmë njerëzve tanë, në dy anët e kufirit. Por besoj fort, edhe në interes së sigurisë rajonale është një kontribut i çmuar bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Policisë shqiptare dhe forcave respektive të sigurisë”, tha ministri Xhafaj pas takimit.

“Diskutuam një sërë temash të rëndësishme ndërmjet nesh, që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimin më mirë të kufijve formalë, por edhe të nevojës për të pasur një marrëdhënie më të mirë në tërësi dhe në mënyrë të veçantë në periudha të rëndësishme, siç është sezoni turistik, marrëdhëniet në forcimin e bashkëpunimit shumë të mirë që kemi ndërmjet dy Akademive, dhe një sërë projektesh të përbashkëta. U dakorduam për të pasur një axhendë të përbashkët bashkëpunimi në muajt në vijim”, tha ai.

Xhafaj tha se ministri i Republikës së Kosovës trajtoi me shumë të drejtë një shqetësim që ka të bëjë lidhur me sigurinë rrugore të shtetasve kosovarë gjatë sezonit veror dhe posaçërisht lidhur me patentat, me mënyrën se si trajtohen rastet e menaxhimit të këtyre patentave kur krijohen probleme për shkak të mosrespektimit të rregullave. “Duhet një procedurë e gjatë për t’i kthyer ose për t’ua ridhënë në përdorim patentë-mbajtësve përmes një burokracie shumë të gjatë, që kemi aktualisht”, tha ai.

Unë e mirëkuptoj Ministrin e Republikës së Kosovës në shqetësimin që trajtoi. I bëra me dije faktin se është propozuar nga deputetët e Kuvendit, nga deputeti Ndreu, një amendim i Kodit Rrugor që do ta lehtësonte së tepërmi. Dhe ne shpresojmë se në seancën e fundit të Parlamentit, që është ditën e hënë, të mund të miratohet ky amendament, që do të ishte një kontribut shumë i çmuar në këtë aspekt dhe një lehtësi për të gjithë ata që përdorin rrugët kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Dhe gjithsesi, në çdo rast u angazhuam së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për të marrë disa masa shtesë, jo vetëm për efekt të sigurisë, por edhe për të bërë lëvizjen më të lehtë dhe administrimin e të gjithë procedurave që e shoqërojnë atë me lehtësi shumë më të mira në funksion të sigurisë mbi të gjitha, por dhe në funksion të lëvizjes së lirë të shtetasve në të dy anët e kufirit.

“Në interes të diskutimit ishte sfida me të cilin lidhen të dy shtetet për parandalimin e rreziqeve dhe fenomenit me theks të veçantë të terrorizmit dhe krimit të organizuar. Për parandalimin e këtyre fenomeneve, ne si dy shtete, kemi një bashkëpunim i cili duhet intensifikuar dhe të reagojmë në kohë dhe të ndikojmë që këto fenomene të zvogëlohen”, theksoi nga ana e tij ministri Gashi.

“Bashkëpunimi mes dy Ministrive përkatësisht Agjencive do të intensifikohet dhe shpresojmë se në takimet e radhës do të mund të dalim me rezultate konkrete në fushën e bashkëpunimit ndërshtetëror”, përfundoi ai. /KultPlus.com

Të huajt zbulojnë jugun e Shqipërisë, nga Vlora në Sarandë zor dëgjohet shqipja mes turistësh

Përgjatë vijës bregdetare nga Saranda deri në Vlorë kanë pushuar këtë sezon veror 66,038 të huaj.

Në bregdet, në shëtitore vështirë të dëgjosh të flitet gjuha shqipe. Më shumë se 1000 turistë hyjnë në port.

Jugu i Shqipërisë, një zbulim për të huajt. Në udhëtimin tonë, rrugës drejt Sarandës takojmë dy gjermanë, të cilët pasi kanë parë çdo cep të Europës, kureshtje shfaqin për vendet e Ballkanit.

“Erdhëm në Shqipëri me motorë, sepse e prisnim që do ishte bukur këtu. Rrugët janë spektakolare. Për ne, Shqipëria ishte një vend i largët për të ardhur, ndaj është si një aventurë”, shprehet Johannes Muller.

“Vendosëm të përshkonim gjithë vendet e Ballkanit. E nisëm udhëtimin fillimisht në Greqi dhe më pas erdhëm këtu në Shqipëri, për të vijuar më pas në Maqedoni e në fund do të kthehemi në shtëpi, Gjermani. Vërtet na pëlqeu këtu, rrugët me kthesa janë sfiduese”, tha Raja Arabi, turiste.

Ndërkohë që ka edhe turistë besnikë. Dy vjet më parë, çifti polak Vojtek dhe Anjeska vizituan veriun e Shqipërisë. Me biçikleta këtë herë po eksplorojnë jugun.

“Pse jemi ne sërish në Shqipëri? Sepse njerëzit janë fantastik! Çmimet janë shumë më të lira, krahasuar me Greqinë ku ishim më parë me pushime”, tha Wojciech Siarra, turist polak.

“6 mijë lekë, blemë bukën, 2 domate dhe djathë”, thotë turisti polak.

Të tjerë turistë zgjedhin kampin e Himarës, më të shumtit janë polakë. “Doja të shikoja një vend të ri, ndaj jam këtu. Më pëlqen bregdeti juaj dhe koha me diell”.

Të dashur dhe mikpritës…polakët ngjajnë me ne shqiptarët.

Nilsi është norvegjez dhe një notar shumë i zoti. Kthjelltësia e Jonit është një nga arsyet e ardhjes së tij në Shqipëri.

“Një mik shqiptar po na shoqëron të eksplorojmë jugun. Dje ishim në Gjirokastër dhe në Syrin e Kaltër e tani ja ku jemi. Po e shijoj vërtet qëndrimin në Shqipëri, deti me ujë të pastër dhe perfekt për të notuar, njerëz të këndshëm dhe çmime të lira krahasuar me Norvegjinë”, thotë Nilsi.

Por Nilsi nuk është i vetmi skandinav që preferon të pushojë në jug. Aty gjen edhe pafund europianë. Për turistët, Shqipëria është aventurë. Një vend i vogël që të bën për vete.

“Ne kemi dëgjuar të flitet shumë për Shqipërinë. Për motin, detin, ushqimet dhe çmimet. Në Norvegji, fjalët e mira për Shqipërinë janë përhapur tani”, thotë turisti.

“Ne kemi qenë në vende të ndryshme, verën e shkuar në Kroaci. Por këtë herë lexuam së në Shqipëri supozohej të bëheshin pushime ideale dhe që do ishte shumë bukur. Në fakt, është vërtet. Si dhe është shumë lirë. Gjë e mirë, për ne si studentë që s’kemi shumë lekë”, shprehet një turist polak.

“Njerëzit janë shumë të shoqërueshëm. Nëse I pyet për diçka, çdokush tregohet I gatshëm të ndihmojë dhe duken shumë të lumtur kur na shikojnë”, thotë një tjetër.

“Është mirë këtu në Shqipëri, duket bukur. Më pëlqen gjithçka”, thotë një fëmijë nga Franca.

“Deti ka një ngjyrë shumë të bukur. Jam paksa xheloze sepse Deti ynë Baltik nuk është kaq i kthjellët”, shprehet një turist nga Suedia.

“E duam këtë marrëdhënien mes detit dhe malit këtu. Është vërtet magjepsëse”, shprehet një tjetër./TCh/KultPlus.com

Studimi thotë: 65 % e shqiptarëve nuk kanë para për pushime

Sezoni veror ka hyrë në kulmin e tij, por për shumë shqiptarë pushimet janë një luks, që atë nuk mund t’ia lejojnë vetes.

Sipas një studimi të financuar nga Komisionin Europian, 65 për qind e familjeve shqiptare nuk kanë të ardhura as për të përballuar një javë pushime larg shtëpisë.

Kjo është shifra më e lartë në rajon, me diferencë të madhe nga vendet e tjera fqinje, ku pjesa e familjeve qe nuk përballojnë dot pushime varion nga 38 deri në 47 për qind.

Pushimet në Shqipëri janë një privilegj i pakicës, ndërsa pjesa më e madhe e familjeve duhet të luftojnë për të përmbushur nevojat e mbijetesës. / KultPlus.com

BE mbështetje turizmit kulturor si një nga shtyllat e promovimit të vendit

Turizmi kulturor por edhe ai i aventurës kanë rritur vitet e fundit numrin e turistëve të huaj që zgjedhin të vizitojnë vendin tonë.

Agjencia Kombëtare e Turizmit organizoi ditën e sotme në Tiranë një takim informues me operator turistik mbi projektin e mbështetur nga Bashkimi Europian për projekte investuese dhe promovuese në turizëm.

Konkretisht, Bashkimi Europian financon këtë projekt për pesë vende të Ballkanit Perëndimor, një projekt i cili do të ketë një kohëzgjatje tre vjeçare duke dhuruar grante për turizmin, pra duke e shndërruar në një shtyllë të fortë në ekonominë e vendit por dhe të promovimit të Shqipërisë si një aset me vlerë në sytë e turistëve.

Projekti konsiston në dy shtylla kryesore, në turizmin kulturor dhe në turizmin e aventurës si dy nga polet më të rëndësishme në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e vendit dhe si një nga risitë e viteve të fundit dhe që po tërheq vëmendjen e turistëve të huaj.

Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare zv/ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku u shpreh se ” në takimin e sotëm u prezantua një skemë e granteve nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (RCC) i cili ka të bëj me projekte të bashkëpunimit rajonal në turizëm kryesisht në atë kulturor dhe në turizmin e aventurës si dy nga shtyllat kryesore të cilat kanë një rritje këto vitet e fundit në rajon”.

”Qëllimi është ti nxisë operatorët dhe organizatat të cilat merren me turizmin të bashkohemi për të promovuar rajonin si një destinacion të përbashkët turistik përmes kulturës dhe aventurës”, u shpreh Çeku.

Ai shtoi se ”ky takim i sotëm kishte një interes të madh nga njerëzit të cilët merren me turizëm në Shqipëri dhe ku vitet e fundit po shohim një bashkëpunim të madh të operatorëve turistik në Shqipëri me vendet e rajonit”.

”Turizmi rajonal do të jetë plotësues me përpjekjet tona për ta zhvilluar në Shqipëri i cili do të sjellë impakt në shtrirjen gjithë vjetore të turizmit, shtim të numri të turistëve si dhe një zhvillim ekonomik të vendit. Në këtë mënyrë turizmi na shërben si një kontribues i rëndësishëm i ekonomisë së vendit dhe rritjes së punësimit”, përfundoi zv/ministri Hajrulla Çeku.

Bukurosh Reçi një operator turistik në vend u shpreh se ”kjo nisëm ishte fantastike sepse turizmi kulturor ka një boom të gjerë në gjithë botën dhe veçanërisht në Europë pasi Europa është e pasur shumë me histori dhe trashëgimi kulturore. Nisma e marr nga Bashkimi Europian i shërben Shqipërisë për të krijuar tregun ballanik për turistët e huaj që vizitojnë vende të vogla si Shqipëria për t’i njohur ata me trashëgiminë”. /KultPlus.com

Muzeu Kombëtar “Marubi”, atraksioni më tërheqës për të huajt

Me fillimin e sezonit të verës, turizmi lëviz me hapa shumë më të shpejtë. Kështu, në Shkodër shumë turist nga anë e kënd botës kanë ardhur për të vizituar qytetin dhe për t’u njohur me historinë e tij. Vitet e fundit, forma më e pëlqyer e kësaj njohjeje është nëpërmjet fotografisë.

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”, i vendosur në qendër të Shkodrës aty ku dikur ishte Banka, është kthyer në atraksionin kryesor për turistët e huaj dhe vendas. Nëpërmjet fotografive, ata shohin se Shqipëria nuk ishte vërtetë aq e prapambetur sa thuhet dhe se në të ekzistonte një kulturë e dëshmuar prej asaj fotografike.

Në ndarje të ndryshme të muzeut ka vajtime çka tregon një kulturë gjamash me baza pagane; ka dasma çka tregon një kulturë dashmash; ka pagëzime, meshë dhe falje të namazit.

Martesë, fotografi nga Gegë Marubi. Mungojnë të dhënat për këtë foto.

Funerali i Ferit Frashërit

Gjithashtu ka edhe familje të fisshme, fisshmëria dhe aristokracia e të cilëve shfaqet në gjithë aparencësn, duke nisur me veshjen, mënyrën e rregullimit të flokëve apo të kapeles e duke përfunduar me mënyrën se si i qëndrojnë, plot elegancë.

Lin Luka me grua, ditën e dasmës… Sikruse shihet, burri është në këmbë, ndërsa gruaja, ulur. Diçka e rrallë për kohën…

Edhe fotografitë e objekteve të dikurshme dëshmojnë për një arkitekturë unike të qytetit të Shkodrës, me ndikime të forta nga ajo italiane dhe austro – hungareze.

Katedralja e Shën Shtjefnit “në profil”.

Marubët qenë ato që ndoqën çdo ngjarje historike, prandaj fotografitë e tyre tregojnë pavarësinë, monarkinë, ardhjen e nazizmit, fashizmit, komunizmit dhe manifestimet e tyre.

Festime me rastin e Shpalljes së Pavarësisë, Shkodër.

Leximi i dekretit të shpalljes së Monarkisë në ballkonin e prefekturës së Shkodrës.

Dhe të huajt, në këtë muze, me anë të fotove që mbushin muret e tij njihen shumë mirë me gjithçka duan të dinë e të njohin për Shkodrën dhe Shqipërinë./KultPlus.com

Reagon hoteli në Shqipëri që i tha kosovarit “racë derri, pak ua ka bërë Serbia”

Hoteli në Durrës, stafi i të cilit i kishte ofenduar rëndë një turist kosovar duke i thënë se “kosovarët janë racë derri dhe mirë ua ka bërë Serbia”, ka kërkuar falje publike.

Faqja në Facebook e Hotelit “Ylli i detit”, ka kërkuar falje publike për ofendimin e bërë qytetarëve kosovarë, duke thënë se personi i papërgjegjshëm që e ka bërë atë shkrim ka marrë dënimin e merituar.

“Kërkjomë ndjesë publike për shqetësimin dhe keqkuptimin që i është bërë klientit tonë nga njerëz te papërgjegjshëm të cilët morën ndërshkimin e merituar. Me Rrespekt Ylli DETIT”, thuhet në shkrimin e faqës së tyre në Facebook.

Leutrim B. nga Kosova kishte publikuar dëshmi nga komunikimi që ai ka pasur me stafin e hotelit nga Durrësi, përmes platformës komunikuese Messenger. Në bashkëbisedimin mes tyre bie në sy sjellja vulgare e stafit të hotelit nga Durrësi ndaj qytetarit nga Prishtina.

“Pas një dëshire me kalu vikendin në Shqipëri me familje me ju bashkangjitë shokëve të tjerë që ishin atje, deshta me rezervu një Hotel prej Prishtinës, që mos me u bo telash me gjetë dhomë kur shkoj atje pasi kam qenë edhe me fëmijë të vegjël. E pyes Hotel ‘Ylli i Detit’ , siç shihet edhe në foto, dhe më thotë se ne nuk bëjmë rezervime nga telefoni sepse duhet një kapare. E mirëkuptoj. E rezervoj diku tjetër ku nuk duhet kapare për një rezervim”, shkruan Leutrim B..

“Jeni racë derri, pak jua ka bërë Serbia”, reagimi ndaj një kosovari në Shqipëri

Një rast aspak i këndshëm i ka ndodhur një shtetasi të Kosovës përderisa kishte vendosur ta kalonte fundjavën në bregdetin e Shqipërisë.

Fillimisht, personi në fjalë kishte vendosur që të rezervonte një dhomë në një nga hotelet e Shqipërisë, mirëpo me të pyetur për dhoma të lira, atij i ishte kërkuar paradhënie nga hoteli ku ai po kërkonte të kalonte pushimet, shkruan Lajmi.net.

Në pamundësi për një gjë të tillë, pushuesi nga Kosova kishte refuzuar këtë kërkesë dhe kishte filluar të kërkonte për alternativa të tjera të hoteleve.

Disa ditë pasi që ky person kishte gjetur akomodim në një tjetër hotel ku nuk ishte i detyruar të paguante paradhënie, atij i shkruajnë përsëri nga hoteli ku ai fillimisht kishte kërkuar për dhoma të lira.

“Zotëri do vini? Keni bërë rezervim tek ne? Nëse jo na thoni?”, ishte pyetur ky pushues nga hoteli në fjalë.

E menjëherë pasi kosovari ishte përgjigjur se ka gjetur akomodim në një hotel tjetër, kishin filluar të sharat dhe ofendimet nga personat të cilët nuk dihet a janë pronarë apo nga personeli i këtij hoteli.

“Ju kosovaret jeni rrace derri, pak ua ka bërë Serbi”, ishin disa nga të sharat dhe ofendimet që ky pushues kishte marrë nga personeli i këtij hoteli.

Këtë shqetësim ky turist nga Kosova e ka shpërndarë me miqtë e tij në rrjetin social, Facebook.

E ky nuk është rasti i vetëm kur pushues nga Kosova kanë problem të tilla me akomodimet nëpër hotelet dhe vendet e tjera në Shqipëri.

Edhe gjatë sezoneve të tjera verore pushues nga Kosova dhe nga vendet tjera janë ankuar se ka shumë parregullsi në ofertat që fillimisht ofrojnë këto hotele në Shqipëri, të cilat as për afër nuk i ofrojnë kushtet për të cilat pushuesit paguajnë.

Ankesa ka pasur vazhdimisht edhe për fryerjen e faturave nga bizneset në Shqipëri për pushuesit kosovarë gjatë sezonës së verës.

100 fshatrat, destinacione të mirëfillta turistike

“Në këtë vend nuk mungon dija, por jo pasuria”, kjo është arsyeja për të cilën kryeministri Edi Rama kërkoi ndihmën e botës universitare për të krijuar Akademinë e Fshatrave. Ajo është fryt i një marrëveshjeje me Universitetin për projektin e 100 fshatrave, me qëllimin për t’i shndërruar ata në destinacione të mirëfillta turistike.

“Ne këto 100 fshatra do i kthejmë në destinacione të mirëfillta turistike për t’i dhënë hov një zhvillimi ekonomik dhe social, aty ku deri sot kjo duket e pamundur dhe për të nxjerrë në pah potencialet e mëdha për një qasje të ndryshme ndaj të nesërmes, kudo ku ka mundësi për të zhvilluar një bujqësi apo blegtori intensive janë tërësisht të kufizuar.”

Agroturizmi, thotë kryeministri, do ta kthejë vëmendjen nga fshati dhe do të jetë mekanizmi i daljes nga varfëria.

“Ne besojmë shumë që turizmi dhe në rastin konkret agroturizmi si një mekanizëm i tërheqjes drejt fshatit, falë bukurive të jashtëzakonshme natyrore, vlerave të trashëgimisë kulturore, historisë dhe historive për tu treguar është një instrument efikas dhe i papërdorur deri më sot për daljen nga varfëria.”

Qeveria synon që të tërheqë edhe vëmendjen e emigranteve drejt vendit, për të pasur prej tyre histori të suksesshme të investimeve në fshat./ Tv Klan

The Guardian shkruan për Shqipërinë: Festivali Kala të bën të ndjehesh si në parajsë

“Shqipëria po tërheq turistë të moshave të reja, për të kërcyer në plazhet e saj dhe për të eksploruar përtej brigjeve të panjohura për vizitorët”, shkruan The Guardian në artikullin kushtuar Kala Festival por edhe turizmit në vendin tonë.

Se sa seriozisht ministria shqiptare e Turizmit po e merrte festivalin Kala- ngjarjen e parë ndërkombëtare të këtij lloji në vend– kjo gjë u duk që në momentin kur zbritëm nga varka në Sarandë ku u pritëm nga një grup policësh të cilët shoqëruan konsulentët tanë gjatë rrugës që dredhonte nëpër male.

Kjo dhe ardhja e kryeministrit Edi Rama të nesërmen, për një konferencë shtypi të papritur buzë pishinës me organizatorët në hotelin tonë.

“Shqipëria ka qenë gjithmonë e bukur”, tha ai, ndërsa një kamardare flamingo ngjyrë rozë kalonte përmes pishinës prapa tij. “Por njerëzit e perceptojnë atë si një vend ku të grabisin ose të vrasin … Por stigma na ka ndihmuar. Kur dikush vjen për vizitë dhe kthehet shëndoshë e mirë, ata e kuptojnë se është një parajsë! Është si molla e ndaluar: mos e kafshoni ose do e dëshironi atë gjatë gjithë kohës“.

Sa për opinionin e tij për Kalanë? “Duhet të pranoj, nuk di asgjë për festivalin, por, në parim, është diçka fantastike”, tha ai, duke ofruar një natë me birrë shqiptare falas para se të largohej.
Humor i hollë ballkanik dhe birrë falas për më tepër, Shqipëria nuk është në krye të listës së vendeve më të vizituara të Europës.

Ajo vizitohet nga rreth 80,000 turistë nga Mbretëria e Bashkuar në vit – një numër i vogël krahasuar me 3 milion që udhëtojnë çdo vit në Greqinë fqinje, ose 765,000 që vizitojnë Kroacinë aty afër saj. Por ky trend ka gjasa të ndryshojë. Në vitin 2014, Neë York Times e përfshiu bregdetin shqiptar mes destinacioneve më të mira të saj (“Kjo është Europa në kohën kur çdo gjë ishte e freskët dhe e lirë”, shkruan ajo), ndërsa Lonely Planet e renditi kryeqytetin e saj, Tiranën, mes vendeve më të mira për t’u vizituar në Europë këtë vit.

Kala – një festival një-javor i cili zhvillohet në qershor në resortin turistik të Dhërmiut – mund të konsolidojë reputacionin e Shqipërisë si destinacion i ri me plazhe dhe i përshtatshëm për festa, në të njëjtën mënyrë që Outlook dhe Dimensions e vendosën Kroacinë në hartë për britanikët e rinj. Për momentin, Dhërmiu është pak i vështirë për të shkuar: një fluturim në Korfuz, pastaj katër orë me traget dhe autobus. Megjithatë, me aeroportin e ri që pritet të hapet në Vlorë (vetëm 50 km larg nga Dhërmiu) në vitin 2020, aksesi do të përmirësohet në mënyrë dramatike.

Festivali Kala gjithashtu ka një program dedikuar jetës së shëndetshme.

Kalaja (Kala) u zhvillua muajin e shkuar në pesë vende në Dhërmi, kryesisht me hotele me bare buzë detit. Vetëm 2,000 bileta u vunë në dispozicion, kështu që kishte mjaftueshëm hapësirë në plazh, ujë të pastër si kristal, si dhe restorante të qeta (linguinet me fruta deti tek restorant Luciano ishin më të preferuarat).

Biletat e festivalit përfshinin paketat e akomodimit, nga shtëpizat e plazhit, B & B tek hotelet luksoze, të gjitha brenda rrezes së festivalit. Me një program Wellness (yoga dhe banja me gong përballë detit Jonian) i cili ofrohet paralelisht me eventet muzikore, festivali siguron hapësirë edhe ata që janë të interesuar për pushime të qeta (i ngjashëm me festivalin veror të Kroacisë Obonjan) ndërsa për ata që dëshirojnë të festojnë gjatë gjithë natës (ka muzikë deri në orën 6 të mëngjesit çdo ditë).

Repertori ishte kryesisht muzikë elektronike, përfshirë grupet underground të Londrës – Feelings, Secretsundaze, Phonica dhe Stamp the Ëax – për të formuar një turmë (shumë ndjekës të festivalit ishin nga Mbretëria e Bashkuar), si dhe të preferuarat e Moodymann, Maurice Fulton dhe Tama Sumo dhe Lakuti . Performuesit kryesorë ishin Tom Misch dhe Todd Terje, ndërsa shpirti dembel dhe i rrahur nga dielli i Roy Ayers e bëri turmën të gjithën për vete.

Ekipi që themeloi Kala – Mainstage Travel – është iniciatori i një prej festivaleve më të mëdha të dimrit në Europë, Snoëboxx. Përgatitjet për të lançuar një festival vere, kishin nisur prej tri vitesh. “Ne bëmë kërkime në Portugali, Kroaci, Itali, Spanjë, Maltë, Marok, por nuk gjetëm asnjë vend të paeksploruar”, shprehet Alan Crofton, drejtori i festivalit. “Në tetor të vitit të kaluar, ne vizituam Dhërmiun për herë të parë dhe menjëherë na tërhoqi potenciali i tij. Ideja është se je me pushime, ndaj vjen dhe çlodhesh në plazh … “

Shumica e njerëzve më të cilët fola, e konfirmuan një gjë të tillë. “Gjëja më e mirë do të ishte të shkonim diku ku nuk kemi qenë kurrë më parë”, tha Rebecca, 27 vjeç, nga Londra.

“Doja të shkoja në një festival jashtë vendit. E zbulova në Resident Advisor dhe fotot dukeshin të mahnitshme. “
Teksa shumë prej nesh qëndruan për një javë të plotë, ministria e Turizmit i inkurajonte të ftuarit që të eksploronin vende të tjera të rivierës shqiptare.

Këto ishin Gjiri i Gramës, i quajtur ndryshe simotra shqiptare e plazhit të Aleks Garlandit – një gji i veçuar i aksesueshëm vetëm me anije, me ujin blu që të lë pa frymë dhe me qindra mbishkrime nëpër shkëmbinj që datojnë qysh në shekullin e 3 para Krishtit; Burimi i Syrit të Kaltër, një pishinë 45 metra e thellë e rrethuar me pemë lajthie; dhe plazhi i Ksamilit, një fshat bregdetar nga i cili mund të eksplorohen me barkë katër ishuj të pabanuar.

Për mua, pjesa më mbresëlënëse nga Kalaja ishte pikëtakimi në Gjipe, plazhi dhe vendkampingu ekologjik në gjirin më tutje, një udhëtim me gomone që zgjati gjashtë minuta nga Dhërmiu. Vetëm përtej plazhit, i rrethuar nga bimësi e harlisur dhe shkëmbinj të thepisur në ngjyrë të kuqe, ndodhej një skenë e vogël dhe sistem audio, ku mundëm të kërcenim deri në perëndim të diellit dhe erdhi koha për t’u kthyer me barkë.

DJ-të duke përfshirë Bjørn Torske, Nick The Record dhe Jenifa Mayanja, luajtën me radhë për një turmë me fytyra të buzëqeshura dhe të përkëdhelura nga dielli … muzika që përplasej me grykën, ndryshonte ngjyrë çdo orë nën sfondin e një drite që zbehej. Një shëtitje në kanion, na çoi tek një ujëvarë e fshehtë – një gjurmë sekretesh të tjera që kjo pjesë e bregdetit mund të nxjerrë.

Kryeministri nuk po bënte shaka kur thoshte se ky vend është një parajsë.

Doli se nuk po bënte shaka edhe për birrën falas. Vetëm dy ditë përpara përfundimit të festivalit, unë u ndesha me Crofton, i cili qeshte vesh më vesh. “Sapo mora një mesazh nga kryeministri,” tha ai. “Na ka nisur një paletë me birra … Mendoj se të gjithë në festival, do të kenë një birrë falas.”/KultPlus.com

Vij nga Amerika në Shqipëri, e lahem me orar

Nga Agim Xhafka

Çdo vit unë vij në Shqipëri. E marr parasysh udhëtimin e gjatë nga Amerika, lodhjen e shpenzimet, se dua të gjendem mes njerëzve të mi të gjakut, shokëve dhe miqve.

Shkoj te varrezat, te prindërit, bisedoj gjatë me ta, besoj që më dëgjojnë, rri me gocën, nipin, mbesën, të afërm e plot të njohur e ia mbath ca ditë nga Vlora deri në Sarandë. Ca ditë se më tepër nuk ia vlen. Stresohesh, acarohesh, grindesh, sëmuresh, tërbohesh e mund të shkosh në djall.

Unë nuk jam si ca të fandaksur që duan partinë mbi Shqipërinë. Këtë as e them, as e mendoj. Por, veten e dua, e dua shumë, edhe më tepër se Shqipërinë. Se një jetë kam që do e falja për njerëzit e mi, por për atdheun e sotëm kurrë.
Kjo Shqipëri nuk është e imja, ma kanë vjedhur e më kërkojnë haraç ata që pandehin se janë pronarë të saj. As 800 mijë banorë nuk ka Tirana e unë lahem me orar, se për të pirë ka vite e vite që ujin e blej. Krahasoj ajrin me të vendeve pranë, jo atyre të zhvilluara, e del që është 4 herë mbi normat e lejuara. Shoh grafikët e zhurmave dhe shigjeta në Shqipëri po i drejtohet hënës. Kryeqyteti ynë si një kapanon i madh, ku prodhon sëmundje e tret njerëz.

Plazhet pa drita, ose me voltazh që frigoriferi nuk ngrin gjë e kondicioneri vërtit ajrin e nxehtë. Derdhen në bregdet mutrat e gjysmës së kombit. Ia kanë mbathur edhe peshqit, e shumta gjen në breg ndonjë breshkë të ngordhur. Rrugët copë e gropë, bajpaset u transformuan në qendra fshatrash e qytetesh, ku ka veç qenë se njerëzit kanë marrë arratinë. Shyqyr diellit nuk i kanë menduar ndonjë rreng hë për hë.

Në këto kushte unë, i përmalluar për vendin, por i gjendur në grackën e tij, i thërras mendjes e iki me vrap kudo, veç Shqipëri mos quhet. Shkoj në Itali e pushoj si njeri, vete në Greqi e ndjej që zemra më zbutet, shpirti më qetohet. Shkoj në Mal te Zi e gjej rehati, arrij në Maqedoni e nxehem që as si ky vend nuk u bë Shqipëria ime.

Unë e dua veten, e dua shumë. Nuk më shkon ta them që e dua më shumë se vendin tim. Por kështu më del, se Shqipëria e ca njerëzve nuk i do shqiptarët. Na përbuz e na largon, nuk na ofron gjë. Ndaj unë iki e si Bajroni i këndoj këtij largimi, nxjerr dufin, trishtimin, inatin, por nuk qëndroj. Iki. / KultPlus.com

Turistët: Shkodra është një mrekulli

Një e diel në Shkodër, për të vizituar disa nga vendet më historike të Kryeqendrës së veriut. Turistët që zgjedhin të vijnë janë të predispozuar të vizitojnë një variacion të gjerë zonash, ndërsa nuk mungojnë vizita nga vende si Finlanda e deri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo që bie më shumë në sy është dashuria e tyre për ushqimin në Shkodër, restorantet, kafenetë dhe padiskutim
edhe për motin. Kjo të paktën për këta turistë finlandez, të cilët dashurojnë diellin e Shkodrës.

Një pjesë tjetër vijnë nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa vrapi deri në zonën turistike të Shirokës është një ndër destinacionet e para që ka zgjedhur për të eksploruar në Shkodër.

Kalaja e Rozafës,muzetë e ndryshme të qytetit të Shkodrës dhe zonat muzelae si pedonalja janë pikat më strategjike.

Ndërsa peshku dhe pjatat tradicionale të Shkodrës janë ato që tërheqin më shumë vëmendjen në kulinari.

Pjesa më e madhe e turistëve e kanë Shkodrën si një qytet një apo dy ditor në kalim, ndërsa vijojnë më tej me turin e tyre në vende të tjera të Ballkanit. / KultPlus.com

21 milion shtetas të huaj kanë vizituar Shqipërinë nga 2013-2017

Rreth 21 milion shtetas të huaj kanë vizituar Shqipërinë nga viti 2013 deri në vitin 2017, duke shënuar një rritje mesatare prej 12% në vit.

Zëvendësministri i Turizmit, Hajrulla Çeku pjesëmarrës në llogaridhënien publike të qeverisë në Durrës, bëri me dije se shpenzimet e turistëve të huaj janë rritur për vitin 2017 me 8.5% duke kaluar mesatarisht 4.2 netë qëndrimi në vendin tonë.

“Për vitet 2013-2017 afërsisht 21 milionë shtetas të huaj erdhën në Shqipëri, duke shënuar një rritje mesatare prej 12% në vit. Shpenzimet e turistëve të huaj janë rritur me 8.5% për vitin 2017, ku këta vizitorë kanë kaluar mesatarisht 4.2 netë qëndrimi në Shqipëri, duke shpenzuar 63 euro në ditë. Rreth 1.7 miliardë euro ishte kontributi i turizmit në Shqipëri për vitin 2017, mbi 200 milionë euro më shumë se një vit më parë.
Numri i vizitorëve në monumente nga 320 mijë në 2013, arriti 660 mijë në vitin 2017”, – theksoi ai./ KultPlus.com

“Shqipëria do të ketë më shumë turistë se shtretër”

Lushnja mund të shndërrohet në një pikë të ndërmjetme turistike për sa i përket agroturizmit, agropërpunimit dhe ofertave alternative turistike përveç bregdetit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi vijoi turin e llogaridhënies me publikun në qytetin e Lushnjes.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit tha se për herë të parë këtë sezon turistik, Shqipëria do të ketë më shumë turistë sesa shtretër, ndaj duhet shtuar oferta turistike, duhet rritur shërbimi për të përballuar prurjet e turistëve të huaj. “Nëse nuk kuptojmë që duhet t’i shërbejmë turizmit si industri nuk do të ecim përpara”- u shpreh ministri.

Ministri Klosi theksoi se qëllimi i dikasterit të tij është shndërrimi i Shqipërisë në një destinacion europian turistik dhe gjetja e një ekuilibri midis zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe mbrojtjes së qëndrueshme të Mjedisit. Për këtë janë ndërmarrë shumë masa për të ndryshuar situatën mjedisore. “Në asnjë rast nuk jemi kundër biznesit por në çdo rast jemi në raport të drejtë me interesin e qytetarëve”, theksoi kreu i mjedisit duke iu referuar mbylljes së guroreve me malin e Tomorit dhe Urën Vajgurore.

Në bashkëbisedimin me qytetarët, ministri Klosi kërkoi që për çdo shqetësim qytetarët të shkruajnë në platformën e bashkëqeverisjes./ KultPlus.com

Gazetarja e njohur italiane, e mahnitur me Shqipërinë: “Dua të jetoj këtu, ju i keni të gjitha”

Gloria Aura Bortolini është gazetare italiane. Ajo ka një emision të sajin në kanalin televiziv RAI 3 në Itali ku drejton një program me titull “Kilimanxharo”. Fokusi i këtij programi janë udhëtimet.

Në fillim të këtij viti, Bortolini e klasifikoi Shqipërinë në vendin e parë, si një destinacion që duhet të vizitohet për vitin 2018. Në reportazhin e publikuar në RAi 3, u renditën disa statistika ku tregojnë vendet ku italianët kanë regjistruar më shumë prenotime.

Tre muaj më vonë, pas këtij lajmi që bëri xhiron e portaleve shqiptare, Bortolini ka ardhur në Shqipëri për të parë nga afër këtë vend dhe ka dhënë një intervistë për gazetaren e DITA-s, Entela Resuli.

“Kjo është hera e parë që vij në Shqipëri. Nuk kisha krijuar një perceptim pozitiv për këtë vend, duke patur parasysh se nuk ka një “nam” të mirë dhe kisha nguruar ta vizitoja. Vitin e kaluar ishin prindërit e mi ata që erdhën për disa ditë këtu dhe kur u kthyen në Itali, me thanë: Gloria, ishte super vend. Duhet të shkosh!

Pas reportazhit në programin “Kilimanxharo” në RAI 3, ku Shqipëria u rendit si destinacioni numër NJË që duhet patjetër të vizitohet gjatë vitit 2018, ishte Zamo, Presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting i cili gjithashtu më sugjeroi që të vija dhe të shihja nga afër bukurit e këtij vendi. Përfitova nga momenti që kisha katër ditë pushim në këtë periudhë dhe erdha”, tregon Gloria.

“Në Itali është ai perceptimi që Shqipëria është një vend i varfër, i rrezikshëm, me rrugë të vështira, por kur vjen këtu përballesh me një befasi pozitive. Çdo gjë është ndryshe dhe nuk ka asgjë të ngjashme më atë që ke dëgjuar”, shprehet Gloria, e cila ka udhëtuar jo pak në karrierën e saj.

“Jam ndier shumë mirë këtu. Një gjë tjetër që e konsideroi si vlerë në vendin tuaj është mikpritja. Mund të shkosh në vendin më të bukur të botës, por po nuk të trajtuan mirë, po nuk të mikpritën atëherë, nuk ka se si të lërë shije të mirë vizita. Ju të hapni dyert dhe zemrën, ndaj këtu çdo gjë duket e bukur dhe e dashur. Unë do të largohem sot (dje) pasdite dhe mezi pres të kthehem sërish në tetor…”

-Dhe pas disa ditësh qëndrimi në Shqipëri, ke vizituar, Tiranën, Vlorën, Beratin…ke diçka për të na thënë?

“Keni një super vend, më besoni! Ndërsa ne italianët, Shqipërinë e kemi shumë afër shtëpisë dhe duhet ta frekuentojmë më tepër. Më pëlqen bashkëjetesa mes religjioneve dhe ajo mes historisë dhe modernitetit. Është vlerë që në një territor kaq të vogël i keni të gjitha, detin dhe malin, ndryshimet klimaterike dhe shumëllojshmërinë e kulinarisë. Gatuani në mënyrë fantastike prodhimet e detit dhe keni marrëdhënie shumë të mirë me mishin”.

-Gloria, një ndalesë e keni patur edhe në qytetin e Vlorës, çfarë pe në atë qytet?

“Vlora ishte fantastike. Është bukur të shohësh se si ndryshon një vend pasi Vlora është shembulli i një transformimi të shpejt dhe modeli i një qyteti të jetueshëm.

Rikonstruktimi i qendrës historike, krijimi i hapësirave pedonale i japin një vlerë të rëndësishme qytetit, gjë kjo që po humbet në vendet e tjera ku ka një zhvillim të adaptuar nga një model amerikan, ku çdo gjë është e përqendruar të qendrat tregtare dhe qendrat historike janë duke “vdekur”.

Ndërsa në vendin tuaj shoh një model ndryshe në kulturë dhe në stil jete, afërsisht si ai italian. Shqipëria është një vend i veçantë dhe i tillë duhet të mbes, nëse do të tentoni të konkurroni vendet me turizëm luksoz, ndoshta do të gaboni. Përqendrohuni te vlerat tuaja, historike dhe kulturore, te bukurit natyrore dhe keni për të qenë destinacion shumë i lakmuar për turistët në të ardhmen”.

-Për t’u kthyer te Vlora…?

“Po, vizitova qytetin, ishullin e Sazanit, Karaburunit…Në një moment i thashë vetes: dua të jetoj këtu! Kryetari i Bashkisë së Vlorës ishte një njeri i cili ishte i dashuruar me qytetin e tij dhe po bënte diçka që po e ndryshonte atë vend. Faktet e tregonin këtë, Vlora kishte ndryshuar”.

-Megjithatë, na thuaj diçka që nuk të ka pëlqyer, se nuk besoj se jemi kaq perfektë?

“Nuk ka diçka që nuk më pëlqeu. Shpresoj shumë që të përfitoni nga mundësitë që keni si vend. Për shembull, pashë që kalaja e Beratit ishte bosh, pa aktivitete. Aty mund të organizohen projekte të ndryshme të cilat e ndihmojnë këtë qytet në thithjen e turistëve. Që të huajt mos të vijnë të shohin vetëm kalanë, por edhe të vizitojnë një galeri, të shohin një film, të ketë më shumë art, festivale dhe aktivitete. Një event mund të kthehet në një justifikim që të shkosh në një vend dhe ta njohësh më tepër atë”.

-Ke vizituar tre qytete, tani jemi në Tiranë, çfarë të pëlqeu më shumë nga ky qytet?

“Tirana më duket një qytet i pastër, i ri… Më duket sikur jam në Zvicër dhe jo në kryeqytetin shqiptar. Më pëlqen shumë këtu. Ka gjallëri si qytet…”

Po në Vlorë?

“Në Vlorë më pëlqeu shumë Lungomare. Qyteti kishte pësuar një ndryshim shumë të madh me ndërtimin e saj dhe kryebashkiaku Dritan Leli ishte shumë entuziast për këtë fillim sezoni veror. Ndërkohë Sazani dhe Karaburuni ishin fantastikë…”

Në Berat?

“Kanionet. Kur u futa për të bërë rafting m’u duk sikur u largova në një botë tjetër. Kishte një natyrë të pabesueshme dhe përjetova një aventurë të bukur. Më pas Berati vetë është i magjishëm. Rrugicat me kalldrëm, shtëpitë e bardha, historia e atij qyteti…“

-Pjata më e mirë që konsumove?

“Mes mishit dhe peshkut, unë preferoj peshkun dhe në Vlorë konsumova një drekë shumë të mirë. Habitem se sa mirë i gatuani pastat, jeni shumë të mirë në këtë pikë”.

– Kemi mësuar nga ju…

“Dhe e keni bërë në mënyrë të përkryer”.

-Kur vjen si turiste dhe rri pak ditë, çdo gjë e bukur të duket, por nëse vendos të jetosh këtu, atëherë jeta nuk është kaq me ngjyra sa e përshkruani ju..

“E di, por kjo është normale. Edhe Italia kështu mund t’i duket shumë turistëve, por edhe atje ka shumë probleme. Nuk po them që këtu është parajsë, por është një vend me mundësi, sidomos përsa i përket turizmit. Jeni ende në tranzicion dhe nëse ndryshon diçka në këtë vend, bie në sy. Ju duhet të shfrytëzoni mundësitë që ju jep terreni i vendit tuaj, natyra dhe pasuritë e mëdha që keni… Mos shkatërroni, por ndërtoni”./ KultPlus.com

Kroçera gjermane zgjedh Vlorën, 400 turistë zbulojnë Shqipërinë (FOTO)

Edhe pse sezoni turistik ende nuk ka nisur zyrtarisht, Shqipëria me bukurinë dhe historinë e saj ka bërë për vete turistët e huaj, të cilët kanë zgjedhur të zbulojnë më shumë rreth saj.

Ditët e fundit në portin e Vlorës, u ankorua kroçera “BERLIN” me rreth 400 turistë gjermanë të ardhur nga Porti i Kotorrit, Mali i Zi.

Turistët vizituan qytetet turistike të Shqipërisë si Vlora (Llogara), Apolonia e Fierit dhe Beratin.
Kjo është kroçera e parë që ka mbërritur për këtë vit në portin e Vlorës. Më pas udhëtimi i turistëve gjermanë vazhdoi drejt Korfuzit.

Porti i Vlorës është kthyer tashmë në një pikë të rëndësishme të itinerarit të anijeve turistike që përshkojnë Mesdheun.Bashkëpunimi i frytshëm mes “Portit Detar” Vlorë sh.a, dhe kompanive turistike vendase e të huaja ka rritur në mënyrë të ndjeshme numrin e turistëve që mbërrijnë në portin e Vlorës.


Kjo është hera e dytë që Krocera “Berlin” viziton Poritn e Vlorës./ATSH

Ulza Eco Park, destinacion tërheqës i turizmit gjithëvjetor

Ulza Eco Park, një destinacion i ri tërheqës, autentik, mikpritës dhe interesant i turizmit rural e atij gjithëvjetor i shtohet destinacioneve kombëtare të turizmit.

Një zonë ku ndërthuren bukuritë natyrore me trashëgiminë materiale shpirtërore, Ulza Eko Park krijon kushtet e nevojshme për zhvillimin e ekoturizmit, turizmit rural, eksplorues, e atij gjithëvjetor.

Në njësinë Administrative Ulëz u organizua sot një aktivitet i veçantë promovimi, që synon nxitjen e zhvillimit të turizmit qëndrueshëm, duke u ofruar turistëve shqiptarë dhe atyre të huaj një burim tjetër turistik.

Në një prononcim për ATSH-në, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu ndalet te resurset natyrore të kësaj zone, e cila sot po promovohet si destinacion i mirëfilltë turistik.


Sipas Prefektit Shehu, Ulza Eko Park përfshin një park me liqene dhe male, një rajon mjaft atraktiv turistik që shtrihet nga Shkopeti deri në Ulëz.

“Në kuadër të projektit të Rilindjes Urbane, qeveria shqiptare ka investuar tashmë në infrastrukturën rrugore të qytezës së vogël së Ulzës, ku është drejt përfundimit segmenti prej 3 km, ndërsa pritet shtimi i investimeve në këtë zonë”, tha Prefekti Shehu.

Bashkia Mat, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), Agjencinë për Zhvillimin e Rajonit 2 (AZHR2), Fondacionin CNVP (Bashkojmë Vlerat e Natyrës me Njerëzit) dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit organizuan sot eventin hapës të ”Ulza Eco Park”, si destinacioni më i ri kombëtar i turizmit në Shqipëri.

Vizitorë nga Bjellorusia në Malin e Tomorrit (FOTO)

Vizitorët e sotëm që janë bërë kureshtarë të shohin nga afër Malin e Tomorrit, apo siç njihet ‘mali enigmatik’, kanë ardhur nga Bjellorusia.

“Informacionin për turizmin shqiptar e kemi marrë nëpërmjet internetit, faqes zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe postimeve periodike të bërë nga ATSH”, shprehen vizitorët.

Ata vijnë nga një vend ku malet pothuajse nuk ekzistojnë. Një vend i ftohtë, në një sipërfaqe pothuajse të sheshtë, ata janë kureshtarë të shikojnë dhe të ngjisin male të thepisur.

Të shoqëruar nga miq të tyre shqiptarë dhe nga udhërrëfyes të Administratës së Parkut Kombëtar të Tomorrit, ata panë nga afër magjinë dhe emocionin që të shkakton prania e një masivi të tillë shkëmbor.

Në Shtëpinë e Pritjes së Vizitorëve që ndodhet në fshatin Dardhë, ata u njohën nga specialistët me florën dhe faunën vendase, me traditat dhe zakonet si dhe me rrëfenjat enigmatike rreth malit.

Të shoqëruar nga udhërrëfyes ata u drejtuan drejt shpateve të thepisura të Tomorrit./ATA/ KultPlus.com