“Bregdeti i Orikumit është një tjetër destinacion turistik. Qyteza antike e Orikut është vlerë e jashtëzakonshme me interes për turistët, të cilët mund të njihen edhe me gërmimet e reja të realizuara së fundi”, është shprehur sot deputeti socialist, Damian Gjiknuri, i cili ka publikuar një video nga qyteza antike e Orikut.
Arkeologia Dorina Gjergji shprehet se gërmimet e para në qytetin antik të Orikumit kanë filluar në vitet 1958-1960.
“Ka qenë një bashkëpunim midis Institutit të Arkeologjisë shqiptare me atë sovjetike. Në fillim në vitet 50-60 u zbulua pjesa gjysëm harkore dhe për gati 50 vjet të gjithë arkeologët kanë menduar që kishim të bënim me një teatër. Por në vitin 2008 nisin gërmimet përsëri në këtë qytet antik. Gjatë gërmimeve arkeologjike vumë re që në fakt nuk kemi të bëjmë me një teatër, sepse kjo pjesa gjysëm harkore nuk ka një shkallare. Dhe gjatë gërmimit të 2013 dhe më pas në 2018 dhe 2019 u zbulua dolën në pah 2 kanale, duke treguar që kemi të bëjmë me një cisternë”, thekson ajo.
“Për portën veriore të qytetit antik të Orikut flet edhe Cezari në ditarin e tij në luftën civile midis tij dhe Pompeut, i cili tregon që qyteti antik i Orikumit ka qenë shumë mirë i fortifikuar. Në vitin 1990 Vasil Bereti nis gërmimet në qytetin antik të Orikumit dhe zbulon dy banesa karakteristike të këtij qyteti antik dhe shkallët e këtij qyteti”, thotë ajo.
Afër Orikumit, në kufi me Dukatin, mes fushës përpara Karaburunit, gjendet Kisha e Marmiroit. “Disa historianë e emërtojnë kishën me emrin e Shën Marisë, kjo si pasojë e faktit që në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe sidomos në territorin e Shqipërisë jugperëndimore, pjesa më e madhe e manastireve njihen me emrin e Shenjtores Shën Maria. Por kjo kishë njihet me emrin kisha e Marmiroit, një emër i marrë nga gurorja e antikitetit”, shprehet ajo./ atsh/ KultPlus.com
Kalaja e Kaninës, 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës është kthyer vitet e fundit në një destinacion për turizmin kulturor dhe historik.
E cilësuar si një nga objektet më të njohura të trashëgimisë kulturore e historike në Vlorë e më gjerë, historia e ndërtimit të kalasë që nis prej shekullit IV p.e.s, përcjell periudhat e antikitetit dhe të Mesjetës (kronologjikisht bizantine, veneciane, turke), së bashku me teknikat respektive të ndërtimit.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, në një video të publikuar me pamje nga kalaja e Kaninës fton turistët vendas e të huaj ta vizitojnë atë.
Sipas Lelit, kjo kala përbën një atraksion të jashtëzakonshëm për turizmin historik e kulturor, në Vlorë.
Kastriot Hoxha, ciceroni i kalasë shprehet se “kalaja është në një fushë të rrethuar me mure dhe përballë saj është deti, që duket si në pëllëmbë të dorës. Këto kanë qenë sarajet e pashallarëve të Kaninës”.
Sipas tij, Sulejmani i madhërishëm e ka vizituar Kaninën dhe ka lënë porosi ta kenë kujdes atë.
“Kjo është pika ku dashur pa dashur të gjithë vizitorët qëndrojnë dhe shikojnë fshatin, ata mahniten nga bukuria . Në kala është edhe teqeja, më parë në vend të saj ka qenë një kishë dhe me ardhjen e Sulejman Pashait, admirali i madh e ktheu në teqe”, – tha Hoxha.
Ai tregon se Ernest Koliqi kur e pa për herë të parë Kaninën nga mali i Shashicës ka thënë: Për Kaninën Perëndia kur e pa si diell mbi det tha, “nuk është nga veprat e mia këtë mrekulli dikush tjetër e ka bërë””.
Kalaja e Kaninës është vizituar nga Sulejmani i Madhërishëm, ndërkohë që simbolika e saj, merr dimensione të tjera me emrat e Gjergj Arianitit, Donika Kastriotit, pashallarëve të famshëm protagonistë të fazave të ndryshme të Perandorisë Turke, Ismail Qemalin etj.
Struktura e ndërtimit të saj, evokon ngjashmëri me objekte të tjera si kalatë e Beratit, Durrësit etj. Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3,6 hektarësh. Prej këndej hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit të saj.
Në këtë zonë, ngrihet një kodër në të cilën gjenden rrënojat e një qyteti të vjetër, atij të Kaninës. Këtu lugina e Lumit të Vlorës shtyhet deri në rrëzë të kodrës duke e lehtësuar tepër lidhjen e zonës bregdetare me atë të thellë.
Vizitorë të shumtë që pushojnë gjatë verës në gjirin e Vlorës, vizitojnë edhe kalanë e Kaninës. /atsh/ KultPlus.com
“10 vende përrallore për të cilat s’keni dëgjuar kurrë, në një shtet për të cilin mendoni rrallë” – kështu e ka titulluar shkrimin faqja e njohur turistike fodors.com, e cila më tej vazhdon:
“Nëse jeni duke kërkuar për foto mbresëlënëse dhe një ambient të mrekullueshëm, shikoni qytetet dhe fshatrat me pamje magjike të Shqipërisë.”
Fodors.com ka renditur disa nga vendet më të bukura të Shqipërisë që sipas saj ia vlen të vizitohen nga turistët e huaj. Sipas kësaj faqeje, këta janë disa nga qytetet dhe fshatrat më piktoreskë në Shqipëri.
Berati: Qyteti i një mbi një dritareve
Duke qëndruar në një mjedis të thyer malor, Berati ka fituar titullin “Qyteti i një mbi një dritareve” për numrin e madh të dritareve në kodrën e pjerrët përreth qytetit të vjetër. Në vitin 2008, qyteti është renditur si vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për shtëpitë e stilit osman dhe atmosferën e përrallave. Tre lagjet e vjetra në Berat – Kalaja, Mangaleni dhe Gorica shfaqin banesa tradicionale me mure të bardha, çati me pllaka dhe rrugë me kalldrëm, që krijojnë një imazh ikonik të qytetit të njohur për pamjen e tij magjike. Berati ende ka shembuj të jashtëzakonshëm të arkitekturës së vjetër që shkojnë nga lagjet historike rrëzë malit deri në kështjellën në kodër.
Qyteti i Krujës: Kryeqyteti mesjetar i Skënderbeut
Kruja, një qytet shumë i vogël jo larg Tiranës, është vendlindja e heroit kombëtar Skënderbeut, mbi 500 vite më parë. Stendat e pazarit të vjetër janë të mbushura me vepra antike dhe artizanale, tradicionale të punuara me dorë, që drejtojnë rrugën e cila të çon deri në portat e kalasë. Në pjesën e vjetër të qytetit, shtëpitë qëndrojnë rrëzë një mali ku mbizotërojnë rrënojat e një kështjelle antike me pamje nga lugina. Merlika është një nga shtëpitë e vjetra në Krujë dhe ka ruajtur stilin e mrekullueshëm osman. Këtu mund të qëndroni në apartamente luksoze, të hani darkë duke parë zjarrin që digjet në një sobë mesjetare ose të admironi një muzg të paharrueshëm në tarracën e jashtme.
Gjirokastra: Qyteti i gurtë
Gjirokastra u shpall qytet muze në vitet ’60 dhe fitoi titullin “Qyteti i Gurtë” për qindra ndërtesa të ndërtuara me gurë. Ky qytet renditet gjithashtu si një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Përveç një pazari shumë aktiv në stilin osman në qendër, ndodhen shtëpi me dy kate, me çati të bardha dhe ka një atmosferë të mrekullueshme. Dikush mund të endet në rrugët e pjerrëta të shtruara me gurë gëlqerorë me orë të tëra dhe të vizitojë disa shtëpi tradicionale.
Thethi: Udhëtimi si në përralla nëpër Alpet Shqiptare
Thethi është një fshat malor në kullotat e larta të Alpeve Shqiptare në veri të vendit. Fshati është i rrethuar nga një mjedis romantik, kreshta malesh të dhëmbëzuara, ujëvara dhe burime malore të pacënuara. Udhëtimi për të arritur këtu është mjaft aventuresk. Për të plotësuar këtë mjedis përrallor, akomodimi dhe ushqimi janë në dispozicion vetëm në shtëpi të ndërtuara me gur vendas, të drejtuara zakonisht nga familje të tilla si “Shpella Guesthouse”.
Valbona: Pushim në Alpet Shqiptare
Fshati i vogël i Valbonës është i vendosur në një peizazh të mrekullueshëm rrëzë maleve, në një kullotë të gjerë të rrethuar nga maja malesh. Është një nga vendbanimet më të largëta në vend dhe mund të mbërrini aty përmes luginës së Valbonës. Pavarësisht vendndodhjes së izoluar, ajo ruan një romancë të pakrahasueshme dhe një atmosferë unike dhe paqësore. Valbona lidhet me Thethin përmes një shtegu malor spektakolar.
Korça: Qyteti i serenatave
I njohur si “Qyteti i serenatave”, Korça ndodhet në pjesën juglindore të vendit, shumë afër liqenit të famshëm të Ohrit. Qendra e qytetit ka pësuar rinovim urban dhe tashmë është një vend i bukur për të shëtitur dhe admiruar trashëgiminë vendase, veçanërisht lagjen e vjetër me kafene tradicionale dhe restorante elegante. Gjithashtu, lagjet në qendër të qytetit kanë sheshe piktoreske, shtëpi të bardha dhe oborre komode.
Dhërmi: Fshati midis detit dhe maleve
Dhërmiu është i famshëm për plazhet dhe baret në bregdet. I mbizotëruar nga një manastir i vjetër magjik, fshati ka rrugë të ngushta gjarpërushe, të shtruara me kalldrëm dhe shtëpi të lara me të bardha, me oborre të vogla me hardhi. Dhërmiu është pa dyshim një nga fshatrat më të bukur shqiptarë, ku natyra dhe arkitektura lokale plotësojnë festivalet e plazheve dhe pushimet bregdetare.
Himarë: Fryma mesdhetare e qyteteve të vogla
Ndryshe nga riviera e qytetit, fshati kodrinor dhe kështjella nuk janë të mbushura me vizitorë. I ngritur mbi një shkëmb të pyllëzuar lart mbi bregdet, fshati i vjetër ka frymën mesdhetare të qyteteve të vogla të detit Jon, një kështjellë të rrënuar me pamje të mrekullueshme të detit dhe rrugicat tërheqëse të mbuluara nga lule rozë.
Vuno: Fshati tipik bregdetar
E vërteta është se është një fshat i lezetshëm, me rrugica të ngushta, pamje të detit dhe një vend intrigues për pikat më fotozhenike të rivierës. I ndërtuar në një shpat mali, ai ka një pamje unike me shtëpi të vogla majë kodrës.
Preza: Fshati në kala
Preza është një fshat i vogël në pjesën qendrore të Shqipërisë, shumë afër aeroportit të Tiranës. Aty ndodhet një kështjellë kodrinore me mure fortifikuese, një xhami antike dhe disa ndërtesa mesjetare. Aty ndodhet një restorant elegant me një tarracë me pamje panoramike. / Ndertiminfo/ KultPlus.com
Administrata e Zonave te Mbrojtura Elbasan soli sot në vëmendje 3-vjetorin e Rrajcës në Unesco.
Rrajca është një destinacion i preferuar i turistëve vendas dhe të huaj sepse ofron bukuri të jashtëzakonshme natyrore.
Rrajca ka 2129.5 ha zona strikte, 2509.85 zona buferike. Në 7 korrik 2017, në Sesionin e 41-të i Komitetit të Trashëgimisë Botërore, i mbledhur në Krakovë, Poloni u miratua zgjerimi i zonës së Trashëgimisë Botërore të pyjeve të vjetër të Ahut (Fagus sylvatica, L.) edhe me dy zona nga Shqipëria, duke i përfshirë ato në Listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s.
Ky zgjerim ndërkufitar i siteve të Trashëgimisë Botërore të pyjeve primar të Ahut të Karpateve dhe pyjeve të Ahut të Gjermanisë (Gjermania, Sllovakia, Ukraina) shtrihet në 12 vende.
Që nga fundi i epokës së fundit të akullnajave, Ahu evropian u përhap nga disa strehime të izoluara në Alpe, Karpate, Mesdhe dhe Pirene, për një periudhë të shkurtër prej disa mijë vitesh në një proces që është ende në vazhdim.
Ky zgjerim i suksesshëm lidhet me fleksibilitetin e llojit dhe tolerancën e kushteve të ndryshme klimatike, gjeografike dhe fizike.
Pyjet primar të Ahut të Karpateve dhe në rajonet e tjera të Evropës (Shqipëri, Austri, Belgjikë, Bullgari, Kroaci, Gjermani, Itali, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Ukrainë), përfshihen në Listën e Trashëgimisë Botërore, të UNESCO-s.
Rrajca, një fshat në lartësitë e Librazhdit pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik Jabllanicë, po kthehet çdo vit e më tepër një atraksion i fuqishëm turistik. Brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore të vogla me bukuri madhështore, të cilat ndodhen në një lartësi mbi 1900 metra mbi nivelin e detit.
Janë Liqenet akullnajore të Rrajcës, pjesë e këtij Parkut, që e bëjnë Rrajcën një nga destinacionet e veçanta turistike natyrore që mund të eksplorohen në çdo stinë. /atsh/ KultPlus.com
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi sjell pamje fantastike të Ujëvarës së Sotirës dhe bukuritë natyrore që ka parku i Tomorit.
Klosi fton pushuesit dhe turistët që të vizitojnë këtë destinacion fantastik turistik.
“Nga burimet e ujit të Malit të Tomorit krijohet Ujëvara e Sotirës. Një atraksion turistik, që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë e pushues”, shprehet Klosi.
Ujëvara e Sotirës ndodhet rreth 60 kilometra larg Gramshit dhe për të arritur në zonën e ujëvarës duhet të ecësh rreth dy orë në këmbë nga fshati Sotirë, nga ku ka marrë emrin ujëvara.
Ujërat burojnë nga mali i Tomorit dhe zbret nga një lartësi prej 100 m. Në verilindje të Tomorit, ndodhet një burim i fuqishëm që vjen nga një e çarë gjatësore në shkëmbin gëlqeror të thepisur. Peizazhi i shpatit ku uji del, në mes të pyjeve e pemëve të lisit është i mrekullueshëm. Zhurma e ujit mund të dëgjohet shumë larg.
Kjo ujëvarë tashmë është kthyer në një vend pelegrinazhi për turistët vendas dhe të huaj. Çdo fundjavë ajo pret me qindra vizitorë.
Ujëvara e Sotirës është vizituar nga qindra turistë këtë vit pas pandemisë dhe fluksi vazhdon të rrite me rritjen e temperaturave në sezonin e verës pasi natyra e bukur e Tomori ofron jo vetëm freski, por bukuri të rralla natyrore, ecje në këmbë në shtigje malore, bimësi të harlisur dhe vendpushime të mrekullueshme për kampingje malore./ atsh/ KultPlus.com
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ftoi qytetarët të shtojnë Dibrën në listën e destinacioneve ku ata do të udhëtojnë këtë verë, pasi kjo zonë përbën një nga rajonet më të bukura të turizmit malor.
Në kushtet e kufizimit të lëvizjeve si masë mbrojtëse ndaj COVID-19, qytetarët mund t’u drejtohen zonave të vendit që duhen zbuluar si destinacione turistike.
Klosi u sugjeron pushuesve ta zgjerojnë listën e vendeve që duhen vizituar edhe me Dibrën, pasi ofron një vend me natyrë të jashtëzakonshme, ajër të pastër, një vend piktoresk dhe kuzhinë tradicionale.
“Diçka që duhet ta shtoni medoemos në listën e planeve tuaja: Të zgjoheni në ajër të pastër duke shijuar pamjen e vargmalit më të lartë në vendin tonë, të zbuloni peizazhet piktoreske e më tej të ktheheni të shijoni një pjatë të shijshme me Jufka, të gatuar nga banorët e zonës, teksa ju flasin për zakonet e traditat e tyre. Ku? Në Dibër, një thesar natyror që ka kaq shumë për t’ju dhënë”, shprehet Klosi.
Dibra ka malin e Korabit, luginën e Drinit dhe Lurën me liqenet e saj me bukuri të jashtëzakonshme, vargmale dhe pllaja pa fund një vend që duhet të vizitohet pasi u ofron shumë pushuesve. /atsh/ KultPlus.com
Një grup alpinistësh nga qytete të ndryshme të vendit vizituan fundjavën që lamë pas bjeshkët e Kukësit, duke u ndalur në Çajë dhe Radomirë, ku shijuan bukuritë magjepsëse të natyrës dhe ushqimin tradicional të zonës.
Ermal Hallaçi, guidë turistike në qarkun e Kukësit tha për ATSH-në se “udhëtimi ynë dy ditorë në bjeshkët e Kukësit filloi nga Ujëmbledhësi i Novosejt ose siç njihet ndryshe nga banorët Liqeni i Novosejit në drejtim të majës së Kallabakut. Shtegu është shumë i përshtatshëm për çdo grupmoshë”.
“Nëse ke mundur të shkosh deri tek maja e Kallabakut, vështron një peizazh mahnitës, i cili nuk është gjë tjetër vetëm një vallëzim i Alpeve të Sharrit dhe Korabit”, – thotë Hallaçi, i cili ka shoqëruar vitet e fundit qindra alpinistë në pikat turistike të Kukësit.
Bjeshkët e Cajës mes livadheve alpine plot lule shumëngjyrëshe kanë një pamje të mrekullueshme, ndërsa rreth e përqark tufat e deleve rudë dhe kuajve që kullotnin e bënin edhe me të bukur pamjen.
Rrugës alpinistët u takuan edhe me Ardianin, një banor i zonës, i cili ka ngritur edhe një bujtinë në fshatin Cajë ku mund të shijosh gatimet tradicionale të zonës.
Hallaçi shprehet se “pas një pushimi prej 20 minutash filluam udhëtimin drejt Çajës, ku për të arritur na duheshin edhe 2h e 30 min. Arritëm në fshat, ishim të parët vizitorë për këtë vit që shkonim në këtë fshat bujarë dhe mikpritës dhe optimistë për të ardhmen e vendit U akomoduam në një shtëpi pritëse të Ardian Musajt në Çajë”.
Sipas tij çajanët janë të njohur në zonën verilindore për blegtorë të zotë, ku sot zona numëron rreth 4000-5000 krerë delesh.
Ardiani thotë se “blegtoria këtu është biznesi më fitimprurës. Ushqimi është i zonës me gatime tradicionale si byrek, mish qingji, kos dele, ndërsa në vend të birrës apo pijeve me gaz ofrojmë dhallë”.
Në ditën e dytë të udhëtimit të apasionuarit pas alpinizimit u drejtuan drejt fshatit Radomirë, që ndodhet rrëzë Korabit .
“Zgjimi u bë herët për të shmangur temperaturat dhe diellin gjatë turit. Mëngjesi jashtë pranë bujtinës me kafe turke dhe çaj boronice bio, pasi zona ka një sasi të madhe boronicë. U bëmë gati për ecje drejt Radomirës një udhëtim shumë i gjatë prej 6 orë ecje”, tregon Kledina Skendo nga Tirana, e cila ka vizituar për herë të parë bjeshkët e Kukësit.
Ajo shton se kaluam në shtegun mes luginave dhe përroit që rridhte nga bjeshkët drejt Radomirës, ndërsa ndaluam tek ujëvara e Çajës, që të mahniste me bukurinë e saj dhe më pas u drejtuam drejt Radomirës .
Një tjetër alpinist Afrim Tahiraj tha se “gjatë rrugës na u shfaq edhe pamja më e bukur e udhëtimit Mali i Korabit, më i larti në Shqipëri” .
Ermal Hallaçi, guida turistike thotë se “banorët që takonim në rrugë, çobanë na thanë që muaji qershor -shtator është koha ideale të shkelur këto pamje dhe bukuri natyrore”.
“Pas 6 orë ecjesh mbërritëm nga mesdita në Radomirë duke e mbyllur këtë tur 2-ditorë dhe duke shijuar bjeshkët e mrekullueshme të Çajës dhe Radomirës”, thekson Hallaçi.
Kukësi me bukuritë natyrore që e rrethojnë dhe monumentet e kulturës është kthyer në një destinacion turistik si në dimër edhe në verë. Të shumtë janë turistët vendas e të huaj, të apasionuar pas ngjitjeve në mal, që kanë shijuar vitet e fundit bukuritë e bjeshkëve. Një ndër destinacionet më kryesore për këtë 9-mujor është parku natyror Korab-Koritnik.
Një mrekulli pak e njohur është edhe shpella e Jezinës, e ndodhur në afërsi të fshatit Bele-Kukës. Të frekuentuara janë edhe pikat turistike, si Sasati, Kroi i Kuq, Kroi i Bardhë që kanë nisur të vizitohen jo vetëm gjatë verës, por edhe gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit./atsh / KultPlus.com
Ndërsa pandemia e koronavirusit paralizoi udhëtimin global, flukset turistike janë përgjysmuar në katër muajt e parë të këtij viti, zbuloi Organizata Botërore e Turizmit e KB (UNWTO).
Në vend që të ishte një sezon i lulëzuar i turizmit, Prilli ka rezultuar të jetë një katastrofë, me ardhjet ndërkombëtare duke rënë 97 përqind, sipas vlerësimeve të UNWTO. Kjo është mbi 40 përqind më shumë sesa rënia e Marsit.
“Midis janarit dhe prillit 2020, ardhjet e turistëve ndërkombëtarë ranë me 44%, duke u përkthyer në një humbje prej rreth 195 miliardë dollarë në faturat ndërkombëtare të turizmit,” tha agjensia.
Duke vlerësuar ndikimin e mundshëm ekonomik nga pandemia, UNWTO më parë tha se kufizimet e udhëtimit mund të zhdukin midis 910 miliardë dhe 1.2 trilion dollarë në të ardhura për sektorin e turizmit dhe të krijonin deri në 120 milion vende pune në rrezik. Ndërsa përcaktoi tre skenarë të mundshëm, edhe sipas më të mirave të tyre, turizmi ndërkombëtar pritet të bjerë 58 përqind nga viti në vit.
“Rënia e papritur dhe masive e numrit të turistëve kërcënon vendet e punës dhe ekonomitë. Prandaj është jetike që rifillimi i turizmit të bëhet përparësi dhe të menaxhohet me përgjegjësi, ”tha Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO, ზურab Pololikashvili.
Në një raport tjetër të botuar të martën, agjensia e KB vuri në dukje se ndërsa kriza nuk ka mbaruar, sektori me probleme po fillon ngadalë, pasi vendet po heqin ose të paktën duke lehtësuar kufizimet. Sipas të dhënave të tij, numri i destinacioneve në të gjithë globin pak a shumë të disponueshëm për udhëtime arriti në 22 përqind në mes të qershorit nga vetëm tre përqind e një muaj më parë. /Konica.al /KultPlus.com
Shqipëria e cilësuar si perla e Ballkanit njihet për bukuritë e zonave bregdetare dhe malore, që gjithnjë e më shumë po tërheqin turistët vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje nga vendet më të bukura të Shqipërisë, nga veriu në jug.
“Me disa imazhe perla të Shqipërisë, të cilat edhe me kushtet e pamundësisë për të lëvizur lirisht jashtë uroj të keni kohë e mundësi për t’i vizituar këtë verë”, – shprehet Rama.
Në videon promovuese me sloganin “Unë rri në shtëpi”, thuhet se “sekreti i fundit i Europës ka ende shumë për të zbuluar, edhe për ne që jetojmë këtu. Këtë verë e cila do të jetë pak më ndryshe nga të tjerat ashtu siç qëndruam në shtëpi për të mbrojtur familjet tona le të zgjedhim të qëndrojmë në vendin tonë dhe ta kthejmë këtë situatë në një mundësi për të zbuluar më shumë natyrën shqiptare, vendet më të bukua ato të pazbuluara ende, historinë dhe traditat dhe për të mbështëtur të gjithë ata që punojnë në sektorin e turizmit. Bashkohu me nismën “Unë rri në Shqipëri” dhe fillo të bësh planet afër teje dhe ato më të largëtat., ku mund të udhëtosh , të zbulosh, të shijosh, të festosh shqip”.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.
Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor./atsh/ KultPlus.com
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi ka pritur në takim ministrin e Turizmit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosin, së bashku me kryetarin e Shëngjinit dhe Vlorës.
Krasniqi tha se me ministrin e turizmit të Shqipërisë diskutuan për fillimin e sezonit turistike në korrik dhe njoftoi për një platformë të përbashkët turistike.
“Sot ndihem jashtëzakonisht i nderuar për vizitën e institucioneve nga Shqipëria. Diskutuam lidhur me turizmin e dyja shteteve mundësit e bashkëpunimit në të ardhmen. U dakorduam në fillim të korrikut të bëjmë hapjen e sezonit të verës”.
“Në fund të nëntorit të bëjmë hapjen e sezonit dimëror në Kosovë, u pajtuam një platformë të përbashkët të të dyja vendeve”, tha Krasniqi.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit së Shqipërisë, Blendi Klosi, tha se me këtë platformë të përbashkët duan të dalin me një ofertë jo vetëm për shqiptarët e të dyja vendeve, por edhe për turistët nga vendet e tjera.
“Si një promotorë të jashtëzakonshëm të ekonomisë së shqiptarisë, deti shqiptarë është i të gjithë shqiptarëve alpet janë të përbashkëta e si e tillë do të jenë në një platformë të përbashkët. Diskutuam për një platformë të përbashkët turistike, një ofertë për vendet tjera e sidomos për vendet e largëta”.
Ministri Klosi tha se të dyja vendet e dëshmuan se sistemi shëndetësorë mund ta luftoj Coronavirusin, dhe me këtë garantoi për siguri shëndetësore, raporton EO.
“Me dy bashkitë do të donim të ftonim të gjithë qytetarët të vazhdojnë të jenë turistët më të mirë që Shqipëria ka, në Shqipëri dëshmuam ashtu si në Kosovë se sistemet shëndetësore ia dolën dhe mund të garantojmë një siguri shëndetësore por që rekomandimet do të zbatohen në rigorozitet”, tha Klosi.
Klosi premtoi që në Shqipëri do të ketë ulje çmimesh gjatë kësaj sezonit turistik.
“Nuk ka shancë të ketë rritje çmimesh, do të kemi ulje çmimesh”, tha ai. /gazetaexpress/ KultPlus.com
Plazhet dhe hotelet në Shqipëri po hapen dita-ditës në mënyrë të sigurt, thuhet në një video të transmetuar nga agjencia franceze e lajmeve, AFP.
”Muajt e fundit që kemi qenë të mbyllur, jemi ndjerë si në kafaz. Tashmë ndihemi sikur jemi liruar dhe po shijojmë çdo moment”, thotë një turiste nga Kosova.
Turistët po kthehen dalëngadalë në plazhet e Shqipërisë.
Muaj me radhë në izolim kanë shkaktuar humbje për bizneset lokale.
”Duke analizuar situatën e vështirë, i jemi drejtuar tregut ballkanik. Shumë pushues që kanë ardhur për momentin janë nga Kosova, Mali i Zi dhe sigurisht nga Shqipëria”, thotë një operator turistik.
Për shkak të vijës së saj të gjatë bregdetare, Shqipëria ofron plazhe të mrekullueshme nga veriu në jug si Velipoja, Shëngjini, Durrësi, Vlora, Himara dhe Saranda./ atsh/ KultPlus.com
Qyteti antik i Albanopolisit është lënë në harresë prej dekadash. Ndonëse ai ndodhet në rrugën nacionale Krujë-Fushë Krujë, ky qytet antik nuk ndodhet në guidat turistike që ngjiten deri në Kalanë e Krujës. Së fundmi Bashkia e Krujës, së paku ka kositur barin, shumë pak për një monument të tillë të trashëgimisë kulturore.
Albanopolis, qyteti antik shtrihet ndërmjet rrugës nacionale Krujë-Fushë-Krujës, por nuk ndodhet në asnjë guidë turistike.
“Kushti që është tani nuk afron thuajse asgjë përveç ca tabelave turistike që janë vendosur”, tha Zëdhënësi i Bashkisë Krujë, Drini Masha.
Bashkia e Krujës thotë se ka nisur pastrimin e ferrave dhe heqjen e gardhiqeve.
“Kemi nisur aksionin e pastrimit. Të çfarëdolloj zaptimi që ka në qytetin e vjetër ilir. Ky është hapi i parë për ta kthyer në një zonë të mirëfilltë turistike”, u shpreh Masha.
Ndër vite banorët e fshatit Zgërdhesh kanë dëmtuar monumentin e kulturës duke hequr gurët e kalasë.
“Ka shumë vite e dekada që është lënë në harresë. Nuk ka munguar edhe prezenca e atyre personave që në thonjëza e kishin privatizuar qytetin antik”, shtoi ai.
Albanopolis është ndërtuar në shekullin 7-6 para erës sonë dhe ishte qendra e fisit Ilir me emrin Albane. Edhe atyre pak vizitorëve që shkojnë në Albanopolis nuk u ofrohet asnjë shërbim. /Shqiptarja.com / KultPlus.com
Kalaja e Bashtovës, një monument kulture i ndërtuar në shekullin XV, me vlerat e saj historike dhe bukurinë natyrore fton turistët ta vizitojnë.
E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, nga muret e kalasë mund të vëzhgosh bregdetin si në pëllëmbë të dorës, që nga Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka publikuar një video me pamjet mahnitëse të kësaj kalaje, që ndryshe nga të gjitha kalatë e tjera, veçantinë e saj e ka së është ndërtuar në fushë.
“Kalaja e vetme në Ballkan në fushë. Me bukuritë natyrore dhe vlerat historike, ju pret ta vizitoni dhe shijoni”, shprehet ministri Klosi.
Kalaja e Bashtovës ndodhet në njësinë administrative Gosë, pjesë e bashkisë Rrogozhinë, me ndarjen e re administrative. Këtu ndahet territori i qarkut të Tiranës me atë të Fierit.
Për herë të parë, kalaja haset në një hartë detare të vitit 1521.
Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.
Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Kalaja e Bashtovës është një monument kulture me vlerë që ju do ta gjeni vetëm disa kilometra jashtë Kavajës dhe që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit.
Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve. / atsh / KultPlus.com
Në Fletoren Zyrtare është botuar sot Akti Normativ i miratuar në Këshillin e Ministrave, sipas të cilit pushimet e prenotuara përpara gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duhet të përmbushen nga agjencitë apo operatorët turistikë brenda një viti nga dita e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha sot se “ky Akt Normativ shkon në interes të qytetarëve, në sinkron me vendimet e shtetet e Bashkimit Europian dhe çdo vendi të zhvilluar turistik. Ky vendim shkon drejtëpërdrejtë në të drejtën e qytetarëve për të marrë shërbimin e prenotuar brenda vitit”.
Me propozimin e ministrit Klosi, ky Akt Normativ i miratuar nga qeveria ka për objekt përcaktimin e masave të veçanta që do të merren në sektorin e turizmit, për agjencitë e udhëtimit, operatorët turistikë dhe klientët e tyre, në ofrimin e një shërbimi udhëtimi, nga dita e shpalljes deri në përfundim të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID-19.
Ky akt normativ ka për qëllim mbështetjen e sektorit të turizmit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke ofruar një balancim dhe siguri ekonomike në funksion të përmbushjes së kërkesave të klientëve, në një mjedis të sigurt, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID-19.
“Operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, të cilët, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose si ndërmjetës, kanë marrë përsipër t’u ofrojnë klientëve çdolloj shërbimi udhëtimi apo një sërë shërbimesh të tjera ndihmëse, dhe këto shërbime janë të parapaguara ose të rezervuara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përjashtimisht detyrimeve të parashikuara shprehimisht në kontratë, të kryejnë rimbursimin e tyre, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ”, sqarohet në Aktin Normativ.
Ndërkohë që operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, që kanë lidhur kontrata ndërmjetësimi për shitjen e shërbimeve të ofruara nga furnizuesit e shërbimeve të udhëtimit me klientin dhe këto shërbime janë të parapaguara ose të rezervuara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përjashtimisht detyrimeve të parashikuara shprehimisht në kontratë, të kryejnë rimbursimin e tyre, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij Akti Normativ.
Klienti i një pakete udhëtimi apo dokumenti udhëtimi, nga/apo nëpërmjet agjencive të udhëtimit ose operatorit turistik, për shërbimet e udhëtimit të parapaguara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përjashtimisht detyrimeve të parashikuara shprehimisht në kontratë, përfiton rimbursimin e tyre brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij Akti Normativ.
“Në rast të pamundësisë së realizimit të kontratave të transportit të klientëve me mjetet e transportit ajror, si pasojë e masave kufizuese të ndërmarra për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID-19, nga/dhe aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë, transportit detar nga të gjitha portet në vend ose ujërave të brendshme, subjektet e parashikuara në këtë Akti Normativ, detyrohen të njoftojnë, sipas rastit, respektivisht agjencinë/ transportuesin/akomoduesin ose organizatorin e paketave të udhëtimit/klientin për pamundësinë e zbatimit të kontratave të transportit, duke bashkëlidhur dokumentacionin që vërteton dokumentin e udhëtimit ose rezervimin e qëndrimit ose kontratat e paketave të udhëtimit”, nënvizohet në Aktin Normativ.
Në Aktin Normativ thuhet se “operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit, brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga komunikimi i përmendur në pikën 2, të nenit 6, të këtij akti normativ, të rimbursojnë dokumentin e udhëtimit dhe/ose paketën e udhëtimit nëpërmjet lëshimit të një kuponi (voucher), që korrespondon me të njëjtën vlerë/shumë totale që duhet të kthehet, duke i ofruar klientit mundësinë e përdorimit të kuponit për të njëjtin shërbim ose një të ngjashëm, që i përket kontratës së ndërprerë, e cila do të përdoret brenda 1 (një) viti. Në rast se nuk realizohet shërbimi, sipas parashikimeve të pikës 1, të këtij neni, operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit t’i rimbursojnë klientit vlerën/shumë totale të paguar”.
Operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit, të cilët nuk e zbatojnë këtë akt normativ, përveç përmbushjes së detyrimeve kontraktuale ndaj klientit, dënohen me gjobë, për çdo kontratë të parealizuar./atsh/ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës Elva Margariti deklaroi sot se “tarifat e biletave të muzeve dhe parqeve arkeologjike janë shumë më të ulëta se viti që shkoi dhe kjo është një ndër masat për nxitjen e turizmit kulturor”.
E ftuar në një studio televizive, Margariti u ndal te masat që janë marrë për nxitjen e turizmit kulturor në situatën e pandemisë.
Ajo theksoi se “nga data 18 maj janë hapur muzetë dhe parqet arkeologjike, ndërkohë që kemi dalë me tarifa të reduktuara”.
“Jemi të bindur që duhet gjithmonë e më shumë të promovojmë turizmin lokal dhe duhet të mbështesim bizneset e vogla dhe të gjitha njësitë akomoduese që mendojmë se kanë kaluar një periudhë tejet të vështirë”, tha ajo.
Margariti u shpreh se “nga janari 2020 kishim rritur tarifat, por bëmë një hap mbrapa duke sakrifikuar arkën e mirëmbajtjes së Ministrisë së Kulturës, për të shtuar sa më shumë turistët”.
“Nga ana tjetër paketat online janë një shërbim i ri që krijon mundësinë për të programuar edhe vizitat nëpër site. Kemi shtuar çdo të diel të muajit falas. Menduam që kjo do të ishte impakt pozitiv”, u shpreh ajo.
Margariti tha se monumentet e kulturës kanë nevojë për mirëmbajtje dhe se është më rëndësi që të shtohet ndërgjegjja qytetare. “Ky është një vit i vështirë. Fokusi ishte që të shtojmë sa më shumë shërbime, një nga mënyrat për të sjellë më shumë vizitorë. Kemi marrë hapa konkretë për rimëkëmbjen e muzeve pas tërmetit duke miratuar një fond të posaçëm për restaurimin e tyre. Biletat nuk janë ato që sjellin të ardhurat më të mëdha, por janë dyqanet e muzeve të cilat mund të sjellin 3-fishin e të ardhurave dhe fokusi është në këtë drejtim, të krijojmë një brendim unikal për të gjithë këto dyqane”, tha Margariti.
Margariti komentoi edhe shkatërrimin e një prej monumenteve në Parkun Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë, ndërsa theksoi se çështja tashmë i ka kaluar Prokurorisë. Ajo shtoi se “është miratuar projekti për restaurimin e saj”.
“Gjatë pandemisë ka ndodhur ky akt, sipas hetimeve të policisë është një akt vandal. Ne po vazhdojmë me hetimet, çështje është në Prokurori. Kemi miratuar projektin e restaurimit dhe shumë shpejt do të procedojmë më fillimin e restaurimit”, u shpreh Margariti.
Margariti shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos. “Ishte një zë kritik, i fort, me kontribut pozitiv me gjithë kritikat e tij për çështjet e artit dhe kulturës. Kemi bërë së bashku një takim vetëm disa muaj më parë në Galerinë e Arteve dhe përtej atyre çështjeve që ai i trajtonte gjithmonë si një person artdashës gjetëm një dialog të mirë”, tha ministrja./ atsh/ KultPlus.com
Alpet shqiptare ofrojnë pamje të mahnitshme për syrin e vizitorëve. Duke sjellë pamje nga rruga që të çon në fshatin turistik të Thethit, Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër shprehet se pamjet flasin vetë.
Jo të gjitha rrugët ju çojnë në Theth, ama, ato që ju çojnë atje janë magjike. Aksi Shkodër- Malësi e Madhe-Bogë-Qafë-Thore-Theth ia vlen të kalohet për pamjet e mahnitshme që të ndesh syri.
Nga Shkodra do të kaloni në territorin e bashkisë Malësi e Madhe, do të vizitoni fshatin piktoresk të Bogës. Thethi është magji turistike që duhet përjetuar e ripërjetuar. “Nëse nuk keni vizituar Thethin, të paktën një herë, nuk keni shijuar turizëm malor në Shqipëri”, shprehet ADZM Shkodër.
Thethi, tabloja me e bukur natyrore, ku vijat e telajos ngjiten dhe zbresin duke krijuar thyer më fantastike të peizazhit e pastaj zbresin si në një kupë në rrafshnajën e Thethit duke krijuar një shtrojë të gjelbër ku janë ngulur kullat shekullore, ashtu të ngurta prej guri që hahen me malet.
Thethi është një fshat në njësinë administrative Shalë në qarkun e Shkodrës dhe është qendra e Parkut Kombëtar të Thethit.
Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar./atsh/ KultPlus.com
Turistë vendas dhe të huaj zgjodhën Drinin e Zi për të kaluar fundjavën, në nja aktivitet që pritet të shndërrohet në risinë e sezonit turistik në këtë zonë.
Pushuesit dhe turistët, që zgjedhin Dibrën për të kaluar pushimet, do të kenë një mundësi më shumë për turizëm, pasi lumi Drin i Zi bashkë me luginën e tij piktoreske ofron mundësi mjaft të mira për rafting, duke i hapur rrugë zhvillimit të turizmit të aventurës në një destinacion të ri turistik.
Rafting i bashkëngjitet ofertave të tjera turistike që ofrohen në Dibër si një potencial më shumë për turistët dhe të apasionuarit pas këtij sporti.
Bashkia Dibër nëpërmjet këtij aktiviteti të mbështetur nga projekti “Bashkitë për në Europë”, North Green, Sava Construction u uron sezon të mbarë turistik të gjitha bizneseve lokale në fushën e turizmit dhe fton turistët vendas e të huaj të mos humbasin mundësinë për të zbuluar potencialet e jashtëzakonshme turistike që Dibra ofron.
Drini i Zi buron nga Liqeni i Ohrit, nga një lartësi mbidetare prej 695 m, ndërsa del nga territori i Maqedonisë në afërsi të qytetit të Dibrës në lartësi mbidetare 476 m. Gjatësia e përgjithshme e lumit është 149 km, dhe brenda Maqedonisë lumi është i gjatë 56 km.
Lumi rrjedh në veri në drejtim të qytetit të Dibrës në një zonë malore, ku pastaj e shënon një pjesë të kufirit të Maqedonia e Veriut – Shqipëri, për të kaluar pastaj në territorin e Shqipërisë. Pranë qytetit të Kukësit Drini i Zi bashkohet me Drinin e Bardhë duke formuar lumin e bashkuar Drini që ka derdhje në Detin Adriatik. /atsh / KultPlus.com
Vendet evropiane gradualisht po hapin kufijtë e tyre, hotelet dhe linjat e fluturimit. Portali i udhëtimit “Destinacionet më të mira evropiane” ka bërë një listë për t’i orientuar të gjithë ata që nuk dinë ku të shkojnë dhe cilat masa të sigurisë merren në vende individuale dhe rajone.
Ndër “20 destinacionet më të sigurta në Evropë” janë ato që u preken më pak nga Covid-19, qytete të cilat kanë ndërmarrë masa të përshtatshme sigurie si dhe kanë një infrastrukturë të përshtatshme shëndetësore.
Vjena është një nga qytetet që bën pjesë në atë listë, shkruajnë mediat austriake, transmeton Albinfo Austria.
Norbert Kettner, drejtor menaxhues i “Wien Tourismus”, tha: “Standardet e larta të sigurisë dhe pastërtisë së Vjenës janë vërtetuar se janë një pasuri në pozicionimin e publikut të udhëtimit për vite me radhë – aq më tepër në kohën e Covid-19”.
Sipas portalit “Destinacionit më të mira evropiane”, Vjena vizitohet gjatë gjithë vitit nga udhëtarët, “të cilët po kërkojnë një destinacion udhëtimi të sigurt dhe paqësor”.
Shkalla e krimit është deri në tri herë më e ulët se në kryeqytetet e tjera evropiane. “Me shumë parqe dhe mjete transporti, Vjena është një nga qytetet me cilësi më të mirë të jetës në Evropë”, theksoi Kettner.
Përveç kësaj, muaj më parë Vjena ishte shpallur si qyteti më i gjelbëruar në botë. / KultPlus.com
“Shqipëria, një tokë e thesareve të fshehura”. Kështu e përshkruan e përditshmja “turismo.al”, Shqipërinë në shkrimin e saj, nga malet që të mbajnë frymën deri tek plazhet e mrekullueshme.
Ky destinacion relativisht i ri, i vendosur në jug-lindje të Europës, në vitin 2019, tërhoqi 6 milionë e 400 mijë turistë të huaj, një rritje prej 8% në krahasim me vitin 2018.
Sipas Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, kompanitë po e kuptojnë në këtë moment që historia ka ndryshuar dhe operatoret turistikë po kthehen gjithmonë e më shumë në kompani IT.
“Pra, edhe ne jemi duke bërë disa fushata që zënë më tepër hapësirë në mediat sociale. E gjithë kjo po na ndihmon të ndryshojmë imazhin e Shqipërisë, dhe po i bën turistët të kuptojnë se ky është një vend unik që duhet të vizitohet të paktën një herë në jetë”, tha Klosi.
Përmes rrjeteve sociale, Shqipëria ja doli të tregojë që është një destinacion i hapur për biznes. Turistët po kuptojnë që ky është një vend unik, që duhet eksploruar të paktën një herë në jetë./atsh/ KultPlus.com
Matohasanaj, fshati 30 km larg qytetit të Tepelenës që njihet ndryshe edhe si “Gjirokastra e vogël”, ngrihet në rrënojat ilire që datojnë përgjatë shekullit XIX – XX, duke ngjallur gjithënjë e më shumë, një interes të shtuar të vizitorëve dhe turistëve të huaj për ta parë nga afër këtë fshat.
Bashkia Tepelenë ka publikuar një seri fotosh nga ky fshat, me histori të veçantë dhe shpjegon se banorët përgjatë shek. XIX – XX kanë jetuar më së shumti në emigracion dhe fshatin që shikojmë sot, është ngritur nga projektet e Izmirit, Turqi, në kohën e pushtimit turk.
Fshati ka një pozitë tejet të veçantë gjeografike. Rrethohet nga malet e larta dhe ngrihet sipër një kodre tejet panoramike, ku lehtësisht kuptohet pse në të gjendet edhe një fortifikim mjaft interesant antik.
Sipas dokumentimeve të pakta historike edhe arkeologjike fortifikimi thuhet se i përket shek. II – III p.e.s (Kuvendi i Studimeve Ilire vol. I fq.117) ndërtuar fillimisht nga Nomadët, me gurë masiv në formë trapezoide dhe kuadratike pa llaç, e sigurisht më pas shfaqen shenjat e ndërhyrjeve restauruese me blloqe guri të latuar në formë drejtëkëndore.
Disa gjurmë sipërfaqësore shfaqin dukshëm gurët e vendosur në gjysmë harku që mesa duket ka qenë amfiteatri, e megjithatë përveç shpalljes si monument kulture (1963) asnjë kërkim nuk është bërë më tej.
Matohasanaj është pjesë e ciklit të pashkëputur të vendbanimeve antike që nis pa u shtyrë më tej nga: Hadrianopoli – Antigonea – Fortifikimi antik i Leklit – Tepelena, Qyteza Ilirke e Horës – Vendbanimi antik i Matohasanaj-t, Amanatia – Ploçë – Apllonia , me një distancë 15 – 25 km nga njëra tjetra.
Sot fshati ka rreth 40 banesa 2 katëshe, e bashkë me të kanë mbijetuar kultura e zakonet e zonës.
“Mund të jenë banorët më mikpritës të Lopësit. Të thjesht në dukje, të qetë edhe me një respekt të veçantë për mikun e tyre… Ajo që vlen të thuhet është fakti se ky fshat ka thesare historike, që e bëjnë një potencial të rëndësishëm për tu vizituar nga turistët”, bën të ditur bashkia Tepelenë.
Ndërsa i fton vizitorët që nëse kanë ndërmend të qëndrojnë dy ditë në Tepelenë, mund të bëhen udhërrëfyes historik, për ta bërë këtë fshat të bukur t’mos vdes nga harresa. /atsh/ KultPlus.com
Një rrugë e re, tërësisht digjitale pritet të lidhë shumë shpejt disa nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në zonën Adriatik-Jon.
“Smart Heritage” titullohet ky projekt i financuar nga programi i bashkëpunimit ndërrajonal “Adrion” i cili synon promovimin, vlerësimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore me qëllim tërheqjen e turistëve dhe zvogëlimin e sezonalitetin të turizmit në Shqipëri dhe në vendet e tjera ku zbatohet projekti si Greqi, Itali dhe Bosnje-Hercegovinë nëpërmjet përdorimit të teknologjisë. Në Shqipëri projekti po zbatohet pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit,” nga “Fondi Shqiptar i Zhvillimit”.
Një produkt I rëndësishëm I projektit “Smart Heritage” është krijimi i një itinerari të ri i turizmit kulturor I cili do të shërbejë si një atraksion I ri dhe do të lansohet në tregjet ndërkombëtare të turizmit për ta pozicionuar rajonin e Adriatiko-Jonianit së një destinacion unik i turizmit kulturor. Ky itinerar do të ngarkohet më pas në platformën web dhe do të lidhë asetet e trashëgimisë së përbashkët kulturore të vendeve të rajonit.
Nëpërmjet projekteve pilot, trashëgimia kulturore do të prezantohet në një mënyrë inovative, digjitale dhe multimediale tek turistët dhe banorët lokal nëpërmjet hologrameve, imazheve 3D dhe filmit të shkurtër “Smart Heritage”, duke çuar drejt përmirësimit të ofertës turistike, rritjen e atraksioneve të rajonit dhe si rrjedhim zgjatjen e sezonalitetit të turizmit.
Kjo qasje e re e përdorimit të teknologjike në prezantimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore do të jetë një vlerë e shtuar për ofertën turistike aktuale dhe do të shërbejë si një “best practice” për tu përshtatur me pas edhe nga institucionet e tjera të trashëgimisë kulturore. / KultPlus.com
Parku Kombëtar Bredhi i Drenovës, një perlë e natyrës në Korçë do të shndërrohet në një destinacion të vizitueshëm për turizmin familjar dhe sportet e aventurës.
Bashkia Korçë, bën të ditur se, ka nisur projektin për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore dhe sinjalistikës së nevojshme në këtë park, që e bën më të aksesueshëm nga vizitorët dhe turistët.
“Rehabilitimi i rrugës, sinjalistika, hapësira për piknik, pika e hedhjes me parashutë dhe markimi i shtigjeve për të shëtitur do të realizohen si një bashkëfinancimin i bashkisë Korçë dhe fondeve IPA të Bashkimit Europian për ta kthyer Bozdovecin në një prej zonave natyrore më të frekuentuara për banorët dhe turistët”, thuhet në njoftimin e bashkisë Korçë.
Bredhi i Drenovës është një park kombëtar në Qarkun e Korçës që ka një sipërfaqe prej 1,380 hektarë me një bimësi të veçantë dhe reliev të thyer natyror. /KultPlus.com
Shkrimtarja japoneze Mizuho Ota e njohur për udhëtimet e saj nëpër botë dhe kulturat e ndryshme, vijon serinë e saj të shkrimeve për Shqipërinë në faqen japoneze te internetit asahi.com.
Pas Sarandës, Mizuho ka shkruar për traditën shqiptare dhe ushqimin shqiptar.
Mizuho shprehet se i ka shijuar shumë qoftet dhe birrat në shesh, ushqim që në Japoni nuk e kishte provuar kurrë.
“Në Shqipëri, të cilën e kam vizituar dy herë deri më tani, më vjen ende keq që u ktheva në Japoni pa realizuar setin e shumëpritur të tre pjesëve të “Qofte dhe birrë në tarracë”. Sa herë që shkoja në treg në Tiranë, shikoja një grup njerëzish që hidhnin mish të pjekur në skarë dhe pinin birrë në orët e para të pasdites. Sidomos nëse një fllad i këndshëm dhe me diell kalonte midis çadrave dhe erën e këndshme të mishit të pjekur në skarë”, shkruan Ota, e cila këtë pjesë e quan “Shesh, qofte, birra” dhe që dëshiron shumë ta provojë në Shqipëri kur të vijë herës tjetër.
Pasi përshkruan me një gjuhë të thjeshtë shijimin e kësaj menyje në Tiranë, Mizuho vendos të bëjë qofte vetë në Japoni.
“Kur u njoha me ambasadorin Teneqexhiu për një punë në fund të vitit të shkuar dhe bisedova për udhëtimin tim në Shqipëri ai më tha: Nëse keni ndonjë pyetje, ju lutem më pyesni në çdo kohë”.
Megjithëse kërkesa ime ishte e papritur, ai u tregua i gatshëm të më mësonte recetën e gruas së tij Elona në Tiranë”, shkruan ajo./atsh/ KultPlus.com
Në ditë normale, është kjo pamja e një prej qyteteve më të vizituara në botë, Amsterdamit. Miliona turistë kanë vizituar çdo ditë qytetin, deri në 15 mars, kur Amsterdami dhe gjithë bota, mbyllën dyert për vizitorët për shkak të pandemisë koronavirus.
Sheshet kryesore të qytetit janë bosh, ndërsa lagjet e famshme të “dritave të kuqe”, tashmë janë të qeta, me rrugë të pastra, një ndjesi që vendasit thonë se nuk a e mbajnë mend kur ka qenë hera e fundit që e kanë provuar, ndoshta në vitet ’80.
1.3 milionë vizitorë gjatë vitit 2019, ose 108,000 mijë persona në muaj, janë të dhënat zyrtare të vizitave në shtëpinë e Anna Frank, nga këta 92% turistë të huaj. Edhe ky muze tashmë i ka dyert e mbyllura, ndërsa në një moment të dytë, drejtuesit do të llogarisin humbjet e këtyre muajve izolim.
“Amsterdami përllogaritet të ketë humbur rreth 90% të prenotimeve në hotele, por qyteti nuk duhet të nxitojë për të rihapur dyert për turistët e huaj”, thotë kryetarja e bashkisë, Femke Halsema.
Sipas saj, nëse duhet të respektohet distanca sociale, ndërsa qyteti ka 800 mijë banorë, ardhja e turistëve të huaj, do e bënte të pamundur respektimin e këtyre masave.
“E di që kemi 55 mijë shtretër hotelesh që presin miq, por duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm për të stimuluar turizmin rajonal, nacional apo ndërkombëtar. Nëse ne e ekzagjerojmë, rrezikojmë të kemi një valë të dytë të virusit” tha kryetarja e bashkisë, e gjendur përballë reagimeve të shumta nga sektori hotelier.
Sipas direktivave të BE-së, udhëtimet jo urgjente drejt Holandës, janë të pezulluara deri në datën 15 qershor, por vendi nisi një fazë rihapje në 11 maj kur niveli i vdekjeve u vu në kontroll.
Nga data 1 qershor do të rihapen baret dhe restorantet, por do të presin një numër të kufizuar klientësh. / KultPlus.com