Nëse jetoni në Meksikë dhe dëshironi të vizitoni vende të tjera për të pushuar, duhet të dini se ka destinacione turistike të lira nga të cilat mund të përfitoni. Këto vende ofrojnë kosto të përballueshme të shërbimeve në territor dhe alternativa turistike më të përshtatshme për xhepin tuaj! shkruan në një artikull e përditshmja spanjolle “El Cronista”.
Shqipëria është renditur mes pesë destinacioneve evropiane më të perballueshme për pushime në vjeshtën e 2023.
Shqipëria
Nëse dëshironi të njihni Evropën me një kosto të ulët, Shqipëria është opsioni ideal për ju.
Ajo ndodhet në juglindje të Gadishullit Ballkanik, gjuha e saj është shqipja dhe monedha vendase quhet LEK.
Shqipëria është një destinacion pak i njohur, krahasuar me vende të tjera si Franca, Italia apo Spanja, ndaj eksperienca turistike është më e lirë, përsa i përket çmimeve të akomodimit, ushqimit dhe transportit.
Vendi ofron plane kulturore, natyrore, gastronomike dhe të kohës së lirë.
Udhëtimi mund të fillojë me një vizitë në sheshin Skënderbej të Tiranës.
Nga atje, ju mund të njiheni me njerëzit, historinë e saj dhe të bëni turne të ndryshme turistike me udhëzues.
Nëse dëshironi të vizitoni plazhin, Ksamili në jug të vendit, do të ishte një opsion i shkëlqyer.
Për shkak të bukurisë natyrore zona bregdetare njihet si Riviera Shqiptare dhe tërheqja kryesore e saj është zbulimi i pjesës më pak të njohur të Mesdheut.
Përveç kësaj, ju gjithashtu mund të vizitoni kështjella antike, kisha, male dhe parqe natyrore.
Kërkesat për të udhëtuar në Shqipëri:
Të keni sigurimin e shëndetit në udhëtim
Të keni një pasaportë të vlefshme gjatë hyrjes
Nëse jeni meksikan, nuk keni nevojë për vizë turistike. / atsh / KultPlus.com
Evropa shpesh vlerësohet për vendet e saj të bukura, historinë e gjatë të zhvillimit njerëzor, monumentet ikonike dhe kulturat e ndryshme.
Kontinenti gjithashtu pëson një transformim të jashtëzakonshëm gjatë vjeshtës, duke i lejuar adhuruesit e natyrës të përfshihen në disa nga aventurat më emocionuese, shkruan në një artikull gazetari Felix Ngeso, të botuar në të përditshmen amerikane “The Travel”.
Por, ndërsa shumë turistë dynden drejt destinacioneve të njohura për të shijuar ngjyrat e gjalla të vjeshtës, ka një ndjenjë kënaqësie që vjen nga eksplorimi i vendeve të panjohura të Evropës.
Destinacionet më të mira të Evropës nën radar ofrojnë përvoja autentike larg turmave.
Peizazhet verbuese përzihen në mënyrë të përkryer me arkitekturën e tyre shekullore, ndërsa atraksionet e mbushura me aventura si parqet janë më pak të mbushura me njerëz, duke ofruar kështu një arratisje të qetë.
Shqipëria është renditur mes 10 destinacioneve në Evropë, ku udhëtarët mund të shohin gjethet e vjeshtës në të gjithë shkëlqimin e saj së bashku me vendet më të mira për të qëndruar.
Theth, Shqipëri
Thethi është një nga destinacionet dhe perlat e fshehura të Evropës që ia vlen të vizitohet gjatë sezonit të vjeshtës për peizazhin e tij të pacënuar dhe të mrekullueshëm.
Adhuruesit e vjeshtës do të magjepsen nga natyra ndërsa ecin drejt Ujëvarës mahnitëse të Grunasit.
Ecja zgjat rreth një orë nga fshati i Thethit dhe i çon aventurierët përtej lumenjve të zhurmshëm, kullotave të gjera dhe shpateve madhështore malore të mbuluara nga gjethet e vjeshtës.
Megjithëse seksioni i fundit i shtegut përfshin një ecje te dhimbshme, peizazhi me ngjyrë të artë që rrethon ujëvarën 25 m fshin çdo lodhje që mund të kenë adhuruesit e natyrës gjatë rrugës. /atsh / KultPlus.com
Me rastin e Ditës Botërore të Turizmit e cila festohet në mbarë botën me datë 27 Shtator, si dhe Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore e cila festohet me datë 29 Shtator, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se dyert e Sahat Kullës do të jenë të hapura për të gjithë vizitorët nga ora 10:00-18:00.
Nga Komuna e Prishtinës ju bëjnë thirrje që gjatë këtyre ditëve ju mund ta shihni kryeqytetin nga një kënd tjetër. / KultPlus.com
Divjakë-Karavasta, 90 km larg Tiranës, është një nga parqet natyrore më të vizituara nga turistët vendas e të huaj për turizmin detar, natyror dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro duke e cilësuar një pol të turizmit natyror, tha se ” gjatë gushtit Divjakë-Karavasta ka pritur më shumë se 186 mijë vizitorë mes peizazheve të pyllit, lagunës, ngjyrave të shpendëve e duke mos u larguar pa provuar ushqimet e shijshme të zonës”.
Turistëve në këtë park iu ofrohet një guidë prej 5 km, ku ata njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut. Gjatë vizitës në park mund të zhvillosh disa lloje aktivitetesh përveçse të njihesh me informacionin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta në Qendrën e Vizitorëve si ecje në natyre (rreth 50 km shtigje), vëzhgimi i shpendëve, piknik, vozitje me varkë, kamping, xhiro me biçikleta, kajak dhe vizitë në site arkeologjike dhe ato fetare”
Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.
Vendet më të preferuara nga vizitorët janë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku jeton Pelikani, por edhe shpendë të tjerë dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen flamingot dhe rosat e egra.
Flamingot dhe shpendët e tjerë ujorë, që popullojnë lagunën e Divjakë-Karavastasë, kanë tërhequr vëmendjen e medieve botërore me reportazhet e tyre të shumta për jetën e egër në këtë park./atsh/KultPlus.com
Eksperiencë plazhi e jashtëzakonshme, pak turistë, ambient miqësor. Kjo është receta për udhëtimin perfekt. Plazhet e Shqipërisë presin vizitorë që janë ngopur me destinacionet kryesore evropiane, dhe duan të shpëtojnë nga turmat e turistëve, ndonjëherë mbytëse, shkruan në një artikull gazetarja Rozc Franciska, të botuar në të përditshmen hungareze “Coloré.hu”.
Kur bëhet fjalë për eksperiencat evropiane të plazheve, zakonisht të vijnë në mendje plazhet dalmate, spanjolle apo italiane.
Megjithatë, në ditët e sotme, këto vende janë shpesh aq të mbipopulluara sa bukuria e natyrës bëhet e pakëndshme.
Ky nuk është aspak rasti me plazhet e Shqipërisë, të cilat nga njëra anë rezultojnë të jenë shumë më miqësore me buxhetin sesa qendrat turistike të krijuara, dhe meqë ra fjala, ata u premtojnë adhuruesve të detit një pamje të mahnitshme.
Shqipëria e pazbuluar
Riviera shqiptare zyrtarisht 450 kilometra e gjatë (ose seksioni i njohur lokalisht si Bregu) shtrihet në pjesën verilindore të detit Jon: bregdeti shtrihet përmes Vlorës dhe Sarandës deri në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe kufirin grek.
Bregu është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura të Shqipërisë, si dhe shumë atraksioneve të tjera, duke përfshirë mrekullitë natyrore si shpellat dhe burimet nënujore, por edhe fshatrat simpatikë bregdetar, pamjet mahnitëse, rrënojat e lashta, madje edhe bunkerë bërthamor të pashfrytëzuar.
Plazhet e Shqipërisë: Plazhi i Gjipesë
Edhe pse nuk mund të themi kurrsesi se plazhi i Gjipesë është një nga plazhet lehtësisht të aksesueshme (një rrugë e pashtruar të çon në një nga perlat e bregdetit shqiptar).
Gjipe është edhe ndër plazhet shqiptare që konsiderohen të paprekura.
Gjipe është një plazh me guralecë që u ofron vizitorëve ujë të ngrohtë dhe të pastër kristal, duke e bërë atë një vend ideal për not.
Në verë, kajakë dhe SUP gjithashtu mund të merren me qira në zonë, por ju mund të sillni një ombrellë me vete.
Disa kafene në plazh ofrojnë ushqime të shijshme shqiptare, por numri i njësive të kateringut nuk është aq i lartë sa në plazhet e tjera të Evropës.
Plazhi i Gjipes ndodhet afërsisht 1,5-2 orë me makinë nga qyteti i Vlorës.
Plazhi i Dhërmiut
Plazhi i Dhërmiut, i vendosur në veri të Gjipesë, cilësohet si plazhi më i bukur në Shqipëri.
Edhe pse bregdeti i Dhërmiut nuk është me rërë, guralecat e lëmuara, të bardha dhe uji i bruztë i ofrojnë vizitorëve një eksperiencë vizuale të papërsëritshme.
Duke qenë se plazhi i Dhërmiut është më i lehtë për t’u aksesuar sesa i Gjipes, edhe familjet mund të pushojnë në këtë zonë bregdetare.
Shezlongët dhe çadrat mund të merren me qira në këtë plazh, dhe restorantet dhe kafenetë ofrojnë ushqime të shijshme për turistët dhe vendasit që e vizitojnë.
Është interesante që jeta në plazhin e Dhërmiut nuk ndalet as gjatë natës: me perëndimin e diellit, zona e bregdetit bëhet skena e festave të egra të plazhit.
Plazhi i Dhermiut ndodhet dy orë nga Saranda dhe 1,5 orë nga Vlora.
Plazhi i Potamit
Plazhi i Potamit, i vendosur në skajin verior të rivierës shqiptare, ka një efekt shumë më të izoluar, pasi shtrihet mes maleve dhe një zone të gjelbëruar.
Si rezultat, plazhi është kryesisht me hije gjatë ditës, por kjo është shumë e nevojshme në vapë, në fakt!
Plazhi i Potamit, ashtu si Gjipe apo Dhërmiu, ka gjithashtu një plazh me guralecë, por këtu ka gurë të mëdhenj e të rrumbullakët dhe jo guralecë të vegjël.
Potami ka një gamë të gjerë baresh dhe restorantesh në plazh, ku mund të ndjeheni të lirë të provoni disa ushqime të shijshme dhe pije të ftohta duke admiruar pamjen e pazakontë.
Plazhi i Potamit ndodhet pesë minuta me makinë nga qyteti i Himarës. /atsh / KultPlus.com
Për të gjithë ata që planifikojnë të bëjnë një udhëtim këtë vjeshtë, është e rëndësishme të kuptojnë se cilat destinacione ofrojnë opsione akomodimi që përshtaten brenda një plani shpenzimesh të përballueshme, shkruan në një artikull gazetarja Megi Canco, të botuar në “The Travel off Path”.
Udhëtarët që presin me padurim të vizitojnë atraksionet evropiane do të jenë të lumtur të marrin në konsideratë renditjen më të re të destinacioneve me tarifat më të lira për momentin!
Shqipëria është renditur mes pesë destinacioneve kryesore evropiane, që ofrojnë shërbime për turistët me çmimet më të lira.
Shqipëria
Dikur një nga destinacionet më të preferuara të Evropës, Shqipëria kohët e fundit ka fituar një interes të madh në skenën e turizmit ndërkombëtar falë kulturës së saj të pasur, rivierës mahnitëse dhe çmimeve të arsyeshme.
Në përgjithësi, në hotele kostoja për një natë shkon në mesatarisht 60 euro (~ 64 dollarë).
Pra, nëse udhëtoni në Shqipëri, qiratë afatshkurtra janë mënyra e duhur për të ndjekur.
Vlen të përmendet se zonat më turistike dhe të mbiçmuara kostoja mund të jetë shumë pak mbi mesataren.
Arsyeja pse kaq shumë udhëtarë duket se diskutojnë nëse Shqipëria është një destinacion buxhetor apo jo, është se çmimet mund të ndryshojnë shumë midis qyteteve dhe rajoneve./atsh / KultPlus.com
“Mirësevini në Shqipëri, një nga vendet më pak të eksploruara në Evropë”, kështu e nis artikullin media e njohur spanjolle Travesías.
U bë e zakonshme tashmë që Shqipëria të rrëmbejë titujt e mediave të huaja, për sa i përket turizmit me vendet dhe traditat e bukura që ofron. Sipas “Travesías” udhëtarët që vijnë këtu habiten nga gastronomia, pasuria kulturore dhe karakteri shqiptar që nuk i ngjan asnjë vendi tjetër.
Ndër qytetet që kanë përmendur janë Tirana, Berati, Gjirokastra dhe Vlora.
Tirana
Shqipëria është një nga vendet më të vogla në Evropë. Me vetëm 28 748 kilometra katrorë, ajo zë vendin e 37-të në kontinent për nga sipërfaqja.
Megjithatë, pavarësisht territorit të saj ajo krenohet me madhështinë e historisë së saj.
Përtej të shkuarës së afërt, diktaturës së Enver Hoxhës dhe integrimit të vështirë të saj në ekonominë globale pas vitit 1991, Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend ndryshe.
Mjafton të lexosh Ismail Kadaren për të kuptuar se diçka e ndan kulturën shqiptare nga pjesa tjetër e Evropës.
Do të ishte mirë të fillonim me “Dosjen H”, të botuar në 1981, ku Kadaré tregon historinë e dy studiuesve të huaj që mbërrijnë në Shqipëri për të studiuar poezinë e saj dhe ndeshen me një botë të mbyllur dhe provinciale; “Pallati i ëndrrave”, një distopi ku qeveria regjistron ëndrrat e secilit prej qytetarëve të saj për t’i kontrolluar ato (në mënyrë të pashmangshme na bën të mendojmë për kohën e diktaturës).
Midis ndërtesave të rrënuara dhe shtëpive të vjetra të shndërruara në klube, bare dhe restorante, lagjia e Bllokut ndihet veçanërisht e qetë gjatë mëngjeseve.
Në Tiranë ka copëza historie gjithmonë të pranishme, nga shtëpia e diktatorit pa asnjë gardh apo ndarje që mund ta mbajë të fshehur nga sytë e udhëtarëve dhe vendasve.
Sheshi Skënderbej është qendra e Tiranës.
Piramida, e cila supozohej të ishte një muze kushtuar të njëjtit personazh, sot është shndërruar në një qendër teknologjike.
Disa nga bunkerët e braktisur brenda qytetit janë shndërruar në galeri dhe muze, ndërsa mbetjet e kështjellës së vjetër u shndërruan në një qendër tregtare në ajër të hapur.
Në zemër të qytetit, një rrugë shumë e gjerë e veshur me pisha mesdhetare të bën të mendosh për stilin e veçantë fashist që pasqyronte ndikimin e Italisë gjatë mbretërimit të Zogut I dhe që do të arrinte kulmin me pushtimin në 1939 dhe aneksimin deri në 1944, viti në të cilin do të vinte në pushtet diktatori, Hoxha.
Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, i cili përveç rolit të tij si politikan, është edhe piktor dhe basketbollist.
Tirana është një qytet relativisht i vogël, por shumë miqësor për të shëtitur.
Në qendër ndodhet Sheshi Skënderbej, i rimodeluar së bashku nga artisti Anri Sala dhe zyra e S1N4E, më shumë se 90,000 metra katrorë e sheshit u mbuluan me mermerë të ngjyrave të ndryshme.
Në sfond, Opera dhe Muzeu Historik Kombëtar e inkuadrojnë në mënyrë madhështore hapësirën.
Në krye të muzeut, murali Shqiptarët, krijimi i Vilson Kilicës, Josif Drobonikut, Agim Nebiut, Anastas Kostandinit dhe Aleksandër Filipit, tregon historinë e vendit nga kohërat e lashta e deri në epokën komuniste.
I restauruar së fundmi, falë një fondi të Bashkimit Evropian që rindërtoi vendet e prekura nga tërmeti i 2019, murali rifitoi shkëlqimin dhe rrëmben vështrimin e udhëtarëve, me figurën femërore të Republikës në qendër dhe duke ngritur dorën me njërën dorë, pas saj fluturon flamuri kombëtar kuq e zi.
Berati
Megjithëse Tirana ka shumë për të ofruar, gjëja më e bukur e Shqipërisë është atje jashtë, në fshat, në rrugët dredha-dredha që përshkojnë peizazhe dramatike të luginave dhe maleve me qytete të vogla si diçka nga një përrallë mesjetare, të vendosura në majë të një mali.
Berati është një vendbanim që daton në shekullin e VII para Krishtit, i quajtur qyteti i njëmijë dritareve.
I vendosur në brigjet e lumit Osum, qyteti është i ndarë në tre rrethe: në krye, kalaja e vjetër; në qendër, një qytet i lashtë me mure i njohur si Mangalemi ose lagje osmane dhe, në anën tjetër të lumit, Gorica.
Shtëpitë e vogla të bardha, me dritare druri, mbulojnë të dy anët e malit dhe i japin udhëtarëve një kartolinë unike.
Berati konsiderohet si vendbanimi më i vjetër në Shqipëri dhe për shumë vite ishte pikërisht kufiri midis Perandorisë Bizantine dhe Perandorisë Romake, diçka që përshkon edhe historinë e të gjithë vendit, edhe në gjysmë të rrugës mes Lindjes dhe Perëndimit, mes krishterimit, islamit dhe ateizmit (shumë shqiptarë ende kujtojnë se si feja u ndalua nga viti 1967 deri në 1989).
Në njërën anë të kështjellës, kapela bizantine e Trinisë së Shenjtë shikon drejt luginës që nga shekulli i XV, ndërsa në rrëzë të malit funksionon Teqeja Halveti, një lloj manastiri i rendit Jalwati, një vëllazëri sufi islamike, sot si xhami. Është pjesërisht kjo trashëgimi historike që çoi në përcaktimin e Beratit si një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Edhe pse është ende diskret, nëse e krahasojmë me destinacionet e tjera mesdhetare, turizmi në Shqipëri ka filluar të lërë gjurmë, veçanërisht në qytetet historike si Berati apo Gjirokastër, në jug të vendit, pranë kufirit me Greqinë.
Me rrënojat që datojnë në shekullin e VII para Krishtit, Berati besohet të jetë vendbanimi më i vjetër në Shqipëri.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, gjatë dekadave të fundit kontributi i sektorit të turizmit në PBB-në shqiptare u rrit në 8% dhe viti 2019 ishte viti më i mirë i vendit për sa i përket turizmit, me 6,4 milionë vizitorë dhe 2,3 miliardë dollarë të ardhura nga ky sektor.
Ashtu si shumë nga vendet e rajonit, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, edhe Shqipëria kanë filluar të hyjnë në radarin e udhëtarëve nga e gjithë bota, të cilët vijnë këtu në kërkim të një eksperience ndryshe dhe me çmime më të volitshme.
Gjatë vizitës është e zakonshme mund të shihni një bunker të harruar, shumë monumente konkrete të luftës që të kujtojnë spomenikët jugosllavë, dhe një perlë siç është qyteti antik i Apolonisë, një mrekulli e vërtetë e periudhës klasike greke që ende ruan një portik spektakolar që inkuadron Mesdheun në sfond.
Gjirokastra
Arkitektura e të gjithë qytetit shfaq një stil otoman që e bëri atë të përfshihet si një qytet i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 2015.
Mes maleve dhe reve të ulëta, përveç një shiu të hollë, gjithçka ka një aureolë disi mistike.
Ndër faktorët dallues që tërheqin turizmin, gastronomia është padyshim një nga faktorët kryesorë që i fton njerëzit të kthehen.
Shijet shqiptare janë pasqyrë e asaj kulture dikotomike mes Lindjes dhe Perëndimit, nga njëra anë ndikimi mesdhetar dhe italian me vajra, ullinj, djathëra dhe makarona që do të imagjinonim në Itali apo Greqi, nga ana tjetër, përgatitjet me bazë perimesh dhe erëzash që të kujtojnë një meze turke apo arabe, të gjitha të shoqëruara me verëra të shkëlqyera vendase.
Gjirokastra është vendlindja e disa prej njerëzve më të njohur të historisë shqiptare, si shkrimtari Ismail Kadaré dhe diktatori Enver Hoxha.
Bukuria e vërtetë e kësaj pasurie gastronomike është se ju mund të shijoni gjithçka në një vend. Dhe duhet thënë gjithashtu se çmimet janë shumë të volitshme, që do të thotë se udhëtarët mund të porosisin pa u shqetësuar.
Së fundi, faktori tjetër kyç është cilësia dhe freskia e perimeve dhe prodhimeve të detit.
Në shumë qytete bregdetare, është mirë të pyesni se çfarë është e freskët atë ditë dhe të prisni disa nga sugjerimet e kuzhinës.
Vlora
Përgjatë gjithë shëtitores mund të shihni rezidencat dhe godinat, të dizajnuara për të huajt që gjejnë vendin ideal për të investuar paratë e tyre, veçanërisht italianët.
Vlora mund t’iu duket paksa si Costa del Sol i Spanjës, Côte d’Azur in Francës ose plazhet greke.
Brigjet e Vlorës, një nga destinacionet më të njohura verore në Shqipëri. / atsh / KultPlus.com
Shifrat që erdhën në Shqipëri nga turizmi në gjashtëmujorin e parë sipas bankës së shqipërisë tejkaluan investimet e huaja dhe remitancat.
Ndikim kishte edhe në të ardhurat buxhetore. Financat konfirmojnë se në pesë muajt e parë të vitit tvsh apo taksa e konsumit u rrit me 1.2%, tatimi mbi fitimin e bizneseve në 40.9% dhe akciza 8.5%. Edhe pse shifrat tregojnë për një kontribut pozitiv, ekspertët mendojnë se Shqipëria duhet të ndjekë një strategji të re për të vjelur më shumë të ardhura
Shqipëria është zyrtarisht në hartën e destinacioneve globale, por ekspertët shprehen se sektori ka nevojë për formalizim të mëtejshëm.
Për shkak të turizmit ekonomia jonë pritet të pësojë një zgjerim më të fortë me 3.7%, ndryshe nga parashikimi fillestar prej 2.5%. Kjo do ndikohet në masën më të madhe nga ndërtimi, tregtia dhe shërbimet e lidhura me turizmin./topchanel/KultPlus.com
Bota është e madhe, e bukur dhe emocionuese, e përbërë nga kultura të ndryshme magjepsëse. Kultura është thelbësore për ekzistencën njerëzore dhe përshkruan besimet, vlerat dhe traditat e përbashkëta sipas të cilave jeton çdo komunitet!
Udhëtimi në vende me kultura të ndryshme mund të jetë jashtëzakonisht i dobishëm. Jo vetëm që na ofron perspektiva të reja për botën, por gjithashtu na ndihmon të krijojmë lidhje të pasura dhe kuptimplote me një gamë më të gjerë njerëzish! shkruan në një artikull gazetarja Elise Christian, të botuar në të përditshmen britanike restless.co.uk .
Shqipëria është renditur mes 12 destinacioneve më të mahnitshme për zbulime kulturore.
Ndërsa Shqipëria ka përjetuar një fluks turistik vitet fundit, kultura e saj rurale mbetet e jashtëzakonshme, ku shumë vendas ende jetojnë nga bujqësia dhe blegtoria.
Shqipëria është gjithashtu një vend me plazhe të mahnitshme, fshatra idilike, pamje mahnitëse të Alpeve dhe vende të pabesueshme historike, siç janë mbetjet e Perandorisë Osmane.
Ky vend i Evropës Jugore ka shumë gurë të çmuar të fshehur.
Për shembull, “Syri i Kaltër” misterioz është një burim uji verbues blu me një thellësi të panjohur në jug, ndërsa në qytetin e Gjirokastrës, i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, shtëpitë prej guri ngjajnë me fortesa të vogla dhe rrugët me kalldrëm të çojnë të gjitha drejt Pazarit.
Tani është koha për të zbuluar këtë vend jashtëzakonisht të larmishëm, i cili ka mbetur një nga enigmat më të mëdha të kontinentit.
Vija bregdetare e saj gjarpëruese, e quajtur Riviera Shqiptare është e mbushur me plazhe ëndërrimtare, të mbuluara me ujëra të thellë blu, dhe vendpushime magjepsëse, si Dhërmiu dhe Ksamili.
Në brendësi të vendit, do të gjeni male të larta, kala, kështjella të shkatërruara dhe rrënoja të panumërta të lashta greke dhe romake.
Nëse jeni adhurues i historisë, i aventurave ose i apasionuar pas plazhit, Shqipëria ofron gjithçka për të gjithë. /atsh / KultPlus.com
Lukova, një nga fshatrat karakteristikë të Rivierës joniane, që gjendet mes Sarandës dhe Himarës, 30 minuta larg secilit prej dy destinacioneve turistike të Shqipërisë së jugut ofron panorama unike dhe oaz qetësie në këto ditë të ngrohta të shtatorit.
Agjencia Kombëtare e Turizmit përcolli foto nga plazhet e Lukovës që tërheqin pushuesit që dinë se ku të kërkojnë në Rivierën shqiptare.
Plazhet e vogla dhe intime të rrethuara me kodrina të gjelbëruara mbeten gjithmonë një destinacion i preferuar edhe në muajin shtator, për ata që duan të pushojnë larg zhurmës urbane dhe turizmit në masë.
Ndërkohë, fshati shtrihet në dy kodra të veshura me plantacione ullinjsh dhe portokallesh në një lartësi prej 150 m nga bregu i detit dhe në bregdetin e saj të gjerë strehon një numër të madh plazhesh të përmasave të ndryshme, duke filluar që nga plazhet e vogla deri tek plazhet popullore të njohura për pushuesit shqiptarë, si plazhi i Shpellave dhe ai i Bunecit.
Natyra e paprekur, uji i kristaltë i Jonit, rrugët me kalldrëmin karakteristik, me shtëpitë e tipike me muret mbuluar me lule, plazhet, flora dhe fauna e pasur detare janë vetëm disa nga sekretet e Lukovës./ atsh / KultPlus.com
Eksperti për çështjet e turizmit, Besnik Vathi ka deklaruar se 7.2 milionë turistët e huaj që kanë vizituar Shqipërinë është një shifër e lartë. Mirëpo, sipas tij, do të ishte më shumë në favor të ekonomisë së vendit tonë në rast se ky turizëm do të ishte i organizuar dhe jo individual.
“Kjo shifër është e lartë, por mund të ishte dhe më e lartë sepse turizmi që ne kemi pasur ka qene më shumë turizëm personal, se sa turizëm i organizuar. Prandaj them, që edhe shpenzimet do të ishin shumë më të larta, nëse do të ishte i organizuar. Jo thjesht se është turizëm low cost, po është turizëm individual, pasi turistët nuk konsumojnë të gjithë potencialin që ofron Shqipëria në kushtet kur ky turizëm është më shumë individual, siç thash”, u shpreh ai në “Sheshi i Dollarit”.
Më tej, Vathi theksoi se ne gjatë vitit të kaluar kemi pasur 7.5 afërsisht milionë hyrje dhe ne i kemi mbërritur këto hyrje, deri më tani në 8 muaj.
“Siç thash, mundësitë janë shumë më të larta, për të ngritur shifra shumë më të larta. Ndoshta, diku te 25-30% mendoj unë, më të larta se sa viti i kaluar. Mund të jenë si të ardhurat, ashtu dhe numri i hyrjeve në Shqipëri. Po siç thash, ne gjatë vitit të kaluar kemi pasur 7.5 afërsisht milionë hyrje dhe ne i kemi mbërritur këto hyrje, deri më tani në 8 muaj. Ndërkohë, nuk i kemi mbërritur në të ardhura. Pra, siç shihet duhet të ishin shumë më të larta, megjithëse në këtë shifër nuk është futur kulmi i sezonit turistik”, shtoi ai./ KultPlus.com
Nëse po planifikoni arratisjen tuaj të ardhshme ndërkombëtare, do të përballeni me një nga vendimet më sfiduese. Ka kaq shumë vende të pazbuluara për të parë. Dhe, ndërsa vendet e mëdha turistike, si Greqia, Tokio apo Parisi janë të njohura për një arsye, ndoshta ju jeni duke kërkuar për diçka më të panjohur!, shkruan në një artikull Hannah Loewentheil të botuar në të përditshmen amerikane “BuzzFeed”.
Kështu që, shfletova r/travel dhe rendita një sërë destinacionesh më pak të njohura, por të mahnitshme, në vend të pikave turistike më trendi për pushime.
Mes 27 destinacioneve të konsideruara si “Perla të fshehura”, “BuzzFeed” ka renditur edhe Shqipërinë, si vendin ku ofrohen plazhe të bukura, ushqime të shijshme dhe mjaft të lira dhe shumë xhevahirë për të eksploruar.
Në vend të Greqisë, shkoni në SHQIPËRI
E vendosur në Evropën Jugore, pikërisht përtej detit nga Italia, Shqipëria kufizohet në jug me Kroacinë dhe në veri me Greqinë. Dhe, është me të vërtetë vendi më i bukur ku mund të shkoni për pushime.
Plazhet me rërë të bardhë në pjesën jugore të vijës bregdetare të vendit, janë një parajsë e vërtetë. Uji është i ngrohtë dhe i kripur, dhe tepër blu.
Nëse jeni një alpinist, do t’ju duhet të shkoni në veri të vendit.
Pamjet malore këtu rivalizojnë Alpet, me panorama mahnitëse dhe fshatra të mahnitshëm.
Ecja nga Thethi në Valbonë është një nga shëtitjet më të njohura ditore, me bujtina të vogla ku mund të qëndroni në të dy skajet.
Shumë nga ushqimet që do të gjeni në restorante janë bërë nga përbërës vendas, shpesh organikë.
Qytetet bregdetare kanë të gjitha produkte deti tepër të freskëta, të cilat zakonisht kapen në mëngjes.
Një nga vaktet më të zakonshme në restorante këtu është peshku i pjekur në skarë me perime dhe patate të skuqura, ose kallamar i pjekur në skarë me limon.
Qyteti bregdetar i Sarandës është një mekë për pushuesit italianë dhe udhëtarët që kërkojnë një vend të lirë për të qëndruar për pak kohë.
Ka shumë bare dhe lokale buzë detit që janë të hapura gjatë gjithë natës, dhe plazhe të bukura për t’u çlodhur gjatë ditës.
Nëse ju pëlqen t’i merrni gjërat pak më ngadalë, ngjituni në qytetet e vogla në male.
Këtu do të gjeni bujtina komode të vendosura në mënyrë të përkryer pranë shtigjeve të ecjes dhe ujëvarave.
Vizitoni Syrin e Kaltër tepër të pastër pranë Sarandës, ose ujëvarat e akullta pranë Beratit.
Çdo qytet që vizitoni do të ketë një lloj fortese lart në një kodër që thjesht pret për t’u ngjitur dhe eksploruar.
Udhëtimi dy orë me traget në liqenin e Komanit është magjik.
Ju kaloni nëpër kanale të ngushta të rrethuara nga kodra dhe shkëmbinj të gjelbër dhe përfundoni në një fshat të bukur e të izoluar.
Burimet e nxehta të Benjës pranë Përmetit janë një sfidë për t’u arritur, por ia vlen.
Sigurisht, plazhet dhe moti i ngrohtë janë të shkëlqyera. Por, malet shqiptare lulëzojnë në dimër, ku mund të bëni ski dhe ecni në këmbë ose thjesht të uleni pranë zjarrit dhe të shijoni pamjet.
Shtoni Shqipërinë në listën tuaj përpara se të jetë vonë. /atsh / KultPlus.com
Ka ende shumë vende të panjohura për turizmin në Evropë që janë gjithashtu shumë të lira. Do të befasoheni nëse udhëtoni në vende si Shqipëria!
Evropa është një kontinent plot diversitet, kulturë dhe histori, por edhe destinacione shumë të njohura dhe të shtrenjta. Megjithatë, ka vende që ofrojnë një përvojë unike dhe autentike, vende që nuk janë të mbipopulluara dhe të përballueshme për xhepin tuaj, sipas televizionit spanjoll “Telecinco”, e mbështetur nga “Mediaset Espana”.
Midis disa vendeve turistike më të lira në Evropë, gazeta ka renditur edhe Shqipërinë si destinacionin ideal për udhëtarët që kërkojnë aventurën, natyrën dhe traditën.
Shqipëria
Ky vend i vogël ballkanik ka një vijë bregdetare spektakolare, me plazhe me rërë të bardhë dhe ujëra të kristalta, asgjë për t’i pasur zili fqinjët e saj, Greqinë apo Kroacinë.
Përveç kësaj, Shqipëria ka një trashëgimi të pasur kulturore dhe historike, e cila pasqyrohet në qytetet, kështjellat dhe muzetë e saj.
Kryeqyteti i saj, Tirana, është një qytet i gjallë dhe modern, që ofron shërbime të larmishme gastronomike dhe argëtuese.
Shqipëria është një nga vendet më të lira në Evropë, me një buxhet ditor rreth 20 euro për person.
Itinerari gjashtëditor në Shqipëri
Shqipëria është një vend me një histori të pasur, një kulturë të larmishme dhe natyrë mbresëlënëse.
Nëse dëshironi të njihni atraksionet kryesore të tij, ne ju propozojmë një itinerar turistik gjashtëditor që do t’ju lejojë të zbuloni qytetet, plazhet dhe parqet e tij kombëtare.
Dita e parë:
Mbërritja në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë. Mund të vizitoni qendrën historike, ku mund të gjeni sheshin Skënderbej, xhaminë e Et’hem Beut, orën e qytetit dhe muzeun historik kombëtar.
Mund të ecni edhe përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit, ku ndodhet pallati presidencial, piramida e Tiranës dhe parku Rinia.
Natën, ju mund të shijoni jetën e gjallë të kryeqytetit, me baret dhe restorantet e tij.
Dita e dytë:
Nisja për në Berat, një nga qytetet më të vjetra dhe më të bukura të Shqipërisë.
Berati njihet si qyteti i njëmijë dritareve, për shtëpitë e tij tradicionale prej guri dhe druri që rreshtohen në kodrat.
Mund të vizitoni kështjellën e Beratit, e cila strehon një muze ikonash, një katedrale ortodokse dhe disa kisha.
Ju gjithashtu do të mund të vizitoni urën osmane mbi lumin Osum dhe lagjen Mangalem, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Dita e tretë:
Vazhdimi për në Gjirokastër, një tjetër qytet i Trashëgimisë Botërore për arkitekturën e tij tipike të Shqipërisë së Jugut.
Gjirokastra karakterizohet nga shtëpitë e saj prej guri gri, të cilat shohin luginën e lumit të Drinit.
Mund të vizitoni Kalanë e Gjirokastrës, e cila ofron pamje panoramike të qytetit dhe strehon një muze ushtarak dhe një teatër antik.
Gjithashtu do të mund të vizitoni vendlindjen e shkrimtarit Ismail Kadare dhe pazarin e vjetër.
Dita e katërt:
Nisja për në Sarandë, një qytet bregdetar i vendosur në detin Jon.
Saranda është një destinacion popullor për plazhet me rërë dhe ujin e pastër kristal, si Ksamili, Pasqyra apo Plazhi i Pasqyrës.
Ju gjithashtu mund të vizitoni Parkun Kombëtar të Butrintit, ku mund të gjeni rrënojat e një qyteti të lashtë grek dhe romak.
Një tjetër vend me interes është burimi natyror i Syrit të Kaltër, ose Syri i Kaltër, i cili ka një ngjyrë bruz spektakolare.
Dita e pestë:
Kthimi në Tiranë, duke bërë një ndalesë në Durrës, qyteti i dytë më i madh në Shqipëri.
Durrësi është një qytet port me një histori të gjatë, që daton në shekullin e VII para Krishtit.
Ju mund të vizitoni amfiteatrin e tij romak, më i madhi në Ballkan, i cili mund të mbajë 20 000 spektatorë.
Do të shihni gjithashtu Muret Veneciane, Muzeun Arkeologjik dhe Kullën e Mbretit Zog.
Dita e gjashtë:
Largimi nga Tirana dhe transferimi në aeroport për fluturimin e kthimit. / atsh / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa në një intervistë për Vogue France tregon destinacionet e saj të preferuara të pushimeve, vendin e parë të të cilave e zë Shqiparia.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot shkrimin e Vogue, ku përmes Dua Lipës promovohet edhe turizmi në Shqipëri.
“Dua që na bën krenarë dhe na promovon më së miri. Në Vogue France destinacioni i saj numër 1 për pushimet është Shqipëria”, shkruan Kumbaro.
“Nga trashëgimia shqiptare, Dua Lipa pëlqen të shfrytëzojë sa më shumë verën në shtëpi. Një destinacion që thjesht pret të zbulohet, Shqipëria është e mbushur me plazhe sublime, shkëmbinj shkëmborë dhe fshatra tradicionalë, të gjitha këto mbeten relativisht të paprekura nga turizmi masiv”, shkruan Vogue. /atsh / KultPlus.com
Rritja e pandalshme e turistëve që po e zgjedhin Shqipërinë konfirmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT).
Raporti i fundit i INSTAT-it tregon se numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë muajit korrik shënoi rritje me 26.2 %, duke arritur në 1 770 724, pjesa m♪7 e madhe e të cilëve europianë.
Referuar INSTAT-it, numri i shtetasve të huaj që vizituan vendin tonë me origjinë Europën, gjatë korrikut llogaritet 1 694 657.
Nga Amerika u regjistruan 45 821 shtetas, ndërsa lindja e Mesme 14 805 shtetas.
Vetëm gjatë këtij sezonit turistik veror, nga majii deri në fund të korrikut numërohen 3 482 836 shtetas të huaj që vizituan vendin tonë.
Autoritetet në vend kanë deklaruar se numri i pushuesve që kanë zgjedhur Shqipërinë këtë vit, si destinacion ka kaluar priitshmëritë, ndërsa një raport i Organizatës Botërore të Turizmit e renditi vendin tonë të parin në Europë për 3 muajt e parë të këtij viti për rritjen e numrit të turistëve. Ndërsa në botë, vendi ynë renditet në vendin e tretë pas Katarit dhe Arabisë Saudite.
Jo vetëm bregdeti, por edhe Tirana dhe Alpet janë destinacionet e preferuara.
Në total, mbi 5.2 milionë të huaj vizituan Shqipërinë nga janari deri në fund të korrikut. /KultPlus.com
Edhe pse Shqipëria nuk është një destinacion shumë i njohur turistik në mesin e britanikëve, Riviera Shqiptare u ka lënë përshtypje pozitive turistëve që e vizituan këtë verë, sipas një artikulli të gazetares, Hope Brotherton të botuar në “The U.S. Sun”.
Plazhet e saj të bukura dhe çmimet e lira që ofrohen e kanë bërë atë një vend atraktiv dhe një destinacion për mijëra pushues nga e gjithë bota.
Një grup vajzash britanike përmes videove në rrjetet sociale kanë reklamuar bregdetin e paeksploruar të Evropës, i cili sipas tyre ofron pije të lira dhe madje shezllone falas.
Ato kanë postuar në rrjetin social Tik-Tok aventurën e udhëtimit mahnitës duke u surprizuar me bukuritë e Ksamilit dhe Rivierës Shqiptare.
Në mbishkrimin sipër videos shkruhej: “Ishim në një udhëtim në një resort plazhi në Shqipëri. Kemi shpenzuar 12 dollarë (9,50 £) për një shishe me vere të zonës të cilën e kemi shijuar gjatë relaksit në ujërat më të kthjellta të para ndonjëherë”.
“U relaksuam deri në perëndim të diellit dhe shijuam një drekë autentike mesdhetare për vetëm 10 dollarë (7,90 £)”, shkruajnë turistet britanike.
“Kudo që ecëm hasëm njerëz shumë miqësorë”, shkruajnë ato.
Videoja pati 600,000 shikime në platformën e medias sociale, ndërsa përdoruesit lanë komente të shumta.
Një lexues komentoi: “Kjo ka qenë përvoja ime shqiptare! Është absolutisht e nënvlerësuar, por shpresoj që të mbetet kështu”.
Një tjetër lexues shtoi: “Sapo e shtova këtë në listën time të dëshirave”, ndërsa një i tretë shkroi: “Jam shumë i interesuar të vizitoj Shqipërinë”./atsh/KultPlus.com
Organizata Botërore e Turizmit e rendit Shqipërinë të tretën për rritjen në turizëm, pas Katarit dhe Arabisë Saudite.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot statistikat më të fundit të OBT-së, të cilat i referohen periudhës qershor 2022-qershor 2023.
“Ja edhe tabela krahasuese nga qershori vjet deri në qershorin sivjet, e sapopublikuar nga Organizata Botërore e Turizmit, ku Shqipëria renditet e treta për rritjen në turizëm, pas Katarit dhe Arabisë Saudite, po pa Kupën e Botës”, shkruan Rama.
Sipas INSTAT, numri i turistëve që vizituan Shqipërinë vijoi rritjen edhe përgjatë muajit qershor.
Konkretisht, numri i vizitorëve jorezidentë është rritur me 76.4 % në qershor, krahasuar me qershorin e vitit të shkuar. Në total numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 49.7 %, në krahasim me qershorin e 2022.atsh
Saranda vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike për turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë me kroçera dhe jahte turistike.
Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro tha për ATSH-në se “nga janari deri në fund të korrikut në portin e Sarandës kanë mbërritur 32 kroçera dhe anije turistike”.
Sipas tij, gjatë verës ka pasur një numër të lartë të jahteve luksoze që kanë vizituar Sarandën.
“Në janar-korrik në port janë ankoruar 511 jahte turistike”, shtoi ai.
Qendro u shpreh se “kroçerat kanë pasur në bord turistë nga vende të ndryshme të botës si Amerika, Franca, Austria, Belgjika, Brazili, Bullgaria, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Italia, Spanja, Zvicra, Ekuadori, Polonia, etj ”, theksoi Qendro.
Qendro tha se “vetëm në muajin korrik kanë vizituar Portin e Sarandës 9 kroçera dhe tragete turistike si dhe 230 jahte”.
Sipas tij, muaji gusht dhe 8 mujori i këtij viti pritet të ketë një tjetër rritje në krahasim me 2022.
Turistët që vijnë me kroçera kanë vizituar sitet turistike e arkeologjike të Sarandës, Gjirokastrën, si dhe kanë shijuar kulinarinë shqiptare të zonës./atsh/KultPlus.com
Qyteti i një mbi një dritareve, ngritur buzë lumit Osum rreth 2400 vjet më parë, çdo vit tërheq me historinë dhe arkitekturën e tij mijëra turistë vendas e të huaj.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, në një intervistë për ATSH-në theksoi se “këtë vit kemi një rritje rreth 50% në krahasim me vitin 2022, ku periudha janar- korrik 2023 numëron rreth 400,000 mijë turistë vendas e të huaj”.
“Rreth 80% e turistëve në Berat vijnë nga vendet e huaja, kryesisht Evropa, por edhe Azia , SHBA , Kanada dhe Australia. Gjermanët, polakët, spanjollët, francezët, austriakët, italianët janë në top listën e turistëve të huaj’, tha Demo.
Berati ka një sërë pikash turistike që zgjojnë interesin e turistëve, u shpreh Demo, disa rej të cilave janë :Qendra Historike e qytetit, Kalaja, Gorica Mangalemi qe kanë pasuri UNESCO, Muzeu Ikonografik Onufri, Qendra Mesjetare, objektet e kultit Bizantin dhe Xhamitë e vjetra të periudhës Otomane.
Por, vitet e fundit turistët po preferojnë edhe atraksionet e eko-turizmit, fshatrat turistik Roshnik, Sinjë , Drobonik, kantinat e verës, aktivitetet rafting në Lumin Osum, ngjitje në malin e Tomorit, hedhje me parashuta nga Mali Shpirag, kanoe në liqenet e Tomorit, ecje me biçikletat malore në rrethinat e Beratit, vizitë në Kanionet e Osumit, pjesëmarrje në turret e gastronomisë në agrobizneset në fshatrat turistikë etj.
Pyetjes se çfarë ka bërë bashkia për promovimin e këtyre pikave turistike, Demo tha se “në aspektin e shërbimeve, kemi përmirësuar ndjeshëm promovimin e Beratit si një destinacion i rëndësishëm i turizmit ndërkombëtar, duke përgatitur një paketë të plotë brandimi dhe marketing të qytetit, website, rrjete sociale, aplikacione mobile, broshura informative, informacionin që jepet në zyrën e Info Point Turistik të bashkisë.
Gjithashtu, shtoi Demo, kemi ndërmarrë një fushatë të gjerë promovimi të bizneseve turistike, duke nxitur edhe krijimin e një rrjeti të aktorëve lokale për menaxhimin e destinacionit dhe koordinimin për përmirësimin e shërbimeve turistike.
Sa i përket masave të marra nga bashkia për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Demo u shpreh se “bashkia ka përgatitur një plan të detajuar masash për sezonin turistik, i cili parashikon shërbimet e shtuara në lagjet muzeale dhe në gjithë zonën që frekuentohet nga turistët”.
“Pastrimi, gjelbërimi, ofrimi i informacionit në Info Point të Bashkisë Berat, rregullimi i transportit nëpërmjet Terminalit të autobuzave në periferinë e qytetit, ofrimi i parkimit nëntokësor në Qendrën e Qytetit, me një kapacitet 200 mjete, është duke u ndërtuar parkim i dedikuar edhe në lagjen Goricë”, tha Demo .
Bashkia ka ofruar gjithë kapacitetet e saj për sezonin, duke nxitur eventet kulturore, koncerte, panaire, shfaqje, etj, të cilat kanë rritur interesimin e turistëve.
Sa i përket investimeve që po kryhen nga bashkia e Beratit për t’i ardhur në ndihmë zhvillimit të turizmit dhe jo vetëm, Demo tha se “bashkia Berat ka pasur si prioritet nxitjen e zhvillimit të turizmit duke filluar zgjidhjen e disa problemeve strukturore, që kishin të bënin me rritjen e kohë qëndrimit të vizitorëve në qytet dhe zgjerimin e aktiviteteve të lidhura me eksperiencat dhe përjetimet e turistëve”.
“Projektet në infrastrukturë kanë bërë të mundur rehabilitimin dhe restaurimin e Qendrës Historike të Beratit, ku përmendim projektin e rehabilitimit të siluetës urbane në Goricë duke krijuar një pedonale të bukur buzë lumit dhe pranë lagjes muzeale, restaurimet në Mangalem, rruga e Kalasë, Qendra Mesjetare dhe zona e Muzeut Etnografik, krijimi i një sheshi të bukur tëk Porta e Pashait në Mangalem, krijimi i 100 km shtigje për biçikleta malore në rrethinat e Beratit, shtigjet e biçikletave në fshatin turistik Roshnik, duke përmirësuar ndjeshëm aksesin e turistëve drejt pikave me interes kulturor, historik apo të eko-turizmit”, theksoi Demo.
Bashkia Berat ka organizuar një paketë të plotë eventesh, stacione vjetore, ku turistët ndjekin aktivitetet e lidhura me kulturën vendase.
Demo tha se “ndër festivalet më të rëndësishme përmendim Festivalin e Verës, edicioni i parë i të cilit u organizua vitin e kaluar dhe ishte një sukses i vërtetë me rreth 20,000 vizitorë dhe do organizohet edhe këtë vit në ditët e fundit të shtatorit dhe fillimin e tetorit, ku do të ketë pjesëmarrjen e kantinave më të mira të Shqipërisë dhe Beratit, i cili është qarku me më shumë kantina vere dhe nga kantinat më të mira në Shqipëri. Në Berat ka 12 kantina”.
Gjithashtu, vijoi Demo, gjatë periudhës së dimrit organizojmë Festivalin e Dimrit me evente, panaire, festa gastronomie dhe eventin ‘’Mangalem’s Shade’’ ku shfaqet projektim me drita, kompozime të pikturave të Onufrit, afreske nga kishat Biznatine, mbi shtëpitë karakteristike në Mangalem.
“Përgjatë vitit organizojmë në muajin prill ‘’Maratonën e Gjelbër’’ me pjesëmarrjen e 200 garuesve, të cilët eksplorojnë zonën historike dhe rrethinat e qytetit, Festën e Qershisë në muajin Qershor në fshatin Drobonik, Festivalin e Xixëllonjave në muajin korrik ku promovojmë kulturën vendase, Festën e Fshatit Roshnik në Shtator, Festën e Ullirit në fshatin Bilcë në muajin tetor dhe evente gjatë fundjavave të cilat promovojnë vlerat e kulturës sonë”, tha Demo./atsh/KultPlus.com
Vetëm 4 kilometra larg qytetit të Shkodrës, pasi lë “Urën e Bunës” dhe merr rrugën në të djathtë të shfaqet Shiroka, një nga lagjet më të veçanta të Shkodrës, e vlerësuar si një prej bukurive mahnitëse të veriut buzë liqenit të Shkodrës dhe rrëzë malit të Taraboshit.
Bashkia e Shkodrës publikoi sot disa fotografi nga Shiroka, të cilës investimet e viteve të fundit i kanë ndryshuar faqen, duke i dhënë një rrugë të re, pedonalen brigjeve të liqenit, rehabilitimin e plazheve të vogla dhe së fundmi edhe moli për varkat lundruese.
Ajri i freskët, që vjen nga thellësitë e Alpeve, filtrohet në ujërat e liqenit dhe vjen i shëndetshëm këtu, duke e bërë Shirokën një nga joshjet më të veçanta për të kaluar disa orë ndryshe për shkodranët, por edhe për turistët vendas dhe të huaj.
Shiroka ka histori qindravjeçare dhe kjo mund të vërtetohet nga disa zbulime arkeologjike, që janë bërë në afërsi të saj, në vendin e quajtur “Ullini i vetun”, në vitin 1959, të cilat sot gjenden në muzeun e qytetit.
E njohur që në shekullin e 19-të për aftësitë kurative, Shiroka shumë shpejt do të bëhej një nga zonat më të famshme në vend.
Kjo zonë turistike shquhet për florën dhe faunën e pasur, ku jetojnë në harmoni shumë lloje bimësh, peshqish, shpendësh dhe kafshësh. Pjesa më e madhe e faunës përbëhet nga shpendët.
Numërohen gjithsej 240 lloje, ku më shpesh syri të ndesh pulëbardhat. Për të apasionuarit e peshkimit, fauna ujore ofron rreth 65 lloje peshqish. Më i famshmi krapi, por jo vetëm, edhe karasi, gjuca etj. Kjo pasuri e faunës dhe florës, e bën këtë zonë një ekosistem shumë të veçantë dhe atraktiv./ atsh / KultPlus.com
Çmimet për pushime në Pulia (rajon në Italinë e Jugut) janë shumë të larta dhe shumë më të larta se në vende të tjera, si Greqia, Shqipëria, shkruan faqja e internetit bari.corriere.it.
Për shembull sipas informacioneve një familje me katër anëtarë shpenzon nga minimumi 160 deri në maksimum 500 euro në ditë.
Pas rekordeve të periudhës së lulëzimit dhe pranive në rritje graduale dhe progresive të regjistruara vitet e fundit, a po humbet Pulia tërheqjen e saj turistike?
Është një reflektim që përshkon operatorët në çdo sektor, nga resortet bregdetare te hoteleria, nga restorantet te tregtarët, të prekur edhe pse jo ende të shtangur nga rënia e pamohueshme në këtë këst të parë të sezonit veror.
Shifrat raportojnë një rënie prej 20 për qind të frekuentimit, e cila, në mënyrë të pashmangshme, reflektohet edhe në sektorë të tjerë të lidhur ngushtë me turizmin.
Në Galipoli, një qytet jugor shpenzimet arrijnë deri në 500 euro në ditë
Arsyeja kryesore, sipas treguesve të tregut, është rritja e tarifave dhe çmimeve. Shoqatat e konsumatorëve kanë kryer sondazhe në terren dhe kanë bërë pyetje që tregojnë se një familje mesatare italiane ka shumë vështirësi për të organizuar pushimet në Pulia.
Ka dallime midis zonave të ndryshme turistike të Pulias, por realiteti është një: çmimet janë të larta.
Nga sondazhet duket se në Salento një familje me katër anëtarë që synon të kalojë një mëngjes në plazh, të hajë në një restorant dhe të flejë në një shtrat dhe mëngjes, një natë duhet të shpenzojë mesatarisht. prej 400/500 euro. Dhe kjo shifër vetëm për një ditë.
Duke hyrë në detaje dhe duke përjashtuar zgjidhjet luksoze, për shembull në Galipoli një ombrellë dhe dy shezlong mund të kushtojnë nga 35 deri në 50 euro në ditë; një dhomë dyshe në një shtrat dhe mëngjes nga 106 deri në 265 për strukturat më elegante; për restorantin nga 35 në 150 euro.
Situata paraqitet disi më ndryshe në Gargano. Këtu një familje me katër anëtarë mund të shpenzonte mesatarisht 300 deri në 400 euro. Konkretisht në Vieste shpenzoni nga 25 deri në 40 euro për një çadër dhe dy shezlong, nga 95 në 150 për një dhomë dyshe në një shtrat dhe mëngjes dhe nga 30 në 150 në një restorant për drekë.
“Fluksi i ulët i turizmit në Pulia dhe rënia e frekuentimit është për shkak të rritjes së çmimeve të shërbimeve turistike, shoqëruar me vështirësinë ekonomike për shkak të çmimit të lartë që ka zbrazur xhepat e familjeve puliane. Së pari Covid, pastaj kriza energjetike, me pasojë rritjen e çmimeve të nevojave elementare, bëri që shumë familje puliane të hiqnin dorë nga pushimet e tyre ose në çdo rast të zgjidhnin destinacione më të lira”, sipas operatorëve turistikë. /atsh/KultPlus.com
Juristi Kreshnik Spahiu tha në një intervistë për Euronews Albania se mungesa e traditës turistike dhe arsimimit përkatës bën që Shqipëria të jetë ende e papërgatitur në sektorin e turizmit.
Sipas tij, fakti që sot hapin hotele me 5 yje njerëz nuk kanë bërë asnjë ditë shkollë për turizëm apo nuk kanë asnjë njohuri rreth tij, bën që të mos e shohin klientin si zot shtëpie por si qenie për ta grabitur.
“Shqipëria është e papërgatitur se nuk ka traditë turistike. Shqipëria ka qenë një lloj bunkeri, s’e ka zhvilluar kurrë turizmin. Turistët e rrallë që kalonin në Shqipëri na shikonin si ishulli i Tarzanit. Ne nuk jemi të përgatitur në kuadrin arsimor. Ata që sot hapin hotele me 5 yje nuk kanë bërë 5 ditë shkollë për turizëm, nuk kanë bërë 5 ditë si turistë, nuk kanë shkuar në 5 vende turistike. Kjo sjell turizëm agresiv, që mendon sot për sot. Pronarët e hoteleve e shohin klientin jo si zot të shtëpisë, por si qenie për ta grabitur”, tha Spahiu. / KultPlus.com
Mediet ndërkombëtare vijojnë t’i bëjnë jehonë Shqipërisë turistike, kësaj here duke u ndalur edhe te festivalet e shumta verore që tërheqin turistë nga gjithë bota.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale shkrimet e prestigjozes amerikane “New York Times” si dhe të britanikes “Metro” të cilat shkruajnë për “Kala Fest”.
Rama vlerësoi se festivalet verore që po shtohen vit pas viti si “Kala” në Dhërmi, “South Outdoor” në Borsh, “UNUM” në Shëngjin, “Lova” në Livadh etj, janë ndër ambasadorët më të mirë të promovimit, zgjatjes dhe pasurimit të sezonit turistik.
“Për Shqipërinë mediat ndërkombëtare ‘New York Times’ dhe ‘Metro’, të cilat shkruajnë për ‘Kala Fest’ si një event për t’u prezantuar denjësisht me mrekullitë e bregdetit tonë, ndërsa festivalet verore që po shtohen vit pas viti si ‘Kala’ në Dhërmi, ‘South Outdoor’ në Borsh, ‘UNUM’ në Shëngjin, ‘Lova’ në Livadh etj, janë ndër ambasadorët më të mirë të promovimit, zgjatjes dhe pasurimit të sezonit turistik”, shkruan Rama.
Festivali veror “Kala Festival” në Dhërmi (31 maj-6 qershor) përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë.
Këtë vit morën pjesë mbi 3000 pjesëmarrës në javë, nga Britania e Madhe dhe vende të tjera europiane, si dhe DJ të famshëm ndërkombëtarë.
Festivali vjen si miksim i përkryer për promovimin e bregdetit, zhvillimin e ekonomisë lokale, konsolidimin e festivaleve dhe nisjen e sezonit veror më herët se çdo vit./ atsh / KultPlus.com
“Janet Reineck pati vizituar Pejën dhe Rugovën mes viteve 80 e 90, për të mësuar më shumë rreth traditave, zakoneve dhe jetës që bëhej në Rugovë atë kohë. Një vajzë e re nga fshati Kuqishtë i Rugovës, që studionte për infiermeri, me emrin Dushe Gjevukaj, u pati bërë guida personale e Janetit, ndërsa edhe sot pas rikthimit të Janetit në këto bjeshkë, të dyja u takuan përsëri në Bjeshkët e Rugovës, thuhet në njoftimin e faqes zyrtare “Ku me shku n’Pejë””.
“Si pjesë e një Etno-Tour me 10 amerikanë të tjerë, e në shoqërimin e guidës Arlinda Shatri, Janet bashkë me grupin vizituan disa pjesë të Rugovës, të cilat i paraqiti edhe përmes fotografive, nga to po i ndajmë disa edhe me ju.
Përgatitja e pites dhe flisë tradicionale, vizita në Liqenin e Kuqishtës, fjetja në shtëpinë e Dushe Gjevukajt në Kuqishtë, e disa aktivitete të tjera janë përmbledhur nga Janet në këtë vizitë shumë të bukur e nostalgjike në Rugovë.
Faleminderit Janet Reineck! ”, thuhet në fund nga kjo faqe./ KultPlus.com