Pas suksesit të turneut në SHBA, shfaqja “Balkan Bordello” prodhuar nga teatri prestigjioz i Nju Jork-ut La MaMa (SHBA) në bashkëpunim me Qendrën Multimedia (Kosovë), Atelje 212 (Serbi) dhe My Balkans (SHBA/Serbi), rikthehet në rajon për një turne në disa prej festivaleve më të rëndësishme verore.
Më 8 gusht në Nisville Jazz Teatar Festival në Nish (Serbi)
Më 10 gusht në Ohrid Summer Festival në Ohër (Maqedoni e Veriut)
Më 12 gusht në KotorArt International Festival në Kotor (Mal i Zi)
Më 13 gusht në Wild Beauty Art Festival në Zabljak (Mal i ZI)
Balkan Bordello nga Jeton Neziraj dhe me regji nga Blerta Neziraj, u dha si premierë në Prishtinë më 3 nëntor, 2021 dhe vazhdoi me turne nëpër Kosovë, Shqipëri e Serbi. Në mars të vitit 2022, premiera amerikane në La MaMa në Nju Jork u përcoll me 10 shfaqje të tjera dhe tërhoqi vëmendjen e kritikës teatrore evropiane e amerikane.
“Balkan Bordello” (Saga e një familjeje ballkanase), është e bazuar në triologjinë “Orestia” të Eskilit. Si një avatar i botës moderne, Agamemnoni kthehet triumfues nga fushëbeteja, pasi ka bërë shkrumb e hi qytetin armik. Por ethet e entizuazmi i fitoreve të palavdishme janë kafshë të gjakut, me gjak ushqehen e nga gjaku jetojnë. Kur kthehet në shtëpi, Agamemnonin e pushtetshëm e pret vdekja. E vret e shoqja, Klitemnestra, gruaja e shtypur që duke vrarë burrin dëshiron të gjejë lirinë. Bashkë me Egjistin, një poet hipokrit, Klitemnestra dëshiron të nisë nje jetë të re, pa frikë se do të dhunohet e poshtërohet nga burri.
Ja, ky është shtrati i kësaj drame, që me humor të zi, prekë indin e temparamentit ballkanas, gjurmon morbideitetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerrë në pah budallakun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes. Personazhet e dramës i nënshtrohen fatit dhe gati pavetëdijshëm bien në grackën e palumturisë dhe të shkatërrimit. Delli për shkatërrim i joshë, siç e joshë vdekja jetën. “Balkan Bordello” është dramë për shoqëritë e traumatizuara që hanë vetveten. Ajo na ballafaqon me luftën si makineri të shkatërrimit e ku jeta e normaliteti kapitullojnë para pabesive e ligësive të qenies njerëzore.
Në shfaqje luajnë aktorët: Svetozar Cvetković, George Drance, Eugene the Poogene, Valois Mickens, Ema Andrea, Adrian Morina, Mattie Barber-Bockelman, Ivan Mihailović, Matt Nasser, Verona Koxha. / KultPlus.com