ForwardKeys: Tirana, destinacioni i dytë me rritjen më të madhe të turistëve

Tirana renditet në krye të destinacioneve të preferuara turistike në Evropë.

Sipas kompanisë “ForwardKeys”, e cila shqyrton trendet e udhëtimeve në rang global, bazuar në analizën e të dhënave nga fluturimet ajrore, Shqipëria përmes aeroportit të Tiranës renditet e dyta ndër destinacionet e preferuara për plazhe, duke lënë pas edhe vende si Mykonos.

“Pas dy sezonesh verore të ndikuara nga pandemia, turizmi i është rikthyer normalitetit dhe këtë e tregojnë të dhënat pozitive të periudhës janar-qershor 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019”, shprehet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në një postim në rrjetet sociale.

Edhe sipas të dhënave të INSTAT, thekson Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Shqipëria pritet që të ketë këtë vit sezonin më të mirë turistik sa i përket turistëve të huaj, duke ia tejkaluar dhe vitit 2019 para pandemisë, që deri tani mbante rekordin.

Vetëm në qershor, në vend kanë hyrë 876 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej gati 40% në krahasim me muajin qershor të vitit 2019.

Tirana është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Evropa, por edhe më gjerë. Në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe i aventurës.

Disa prej pikave atraktive, që mund të vizitojnë turistët e huaj në Tiranë, por dhe në rrethina janë Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art”, “Shtëpia me gjethe”, etj./ atsh / KultPlus.com

Lukova, një nga plazhet më të bukura të jugut të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga Lukova, një ndër fshatrat me plazhet më të bukura dhe të frekuentuara gjatë stinës së verës.

“Lukova ofron një nga plazhet më të bukura të jugut të Shqipërisë, me detin e kaltër dhe me dallgët që vallëzojnë mbi pllakat e shkëmbinjve”, shprehet Rama në një postim në rrjetet sociale.

Lukova është e pozicionuar midis qyteteve të Sarandës dhe Himarës, jo më larg se 30 minuta udhëtim, nga këto dy pika.

Fshati shtrihet në dy kodra të veshura me plantacione ullinjsh dhe portokallesh në një lartësi prej 150 m nga bregu i detit dhe në bregdetin e saj të gjerë strehon një numër të madh plazhesh të përmasave të ndryshme, duke filluar që nga plazhet e vogla deri tek plazhet popullore të njohura për pushuesit shqiptarë, si plazhi i Shpellave dhe ai i Bunecit.

Natyra e paprekur, uji i kristaltë i Jonit, rrugët me kalldrëmin karakteristik, me shtëpitë e tipike me muret mbuluar me lule, plazhet, flora dhe fauna e pasur detare janë vetëm disa nga sekretet që ju duhet patjetër të zbuloni këtë verë në Lukovë./ atsh / KultPlus.com

Kepi i Rodonit, plazhe me rërë të bardhë dhe vende historike

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga Kepi i Rodonit.

“Kepi i Rodonit një bukuri tërheqëse që ofron plazhe me rërë të bardhë dhe vende historike që kombinohen perfekt”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kepi i Rodonit është monument natyre. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug.

Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin.

Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse: të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut.

Bregu i Rodonit për turistët që e zgjedhin si destinacion, ofron aventurën, hiking, kanoe…etj.

Për të apasionuarit e historisë është kalaja. Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452.

Po ashtu për turizmin fetar, në Kepin e Rodonit janë katër manastire katolike, ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout. /ATSH / KultPlus.com

“Sofra Kolonjare”, destinacion i mikpritjes në mes të një natyre përrallore

Agroturizëm “Sofra Kolonjare” në fshatin Mollas, Ersekë, mes një natyre përrallore me ajër të pastër e gjelbërim pa kufi, është një tjetër destinacion fantastik pushimi dhe relaksi.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale foto nga pika agroturistike, teksa u shpreh se “Sofra Kolonjare” është unikale në ndërtim e ngritur e gjitha në 3 kate prej druri nga vetë i zoti i shtëpisë Pëllumb Bilo dhe dy djemtë e tij.

“Me një kuzhinë plot shije nga prodhimet e fermës së familjes, si dhe guidat në shtigje malore me mundësinë për kamping me një panoramë fantastike përballë malit të Gramozit e bëjnë këtë agroturizëm ftues në çdo stinë”, shkruan Rama. / KultPlus.com

Rama ju fton në Muzetë e Gjirokastrës: Një përmasë e re turistike për qytetin e gurtë

Muzeu Etnografik dhe Muzeu “Ismail Kadare” bashkë  me “Sokakun e të marrëve” e me shtegun “Edward Lear”, i kanë dhënë një përmasë të re turistike qytetit të gurtë të Gjirokastrës.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga dy muzetë e rinj në Gjirokastër, të cilët janë rinovuar tërësisht.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje ftuese të dy muzeve të rinj në Gjirokastër, Muzeut Etnografik dhe Muzeut “Ismail Kadare”, që bashkë edhe me “Sokakun e të marrëve” e me shtegun “Edward Lear”, i kanë dhënë një përmasë të re turistike qytetit të gurtë, ju uroj një ditë të bukur”, u shpreh Rama.

“Përmirësimi dhe Rinovimi i Sistemit të Muzeve në Qytetin e Gjirokastrës” është një projekt që u zhvillua në kuadër të Programit për Zhvillim të Integruar Urban dhe Turizmin, me financim nga Banka Botërore dhe zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. / KultPlus.com

Plazhet e zbrazura shkaku i çmimeve, Edi Rama: Është një mësim për bizneset, vetes ia bëjnë

Çmimet e larta në jug të Shqipërisë po bëjnë që numri i turistëve të jetë i vogël dhe plazhet të boshatisen.

I pyetur në lidhje me këtë, kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse është e vërtetë, ky do të jetë një mësim për bizneset që abuzojnë me çmimet ndërsa ndodhen në një treg shumë konkurrues, ku kanë afër Turqinë, Greqinë, Malin e Zi e Kroacinë.

Rama gjithashtu u shpreh se Qeveria e tij ka ndryshuar për mirë kartëvizitën e Shqipërisë.

“Nëse ka një problem me çmimet e larta është për tu parë dhe analizuar në fund, jo tani. Nëse dikush vendos çmim të lartë dhe nuk i vjen njeri, dëm vetes së vetë i bën. Nëse në fund do të kemi këtë konstatim, do të jetë një mësim shumë i mirë, në treg konkurrues, duhet menduar mirë para se të vihen çmimet. Po qe kështu, ky do të bëhet një mësim i madh. Mos harrojmë se ku ndodhemi. Ndodhemi mes konkurrentëve të fortë të Mesdheut. Meqë u hap nami i Shqipërisë për të ardhur si një vend me të gjitha magjitë e veta, hajde t’u biem me top çmimeve. Investimet e Qeverisë kanë ndryshuar kartëvizitën e vendit. Në Lungomare nuk kishe ku kaloje se kishte jashtëqitje delesh, dhe në anën tjetër ndërtime pa leje, sot është ndryshe”, tha Rama. / KultPlus.com

epa09044890 Albania Prime Minister Edi Rama during a joint press conference after an EU – Albania Association Council meeting in Brussels, Belgium, 01 March 2021. EPA-EFE/JOHN THYS / POOL

Shtegu Lëpushë-Theth, destinacioni i të pasionuarve pas natyrës

Shtegu Lëpushë-Theth, i cilësuar si magjia e alpeve shqiptare është kthyer në një ndër destinacionet më të preferuara të turistëve.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga kalimi i turistëve në këtë shteg, që janë të pasionuar pas alpinizimit.

Ajo shprehet se ecja në shtigjet e shënjuara brenda zonave të mbrojtura është bërë prej sporteve më të dashura të natyrës dhe po aq promovuese të këtyre territoreve.

Turizmi Malor është një alternativë e shkëlqyer për të pasionuarit pas alpinizimit.

Thethi, Valbona e deri tek “Bjeshkët e Nemuna” në Shqipëri po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë vendas e të huaj në të gjitha stinët e vitit. / atsh / KultPlus.com

Euronews Bulgaria, promovim Kanionit piktoresk të Osumit në vendin e shqiponjave

Kanionet e Osumit përveç se janë kthyer në një destinacion turistik për vizitorët vendas e të huaj, po promovohen edhe nga medie të ndryshme të botës.

Televizioni Euronews Bulgaria ka përgatitur një video mbi bukuritë që të ofrojnë Kanionet e Osumit, duke ftuar qytetarët bullgarë t’i vizitojnë ato.

Ministrja e turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikoi sot pamje nga kjo video e përgatitur nga gazetarët e  Euronews Bulgaria.·

“Mirëmëngjes  me promovimin që Euronews Bulgaria i bën “kanionit piktoresk të Osumit në vendin e shqiponjave” duke ftuar publikun bullgar për ta vizituar Shqipërinë këtë sezon”, shprehet Kumbaro.

Të cilësuara edhe si “Koloradoja e Shqipërisë”, pamjet që të ofrojnë kanionet e Osumit janë mahnitëse, gjithë lartësi, kontraste për sa i përket dritës, bimësi e larmishme, një atraksion i vërtetë për turistët vendas dhe të huaj.

Në një distance prej 13 kilometrash dhe rrethuar me shkëmbinj prej 100 metrash, praktikuesit e rafting kalojnë shumë ujëvara si dhe një sërë operash arti natyral të krijuara nga erozioni, të pagëzuara me emra si “syri”, “porta e djallit”, “krokodili” apo “katedralja”. / atsh / KultPlus.com

“Turizmi” në kohën e Zogut, mbreti ishte kundër njerëzve që visheshin keq

Mes tipareve të tjera dalluese, të zhvillimit ekonomik apo kulturor, pamja e jashtme dhe veshja e atyre që dilnin jashtë vendit në periudhën e Republikës së Ahmet Zogut, kishte shumë rëndësi.

Kjo, për arsye se veshja dhe pamja e jashtme e udhëtarëve shqiptarë, vlerësoheshin si prezantimi më i mirë i Shqipërisë te të huajt.

Ndërkohë, ministria e Punëve të Brendshme shpalli një qarkore për të gjitha Prefekturat dhe Nënprefekturat, ku thuhej:

Mbi Shqiptarët që udhëtojnë jashtë me petka të grisuna

“Marrim vesht se disa nënshtetas Shqiptarë po udhëtojnë jashta për tregtië e tjera e punë vehtiake, tue pasë veshun petka kombëtare të vjetra e të grisuna dhe me këtë mënyrë bajnë që bota e qytetnuemë të formojnë iden ma të pa kënaqëshme për gjëndjen e kombit t’onë, dhe t’a konsiderojn këtë so elementin ma të pa afruëshëm me qytetnim e civilizim.

Këjo Ministri tue marrë damin moral q’i bahet kombit me lëvizjen e udhëtarëve Shqiptarë me veshjen në mënyrën e sipërtreguëme, dhe në tjerën tue ditun se petku i internalizuëm nuk kushton ma tepër se 50-60 Fr. ar, shumë qi nuk asht as pak e tepërme me u shpenzuë prej nji udhtarit qi ka qitë ceken me dale jashta, porositeni ne rrast të leshimit të pasaportavet të udhtarëvet të kësaj kategorije t’ju epen kshillimet e duhuna duke i bind që të veprojnë sim bas këtij urdhëni i cili asht n’interes të Kombit.”/konica.al / KultPlus.com

Gjiri Filikurit, një nga plazhet më të bukura të bregdetit himariot

Kryeministri Edi Rama ndau foto nga Gjiri Filikurit, një nga plazhet më të bukura të bregdetit himariot.

“Gjiri Filikurit, një nga plazhet më të bukura të bregdetit himariot me një kombinim fantastik ngjyrash, të ujit, qiellit dhe gjelbërimit”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Gjiri i Filikurit ofron pamje mahnitëse për eksploruesit dhe turistët e aventurës të cilët duan të shijojnë detin e kristaltë mes shkëmbinjve apo shpellave.

Qetësi, diell, e ngjyrat më të kristalta të detit që mund të kërkoni mund të gjenden tek ky gji i izoluar i Himarës, i cili i ka të gjithë elementët për të tërhequr vëmendjen e kujtdo që kërkon një përvojë të bregdetit shqiptar të paprekur nga askush. / atsh / KultPlus.com

Shpella e Kaurit në Pukë, monumenti natyror që befason turistët vendas e të huaj

Shpella e “Kaurit”, 40 km larg qytetit të Pukës, vijon të befasojë me bukurinë dhe misterin e saj, turistët vendas e të huaj.

Ky vendstrehim natyror që të mahnit me misteret e saj është zbuluar nga banorët e trevës, të cilët thyhen heshtjen e misterin që mbarte kjo shpellë, duke provuar të hynin në brendësi të saj e të shuanin kuriozitetin.

Ajo që habit të huajt është fakti se në këtë shpellë, shekuj më parë, banorët katolikë të zonës turreshin të fshiheshin në labirintet e saj për t’i shpëtuar ndërrimit të fesë së tyre duke u kthyer në myslimanë nga pushtuesit turq.

Shpella e Kaurit dikur e panjohur është një objekt me vlera të rralla dhe kohët e fundit ka ngjallur interesimin e shumë studiuesve vizitorëve vendas e të huaj.

Emanuel Pjetri, guidë turistike në Pukë, tha për ATSH-në se “shpella e Kaurrit është një ndër destinacionet e preferuara të turistëve vendas, por sidomos të huajve që kryesisht janë polakë, gjermanë, por edhe nga vende të tjera. Gjatë sezonit veror pothuajse çdo ditë shoqëroj grupe me turistë në këtë shpellë, të cilët mahniten nga pamja që ofron ky vendstrehim shekullor, por edhe me bukuritë e rralla të natyrës që të shoqërojnë deri në vendin ku ndodhet shpella”.

Sipas tij, për të mbërritur tek Shpella e Kaurit, duhet të udhëtosh fillimisht me makinë e më pas me varkat e banorëve të zonës i afrohesh vendit ku gjendet ajo, në buzë të Liqenit të Komanit.

Banorët dhe gojëdhënat thonë se Shpella e Kaurit daton që para lindjes së Krishtit dhe ka pasur si funksion mbrojtjen e malësorëve nga okupatori turk që detyronte malësorët që të ndërronin fe. Që në hyrje të shpellës gjenden shumë gjurmë të krishtërimit me vizatimet murale, ndërsa nuk mungojnë edhe disa prej almisçeve (vegla dhe enë prej guri të përdorura nga banorët e zonës) që e vërtetojnë këtë.

E pozicionuar vetëm 40 km larg qytetit të Pukës, kjo shpellë prej shumë vitesh ka qenë e panjohur për banorët. Ndodhet afër fshatit Lëvrushk, në malin e Kollatës dhe është një monument kulture i denjë për t’u vizituar nga afër. E formuar si shpellë karstike në formacionet e gëlqerorëve të periudhës së trias–jurasit, kjo shpellë është e gjatë 110 m.

Dallohet si një shpellë tipike karstike me stalaktite dhe stalagmite që i japin më tepër bukuri. Shpella e Kaurit ka qenë e banuar që në lashtësinë e hershme. Por edhe më pas, gjatë periudhës bizantine ka gjurmë jete. Kjo shpellë ka qenë një vend ideal për murgjit, të cilët më të qetë dhe më të vetmuar se aty nuk kishin ku të gjenin vend tjetër. Sot ajo tërheq shumë turistë për karakteristikat e saj, si edhe për natyrën që e rrethon. /ATSH/ KultPlus.com

Rama: Radomira, fshati me bukuri të rrallë rrëzë malit Korab

Kryeministri Edi Rama publikoi mbrëmjen e sotme në rrjetet sociale një foto nga fshati Radomirë, i cili është pjesë e 100 fshatrave turistikë.

“Radomirë, fshati me bukuri të rrallë rrëzë malit Korab, pjesë e 100 fshatrave turistikë, rrethuar nga një natyrë përrallore me pyje të dendur e burime ujore, me më të veçantin liqenin e zi”, shkruan Rama.

E vendosur rrëzë malit të Korabit, majës më të lartë në Shqipëri, dhe e rrethuar nga pisha është Radomira magjike.

E pozicionuar në 35 km nga Peshkopia, në malësinë e Dibrës, do të zbuloni një pjesë të gjelbëruar të parajsës me lugina të bukura, maja të larta madhështore dhe përroin e Veleshicës.

Radomira, pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik, shënon hyrjen në rrugën turistike që ngjitet drejt malit të Korabit.

Si një nga fshatrat e përfshirë në projektin “100 fshatrat”, që synon rigjallërimin e zonave rurale të vendit, pjesa më e madhe e Radomirës është restauruar dhe pret vizitorë. Fshati ka lënë pa fjalë çdo vizitor, që ka pasur fatin dhe kuriozitetin ta dëshmojë. Një përvojë unike që ndërthur pa probleme si adrenalinën ashtu edhe komoditetin është e garantuar.

Ajri i pastër, burimet e ujit, kullotat dhe pyjet në anët e Korabit përbëjnë burime të çmuara që mund të kontribuojnë në zhvillimin e zonës, duke e kthyer Radomirën në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.

Burimet e ndryshme të ujit përshkojnë fshatin, duke u bërë përfundimisht përroi i Veleshicës, i cili, përgjatë një freskie të përhershme, i shton një zhurmë qetësuese zonës.

Zona ofron shumë monumente të tjera natyrore, si Liqeni i Zi spektakolar ose Shatërvani i Mbretit (Kroi i Mbretit), të ciët duhet të shihen më vete.

Mikpritja dhe besimi përfaqësojnë vlerat kyçe të vendasve të zonës, duke i dhënë vendit një atmosferë të një bote të mëparshme, më të mirë. Motoja e tyre i thotë të gjitha: “Shtëpia i përket Zotit dhe miqve”. Mund të jetë një nga vendet më të mira për të përjetuar mikpritjen e famshme shqiptare.

Radomira dallohet për numrin e lartë të bagëtive, burimi kryesor i të ardhurave për këtë zonë dhe e gjithë kalaja e Dodës që përfshin 7 fshatra të tjerë. Kështu, zona është e njohur për fabrikat e saj që prodhojnë qumësht dhe nënprodukte të tjera të shijshme. Një vizitë këtu do t’ju njohë pa dyshim me një shije të produkteve të freskëta të përgatitura me shumë dashuri nga banorët./ atsh / KultPlus.com

Rikthimi në normalitet, Shqipëria pret mbi 1 milion vizitorë në 4 muajt e parë

Në 4 muajt e parë të këtij viti, mbi 1 milionë të huajë kanë hyrë në Shqipëri, duke rikthyer në normalitet turizmin atje, përcjell KultPlus.

Numri më i madh i vizitorëve është shënuar gjatë muajit prill, me 40 për qind të totalit. Ky rezultat është indikacion se COVID-19 është lënë pas dhe lëvizja e lirë po kthehet në normalitet.

Të dhënat e Institutit të Statistikave INSTAT tregojnë se vizitorët u rritën ndjeshëm në prill, muaj që përkon me rritjen graduale të temperaturave, njëherësh edhe me heqjen e masave anti-COVID.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur pandemia ishte në kulmin e vet dhe lëvizjet vijonin të ishin të kufizuara, hyrjet e të huajve në vend janë rritur me 42 për qind.

Megjithatë, hyrjet nga Kosova ranë me afër 14 për qind, derisa hyrjet nga shtetet e tjera sikurse Greqia e Spanja u shumëfishuan.

Pjesa më e madhe e vizitorëve kanë ardhur nga rajoni, fluks të shtuar ka pasur nga Britania e Madhe, ndërsa polakët janë rikthyer si tre vjet më parë.

Shumica e të hyrave gjatë muajin prill ishin pikërisht për turizëm. /KultPlus.com

“Kosova në një minutë”, video mbresëlënëse që përthekon bukuritë e vendit (VIDEO)

Një video mbresëlënëse ka përthekuar në vetëm një minutë bukuritë e panumërta të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo video e veçantë është realizuar nga videokreatori Fitim Sopjani i cili e ka titulluar “Kosova në një minutë”.

Sopjani këtë video e ka realizuar me një qëllim të vetëm. Promovimin e Kosovës jo vetëm në rajon por edhe në botë.

Me një shpejtësi po tërheqje të madhe, Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, Ura e gurit në Prizren, Brezovica, Ujëvara e Mirushes, Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri, Autostrada “Arbën Xhaferi”, Shpella e Gadimes, Liqeni i Batllavës, Liqenati në Rugovë prezantohen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe sapo përfundon kjo video të kaplon një dëshirë që të kesh krah e të vizitosh këto bukuri mbresëlënëse.

Video sikur i bën thirrje turistëve për të soditur nga afër këto bukuri.

Projekti është përkrahur nga Presidenca e Kosovës. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=vb0zobTdTRQ

Shkëmbi i Bardhë i Hoxhajve, bukuri e rrallë e natyrës që nuk duhet lënë pa u vizituar

Tepelena dhe rrethinat e saj janë kthyer në një ndër pikat më tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Shkëmbi i Bardhë i Hoxhajve në Memaliaj të Tepelenës, i cili është kthyer në një ndër pikat më të vizituara.

“Shkëmbi i Bardhë i Hoxhajve mes një deti të gjelbër në fshatin Buz-Kalemaj në Memaliaj, një bukuri e rrallë e natyrës që nuk duhet lënë pa u vizituar”, theksoi Rama.

Turistët në Memaliaj mund të shijojnë ajrin e pastër, madhështinë e natyrës së egër, njohje të siteve historike, ndërsa të apasionuarit pas adrenalinës kanë mundësi për realizimin e aktiviteteve sportive si Hiking, shëtitje me kuaj, eksplorim të natyrës etj.

Disa nga atraksionet qe mund te vizitoni, janë: Liqeni i Komarit, Shkëmbi i Bardhë etj. Shkëmbi i Bardhëi Hoxhajve, objekt natyror, është rreth 15 m i lartë./ atsh/ KultPlus.com

“Shqipëria, diamanti i fshehur i Mesdheut”, 500 përfaqësues nga KE dhe vendet e rajonit mblidhen në Tiranë

Në kuadër të nismës “EUSAIR”, 500 përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe 10 nga vendet e rajonit do të jenë në Shqipëri më 16-18 maj.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka publikuar një video përshkruese lidhur me forumin e 7-të të nismës rajonale “EUSAIR”.

Nën moton e presidencës shqiptare, “BE – Rinia – Shkëmbimi Kulturor – Rajoni Adriatiko – Jonian”, në forum do të diskutohet mbi integrimin evropian, agjendën e gjelbër, turizmin, kulturën dhe ndërlidhjen, si përmes digjitalizimit ashtu edhe përmes transportit dhe infrastrukturës.

“Shqipëria një diamant i fshehur i Mesdheut. Aty ku Adriatiku dhe Joni takohen në tokën e shqiponjave”, kështu thuhet në videon e publikuar, ndërsa shfaqen bukuritë e natyrës së vendit tonë.

Strategjia e BE-së për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit (EUSAIR) është një strategji makro-rajonale e miratuar nga Komisioni Evropian dhe e miratuar nga Këshilli Evropian në vitin 2014. Strategjia është zhvilluar bashkërisht nga Komisioni dhe vendet dhe palët e interesuara të Rajonit Adriatiko-Jonian, të cilat ranë dakord të punojnë së bashku në fushat me interes të përbashkët për të mirën e secilit vend dhe të gjithë rajonit./ atsh / KultPlus.com

Margariti: Plani i Menaxhimit të Integruar të Butrintit u konsultua me rreth 80 ekspertë shqiptarë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti informoi sot se për hartimin e planit të Menaxhimit të Integruar të Butrintit janë konsultuar rreth 80 ekspertë shqiptarë, bashkëpunëtorë, ekspertë nga Instituti i Arkeologjisë, Universiteti i Tiranës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, etj.

Në një reagim, ministrja Margariti sqaroi se “më 13 qershor 2019 Ministria e Kulturës i ka kërkuar mendim Institutit të Arkeologjisë rreth draftit të PMI të Parkut Kombëtar të Butrintit. Më 11 korrik 2019 Instituti i Arkeologjisë ka depozituar pranë Ministrisë së Kulturës gjithë sugjerimet në lidhje me draft-PMI të Butrintit, të cilat janë reflektuar në draftin e ri. Janë zhvilluar tre dëgjesa publike në periudhën tetor-nëntor 2019. Më 6 prill 2020 PMI i Parkut Kombëtar të Butrintit 2020-2030 është diskutuar dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Menaxhimit të Pasurive Kulturore, firmosur edhe nga një ekspert nga fusha e arkeologjisë”, theksoi Margariti.

Ministrja Margariti sqaroi se “më 7 prill 2020 PMI i Parkut Kombëtar të Butrintit 2020-2030 është diskutuar dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, firmosur edhe nga IA dhe Departamenti i Trashëgimisë Kulturore në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, UT. Projektligji “Për miratimin e marrëveshjes së administrimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit” i është nisur të gjitha ministrive të linjës në datën 15 dhjetor 2021 mes të cilave edhe Ministrisë së Arsimit, në varësi të së cilës është IA”.

“Më 21 dhjetor 2021 Ministria e Arsimit sjell përgjigjen me sugjerimet përkatëse, të cilat u reflektuan në projektligj. Projektligji “Për miratimin e marrëveshjes së administrimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit” u miratua në Këshillin e Ministrave në 29 prill 2022″, tha Margariti./ atsh / KultPlus.com

Llatja: Funari, së shpejti destinacion turistik edhe për sportet e aventurës

Maja e Korrës, në Funarin e resurseve dhe turizmit të mrekullueshëm, shumë shpejt do të kthehet në një destinacion turistik për sportet e aventurës në Shqipëri dhe rajon.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, bëri të ditur se së shpejti do të marrë formë ambicia për ta shndërruar këtë perlë mahnitëse natyrore në pikën më të rëndësishme turistike për sportet e aventurës në Shqipëri dhe rajon.

Duke nisur nga Maja e Korrës do të hapen shtigjet malore me qëllim që Funari të lidhet me Labinot-Fushën dhe Elbasanin.

“Janë rreth 70 kilometra shtigje që do të hapen për këmbësorët, për të apasionuarit e sportit, për mjetet, si edhe për biçikletat. Është një gamë e gjerë e aktiviteteve të cilat programohen në njësinë administrative Funar. Ndaj, sot ne vendosëm një nga piketat e para në këtë majë ku do të ngrihet edhe një nga pistat më të mëdha që ne kemi në Shqipërinë e Mesme për hedhjen me parashutë, si edhe do të jetë pika kryesore lidhëse e disa shtigjeve kryesore që do të lidhen me Elbasanin, duke u kthyer kështu në një destinacion turistik”, pohon Llatja.

Funari, është pjesë e bashkisë së Elbasanit, e resurseve e turizmit të mrekullueshëm, me ujë, blegtori dhe peshk. Bashkia e Elbasanit ka kryer një sërë investimesh në Funar, ku dikur ishte thuajse i harruar. E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavat.

Ishte një iniciativë e bashkisë së Elbasanit që Funarit t’i jepte atë që me të vërtetë meritonte, emrin, “Funari turistik”, duke shpallur edhe datën 26 mars ditë feste për promovimin e turizmit në këtë zonë, si edhe kthimin e kësaj feste në traditë./ atsh/ KultPlus.com

CNN promovon Shqipërinë dhe Kosovën për sezonin turistik 2022

Shqipëria dhe Kosova janë dy nga gjashtë destinacionet që CNN sugjeron për turistët për sezonin veror 2022. Kjo pasi vendi jonë dhe Kosova konsiderohen si vende me risk të ulët rreziku nga pandemia e Covid.

“Njerëzit që duan të bëjnë një udhëtim në Evropë, por duan të shmangin destinacionet me rrezikun më të lartë, kanë vetëm disa zgjedhje : Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, të gjitha në Gadishullin Ballkanik ose Armenia, në rajonin malor të Kaukazit”, shkruan CNN.

CNN bazohet në analizat e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, të cilat kanë kategorizuar vende ne 4 nivele, sipas rrezikshmërisë nga Covid dhe masave anti-Covid.

Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve nuk shtuan asnjë destinacion të ri në kategorinë e nivelit 4 të rrezikut më të lartë për udhëtime.

Në fakt, shtatë destinacione në Azi dhe Karaibe u zhvendosën në kategorinë me rrezik më të ulët të CDC-së për udhëtime gjatë pandemisë, që është Niveli 1.

Por pjesa më e madhe e vendeve të Evropës mbeten ende në Nivelin 4, pra me risk të madh.

Mbretëria e Bashkuar, për shembull është në nivelin 4 që nga 19 korriku 2021.

Kjo e vendos Anglinë, Skocinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut të gjitha në kategorinë e rrezikut “Shumë të lartë” për Covid-19.

CDC cakton një destinacion me rrezik të Nivelit 4 kur më shumë se 500 raste për 100,000 banorë regjistrohen në 28 ditët e fundit. Shumë nga emrat e shteteve të mëdha në Evropë mbeten në Nivelin 4 edhe me fillimin e sezonit të udhëtimeve pranverore. / KultPlus.com

Kumbaro: Shqipëria potencial për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro falënderoi sot BERZH-i për mbështetjen e agrobiznesit dhe turizmit në Shqipëri, ndërsa theksoi se “turizmi është pa asnjë dilemë e ardhmja e Shqipërisë, në të gjitha format e tij si eko turizmi, turizmi natyror, agroturizmi dhe turizmi detar”.

Në fjalën e saj në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së huasë për programin e BERZH-it për mbështetjen e Agrobiznesit dhe Turizmit, Kumbaro Shqipëria ka potencial për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë muajve të vitit. Në vitin 2019 që e quajmë një vit të mirë për turizmin kemi pasur një numër prej 6.4 milionë turistësh të huaj në vit që shkon 3 herë më shumë se sa është popullsia rezidente”.

“Viti 2020 ishte një vit i keq për të gjithë për shkak të pandemisë, por në fakt interesante është si reagoi Shqipëria, biznesi dhe ekonomia rurale në atë vit. Duke qenë se ishte kryesisht turizëm vendas, turizmi vendas me 2.5 milionë vizitorë të huaj bëri një eksplorim të territorit të Shqipërisë dhe i dha arsye investitorëve të vegjël apo të mesëm në zonat rurale të kuptojnë se që prodhimi i tyre nuk është thjesht konsum që shitet ne tregje, por në fakt territori dhe pasuritë që ata kanë është një aset fantastik për të zhvilluar një ekonomi të re dhe turizëm”, nënvizoi Kumbaro.

Sipas saj, iu dha një rëndësi e madhe agroturizmit duke zgjeruar hartën jo thjesht nga bregdeti në thellësi të vendit, jo nga plazhi në mal, por edhe në lumenj, pyje e ne kulinari që sot është një atraksion më vete turistik.

“Në vitin 2021 shkuam në 5.6 milionë vizitorë të huaj dhe dy muajt e parë të këtij viti ishin 10 mijë turistë të huaj më shumë se e njëjta periudhë e viti të kaluar”, tha Kumbaro. / k.s / KultPlus.com

Marina Vlorë fut qytetin në hartën e turizmit detar të Mesdheut

– Investimi do të kushtojë rreth 3 miliardë lekë
– Do të krijohen mbi 500 vende të reja pune
– Do të gjenerohen deri në 20 milionë euro në vit për ekonominë vendase

Pjesë e buxhetit të deklaruar nga qeveria e Shqipërisë për vitin 2022 është edhe një port i ri turistik në qytetin e Vlorës. Është folur për përparësitë e tij krahasuar me portin aktual, për peshën që do të zërë në ekonomi dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.

Marina Vlorë do të ndjekë modelin e qendrave të ngjashme nëpër Europë, kurse në rajon mund të përmendim marinat në Malin e Zi apo Kroaci si më të afërtat. Sipas parashikimeve, kur të fillojë funksionimi, kjo marinë në vetvete do t’i sjellë ekonomisë së Vlorës rreth 4,3 milionë euro në vit të ardhura. Nëse marrim parasysh edhe shërbimet ndihmëse që do ta shoqërojnë atë, si p.sh. hoteleria, baret dhe restorantet apo edhe turizmin lokal, vlera e përgjithshme që do të krijohet për komunitetin arrin mbi 20 milionë euro në vit. Këto shifra tregojnë rëndësinë e vërtetë që do të ketë ky zhvillim për Vlorën dhe jo vetëm.

Interesit të publikut për këto zhvillime i vjen në ndihmë Ervin Bacaj. Ai është drejtuesi i projektit për portin e ri ose siç njihet ndryshe Marina Vlorë. Ervini shpjegon për herë të parë konceptin e një sipërmarrjeje të tillë dhe rëndësinë strategjike të saj.

1. Çfarë kuptojmë me Marina Vlorë?

Shpjegimi më i thjeshtë do të ishte porti i ri turistik që pritet të fillojë nga puna në Vlorë, ndërsa termi në vetvete përfshin të gjitha funksionalitetet e një porti modern dhe shërbimet ndihmëse për mjetet lundruese që e vizitojnë, për turistët që sjellin, si dhe për publikun e gjerë. Në rajonin tonë, por edhe në mbarë botën, marinë është koncepti modern i portit ekskluzivisht për turizëm, i përshtatur për jahte të madhësive të ndryshme dhe anije turistike. Gjatë kohës që qëndrojnë të ankoruara, këto mjete kanë nevojë për t’u furnizuar me karburant, ujë dhe elektricitet. Udhëtarët e ardhur me to, mund të dëshirojnë shërbime si hoteleri, gastronomi, argëtim, kulturë, vizita në qytet e më gjerë, dhe marina është në gjendje t’ua ofrojë të gjitha këto.

2. Pra kemi dhe simotra të Marinës Vlorë në vende të tjera?

Do të thoshim se jemi të vonuar madje. Sot Mali i Zi ka disa marina të njohura, Kroacia natyrisht ka marina me famë ndërkombëtare, pa përmendur Greqinë dhe pafundësinë e plazheve apo ishujve të saj të njohur. Marina shërben si një motor zhvillimi për qytetin dhe zonën përreth. Punësimi në profile të ndryshme gjatë ndërtimit dhe funksionimit të saj, ekonomitë ndihmëse të lidhura me aktivitetin e saj, promovimi ndërkombëtar elitar që i bëhet bregdetit, janë disa prej kontributeve madhorë të marinës për qytetin ku ndodhet.

3. Cilët e sjellin këtë projekt

Porti turistik vjen si një produkt i ekspertizës së kompanive prestigjioze ndërkombëtare në fushën e menaxhimit të marinave si D-Marine. Shërbimet e ofruara do ta ngrenë Marinën Vlorë në nivelin e strukturës më pesë yje. Ajo do të reklamohet në panaire dhe media ndërkombëtare të specializuara, fakt që do të kontribuojë në njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të qytetit të Vlorës si destinacion turistik.

Koncepti i Marines është zhvilluar nga kompani angleze me reputacion të
padiskutueshëm në këtë fushë. Vlera e përgjithshme e investimit do të jetë 2.8 miliardë lekë, e shtrirë në 3-4 vite.

4. Ku qëndron Marina Vlorë në lidhje me të gjithë panoramën e zonës?

Marina plotëson natyrshëm kërkesat për ankorim të velierave, jahteve dhe
mjeteve të tjera turistike, njëkohësisht ofron shërbimet që i japin penelatën
finale projektit të shëtitores Lungomare, në gjatësinë e saj të sotme dhe
vazhdimit që do të ketë nesër. Banorët e Vlorës dhe turistët do të kenë akses të
drejtpërdrejtë e pa kufizime në shërbimet detarë në zemër të qytetit. Do të
shijojnë magjinë e mjeteve lundruese të të gjithë flamujve, si në Portofino,
Monte Karlo e të tjera qytete të mirënjohura.

5. Çfarë mund të presin banorët e zonës nga Marina Vlorë?

Përfitimet për popullsinë dhe ekonominë lokale janë në disa plane. Fillimi
i punimeve do të hapë menjëherë vende pune, të cilat parashikohen të arrijnë ne disa qindra, në specialitetet inxhinier marine, inxhinier navigimi, inxhinier konstruktor, teknologji informacioni, arkitekt, financier, ekonomist dhe të tjera. Më pas, funksionimi i njësive përbërëse të portit do të kërkojë një numër të madh menaxherësh të shërbimeve të ndryshme dhe punonjës të të gjitha niveleve.

Marina Vlorë llogaritet që të shtojë numrin e turistëve në Vlorë me 200.000
persona në vit, pasi hoteleria do të jetë e standardit me 4 dhe 5 yje dhe
qyteti do të futet në itineraret e rekomanduar të udhëtimeve luksoze. Porti i
ri do të jetë veçse porta hyrëse e këtyre turistëve drejt pikave turistike të
Vlorës, madje edhe të zonave më të afërta. Atëherë do të flasim vërtet për
turizëm elitar në Vlorë dhe për gjithë përfitimet nga pushues të atij kalibri.

Ne kemi llogaritur që gjithë aktiviteti i Marinës Vlorë do t’i sjellë Vlorës
rreth 4.3 milionë euro të ardhura në vit. Po të llogarisim edhe aktivitetin
ekonomik të hotelerisë, restoranteve, furnizimin dhe mirëmbajtjen e mjeteve lundruese, vlera vjetore që përfiton ekonomia arrin deri në 20 milionë euro.

Duhet theksuar edhe që veprimtaritë e ndryshme argëtuese, kulturore apo sportive që do të zhvillohen në mjediset e portit të ri, do të mirëpresin edhe qytetarët e Vlorës apo vizitorët e ndryshëm që e kanë Vlorën në planet e tyre. Produktet dhe shërbimet e nevojshme për veprimtarinë e saj, Marina Vlorë do t’i sigurojë nga tregu vendas. Krahas kësaj, ajo do t’i përkushtohet promovimit të prodhimeve ushqimore dhe artizanale të zonës, vlerave historike dhe kulturore të rajonit të Vlorës. / KultPlus.com

Mbi 1.5 milionë shtetas të huaj hynë në Shqipëri gjatë gushtit

Vetëm në muaji gusht në Shqipëri kanë hyrë 1.537.191 shtetas të huaj, ose 2,7 herë më shumë se gusht 2020.

INSTAT bëri të ditur se në total, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar në muajin gusht 2021, janë 2.185.493. Krahasuar me gusht 2020, ky tregues rezulton me një rritje 2,6 herë.

Po ashtu, sipas INSTAT, daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit gusht 2021, janë 2.154.672, duke shënuar një rritje me 2,5 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit gusht 2021, janë 677.842. Krahasuar me gusht 2020, ky numër është rritur me 2,2 herë.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit gusht 2021, janë 1.476.830. Krahasuar me gusht 2020, ky numër është rritur me 2,8 herë. /atsh/ KultPlus.com

The Telegraph: Bëni një pushim në Berat, para se ta bëjë pjesa tjetër e botës

Media britanike The Telegraph i ka kushtuar një artikull qytetit të Beratit. Nën titullin “Bëni një pushim në Berat, para se ta bëjë dhe pjesa tjetër e botës”, artikulli i gazetares Elise Morton, flet për bukuritë historike dhe natyrore të këtij qyteti muze.

ARTIKULLI

Rruga për në Berat ishte më e gjatë nga sa dukej në hartë. Edhe pse afërsisht 62 milje nga kryeqyteti shqiptar, Tirana, udhëtimi me autobus ose “furgon” zgjat dy deri në tre orë, zakonisht duke bërë një devijim jo plotësisht logjik në vendpushimin në qytetin bregdetar të Durrësit. Udhëtimi në jug kalon nëpër një numër fshatrash, ku autobusi lëviz në mënyrë të çrregullt për të marrë të tjerët që shkojnë drejt “qytetit të një mijë dritareve”.

Ishin këto dritare në dukje të pafundme, të vendosura brenda shtëpive të zbardhura, që siguruan një pjesë kryesore të listës për të vizituar për Shqipërinë, i hapur tani për vizitorët nga Britania. Këto shtëpi të mrekullueshme të epokës osmane, shumë me ballkone tradicionale të mbuluara, ngjiten në kodrat e thepisura që kufizojnë lumin Osum dhe janë ruajtur jashtëzakonisht mirë. Nuk është vetëm statusi i Beratit si një vendbanim i rrallë i paprishur osman që e bën atë të jashtëzakonshëm; arsyeja e mbijetesës së saj është po aq befasuese. Jo vetëm që qyteti mbijetoi ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili pa shumë trashëgimi arkitektonike myslimane të çmontuar si një mbetje e padëshiruar e periudhës osmane – është, në fakt, pjesërisht falë Hoxhës që arkitektura e tij mbetet dhe sot. Një nga vetëm dy qytetet që mori titullin muze nën regjimin e Hoxhës, Berati u caktua një “qytet muze” në 1961, duke i dhënë atij mbrojtje të veçantë nga planifikuesit e zellshëm urban.

Nëse spastrimi madhështor i shtëpive osmane është ëmbëlsira e kushtueshme, kështjella e shekullit të 13-të (Kala) është qershia shkëlqyese metaforike. E ulur në një kodër të ashpër me pamje nga qyteti, kalaja është një ngjitje e madhe nga qyteti i vjetër. Ne kaluam lart, duke iu shmangur gërmuesve dhe punëtorëve me lopata përgjatë rrugës kryesore drejt kalasë: përgatitjet për vizitorët ishin duke u zhvilluar. Rreth njëqind familje akoma jetojnë brenda mureve të Kalasë së madhe, shtëpitë e tyre të vendosura mes kishave bizantine, tezga që shesin dantella dhe restorante që shërbejnë mish të pjekur në skarë me ajvar (një erëz e ëmbël e bërë me piper të kuq dhe patëllxhan). Afrim, i cili shet reçel shtëpie dhe kishte hapur dyqan për atë ditë pranë rrënojave të ish Xhamisë së Kuqe, e gjen të arsyeshme që ai të shesë ushqime të rrethuara nga ndërtesa të shenjta: “Njerëzit ndonjëherë vijnë këtu për ushqim shpirtëror,” thotë ai, ” qyteti e siguron këtë, dhe unë siguroj një lloj tjetër ushqimi. ”

Arkitektura fetare e Beratit është një emblemë fizike e një kulture të thelluar të pranimit; qyteti vazhdon të dëshmojë për bashkëjetesën harmonike të bashkësive të ndryshme fetare dhe kulturore. Si një londineze mijëvjeçare, unë jam e prirur të kap thelbin e kësaj tradite. Sot, pas ndalimit të fesë nën regjimin e Hoxhës, fetë mbizotëruese janë Islami dhe Krishterimi, me myslimanët që përbëjnë shumicën.

Ndërsa në vitin 2014 Papa Françesku vlerësoi Shqipërinë si një shembull të tolerancës së jashtëzakonshme fetare, Berati është veçanërisht i rëndësishëm. Megjithëse shumë pohojnë se kjo është një trashëgimi pozitive e politikave të shtetit komunist, Berati mban thesare që japin një mendim më të gjatë të tolerancës. Midis tyre është Muzeu Ikonografik Kombëtar Onufri i qytetit, kushtuar ikonave bizantine dhe objekteve liturgjike. Muzeu është shtëpia e Ikona Burimi Jetedhenes të shekullit të 18-të, një ikonë ortodokse që përmban minaret në sfondin e saj dhe është bërë simbolike e bashkëjetesës fetare për të cilën Berati lavdërohet.

Pjesa më e madhe e qytetit është e dukshme nga kalaja; shtëpitë e zbardhura që mblidhen në bregun verior të lumit përbëjnë qytetin e vjetër historik, lagjen Mangalem. Kjo zonë tradicionalisht myslimane është shtëpia e tre xhamive të mëdha: Xhamia Mbret (ose Sulltan) e shekullit të 15-të; Xhamia e Plumbit e shekullit të 16-të; dhe Xhamia e Beqarit e shekullit XIX. Përtej lumit, përtej shtëpive të Mangalemit, qëndron lagja Gorica, kryesisht e krishterë. Këto pjesë të qytetit janë të lidhura nga Ura e mrekullueshme Gorica, e bërë fillimisht prej druri në 1780 dhe e rindërtuar me gur në vitet 1920. Vendi i legjendave lokale që përfshijnë birucat dhe shpirtrat e këqij, ura tani është një pikë e nxehtë për të ushqyer të rinjtë që dëshirojnë atë foto të përsosur të profilit. Këto fotosesione shërbejnë si një kujtesë prekëse e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s apo jo, Berati është një qytet i shekullit 21. Një kalim i shpejtë përmes Instagramit është i mjaftueshëm për t’ju ​​thënë se qyteti qëndron në pragun e ndryshimit: ndikuesit dhe blogerët, vendas dhe ndërkombëtarë, kanë filluar të depërtojnë.

Në vëzhgimin e horizontit nga kalaja, syri tërhiqet nga një kube e artë shkëlqyese. Ky nuk është një imitim i shkëlqyeshëm i ndërtesës së Kapitolit të SHBA, por një universitet. E themeluar në vitin 2009, Universiteti Shqiptar në Berat është fytyra shkëlqyese e marshimit gradual të qytetit përpara, dhe një përpjekje për të tërhequr një demografi më të re në këtë qytet.

Nora nëntëmbëdhjetë vjeçare u transferua këtu nga një fshat rreth 40 minuta larg, pasi kishte kaluar vitin e saj të parë të studimeve duke udhëtuar me furgon: “Vendosa të lëvizja këtu, edhe pse është më e shtrenjtë sesa të qëndrosh në shtëpi. Doja të përjetoja jetën në një qytet më të madh”, thotë ajo.

Më pak shkëlqyes por po aq domethënës, kodrat përreth Beratit kërkojnë vëmendjen tonë ndërsa ne admirojmë peizazhin nga Kalaja. Shikoni nga afër faqen e malit të lartë Shpirag dhe do të vini re një mesazh nga e kaluara, i konfiguruar si një vend i kujtesës dhe reflektimit kolektiv. Në vitin 1968, në kulmin e regjimit komunist, një brigadë fshatarësh vizatuan emrin “ENVER” në anën e këtij mali për nder të Hoxhës. Të larta 100 metra, shkronat gati u fshinë nga një sulm napalm nga qeveria e parë e zgjedhur në mënyrë demokratike e Shqipërisë në 1994, por më vonë u rivendosën nga vendasi Sheme Filja. Në vitin 2012, si pjesë e një dokumentari, ai nisi një ribërje delikate por radikale të mesazhit. Filja ndërroi dy shkronjat e para, duke lënë fjalën “KURRË (NEVER)” si një shprehje e jashtme e një kërkese të brendshme: kurrë më, kurrë. Koha nuk qëndron për askënd, as për Hoxhën.

Ylli i kuq me pesë cepa që vazhdon të ngrihet mbi varrezat partizane të qytetit e ndërlikon këtë premtim. Ndërsa shkronjat e bardha të pikturuara të malit Shpirag thonë “kurrë”, mbetje të tilla të epokës komuniste duket se shfaqin një spektakël më të nuancuar që pasqyron, pranon dhe afirmon të kaluarën komplekse të qytetit, politikën dhe popullsinë. Por përsëri, mbase kjo ishte e pritshme. Siç mishërohet nga shkronjat e ripunuara ndaj Hoxhës, Berati është i prirur të përshtatet. Vizitojeni tani që gjërat janë mirë. / KultPlus.com

Peshkimi, arkeologjia, turizmi dhe natyra, pjesë e edicionit të tetë të “Mercati della terra e del mare”

Peshkimi, arkeologjia, turizmi dhe natyra do të jenë pjesë e edicionit të tetë të “Mercati della terra e del mare” (Tregjet e Tokës dhe Detit), në Pulia ku flitet për brigjet e adriatikut mes Pulias dhe Shqipërisë.

Ky edicion përfshin tregje, gatim, workshope, konferenca e forume si dhe udhëtime. Aktiviteti do të mbahet për tri ditë, 9-11 gusht 2021.

Në këtë event përfshihet edhe arkeologjia, ku do të diskutohet mbi vendet me ujë të ëmbël që për mijëvjeçarë kanë qenë vendi ideal për jetën njerëzore. / KultPlus.com