Barometri botëror i turizmit UNWTO ka nxjerrë indeksin e destinacioneve turistike me performancën më të mirë të vitit, e Shqipëria renditet aty e treta pas Katarit dhe Arabisë Saudite.
Disa vende raportuan rritje të jashtëzakonshme të mbërritjeve për 2023-shin krahasuar me vitin 2019: Katari, 98% më shumë, Arabia Saudite 64%, dhe Shqipëria 54%. Raporti i agjencisë së OKB-së konfirmon një trend të vënë re prej kohësh tashmë: Interesi i turistëve të huaj për Shqipërinë, është rritur ndjeshëm. Shifrat flasin qartë: sektori i turizmit po forcohet dita-ditës edhe jashtë sezonit veror.
Të dhënat e Instat-it treguan se në muajin janar pati një shtim të vizitorëve me pothuajse 100% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-shit. Me rritje dyshifrore ishte edhe numri i turistëve të brendshëm, nga gati 260 mijë janarin e vitit të kaluar në 456 mijë janarin e këtij viti. Në 2022-shin, rreth 7.5 milion vetë e vizituan Shqipërinë, një rritje kjo prej 32% krahasuar me një vit përpara.
Turizmi në vendin tonë ka përjetuar një rritje të konsiderueshme vitet e fundit, çka është përcjellë edhe në revista e gazeta prestigjioze ndërkombëtare, duke tërhequr festivale muzikore dhe duke bërë që të vërshojnë komente të shkëlqyera nga influencuesit e Instagram dhe YouTube.
E mbyllur nga bota për gati gjysëm shekulli, Shqipëria, thonë korrespondentët e huaj, ka punuar fort për imazhin e saj për të tërhequr turistët në vijën e saj bregdetare prej afro 300 miljesh, në peizazhin e mrekullueshëm, në kalatë dhe kështjellat, si dhe në gamën e larmishme të maleve dhe liqeneve.
Ajo u rendit së fundi nga Organizata Botërore e Turizmit si një nga vendet me rimëkëmbjen më të mirë të turizmit pas COVID-19, me numrin e vizitorëve dhe të ardhurat nga turizmi që i kapërcejnë edhe nivelet e përpara pandemisë./TopChanel/KultPlus.com
Këtë pranverë, shumë prej turistëve zgjedhin të përshkojnë me biçikletë rrugën e shkurtër nga Shkodra deri në fshatin e Mesit.
Në përfundim të rrugës, ata freskohen në ujërat e freskëta të lumit, ndërsa shijojnë peizazhin natyror që shtrihet përreth Urës së Mesit, me majat e maleve, të cilat rrethojnë lumin e kristaltë dhe e kthejnë urën 300-vjeçare, në një simbol të harmonisë midis natyrës, njeriut dhe historisë.
DRTK Shkodër sjell një album fotografik të turistëve dhe ujërave të kristalta që kanë tërhequr vizitorë.
Ura e Mesit, 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë.
E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet pashë Bushati, ura me kurriz, që ndodhet mbi lumin Kir, shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën.
Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër. / atsh / KultPlus.com
Shqipëria si destinacion turistik po promovohet çdo vit e më shumë në medie dhe televizione ndërkombëtare.
Së fundmi, kanali televiziv italian RAI3 transmetoi një reportazh ku turoperatorët italianë e cilësojnë Shqipërinë si “destinacionin e momentit”.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Turizimit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e cila u shpreh se “reportazhi i RAI3, si promovim i shkëlqyer i turizmit në Shqipëri, duke pasqyruar edhe ngjarjen më të rëndësishme që organizuam, Konventën Ndërkombëtare të Turizmit-FESTA”.
“Plazhe të pastra, det i kristaltë dhe peizazhe që të lënë pa frymë”, kështu e nis reportazhin kanali televiziv italian RAI3.
Reportazhi i RAI3:
Dy brigjet ngjajnë me njëri-tjetrin dhe pothuajse prekin njëri-tjetrin në ato 71 kilometra që ndajnë Otranton nga Vlora. Italia dhe Shqipëria nuk kanë qenë kurrë kaq afër. Të krijojmë një urë lidhëse mes dy vendeve sot dhe mbi të gjitha turizmin. Italianët që zgjedhin të kalojnë pushimet në vendin e shqiponjave janë gjithnjë e më shumë.
Mesatarisht, nga 10 vlerësime, 8 janë për Shqipërinë. Tashmë është destinacioni i momentit, por edhe për kostot, për lidhjet nga Bari nga Brindisi nga Ankona, kështu që njerëzit mund të vendosin se kur dhe si duan të shkojnë në Shqipëri.
Tragete ditore për në Vlorë dhe Durrës, por edhe fluturime direkte për në Tiranë, të disponueshme nga një duzinë aeroportesh. Në Bari takuam disa pasagjerë që niseshin për të vizituar kryeqytetin dhe më pas për t’u zhvendosur në vende të tjera.
“Në Tiranë dhe më tej. Do të ikim prej andej. Kam pesë ditë për të vizituar. Mendoj të paktën Vlorën, por ndoshta edhe Shkodrën”, tha një prej tyre.
“Kam dëgjuar për Sarandën Tiranën dhe Durrësin. Janë vende të bukura. Ka edhe plazhe.
Do të kalojmë dy ditë në Tiranë, Vlorë dhe dy qytete të tjera, në Sarandë dhe më pas në Durrës, një javë domethënë”, tha një tjetër.
“Djali im shkoi dhe u kënaq dhe do të shkojë sërish sapo të kthehemi ne, megjithatë do ta shohim vetë”, tha një turist.
“Po shkojmë në Tiranë për një kurë dentare”, tha një qytetar italian. “Dhe do të përfitoni edhe për pak pushime?” “Po, do të kalojmë pesë ditë dhe shpresoj t’ia kalojmë mirë”.
Protezat dentare dhe kazinotë ndihmojnë në rritjen e një fluksi që po bëhet gjithnjë e më i qëndrueshëm edhe falë tarifave konkurruese.
“Ekonomikisht e shoh shumë të përshtatshme, kjo do të na bëjë shumë konkurrencë”, tha një qytetar.
“Në hotel për një javë. Ne gjithashtu do të marrim makinë me qira, 25 euro, një gjë që në vende të tjera nuk e shpenzon këtë shumë”, tha një tjetër.
Sa kushton një javë në qershor?
“Në qershor, duke përfshirë tragetin dhe një hotel me 3-4 yje, kushton rreth 350 deri në maksimum 400 euro”, shtoi ai.
Komoditet, por edhe histori, art, mikpritje dhe me qeverinë që hap dyert për vendet fqinje duke i fokusuar në një departament të vetëm ku ka bashkuar mjedisin dhe turizmin.
Reportazhi fokusohet edhe në deklaratat e ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
“Mjedisi duhet mbrojtur dhe jo shfrytëzuar. Në këtë kontekst përgjegjësia është shumë e madhe. Qeveria shqiptare, në kërkim të një ekuilibri, ka bashkuar në një portofol si sektorin e mjedisit ashtu edhe atë të turizmit për të zhvilluar turizmin në mënyrë të qëndrueshme dhe për të mbrojtur mjedisin jo vetëm si një pasuri të jashtëzakonshme natyrore, por edhe një burim për një ofertë të larmishme turistike”, u shpreh ajo.
Nga veriu në jug, nga bregu në brendësi, rrugë dhe itinerare duke filluar nga ato më të testuarat.
Zona më e kërkuar është Saranda. Saranda dhe Ksamili, që ndodhet në jug të Sarandës. Jane 10 kilometra nga Saranda. Zona e dytë është Vlora
A ka ende zona për të zbuluar?
Po, ka shumë. Dhërmiu dhe Borshi jane zona që për fat ka shumë pak hotele, 4 apo 5 hotele. /atsh / KultPlus.com
Turistë të shumtë kanë frekuentuar zonat e mbrojtura përgjatë fundjavës që lamë pas.
Administrata e Zonave të Mbrojtura Korçë zhvilloi një guidë drejt liqeneve të Lukovës, që ndodhen afër fshatit Bishnicë të njësisë administrative Velçan, Pogradec, me turistë vendas, nga Maqedonia e Veriut dhe Gjermania.
Ky destinacion mund të arrihet nëpërmjet një shtegu të gjatë, rreth 7 km, i cili nis nga fshati Bishnicë, Pogradec.
Liqenet e Lukovës, monument natyre, janë dy liqene akullnajore me sipërfaqe rreth 10 ha, ku duket se pranvera ende nuk ka trokitur. Një kurorë pyjesh të përzierë ahu dhe bredhi me lartësi deri në 22 m dhe me diametër të trungut 30 cm rrethojnë këto dy liqene.
Kjo zonë ofron jo vetëm turizëm natyror, por edhe kulturor, pasi gjatë rrugëtimit për në liqenet e Lukovës, mund të vizitohet edhe “Ura e Golikut”, gjurmët e vjetra të rrugës “Egnatia” e shekullit XVIII. Në krah ndodhen edhe Varret e Selcës, të cilat i përkasin shek. IV-III para Krishtit, unikale në llojin e tyre./atsh/KultPlus.com
Durrësi ka nisur zyrtarisht sezonin e kroçerave turistike edhe për këtë vit kalendarik. Mëngjesin e kësaj të hëne është ankoruar në port kroçera “La Belle De L’Adriatique”, e cila ka sjellë 134 turistë, kryesisht francezë.
Për të disatin vit radhazi është pikërisht “La Belle De L’Adriatique”, që hap siparin e sezonit turistik për kroçerat në portin e Durrësit, të cilat sjellin turistë nga vende të ndryshme të botës.
Turistët e huaj gjatë qëndrimit njëditor ndalen në sitet arkeologjike të Durrësit, Krujës e Tiranës.
Anija me gjatësi 111 m, e cila lundron nën flamurin belg u ankorua në kalatën 5 të portit. Ky nuk do të jetë lundrimi i saj i vetëm drejt Durrësit për këtë vit, ndërsa mësohet se gjatë këtij sezoni kjo anije turistike do të vizitojë portin më të madh të vendit edhe 5 herë të tjera.
“Monet”, “Sea Cloud, “Amadea” apo “Seven Seas” janë disa nga kroçerat që do të rikthehen edhe këtë sezon në portin e Durrësit.
Anijet turistike dhe jahtet po përfshijnë gjithnjë e më shumë vendin tonë në axhendat e tyre, duke e kthyer në një prej destinacioneve të preferuara.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës, përgjatë periudhës prill-tetor 2023, 23 kroçiera kanë konfirmuar ndalesën e tyre në Durrës.
Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat për pritjen e anijeve dhe sigurinë e turistëve në territorin portual, duke vënë kalatat portuale në funksion të tyre përgjatë gjithë sezonit.
Në përfundim të vizitës së saj në Durrës, kroçera “La Belle de L’Adriatique” do të niset drejt portit të Barit, Mal i Zi, për të vijuar eksplorimin e siteve turistike në brigjet e Mesdheut/atsh/KultPlus.com
Një çift udhëtarësh kanë zbuluar një parajsë të fshehtë, të krahasueshme me Balin, me vendpushime luksoze, sipas një artikulli të botuar në “Daily Mail”.
Fshati bregdetar shqiptar i Dhërmiut është quajtur perla e fshehur e Evropës.
Ndërsa shumë vizitorë evropianë po vërshojnë në plazhet e mbushura me turistë të Greqisë dhe Italisë, të tjerë kanë rezervuar një udhëtim në qytetin spektakolar i cili është cilësuar si një nga sekretet më të ruajtura të kontinentit.
Aventurierët po shkojnë drejt perlës së fshehur të ëndërruar si, Bali, i cili ofron plazhe të kristalta të pastër, peizazhe mahnitëse, bare, hotele dhe restorante luksoze.
Blogerët e udhëtimeve Scott dhe Sal, nga Britania e Madhe, dokumentuan qëndrimin e tyre në Dhërmi, të cilin e quajtën të nënvlerësuar dhe ”Balin evropian”.
Dhërmiu është pak më shumë se tre orë me makinë në jug të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, dhe ka pesë kilometra vijë bregdetare mahnitëse të mbushur me bare plazhi dhe resorte të jashtëzakonshme.
Ndodhen dy seksione, gjysma e sipërme, ku shtrihet qyteti i vjetër i çuditshëm, ndërsa gjysma e poshtme është vendi ku ndodhet plazhi, restorantet dhe hotelet.
Ndërsa temperaturat kanë filluar të bien në Australi, Shqipëria po hyn tashmë në muajt e saj të verës duke e bërë atë një destinacion perfekt për t’u larguar nga i ftohti dimëror.
“Ju mund te zbuloni Balin evropian në vendin më të paparashikuar”, shkruan Scott dhe Sal në një video në Instagram, e cila mori më shumë se 1.6 milion shikime.
Çifti qëndroi në “La Brisa Boutique Hotel”, i cili ofron pamje spektakolare të perëndimit të diellit, dhe dhoma me 145 dollarë nata dhe një plazh privat.
Ata shijuan gjithashtu pamjet panoramike të ujërave të gazuar të detit Jon në “Sanur Beach House”, e cila u frymëzua nga plazhet e njohura të Balit.
“Kjo është kaq e bukur. Shqipëria është perla e fshehur e Evropës”, shkruan një shikues.
“Një vend paksa i ndryshëm evropian, por duket i mahnitshëm”, shtoi një shikues tjetër./atsh / KultPlus.com
Në ditën e dytë të Konventës Ndërkombëtare të Turizmit që zhvillohet në Tiranë, zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë, Özgül Özkan Yavuz e vuri theksin te zhvillimi i turizmit rajonal.
Yavuz u shpreh se Shqipëria po bëhet tepër aktive në fushën e turizmit. “Vitin e shkuar vizitova Shqipërinë për një çështje kulturore kurse sivjet po vijmë në forum turizmi dhe është zhvillim goxha i mbarë”, u shpreh ajo.
Ajo tha se Turqia është një nga 10 vendet kryesore në industrinë e turizmit dhe vitin e shkuar vendi pati diku te 52 milionë hyrje që gjeneruan 46 miliardë dollarë.
“Kjo industri është madhore për ne. Me miliona njerëz në Turqi janë të punësuar të drejtpërdrejtë apo tërthorazi në këtë industri. Turizmi është shumë i rëndësishëm për ne dhe do të donim ta shtonim, të rrisnim ose të prezantonim formate të rinj turistikë apo të të bërit turizëm. Kemi produkt goxha të fortë në turizmin bregdetar dhe nuk është e lehte të konkurronim aty, por do të donim të rrisim dhe shtonim efektin pozitiv që ka turizmi në zhvillimin tonë rajonal dhe për këtë arsye po shtrojmë tematikën dhe po flasim për turizmin rural dhe jemi të lumtur që jemi renditur te fshatrat më të bukur turistikë. Jemi në këtë listë me tre destinacione të vogla”, tha ministrja turke.
“Kemi ambicie për një turizëm sa më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm në Turqi. Turqia është vendi i parë që ka nënshkruar një marrëveshje me Këshillin e Turizmit të Qëndrueshëm këtë vit dhe do të shndërrohet në detyrim për tërë mjediset tona turistike me hotel-restorante dhe gjithçka tjetër që deri në vitin 2030, 25 mijë biznese do të jenë të certifikuar në këtë certifikatë të turizmit të qëndrueshëm. Sivjet sa e nisëm këtë proces dhe sakaq 10% e industrisë sonë është certifikuar dhe kjo përbën sfidën tonë të radhës”, tha Özgül Özkan Yavuz. / atsh / KultPlus.com
Me përfundimin e dimrit tani është koha më e mirë për të filluar një frymëzim udhëtimi. Pas vitesh kaosi nga Coronavirus, vendet më në fund po rihapin kufijtë e tyre, shkruan faqja entertainment-now.com.
Ja cilat janë sipas artikullit vendet më të mira për të udhëtuar në 2023.
1. Queenstown, Zelanda e Re
Queensland është një vendpushim mahnitës alpin buzë liqenit që nuk duhet humbur në Zelandën e Re. I vendosur afër fundit të ishullit jugor, ky qytet është perfekt gjatë gjithë vitit.
Me shumë bare akulli për t’u çlodhur dhe një plazh piktoresk për t’u ngrohur më pas, i rrethuar nga male, mund të kaloni lehtësisht disa ditë këtu.
Për fansat e Lord of the Rings, ka shumë vendndodhje filmash që mund t’i njihni nëse vazhdoni aventurën tuaj në rajonin e Otagos Qendrore, vetëm disa minuta nga Queenstown. Aty pranë, Arrowtown ofron rrugë mbresëlënëse çiklizmi dhe Glenorchy rurale ju jep mundësinë të provoni kalërimin në një mjedis të bukur të Tokës së Mesme.
Koha më e mirë për të vizituar: Gjatë muajve të verës së Zelandës së Re, dhjetor-mars.
2. Sevilje, Spanjë
Klima e Spanjës ju lejon të vizitoni pjesën më të madhe të vitit, kështu që për një pushim të shkurtër fundjave, pse të mos zgjidhni qytetin e zhurmshëm të Seviljes?
I famshëm për arkitekturën e tij Mudejar, një përzierje e stileve arkitekturore islame dhe katolike, ai ka karakteristika të panumërta historike dhe kulturore.
Koha më e mirë për të vizituar: Semana Santa (2 Prill 2023 – 8 Prill 2023), Javën e Shenjtë para Pashkëve, ose me Feria de Abril (23 Prill 2023 – 29 Prill 2023), javën e festivalit. Këtu mund të përjetoni traditat e Sevilianëve.
3. Mgarr, Maltë
Mgarr është një fshat rural i vendosur në një rajon të izoluar në veri të Maltës. Ka një bollëk tokash të pasura bujqësore dhe vreshtash dhe ofron restorante tradicionale lokale dhe pamje spektakolare.
Zbuloni gjirin e vogël të Gnejnës për ujërat e kristalta të bruzës dhe shëtitjet fantastike në shkëmb për të arritur në vendin e përsosur për perëndimin e diellit.
Koha më e mirë për të vizituar: Për të shmangur sezonin e pikut, shkoni nga prilli në qershor kur moti është i ngrohtë, por jo shumë i mbushur me njerëz.
4. Stamboll, Turqi
Stambolli është një qytet spektakolar plot me pika referimi dhe gjëra për të bërë, të cilat ju duhen të paktën tre ose katër ditë për t’i shijuar.
Monumentet më të famshme janë Hagia Sophia, shtëpia e sulltanëve osmanë: Pallati Topkapi, Xhamia Sulltanahmet dhe Pazari i Madh. Megjithatë, me mbi 2 500 vjet histori dhe tradita, nuk është e vështirë të besosh se lista e gjërave për të parë dhe bërë është praktikisht e pafundme dhe mund të kalosh lehtësisht një javë duke shijuar peizazhin.
Sigurohuni që të bëni një udhëtim në të paktën një pastiçeri ose ëmbëlsira, nuk do t’ju zhgënjejë!
Koha më e mirë për të vizituar: Muajt më pak të mbushur me njerëz mars-maj ose shtator-nëntor.
5. Valbonë, Shqipëri
Vendi kryesisht i izoluar mesdhetar i Shqipërisë ka qenë i hapur për të huajt vetëm për disa dekada dhe është ende një enigmë për shumë njerëz sot.
Megjithatë, ky komb i bukur, i keqkuptuar, është shtëpia e shumë peizazheve të lë pa frymë, nga majat e thepisura dhe të larta që mund të rivalizojnë lehtësisht Alpet zvicerane, në brigjet e pacenuara dhe ishujt tërheqës.
Valbona është një mjedis i tillë spektakolar, një fshat piktoresk alpin në Shqipërinë veriore që ndodhet thellë në Bjeshkët e Nemuna mjaft kërcënuese.
I njohur më mirë si Alpet Shqiptare, ky rajon gjallërohet gjatë muajve të verës pasi është braktisur kryesisht gjatë dimrit.
Ka disa ecje të mrekullueshme brenda Parkut Kombëtar të Luginës së Valbonës, veçanërisht udhëtimi nga Valbona në Theth. Kjo është një domosdoshmëri! Për të arritur në Valbonë, mund të merrni edhe tragetin e liqenit të Komanit për pamje më të mahnitshme.
Koha më e mirë për të vizituar: Qershor-Shtator për motin më të ngrohtë.
6. Dahab, Egjipt
Qyteti i Dahabit në Detin e Kuq është vendi i përsosur për t’u çlodhur larg ngutjes dhe nxitimit të qyteteve kryesore egjiptiane si Kajro. Me mot të ngrohtë shumicën e vitit që rrallë bie nën 20°C gjatë ditës, Dahab është gjithmonë aty për t’ju mirëpritur me krahët e tij mikpritës.
Nëse ju pëlqejnë sportet ujore, atëherë ka një sërë opsionesh, nga snorkeling dhe zhytje në skuba deri te rrëshqitja në ajër dhe qift surfing. Shkëmbinjtë koralorë shumëngjyrësh do t’ju transportojnë në një botë krejtësisht të ndryshme.
Koha më e mirë për të vizituar: korrik-tetor, por temperaturat janë të ngrohta gjatë gjithë vitit.
7. Vjenë, Austri
Vjena, kryeqyteti i Austrisë, është një nga qytetet më të bukura, por shumë të nënvlerësuara në Evropë. Me pika referimi që datojnë disa shekuj, ju mund të gjeni shumë stile arkitekturore, nga Katedralja gotike e Shën Stefanit deri te pallati barok Schönbrunn.
Vjena është gjithashtu shtëpia e disa ndërtesave të çuditshme dhe unike si Hundertwasserhaus, një ndërtesë shumëngjyrëshe apartamentesh e projektuar nga artisti austriak Friedensreich Hundertwasser.
Është gjithashtu një vend i mrekullueshëm për një fundjavë pune. Me kulturën magjepsëse të kafeneve, ju mund të kaloni orë të tëra duke punuar në një kafene tradicionale vjeneze me dekor elegant dhe filxhanë kafeje cilësore.
Shtoni një ëmbëlsirë tradicionale vjeneze, të tilla si një Sachertorte (tortë me çokollatë vjeneze), strudel me mollë ose Kaiserschmarrn (një petull i grirë), dhe do të dëshironi të qëndroni shumë më gjatë.
Koha më e mirë për të vizituar: prill-maj ose shtator-tetor për të shmangur turmat. Nëse nuk ju shqetësojnë turmat, vizitoni në dhjetor kur mund të shkoni në tregjet e shumta të Krishtlindjeve.
8. Bad Reichenhall, Gjermani
Shijoni këtë qytet të bukur dhe të çuditshëm tradicional, që ndodhet afër Salzburgut, Austri (në fakt është më afër Austrisë sesa qytetet e tjera gjermane). Me rreth 200 dyqane, furra buke dhe kafene, ka shumë për të bërë këtu.
Është gjithashtu brenda distancës në këmbë nga Austria (15 deri në 20 minuta në këmbë), kështu që ju mund të kaloni kufirin gjermano-austriak në këmbë.
Pranë Bad Reichenhall ndodhet liqeni Thumsee, një liqen i bukur ku mund të notosh gjatë muajve të verës.
Për pak pushim dhe rikuperim, kjo është një domosdoshmëri. Koha më e mirë për të vizituar: Qershor-Gusht.
9. Prishtinë, Kosovë
Prishtina është kryeqyteti i Kosovës, vendi më i ri në Evropë dhe një nga kryeqytetet më të lezetshme dhe më të nënvlerësuara në gadishullin ballkanik.
Ajo që i mungon në bukuri, sigurisht që e plotëson në atmosferë, gjithnjë e mbushur me bare dhe kafene elegante. Ka gjithashtu shumë ndërtesa që pasqyrojnë stilin brutalist që ishte tepër popullor gjatë komunizmit.
Koha më e mirë për të vizituar: maj-shtator.
10. Parku Kombëtar i Rilës, Bullgari
Parku Kombëtar i Rilës është parku më i madh kombëtar në Bullgari dhe ka shumë për t’u ofruar turistëve që kënaqen me ecjen. Është ecja mahnitëse e Shtatë Liqeneve të Rilës prej 6,2 miljesh që zgjat tre deri në katër orë, ose mos u përpiqni të ecni në malin më të lartë të Ballkanit, majën Musala.
Në 2925 m, pamjet janë fenomenale dhe mund të shihni edhe macen e zemëruar (por të lezetshme!) duke gjykuar ecjen tuaj të lodhur pranë majës së malit. / atsh / KultPlus.com
Ka shumë destinacione evropiane të paprekura, por një vend në lindje është dëshmuar të jetë një nga më të mirët e vitit, Shqipëria, shkruan faqja e njohur turistike Travelinglifestyle.
Një vend që më parë ishte lënë pas dore nga udhëtarët, por kohët e fundit është bërë një nga destinacionet më premtuese në Evropë.
Kërkesa për udhëtime në Evropë u rrit midis 2022 dhe 2023, veçanërisht pasi u hoqën të gjitha kërkesat e hyrjes në lidhje me shëndetin dhe u rivendos plotësisht normaliteti.
Por, ndërsa ”goliathët” e turizmit si Franca, Italia dhe Spanja kanë ndërmarrë hapa për të reduktuar numrin e turistëve, vende të tjera më pak të njohura janë të etur për të mirëpritur më shumë vizitorë.
Shqipëria është një vend i vogël në Evropën Juglindore, kufizohet me Greqinë në jug, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën në lindje, dhe Malin e Zi të bukur në veri.
Por, ndryshe nga shumë prej bashkëkohësve të saj, ajo u prezantua për publikun vetëm 30 vjet më parë.
Sipas INSTAT, vetëm në janar të këtij viti kanë mbërritur në Shqipëri 377 211 të huaj, një rritje prej 94,2% nga viti në vit.
Këto norma janë asgjë më pak se të mahnitshme, duke pasur parasysh se Evropa është ende në “jashtë sezonit” të saj, kur mbërritjet shpesh bien ndjeshëm.
Gjithashtu, të gjitha vendet evropiane kanë relaksuar kontrollet kufitare dhe kanë lejuar rifillimin e trafikut turistik. Fakti që Shqipëria vazhdon të zgjerohet me kaq shpejtësi përballë rikthimit në normalitet të konkurrentëve të saj më të egër, është dëshmi e mëtejshme se ajo ka ruajtur vrullin që fitoi në fillim të pandemisë.
Ndërsa pjesa më e madhe e Evropës ishte e mbyllur për shkak të COVID, Shqipëria mbeti e aksesueshme pa kufizime, gjë që ndoshta kontribuoi në popullaritetin e saj të papritur.
Vitin e kaluar, 7.5 milionë turistë vizituan Shqipërinë, një rritje prej 32% krahasuar me vitin 2021. Nëse trendi aktual vazhdon, niveli i mëparshëm i vendit mund të tejkalohet lehtësisht deri në dhjetor.
Shqipëria, ashtu si Kroacia dhe Mali i Zi, ndodhet në detin Adriatik, një nga krahët e Mesdheut të madh, por kostoja e jetesës është shumë më e ulët në krahasim. Do të gjeni të njëjtat ujëra bruz, plazhe me rërë të bardhë ose me guralecë dhe qytete mesjetare me shtëpi prej guri, por pa hotele të shtrenjta dhe kurthe tipike turistike.
Pjesë të mëdha të bregdetit më jugor të Shqipërisë, të njohur si Riviera Shqiptare, kanë mbetur të pazhvilluara, kështu që natyra është e paprekur, plazhet janë të patrazuara dhe qytetet tradicionale me kalldrëm, ku breza të tërë familjesh kanë jetuar për shekuj, të pandotura nga ndikimet e jashtme./ atsh / KultPlus.com
Parkut Arkeologjik i Bylisit po përgatitet për hapjen e sezonit turistik.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, solli sot në rrjetet sociale një album fotografik me pamje nga Bylisi antik.
“E nisim javën me punët e mira të punonjësve të Parkut Arkeologjik të Bylisit, të cilët po përgatiten për hapjen e sezonit turistik”, shkruan ministrja Margariti.
Parku Arkeologjik Kombëtar Bylis është pa dyshim një nga më të bukurit në Shqipëri, me mozaikë dhe pamje madhështore. Ai është i vetmi në Shqipëri me mbi 1000 m² mozaikë të periudhës së antikitetit të vonë. Një hapësirë që tërheq vëmendjen e studiuesve dhe vizitorëve.
Parku Arkeologjik Kombëtar Bylis ka thesarin e mozaikëve paleokristian, të shekullit V – VI, më të bukur e të mëdhenj jo vetëm në Shqipëri por dhe në Ballkan.
Vazhdimisht aty janë kryer ndërhyrje si dhe sistemime të mbetjeve të ngurta, të dala nga gërmimet arkeologjike ndër vite. Gjithashu është punuar me ringritjen e blloqeve përreth monumenteve të qytetit antik për të rritur vizibilitetin e sitit./ atsh / KultPlus.com
Kina duket se e ka lënë pas pandeminë edhe pse ishte vendi ku shpërtheu Covid-19 dhe humbën jetën milionë njerëz në të gjithë botën. Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë tre vjet më parë, vendi aziatik do të rifillojë lëshimin e vizave për turistët e huaj.
Lehtësimi i kufizimeve erdhi pasi Pekini u tërhoq nga politika “zero-Covid” dhe shpalli fitoren ndaj virusit. Grupet turistike nga Hong Kongu dhe Macau do lejohen të hyjnë pa viza dhe zyrat konsullore jashtë Kinës do të rifillojnë shqyrtimin e aplikimeve për viza.
Qytetarët kinezë do të lejohen të udhëtojnë me grupe turistike në 60 vend, nga 20 që ishin më parë. / KultPlus.com
Tirana ka njohur katërfishim të numrit të turistëve të huaj, duke u kthyer në një aktor të rëndësishëm të industrisë së turizmit.
Gjatë një takimi me me guidat turistike në kryeqytet, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se ky “boom” turistësh ka ardhur pas investimeve dhe transformimit që ka përjetuar Tirana, ku veçoi zonat më ikonike të saj, sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri dhe Kalanë e Tiranës.
“Sidomos në vitin e kaluar kur kemi pasur edhe titujt Kryeqyteti Europian i Rinisë, apo këtë vit ai i Sportit, e kam pasur sfidë të hyj e të dal nga bashkia prej grupeve të turistëve. Jam ndjerë sikur jetoja në Babel, kur dëgjoja çfarë gjuhe fliste një grup dhe nuk e fliste grupi tjetër. Në këtë sens, unë besoj që këto janë ditët më të mira të turizmit në Tiranë. Pra, me gjithë problematikat që kemi, më mirë se kaq nuk ka qenë përpara dhe nuk ka qenë kurrë,” tha Veliaj.
Kreu i bashkisë së Tiranës renditi disa nga atraksionet kryesore turistike ku është ndërhyrë së fundmi, ndërsa veçoi Piramidën, për të cilën tha se shumë shpejt do jetë në 3 pikat më të vizituara të Tiranës.
“Nuk besoj ka kaluar një vit që s’kemi shtuar një stacion të ri ku vërtet ia vlen të çosh turistë. Filluam me “Shtëpinë e gjetheve”, vazhduam me “Pazarin e Ri”, me Kalanë e Tiranës dhe janë bërë disa të quajtura “tourist traps”. Jam i bindur që Piramida do jetë atraksioni, në mos vendi më i instagramuar, të paktën tek tre më të kërkuarit nga turistët. Ai është një ballkon 360 gradë i Tiranës,” deklaroi ai.
Kryebashkiaku bëri më dije se dy stacionet e reja për t’u vizituar nga turistët që do shtohen shumë shpejt janë “Sarajet” që është shpronësuar nga bashkia dhe do të kthehet në Muzeun Etnografik të Tiranës dhe Shtëpia e Libohovitëve. Ndërkohë, ai sqaroi më tej se ka filluar puna për shtëpinë “Dritëro Agolli”, siç është bërë edhe te “Shtëpia e gjetheve” apo te shtëpia e Ismail Kadaresë.
Për destinacionet më të largëta nga qendra, Veliaj e vuri theksin te ecja në këmbë.
“Te “Bulevardi i Ri” është punuar që në fillim për më shumë hapësirë për ecjet dhe ato që quhen “linear parks”. Në disa raste të tjera na është dashur të bëjmë një lloj kompensimi në urbanistikë, si tek Bulevardi “Zogu I”, një tjetër rrugë që vizitohet shumë, ku hoqëm gjithë parkimin”, sqaroi kryetari Veliaj.
Për sa i përket autobusëve dhe terminaleve, ai tha se tashmë ka mbaruar terminali lindor, ndërsa te “Kthesa e Kamzës” do fillojnë punimet shumë shpejt për terminalin e ri perëndimor.
“Jemi duke shqyrtuar mundësinë që të kthejmë sheshin “Nënë Tereza” në një parkim nëntokësor, i cili të jetë ekskluziv vetëm për autobusët. Ndërkohë jemi duke menduar që xhepin e parkimit që fituam te Garda, që ta përshtatim për autobusë dhe ta kthejmë në stacion, derisa të bëjmë një zgjidhje nëntokë në sheshin “Nënë Tereza”. Duhet të pranojmë që kemi bërë një revolucion me transportin e taksive, ku 60% janë elektrike. Impakti i parë kur vjen në Rinas, apo kur lëviz në Tiranë me një mjet ekologjik, është një publicitet i mirë për qytetin,” nënvizoi Veliaj.
Ai njoftoi se bashkia sapo ka miratuar një investim për kthimin e 80 stacioneve të autobusëve në stacione elektronike dhe aplikimin e biletimit elektronik.
Në vitin 2022, Tirana ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë, me mundësi të pafundme për të rinjtë, përmes 1000 aktiviteteve, për të vijuar këtë vit, si Qyteti Evropian i Sportit, gjë që do të sjellë akoma më shumë tërheqje e atraksion për turistët e apasionuar pas aktiviteteve sportive./ atsh /KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau sot një foto nga aeroporti i Madridit në Spanjë, ku reklamohet Shqipëria si një destinacion turistik.
“Aeroporti i Madridit sot”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Foton e ndau edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumabro, e cila e cilësoi si kartolinën e ditës.
“Kartolina e ditës më vjen direkt nga aeroporti i Madridit”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Raporti i INSTAT-it për turizmin tregon se, 7.5 milionë turistë të huaj vizituan vendin tonë gjatë vitit 2022, duke i besuar Shqipërisë pushimet e tyre jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe përgjatë stinëve të tjera të vitit.
Janë 1.9 milionë më shumë se, viti 2021 dhe 18% më shumë se viti 2019, që deri tani mbante rekordin e shifrave./ atsh / KultPlus.com
Shqipëria po riformulohet si një destinacion për udhëtime alternative edhe me peizazhet e saj spektakolare larg bregdetit dhe qëndrimet miqësore ndaj mjedisit rural, shkruan Helena Smith për prestigjiozen britanike ”The Guardian”.
Shqipëria, një nga destinacionet e udhëtimit me rritjen më të shpejtë në Evropë, do të fokusohet në turizmin alternativ dhe jo masiv, në një lëvizje që zyrtarët qeveritarë shpresojnë se do ta ndihmojë në dallimin e saj nga konkurrentët.
Shteti i vogël ballkanik, dikur i mbyllur hermetikisht nga bota e jashtme, është rritur në popullaritet për shkak të një reputacioni që shihet gjithnjë e më shumë si trend dhe ekzotik.
Vitin e kaluar ai tërhoqi 7,5 milionë vizitorë, më shumë se dyfishi i popullsisë së tij, nga një tjetër rekord prej 6,4 milionë në 2019.
”Është një vend tjetër krahasuar me 10 vjet më parë”, thotë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, duke vënë në dukje se vendi ka më shumë se kompensuar humbjet e bëra që nga shpërthimi i Covid-19.
“Gjërat po ndryshojnë kaq shpejt… Shqipëria e vitit 2023 është plot energji pozitive”, thotë ajo.
Por, Kumbaro, një akademike para se të futej në politikë, thotë se ardhjet në rritje nuk do të jenë pjesë e strategjisë turistike të parashikuar në vijim.
Në vend të kësaj, po zhvillohen plane për të diversifikuar një sektor që shihet si kyç për rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Duke u larguar nga modeli tradicional i diellit dhe i detit të ofruar nga fqinjët e saj mesdhetarë, zyrtarët duan të riemërojnë Shqipërinë si një destinacion “cilësi” të nivelit të lartë, duke ofruar ushqim për tregje të reja.
“Ne bëmë disa gabime në vitet 1990”, tha ajo për ”The Guardian”, duke iu referuar tranzicionit të trazuar nga diktatura staliniste në demokraci.
“Nuk mund të mësosh pa bërë gabime: ato janë pjesë e procesit”, shton ajo.
Ajo tregon për “hotelet dhe ndërtesat e shëmtuara” që u ngritën me zhvillimin e parregullt të resorteve kryesore përgjatë rivierës shqiptare në pasojat kaotike të komunizmit, si Saranda, qyteti bregdetar përballë Korfuzit.
“Si ministre e Turizmit dhe Mjedisit ka një lloj kontrolli dhe ekuilibr. Mund të jem krenare që kemi 7,5 milionë turistë, por, të jem e sinqertë, nuk po kërkoj më shumë. Unë kërkoj cilësi, që njerëzit të qëndrojnë më shumë se mesatarja tre deri në katër netë dhe të vijnë gjatë gjithë vitit. Plazhet nuk janë të vetmit. Ajo që është unike për vendin është e virgjër, e paprekur, e pazbuluar”, thekson ajo.
”Nuk do të promovohen pushimet e paketës së plazhit, por agroturizmi dhe ekoturizmi – të dyja të përhapura në mënyrë më të barabartë dhe duke u mbështetur në peizazhin e larmishëm spektakolar të maleve, pyjeve dhe bregdetit të Shqipërisë”, shton Kumbaro.
“Ajo që duam është turizmi miqësor ndaj mjedisit, i përgjegjshëm dhe i qëndrueshëm. Ne nuk duam që turizmi të përqendrohet vetëm në zona të caktuara, por turizmi që fokusohet në trashëgiminë kulturore, gastronomi, ecje, rafting, natyrë… ka kaq shumë ferma të vogla ku njerëzit mund të shkojnë dhe të shijojnë të gjitha këto”, thotë ajo.
Zonat në brendësi të Shqipërisë dhe rajoni verior i Alpeve, shtëpia e Bjeshkëve të Nemuna, ofrojnë potencial të pakrahasueshëm për agroturizëm dhe ekoturizëm.
Javën e kaluar vëmendja u kthye te lumi Vjosa 273 kilometra, i cilësuar shpesh si “lumi i fundit i egër i Europës”, pas një premtimi të kryeministrit Edi Rama, për ta kthyer pellgun që përfshin lumin dhe degët e tij në një park të ri kombëtar – i pari i këtij lloji në Evropë – në një lëvizje për të ndihmuar në nxitjen e turizmit.
Kumbaro përmendi nevojën për të rigjallëruar fshatrat përmes turizmit rural, teksa njoftoi se do të paraqesë një aplikim që i gjithë pellgu i Vjosës të bëhet “rezervat biosferë e UNESCO”.
Shtëpia e më shumë se 1 000 llojeve të kafshëve dhe bimëve, Vjosa, e cila përshkon vendin pa pengesa dhe pa pengesa nga burimi i saj në Greqi, është emblema e parajsës mjedisore që Shqipëria u lejua të bëhej në një pjesë jo të vogël, për shkak të paranojës së Enver Hoxhës, diktatori që sundoi Shqipërinë për mbi 40 vjet.
Mezi kanë kaluar tre dekada që kur Shqipëria doli nga sundimi stalinist.
Asnjë anëtar tjetër i ish-bllokut komunist të Evropës Lindore nuk pësoi një shtypje apo izolim të tillë.
Tani, 56 vjeçe, Kumbaro jetoi një pjesë të madhe të jetës së saj të hershme nën një regjim që ajo e kujton mirë.
Turizmi, në atë kohë, lejohej vetëm për marksist-leninistët e shpallur dhe kontrollohej rreptësisht nga Albturist, agjencia shtetërore turistike e ngarkuar me zhvillimin e sektorit pas vdekjes së Hoxhës në 1985.
“Vetëm rreth 200 njerëz në turne’ shumë të mirorganizuar me autobus vizitonin çdo vit”, kujton ajo.
“Ata i përkisnin shoqatave të miqësisë komuniste. Por, edhe atëherë, Albturist kontrollohej nga policia sekrete e Sigurimit”, thotë Kumbaro.
Më vonë, ndërsa vendi filloi të hapej, udhëtimet me autobus filluan nga Athina, kryesisht duke u shërbyer grekëve me të afërmit që jetonin në komunitetet minoritare në jug.
Turistët e tjerë u lejuan, por u verifikuan përpara se të jepeshin vizat.
Udhëtimet shkonin vetëm deri në Tiranë, kryeqytet, ku vizitorët qëndronin në hotele të mjera të kohës sovjetike.
Udhëtimi më në veri në malësitë e varfra ishte i pamundur. Një vend internimi për të burgosurit politikë, numri i të cilëve u rrit ndërsa Shqipëria u nda gradualisht nga vendet e tjera komuniste, ishte vendi i kampeve famëkeqe të punës së rëndë.
“Gjithçka ishte e ndaluar, madje edhe feja”, thotë Kumbaro, duke kujtuar se gjyshja e saj ishte shumë e frikësuar për të folur hapur për besimin e saj.
“Për mua, turizmi ka të bëjë me emancipimin. U hap dyert të tjerëve dhe është një gjë e mrekullueshme”, përfundon ajo./ atsh / KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar ka bërë publike shifrat e vizitorëve gjatë muajit janar.
Krahasuar me vizitorët e janarit të vitit 2022, ajo janë rritur me 345%.
Gjatë muajit janar, të vitit 2022, Muzeun Historik Kombëtar e kishin vizituar 355 persona në total, ndërkohë që ky fillimviti rezultoi shumë i susksesshëm, me 1578 vizitorë.
Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe UNOPS, Muzeun Historik Kombëtar e kanë përfshirë në programin EU4Culture, i cili nisi implementimin me mozaikun e fasadës ballore, për të vijuar më tej edhe me vetë godinën e muzeut.
Godina e MHK, një monument i kategorisë II, do të jetë edhe më funksionale për vizitorët, me pavijone të shtuara, që flasin për identitetin tonë kombëtar. Në grupin e punës janë përfshirë edhe specialistë të albanologjisë.
Ekipi që ka realizuar projektin ka pasur në përbërje të tij 31 specialistë të fushave të ndryshme: arkitektë, historianë, arkeologë, etnografë, ikonografë, dizajner etj.
Synimi është që ky muze të ketë më shumë hapësira ekspozitash të përhershme dhe të përkohshme, në mënyrë që muzeu të jetë sa më dinamik; të ketë sa më shumë hapësira edukimi për fëmijë, hapësira për takime, workshope, librari, ambiente për familjen dhe patjetër ambiente të dedikuara për digjitalizimin dhe restaurimin e artefakteve./ atsh / KultPlus.com
Një mundësi për ta diversifikuar jetën turistike të rajonit të Korçës, vjen nga një destinacion i cili ka filluar të frekuentohet së fundmi. Bëhet fjalë për Gurin e Kamjes, pranë Pogradecit.
Përveç turizmit kulinar, kulturor e historik, kjo zonë ofron dhe bukuri të tilla natyrore, të cilat ia vlen të promovohen.
Prekja e kësaj maje me dëborë ka sjellë kënaqësi të madhe për vizitorët e të gjitha moshave. Një nga vizitorët më në moshë, rrëfen se ky aktivitet i ka bërë të rinjtë të lënë divanet, kafet e teknologjinë dhe të shijojnë natyrën e cila është një alternativë gjithnjë më e mirë se jeta sedentare.
Drejtori i Turizmit, Trashëgimisë Kulturore dhe Rinisë, Ledjan Zeqollari thotë se Guri i Kamjes tashmë është pjesë e hartës turistike të Pogradecit, duke e diversifikuar mjaft hartën turistike të tij. “Bën pjesë edhe në harta dhe është një nga atraksionet turistike më të rëndësishme, duke zhvilluar më tepër ekoturizmin dhe turizmin malor”, është shprehur Zeqollari.
Sipas udhërrëfyesve, vitet e fundit interesi është në rritje për të vizituar jo vetëm monumentet e natyrës por edhe ato kulturore. Operatorët turistikë sugjerojnë të shtrihet turizmi i natyrës më gjerë se Pogradeci, pasi ka mjaft destinacione që njihen pak nga turistët.
Guri i Kamjes ka statusin e “monumentit të natyrës” që prej vitit 2002, por gjithashtu ka dhe vlera historike pasi në 28 korrik të vitit 1912, patriotët e zonës së Gorës, shpallën pavarësinë, 4 muaj përpara shpalljes së pavarësisë në Vlorë. Ndërsa në Luftën e Parë Botërore, Guri i Kamjes ka shërbyer si kullë vëzhgimi për ushtarët francezë, ndërkohë që Pogradeci ishte i ndarë mes kampit francez e atij bullgar.
Pedagogu Ermal Hasimja, pjesë e një grupi vizitorësh, thotë se është një destinacion interesant edhe për ata që vijnë nga Tirana pasi mund ta shoqërojnë edhe me një vizitë në Pogradec apo Korçë, sepse është një zonë që ka se çfarë ofron, por nuk ka qenë nxjerrë në pah mjaftueshëm.
Sipas guidës, destinacioni është i lehtë dhe i realizueshëm për të gjitha moshat./ atsh / KultPlus.com
Turizmi në Shqipëri dhe Europën Juglindore pritet të lulëzojë, pasi interesi për këto destinacione ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.
Lajmi u raportua New Deal Europe (NDE), një platformë turistike dhe tregtie për Ballkanin dhe Europën Juglindore, e cila thotë se rajoni po sheh rritje të interesit për investime në hotele dhe resorte, pasi turistët po ndërgjegjësohen më shumë për rajonin si një destinacion i ri turistik.
“Ballkani po lulëzon.
Është një nga rajonet e fundit ekzotike të Europës, por gjithnjë e më shumë njerëz po interesohen sepse ka një larmishmëri të madhe, nga Alpet në Egje, ofron kulturë, bukuri natyrore, plazhe, male, kulinari, verë dhe ski”, vuri në dukje bashkëthemeluesi i NDE, Tim Murn.
Kompania do të mbajë takimin e saj vjetor të tregtisë më 24 mars, i cili lidh furnitorët e turizmit nga të gjitha vendet e Ballkanit; Greqia, Moldavia, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Sllovenia, Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria.
Për më tepër, rajoni ofron vlerë të madhe për investime, veçanërisht për vendet jashtë BE-së, ku Shqipëria është një nga destinacionet më premtuese. Interesi për këtë vend është rritur veçanërisht te britanikët, pasi nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë drejtohen mbi tetë fluturime në ditë.
Shqipëria ka tregues të fortë për një industri të madhe turistike dhe mund të jetë po aq e suksesshme sa Greqia, vendi fqinj i saj. Më parë, Greqia dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për të forcuar marrëdhëniet, veçanërisht në fushën e turizmit.
Të dy vendet u zotuan të promovojnë destinacionet dhe të rrisin numrin e turistëve që vijnë.
Vendimi vjen pas takimit mes ministres së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro dhe Presidentes së Organizatës Kombëtare Greke të Turizmit (GNTO), Angela Gerekou, e cila theksoi se sa e rëndësishme është ruajtja e identitetit të të dy vendeve në industrinë e turizmit.
Shqipëria pati një vit rekord në 2022, me shumë grupe të rëndësishme hotelesh që konsideruan vendin për të investuar./ atsh / KultPlus.com
Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, i mbuluar nga dëbora, fton të pasionuarit pas alpinizimit, ta vizitojnë atë.
Agjencia Kombëtare e Turizmit ndau sot, në rrjetet sociale, pamje nga ky park, i kthyer në një nga destinacionet turistike për vizitorët e natyrës dhe të aventurës.
“Më pak se dy orë larg me makinë prej Librazhdit, më i madhi në Shqipëri dhe një prej më mbresëlënësve. Sapo të arrini atje, do të ndjeni hyrjen në një botë tjetër, me maja të larta, liqene dhe shtigje të bukura. Plot pyje të paprekur dhe të mahnitshëm me pemë të lashta ahu”, theksoi Agjencia Kombëtare e Turizmit.
Ky park në të gjitha stinët është shndërruar në destinacionin e fundjavës për ata që pëlqejnë turizmin aventurier, pasi ofron mjaft shtigje interesante për t’u eksploruar.
Dëbora e këtij muaji e ka bërë parkun Shebenik-Jabllanicë ideal për ski dhe peizazhi duket i mrekullueshëm nga bardhësia që e ka mbuluar. / atsh / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga një prej moleve që po ndërtohet në Liqenin e Shkodrës.
“Në Zogaj, ku po ndërtohet një prej tre moleve në Liqenin e Shkodrës, me të gjitha parametrat në funksion të lundrimit në natyrën e bekuar në zonën liqenore, që shihet edhe si një perspektivë e re turistike mes Shqipërisë dhe Malit të Zi”, tha Kryeministri ndërsa ndau pamjet e molit të ri.
Investimet në bashkinë Shkodër përfshijnë rrugën Shirokë-Zogaj-Pika kufitare me Malin e Zi rreth 6 km e gjatë ku shumë shpejt nis ndërtimi.
Po ashtu, do të investohet në lidhjen Shëngjin-Ulqin, bajpasin e Shëngjinit, urën e Bunës dhe rrugën Pulaj.
Në Shkodër do të investohet për sheshin e Shirokës, Muzeun e Liqenit dhe pikat panoramike, molet Almonit, hyrjen e Shkodrës, Muzeun e Navigimit dhe Kalanë e Rozafës.
Në zonën e Alpeve investimet përfshijnë rrugën Qafë Thore-Theth, rikualifikimin e Thethit, rrugën Theth-Nderlysaj, faza 1, si dhe aksin Nderlysaj-Lotaj-Lekbibaj-Prekal ose unaza e brendshme e Alpeve.
Po ashtu ndërhyrje parashikohet në rrugën Ura e Mesit-Kala e Drishtit, për ndriçimin e rrugës Ura e Mesit-Kala e Drishtit si dhe për rivitalizimin e Kalasë së Drishtit./ atsh / KultPlus.com
Parku Kombëtar i Alpeve gjatë vitit të kaluar ka qenë një ndër destinacionet më të vizituara në vendin tonë.
Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër tha për ATSH-në se “lumi i Gashit, Lugina e Valbonës, Thethi, Vermoshi dhe Boga nga janari deri në dhjetor të 2022 u vizituan nga 230 944 turistë”.
“Konkretisht në këtë periudhë 104 595 ishin turistë vendas dhe 126 349 të huaj”, tha ADZM Shkodër.
Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit janë të pakta dhe në gjendje të keqe.
Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat./ atsh / KultPlus.com
Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”, destinacion turistik për vizitorët e natyrës dhe të aventurës fton plot të apasionuar në çdo stinë.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga ky park me mozaikun e bukurive natyrore me Majën e Kallkanit, Majën e Zezë, Shkëmbin e Koklit, Majën e Rreshpës dhe Liqenet akullnajore të Rrajcës.
Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.
Me interes është Kisha e Kosharishtit e ndërtuar në një shpellë me figura e mbishkrime që nga shek. II para Krishtit, që duhet të jetë gjithashtu pjesë e guidës për këdo që dëshiron të vizitojë Parkun Kombëtar të Shebenikut.
Kjo shpellë-kishë është e vendosur në një shkëmb në lartësi rreth 70 metra nga niveli i lumit të Qarrishtës, ku janë pikturuar Shenjtorja Mari dhe dishepujt gjatë një ceremonie.
Po ashtu në Shebenik janë liqenet karstike, liqeni i Fushë-Studnës, Vlaska, Fusha e Dorëzit, Bredhi i Fushë-Kuqes, Rrapi i Taksimit, Shkalla e Skënderbeut, Gurra e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë./atsh / KultPlus.com
Media prestigjoze angleze BBC i ka kushtuar një artikull Shqipërisë, ku është folur për natyrën e vendit tonë dhe për faktin se deri vonë është konsideruar si ‘enigma e Evropës.
Rubrika e mirënjohur e BBC Travel, Slowcomotion ka zgjedhur Alpet shqiptare për të ftuar lexuesit të vizitojnë Shqipërinë ku mund të ndihen të sigurt dhe të krijojnë miqësi të qëndrueshme me banorët vendas të cilët janë ndër njerëzit më mikpritës.
Pjesë nga artikulli i BBC Travel shkruar nga gazetari Peter Elia i cili vizitoi Alpet Shqiptare:
Duke ecur nëpër luginat e gjelbra dhe livadhet e shpërndara nga lulet e egra nën rrezet e diellit flakëruese, me Alpet Shqiptare të grira me armë zjarri që ngrihen lart lart, u godita nga largësia e plotë e këtij peizazhi. Ndryshe nga vendpushimet më të famshme alpine të Evropës, nuk kishte hotele apo ashensorë skish në horizont. Në vend të kësaj, mjedisi gjithëpërfshirës ngjalli një ndjenjë befasuese izolimi dhe nuk mund të mos ndihesha se kisha hyrë në një tokë sekrete në pjesën e pasme të garderobës që i kishte shmangur disi vëmendjes së botës së jashtme.
Duke u shtrirë nga Shqipëria Veriore në Kosovën jugore dhe në verilindje të Malit të Zi, Alpet Shqiptare njihen më mirë me emrat e tyre vendas shqip (Bjeshkët e Nëmuna) dhe serbo-kroatisht (Prokletije) – që të dy do të thotë “Bjeshkët e Nemuna”. Megjithatë, pyetja se si këto shpate gëlqerore të dhëmbëzuara e morën emrin e tyre të pazakontë, mbetet një mister.
Sipas legjendës lokale, djalli shpëtoi nga ferri dhe krijoi karstet e thepisura akullnajore në një ditë të vetme të keqe. Disa thonë se emri i alpeve rrjedh nga një grua që mallkoi malet kur po ecte nëpër to me fëmijët e saj në një ditë të nxehtë dhe nuk mund të gjente ujë. Të tjerë pretendojnë se ushtarët sllavë u dhanë maleve emrin e tyre ndërsa përpiqeshin të marshonin nëpër to. Në një farë mënyre, historia e çuditshme e origjinës së majave është diçka si një metaforë për Shqipërinë në tërësi.
E quajtur prej kohësh “enigma e Evropës” nga autorët e librave dhe guidat e udhëtimit, Shqipëria është ndoshta vendi më i keqkuptuar në Evropë. Gjuha e saj është një anomali semantike pa asnjë të afërm të njohur në familjen gjuhësore indo-evropiane. Pas Luftës së Dytë Botërore, sundimtari autoritar Enver Hoxha e mbylli efektivisht kombin malor nga bota e jashtme për katër dekada; ndalimi i fesë (dhe duke e bërë atë kombin e parë ateist në botë); duke ndaluar udhëtimet dhe duke e shtyrë Edi Ramën, kryeministrin aktual të vendit, të thotë se Shqipëria dikur ishte “Koreja e Veriut e Evropës”. Gjatë Luftës së Ftohtë, Hoxha e bindi kombin se pjesa tjetër e botës donte të përmbyste shtetin e tyre komunist, kështu që ai e mbushi vendin me deri në 500,000 bunkerë betoni që njerëzit të fshiheshin në rast sulmi.
Çuditërisht, bastioni komunist nuk ishte kurrë pjesë e Bllokut Lindor dhe që nga tranzicioni i tij në demokraci në vitin 1991, nuk ka qenë kurrë anëtare e NATO-s apo e Bashkimit Evropian. Në vend të kësaj, ajo ekziston si një lloj paradoksi kontinental: është një nga dy vendet e vetme me shumicë myslimane në Evropë (së bashku me Kosovën fqinje); më shumë shqiptarë jetojnë jashtë vendit (afërsisht 10 milionë) sesa në të (2.8 milionë); dhe është një vend ku po do të thotë jo dhe jo do të thotë po.
Për dekada, pak udhëtarë dinin asgjë për plazhet e arta të Shqipërisë, malet e egra dhe rrënojat romake dhe otomane. Por në vitet që kur kombi ballkanik u hap me kujdes ndaj botës, ai ka tërhequr udhëtarët e etur për të zbuluar një nga qoshet e fundit të egra dhe më pak të eksploruara të Evropës. Një nga projektet e tij më të guximshme në kujtimet e fundit është ‘Majat e Ballkanit’: një shteg rrethor ecjeje 192 km që lidh Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën përmes një sërë shtigjeve që shtrihen në Bjeshkët e Nemuna.
Vizioni për këtë projekt ndërkufitar erdhi në vitin 2013, por rrënjët e tij shkojnë shumë më larg. Shumë shqiptarë dhe kosovarë i referohen marrëdhënies së tyre të ngushtë si “një komb, dy shtete”, siç theksohet në sloganin popullor shqiptar “jemi nje” (ne jemi një). Në fakt, 93% e kosovarëve janë etnikisht shqiptarë dhe flasin shqip. Kosova (më parë pjesë e Serbisë) dhe Mali i Zi u inkorporuan në Jugosllavinë e sapoformuar në vitin 1918, por shpërbërja e vendit në vitin 1992 shkaktoi një seri konfliktesh të ashpra etnike, pasi Serbia dhe Mali i Zi janë kryesisht ortodoksë të krishterë. Si rezultat, qindra mijëra kosavanë u larguan nga shteti i tyre, me shumë kalimin e Bjeshkëve të Nemuna në Shqipëri. Në vitin 1999, sulmet ajrore të NATO-s i dhanë fund një lufte mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve. Kosova përfundimisht fitoi pavarësinë në vitin 2008, por tensionet përgjatë këtyre kufijve vazhduan.
“‘Nëse Shqipëria është enigma e Evropës, ecja në këtë shteg më ndihmoi të kuptoja shumën e pjesëve të saj. Duket se ky ish-shtet totalitar, i cili dikur u përpoq kaq dëshpërimisht të mbante botën jashtë, po përdor turizmin si një mënyrë për të ftuar njerëzit brenda dhe për t’u mësuar atyre diçka se si një vend mund të shërohet dhe të ndryshojë”- thuhet në mbyllje të artikullit të BBC, shkruar nga gazetari Peter Elia. / KultPlus.com
Qyteti i një mbi një dritareve vijon të mbetet ndër qytetet më të preferuara të turistëve.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha për ATSH-në se “gjatë këtij viti Berati ka shënuar një fluks të lartë turistësh, ku në janar-dhjetor u vizitua nga rreth 400 mijë vizitorë, ku 80% e turistëve janë të huaj”.
“Ky është numri më i lartë i vizitorëve në të gjithë historinë e qytetit tonë. Vitet e fundit turistët po kalojnë më shumë kohë në qytet. Më herët turistët kryenin vizita ditore, ndërsa tani ata qëndrojnë të paktën 1-2 netë në qytet dhe kanë mundësi të njihen më mirë me historinë dhe kulturën e këtij qyteti të lashtë”, tha Demo.
Ndër atraksionet më të vizituara Demo përmend Kalanë, ndërsa në qytet më të vizituarat janë Kanionet e Osumit, kantinat e qytetit, muzeumet Onufri, Etnografik dhe Solomon.
“Një vëmendje të veçantë zënë edhe objektet e kultit, si kishat dhe xhamitë, të cilat vitet e fundit janë restauruar ”, tha Demo
Në rritjen e fluksit të vizitorëve këtë vit kanë ndikuar edhe aktivitetet e shumta të organizuara nga bashkia.
“Bashkia gjatë gjithë vitit, por sidomos në sezonin veror ka organizuar një sërë aktivitetesh çdo fundjavë si teatër kukullash, teatër për të rritur, fundjavat e muzikës live në pedonale, festa e miqësisë, ekspozita, etj., të cilat kanë sjellë një numër të lartë turistësh në qytetin e një mbi një dritareve”, tha Demo.
Sa i përket investimeve në sektorin e turizmit, Demo shprehet se “180 biznese të reja janë hapur kryesisht në lagjet kryesore turistike të qytetit”.
Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.
Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.
Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë./ atsh / KultPlus.com
Qyteti i Krujës është promovuar nga “Voyaged”, një prej faqeve më të njohura të destinacioneve botërore.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila thekson se “kartolina e mbrëmjes vjen nga @voyaged, faqja e ndjekur nga miliona njerëz nëpër botë, që promovon Krujën tonë”.
“Duke shëtitur në rrugët e Krujës”, shkruan “Voyaged” duke publikuar edhe disa fotografi nga qyteti i Krujës.
Kruja është kthyer tashmë në një qytet me turizëm gjithëvjetor, i favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja gjeografike dhe peizazhi i bukur malor që ofron natyra me bimësi të larmishme.
Qyteti i Krujës është një nga destinacionet kryesore të turistëve në Shqipëri.
Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.
Krahas Pazarit, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për t’u vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet kalaja, apo edhe bujtinat e ndryshme agroturistike që ofrojnë ushqime tradicionale mjaft tërheqëse në ambiente me peizazhe piktoreske. / atsh / KultPlus.com