Revista spanjolle “Okdiario”: Vizitoni Shqipërinë, destinacioni më i lirë evropian për 2024

A e dini cili është vendi më i lirë në Evropë për të udhëtuar? Ky destinacion prezantohet si një opsion i mrekullueshëm për vitin 2024, duke u shquar për bukurinë e tij mahnitëse natyrore, një kulturë dhe histori unike dhe plazhe që duken si një ëndërr, shkruan Janire Manzanas në të përditshmen spanjolle “Okdiario”.

Edhe pse deri vonë ishte një vend relativisht i panjohur në Kontinentin e Vjetër, popullariteti i tij ka përjetuar rritje eksponenciale vitet e fundit.

Ndryshe nga destinacionet e tjera në Mesdhe, ajo ka arritur të qëndrojë larg turizmit masiv, duke u bërë kështu një zgjedhje e shkëlqyer për të përjetuar një atmosferë autentike dhe tradicionale.

Po flasim për Shqipërinë, një destinacion turistik i përballueshëm dhe tërheqës nëse doni të shijoni pushime të lira pa cenuar cilësinë e eksperiencës.

Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, çmimet priren të jenë më të larta krahasuar me rajonet e tjera të vendit, si Riviera piktoreske Shqiptare.

Kur bëhet fjalë për akomodimin, dhomat në një shtëpi lokale kushtojnë nga 10 deri në 20 euro për natë.

Hotelet janë gjithashtu shumë të përballueshme, me opsione që fillojnë nga 25 euro nata.

Në lidhje me ushqimin, kostoja e një pjate kryesore në një restorant lokal është zakonisht midis 5 dhe 10 euro, ndërsa një birrë në një bar mund të jetë midis 1 dhe 2 euro.

Çfarë duhet të shihni në Shqipëri? Vendet me interes.

Tirana është një enklavë që përcjell histori. Ju mund të eksploroni të kaluarën e saj përmes muzeumeve magjepsëse si Shtëpia e Gjetheve, Bunk’Art 2 ose dhoma e gjerë që përshkruan terrorin e regjimit komunist në Muzeun Kombëtar.

Të shijuarit e një banjë relaksuese në burimet e nxehta të Banjat e Benjes, me pamje nga malet, është një nga eksperiencat më të mira në Shqipëri. Këto banja termale ndodhen në parkun kombëtar të Bredhit të Hotovës.

Përveç notit, vizita përfshin edhe Urën Otomane e Kadiut, një urë mesjetare e ruajtur mirë që përshkon ujërat e bruztë të lumit Langaricë dhe i shton hijeshi ambjentit.

Berati, i vendosur më pak se dy orë larg kryeqytetit të Shqipërisë, është një destinacion i famshëm turistik i njohur nga UNESCO si një sit i Trashëgimisë Botërore.

Me një histori që përfshin më shumë se 2000 vjet, ky qytet përfaqëson një ndërthurje kulturore ku mund të perceptohet gjurmë nga qytetërime të ndryshme.

Ndonëse i mungojnë monumentet e mëdha specifike, Berati qëndron si një muze i madh në ajër të hapur, duke mahnitur vizitorët me hijeshinë dhe trashëgiminë e pasur historike.

Gjirokastra, e përfshirë edhe në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, shquhet për arkitekturën tradicionale osmane dhe njihet me pseudonimin e veçantë “qyteti i gurtë”.

Konsiderohet si një nga shembujt më të mirë të kësaj arkitekture në Shqipëri.

Me historinë dhe veçantinë e saj, Gjirokastra tërheq vizitorët me vlerat e saj unike dhe trashëgiminë e pasur kulturore.

Apolonia është një sit arkeologjik pranë Fierit, qyteti i dytë më i populluar në Shqipëri.

Ai spikat për tempullin e tij të Artemidës, fasada e të cilit dhe kolonat elegante korintike ekzistojnë ende.

Pjesa më e madhe e gjetjeve janë ekspozuar në Manastirin e Santa Marías, duke vepruar si një muze plotësues.

Kruja, e vendosur 30 kilometra nga Tirana, është një qytet thelbësor për t’u vizituar në Shqipëri.

E njohur si vendlindja e heroit kombëtar Skënderbeu, ajo magjeps me kështjellën e saj që ofron pamje panoramike të qendrës historike.

Përveç kësaj, ajo ka vende të ndryshme interesante si kumbanë, Teqenë e Dollmës dhe Muzeun e Skënderbeut.

Shqipëria ka një pasuri natyrore të admirueshme, duke konkurruar me vendet fqinje dhe këtë e dëshmon qartë Riviera Shqiptare.

Kjo shtrirje bregdetare prej më shumë se 100 kilometrash ofron një koleksion plazhesh me bukuri magjepsëse dhe të jashtëzakonshme./atsh / KultPlus.com

“TravelPulse”: Shqipëria ndër vendet më të mira për shijuesit e udhëtimeve

Personaliteti dhe përvoja janë shtytësit kryesorë për shijet dhe destinacionet e udhëtimit.

Shtytësit kryesorë iu nxisin drejt krijimit të tipareve unike dhe identifikuese për të zgjedhur destinacionin tuaj të udhëtimit bazuar në shijen tuaj muzikore.

Me mbylljen e vitit 2023, revista e udhëtimeve “TravelPulse” (travelpulse.com)  ju rekomandon disa nga vendet më të mira për të udhëtuar, shkruan në një artikull Noreen Kompanik.

Në një raport të agjencisë së udhëtimeve “Skyscanner” me qendër në Edinburg, Skoci “Travel Trends 2024” (Trendet e Udhëtimit 2024) Shqipëria është renditur mes 13 destinacioneve që mund t’i përshtaten preferencave të udhëtarëve.

Tiranë, Shqipëri 

Tirana konsiderohet një “Shapeshifter“, e thënë ndryshe një ‘qënie’ me aftësinë për të ndryshuar formën fizike sipas dëshirës.

Në një moment jeni i dashuruar marrëzisht me një artist. Dhe kështu mund të ndodhë edhe më të tjerë.

Shumica e udhëtarëve nuk e kanë zbuluar ende, por Shqipëria ka qytete historike te mahnitshme për t’u eksploruar dhe një skenë festivalesh në zhvillim.

Vizitorët mund të zhyten në kulturën e gjallë të qytetit, të shëtisin dhe të shijojnë ushqimet lokale në restorantet aty pranë.

Udhëtim vajtje-ardhje për vetëm 345 dollarë.

“Skyscanner” rendit 13 vendet më të bukura në botë për të udhetuar:

Tiranë, Shqipëri
Bidgoshç, Poloni
Osaka, Japoni
Rimini, Itali
Kankun, Meksikë
Nju Jork
Hvar, Kroaci
Los Anxhelos, Kaliforni
Romë, Itali
Antiparos, Greqi
Gjiri i Kotorrit, Mali i Zi
Paris, Francë
Polinezia franceze. / atsh / KultPlus.com

Turizmi në Shkodër, 4 ide zhvillimi i shtohen platformës TIP

Platforma Inovative e Turizmit (TIP) ka mirëpritur gjatë këtyre javëve profesionistë të turizmit, guida dhe operatorë turistikë, strukturat e mikpritjes, për të krijuar modele alternative të turizmit, produkte turistike që ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë kulturore, janë miqësore me mjedisin dhe kanë potencialin për të sjellë në vëmendje një destinacion turistik.

Rrugëtimi i identifikimit të TIP-ave të turizmit u mbyll të mërkurën me shumë emocione në Shkodër.

9 ide të reja për aventurën, liqenin, traditën, zakonet, kullat dhe natyrën u prezantuan me shumë entuziazëm nga profesionistët e turizmit lokal.

Platforma Inovative e Turizmit (TIP) i shtohen edhe 4 ide shkodrane që do të mbështeten për zhvillim në produkte turistike të reja: 1. Shtegtim te rrâja; 2. Amëza e Dheut; 3. Shtegu i Bleve; 4. Rreth liqenit me biçikletë.

Organizatorët e TIP falenderuan të gjithë aktorët që kontribuan me ide, kohë dhe dedikim për ta bërë TIP një rrugëtim të bukur.

TIP bën të ditur se, do të nisë punën vitin që vjen, në 2024, duke impelementuar 21 eksperienca të reja që vijnë direkt nga sektori turistik, anembanë Shqipërisë.

Ndërsa Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bën të ditur se, “nëpërmjet TIP synohet të aktivizohen veçanërisht aktorët lokalë të turizmit dhe ata të rinj të cilët kanë dëshirë ta kthejnë turizmin në profesionin e tyre, duke i ftuar të japin ide për zhvillimin turistik të territorit të tyre”./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: Nis puna për strategjinë e Turizmit 2024 – 2030

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se ka filluar puna mbi strategjinë e Turizmit 2024 – 2030, përmes një metodologjie të mirëstudiuar dhe me ekspertizën e GIZ.

Në një postim në rrjetet sociale Kumbaro tha se “duam të hartojmë një strategji që të jetë realiste, e zbatueshme dhe të drejtojë politikat e sektorit të turizmit deri në vitin 2030, me dinamikat e tij që shpesh herë edhe i tejkalon parashikimet”.

“Të gjithë janë të ftuar në tryezat e konsultimeve, që në përfundim të kemi produktin i cili do t’u shërbejë subjekteve publike, atyre private, bizneseve të hoteleri turizmit, të udhëtimit, organizatave, shoqatave dhe gjithë grupeve të interesit për të krijuar vizionin e tyre drejt produkteve turistike të qëndrueshme me ambicien se në mbarim të afatit të kësaj strategjie do ta kemi kthyer Shqipërinë në kampion të turizmit në Ballkan”, tha Kumbaro.

Shqipëria gjatë këtij viti ka shënuar një numër rekord turistësh. Përveç shfirave të larta, Shqipëria ka përjetuar edhe një ‘bum’ të promovimit mediatik botëror të potencialeve të saj turistike, deri tani shumë pak të zbuluara për botën.

Përveç vizitorëve nga Kosova, që mbajnë vendin e parë në të njëjtat shifra si vitin e kaluar, gjatë këtyre muajve tregje interesante paraqiten Spanja, Italia, Turqia, Mali i Zi, Franca, etj.

Vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës.

Shqipëria po ashtu ka lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare, të cilat thithin turistë nga e gjithë bota./atsh/KultPlus.com

Faqja e njohur britanike: Shqipëria destinacioni ”hot” evropian për 2024-n

Iu ngjita shtegut të pjerrët kodrinor duke ndaluar vetëm për të parë pamjet panoramike, përpara se të dal në majën e Leusës, një fshat malor në qarkun e Gjirokastrës, në Shqipërinë e Jugut, shkruan Chloe Govan për faqen e njohur britanike inews.co.uk.

”Këtu gjej kishën e fshehur ortodokse të Shën Marisë, me afreske fetare që datojnë në vitet ‘800. Tingujt e vetëm janë kënga e një gjeli dhe kërcitja e thundrave të dhive në terrenin malor.

Mendoj për qytetarët që jetuan këtu nën regjimin ateist të diktatorit komunist, Enver Hoxha.

“Praktikimi i fesë ishte rreptësisht i ndaluar”, më thotë 49-vjeçari Arjan Dimo, një guidë për ”Exodus Adventure Travels”, operatori turistik me të cilin po udhëtoj.

”Nëna ime dikur ndizte një qiri në fshehtësi në Krishtlindje dhe Pashkë, por ishte e rrezikshme nëse zbulohej, pasi do të përballej me dy vjet burg”, shton ai.

Dimo njeh të tjerë që u burgosën pasi hynë fshehurazi në një kishë të braktisur dhe të papërdorur për t’u lutur. Shqipëria ishte e izoluar nga bota e jashtme gjatë mbretërimit 40-vjeçar të Hoxhës deri në vdekjen e tij në 1985.

Regjimi, i ndjekur nga trazirat e vitit 1997, e bllokoi Shqipërinë nga bumi i turizmit që gëzonte fqinji i saj, Greqia.

Megjithatë, vitet e fundit, vizitorë të huaj janë dyndur në vend, veçanërisht në plazhet e Rivierës. Shqipëria regjistroi 5,1 milionë ardhje turistësh në shtatë muajt e parë të 2023 krahasuar me 3,9 milionë në të gjithë vitin 2022. Bordi Turistik Shqiptar parashikon të tërheqë 10 milionë vizitorë deri në fund të këtij viti. ”easyJet”, ”Ryanair” dhe ”Wizz Air” kanë nisur së fundmi fluturimet nga Britania e Madhe drejt Tiranës.

Përveç plazheve të saj të bukura, Shqipëria ka male për të rivalizuar me Italinë, thesare arkeologjike po aq mbresëlënëse sa në Greqi, artin e kishës së shpellave që përputhet me atë në Kapadhokias në Turqi dhe arkitekturë islame, përfshirë një xhami që të kujton Xhaminë Blu të Stambollit. Pastaj është mikpritja.

Në shtëpinë idilike të fshatit malor të 54-vjeçarit Landi Koci në Dhoksat, në rajonin e Lunxhërisë, shijoj ushqimin dhe verën e bërë vetë. Ka sallatë plus byrek me spinaq dhe djathë.

Është edhe rakia, versioni shqiptar i glikanxos. Festa shoqërohet me pamje nga lugina. Zhurma mes grupit tim të turneut është se, po të ishte kjo në Provansë, do të ishte bërë lehtësisht një vendstrehim vere me pesë yje.

Megjithatë, sipas mikpritësit tonë, fshati përballet me shpopullim, pasi banorët largohen për të kërkuar mundësi gjetkë. Landi shton se në 30 vjet fshati mund të braktiset nëse nuk ka turizëm. Megjithatë, me qytetin e ri të Gjirokastrës vetëm 25 minuta larg me makinë, një bum vizitorësh ka gjithnjë e më shumë gjasa.

”Exodus Adventure Travel” ka raportuar një rritje prej 45 për qind të prenotimeve për vitin 2024 në krahasim me vitin 2023 – nisja e tij në qershor “Highlights of Albania” tashmë është shitur plotësisht. Qëndrimet negative të lidhura me regjimin e mëparshëm, apo stereotipe të tjera për vendin, gjithashtu kanë filluar të zbehen.

Midis grupit tim të turit prej 16 personash, moshat e të cilëve variojnë nga 30-70 vjeç, është edhe 72-vjeçari Andrew Hingston.

“Shqipëria është një vend që ka pasur konotacione negative gjatë gjithë jetës sime, por e dija se kishte pasur ndryshime të mëdha gjatë 20 viteve të fundit, të cilat doja t’i shihja vetë”, më thotë ai.

Ndërkohë, 68-vjeçarja Anna Skyba ka vënë re kantiere, hotele të reja dhe përmirësime të rrugëve.

“Mund të thuash se po zhvillohet shpejt”, thotë ajo.

Ndër ndalesat tona është Parku Arkeologjik i Butrintit, në qarkun e Vlorës, në jug të Shqipërisë. Këtu, në muze, Dimo tregon sendet që ka gërmuar. Kolonia greke e lashtë, e listuar në UNESCO, dikur ishte një vend pelegrinazhi, kushtuar Asklepit, perëndisë së mjekësisë.

Një shëtitje në pyll në Parkun Kombëtar të Llogorasë na çon në pikën ku Jul Cezari fitoi një betejë kundër Pompeut, ndërsa ka rrënoja në Apoloninë aty pranë, duke zbuluar një qytet romak që daton në shekullin III para Krishtit. Ekziston edhe një art fetar i ruajtur mirë: të dhëna se veprat vijnë nga kultura osmane përfshijnë një ilustrim të Darkës së Fundit, pa thika apo pirunë në tryezë, shpjegon udhërrëfyesi ynë.

Ndërkohë, në Berat, një qytet në Shqipërinë qendrore dhe në Krujë, një qytet 15 kilometra në veri të kryeqytetit, thirrja e ezanit dëgjohet rregullisht nga xhamitë. Hoteli ynë në Krujë ka pamje nga horizonti i kalasë dhe minareve.

Tirana, ku nisa vizitën time në vend, ka ndërtesa në ngjyrë portokalli neoni, jeshile dhe të verdhë, disa me modele gjeometrike. Ngjyrat u prezantuan nga kryebashkiaku aktual si një kundërhelm për trashëgiminë arkitekturore gri, komuniste të Tiranës. Megjithatë, ende bie në sy një piramidë e madhe e projektuar nga vajza arkitekte e Hoxhës.

Më vonë endem nëpër fshatin artistik të Voskopojës, duke u ndalur te kishat e tij. Thesaret u vodhën dhe u shkatërruan këtu gjatë luftës kundër fesë, por një muze i ikonografisë ka ruajtur vepra arti dhe dekorime altari që ishin fshehur në atë periudhë.

Më duket se ka kaq shumë për të zbuluar përtej plazheve të bardha të Rivierës së Shqipërisë.

Pika ime kryesore është Bënja, pak më shumë se një orë me makinë nga qyteti jugor i Përmetit. Ndërsa lahem në burime të nxehta që rrjedhin nga çarjet tektonike, me male dhe ujëvara përreth, e konsideroj fatin tim – duke e përjetuar të gjithë këtë përpara se turmat e turistëve të mbërrijnë”./ atsh / KultPlus.com

Revista polake, “Tanie Loty”: Zbuloni Shqipërinë, destinacion unik me mikpritje legjendare

E cilësuar shpesh si perla e fshehur e Evropës, Shqipëria është destinacioni i përsosur për adhuruesit e aventurave, historisë dhe plazheve, shkruan në një artikull revista polake e udhëtimeve “Tanie Loty”.

Fluturimet gjithëpërfshirëse nga Varshava në Shqipëri ofrojnë jo vetëm komoditet, por edhe akses në atraksionet unike të këtij vendi ballkanik.

Ja një vështrim më i thellë se çfarë e bën Shqipërinë një destinacion unik pushimesh!

Histori dhe trashëgimi e pasur
Shqipëria ka një histori magjepsëse, e dukshme në çdo hap.

Nga rrënojat e lashta të Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, deri te qytetet e vjetra si Berati dhe Gjirokastra, Shqipëria ofron një pasuri thesaresh historike.

Çdo qytet dhe fshat tregojnë historinë e tyre unike, duke krijuar një mozaik kulturor që është jashtëzakonisht tërheqës për turistët.

Plazhe dhe vija bregdetare mahnitëse
Shqipëria krenohet me disa nga plazhet më të bukura në Evropë.

Bregdeti i detit Adriatik dhe Jon ofron ujëra të kristaltë dhe plazhe mahnitëse.

Destinacionet e njohura si Ksamili dhe Dhërmiu ofrojnë kushte ideale për relaks, dhe peizazhet e tyre piktoreske janë sfondi i përsosur për kujtimet e pushimeve.

Kuzhinë e shkëlqyer
Kuzhina shqiptare është një ndërthurje e ndikimeve italiane, greke dhe turke, gjë që e bën atë jashtëzakonisht të larmishme dhe të shijshme.

Pjatat tradicionale si byreku dhe frutat e freskëta të detit janë jo vetëm të shijshme, por edhe pjesë e përvojës kulturore.

Duke zgjedhur opsionin gjithëpërfshirës, do të keni mundësinë të provoni një gamë të gjerë specialitetesh vendase pa kosto shtesë.

Një komb miqësor dhe mikpritës
Mikpritja e shqiptarëve është legjendare.

Vendasit janë të njohur për mirëpritjen e turistëve krahëhapur, shpesh duke ndarë kulturën dhe traditat e tyre.

Kjo pritje e ngrohtë i bën udhëtarët të ndihen si në shtëpinë e tyre.

Natyra dhe peizazhet
Shqipëria ofron jo vetëm plazhe dhe monumente, por edhe peizazhe natyrore mbresëlënëse.

Parqet kombëtare si Llogaraja dhe Thethi janë një parajsë për adhuruesit e natyrës.

Shqipëria është destinacioni ideal për udhëtarët që kërkojnë eksperienca të paharrueshme, peizazhe të bukura, kulturë dhe histori të pasur, kuzhinë të shijshme dhe mikpritje që vështirë mund t’i rezistosh.

Nëse jeni duke kërkuar për aventura, eksperienca kulturore apo thjesht dëshironi të pushoni në një plazh të bukur, Shqipëria ka gjithçka që ju nevojitet për të përmbushur këto pritshmëri. / atsh / KultPlus.com

Rama: Turizmi do të vijojë të rritet, duhet t’i përgjigjemi me profesionistë të kualifikuar

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Dibër, u ndal tek turizmi, duke theksuar se ambicia është të kemi 20 apo 30 milionë turistë.

Sipas Ramës, turizmi është një industri e cila ka nevojë për burime njerëzore dhe në këtë drejtim ai u bëri apel prindërve të nxisin fëmijët e tyre drejt arsimit profesional, si rruga më e mirë për t’i siguruar një të ardhme fëmijëve të tyre.

“Këtu është hapur një derë e re oportunitetesh për turizmin për të gjithë, pasi është eksporti më i madh, që s’ke nevojë ta marrësh mallin nga këtu e ta çosh matanë detit, por të vinë ata këtu te ty. S’ka nevojë të prodhosh ushqim, çfarëdo qoftë, domate, apo ku ta di unë, dhe thua po dal poshtë t’i shes. Jo. Ti prodhon, i mban e i han turisti atje te ty. Dhe turizmi po kthehet në një industri dhe këtë vit deri tani kemi arritur 9 milionë turistë, në fund të dhjetorit mund të jenë 10 milionë turistë dhe ambicia jonë është 20 milionë, apo dhe 30 milionë turistë, nuk ka limit këtu”, tha Rama.

Por sipas tij, kusht është shërbimi, dhe ky sektor kërkon arsim profesional.

“Ana tjetër janë shërbimet, njerëzit me formim profesional. Është një zinxhir i tërë shërbimesh. Jo vetëm ai që hap hotelin dhe bujtinën, por ata që punojnë për të gjithë zinxhirin. Është fatkeqësi shumë e madhe që ua bëjmë fëmijëve, pa dashje apo nga dëshira e mirë, që i çojmë në gjimnaz apo universitet, për t’i lënë si pulë pa kokë në rrugë, pa asnjë zanat. Jo të gjithë mund të bëhen shkencëtarë, mjekë, juristë, ekonomistë etj., dhe s’ka nevojë për kaq shumë. Por shumëkush mund të bëhet zanatçi”, tha Rama.

“Dhe të marrësh një fëmijë, i cili s’i ka rezultatet ekselente, i cili i ka 5, 6, 7, dhe ta çosh në gjimnaz, është ta marrësh në qafë. Nëse atij fëmije i jep një shkollë profesionale, zanat, i jep mundësi që nesër të ketë jo vetëm një çelës për t’i hapur derën punës së tij, por edhe mundësinë për të hapur një biznes të vogël, që mund të bëhet i madh”, tha kryeministri.

“Ata që hapin biznese nuk janë shkencëtarë, por njerëz që kanë talente të çajnë rrugën në një fushë tjetër. Përse atëherë shoqëria dhe qeveria të mos i japi mundësi këtyre personave  të marrin zanate, pasi kush ka një zanat nuk është asnjëherë vetëm”, tha Rama.

“Rreziku më i madh që përballemi është të mos kemi mundësi të plotësojmë kërkesat e kësaj industrie për shkak të burimeve njerëzore të pakualifikuara. Duket një gjë e lehtë se po hapim një hotel, por pjesa kryesore është shërbimi”, tha Rama.

Ai u bëri apel prindërve që t’i drejtojnë fëmijët e tyre drejt arsimit profesional.

“Këtu takova nxënës të mirë të shkollës profesionale që lidhet me kodimin dhe këta pa mbaruar shkollën do punojnë nga këtu për jashtë vendit”, tha Rama./atsh/KultPlus.com

“La Gazzetta del Mezzogiorno”: Shqipëria në rrugën e duhur për një rekord të ri turistik në 2024 

Pasi arriti një numër rekord të turistëve në 2023, Shqipëria është në rrugën e duhur për të rrëmbyer edhe titullin e “Mbretëreshës së Turizmit 2024”, shkruan gazetarja Marisa Ingrosso në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “La Gazzetta del Mezzogiorno”.

Sipas presidentit të Unionit Shqiptar të Turizmit, Rrahman Kasa, operatorët raportuan një rritje prej 35% të kontratave të garantuara për turizmin e organizuar për vitin e ardhshëm.

“Në Sarandë, qyteti jugor i Shqipërisë dhe një destinacion i preferuar për bashkatdhetarët tanë, disa objekte tashmë janë plotësisht të rezervuara për gushtin. Edhe në Vlorë, jam i sigurt se në 2-3 muaj do të kemi një pjesë të mirë të akomodimeve të rezervuara”, tha Lorenzo Lonoce nga Pulia, i cili ka krijuar operatorin turistik më të madh shqiptar të specializuar për turistët italianë.

Ka shumë faktorë që përcaktojnë suksesin e një destinacioni. Një prej tyre është sigurisht aksesueshmëria e lehtë.

“Nëpërmjet “Air Albania”, “Ita”, “WizzAir” dhe gjithashtu “Ryan Air” distanca Itali-Shqipëri është shkurtuar”, tha Lonoce.

“Po shfaqen shumë operatorë turistikë që nuk e kishin menduar kurrë Shqipërinë si nje destinacion turistik në rritje. Pritet një verë dhe një pranverë më e populluar. Për të mos thënë që tani po krijohet edhe binjakëzimi kulturor me qytetet”, shtoi ai.

“Çmimet e vendosura këtë vit në kontratat e garancisë për sezonin e ardhshëm kanë shënuar një rritje drastike që varion nga 15 në 25%” dhe kjo do të jetë si pasojë e mbiçmimit të lekut ndaj euros dhe rritjes së kostove”, tha Kasa.

Sipas ekspertit, në tetë muajt e parë të këtij viti, italianët ishin grupi i dytë më i madh i turistëve, menjëherë pas shqiptarëve nga Kosova.

Sipas Ministrisë së Turizmit në Shqipëri, vendi është vizituar nga 660 000 italianë nga gjithsej 9 milionë shtetas të huaj.

Së fundi, një tjetër faktor i suksesit të turizmit shqiptar është planifikimi.

Qeveria e drejtuar nga Edi Rama sapo ka nënshkruar një marrëveshje me “ITB Berlin”, panairin më të madh të turizmit në botë.

Shqipëria do të jetë zyrtarisht vendi i nderit për vitin 2025. Dhe programi i promovimit fillon në mars 2024 dhe përfundon në mars 2025.

Shqipëria do të jetë gjithashtu organizatore e takimit të 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, që do të zhvillohet në pranverë në Tiranë me pjesëmarrjen e 40 ministrave evropianë të Turizmit. /atsh / KultPlus.com

Media polake, “NaTemat”: Vizitoni Shqipërinë, një nga destinacionet më të bukura evropiane

Shqipëria është padyshim një nga vendet më të bukura evropiane për të kaluar pushimet. Aktualisht, ajo po bëhet gjithnjë e më e popullarizuar, dhe linjat ajrore po zgjerojnë rrjetet e tyre të fluturimeve permes lidhjeve të reja. A ka Shqipëria një shans për t’u bërë Kroacia e re? Unë gjykoj bazuar në qëndrimin tim dymujor në vendin mesdhetar!, shkruan gazetarja Małgorzata Chuchel në një artikull të botuar në të përditshmen “NaTemat” (natemat.pl).

Shqipëria, mbetet një destinacion i preferuar për të kaluar pushimet, i zgjedhur shpesh nga polakët. Nuk mund të mohohet se ata që kanë shkuar atje të paktën një herë, do te donin të ktheheshin sërish me kënaqësi të madhe.

Tani që kompania ajrore “Ryanair” ka nisur fluturimet e reja, duke përfshirë nga Polonia në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, ju mund ta shihni vetë se sa i larmishëm dhe miqësor është ky vend.

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria është bërë e famshme duke u krahasuar me bregdetin kroat.

Dhe megjithëse ishte me të vërtetë rasti, me kalimin e kohës çmimet në Shqipëri janë më të ulëta, përfshirë Kroacine.

Turistët shpesh tërhiqen nga natyra e bukur e Shqipërisë, plazhet e egra të fshehura midis shkëmbinjve ku nuk ka turma vizitorësh, dhe atraksionet e panumërta që, për mrekulli, janë akoma të perballueshme.

A ka Shqipëria një shans për t’u bërë Kroacia e dytë? Cilat ishin dy muajt e mi në Shqipëri dhe çfarë ia vlen të shihet atje?

Çmimet në Shqipëri
Çmimet e akomodimit në Shqipëri variojnë në varësi të sezonit dhe rajonit që zgjedh. Megjithatë, çmimi mesatar është rreth 45 euro në ditë për një apartament. Kostot e produkteve ushqimore janë shumë të ngjashme me ato në Poloni.

Duhet theksuar gjithashtu se shqiptarët janë një komb shumë mikpritës dhe të gatshëm për t’ju ndihmuar.

Kur shkoni në Shqipëri për pushime, duhet të keni parasysh se kostot e jetesës janë të ngjashme me ato në Poloni. Megjithatë, krahasuar me çmimet aktuale në Kroaci, mbetet sërish një opsion më i lirë.

Shqipëria është vendi ideal për adhuruesit e natyrës, historisë dhe fortifikimeve ushtarake.

Përveç vendeve si Gjirokastra apo Syri i Kaltër, që zakonisht vizitojnë të gjithë turistët, në Shqipëri fshihen shumë xhevahire. Prandaj, ia vlen të mendoni të udhëtoni në Shqipëri me makinë, sepse vetëm kështu do të mund të organizoni një turne dhe të eksploroni sa më shumë vende.

Cilat vende në Shqipëri ia vlen të vizitohen?
Për shembull, në Berat, i cili quhet edhe qyteti i një mijë dritareve, do të kemi mundësinë jo vetëm të admironi qytetin e dikurshëm të regjistruar në listën e trashëgimisë së UNESCO-s, por edhe të flini në majë të kodrës në një kështjellë me çmime mjaft të arsyeshme.

Është interesante se në Berat, në varësi të vendit ku shkojmë, na presin dy botë të ndara. Në majë të kodrës ka një atmosferë vërtet idilike dhe rurale, dhe qyteti është plot me aktivitete.

Pak më poshtë, afër Sarandës, ka mjaft atraksione për adhuruesit e natyrës, si Syri i Kaltër, apo burimet e nxehta të njohura si Ujërat Termale të Bënjës.

Edhe pse në Bënjë më afër sezonit mund të takosh një numër të lartë të adhuruesve të burimeve të nxehta, pamjet të lënë pa frymë dhe ja vlen vërtet të shkosh atje.

Gjatë rrugës, mund të ndaleni në fshatra malorë ose bregdetarë, të cilët janë larg vendpushimeve.

Vizitoni plazhet e egra ku jo vetëm mund të notoni në ujëra të pastër kristal, por edhe të kaloni natën. ju rekomandoj të shkoni në Ksamil.

A është e përgatitur Shqipëria për një fluks turistësh?
Sipas statistikave, numri i turistëve në Shqipëri po rritet vazhdimisht nga viti në vit dhe krahasuar me sezonin e kaluar, në vitin 2023 është rritur me 49 për qind.

Organizata Botërore e Turizmit e renditi atë të tretën për nga rritja e turizmit, pas Katarit dhe Arabisë Saudite.

Durrësi, Saranda, Vlora dhe Ksamili janë qytetet ku është përqendruar turizmi bregdetar.

Shqipëria ka një potencial të madh për t’u bërë një fuqi turistike si Kroacia, por kjo kërkon ende një kontribut të madh në të gjithë infrastrukturën. /atsh / KultPlus.com

Kalaja e Rozafës, rekord vizitash edhe në muajin tetor

Kalaja e Rozafës, atraksioni kryesor turistik në qytetin e Shkodrës, ka regjistruar një numër të lartë vizitorësh edhe përgjatë muajit tetor.

Vizitueshmëria ka qenë më e lartë, krahasuar me një vit më parë, duke llogaritur 3896 vizitorë më shumë se në tetorin e vitit 2022. Sipas shifrave të bëra publike nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Rozafati në tetorin e 2023-shit, u vizitua nga 11679 persona.

Në tetorin e vitit 2022, kalaja u vizitua nga 7783 turistë vendas e të huaj.

Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe jo vetëm. Kalaja ngrihet mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, nga ana jug-lindore e tij. Rezulton të jetë ndërtuar qysh nga antikiteti, duke ju rezistuar shekujve.
Kalaja e Rozafës ka disa oborre. Muzeu është vendosur në oborrin e tretë, saktësisht në godinën veneciane të njohur me emrin “Kapitaneria”./ atsh / KultPlus.com

Dziennik.pl: Shqipëria, “Maldivet e Evropës” me pamje mahnitëse dhe mot të ngrohtë

Gjithnjë e më shpesh, turistët i referohen këtij vendi si “Maldivet e përballueshme”, shkruan në një artikull gazetarja Justyna Szymczyk-Mielniczyn në të përditshmen polake “Dziennik.pl”.

Në Shqipëri nuk ka turma vizitorësh dhe vendi mund t’ju kënaqë vërtet. Ujërat e pastër kristal, vija bregdetare e bukur, monumente interesante, kjo është receta për pushime të paharruara. Pra, pse ky destinacion nuk është shumë i njohur?

Shqipëria – pse ia vlen?

Shqipëria është një vend në Evropën Jugore me dalje në detin Adriatik dhe Jon.

Edhe pse nuk është aq i njohur sa Kroacia apo Greqia, mund t’ju kënaqë vërtet.

Plazhet janë fenomenale, uji i pastër kristal me një sipërfaqe bruz, ofrojnë një pamje që të lë pa frymë. Nuk është çudi që u kujton Maldivet turistëve.

Dhe ky destinacion jo vetëm që është shumë më afër, por është edhe më i përballueshëm.

Për më tepër, Shqipëria është vendi ideal për këdo që dëshiron të përfitojë nga moti me diell, rreth 290 ditë në vit janë me diell.

Çmime të përballueshme, peizazhe të bukura, monumente interesante, qytete interesante dhe shumë argëtim, tingëllon si Pushime të Përsosura.

Gjithashtu, për adhuruesit e natyrës rekomandohen udhëtime në male me guida në shtigjet e shënuara.

A nevojiten viza për të hyrë në Shqipëri?

Për të hyrë në Shqipëri, polakët nuk kanë nevojë për viza. Gjithçka që ju nevojitet është një kartë identiteti. Mund të qëndroni për 90 ditë brenda 180 ditëve nga data e hyrjes. Gjithashtu nuk ka tarifa në kufi. /atsh / KultPlus.com

‘Il Sole 24’ promovon Shqipërinë, Rama: Mirëpritëm rekordin e mbi 747 mijë vizitorëve italianë

 Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e gazetës prestigjioze italiane “Il Sole 24” mbi Shqipërinë turistike.

“Një prej gazetave më prestigjioze italiane = “Il Sole 24”, zbulon Shqipërinë si vendi me kontraste të forta që fsheh shumë surpriza, me brigjet përrallore të puthura nga dy dete, në brendësinë e së cilës shpalosen bukuritë “e ashpra” malore, mes fshatrave baritore dhe stolive arkitektonike si Berati e Gjirokastra, duke na cilësuar si vendi me një “boom” turistik në vitet e fundit, ku në nëntë muajt e parë të këtij viti mirëpritëm rekordin e mbi 747 mijë vizitorëve italianë”, shkruan Rama.

Male, qytete dhe kështjella, eksplorimet e vjeshtës në Shqipëri

Vitaliteti i Tiranës, peizazhet dhe fshatrat me guralecë, hotelet me detin e kristaltë, kanionet dhe liqenet e pastër, një udhëtim në vendin që po rritet falë turizmit, shkruan në një artikull gazetarja Natascia Ronchetti, të botuar në të përditshmen italiane “Il Sole 24 Ore”.

Shqipëria, vendi i shqiponjave, është një vend me kontraste të forta që ofron shumë surpriza.

E vlerësuar sot, pas bumit turistik të viteve të fundit, mbi të gjitha për brigjet e saj që lagen nga dy dete Adriatiku dhe Joni, Shqipëria rezervon një peizazash pothuajse tërësisht malor me bukuri të thyer, mes fshatrave të vegjël dhe xhevahireve arkitekturore si Berati dhe Gjirokastra e mrekullueshme.

Dy qytete ku shkrihen kulturat lindore dhe perëndimore, dëshmitë e perandorisë osmane dhe multikulturalizmi i zonës së Ballkanit, ose Korça e bukur, pothuajse në kufi me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Një tokë që mund të eksplorohet edhe në vjeshtë.

Vendpushimet e njohura bregdetare në bregdetin e Jonit si Saranda dhe Ksamili, të karakterizuara nga ujëra të kristalta, mund të jenë bazë për ekskursionet e turistëve, ku mund të zbuloni, së bashku me bukuritë natyrore të pabesueshme, mes maleve dhe liqeneve, historinë e këtij vendi të vogël me rreth tre milionë banorë.

Nëse nuk ju pëlqen jeta e zhurmshme dhe peizazhet në disa raste, është më mirë të ndaleni në Himarë, një fshat i vogël buzë detit, gjithashtu në bregdetin Jon, në jug të Tiranës.

Tirana është porta e hyrjes për ata që vendosin të mbërrijnë në Shqipëri me avion.

Kryeqyteti do t’ju befasojë me rrokaqiejt e shumtë dhe shtëpitë e tij shumëngjyrëshe, me një jetë nate që mund ta përjetoni në lagjen Blloku, ku dikur banonte diktatori Enver Hoxha (që qëndroi në pushtet deri në vdekjen e tij në 1985), sot një zonë me kafene, restorante, dyqane, hotele.

Mjaftojnë dy ditë për të marrë një informacion mbi qytetin, duke filluar nga sheshi i famshëm Skënderbej, në zemër të qytetit dhe Piramida, një mauzoleum në formë piramide që vajza e Hoxhës donte ta ndërtonte në vitin 1988 për të përkujtuar të atin.

Në këtë pikë këshilla është të marrësh me qira një makinë dhe të nisesh në jug drejt Himarës, ndoshta duke bërë disa devijime gjatë rrugës për të vizituar Vlorën, me një sërë hotelesh të mëdha me pamje nga deti.

Udhëtimi përgjatë rrugës që të çon në Himarë, një fshat bregdetar ofron peizazhin më të mrekullueshëm në rivierën jugore të vendit.

Rrugë që ngjiten në male dhe më pas zbresin, midis kthesave të pjerrëta drejt një vije bregdetare që fsheh gjire dhe limane të mrekullueshme të vendosura mes shkëmbinjve.

Gjithashtu, këtu do të zbuloni plazhe të vogla parajsore si ai i Gjipesë, me rërë dhe ujëra blu.

Por pikërisht nga Himara, rreth 8 mijë banorë, mund të udhëtoni mes kanioneve spektakolare për të njohur paizazhin autentik të Shqipërisë.

Rrugës do të hasni fshatra të vegjël me bujtina për të qëndruar gjatë natës, të zhytura në natyrë. Më pas vizitoni qytetin e Pogradecit, dhe liqenin e bukur dhe të pastër të Ohrit.

Mund të ndaleni në Korçën e bukur, ku prodhohet birra me të njëjtin emër, me një qendër historike të karakterizuar nga çatitë prej rrasa guri, dhe më pas të niseni drejt Gjirokastrës, për të vizituar kështjellën e madhe, rrugët e ngushta me kalldrëm dhe shtëpitë në formën e kullave mesjetare, një qytet i shpallur një sit i trashëgimisë botërore nga UNESCO.

Ndalesa e fundit, Berati, një vendbanim i cili daton në shekullin e IV para Krishtit dhe njihet si qyteti i dritareve të mbivendosura, pasi që nga larg shtëpitë e tij duken se kanë një mijë sy.

Një vizitë në kështjellë është thelbësore, duke i lejuar vetes të përshkoheni nga ndjenja e harmonisë që rrjedh nga bashkëjetesa shekullore midis komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore./atsh/KultPlus.com

“National Geographic Traveller”: Shqipëria mes destinacioneve më emocionuese për të vizituar në 2024-n

Me hapjen e linjave të reja ajrore që e bëjnë udhëtimin më të lehtë se kurrë, ka shumë për të zgjedhur për udhëtimin tuaj të ardhshëm, nëse jeni duke kërkuar të lidheni me natyrën, të ngjiteni në zonat malore apo të provoni kuzhinat tradicionale!

Revista britanike “National Geographic Traveller” e ka renditur Shqipërinë mes 30 destinacioneve më emocionuese për të vizituar në vitin 2024.

Alpet Shqiptare

Një arratisje e egër në “yllin” në rritje të Evropës, Shqipërinë!

Udhëtarët, që kërkojnë diçka më ndryshe nga aventurat e tyre të mëparshme evropiane po shikojnë gjithnjë e më shumë drejt Shqipërisë.

Vendi ballkanik po tërheq një numër në rritje vizitorësh falë brigjeve të tij në Adriatik dhe Jon, të kaluarës intriguese osmane dhe komuniste dhe skenës relativisht të sapolindur të turizmit.

Të zhytura në brendësi të veriut, Alpet Shqiptare janë një e pjesë e rëndësishme e turizmit shqiptar.

Bjeshkët e Nemuna, kjo mbretëri e majave të thepisura karstike është një ëndërr për alpinistët, ku rrëqebullët enden nëpër pyjet e bredhit dhe lulet e egra mbulojnë sipërfaqen e luginës.

Ata që kërkojnë të eksplorojnë shtigjet sfiduese të rajonit mund të behen pjese e një turneu tetëditor, i cili ofron një itinerar që përfshin udhëtime nëpër shtigjet malore, shtëpitë tradicionale dhe një vizitë në fshatin e Thethit, duke përfshirë edhe ecje në Majat e Ballkanit.

Shqipëria është gjithashtu më e aksesueshme se kurrë falë një sërë linjash të reja ajrore.

“Ryanair” ka nisur së fundmi fluturimet drejt kryeqytetit të Tiranës nga Edinburgu, Mançesteri dhe Stanstedi, ndërsa “Wizz Air” do të operojë nga Birmingami, Edinburgu dhe Liverpuli nga 19 dhjetori i vitit 2023. /atsh / KultPlus.com

‘Horeca Business Club’: Shqipëria, destinacioni i preferuar i polakëve

Vitin e kaluar, termat e futur më shpesh në motorët e kërkimit kishin të bënin me pushimet në Greqi, Kroaci dhe Itali. Këto destinacione kanë qenë prej kohësh të preferuarat e polakëve, por ajo që ka habitur është fakti se pushimet në Shqipëri ishin po aq të pëlqyera sa ato në Itali, shkruan në një artikull revista polake e biznesit “Horeca Business Club”.

Ekspertët e “Interhome”, kryen një analizë të plotë bazuar në të dhënat e polakëve që kërkonin në internet destinacione pushimi në Evropë.

Sipas studimit për tendencat e kërkimit online të vendpushimeve nga shtetasit polakë, Shqipëria regjistroi 2 900 kërkime dhe një rritje në 86%.

Drejtime të reja në horizont

Nuk mund të mohohet se një rritje prej 86% e kërkimeve tregon drejtime të reja në turizëm.

Një rritje e tillë u regjistrua në vitin 2022 për togfjalëshin “Pushime në Shqipëri”, i cili kërkohej nga polakët mesatarisht 1 559 herë në muaj dhe në vitin 2023 ky numër u rrit në 2 900.

Kjo dëshmon se turistët polakë janë më të gatshëm të eksplorojnë destinacione më pak të njohura dhe të kërkojnë një arratisje nga turizmi komercial.

Vlen gjithashtu të theksohet se Shqipëria po shënon një rritje të interesit të, absolutisht çdo polaku.

Shqipëria, është një nga vendet ku turizmi sapo ka filluar të zhvillohet dhe shumë udhëtarë janë në kërkim të destinacioneve pa turma turistësh.

Për më tepër, Shqipëria ofron çmime të përballueshme të shërbimeve turistike.

Kjo i shtyu ata të kërkonin alternativa më të lira.

Shpjegimi për këtë tendencë në rritje si në rastin e Shqipërisë lidhet me dëshirën për të eksploruar vende dhe rajone të reja.

Shqipëria ofron një klimë të butë, kohët e fundit ka qenë e njohur në mesin e turistëve që kërkojnë pushime edhe jashtë sezonit turistik./atsh/KultPlus.com

Media hungareze, “IN.HU”: Shqipëria mes pesë destinacioneve më të kërkuara në botë për vitin e ardhshëm

Edhe pse Parisi, Nju Jorku dhe Bangkoku vazhdojnë të presin një numër rekord turistësh, disa destinacione jo shumë të njohura po tërheqin vëmendjen e udhëtarëve.

Sipas një hulumtimi vjetor, Shqipëria është renditur mes pesë destinacioneve më në trend për vitin e ardhshëm, shkruan në një artikull revista hungareze IN.HU.

Vlorë, Shqipëri

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vitet e fundit, falë historisë së saj të pasur, rivierës mahnitëse dhe kulturës mikpritëse.

E vendosur në pjesën jugperëndimore të vendit, në brigjet e detit Adriatik, Vlora është qyteti i katërt më i populluar i Shqipërisë dhe qyteti i dytë port më i rëndësishëm, ku ndërthuret e kaluara magjepsëse dhe natyra e bukur e vendit.

Plazhet e Vlorës janë një eksperiencë e mrekullueshme për t’u eksploruar edhe në muajt e vjeshtës, pasi moti është ende i ngrohtë për t’u çlodhur në rërën e butë dhe admiruar peizazhin ose për shëtitje në mal.

Nëse udhëtoni në Vlorë, ia vlen të vizitoni Llogaranë, 45 minuta larg, parkun e famshëm kombëtar të Shqipërisë, i cili ofron pamje që të lënë pa frymë. /ATSH /KultPlus.com

Janjeva, një destinacion turistik në zhvillim e sipër

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po qëndron e përkushtuar për të ruajtur dhe për të ringjallur trashëgiminë jomateriale të Janjevës dhe për të mbështetur fuqizimin socio-ekonomik të banorëve të saj përmes iniciativave të rrënjosura thellë në trashëgiminë e saj të pasur dhe të prekshme, duke e vendosur Janjevën në hartën e destinacioneve turistike që duhen vizituar, përcjell KultPlus.

Si pjesë e aktivitetit “Hartëzimi i turizmit rural në Janjevë” i zbatuar nga OJQ EC Ma Ndryshe dhe i mbështetur nga projekti i zbatuar nga UNDP Kosovo “Trashёgimia Kulturore si Nxitёse e Ringjalljes Ekonomike tё Janjevës”, financuar nga MKRS dhe European Union in Kosovo, ka përfunduar hulumtimi në terren për identifikimin dhe hartografimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Janjevës.

“Falënderojmë pesë pjesëmarrësit e jashtëzakonshëm që morën pjesë në programin e trajnimit të Guidave Turistike, të cilët po fitojnë përvojë në punë dhe po luajnë një rol kryesor në transformimin e Janjevës në një destinacion për vizitorët”, thuhet në njoftim nga MKRS.

Informacionet e mbledhura do të integrohen në një webfaqe, duke ofruar njohuri të vlefshme në vendet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore që Janjeva ofron për vizitorët. / KultPlus.com

“Il Giornale”: Zbuloni Shqipërinë, Tokën e Shqiponjave, mes kështjellave dhe vendeve arkeologjike

Pas bumit të verës, zbulimi dhe zhvillimi i Shqipërisë nuk ndalet. Nuk është vetëm vija bregdetare prej 400 kilometrash kryesisht përgjatë detit Jon në jug të vendit, që tërhoqi një numër të lartë turistësh, përfshirë italianët, midis korrikut dhe gushtit, të cilët kërkonin pushime me çmime të përballueshme, por “Toka e Shqiponjave” ka shumë karta të tjera për të luajtur, shkruan në një artikull gazetarja Camilla Golzi Saporiti në të përditshmen italiane “Il Giornale”.

Qytetet, fshatrat, kështjellat, vendet arkeologjike dhe muzetë plotësojnë tablonë dhe e bëjnë Shqipërinë një nga destinacionet turistike më interesante evropiane dhe globale të momentit. “The Times” dhe “The Guardian” kanë shkruar për këtë.

NGA REGJIMI NË PËRMIRËSIMIN EKONOMIK DHE TURISTIK

Shqipëria përjetoi një periudhë të errët, nga viti 1976 deri në 1991, në të cilën u izolua dhe u bë pjesë e një nga diktaturave më të egra komuniste, duke u keqtrajtuar gjithmonë nga vendet fqinje të Ballkanit dhe shpesh me mosbesim nga komuniteti ndërkombëtar.

Vitet e fundit ajo ka arritur të ngrejë kokën dhe të nisë rrugën e hapjes dhe zhvillimit, si një demokraci e plotë.

Me një rritje të parashikuar të PBB-së prej +2,2% në 2023 dhe +3,4% në 2024 dhe një nivel shërbimesh dhe akomodimesh që po rritet gradualisht, Shqipëria e sotme sillet rreth Tiranës, ku duhet të kalosh detyrimisht.

TIRANA NË EVOLUCION

Tirana ka një milion banorë (paga mesatare e të cilëve është 500 euro në muaj) dhe është në evolucion të plotë.

Interesante për t’u vizituar është Sheshi Skënderbej.

Zemra e kryeqytetit, e rinovuar në vitin 2017, është një drejtkëndësh 24 mijë m2 me një mozaik gurësh natyrorë të ardhur nga të gjitha trojet historike shqiptare.

Plotësisht i pedonalizuar, alternon stolat dhe sipërfaqet e gjelbra, falë të cilave në vitin 2018 mori çmimin “Evropian për Hapësirën Publike Urbane”.

Në qendër ndodhet monumenti i kalorësisë prej bronzi i Skënderbeut, heroi kombëtar, ndërsa ndërtesat kryesore historike të qytetit kanë pamje nga zona përreth, përkatësisht, Xhamia e Et’Hem Beut, Opera, Pallati i Kulturës dhe Muzeu Historik Kombëtar.

Për të admiruar sheshin në tërësinë e tij, idealja është të ngjiteni në majën e Kullës së Sahatit.

Nuk duhet humbur Pazari i Ri, i cilësuar si një nga tregjet më të bukura në Evropë falë strukturës së tij prej çeliku dhe xhami.

DURRËSI

Nga Tirana mund të lëvizni drejt Durrësit. Hoteli me pesë yje i inauguruar në maj 2023, gëzon një plazh të madh me pamje nga Adriatiku, pyllin me pisha, restorante dhe menu “à la carte” dhe SPA.

Ndër pikat e forta të hotelit, është pozicioni strategjik për të eksploruar pjesën më tipike të Shqipërisë qendrore-veriore, e përbërë nga brigje të pandotura, me shkëmbinj dhe plazhe ranore si Kepi i Rodonit, ku gërshetohet e shkuara me të tashmen, mes kështjellave mesjetare, manastireve dhe zonave arkeologjike.

Kryeqyteti i parë Kruja, ruan mbetjet, fatkeqësisht të pakta, të kështjellës antike, Muzeut Kombëtar kushtuar Skënderbeut dhe një fshat si pazari i stilit osman.

Një tjetër kështjellë, shumë më mirë e ruajtur, ndodhet në Berat, në qytetin e dritareve dhe muzeut ikonografik Onufri.

Jo kështjellë, por tempull dhe odeon në Apolloni, një vend arkeologjik që daton në 588 para Krishtit. / atsh / KultPlus.com

“Voloscontato”: Vizitoni Parkun Kombëtar të Shqipërisë ku fshihen thesare natyrore

Krahas plazheve të njohura verore, Shqipëria ofron edhe Parkun Kombëtar “Bredhi i Drenovës” në Korçë.

Malet, burimet dhe shkëmbinjtë krijojnë një panoramë unike, për një eksperiencë autentike në vjeshtë për turistët italianë që kërkojnë aventura të paharrueshme.

Shqipëria, e cila është kthyer në një destinacion popullor mes turistëve italianë, ofron shumë më tepër se plazhet dhe detin e kristaltë, shkruan në një artikull Elisabetta Coni të botuar në të perditshmen italiane “Voloscontato” (voloscontato.it).

Me afrimin e vjeshtës, vizitorët mund të eksplorojnë bukuritë natyrore shqiptare, në veçanti Parku Kombëtar “Bredhi i Drenovës” i vendosur në malet e vendit.

Bukuria e maleve shqiptare

Megjithëse Shqipëria njihet shpesh për brigjet e saj magjepsëse, vendi është kryesisht malor, me dy të tretat e territorit të pushtuar nga vargmale madhështore.

Ndërsa stina e verës ia lë vendin vjeshtës, zonat malore ofrojnë mundësi të reja pushimi për turistët, me ekskursione, trekking, kanoe dhe ngjitje.

Alpet Shqiptare, me majën më të lartë të Jezercës në 2693 metra, janë një pikë referimi për ata që kërkojnë përvoja autentike në fshatra të vegjël tradicionalë.

Zemra e Parkut Kombëtar: burime natyrore dhe shkëmbinj misterioz

Një nga vendet më magjepsëse në malet shqiptare është Parku Kombëtar “Bredhi i Drenovës”, një zonë e madhe e mbrojtur prej 1380 hektarësh, e vendosur në malet e Moravës, pranë një fshati piktoresk në Shqipërinë qendrore-jugore.

Ky park karakterizohet nga mbizotërimi i pyjeve të bredhit, pishës së zezë, lajthisë dhe ahut, ndërsa zonat e hapura përmbajnë kullota alpine dhe subalpine.

Karakteristika dalluese e Parkut Kombëtar “Bredhi i Drenovës” është prania e burimeve natyrore me ujë të ftohtë, duke e bërë atë tërheqës edhe në ditët e nxehta të verës.

Burimet, me emra piktoreskë si Burimi i Shën Gjergjit , Kroi i Plakës, ofrojnë ujë të pijshëm për vizitorët.

Përveç kësaj, parku është i mbushur me formacione unike shkëmbore, duke përfshirë “Monumentin Natyror të Gurit të Capit” në 1573 metra mbi nivelin e detit.

Pse të vizitoni Parkun Kombëtar “Bredhi i Drenovës”?

Kur bëhet fjalë për zgjedhjen e një destinacioni vjeshtor që ndërthur mrekullitë e natyrës dhe autenticitetin kulturor, Parku Kombëtar “Bredhi i Drenovës” në Shqipëri prezantohet si një zgjedhje e jashtëzakonshme, duke tejkaluar pritshmëritë në krahasim me opsionet italiane.

1. Autenticiteti dhe tradita kulturore

Shqipëria ofron një përvojë autentike larg furisë. Parku Kombëtar është i zhytur në fshatra të vegjël tradicionalë shqiptarë, duke i lejuar vizitorët të shijojnë atmosferën autentike, peizazhet unike dhe kulturën vendase, larg turizmit masiv.

2. Pamje malore 

Ndërsa shumë rajone italiane janë subjekt i flukseve të mëdha turistike, malet shqiptare ofrojnë një strehë paqësore.

Parku Kombëtar karakterizohet nga pyjet e bredhit, pishat e zeza dhe formacionet shkëmbore, duke krijuar pamje të pacenuara që të lënë pa frymë.

Qetësia e maleve shqiptare i lejon vizitorët të shijojnë plotësisht bukurinë natyrore.

3. Burimet natyrore dhe fauna e larmishme

Parku shqiptar nuk ofron vetëm peizazhe spektakolare malore. Në fakt, ai pasurohet nga burimet natyrore të ujit të ftohtë.

Këto burime, me emra piktoreskë, i japin një prekje të veçantë vizitës, duke ofruar vende për t’u freskuar në mënyrë natyrale.

Fauna e larmishme e parkut, e cila përfshin specie unike, kontribuon për ta bërë përvojën tuaj edhe më magjepsëse.

4. Eksperienca autentike në vjeshtë

Ndërsa shumë vende italiane mund të paraqesin një atmosferë turistike të përjetuar mirë, Parku Kombëtar në Shqipëri ofron një autenticitet unik gjatë vjeshtës.

Turistët kanë mundësinë të zhyten në një stinë ngjyrash të gjalla dhe të përjetojnë një arratisje autentike vjeshtore.

Kush do të donte të vizitonte Parkun Kombëtar në Shqipëri?

Ky zbulim është një thesar për turistët që dëshirojnë të jetojnë një eksperiencë unike gjatë vjeshtës në Shqipëri, larg destinacioneve të zakonshme të mbushura me njerëz.

Për ata që kërkojnë një kombinim të peizazheve që të lënë pa frymë, ajrit të pastër malor dhe autenticitetit kulturor ose thjesht një arratisje vjeshtore të rrethuar nga natyra, Parku Kombëtar “Bredhi i Drenovës”” përfaqëson destinacionin ideal.

Adhuruesit e natyrës dhe aktiviteteve në natyrë do të gjejnë një gamë të gjerë mundësish në këtë vend, nga ecja deri te soditja e bukurive natyrore. /atsh / KultPlus.com

Media spanjolle, “A21”: Shqipëria, destinacioni i preferuar i miliona vizitorëve

Mesdheu është padyshim një nga destinacionet turistike më të njohura në Evropë i cili tërheq çdo vit miliona vizitorë, sipas një artikulli të botuar në revistën spanjolle “A21”, (a21.com.mx).

Pikat e nxehta gjithnjë e më tërheqëse të Mesdheut juglindor ofrojnë një ndërthurje plazhesh të bukura, disa prej të cilave mund të rivalizojnë rërën e bardhë të Karaibeve, mrekullitë e një bote antike dhe një kuzhine të shkëlqyer!

Nëse kërkoni një arratisje të veçantë, autentike dhe jo pushime tradicionale vizitoni destinacionin e ri të Ballkanit, Shqipërinë e cila ofron pamje mahnitëse të plazheve dhe çmime të përballueshme!

Komisioni Evropian i Udhëtimeve konfirmoi në fillim të vitit 2023 se rritja më e madhe e numrit të turistëve është regjistruar në Shqipëri, një rritje prej 277% këtë verë krahasuar me 2013, e ndjekur nga Greqia me 147%, Turqia me 114% dhe Kroacia me 104%.

Shqipëria ofron një kombinim të plazheve të bukura, vendeve kulturore historike dhe kuzhinës tradicionale dhe të huaj.

Gjatë viteve të fundit është parë një rritje e popullaritetit në Rivierën Shqiptare, falë plazheve unike me rërë të bardhë, ujërave bruz dhe qyteteve mesjetare.

Tirana, kryeqyteti modern i Shqipërisë, së fundmi është shpallur Kryeqyteti i Rinisë Evropiane për shkak të reputacionit të saj si qendër e inovacionit dhe sipërmarrjes.

Me jetën e saj të gjallë shoqërore dhe kulturore, ajo është e preferuara e nomadëve dixhitalë.

Megjithatë, pika më e fortë e Shqipërisë është përballueshmëria e saj si një destinacion mesdhetar, dhe hapja e saj ndaj të huajve.

Qyteti është një kombinim i përsosur i historisë, ushqimit dhe aventurës. /atsh / KultPlus.com

“Lonely Planet Italia”: Tirana, kryeqyteti i ri i teknologjisë së lartë i Evropës Lindore

Katërmbëdhjetë shkallë të pjerrëta të bardha të vendosura në të gjithë strukturën të çojnë në majën e Piramidës së Tiranës, shkruan Francesca Masotti në një artikull të botuar në revistën italiane, “Lonely Planet Italia”.

Ish-trashëgimia e epokës komuniste, e ndërtuar në vitin 1988 me iniciativën e vajzës dhe dhëndrit të diktatorit Enver Hoxha, pas katër vitesh punë, më në fund ka rihapur dyert për publikun dhe po përgatitet të bëhet qendra më e madhe multifunksionale në Evropën Lindore.

Ajo lindi falë një investimi të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Bashkisë së Tiranës, projektuar nga studioja e famshme holandeze e arkitekturës MVRDV.

Studioja ka rinovuar me mjeshtëri kompleksin e rrënuar dhe gjithashtu hapësirat e jashtme të Piramidës, duke ruajtur strukturën bazë origjinale.

Tani ajo është një ndërtesë transparente ku mbizotëron e bardha dhe drita, me dritare të mëdha, elementë hekuri, kuba me ngjyra, pemë dhe gjelbërim përreth.

Tirana kryeqyteti i ri për t’u zbuluar

“Dhomat e saj do të presin biznese të reja, zyra, evente dhe një qendër TUMO për t’u garantuar studentëve të rinj shqiptarë dhe rajonal, akses në aftësitë dixhitale të afta për t’u dhënë atyre një të ardhme punësimi.

‘Qendra të ngjashme janë tashmë funksionale në Jerevan, Paris, Berlin, Los Anxhelos, Zyrih dhe Lion, por ajo në Tiranë është hapësira e parë për teknologjitë kreative në të gjithë Ballkanin”, tha Ketrina Jarazi, Drejtoresha e Drejtorisë së Turizmit në Bashkinë e Tiranës.

Vitet e fundit, qyteti ka ndryshuar shumë, ndërtesa të reja, zona të rinovuara, restorante të shkëlqyera, ngjarje çdo javë, dhe shumë turistë.

Tirana tashmë ofron gjithçka që duhet për t’u bërë destinacioni i ri për një fundjavë ndryshe.

Këtë vit numri i vizitorëve ishte shumë i lartë për një komb të vogël si Shqipëria, e rrethuar nga vende si Italia, Kroacia, Greqia, Turqia.

Sipas të dhënave nga Instat, Instituti Kombëtar i Statistikave të Shqipërisë, numri i turistëve arriti ne 8,2 milionë.

Çfarë duhet të bëni në Tiranë

Linjat ajrore me kosto të ulët tashmë lidhin kryeqytetin shqiptar me aeroportet kryesore evropiane dhe duke filluar nga nëntori, “Ryanair” do të fluturojë drejt Tiranës edhe nga Bolonja, Milano, Roma, Katania, Treviso dhe shumë qytete të tjera të kontinentit të vjetër.

Kalendari i ngjarjeve po evoluon vazhdimisht, këtë verë artistë të mëdhenj si Enrique Iglesias, Ricky Martin dhe Placido Domingo performuan në Tiranë, ndërsa festivali ndërkombëtar i filmit TIFF dhe Festivali Europian i Filmit Rinor i Tiranës tërhoqën aktorë dhe regjisorë nga i gjithë Ballkani dhe Evropa.

Por, viti nuk ka mbaruar akoma, më 16-17 tetor Festivali Kosmos mbledh artistë të muzikës klasike vendase dhe ndërkombëtare në qytet, më 22 tetor është Maratona.

Nga 15 deri më 19 nëntor organizohet Panairi i Librit dhe është rasti më i mirë për të takuar shqiptarët. autorë, shumë prej të cilëve janë përkthyer edhe në italisht.

Më 29 nëntor është Nata e Bardhë e shoqëruar me muzikë, kërcim dhe argëtim në rrugët e Bllokut, dhe më pas është tregu i Krishtlindjeve i cili nga dhjetori deri në fillim të vitit të ri mbledh artizanët, bodrumet e verës dhe stendat e ushqimit në sheshin Skënderbej të veshur me veshje festive.

Vizitë në muze

Nga sheshi i madh, zemra e qytetit, në BunkArt2 është një hap i shkurtër.

Është muzeu kushtuar viktimave të regjimit komunist i ndërtuar në dhomat e një bunkeri antiatomik në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Bunkart1 në periferi të kryeqytetit, gjithashtu i ndërtuar brenda një bunkeri (shtatë kate nën nivelin e tokës) përfshin salla, dhoma dhe një teatër.

Dy ndalesa të paharrueshme për t’u thelluar në historinë jo shumë të largët të Shqipërisë, në xhevahirin e vërtetë të Shtëpisë së Gjetheve, fituese e Çmimit Muzeor 2020 të Këshillit të Evropës, në ish-selinë e Sigurimit, policia sekrete shqiptare në kohën e Hoxhës.

Mes arkivave dhe pajisjeve të llojeve të ndryshme, rrëfehet dhe përkujtohet dhuna psikologjike në muze, shkelja e të drejtave të njeriut dhe kontrolli i ushtruar ndaj qytetarëve gjatë viteve të vështira të regjimit komunist.

Tirana me pamje

Në fund të ditës, rrugët e qytetit mbushen me njerëz, Parku i Madh, në fund të Bllokut, tërheq familje dhe sportistë, çifte të moshuarish për shëtitje dhe grupe të vogla miqsh që takohen.

Është gjithmonë kënaqësi të ecësh këtu dhe përshtypja që të jep është se nuk ndihesh kurrë vetëm, por pjesë e një komuniteti të madh.

Në perëndim të diellit, megjithatë, bëni sërish një udhëtim në Piramidë, ngjituni në majë për të admiruar qytetin nga lart në orën më të bukur të ditës.

Sigurisht që nuk do të jetë si një pamje e Romës apo Parisit, por kryeqyteti shqiptar është “shtëpia ime larg shtëpisë” dhe për mua çdo herë është gjithmonë e bukur, origjinale, unike. Me një fjalë të vetme? Tirana. /atsh / KultPlus.com

Revista amerikane “AZ Animals”: Shqipëria mes 11 vendeve më unike

Revista amerikane “AZ Animals” e ka renditur Shqipërinë mes 11 vendeve më të mahnitshme dhe unike.

Shqipëria është pjesë e rajonit të Ballkanit të Evropës.

Vendi karakterizohet nga një klimë e larmishme për shkak të vendndodhjes në kontinent.

Brigjet kanë një klimë mesdhetare, e cila është e përkryer për plazhistët dhe ata që pëlqejnë motin me diell.

Ndërsa shkoni në brendësi, do ta gjeni veten në një rajon malor më të ftohtë dhe shumë të lagësht.

Shqipëria

Shqipëria është një vend i vogël evropian, i vendosur mes Greqisë, Malit të Zi dhe Kosovës.

Peizazhi natyror i këtij vendi me shtatë shkronja përmban male të thyer dhe një vijë bregdetare të gjerë që shtrihet përgjatë deteve Adriatik dhe Jon në rajonin e Ballkanit.

Me një sipërfaqe prej 28,750 km² dhe një vijë bregdetare prej 362 km, Shqipëria pretendon titullin e vendit të 18-të më të vogël të Evropës dhe vendin e 145-të në botë.

Tirana, zemra e Shqipërisë, nuk është vetëm kryeqyteti administrativ, por edhe një nga atraksionet kryesore për vizitorët.

Nga ana tjetër, Saranda shkëlqen si një destinacion kryesor pushimesh në Shqipëri, i famshëm për plazhet e pacenuara dhe skenën e gjallë të festave.

Saranda ndodhet vetëm 40 minuta me varkë nga ishulli grek i Korfuzit dhe shumë pranë Butrintit, parku arkeologjik kryesor i Shqipërisë i njohur nga UNESCO.

Kur bëhet fjalë për ushqimin, gatimet shqiptare jehojnë me shijet mesdhetare.

Kjo përkthehet në një bollëk te produketeve si peshk, zarzavate, fruta, arra dhe vaj ulliri.

Megjithatë, mishrat si viçi, qengji, viçi, madje edhe derri shërbehen në shumë tryeza shqiptare. /atsh / KultPlus.com

“The Guardian” rendit Pejën në mesin e qyteteve të Evropës që duhet vizituar

Lexuesit e gazetës prestigjioze “The Guardian” kanë renditur disa qytete në Evropë që janë të pareklamuara dhe që duhet vizituar.

Peja nga ta është cilësuar si një vend i përkryer për një pushim fundjave, duke përfshirë kështu edhe udhëtimet në disa fshatra përreth.

Në këtë shkrim thuhet se duhet vizituar qyteti për të parë arkitekturën e bukur. Më pas duhet vizituar edhe ujëvara e Drinit të Bardhë, pastaj bjeshkët e Pejës, Radavci dhe Gryka e Rugovës.

Ata nuk harruan ta përmendin edhe gjallërinë e qytetit që krijohet si dhe kafenetë ku mund të shijoni ndonjë pije.

Përveç Pejës, qytete të tjera që duhet vizituar në Evropë është renditur edhe qyteti Leiden në Holandë, pastaj Bremen në Gjermani, La Spezia në Itali, Grazi në Austri, Lille në Francë, Bergen në Norvegji, Kordoba në Spanjë dhe Zagrebi në Kroaci. / KultPlus.com

“Much Better Adventures”: Vjeshta, koha ideale për të zbuluar Shqipërinë

Në verë, plazhet e Livadhit dhe Dhërmiut mbushen me turistë te shumtë. Këto plazhe ndodhen në Rivierën Shqiptare, dhe janë 12,5 milje (20 km) larg njëra-tjetrës. Në sfond dallohen malet e larta të mbushura me ullishte, të përkulura rreth vijës bregdetare jugore, shkruan në një artikull gazetari Stuart Kenny të botuar në revistën e udhëtimëve “Much Better Adventures”.

Rëra e tyre idilike e bardhe vështron detin Jon, përtej Korfuzit dhe thembrës së Italisë.Në pikun e sezonit dominon jeta e natës, dhe pothuajse sipërfaqja prej 5 km e plazhit të Dhërmiut është e zënë nga turistë nga vende të ndryshme të botës.

Deti i thellë blu shkëlqen nën diellin mesdhetar dhe shtëpitë e bardha, të grumbulluara në kodër.  Ekziston një qetësi në shtigjet e bariut të vjetër dhe një vend sekret në limane.

“Zona ka një numër të lartë vizitorësh në korrik dhe gusht, dhe frekuentohet më pak në pranverë dhe vjeshtë”, tha Ricardo Fahrig, një ekspert i zhvillimit të destinacionit dhe bashkëthemelues i operatorit turistik “Zbuloni Shqipërinë!”.

I lindur dhe rritur në Gjermani, Fahrig tashmë punon dhe jeton në Tiranë, kryeqytetin shqiptar, për më shumë se një dekadë.

“Kishte kaq shumë potencial të pashfrytëzuar këtu dhe kaq shumë për të bërë në një destinacion që njihej aq pak. Mua më ngeli zemra këtu”, tha ai.

Vitet e fundit Shqipëria është përfshirë në hartën e turizmit. Shqipëria u hap me botën në vitet 1990, pas komunizmit.

Nuk pati zhvillim masiv në vend gjatë kësaj kohe, dhe kjo është pjesërisht arsyeja pse peizazhet natyrore të vendit, si lumi i Vjosës, parqet kombëtare kanë mbetur të pacenuar. Por, kjo e privoi vendin nga rritja ekonomike.

“Shqipëria ishte e izoluar pas Luftës së Dytë Botërore për gati 45 vjet”, tha Ricardo.

“Ju e keni zonën më shumë për veten tuaj. Nuk ka pritje në rradhë dhe çmimet janë të ulëta. Vendasit janë më të relaksuar sepse janë nën presion më të vogël, dhe kështu ju mund të zbuloni peizazhet autentike…”

Në dekadën e fundit, kjo ka ndryshuar, dhe vendi ka përjetuar një bum të madh në turizëm.  Rreth 7,5 milionë turistë vizituan Shqipërinë në 2022. Vendi ka planifikuar të mirëpresë mbi 10 milionë vizitorë në vitin 2023.

“Kjo është rritja më e shpejtë pas pandemisë në Evropë”, tha Fahrig.

“Ne kemi parë një rritje të numrit të vizitorëve me më shumë se 50% vetëm këtë vit”, tha ai.

“Komunitetet e vogla malore mirëpresin 100 000 vizitorë në vit”, theksoi ai.

PËRFITIMET E UDHËTIMEVE JASHTË SEZONIT

Mbipopullimi nga turizmi mund të shkaktohet nga një mori arsyesh, nga linjat ajrore me kosto të ulët dhe promovimi i destinacionit nga mediet sociale ose nëpërmjet televizionit.

“Kjo ndodh në pjesën më të madhe të turizmit në vend, që përqendrohet në të njëjtat vendpushime, në të njëjtët muaj”, tha Ricardo.

“20% e vendeve tërheqin 80% të vizitorëve dhe nga qershori në gusht numri i turistëve në Shqipëri është pesë herë më i madh se sa gjatë pjesës tjetër të vitit”, tha ai.

“Ne jemi një vend mesdhetar, kështu që shumica e njerëzve e lidhin atë me verën. Njerëzit priren të vizitojnë vendin kryesisht në korrik dhe gusht. Para qershorit dhe pas shtatorit, ka relativisht më pak vizitorë”, shtoi ai.

Një pjesë e punës së Fahrig përfshin përmirësimin e shtigjeve të reja për të shpërndarë të gjithë këtë turizëm të ri, në të gjithë vendin.

Një nga shtigjet e para që ai krijoi ishte rruga e mirënjohur “Majat e Ballkanit”, e cila tashmë ka arritur kapacitetin e nevojshëm.

“Qëllimi ishte lidhja e rajoneve malore më atraktive të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi në një shëtitje rrethore, për të sjellë komunitetet që nuk shihnin asnjë vizitor në rrjetin e turizmit dhe për të lehtësuar presionin mbi pikat e tjera të nxehta”, tha ai.

“Ky shteg nuk është aspak i arritshëm gjatë dimrit, për shkak të borës. Këto zona mbyllen nga fundi i mesit të tetorit deri në fillim të majit,” tha Ricardo.

“Shumica e tyre janë në letargji, kështu që gjatë gjysmës së vitit nuk ka fare biznes apo punë. Është një kontrast i madh për komunitetet turistike rurale që shkojnë nga zero në njëqind”, shtoi ai.

Fahrig ka nisur projektin për zgjatjen e sezonit në jug të Shqipërisë për të siguruar të ardhura për vendasit që jetojnë në zona si, Livadh dhe Dhërmi, të frekuentuara në verë dhe të heshtura në dimër.

Rruga e re, aventureske i çon vizitorët përgjatë shtyllës kurrizore të Gadishullit të gjelbëruar të Karaburunit dhe deri në majën e malit 1,446 metra të Gjipalit.

Aty mund të eksplorojnë ullishtet dhe limanet e fshehura të oqeanit, ideale për not dhe fshatrat e qeta bregdetare.

“Nëse vizitoni vendin gjatë dhe jashtë sezonit, ka shumë më pak vizitorë”, tha Fahrig.

“Kështu që ju e keni zonën më shumë për veten tuaj. Nuk ka rradhë dhe çmimet janë të ulëta”, shtoi ai.

“Ne do të shmangim muajt më të nxehtë dhe më të ngarkuar të verës dhe gjithashtu do të zgjasim sezonin turistik duke mbështetur liderët dhe furnizuesit lokalë përtej verës”, tha Marta Marinelli, menaxhere e Zgjerimit të Aventurave në “Much Better Adventures”.

Natyrisht, vizitorët mund të përballen me kushte më pak të qëndrueshme të motit, në mbarim të sezonit, që në Shqipëri nis në fillim të majit dhe përfundon në fund të shtatorit.

Moti në bregdetin jugor është përgjithësisht i ngrohtë (rreth 26°C) gjatë ditës dhe më i freskët gjatë natës. / atsh / KultPlus.com

Pogradeci krah qyteteve me turizëm të zhvilluar, 500 mijë vizitorë gjatë verës

Përmes një deklarate online, drejtuar qytetarëve të Pogradecit, bashkia e këtij qyteti tha se, falë një strategjie të mirëkonceptuar në orientimin e investimeve apo shërbimeve në këto 4 vite e pak muaj, ia doli që Pogradeci të ngjitet me shpejtësi dhe të rreshtohet krah qyteteve me turizëm të zhvilluar. Kjo faktohet edhe nga shifrat në rritje nga viti në vit të numrit të pushuesve dhe vizitorëve.

Sipas Bashkise Pogradec, vetëm gjatë sezonit veror që lamë pas, në këtë qytet qëndruan rreth gjysmë milion turistë, vendas dhe të huaj. Kjo rritje kaq e madhe sigurisht që bazohet në shërbimet dhe investimet e bashkisë, bashkë me shërbimin në rritje të operatorëve turistikë.

“Kemi punuar dhe ia kemi dalë që të orientojmë Pogradecin drejt zhvillimit të turizmit 4-stinor. Në çdo sezon ne ofrojmë organizime dhe festa të ndryshme me karakter lokal dhe kombëtar në mënyrë që të thithim sa më shumë vizitorë e turistë”, thuhet në postimin e Bashkisë Pogradec, në faqen online.

Rritja e kërkesës për të qëndruar në Pogradec edhe jashtë sezonit veror, ka dhe kërkesat e saj, duke filluar që nga përmirësimi i dekorit, të konsumuar në këto 4 vjet. Bashkia Pogradec ka premtuar që këtë vit të sjellë një dekor të ri edhe më të bukur se vitet e kaluara për t’iu ofruar qytetarëve dhe vizitorëve një pamje krejt të re në këtë fundvit.

Bashkia ka theksuar se e gjithë pjesa tjetër e dekorit të viteve të kaluara do të vendoset në rrugë të pandriçuara më parë, deri në njësitë administrative pranë qytetit.

Për të realizuar këtë financim do të reduktohen disa zëra buxhetorë për investimet të cilat janë në proces apo që pritet të nisin, por kjo nuk nënkupton në asnjë moment se këto investime nuk do të kryhen, pasi do të nisë zbatimi i tyre në përfundim të të gjitha etapave ligjore./ atsh / KultPlus.com