Media italiane: 10 arsyet përse këtë verë turistët duhet të zgjedhin Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e së mërkurës një shkrim të medias italiane ku flet për Shqipërinë dhe rendit 10 arsyet pse duhet ta vizitoni këtë verë.

Kreu i qeverisë shkruan në Facebook : Dhe me këtë artikull të mediave italiane për 10 arsyet më të mira se përse këtë verë turistët duhet të zgjedhin Shqipërinë, ju uroj një ditë të mbarë.

Blogu i udhëtimeve “The Balkanista” shkruan një letër të hapur për të gjithë fansat, ku shpjegon 10 arsye përse duhet të vizitojnë Shqipërinë këtë verë. Shkrimtare, udhëtare, një blogere udhëtimesh angleze, autorja e “The Balkanista” jeton prej vitesh në Tiranë.

Pasi kishte vizituar bregdetin e Shqipërisë për pushime, ajo nuk u largua më.Në një letër të hapur për të gjithë fansat e saj, ajo shpjegon përse duhet vajtur me pushime në Shqipëri, pikërisht këtë verë.

“Shqipëria nuk është në krye të listës së destinacioneve për pushime. Kur erdha këtu për herë të parë, edhe unë u ndjeva në faj sepse kisha lënë destinacione të tjera. Por, tani mund t’ju them se duhet patjetër të merrni në konsideratë këtë vend për pushimet verore të radhës”, shkruan blogerja.

Më poshtë vijojnë 10 arsye përse duhet të vizitohet Shqipëria:

-Ndryshe nga destinacionet e zakonshme

Pas disa vitesh, Shqipëria, ashtu sikurse ka ndodhur për destinacione të tjera të Mesdheut, pritet të mbushet nga hordhi me të rinj të dehur, në kërkim të argëtimit me kosto të ulët. Por, për momentin, turistët janë ende pak, nuk ekzistojnë radhët për të vizituar pikat turistike dhe nuk duhet të shtyhesh për të zënë një cep plazhi, ku të shtrosh peshqirin. Madje as në kulmin e verës.

-Ka shumë për të mësuar

Shqipëria ka disa prej vendeve historike dhe zonave të UNESCO-s të paimagjinueshme. Ka nga të gjitha, rrënoja romake, kështjella mesjetare, bunkerë sovjetikë dhe mbetje osmane. Vetëm qyteti antik i Butrintit, në jug të vendit, do të mjaftonte për të ndërmarrë këtë udhëtim, ashtu si Berati dhe Shkodra, në kufij me Greqinë dhe shumë vende të tjera edhe më të bukura.

-Plazhet më të bukura të Europës

“Të dashura Itali, Kroaci dhe Greqi! Më vjen keq t’ua them, por Riviera e Shqipërisë e tejkalon çdo breg tuajin”, shkruan blogerja duke këshilluar që të vizitohen patjetër Ksamili, Saranda, Himara dhe Dhërmiu për të admiruar ujërat e tyre të kristalta, plazhet e bardha dhe panorama malore që i rrethon. Bregdeti shqiptar është i egër dhe i mrekullueshëm dhe nuk ka asgjë të ngjashme në gjithë Europën, sipas asaj.

-Liqene dhe ujëvara

Brendësia e Shqipërisë është plot liqene dhe ujëvara shumë të bukura. Liqeni i Komanit, Liqeni i Shkodrës, Liqeni i Butrintit dhe Liqeni i Ohrit vlejnë të vizitohen për shkak të ujërave të tyre të kristalta dhe të peizazhit fantastik që i rrethon. Disa burime si Syri i Kaltër dhe ato pranë fshatit Theth janë perfekte për të notuar dhe për të adhuruar ujëvarat.

-Klimë perfekte

Shqipëria gëzon një klimë tipike mesdhetare, me verë të gjatë dhe të ngrohtë dhe stinët e tjera janë gjithnjë të këndshme. Gjatë vitit

nuk bie asnjëherë nën 20 gradë Celcius, ndërsa nga maji temperaturat rriten në rreth 22 gradë Celcius duke arritur kulmin me 35 gradë Celcius në korrik dhe gusht. Përveç verës, çdo çast është perfekt për të udhëtuar në Shqipëri.

-Njerëz miqësorë

Shqiptarët, kundër paragjykimeve, janë njerëz të përzemërt, miqësorë dhe kureshtarë. Blogerja tregon se nuk ishte ndjerë kurrë e rrezikuar. Duhet vetëm të përgatitesh pasi do të pyetesh qindra herë për arsyen se përse zgjodhe të shkosh në Shqipëri.

-Ushqim i shkëlqyer

Përgjatë bregdetit peshku është i shkëlqyer dhe kushton shumë pak. Kuzhina ka patur një ndikim të madh nga ajo italiane. Sa më shumë që futesh në thellësi të vendit, aq më shumë gjen ushqime me bazë mishin, gjithmonë shumë i freskët. Këtu, ushqimet e ngrira nuk merren pothuajse kurrë në konsideratë. Duhet të provosh disa ushqime lokale si tavë kosi me mish qingji, oriz, vezë dhe kos, patëllxhanë të mbushur me salsiçet lokale.

-Gjuha është shumë e bukur

Shqipja është një nga gjuhët më të vjetra dhe plotësisht ndryshe nga gjuhët e tjera europiane. Ajo nuk është e thjeshtë. Sidoqoftë, nëse bën pushime në Shqipëri duhet të dish disa fjalë, aq më tepër kur mendon se shqiptarëve u pëlqen kur të huajt përpiqen të flasin shqip me ta.

-Një vend mysliman tolerant

Shqipëria është një vend mysliman, megjithatë nuk ia vlen të marrësh masa si në disa vende të Lindjes së Mesme apo të Afrikës Veriore. Disa gra mund ta kenë fytyrën të mbuluar, por nuk të duhet asnjë kod veshjeje për të ecur rrugëve. Vetëm nëse vizitohet një xhami. Edhe pijet alkoolike janë në masë ashtu si mishi i derrit.

-Pikënisje për udhëtime të tjera

Shqipëria është një bazë e mirë për këdo që dëshiron të vizitojë vende të tjera pranë saj, vende që janë një apo dy orë larg. Nga qyteti i Pogradecit mund të kalosh në Maqedoni, nga Shkodra kalon për në Malin e Z i dhe Kroaci, nga jugu futesh në Greqi dhe Korfuz, ndërkohë që nga kufiri verilindor shkon në Kosovë dhe Serbi. Italia është vetëm një orë fluturim nga Milano, Bolonja, Venecia, Roma dhe Piza, apo dy orë me traget që niset nga Ankona, Brindizi dhe Bari (që këtej vetëm në verë) dhe mbërrin në Durrës./tvklan.al/ KultPlus.com

Turizmi kulturor rritet me 91%, Muzetë, më të preferuarit

Fillimi i vitit 2018 paraqitet shumë premtues sa i përket turizmit kulturor.
Sipas të dhënave të publikuar nga Ministria e Kulturës, numri i vizitorëve në dy muajt e parë të vitit, në muze, kala dhe parqe është rritur me 91 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Dita e mbare duket qe ne mëngjes. Shume premtues 2018 për turizmin kulturor në Shqipëri që në dy muajt e parë të vitit”, shkruan ministrja Mirela Kumbaro në Tëitter.

Destinacioni kulturor më i preferuar nga vizitorët janë muzetë, ndryshe nga një vit më parë ku dominonin parqet arkeologjike. Kështu në dy muajt e parë të vitit muzetë kanë patur 14,154 vizitorë, nga 5,960 të periudhës Janar – Shkurt 2017, shkruan “Scan”.

Edhe numri i personave që kanë vizituar kalatë është rritur krahasuar me vitin e shkuar. Kalatë kanë patur në këto dy muaj 7,122 vizitorë, nga 4,581 vizitorë të të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Shtim të vizitorëve ka patur edhe në parqe, ku numërohen 5,616 persona nga 3,534 në Janar – Shkurt 2017.

Agjencia britanike e Guidave të Turizmit zgjedh Shqipërinë destinacion për muajin mars

Arkeologët dhe artdashësit, udhëtarët dhe historianët, shijuesit e verës dhe vëzhguesit e zogjve: të gjithë do të marrin me vete kujtime të pashlyeshme nga një udhëtim në Shqipëri.

Kështu e ka hapur artikullin e saj për Shqipërinë, Agjencia Britanike e Guidave të Turizmit, e cila e shikon Shqipërinë si një destinacion të rëndësishëm për të bërë turizëm elitar, transmeton kp.

Artikulli flet për vende të cilat turistët e huaj mund të vizitojnë, duke filluar që nga malet e larta që sipas tyre janë streha e fundit për disa specie, vendndodhjen perfekte gjeografike të Shqipërisë për vëzhgimin e zogjve të ndryshëm, si dhe një sërë vendesh të tjera me rëndësi historike.

Në këtë artikull përmendet gjithashtu pasuria e lartë që ka Shqipëria në turizmin kulturor dhe historik, diçka e cila nuk duhet t’i shpëtojë syrit të një turisti, gjithashtu një vend të veçantë zinte dhe kuzhina vendase, ku shkruhet se, “ushqim shumë i mirë peshku dhe vera lokale i japin kënaqësi atyre të dhënë pas gastronomisë”./ KultPlus.com

Shkodra surprizon më turizëm

Mbi 560 mijë turistë kanë vizituar këtë vit qytetin e Shkodrës.

Të dhënat janë publikuar nga Administrata e zonave të Mbrojtura që menaxhon territorin natyror të këtij qarku.

Drejtori i kësaj administrate, Agim Dardha, deklaron se “rreth 560 mijë e 500 turistë kanë vizituar qendrat e turizmit natyror, historik dhe të aventurës për këtë vit”.

“Janë gati 35% më shumë vizitorë se vitin e shkuar”, thotë për ATSH Drejtori i AdZM-së për qarkun Shkodër, Agim Dardha.

Shkodra vërtetë është një qytet që të emocionon falës historisë, bëmave të tij në shekuj, kulturës, emrave të përveçëm që lanë gjurmët e tyre në historinë e qytetit, pozita gjeografike, etj.

Ai ndodhej në rrugëkalimin e tre kulturave të fuqishme, asaj perëndimore me forcë gravitacionale Venedikun, sllavët në veri me perandorinë e tyre shkatërruese për popujt e Ballkanit dhe ajo bizantine e konvertuar më vonë në atë Osmane që sundoi deri vonë. Edhe sot i ndesh këto kultura në qytetarinë shkodrane.

I sheh ato në arkitekturë, i gjen në etnografi, në kulturën popullore,në zhargonin gjuhësor, mbetje fjalësh nga gjuhë të vjetra pushtuesish, të copëtuara rrugëve të pushtimit të kahershëm. Mbase kjo është një tjetër veçori intriguese e këtij qyteti. Por, Shkodra rrethohet nga një peizazh natyror tepër atraktiv për t’u vizituar.

Shkodra është qendra administrative dhe ekonomike e veriut të vendit dhe si e tillë ajo ofron edhe mundësitë më të mëdha për turizmin sezonal apo gjithëvjetor. I vetmi qytet në Shqipëri që ka “rreth veti” detin, liqenin, lumin, natyrën e egër, turizmin bregdetar, liqenor, historik e kulturor. Mund të gjesh gjithçka në këtë vend, që pa u futur në të në plazhin e Velipojës, veriu i detit Adriatik, në liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës, kalanë e famshme të Rozafës, Thethin – perlë e Alpeve shqiptare dhe shumë vende të tjera.

Po të ndjekësh rrjedhën e Bunës në të dy krahët e saj gjelbërimi i verës është përflakur nga e kuqërremta vjeshtore, që të shoqërojnë deri në derdhjen e saj në detin Adriatik./ KultPlus.com

Shkodra, destinacion turizmi në veriperëndim të Shqipërisë

Shkodra është kryeqendra nga mund të nisë udhëtimi për të vizituar veriperëndimin e Shqipërisë. Brenda qytetit ka disa vende historike për tu vizituar që nga kalaja e lashtë, muze, kisha, shtëpi historike, monumente kulti, institucione të kulturës etj. Ndërsa në natyrë mund të shkoni në Shirokë, Velipojë, Franc Josef, Lezhë, Shëngjin, Kune Vain.

Ky tur ju njeh me zonën veriperëndimore të Shqipërisë, ku qyteti kryesor është Shkodra, i njohur si “kryeqendra e veriut”. Shkodra është një prej qyteteve më të vjetra të Shqipërisë. Një nga pikat kryesore të qytetit është kalaja e Rozafës, e cila ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Këtu mund të vizitoni Muzeun Historik, Fototekën Marubi si dhe lagjet me arkitekturë veneciane të Gjuhadolit dhe Serreqit. Pranë qytetit shtrihet liqeni i Shkodrës, (liqeni më i madh i gadishullit ballkanik), me pikat e Shirokës dhe Zogajt. Shkodra mund të shërbejë si bazë për të vizituar objekte të tilla natyrore si ishullin e Franc Jozefit në grykëderdhjen e Bunës si dhe plazhin ranor të Velipojës.

Disa kilometra në jug të Shkodrës ndodhet qyteti i Lezhës. Objektet kryesore për t’u vizituar në qytetin e Lezhës janë: Memoriali i vendvarrimit të Skënderbeut, i cili në vitin 1468 u varros në katedralen e Shën Kollit. Mbi qytet ndodhet kalaja.

Bregdeti i Lezhës ofron për ju plazhin ranor të Shëngjinit si dhe ekosistemin e rëndësishëm natyror të lagunave të Kune-Vainit në grykëderdhjen e Drinit. Një ekosistem tjetër interesant është edhe laguna e Patokut dhe grykëderdhja e Matit. Ky itinerar mund të bëhet edhe tani në vjeshtë./ KultPlus.com

Dokumentari i gazetarëve italian: Shqipëria si destinacion turistik (VIDEO)

Ata mbërritën në qytetin e Shkodrës ku ndoqën edhe ndeshjen midis ekipit tonë Kombëtar me Kombëtaren e Italisë. Me një skenar për të realizuar një dokumentar për turizmin shqiptar, ata e nisën nga ky qytet.

Të shoqëruar nga guidator vendas të stafit të Administratës së Zonave të Mbrojtura të Qarkut të Shkodrës, u ngjitën në Kalanë Rozafa, ku nga lartësitë e mureve të saj, soditën dhe filmuan qytetin, rrethinat e tij, Bunën dhe liqenin përballë.

Shkodra është një qytet i një trashëgimie të madhe kulturore dhe historike, një histori që e lidh ngushtë dhe me vendin fqinjë përtej detit.

Më pas, të shoqëruar nga specialistët e AdZM-së së Shkodrës, gazetarët u ngjitën drejt Parkut Kombëtar të Thethit ku filmuan dhe fotografuan pamje nga natyra e bukur e këtij vendi.

Gazetarët italian do të vizitojnë disa pika turistike në mbarë Shqipërinë për të realizuar një dokumentar të plot për turizmin shqiptarë./ KultPlus.com

Përurohet qendra e vizitorëve në Radhimë

Një tjetër qendër do të jetë në dispozicion të turistëve në Radhimë. Gjatë përurimit të kësaj qendre zhvilluar sot në Vlorë, u prezantuan edhe 3 modelet e Qendrave të reja të vizitorëve që do të vendosen në Parqet Kombëtare të Llogarasë, Divjakë-Karavasta dhe Dajtit me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përmes projektit NaturAl.

Të pranishëm në ceremoni ishin Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, autoritetet vendore të Vlorës, partnerët për zhvillim, rejnxhërsat e Administratës vendore të Parqeve dhe përfaqësues të komunitetit.

Të pranishmit, vlerësuan bukuritë natyrore, biodiversitetin dhe ekosistemet në zonat e mbrojtura të Shqipërisë si destinacione të rëndësishme turistike.

Gjatë aktivitetit u theksua se qendrat e reja do të ofrojnë shërbim dhe informacion cilësor për turistët vendas dhe të huaj.

Një ekspozitë në mjediset e Qendrës së Vizitorëve në Llogara promovoi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit natyror, duke vënë në pah vlerat dhe përfitimet që i sjellin komunitetit dhe shoqërisë në tërësi. / KultPlus.com

Turizmi kulturor, një kuriozitet në rritje për vizitorët e huaj

Viti 2016 pati një rritje me 17,5%, të vizitorëve në krahasim me 2015-tën ndërsa viti 2017 nuk është mbyllur akoma për të pasur një rezultat të saktë.

Nuk është vetëm turizmi natyror, detar apo kulinar që ka Shqipëria, por në krye ka dalë edhe turizmi kulturor, madje luan një rol të madh në zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

Shqipëria ka tre vende të mbrojtura nga UNESCO, qytetin e Beratit, Gjirokastrës dhe Butrintin dhe tashmë po punohet për të futur në UNESCO, pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit, e cila do i bashkohet pjesës tjetër të liqenit që tashmë është në UNESCO.

Liqeni i Ohrit është një ndër 28 pasuritë e pakta që janë mikse në UNESCO, pra trashëgimi botërore natyrore dhe kulturore.

Sipas statistikave në vitin 2016, vizitorët në muze, parqe dhe monumente kulturore janë rritur me 17,5%, dhe të ardhurat e gjeneruara në këtë kategori janë rritur me rreth 19%, ndërsa ky vit është në vazhdim.

Shqipëria po bën përpjekje maksimale që vendet dhe monumentet e trashëgimisë t’i përdorë si mundësi për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, duke promovuar edhe destinacione të reja, duke nxitur produkte turistike shtesë të komuniteteve lokale rreth këtyre zonave të mbrojtura, duke ndihmuar me financime, projekte të ndryshme që kontribuojnë në reduktimin e varfërisë dhe zhvillimin dhe mirëqenien e këtyre komuniteteve si dhe rritjen e punësimit në këto rajone./ KultPlus.com

Laguna e Kunes një destinacion qetësie për fundjavë

Jo më larg se 50 km nga Tirana, laguna e Kunes, ky habitat natyror i faunës së egër, është një vend ku mbretëron qetësia dhe për fundjava frekuentohet nga mjaft vizitorë.

Laguna e Kunes është cilësuar si “Ontologjia e Mesdheut”. Laguna është ‘shtëpi’ për 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh dhe disalloje peshqish si qefull, levrek, koca e ngjala.

Bota e shpendëve, veçanërisht e pasur, numëron 196 lloje shpendësh migratorë dhe të përhershëm.
Edhe bota e gjitarëve nuk mbetet pas me specie si lepuri, dhelpra, ujku, derri i egër dhe kuaj të lindur dhe rritur në natyrë.

Rruga Shëngjin-Kune e rindërtuar e bënë lehtësisht të aksesueshme këtë pasuri natyrore, që është një mundësi për të eksploruar natyrën, për të vëzhguar shpendët migratorë që fillojnë e kthehen në lagunë si dhe për të shijuar gatimet tradicionale të zonës./ KultPlus.com

Laguna e Orikumit, një mrekulli për turistët dhe një mister për arkeologët

Laguna ndodhet në brigjet e Gjirit të Vlorës dhe Detit Adriatik. Sipërfaqja ujore e kësaj lagune është 1.5 km2. Në periferi dhe nën ujërat e lagunës gjenden gërmadhat e qytetit të vjetër të Orikumit.

Kjo lagunë veç vlerave historike është e pasur dhe me specie të ndryshme të florës e faunës. Laguna e Orikumit është në një zonë përherë e lidhur me detin nëpërmjet një kanali. Gjiri është shumë i përshtatshëm për zogjtë migrues.

Rezerva e madhe e peshkut rrit mundësinë për Karabullakët, Çafkat e mëdha të bardha dhe Çafkat gri. Peshkimi dhe rritja e peshkut në lagunë nuk janë shumë të shfrytëzueshme.

Kryesisht peshkohen Ngjalat, Venerupis pullastra dhe Koca.

Poshtë shtratit të ngjelmët të lagunës, ndodhet misteri i pa zbuluar i një qytetërimi të hershëm, Oriku.

Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që e ndanë nga laguna e vogël nga gjiri (Pasha-Liman).

Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme.
Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në vërshimin e turistësh të shumtë vendës dhe të huaj, që vijnë dhe e vizitojnë atë.

Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara.

Ende një pjesë e tij, mbase më intriguesja, nuk është zbuluar akoma apo mbahet peng nga repartet ushtarake në një vijë të gjatë bregdetare.

Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pasha-Liman tek Gjiri i Bristanit duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit.

E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror të Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre.
Edhe laguna zë pjesën e vetë në aktivitet turistike dhe mjedisore të kësaj zone të pasur me vepra arkeologjike që dëshmojnë historinë e saj. Misteri nuk është zbuluar akoma i gjithi, nuk dihet çfarë ka nën shtratin e Lagunës?!… / KultPlus.com

La Repubblica: Pushime të lira, italianët të intriguar nga Shqipëria

Shqipëria turistike vijon jehonën në mediat ndërkombëtare. Media italiane “La Repubblica” i ka kushtuar një shkrim të veçantë turistëve italianë në Shqipëri, që këtë vit kanë qenë më të shumtë në numër.

Ndërtimet e reja dhe çmimet e ulëta janë ato që kanë tërhequr italianët, të cilët nga janari deri në korrik kanë qenë plot 182 mijë, me një rritje prej 56%.

“Pushime low cost, italianët të intriguar nga Shqipëria: Këtu me 30 euro fle në hotel dhe 10 euro ha darkën”, është titulli i shkrimit të “La Repubblica”. Turistët nga Puglia duket se janë më të shumtët që kanë preferuar të kalojnë pushimet në brigjet shqiptare, vë në dukje shkrimi, duke pasur parasysh se dhe fluksin më të madh të lëvizjeve e mbart porti i Barit.

Një nga agjencitë që ofrojnë paketa turistike në shtetin fqinj e cilësojnë Shqipërinë si vendin me kosto shumë të ulët, por me mrekullira të natyrës dhe ndërtesa të reja, duke bërë krahasimin me vendet fqinje si Mali i Zi apo Korfuzi. / KultPlus.com

Linku i shkrimit: http://bari.repubblica.it/cronaca/2017/09/02/news/albania_vacanze_low_cost-174407519/?ref=RHPPLF-BH-I0-C8-P5-S1.8-T1

Eksploro Kosovën me anë të fokusit të alpinistëve

Alpinistë të ndryshëm shpesh marrin rrugën për të eksploruar bukuritë natyrore në Kosovë, por gjatë këtij eksplorimi, kur ata përballen me bukuritë e natyrës, është e pamundur të mos shkrepin edhe ndonjë fotografi. USAID Kosovo, ka shpalosur një album me fotografitë më të bukura të shkrepura nga alpinistët gjatë udhëtimeve të tyre. Me të vërtetë mahnitëse këto fotografi. / KultPlus.com

Luis Fons emërohet ambasador i turizmit falë ‘Despacito’

Luis Fons, këngëtari i “Despacito”, është emëruar si ambasadori i turizmit në Puerto Rico.

39-vjeçari, i cili ka lindur në kryeqytetin e këtij vendi, shkroi këngën në bashkëpunim me reperin Daddy Yankee. Ky projekt muzikor ka kryesuar klasifikimet muzikore në 45 vende, ndërsa një “remix” i këngës me Justin Bieber u shndërrua në këngën e parë në gjuhën spanjolle, që mbizotëroi klasifikimin e “Billboard Hot 100”.

Pas këtij suksesi të madh, guvernatori i Puerto Ricos, Ricardo Rossello ka dhënë lajmin se Fonsi do të punojnë në kompaninë e turizmit për të promovuar vendin. Puerto Rico ka pasur një shpërthim të turizmit këtë vit, falë kësaj kënge. / KultPlus.com

Uta është inspirimi

Shkruan: Driada Matoshi

E dua natyrën. Më shumë se çdo gjë tjetër. E di që edhe ti e do. Ndalu e mendo: sa herë të ka shkuar mendja me ik nga aty ku je, e me humb diku në mal?

“Kishim shku në Gërmi nesër… Jam lodh prej këtij pluhuri… Sa shumë më kish pëlqye me e pasë një kasolle të vogël diku në periferi…!?”, janë shprehjet më të shpeshta që i kam dëgjuar kohëve të fundit, që më kanë shtyrë të mendoj më shumë për t’u larguar nga rutina urbane.

Pse nevoja me u lidh më tepër me natyrën po bëhet çdo ditë e më e madhe? Çka po na mungon? Pse po ndihemi kaq të zbrazët? Dhe, pse jemi zhytur në dembellëk sa përtojmë të dalim nga kjo amulli psikike e fizike?

Prej lodhjes së vazhdueshme e kisha përshtypjen se trupi po më zvogëlohet, sikur po bën përpjekje të futet në thellësi të tokës. S’ke si ndihesh ndryshe kur rutina e ushtrimeve të domosdoshme fizike nuk ekziston fare, kur ushqimin që konsumon nuk është i mirë (plus e ha jo me rregull), gjumi është i parregullt e numri e cigareve e alkoolit në rritje… Qëndrimi i gjatë në karrige, parametrat shqetësuese të papastërtisë së ajrit, ushqimi i kontaminuar, shkëputja totale e marrëdhënieve me natyrën, mungesa e lëvizjeve… janë e përditshmëria jonë!

Lodhja e shpeshtë e humbja e energjisë janë shenjat e para që trupi i jep kur kërkon vëmendje. Kështu të paktën ka ndodhur me mua. Këtë “alarm” e perceptova si shkëndijë për ndryshim. Hapi i parë: e lash cigaren; i dyti: dola në vrapim. Pas tri javësh vërejta se ndihem më mirë. Nuk doja t’i kthehesha më rutinës së vjetër. Lëvizja, ushtrimet fizike, përmirësimi i qarkullimit të gjakut ma kanë kthjell edhe trurin.

Ndryshimet e mira për veten e për rrethin i bën këmbëngulja. E, frymëzim të madh për të vazhduar tutje është Uta Ibrahimi, shoqja ime e fëmijërisë. Ajo më nxiti në ngjitjen time të parë, në majën e Rudokës të vargmaleve të Sharrit. Me neve ishin plot të tjerë, kush më shumë e kush më pak entuziast në ngjitjen e majave.

Në pikë të vapës, ishim në mbi 2,500 metra lartësi. Kur arritëm te liqen i Shumanit, i ngritëm tendat për kamping, joga e vështrim të yjeve e të Hënës me teleskop. Sa më lartë ngjitesha, sa më shumë lodhesha, aq më shumë këndellesha dhe merrja frymë më lehtë.

Në vargmalet e Sharrit has në stanet e barinjve që rrinë aty deri në tetor. Rrugës mund t’i takosh ata, në këmbë apo në kalë, duke pasuruar edhe më shumë panoramën dhe koloritin magjik të Sharrit. Sytë sikur pushojnë, e burimet e freskëta ta flladitin më shumë trupin e shpirtin.

E kisha një libër me vete. Në një kapitull të tij flitej për kohën reale dhe atë imagjinare në letërsi; se si në atë hapësirën kohore imagjinare, që e krijon autori, personazhet kthehen prapa në kohë, vizitojnë të ardhmen apo edhe e injorojnë konceptin kohë; se si vetëm ata mund ta gëzojnë lirinë që njerëzve prej mishi e gjaku u mohohet. Mendova me veti: nëse vërtetë do të zhdukësh për pak lidhjen tënde me kohën, me oraret, me detyrat, me qëllimet, me përgjegjësitë ditore, e me ia dorëzua veten natyrës duke qenë tamam vetja jote… nisu për në mal. Menjëherë. Lë të të ngjajë vetja me Oskarin e Gunter Grassit i cili vendos të mos plaket, ta mund kohën e ta sfidojë vdekjen!

Arsyeja e mos lëvizjes nuk është plakja, por plakja është pasojë e mos lëvizjes. Shembullin më të mirë e kisha në Sharr, mes njerëzve të grupit të ngjitjes. E pyeta njërin sa vjeç është. Ai burrë me dukjen dhe energjinë e një 25-vjeqari, që shumicën e kohës printe në ecje, më ktheu qetë: 52! Takova edhe nga ata që rrugën e bënin më me shumë vështirësi, por që entuziazmi për të arritur deri në majë nuk u mungonte. Të gjithë ne e sfidonim veten dhe relativitetin e kohës në lartësi.

Ndalesat për pushim i shfrytëzonin në maksimum. Uta kujdesej për secilin, jo vetëm me ofrimin e ndihmës me pajisjet, por edhe me fjalë motivuese. Pasi u ngjitëm në mbi dymijë metra lartësi, bota rreth e rrotull nesh u bë e vogël. Nga ana e majtë e horizontit ishte Korabi shkëmbor, Gjallica e Koretniku përball nesh, në veri Pashtriku… Secili nga ne përfitonte nga pamja që na rrethonte, duke u zhytur thellë në meditim e duke u çliruar nga energjitë e dëmshme.

“Me raste shpejtojeni hapin, me qëllim që t’ia ndryshoni ritmin zemrës, për të hapur kanalet e qarkullimit. Kur të keni mundësi, hiqini këpucët dhe mbani kontakt të drejtpërdrejte me tokën, që ta arrini procesin e tokëzimit – proces esencial për të rikuperuar energjitë trupore”, këshillonte Uta.

Një Zot e di se sa kohë ka kaluar që nga tokëzimi im i fundit. Ndoshta 15 vite kam që nuk jam lidhur drejtpërdrejt me tokën e natyrën, me momentin kur bëhesh i vetëdijshëm për potencialin e trupit dhe mendjen dhe për atë se çka ti mund t’u ofrosh të tjerëve.

Duke ecur, duke marrë informacione për jetën e shëndetshme, e duke planifikuaar aktivitete të tjera, e gjetëm vetën në majë të Rudokës. Është ndjesi e fuqishme dhe emocion i veçantë të qëndrosh në lartësi të tillë e ta shohësh të vogël krejt poshtë, si një maketë, Tetovën e shtrirë buzë vargmaleve të Sharrit.

Qytetin e ruanin retë e bardha, që lëviznin me ritëm të ngadaltë e organik, e shndërroheshin si në figura kafshësh. Të gjithave ua ngjisnim nga një emër. Retë pastaj ngadalë e linin të lirë Diellin, që na vinte pranë – më i bukur e më i ngrohtë se kurrë.

Rudoka është e magjishme. Por, akoma me i magjishëm është momenti kur njeriu e kupton se është shndërruar në inspirim për njerëzit e tjerë. Ndihem e realizuar me këtë ndërmarrje. Ndihem mirë që e kisha pranë Utën, që na shtyn t’i kthehemi natyrës, jetës së shëndetshme, ushqimit të mirë, e gjërave bazë për të cilat ka nevojë trupi e mendja jonë.

Uta më inspiroi që të ngjitem në Rudokë. Gjithçka e mirë dhe pozitivë për mua, nisi mu aty. Provojeni edhe ju.

Velipoja, plazhi i veriut ku relaksohen rreth 70 mijë pushues (FOTO)

Velipoja është një qendër turistike mjaft e këndshme, me peisazh të larmishëm dhe me det të pastër. Pushuesit janë kryesisht nga zona e Shkodrës dhe rrethinat e saj, por ka edhe nga rrethet e tjera të vendit.

Por, pushuesit me te shumte ne plazhin e Velipojës jane qytetarë nga Kosova që janë të përvitshëm në këtë plazh.
Investimet dhe shërbimi cilësor kanë bërë që në bregdetin e Velipojës të jene rreth 70 mijë pushues ditorë, kryesish në fundjavë.

Edhe infrastruktura rrugore që lidh veriun e vendit me këtë plazh ka ndikuar pozitivisht.

Pushues nga Kosova shfrytëzojnë edhe linjën e trageteve përmes Komanit për të mbërritur e pushuar në këtë plazh.

Velipoja u ofron pushuesve mundësinë për të kaluar pushime në një vijë bregdetare me ujë të pastër dhe me rërë të imët, por jo vetëm kaq, pasi plazhi është i pasur me vlera unike natyrore si, ranishtja e madhe me gjatësi 14 km rërë të imët dhe të pastër, qe quhet nga banorët “râna e dermanit” për vetitë e saja kuruese. Plazhi ripërtërihet çdo vit nga baticat dhe zbaticat.

Rëra e bregut dhe të gjithë ranishtes ka përqindjen më të lartë të jodit në bregdetin shqiptar.

Plazhi rrethohet nga pylli me drurë të lartë pishe e drurë të tjerë halorë e fletore, me shkurre përherë të blerta, lugina plot me bimësi ujore, duna etj.

Fshati bregdetar, ranishtja e madhe dhe qendra turistike, shtrihen në jugperëndim të Shkodrës dhe relievi është gati tërësisht fushor.

Velipoja po kthehet në një qendër të rëndësishme të turizmit shqiptar. / KultPlus.com

‘Euronews’: Shqipëria zbulon thesaret e saj nënujore

Dhjetëra amfora janë një shembull nga shumë thesare të panjohura gjerësisht dhe që shtrihen në brigjet e Shqipërisë, thotë Euronews. Shtrati i detit në këtë vend, një vend që pati mbetur gjatë i izoluar në Evropë, është një ndër më pak të eksploruarit në botë. Por, kjo tani po ndryshon.

Autoritetet parashikojnë të bëjnë gjithçka për të ruajtur këtë thesar, duke e vlerësuar, falë hulumtuesve dhe OJQ-ve të specializuara në arkeologji, si Fondacioni “Nautical Foundation Nautical RPM”, prezent dhjetë vjetët e fundit në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

“Nga ajo që unë kam parë deri tani, ju vetëm duhet të notoni disa metra për të gjetur gjëra të mahnitshme, qoftë në aspektin e historisë kulturore apo historisë natyrore”, thotë në reportazh Derek Smith, studiues i asociuar për “Nautical Foundation RPM”.

Situata e Shqipërisë është strategjike, me që është në hyrje të detit Adriatik, rrugët e lashta tregtare e lidhnin me Perandorinë Romake në Ballkan. Dyzet rrënoja dhe dëshmi në lidhje me dy luftërat botërore janë zbuluar gjithashtu në këtë rajon.

Në krye të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare shprehet: “Ideja për të paraqitur trashëgiminë e detit shqiptar është e re për vendin, sepse deri më tani shumë pak është e njohur historia e pasur e bregdetit shqiptar, duke përfshirë të gjitha anijet e mbetura në thellësi të detit për shkak të aksidenteve të ndryshme apo luftërave të ndryshme. Unë mendoj se ka ardhur koha për t’i treguar botës pasurinë e trashëgimisë sonë detare”.

Përtej interesit shkencor, industria e sektorit të turizmit mund të përfitojë nga këto pasuri nënujore. Agjencia nacionale bregdetare mbështet hapjen e disa vendeve, josensitive, për të gjithë ata që adhurojnë zhytjet në thellësirat e detit.

Vidéo:
L’Albanie dévoile ses trésors sous-marins
http://fr.euronews.com/2017/08/08/lalbanie-devoile-ses-tresors-sous-marins-caches