Ekspertët e udhëtimeve u rekomandojnë Shqipërinë turistëve britanikëve

Pushimet e britanikëve janë bërë të pasigurta në mes të paqartësive dhe rregullave që ndryshojnë pothuajse çdo ditë, sipas faqes online të gazetës së njohur britanike express.co.uk, transmeton KultPlus.

Megjithatë, eksperti i njohur i udhëtimeve, Simon Calder ka zbuluar një destinacion ku britanikët mund të pushojnë.

“Unë jam duke vëzhguar disa destinacione ballkanike, siç janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku nuk kërkohen teste PCR apo karantinë”, deklaroi Calder.

“Këto dy vende janë sugjerimet e mia kryesore për listën e gjelbër, edhe pse britanikët mund të preferonin që edhe ndoshta një vend të madh dhe me shumë lidhje me Britaninë e Madhe si Polonia, me plazhet e saj në detin Balltik, të futej në këtë listë”, theksoi ai./ KultPlus.com

Kolona të gjata në Vërmicë, kosovarët ia mësyejnë bregdetit shqiptar

Në pikën kufitare të Vërmicës janë krijuar kolona të gjata.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në dalje të Kosovës janë krijuar kolona deri në 150 metra, transmeton KultPlus.

Si duket kosovarë ia kanë mësyer edhe këtë vikend pushimeve në Shqipëri.

Kujtojmë se vetëm në fillim të muajit qershor në pikën kufitare të Vërmicës u regjistruan mbi 30 mijë pushues nga Kosova që iu drejtuan bregdetit shqiptar. / KultPlus.com

Kanioni i Holtës, destinacioni më i preferuar i turistëve të huaj

Kanioni i Holtës në Bashkinë Gramsh mbetet një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe kryesisht të huaj.

Holta është një zonë turistike që vizitohen në të gjitha stinët e vitit, por kryesisht në pranverë, verë dhe vjeshtë.

Kanioni i Holtës shtrihet përgjatë 3 kilometrave, me shpatet e luginës që arrijnë deri në 100-150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 2-3 m. Kanioni ka shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike, si dhe gropa me ujëra termale.

Ngjyrat e shumta e bëjnë këtë bukuri natyrore një destinacion të paharrueshëm ofron pamje magjepse me lartësi malesh, thellësi kanionesh, bimësi dhe lule të shumëllojshme por mbi të gjitha ujërat e freskëta që burojnë nga malet.

Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive. Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.

Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë disi e vështirë për makinat e ulëta dhe ka një gjatësi rreth 18 km./atsh/ KultPlus.com

Destinacion “COVID FREE”, 100 milionë lekë për promovimin e Shqipërisë turistike

Qeveria shqiptare ka vendosur të shtojë një fond prej 100 milionë lekësh në programin “Zhvillimi i turizmit”, për të promovuar vendin.

Këshilli i Ministrave, të mërkurën në mbrëmje, me propozim të të Ministrisë së Turizmit ka vendosur të shtojë një fond prej 100 milionë lekësh në programin “Zhvillimi i turizmit”, program  i cili ka si synim promovimin e Shqipërisë si një vend “COVID FREE”.

Në vendimin e publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave bëhet me dije se ky fond do të përballohet nga nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.

Vendimi vjen në prag të sezonit turistik dhe është do të shpenzohet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, dhe synimi është promovimi në tregjet ndërkombëtare post COVID-19 dhe prezantimin e Shqipërisë si një destinacion mikpritës COVID-free.

Më poshtë vendimi i plotë:

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E TURIZMIT DHE MJEDISIT, PËR MBËSHTETJEN E TURIZMIT SHQIPTAR PËR PROMOVIMIN NË TREGJET NDËRKOMBËTARE POST COVID-19

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në programin “Zhvillimi i turizmit”, në artikullin 602 (shpenzime operative), për Agjencinë Kombëtare të Turizmit, i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve për mbështetjen e turizmit shqiptar për promovimin në tregjet ndërkombëtare post COVID-19 dhe prezantimin e Shqipërisë si një destinacion mikpritës COVID-free.
  2. Efekti financiar, prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.
  3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. / atsh / KultPlus.com

Resorti ekologjik i investitorëve suedezë në Nivicë, gati për këtë sezon (VIDEO)

Në Nivicë, 30 km larg Tepelenës falë programit të Rilindjes Urbane kanë marrë jetë agrobujtinat e para.

Një ndër to është dhe investimi i parë i huaj në turizëm, “Campnivica”, projekt i një grupi investitorësh suedezë që është gati të çelë sezonin turistik.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga ky investim i investitorëve suedezë.

“Mirëmëngjes ja edhe resorti ekologjik i investitorëve suedezë në Nivicë që po bëhet gati të çelë dyert këtë sezon”, tha Rama.

Ky investim synon ta kthejë Nivicën në një destinacion të turizmit elitar përmes një resorti të cilësisë së parë 100% ekologjik.

Qendra e Nivicës në 2018-ën është ndërtuar krejtësisht nga e para falë një projekti të mbështetur nga qeveria shqiptare. Sheshi i fshatit është shtruar komplet me gurë, ndërkohë që godinat dykatëshe, edhe ato të ndërtuara krejtësisht me gurët e Nivicës, i kanë dhënë një tjetër frymë fshatit që ka filluar të rigjallërohet.

Fshati Nivicë është pjesë e njësisë administrative “Kurvelesh”. Ndodhet 750 metra mbi nivelin e detit, rrëzë malit të Këndrevicës, 2100 metra të lartë. Në Nivicë ilirët në shekujt e IV-II para erës së re ndërtuan një kala si gjenezë e qytezës së më vonshme. Kalaja është ndërtuar mbi një shkëmb me lartësi 80 deri në 100 m. Pozicioni strategjik dhe kalaja bëri që ky vendbanim të ishte qendra e dytë me rëndësi e fisit ilir të Amantëve.  Më tej vijnë kanionet e Nivicës. Ujëvara me lartësi 220 metra është ndër më të lartat në Europë. / atsh / KultPlus.com

Shqipëria, asnjë kusht për turistët e huaj

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “Shqipëria nuk do të vendosë asnjë kusht apo kriter për të gjithë ata që duan të vijnë në Shqipëri, për një sezon turistik që siç e kam thënë edhe më parë duhet të jetë, një sezon shumë më i lehtë se ai i shkuari”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me komisionerin e BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, pas mbërritjes së sasisë së vaksinave “Pfizer”, Rama tha se “me shumë kënaqësi po ndjek procesin e pronotimeve dhe kërkesave që po rriten vazhdimisht nga vendet e tjera, për të ardhur dhe për të kaluar pushimet në Shqipëri”.

Duke i referuar ecurisë pozitive të vaksinimit antikovid në vendin tonë, kryeministri theksoi se “ne jemi sot në një pozicion relativisht të admirueshëm, nga pikëpamja epidemiologjike, nga pikëpamja e sasisë së vaksinave të bëra”.

“Do të vazhdojmë me ritëm të lartë vaksinimin. E kemi realizuar objektivin me gjysëm milion vaksinime, 29 ditë përpara afatit, tani objektivi është 1 milion”, u shpreh Rama.

“Puna vazhdon intensivisht, në mënyrë që Shqipëria të buzëqeshë e çliruar nga ky makth i gjatë dhe që kapaciteti i saj kryesor, që ka të bëjë me turizmin të përdoret sa më shumë këtë vit dhe pastaj totalisht vitin e ardhshëm dhe në vijim”, deklaroi Rama.

Varhelyi: Shpresoj të kemi një verë e cila do t’i ngjajë një vere normale

Nga ana e tij, Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, u shpreh se, “ne i kemi bërë një propozim shteteve anëtare dhe shtetet anëtare do të marrin vendimin sesi do të ecet përpara, si do të procedohet”.

“Në rekomandimet tona, ne kemi sugjeruar që shtetet anëtare të rihapin kufijtë dhe të lejojnë edhe qytetarët e shteteve të tjera, të hyjnë në BE, në veçanti të Ballkanit Perëndimor edhe pa pasur arsye thelbësore. Pra që të rifillojë udhëtimi i tyre”, u shpreh ai.

“Ne, natyrisht do të përdorim të dhëna epidemiologjike, në mënyrë që ato vende të cilat kanë një situatë të mirë epidemiologjike të kenë mundësi, që qytetarët e tyre të udhëtojnë në shtetet anëtare të BE-së, si dhe ata individë që janë të vaksinuar”, tha ai.

“Shpresoj që në formë graduale ne do të rifillojmë këtë proces dhe shpresoj të kemi një verë e cila do t’i ngjajë një vere normale apo një normaliteti veror, pasi ka ardhur koha që të ndodhë kjo gjë”, deklaroi Varhelyi. / atsh / KultPlus.com

Njihuni me projektin më ambicioz në botë të turizmit dhe mikpritjes

Quhet projekti më ambicioz dhe emocionues i turizmit dhe mikpritjes në botë, projekti në Detin e Kuq, një kompleks prej 50 vendpushimesh ultra-luksoze me 8 000 dhoma hoteli dhe 1 300 rezidenca banimi të shpërndara në 22 ishuj në Detin e Kuq, shkruan vanityfair.it.

Ai do të projektohet për të zbutur emetimet e karbonit, për të zvogëluar mbeturinat (plastika, për shembull, do të ndalohet) dhe në të njëjtën kohë të zvogëlojë ndriçimin e dritës dhe zhurmës.

Të gjitha falë materialeve të lehta dhe eko-miqësore, furnizimit me energji të pastër të mbështetur nga sistemi më i madh i ruajtjes së baterive në botë (i cili gjithashtu do të furnizojë sistemin më të madh ftohës të parë ndonjëherë), ndërhyrjet specifike për të mbrojtur florën, faunën dhe shkëmbinjtë koralorë me mirëmbajtjen e destinacionit në një nivel të biodiversitetit ekuivalent me një zonë të mbrojtur detare.

Ishulli i parë në të cilin mund të jetohet ëndrra do të jetë Shurayrah: një ishull në formë delfini ku studioja e arkitektit Norman Foster do të ndërtojë 11 vendpushimet e para me emrin ndjellës “Coral Bloom”.

“Ishulli i Shurayrah është porta hyrëse për projektin e Detit të Kuq, kështu që është e rëndësishme që të vendos standardet në arkitekturën revolucionare dhe dizajnin e qëndrueshëm, jo ​​vetëm për destinacionin tonë, por gjithashtu globalisht. Kjo arrihet duke tejkaluar mbrojtjen e thjeshtë të mjedisit, duke aplikuar një qasje rigjeneruese”, theksoi John Pagano, shef i Kompanisë për Zhvillimin e Detit të Kuq.

Respektimi i biodiversitetit është thelbësor në projektin Shurayrah: vendpushimet, për shembull, do të ndërtohen për të shmangur dëmtimin e habitateve të tjera të ishullit, ndërsa në të njëjtën kohë do të kryhen ndërhyrje për ta mbrojtur atë, siç janë plazhet e reja që do të ndihmojë në rritjen e nivelit të tokës, duke siguruar një shtresë mbrojtëse kundër ngritjes së nivelit të detit.

Ato gjithashtu do të projektohen bazuar në pritjet e udhëtarëve post-Covid: do të ketë shumë hapësirë ​​për secilin mysafir, nuk do të ketë korridore dhe çdo detaj do të projektohet për t’u siguruar që ju të shijoni plotësisht natyrën.

Për të siguruar pamje spektakolare, për shembull, nuk do të ketë rrokaqiej. Asgjë nuk dihet, për momentin, për shërbimet, por fjala “luks” shpesh përsëritet në përshkrimin e projektit të nisur nga vetë Princi Mohammed bin Salman, kështu që ndërkohë mund të fantazohet.

Katër vendpushimet e para Shurayrah do të jenë gati në fund të vitit 2022, data në të cilën do të përfundojë edhe aeroporti i ”Projektit të Detit të Kuq”, i cili do të arrihet në 8 orë me fluturim nga destinacionet kryesore në botë.

Në vitin 2030, megjithatë, i gjithë Projekti i Detit të Kuq duhet të përfundojë: deri në atë datë kompleksi do të përfshijë të gjithë rrjetin rrugor, një marinë, kurse golfi dhe çdo shërbim tjetër të mundshëm të përshtatur për turistët e pasur. Në atë pikë, megjithatë, ajo mund të ndryshojë edhe hartën e turizmit global. /atsh / KultPlus.com

‘Washington Post’: Rama shpreson ta shndërrojë Shqipërinë në kampione të turizmit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shpreson të rifitojë zgjedhjet këtë fundjavë në mënyrë që ai të mund të punojë për ta shndërruar një nga vendet më të varfra të Europës në një kampione të turizmit, shkruan sot gazeta e njohur amerikane ”The Washington Post”.

Ndikimi negativ i pandemisë në ekonominë e Shqipërisë është një nga çështjet thelbësore në zgjedhjet parlamentare të së dielës, të cilat BE i ka vënë si kusht për të filluar negociatat e plota për të pranuar vendin e vogël ballkanik si një anëtar. Parregullsitë kanë dëmtuar zgjedhjet e mëparshme në Shqipërinë postkomuniste.

Kryeministri Rama përmend një aeroport të ri ndërkombëtar që u hap të dielën, një marrëveshje ndërtimi e arritur sot për një aeroport tjetër në vijën bregdetare të vendit prej mbi 300 kilometrash dhe planifikon të kthejë portin e Durrësit në një destinacion vetëm për tragete, jahte dhe anije të tjera argëtimi si shenja premtuese.

“Ne jemi në rrugën e duhur për ta shndërruar këtë vend në kampionin e Ballkanit Perëndimor për turizmin”, tha Rama në një intervistë për ”The Associated Press”.

Sondazhet parazgjedhore kanë treguar se Partia Socialiste e Ramës ka të ngjarë të zerë vendin e parë në zgjedhje.

Shqipëria tërhoqi më shumë se 6 milionë turistë në 2019, kur turizmi zinte rreth 9% të PBB-së. Shifrat paraprake të vitit 2020 nga Ministria e Turizmit tregojnë të paktën një rënie prej 40% të të ardhurave nga turizmi, që i atribuohet pandemisë. Një shtetrrethim me orar të caktuar, rregullat e distancës sociale dhe masa të tjera të kontrollit të virusit të urdhëruara nga qeveria kanë prekur kryesisht hotelet, restorantet dhe kafenetë.

Si pjesë e programit të vaksinimit masiv të vendit, qeveria u ka dhënë përparësi  punonjësve të hotelit dhe restoranteve si dhe operatorëve të shtëpive private me qira përgjatë bregdetit ose në vendpushimet malore.

Pas ankesave të mëparshme për vonesa, Rama falënderoi ekzekutivin e Bashkimit Europian për dhurimin e 145 000 dozave të vaksinave për Shqipërinë.

Brukseli i hapi dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fund të vitit 2020 për fillimin e negociatave të anëtarësimit të plotë, por asnjë datë nuk është caktuar për takimin e parë.

”Bashkimi me BE mbetet qëllimi kryesor i Shqipërisë”, tha Rama.

“Procesi i integrimit… është një proces i kapërcimit të pengesave. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë dhe të jemi atje dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha ai.

Shqipëria pa një rënie prej 3,31% të PBB-së në 2020 për shkak të pandemisë dhe një tërmet fatal me magnitudë 6,4 ballë Rihter më 26 nëntor 2019 që shkaktoi dëme të konsiderueshme.

”Hapat e ardhshëm për vendin janë lënia pas e pandemisë dhe pasojat e tërmetit dhe ta ngjisim Shqipërinë më lart”, thotë kryeministri.

“Ne duam të jemi kampionë në turizëm. Ne duam të jemi kampionë në energjetikë. Dhe ne mund të jemi (me siguri) në agroturizëm”, shton Rama.

”Ne duhet të shkojmë më tej. Dhe këto janë qëllimet tona”, përfundon ai./ atsh / KultPlus.com

Mbahet “Blu European Festival”, nxit diversifikimin e paketave dhe ofertave turistike

Bashkia e qytetit bregdetar të Durrësit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit në kuadër të projektit Festivali Evropian i Turizmit dhe Peshkimit kanë organizuar festivalin “Blu European Festival”.

Ky festival i nisur në 22 shkurt mbaron  në 28 shkurt, javë gjatë së cilës do të ketë panaire dhe një larmi aktivitetesh të fokusuara në fushën e peshkimit.

“Ky është një aktivitet i rëndësishëm që do të kthehet në një traditë për qytetin tonë” është shprehur në çeljen e këtij festivali  kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.

Kryebashkiakja Sako deklaroi gjithashtu se “Turizmi dhe industria e peshkimit janë motorri ekonomik i qytetit të Durrësit dhe këta dy sektorë do të marrin një hov të madh zhvillimi nga investimet e rëndësishme për portin që nisin shumë shpejt”.

Ky festival organizohet në të gjithë vendet pjesëmarrëse në këtë projekt si Shqipëri, Itali, Spanjë, Greqi, Portugali dhe Mali i Zi duke krijuar një javë unike evropiane e turizmit të peshkimit.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Ledion Lako që gjithashtu ishte prezent në këtë event deklaroi se: “Ky festival synon të ktheje turizmin e peshkimit në një produkt inovativ në turizmin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, duke u fokusuar në traditat evropiane të peshkimit dhe komunitetet bregdetare”.

Gjithashtu, ky festival kontribuon edhe në diversifikimin e paketave dhe ofertave turistike, si një mundësi apo alternativë e re për çdo turist apo vizitor si edhe duke promovuar kulturën e peshkimit dhe traditat e kulinarisë, aq më tepër për një qytet si Durrësi. /atsh / KultPlus.com

Faqja e njohur turistike: Ksamili ose Maldivet e Shqipërisë së Jugut

Ksamili është një nga vendet më befasuese që kam vizituar në Ballkan, shtëpia e ushqimeve të shijshme të një deti shumëngjyrësh dhe ishujve të bukur, kështu shkruan për faqen e njohur turistike MagnificientWorld fotografja dhe blogerja e njohur e udhëtimeve, Julia Berkuta.

”E kam vizituar Ksamilin në dy raste tani dhe e rekomandoj atë për këdo që udhëton në Shqipëri dhe në këtë udhëzues destinacioni, dua t’ju tregoj përvojat e mia në Ksamil, si edhe t’ju ofroj gjërat më të mira për të bërë gjatë vizitës suaj”, vazhdon ajo.

Dy udhëtime të mrekullueshme në Shqipëri

Hera e parë që vizitova Shqipërinë ishte në vitin 2018 dhe ishte një udhëtim spontan.

Hera e dytë ishte në vitin 2020, me bashkëshortin, sepse dëshiroja t’i tregoja vendet që kisha parë.

Në vizitën time të parë në Shqipëri, erdha për disa ditë për të zbuluar dy pika të bukura, Ksamilin dhe Dhërmiun. Në vizitën e dytë, kisha më shumë kohë, me pesë ditë në Ksamil dhe tri ditë në Dhërmi.

Të dyja këto udhëtime ishin thjesht fantastike dhe nuk mund ta rekomandoj mjaftueshëm Ksamilin!

  1. Vizitoni plazhet e bukura të Ksamilit

Ksamili është një fshat mjaft i vogël dhe tërheqja kryesore është deti. Kështu që gjëja e parë që mund të bëni është të vizitoni plazhet e shumta që ai ofron. Plazhet e mia të preferuara ishin Stela, Bora Bora dhe Lori, por mund të merrni, gjithashtu, me qira një makinë dhe të zbuloni më shumë plazhe aty pranë, si Plazhin e Pulëbardhës, Plazhin e Krorezës dhe Shpellën e Pëllumbave.

  1. Shikoni perëndimin e diellit nga manastiri i shën Gjergjit

Ky manastir është një manastir antik ortodoks, që gjendet në gjysmë të rrugës midis Ksamilit dhe Sarandës. Nëse merrni me qira një makinë, mund të shkoni në manastir dhe të shihni një perëndim të diellit madhështor.

  1. Vizitoni lagunën e kripur të liqenit të Butrintit

Në anën tjetër të Ksamilit është liqeni i Butrintit, një lagunë e bukur me ujë të kripur, e rrethuar nga kodra të dendura të pyllëzuara, një bregdet shkëmbor dhe këneta me ujë të ëmbël.

  1. Zbuloni historinë e Parkut Kombëtar të Butrintit

Parku Kombëtar i Butrintit është një domosdoshmëri për t’u parë, nëse keni kohë dhe jeni të interesuar për natyrën dhe historinë.

Ky park prej 9 400 hektarësh është shtëpia e liqeneve me ujëra të ëmbla, peizazheve kodrinore dhe shumë thesareve të tjera natyrore.

Atje ka specie të panumërta bimësh dhe kafshësh për të zbuluar, si edhe ishujt e Ksamilit dhe vende të tjera arkeologjike historikisht të rëndësishme, që datojnë me shekuj,  disa prej të cilave janë shpallur Vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

  1. Eksploroni shpellën magjepsëse të Kreshmoit

Udhëtimi nga Ksamili në shpellën e Kreshmoit zgjat më pak se një orë dhe ia vlen, sidomos për ata që e duan arkeologjinë.

Është një nga shpellat më të vjetra të banuara në Europë, që arkeologët besojnë se është 20 000-vjeçare.

  1. Kaloni një ose dy ditë në Sarandë

Saranda është një qytet afër Ksamilit, ku mund të pushoni në plazhe, të shikoni perëndimin e diellit nga Kalaja e Lëkursit, të vizitoni manastirin e 40 Shenjtorëve dhe të shijoni ushqimin dhe pijet lokale në shumë kafene dhe restorante fantastike.

  1. Mrekullohuni me ujërat e “Syrit të kaltër”

Syri i Kaltër është një burim natyror pranë fshatit Muzine. Ky burim është i famshëm për ujërat e tij të pastër blu, nga merr edhe emrin “Syri i kaltër”.

Thellësia e burimit besohet të jetë më shumë se 50 metra.

Një vend magjepsës për të vizituar pasdite, në udhëtimet tuaja nëpër Shqipërinë e Jugut.

  1. Vizitoni qytetin e UNESCO-s, Gjirokastrën

Gjirokastra është një qytet i UNESCO-s dhe ndodhet një orë e gjysmë larg Ksamilit. Qyteti i Vjetër është i njohur për shtëpitë e tij prej guri dhe arkitekturën.

Ky destinacion është, gjithashtu, shtëpia e një prej kështjellave më të pabesueshme në Shqipëri, në të cilën mund të kaloni orë të tëra duke eksploruar dhe mësuar mbi historinë.

  1. Bëni një udhëtim të shkurtër me anije në Korfuz

Nga Saranda është e mundur të bëni një udhëtim të shkurtër me anije në ishullin e bukur të Korfuzit./atsh/ KultPlus.com

Llogoraja, e magjishme nën dëborë (FOTO)

Llogoraja prej ditësh ështe veshur me petkun e dëborës. Pamjet që përcjell kryeministri Edi Rama nga Llogorja tregojnë një vend të mrekullueshëm për t’u vizituar edhe në mot të ftohtë.

Ndërkaq, rruga e vështirë deri atje është e hapur për qarkullim, pasi ekipet e mirëmbajtjes hedhin kripë dhe monitorojnë aksin. / atsh/ KultPlus.com

Në Dardhën turistike, ku rruga e re ka shtuar fluksin e vizitorëve

Prej pothuajse dy muajsh, për të shkuar në fshatin turistik të Dardhës, 18 km në juglindje të Korçës, udhëton përmes një rruge të bukur, të standardeve bashkëkohore.

Është një rrugë që përshkon një terren të jashtëzakonshëm malor dhe që të krijon mundësi të bësh një udhëtim të këndshëm, në një peizazh piktoresk, në një mjedis të butë e plot ngjyra, nga ato ngjyra që nuk i has askund tjetër.

Në fakt, rruga e sapo përfunduar, si elementi përcaktues infrastrukturor, e ka plotësuar më së miri këtë tablo që të tërheq pafund në brendësi të saj dhe që të krijon një ndjesi të thellë, teksa pret me padurim për të arritur në destinacion.

Dhe, Dardha vetë, që të shfaqet në një luginë mes malesh, është si “qershia mbi tortë”, në këtë atmosferë ku ngjyrat duket sikur luajnë dhe zëvendësojnë njëra tjetrën. Dhe, ngjyrat e pafundme, janë karakteristike për vjeshtën e tretë, këtu, në këtë zonë malore, ndër më të bukurat e më tërheqëset në të gjithë vendin.

Dardha të tërheq. Të tërheq pa fund. Për atë që vjen këtu, për herë të parë, surprizat e dukshme të saj, të lenë pa frymë. Për të tjerët, mbetet si një minierë e thellë, të cilën nuk arrin ta zbulosh kurrë plotësisht.

-Rruga e rikonstruktuar ka rritur numrin e turistëve dhe vizitorëve-

“Pas përfundimit të rikonstruksionit të rrugës, është rritur numri i atyre që vizitojnë Dardhën”,-thotë Thomai, punonjës në një nga resortet turistike më të njohura në Dardhë. Është fundjavë dhe të gjitha dhomat e këtij resorti, duke përfshirë edhe suitat, janë të prenotuara. Pushuesit, janë nga Tirana, Vlora, Durrësi, Shkodra, si edhe nga Kosova. Kanë ardhur për të shijuar bukuritë e jashtëzakonshme të këtij fshati, ashtu sikundër edhe gatimet tradicionale.

Sipas Thomait, fundjavat janë më të ngarkuarat dhe kapacitetet akomoduese prenotohen pothuajse plotësisht. Por edhe gjatë ditëve të javës, vizitorët janë të shumtë. Rruga ka lehtësuar mjaft udhëtimin, e ka bërë atë komod, çka e ka shtuar interesin e pushuesve për të ardhur këtu.

Janë edhe qindra qytetarë nga Korça, Pogradeci e nga qytete të tjera të afërta, që shfrytëzojnë ditët e pushimit për të kaluar një ditë ndryshe me familjet, për të shijuar natyrën, për të konsumuar një drekë, apo edhe çajin e mrekullueshëm “bio” të trëndafilit të egër, të ëmbëlsuar me një porcion të bollshëm nga mjalti i mrekullueshëm i kësaj zone.

Sigurisht, ky vit i vështirë për shkak të pandemisë së së Covid-19, ka reflektuar edhe në treguesit respektivë të atmosferës turistike në Dardhë, ashtu si edhe në të gjithë vendin. Por, kjo kryesisht tek numri i turistëve të huaj, të cilët në vitet paraardhëse kanë qenë të shumtë. Megjithatë, sipas operatorëve turistikë, kjo rënie e numrit të turistëve të huaj, është kompensuar nga shtimi i pushuesve vendas, si edhe atyre nga Kosova. Aq e vërtetë është kjo sa edhe niveli i të ardhurave për operatorët e zonës, është pothuajse i njëjtë me atë të viteve të fundit.

-Dardha, fshati ku është xhiruar filmi “Dimri i fundit”-

Dardha është fshati ku është xhiruar filmi “Dimri i fundit”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, me regji të Ibrahim Muçës dhe Kristaq Mitros.

Ky film, një nga realizimet më të mira në periudhën e para viteve ’90-të, ka fiksuar përjetësisht mjediset e këtij fshati malor, ku dëbora është një nga elementët bashkëshoqërues dhe simbolikë të dimrit në këtë zonë.

Më shumë se 200 persona, pjestarë të stafit realizues të filmit, aktorë, regjisorë, kameramanë, teknikë etj etj, qëndruan në këtë fshat për muaj me radhë në dimrin e vitit 1976, të bllokuar nga dëbora, duke xhiruar skena që mbeten të rralla për nga mënyra e jetësimit.

Edhe sot, i ndesh ato mjedise të sekuencave filmike teksa lëviz në rrugët e fshatit, në atë strukturë të veçantë urbane, që e gjen vetëm në Dardhë, në banesat e gurta, në krojet e këtij fshati ku rrjedh ujë i kristaltë dhe i ftohtë.

“Dimri i fundit”, është një nga simbolikat e historisë së vonë të këtij komuniteti banorësh. Kjo, jo vetëm si vend i xhirimit të një prej filmave më në zë të historisë së kinematografisë shqiptare, por edhe të evokimit të traditave të spikatura të banorëve të kësaj zone.

-Asetet turistike dhe historia, këtu gjenden pranë e pranë-

“Hiqeni maskën, nuk ka nevojë për maskë këtu në Dardhë. Këtu ka vetëm oksigjen, nuk e ndjeni?..”,-Një cift të moshuarish, që vinin përballë nesh, në një nga rrugicat e fshatit, ndaloi për të na përshëndetur dhe për të na treguar se, ajri këtu, në fshat, është aq i pastër dhe i pasur me oksigjen sa sfidon çdo lloj virusi e sëmundjeje.

Ata tregojnë se numri i banorëve që jetojnë gjithë stinët e vitit në Dardhë, tashmë është reduktuar, për shkak të largimit. Një pjesë në emigracion, në SHBA dhe vende të ndryshme të Evropës dhe të tjerë në Korçë, Tiranë e gjetkë. Por, këtu kanë shtëpitë të cilat i kanë rregulluar e përshtatur për t’u kthyer herë pas here për pushime. Por, një pjesë i shfrytëzojnë për bujtina, prej të cilave nxjerrin të ardhura. Dardha, sot, është shndërruar në një model të këtij turizmi, ku, banesat janë rikonstruktuar e përshtatur si bujtina, lokale e objekte të ngjashme që u ofrohen vizitorëve e turistëve të shumtë, që vijnë në çdo stinë të vitit për të shijuar bukuritë natyrore, apo për t’u njohur me historinë, për t’u njohur me kulturën, me traditat, me strukturën urbane e vlerat arkitekturore të trashëguara brez pas brezi.

Sipas legjendës, zanafilla e këtij fshati e ka bazën tek rebelimi i banorëve të krahinave përreth, ndaj pushtuesve osmanë, ndaj politikave asimiluese të aplikuara në shekuj. Prandaj dhe banorët e parë, që u larguan nga kazaja e qendra të tjera urbane, zgjodhën këtë zonë të thellë, ku kishin mundësi të ruanin kulturën, gjuhën, fenë, të pakërcënuar nga pushtuesit. Referenca e parë e popullimit, që mendohet të ketë qenë një stan në afërsi, apo nën një dardhë,  ishte edhe elementi identifikues në komunikimet me banorë të zonave të tjera. Dhe, kështu, etimologjia e emrit të fshatit që nis me “te stanin nën dardhë”, vijoi me emërtimin “nDardhë”, për të përfunduar si proces etimologjik me emrin e sotëm.

Në breza, dardharët janë kujdesur që, krahas punëve të përditshme, që u siguronin të ardhurat për jetesë, të ndërtonin edhe një mjedis urban tërësisht të veçantë. Mundësitë në këtë zonë të thellë ishin të pakta, prandaj dhe ata, si druvarë të spikatur shkonin të punonin në zona të tjera të largëta, apo në Greqi, ku shkëlqyen me aftësitë në profesion dhe me ndershmërinë.

Me të ardhurat që siguronin, ndërtonin banesa të bollshme, të bukura e funksionale, duke respektuar rregulla urbanistike, por edhe duke investuar në objekte me interes publik për komunitetin, siç janë rrugët, objektet e kultit, krojet ku siguronin ujin e pijshëm.

Këtë veçanti të trashëgimisë dardhare e konstaton sot, në këtë hapësirë urbane ku spikasin banesat e gurta një, dy, apo tre katëshe, me një strukturë arkitektonike që pothuajse nuk e has në krahina të tjera, me çati të mbuluara me rrasa guri. Krahas këtyre, rrugët e rrugicat e fshatit, të shtruara me kalldrëm, dëshmojnë kulturën dhe dashurinë e dardharëve në shekuj, për një jetë me cilësi, për të qenë pranë njeri tjetrit. Ndërkohë, krojet me një strukturë të plotë, ofronin komoditetin e nevojshëm për vashat që mbushnin ujë për nevojat e ditës.

Kroi, si element social dhe urban, kishte një rëndësi të veçantë në jetën e fshatit, të banorëve. Ai nuk ishte thjesht një vend ku sigurohej uji i pijshëm, por edhe një objekt ku gratë dhe vajzat takoheshin, ku bisedonin dhe shkëmbenin mendime, ku kalonin një pjesë të kohës, por edhe ku niste zanafilla e njohjeve. Në këtë këndvështrim, ai merr edhe trajtat fillestare të një institucioni, si një vend ku merreshin vendime të natyrës më shumë se vetjake.

Janë së paku tre kroje në këtë fshat, pothuajse identikë me njeri tjetrin. Janë ndërtuar me kujdes dhe me dashuri, aq sa edhe sot, teksa sheh ujin e kristaltë që rrjedh në to, me mendje shkon larg, në vite. Skena e mbushjes së ujit në filmin “Dimri i fundit”, ndonëse në kushtet e errësirës dhe nën pushtimin gjerman, evokon mjaft mirë rëndësinë e kroit ne jetën e këtij fshati.

Banesa dardhare, me çardak të hapur e të mbyllur, mund të klasifikohet si një tip më vete, në historinë e banesës shqiptare. Veçantitë e saj, struktura murale me gurë, çatia e mbuluar me rrasa guri, konceptimi i hapësirës së brendshme me odën e zjarrit, atë të miqve etj, i japin asaj karakteristika mjaft të veçanta e interesante. Janë këta elementë të arkitekturës e jetës urbane, që e bëjnë Dardhën tepër tërheqëse në këtë aspekt.

Restaurimi së fundi i fasadave të këtyre banesave dhe i të gjitha objekteve të tjera, përmes një projekti të financuar nga Qeveria Shqiptare, që po vazhdon ende, i ka ridimensionuar vlerat e këtij fshati të vendosur në një luginë të mrekullueshme malore, në një lartësi prej më shumë se 1300 metra mbi nivelin e detit, në një largësi prej 18 km më juglindje të qytetit të Korçës.

-Personalitetet e historisë dhe artit, si vlera të shtuara të traditave të Dardhës-

Personalitete të njohura të historisë dhe të kulturës kombëtare, përbëjnë vlera të shtuara të cilat e bëjnë edhe më atraktive Dardhën, në sytë dhe vëmendjen e turistëve dhe vizitorëve.

Dëshmori i njohur i Luftës Antifashiste Nacional Çlrimitare, Kristo Isak, shkrimtari, Teodor Laço, general lejtnant, Vaskë Gjino, i persektuar nga diktatura komuniste, janë disa prej tyre.

Banesat e tyre, janë të restauruara e të mirëmbajtura, si dëshmi e segmenteve të historisë që duhet ruajtur e promovuar.

Në fasadën e banesës së gurtë dy katëshe, ku ka lindur e ka kaluar fëmijërinë, dëshmori i Luftës, Kristo Isak, spikat një pllakë përkujtimore.

Më tej, një kompozim skulpturor modest, në raport me hapësirën, në oborrin e një banese, të kujton se këtu ka lindur, shkrimtari Teodor Laço.

Këto godina, ashtu sikundër muzeu dhe kisha me vlera të spikatura arkitekturore, në qendër të fshatit, e plotësojnë më tej tablonë e objekteve me interes për t’u vizituar.

Por, nga ana tjetër, Dardha ka një trashëgimi të pasur në artin e mirëfilltë viziv, në pikturë. Një numër i konsiderueshëm piktorësh, të njohur me emërtimin zografë, kanë krijuar një thesar vlerash në këtë drejtim, duke themeluar një plejadë mjeshtrash me emër, që nis me Nikolla Zengon në gjysmën e dytë të shekullit XVIII dhe në vijim, ku përfshihen Andon Zengo, Papa Jani Zengo, Grigor Zdrulli, Nikolla Zdrulli, Sotir Papa Ilia, Thanas Zengo, Efthim Zengo, Kristo Zengo, Harrallamb Dardhioti, Kristo Vishnja, Konstandin Zografi  etj etj.

Turizmi, burimi kryesor i të ardhurave për banorët-

Xha Skëndi, një 85 vjeçar, dikur punonjës i arkivës në këtë fshat, tregon se, tashmë të gjithë këtu janë të lidhur me turizmin. Më parë, ekonomia kishte si bazë blegtorinë, por pas viteve ’90-të, struktura e saj ndryshoi tërësisht.  Dukuria e zhvendosjes demografike, u shoqërua edhe me rënien e interesit për degët tradicionale të ekonomisë dhe vëmendja u orientua gradualisht tek turizmi.

“Unë banoj këtu me bashkëshorten në pjesën më të madhe të vitit. Kemi rregulluar shtëpinë, ja siç e sheh dhe jetojmë mirë. Si ne, janë edhe shumë familje të tjera. Një pjesë prej tyre kanë përshtatur banesat për bujtina dhe japin dhoma me qera. Por edhe këtu, mund të vini kur të doni, derën e keni të hapur në çdo orë”,-thotë 85 vjeçari, nga oborri i një banese të bukur e të bollshme, tipike dardhare.

Dardha është e frekuentuar në çdo ditë dhe në çdo stinë. Sepse çdo periudhë e vitit, këtu shijon e përjeton gjëra të ndryshme. Ngjyrave të vjeshtës, gradualisht do u zërë vendin dëbora e dimrit, që këtu është po aq i bukur.

Pista e skive, ofron mundësi për të pasionuarit e këtij sporti, që po bëhen gati të mbërrijnë në Dardhë./Reportazh/ k.s/ KultPlus.com

Gjirokastra dhe Deçani, paketa turistike për shfrytëzimin e vlerave të trashëgimisë kulturore

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, priti në një takim kryetarin e Komunës të Deçanit dhe Grupin Lokal të Veprimit Gjeravica, të cilët e vizitonin për herë të parë Gjirokastrën.

Gjatë takimit, Golemi dhe Ramosaj diskutuan për bashkëpunime të ardhshme, kryesisht për paketat turistike të zonave rurale dhe shfrytëzimin e resurseve natyrore dhe vlerave të trashëgimisë kulturore që kanë Gjirokastra dhe Deçani.

Interesimi i subjekteve dhe biznesit lokal për shkëmbime të përbashkëta edhe në sektorët e artizanatit, turizmit rural dhe agropërpunimit ishte një prej elementëve thelbësorë të misionit të tyre.

“Fillim i mbarë i një bashkëpunimi në vazhdim, me komunën e Deçanit, bashkëpunim që në të ardhmen do të përkthehet në benefite dhe shërbim të komuniteteve respektive lokale”, – tha Golemi. /atsh/ KultPlus.com

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, aplikacione online në funksion të turizmit

Përdorimi i mjeteve dixhitale në funksion të promovimit turistik ka pasur një trend rritës kohët e fundit në Shqipëri, duke promovuar destinacione të rëndësishme turistike për turistët vendas dhe veçanërisht ata të huaj.

Një vëmendje të veçantë këtij përdorimi i ka kushtuar Foundacioni SIG, i cili në kuadër të projektit “Menaxhim i zgjuar i produktit të turizmit kulturor për shfrytëzimin e pasurive natyrore, qëndrueshmërinë dhe tërheqjen territoriale” ka realizuar një Aplikacion Online për parkun kombëtar Divjakë-Karavasta.

Projekti po mbështetet përmes një granti të siguruar nga Projekti për Promovimin e Turizmit i Regional Cooperation Council (RCC) dhe financohet nga Bashkimi Europian.

Aktualisht aplikacioni elektronik My Park Tour është aktiv për telefonat celularë (IOS dhe Android) në platformat Google Play Store dhe App Store.

My Park Tour është një aplikacion në gjuhën shqipe dhe angleze, i cili shërben si udhërrëfyes turistik në celular ku do të gjeni kategori shërbimesh të ndryshme që ndihmojnë vizitorët/turistët të shohin atraksionet e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, si dhe shtigjet më të përshtatshme të aventurës.

Atraksionet e trashëgimisë natyrore dhe kulturore janë paraqitur qartësisht me përshkrime, por dhe si objekte të shoqëruara me një galeri fotografish profesionale. Aplikacioni My Park Tour ofron një set të veçantë mjetesh për të eksploruar dhe mësuar rreth parkut dhe hapësirës së tij në përgjithësi, të kombinuara me harta interaktive, tekste prezantuese dhe karakteristika interaktive.

Brenda këtij aplikacioni do të gjeni edhe Turin Virtual 3600 të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, fotografi panoramike 3600 nga ajri dhe toka, ku ju mund të përjetoni pamje si asnjëhërë më pare kudo që ju ndodheni.

Krahas aplikacionit online, më në fund Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta ka hapur faqen e tij të re elektronike, e cila prezanton më së miri të gjitha resurset natyrore dhe kulturore që gjenden brenda territorit të tij.

Kjo faqe është ndërtuar nga Fondacioni SIG në kuadër të projektit “Menaxhim i zgjuar i produktit kulturor për shfrytëzimin e vlerave natyrore, qëndrueshmërinë dhe tërheqjen territoriale” dhe u bë e mundur përmes një granti të dhënë nga Projekti për Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), dhe të financuar nga Bashkimi Evropian.

Brenda faqes ju mund të zbuloni dhe eksploroni monumentet natyrore, kulturore dhe historike shumë vjeçarë brenda dhe përreth parkut, shtigjet e aventurës për të prekur dhe jetuar aventurat më të bukura, aktivitetet në park si shëtitje në natyrë, ecje me biçikletë, peshkim etj. të informoheni mbi baret dhe restorantet për të shijuar gatimet tradicionale të zonës me prodhime të freskëta deti, si dhe hotelet dhe shtëpitë pritëse për tu akomoduar.

Informacione praktike se si dhe kur duhet të shkojmë në park janë të aksesueshme për të gjithë vizitorët.

Gjithashtu në faqe, ju mund të gjeni Turin Virtual (VT) 3600 të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, fotografi panoramike 360nga ajri dhe toka, atraksionet e etiketuara të parkut në pamje 360 gradë, ku përmes komandave të zgjerimit dhe zvogëlimit me anë të kursorit mund ta orientoni pamjen që ju dëshironi të shihni nga kompjuteri ose telefoni juaj. /atsh/ KultPlus.com

Komuna e Prizrenit planifikon të zhvilloj turizmin në fshatin Struzhë

Komuna e Prizrenit po planifikon që të fillojë pilot projektin në fshatin Struzhë, ku do të investohet në rehabilitim dhe vënie në funksion të një numri të madh të shtëpive të vjetra të fshatit si bujtina për turistët vendorë dhe ndërkombëtar, përcjellë KultPlus.

Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook është bërë e ditur se si pjesë e këtij projekti parashihet edhe ndërtimi i muzeut etnologjik, ku do të ekspozohen eksponatet që janë në dispozicion aktualisht në atë fshat.

Më poshtë gjeni statusin e plotë:

Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik është duke planifikuar dhe analizuar mundësitë për fillimin e një pilot projekti në fshatin Struzhë, i cili do të konsistojë në krijimin e mundësive të zhvillimit turistik dhe eko-turizmit, ku parashihet të investohet në rehabilitimin dhe vënien në funksion të një numri të shtëpive të vjetra të fshatit, të murosura me gurë natyral, të cilat pastaj parashihet të shndërrohen në bujtina për turistët si vendor po ashtu edhe ndërkombëtar. Si pikë e dytë e këtij projekti parashihet krijimi i një muzeu etnologjik, ku do të ekspozohen eksponatet që janë në dispozicion aktualisht në atë fshat, dhe ato që mund të gjenden në vazhdimësi. Qëllim primar dhe kryesor i projektit është zhvillimi ekonomik i zonës në fjalë, zhvillimi i turizmit malor dhe pasurimi i ofertave turistike në kuadër të Komunës së Prizrenit. / KultPlus.com

Dhjetë foto mahnitëse të natyrës shqiptare

Shqipëria megjithëse një vend i vogël si sipërfaqe, ka një listë të madhe bukurish natyrore. Arsyeja kryesore për këtë është larmia gjeografike e vendit tonë. Natyra e virgjër dhe misteret kulturore kombinohen për të krijuar një ndjenjë të veçantë të vendit.

Nga malet të mbuluar me dëborë në dimër në fushat e mbuluara nga lule në pranverë si një tapet i butë që i dhuron një kolorit sezonit pranveror. Peizazhi i Shqipërisë është gjithnjë në ndryshim me stinët duke ofruar të apasionuarve të eksplorimit mundësinë për të shijuar një pushim të ngrohtë në plazh në verë ose një udhëtim malor në ajër të freskët dhe të ftohtë në vjeshtë.

Prej mëse 5 vitesh Granit Temaj një ndër aventurierët e turizmit të trojeve Shqiptare, ka arritur të fiksoj me aparatin e tij bukuri të shumta, mes relievit të thyer alpin apo edhe Rivierës Shqiptare. Vitet e fundit, ai ka bërë një planifikim të jetës dhe identifikimit të destinacioneve duke i kthyer ato jo vetëm në hobi, por me tepër në përjetime jetësore. Zgjimet në mes të pyllit, netët pranë një zjarri kampi dhe ecjet në natyrë e lumturojnë pa masë. Ai ka edhe blogun e tij, Alpventurer, që për objektiv ka promovimin e destinacioneve aventuriere. Për IntoAlbanian, Graniti sjellë copëza nga bukuritë Shqiptare. / KultPlus.com

1. Bovillë – Tiranë

2. Vaskat e Gurit në Ndërlys ë Thethit

3. Kepi i Rodonit, Durrës

4. Alpet Shqiptare. Maja e Shkëlzenit, Tropojë

5. Maja e Kalabakut, Kukës

6. Has, Maja e Pashtrikut

7. Gjiri i Gramës

8. Lumi i Shalës

9. Maja e Rosit, Tropojë

10. Syri i Kaltër, Theth

Kanionet e Osumit, perlë e natyrës dhe destinacion turistik

Kanionet e Osumit janë një perlë e natyrës, një destinacion turistik që duhet vizituar, ku të apasionuarit e turizmit të aventurës kanë mundësi të zhvillojnë edhe shëtitjet profesionale me rafting, ose hiking.

Zv/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi, duke publikuar foto nga ky kanion, shprehet se “Kanioni i Osumit, është më i madhi në gjithë vendin dhe është emërtuar Grand Canyon i Shqipërisë”.

“Kanioni është krijuar prej forcave gërryese dhe tretëse të lumit Osum, të ushtruara në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës dhe është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 metra i gjerë, i thellë rreth 80 metra, me shpate vertikale.Koha e formimit të tij mendohet të jetë 2 deri në 3 milionë vite më parë”,- thekson Çuçi.

Kanionet e Osumit gjenden në aksin Çorovodë–Hambull, të luginës së Osumit.Në këtë kanion, çdo vit udhëtojnë me mijëra turistë vendas e të huaj, të cilët shijojnë natyrën, kulinarinë dhe sportin e bukur të rafting. /atsh/ KultPlus.com

Kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo, destinacioni turistik mes detit dhe legjendës

Një ndër monumentet më interesante që ndodhen në Shqipëri sa i përket historisë së saj dhe pozicionit ku ndodhet është edhe kalaja e Porto Palermos, në gjirin me të njëjtin emër në brigjet e detit Jon.

Kryeministri Rama ka publikuar një foto nga kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo si ftesë për këtë sezon turistik për turistët e huaj dhe pushuesit vendas si një destinacion i veçantë ku takohet historia, kultura dhe madhështia e detit.

Kalaja e Porto Palermos ndodhet mbi një ishull rreth 30 m larg bregut ku rripi i ngushtë ujor midis bregut dhe ishullit është mbushur me dhe e gurë për të realizuar një lidhje tokësore me të. Ajo është një nga sarajet e shumta të strategut Ali pashë Tepelena, të cilat ai jo pa qëllim i ndërtonte në pika strategjike. Por kjo kala, qëndron në mes të detit dhe legjendës.

U ndërtua nga Ali Pasha si një dhuratë për një nga gratë e tij, Vasiliqinë, të cilën, sipas kronikanëve të kohës, pashai i Janinës e kishte shumë për zemër. Bukuria dhe madhështia e kësaj kalaje ka zënë vend në shumë libra kushtuar Ali Pashës. Për të, ashtu si dhe shumë të tjerë, ka shkruar dhe Aleksandër Dyma, autori i “Konti Monte Kristos”. /atsh/ KultPlus.com

Kanionet e Nivicës, pasuri natyrore e turizmit malor në jug të Shqipërisë

Kanionet e Nivicës janë një tjetër pasuri natyrore dhe destinacion turistik në vendin tonë.

Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi publikoi sot disa foto nga këto kanione, ndërsa nënvizoi se janë një mrekulli që duhet me patjetër të vizitohen nga turistët vendas e të huaj.

“Kanionet e Nivicës janë një mrekulli natyrore, dhe ndër kanionet më të bukura që kemi. Ato fillojnë në krye të fshatit Nivicë dhe kanë një gjatësi të përgjithshme rreth 7 km. Kanionet zgjerohen në drejtim të fshatit Lekdush, poshtë tij. Pjesa më e ngushtë e kanioneve shtrihet poshtë fshatit Nivicë me një gjatësi rreth 3 km. Gjerësia e kanioneve varjon nga 2-3 m në fillimet e tyre dhe vijnë duke u zgjeruar përgjatë rrjedhës me një gjerësi që shkon rreth 1000 metër. Rrjedha e ujit ka krijuar vaska uji, ujëvara e shpella interesante si psh : shpella me qiell”,- thekson Çuçi.

Kanionet ndodhen në afërsi të fshatit Nivicë të Tepelenës. Vizitohen sipas rrugës automobilistike Tepelenë, Progonat, Nivicë ose dhe nga bregdeti, duke u futur nga Lumi i Vlorës, Himara apo Borshi.

Kanionet e Nivicës janë një pasuri natyrore e turizmit malor në jug të Shqipërisë.  Adhuruesit e natyrës dhe aventurës, përveç bukurive që ofron bregdeti, mund të bëjnë edhe shëtitje malore në lartësitë e Nivicës, ku gjendet kanioni. Ky vend është një distancë jo e largët dhe gjendet vetëm pak kilometra nga deti, në një natyrë të mrekullueshme.

Kohët e fundit turistët aventurierë të sporteve malore dhe ujore kanë filluar t’i vizitojnë këto kanione dhe t’i prezantojnë ato në botën turistike nëpërmjet fotove e videove që realizojnë në to. / atsh / KultPlus.com

Plazhi i Krorëzës, një nga xhevahirët e Rivierës shqiptare


Plazhi i Krorëzës është një nga xhevahirët e shumtë e Rivierës shqiptare.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot disa foto nga ky plazh i mrekullueshëm, si ftesë për turistët të huaj dhe pushuesit vendas gjatë këtij sezoni turistik.

Plazhi i Krorëzës, i cili përbëhet nga dy pjesë të ndara me njëra-tjetrën nga disa shkëmbinj të vegjël, ndodhet ekzaktësisht midis plazhit të Shpellë-Lukovës (në veri të tij) dhe Gjirit të Kakomesë (që e ka në jug të tij).

Plazhi i Krorëzës është një plazh i virgjër, dhe e vetmja mënyrë për ta eksploruar dhe shijuar nga toka ose nga deti (me varkë).

Zona më e afërt e vendbanimit me plazhin e Krorëzës është fshati i Shën Vasilit, para se të shkoni në Sarandë nga rruga e Bregut./atsh/ KultPlus.com

Ujëvara e Sotirës në Gramsh, destinacioni i fundjavës

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka promovuar fshatin Sotirë të Gramshit, si një nga destinacionet turistike të verës 2020.

Ai shprehet se pranë këtij fshati ndodhet një prej ujëvarave më magjikë në Shqipëri dhe mjafton vetëm një orë e gjysmë hiking mes gjelbërimit për të mbërritur dhe shijuar pamjet e mrekullueshme që ofron natyra.

“Në fshatin Sotirë në Gramsh, ndodhet një prej ujëvarave më magjike në Shqipëri. Mjafton vetëm një orë e gjysmë hiking mes gjelbërimit për ta arritur atë. Terreni është i përshtatshëm për ecje dhe rruga është aq e freskët e plot burime ujore sa nuk do të ndihet lodhje. Planifikoni një piknik në lëndinën buzë ujëvarës së Sotirës mes natyrës së paprekur nga dora e njeriut dhe zhurmës karakteristike të ujit”, shprehet ministri Klosi duke ftuar që ta vizitojnë.

Kjo ujëvarë, e cilësuar edhe si “Niagara” e Shqipërisë e ka marrë emrin Sotirë nga fshati ku edhe ndodhet ujëvara. Ujëvara ka një lartësi rreth 100 metra dhe buron nga mali i Tomorrit.

Ka një bukuri mahnitëse që tërheq shumë vizitorë nga Shqipëria, por edhe turistë të huaj turistë që janë kurioz pas natyrës. z.tosku/ atsh/ KultPlus.com

“Syri i kaltër” parajsa natyrore në zemër të Shqipërisë, destinacioni i 7700 turistëve vendas e të huaj në qershor-korrik

“Syri i Kaltër” në Sarandë, i cilësuar si parajsa natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perla e turizmit veror ka tërhequr një numë të lartë turistësh gjatë muajve qershor dhe korrik.

Burimi karstik vetëm 22 kilometra në lindje të Sarandës edhe pse është një vend ku nuk mund të bësh plazh për shkak të temperaturave të ulëta të ujit, është sidoqoftë një vend ku mund të freskohesh gjatë ditëve të gjata nën diellin e nxehtë.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Nexhip Hysolakoj tha për ATSH-në se “Syri i kaltër” është një mrekulli natyrore befason turistët vendas e të huaj, të cilët edhe këtë vit, pavarësisht situatës nga koronavirusi kanë qenë të shumtë. Konkretisht gjatë muajve qershor-korrik këtë burim e kanë vizituar  kanë qenë 7700 turistë, ku shumica kanë qenë vendas, por nuk kanë munguar edhe të huajt si polakë, gjermanë, çekë, francezë, etj”.

“Ndërsa vetëm gjatë kësaj fundjave pati një fluks të shtuar të turistëve ku të shtunën ishin 352 dhe të dielën 640 turistë”, – tha Hysolokaj.

Turistët ndalen në këtë pikë turistike, fotografojnë, shijojnë ujin e burimeve që rrjedhin, si dhe gatimet në dy lokalet turistike që ndodhen në park. Nuk mungojnë edhe të rinjtë guximtarë që hidhen në ujin e ftohtë të burimit për t’u larë.

Turistët vendas e të huaj nuk harrojnë të blejnë edhe ndonjë suvenir në dy dyqanet që ndodhen në zonë, të cilat tregtojnë bluza me shqiponjën dykrenare, flamura, qilima, punime balte, etj.

Valbona, një 33 vjeçare nga Tirana shprehet për ATSH-në se “e vizitoj shpesh “Syrin e Kaltër”, sa herë që shkoj në Sarandë për pushime. Është një vend shumë i bukur që të ofron qetësi dhe të mahnit me bukurinë e tij sa herë e viziton”.

Ndërsa Mirsadi, një i ri nga Kosova, i cili nuk nguroi të zhytet në ujin e ftohtë të burimit u shpreh se “është hera e parë që e vizitoj “Syrin e Kaltër”. Kisha dëgjuar shumë nga shokët e mi që e kishin vizituar dhe nuk mund të ikja nga Saranda pa e parë nga afër. Uji ishte shumë i ftohtë, por ishte bukur të zhyteshe në kaltërsinë e tij”.

“Kur të vij vitin tjetër për pushime do të kthehem sërish”, – shprehet Mirsadi.

Syri i Kaltër është burimi më i madh dhe më i bukur i Shqipërisë, që gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij arrin deri në 45 metra.

Syri i Kaltër është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm. Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra. Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart si në një kazan që sapo ka filluar të vlojë ka një ngjyrë blu në të zezë. Ajo vjen e rrethohet pastaj nga pjesa e kaltërt e syrit që bëhet e tillë ngaqë thellësia e burimit aty është më e pakët.

Sipas legjendës në këtë zonë jetonte një kuçedër, një krijesë madhështore dhe e frikshme që rrëmbente vajzat, dhe ndalte ujin duke ua bërë tejet të vështirë jetën banorëve. Askush nuk po mund ta vriste këtë përbindësh derisa një ditë një plak i mençur thonë se ngarkoi gomarin e tij me ashkë të ndezur, të cilin kuçedra e gëlltiti me një frymë por ashka e dogji përbrenda dhe nuk mundi të mbijetonte. Por legjenda thotë se nga syri i këtij dragoi buroi ky ujë i kulluar që vazhdon të rrjedhë sot e kësaj dite dhe mban emrin Syri i Kaltër./atsh/ KultPlus.com

Liqeni i Dushkut, peizazhi mahnitës që tërheq turistët

Liqeni i Dushkut ose siç njihet ndryshe liqeni i Zambakëve, i ndodhur në afërsi të fshatit Lenie, Gramsh në lartësinë 1105 m mbi nivelin e detit, është kthyer në një destinacion turistik vitet e fundit.

Kryeministri Edi Rama në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur” publikoi sot fotografi nga liqeni i Dushkut, duke ftuar turistët ta vizitojnë atë.

Liqeni i Dushkut përfaqëson një liqen akullnajor me gjatësi rreth 800 m dhe gjerësi 400 m. Ka botë të gjallë të pasur, në të cilën dallohen sidomos zambakët e mëdhenj të ujit që njihen ndryshe si simboli i jetës, pasionit, dashurisë dhe pastërtisë. Gjenden edhe lloje të ndryshme peshqish, të cilët japin një shfaqje të mrekullueshme teksa shfaqen dhe zhduken përsëri pas zambakëve.

Duket sikur këtë liqen e ruajnë shumë mirë dhe i japin pamje akoma dhe më të bukur pishat të cilat gjenden në një sipërfaqe rreth 12 ha duke formuar një ekosistem tepër interesant liqenor e pyjor.

Periudha e pranverës dhe e verës janë më të përshtatshme për të vizituar këtë mrekulli natyrore./atsh/ KultPlus.com

Bukuritë e trevës “Ura e Halilajve”, zona shkëmbore për të mos u humbur nga vizitorët

Bashkia e Klosit fton qytetarët, turistë vendas dhe të huaj të vizitojnë një nga qendrat urbane që ofron bukuri natyrore si Ura e Halilajve.

Për këdo që viziton Klosin, nuk duhet humbur peizazhi që shfaqet te “Ura e Halilajve”.

“Ura e Halilajve” gjendet në fshatin Dars. Kjo urë është ngritur në një vend shkëmbor mbi dy brigje të lartë e formuar me hark. Harku i urës ka një gjatësi prej 15 m, gjerësia midis dy këmbëve të saj është 11 m, kurse lartësia nga pasqyra e ujit arrin 9 m. Traseja e rrugës ka një gjerësi 2. 6 m dhe është e shtruar me gurë e pllaka gurësh lumi.

“Ura e Halilajve” thuhet se është ndërtuar nga një pjesëtar i fisit Halili. Kjo urë është ndër urat më të vjetra që gjenden sot të padëmtuara në Mat e që është shpallur monument kulture.

Po ashtu në Klos gjendet dhe “Ura e Allamani” dhe “Ura e Vashës” që është një kryevepër e inxhinierisë dhe nga më të rrallat në vend dhe i përket shekullit XVIII.

“Ura e Vashës”, ndodhet mbi lumin Mat mes Klosit dhe fshatit Guri i Bardhë që shoqërohet nga një shpat malor dhe ndodhet pranë Rrugës së Arbrit, kjo urë bart vlera të mëdha historike  në një peizazh të mrekullueshëm natyror.

Por nuk janë vetëm urat që ofron Klosi. I shtrirë buzë lumit Mat, zona ka bukuri të jashtëzakonshme ku mund të bësh plazh dhe pushosh në ujërat e kthjellta të lumit Mat, apo mund të bësh alpinizëm duke ngjitur shpate malorë në të dy anët e Klosit./ atsh/ KultPlus.com