Një tjetër tërmet godet Turqinë, një i vdekur mbi 100 të plasogur 

Një tërmet me magnitudë 5.6 goditi Turqinë jugore të hënën, tre javë pas tërmeteve me përmasa katastrofike që shkaktuan dëme të mëdha në rajon. Termeti i të hënës shembi disa ndërtesa që ishin dëmtuar gjatë dridhjeve të mëparshme të tokës, duke vrarë të paktën një person, thanë autoritetet.

Më shumë se 100 persona u lënduan si pasojë e tërmetit të së hënës, me qendër në qytetin Yesilyurt në provincën Malatya, u tha gazetarëve Yunus Sezer, shefi i agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive të vendit, AFAD. Më shumë se 20 ndërtesa u shembën.

Një burrë dhe vajza e tij që ishin bllokuar nën rrënojat e një ndërtese katërkatëshe në Yesilyurt, u shpëtuan. Ata kishin hyrë në objektin e dëmtuar më parë për të marrë gjëra personale të tyre.

Në Malatya, autoritetet po zhvillonin kërkime në rrënojat e dy ndërtesave të dëmtuara që u rrëzuan mbi disa makina të parkuara, raportoi media turke, “HaberTurk”. Ende nuk dihet nëse ka njerëz të bllokuar nën rrënoja.

Malatya ishte ndër 11 provincat turke të goditura nga tërmeti me magnitudë 7.8 që shkatërroi pjesë të Turqisë jugore dhe Sirisë veriore më 6 shkurt. Ky i fundit shkaktoi vdekjen e më shumë se 48,000 njerëzve në të dyja vendet, si dhe në shembjen apo dëmtimin serioz të 185,000 ndërtesave në Turqi.

Shefi i AFAD-it u bëri thirrje njerëzve të mos hyjnë në ndërtesat e dëmtuara, duke thënë se pasgoditjet e forta vazhdojnë të përbëjnë rrezik. Më shumë se 10,000 pasgoditje janë regjistruar në këtë rajon që nga 6 shkurti.

Banka Botërore tha të hënën se tërmeti masiv shkaktoi 34.2 miliardë dollarë “dëme të drejtpërdrejta”, shifër kjo e barabartë me 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) të vendit më 2021.

Kostoja e rimëkëmbjes dhe rindërtimit mund të jetë potencialisht dy herë më e madhe, tha Banka Botërore, duke shtuar se humbjet e PBB-së do të rrisin gjithashtu koston e tërmetit.

Banka Botërore vlerësoi gjithashtu se 1.25 milionë njerëz kishin mbetur përkohësisht të pastrehë.

Ndërkohë, tifozët e ekipit turk të futbollit “Besiktas” mbushën fushën me lodra dhe veshje dimërore gjatë një ndeshjeje të zhvilluar të dielën për të mbështetur fëmijët e prekur nga tërmeti.

Instituti Yunus Emre nis fushatën “Art për Shpresë” për të prekurit nga tërmeti në Turqi

Qendra Kulturore Turke Instituti Yunus Emre e cila vepron në 3 qytete të Kosovës ka nisur një fushatë me temën “Art për Shprese”.

Në një komunikatë për media publikuar në faqen zyrtare të institutit thonë se nëpërmjet kësaj fushate donacionesh të quajtur “Art për Shpresë” Instituti me ndihmën e artdashësve humanitar planifikon të kontribuojmë në zgjidhjen e problemeve të jetesës së qytetarëve të prekura nga tërmetet në Kahramanmaraş, të cilat cilësohen si “Fatkeqësitë e Shekullit”.

Në një intervistë për mediat, Koordinatori i Instituteve Yunus Emre në Kosovë, Ramazan Yılmaz tha se “Ne e dimë se ka shumë artistë kosovarë që duan të ndihmojnë sadopak viktimat e tërmetit nëpërmjet një fushate të besueshme dhe dinamike. Për këtë arsye, ne përmes kësaj fushate kërkojmë nga artistët tanë të na dhurojnë nga një (1) vepër të cilat do ta punojnë me temën “Art për Shpresë”. Punimet e dhuruara duam t’ua prezantojmë biznesmenëve filantropikë që punojnë në Kosovë dhe t’i realizojmë shitjet e tyre. Ne synojmë që të ardhurat që do të fitohen pas shitjes t’ua shpërndajmë atyre në nevojë përmes institucioneve kompetente të Turqisë si ajo AFAD ose Gjysmëhënës së Kuqe Turke.”

Çfarë duhet të bëni për të marrë pjesë në këtë fushatë?

Ju do të jeni regjistruar paraprakisht për fushatën duke plotësuar informacionet e kërkuara më poshtë, dhe më pas personeli përkatës nga instituti ynë do t’ju kontaktojë dhe do t’ju japë informacion të detajuar për hapat e ardhshëm. Formularin që duhet të plotësoni për të marrë pjesë në fushatë mund të kyçeni nga ky link: https://bit.ly/3EA1TO1

Si do të shiten punimet e dhuruara?

Punimet që ju dhuroni do të shiten përmes institutit tonë dhe institucioneve me të cilat bashkëpunojmë. Shitjet do të verifikohen me faturë zyrtare. Të ardhurat do t’u shpërndahen atyre në nevojë përmes institucioneve relevante si AFAD dhe Kızılay.

Kriteret e fushatës:

Ju mund të merrni pjesë në fushatë vetëm me 1 punim.

Piktura duhet të punohet në kuadër të sloganit “Shpresa”.

Vepra juaj e artit duhet të punohet me bojë vaji, laps grafiti ose me bojë akrilike.

Madhësia e pikturës duhet të jetë së paku 50cm x 70cm.

Ku duhet të dorëzohen veprat e artit?

Punimet që dëshironi të dhuroni duhet t’i dorëzoni Institutit Yunus Emre në Prishtinë, Prizren ose Pejë. Pikturat e dhuruara nuk do të kthehen dhe të drejtat e përdorimit do të kalojnë te Instituti ynë përmes një deklarate të nënshkruar nga vet artisti/ja gjatë pranim dorëzimit.  Data e fundit e dorëzimit të punimeve është: 02.03.2023 – E Premte, ora 16.00. / KultPlus.com

Shkon në mbi 50 mijë bilanci i viktimave nga tërmetet

Numri i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë dhe Sirinë më herët gjatë këtij muaji ka kaluar shifrën prej 50.000, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga të dy shtetet.

Tërmetet e 6 shkurtit – prej 7.8 dhe 7.5 ballësh – kanë marrë jetën e 44.218 personave në Turqi, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, që ka cituar agjencinë shtetërore të fatkeqësive.Në Sirinë fqinje, numri i viktimave deri më tani është 5.900.

Që prej tërmeteve të 6 shkurtit, sipas agjencisë turke të fatkeqësive natyrore, janë regjistruar mbi 9.000 pasgoditje.Pothuajse 530.000 persona janë evakuuar vetëm nga zonat e prekura nga tërmetet në Turqi. Qeveria turke njoftoi se ka nisur puna për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga tërmetet, teksa Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), vlerësoi se 1.5 milion persona kanë mbetur të pastrehë.

Mbi 160.000 ndërtesa me 520.000 apartamente janë shembur ose janë dëmtuar rëndë nga tërmetet e 6 shkurtit.Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan njoftoi se qeveria do të paguajë qiratë e personave të mbetur jashtë ndërsa u zotua të rindërtojë të gjitha shtëpitë brenda një viti, edhe pse ekspertët kanë paralajmëruar se autoritetet duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi sigurisë së ndërtesave sesa shpejtësisë së ndërtimit të tyre.

Zyrtarët turq thonë se rregullat për ndërtimet do të forcohen dhe zbatimi I tyre do të jetë në lupën e autoriteteve më shumë se kurrë më parë. Po kështu, do të verifkohne lejet e ndërtimit e do të diskutohen ndeshkime më të rrepta pë rata që shkelin rregullat që synojnë ngritjen e godinave më të sigurta.

Baerbock: Përmasat e tërmeteve nuk mund të përshkruhen me fjalë

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se përmasat e dy tërmeteve të 6 shkurtit në Turqi nuk mund të shpjegohen me fjalë.

Kryediplomatja gjermane, bashkë me me ministren e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, vizituan provincën turke Kahramanmaras për të parë nga afër situatën në terren.

Dy ministret gjermane vizituan një lokacion, ku janë ngritur tenda, si dhe një qendër mjekësore të krijuar nga vullnetarët gjermanë në Pazarçik, epiqendra e njërit prej tërmeteve.

“Përmasat e kësaj fatkeqësie të tërmetit nuk mund të shprehen me fjalë edhe nëse ndodheni këtu”, tha Baerbock.

”Berlini zyrtar ka dhënë një ndihmë shtesë prej 50 milionë eurosh, duke e çuar kontributin total të vendit në 108 milionë euro, për të ndihmuar Turqinë dhe Sirinë pas tërmeteve. Pakoja e ndihmës përfshin gjithashtu tenda, furnizime mjekësore, ushqime, batanije dhe gjeneratorë”, tha ajo.

Kryediplomatja gjermane tha se qeveria po lehtëson gjithashtu procesin e dhënies së vizave për ata që kanë familjarë në Gjermani, duke theksuar se është vënë në dispozicion një autobus i cili mbledh aplikime për viza, në mënyrë që të pranohen dhe të përpunohen aplikimet për viza në nivel lokal./ atsh / KultPlus.com

Gjithçka u rrafshua, kulla e sahatit mbeti në këmbë, ngeci në “orën e vdekjes”

Kulla e sahatit në qytetin Adiyaman është shndërruar në simbolin e fitores së jetës kundër vdekjes, pasi është ndër ndërtimet e pakta në zonë që i ka shpëtuar tërmetit të 6 shkurtit që goditi Turqinë.

Qyteti, ku pjesa dërrmuese e popullsisë janë kurdë, është rrafshuar thuajse plotësisht. Por në pamjet e përcjella nga mediat turke, kulla 40-vjeçare e sahatit qëndronte e drejtë mes mbeturinave. Ajo që bie më shumë në sy është se orët e vendosura aty kishin ngecur të gjitha në 4:17, orën ekzakte kur vendi u godit nga tërmeti i parë i magnitudës 7,7.

Më shumë se 41 mijë persona kanë humbur jetën në Turqi e Siri nga ai që konsiderohet tërmeti më i madh që ka goditur vendin që prej vitit 1936. Autoritetet turke vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa në Siri, “Helmetat e Bardha” kanë ndërprerë punën.

Në Turqi, janë arrestuar disa ndërtues, të cilët fajësohen se nuk kanë respektuar rregullat e ndërtimit dhe për pasojë godinat që ata kanë ngritur u shembën. / KultPlus.com

Shqiptari dhuron 1 milion dollarë për të prekurit nga tërmeti në Turqi

I riu shkodran, Kevin Sekniqi, i cilësuar nga “Forbes” si si një nga 30 personat nën 30 vjeç më të suksesshëm në botën financiare, ka bërë një gjest human. Ai ka dhuruar 1 milion dollarë për të prekurit nga tërmeti në Turqi. Sekniqi kontribuoi për t’iu ardhur në ndihmë sadopak familjeve të prekura nga tërmeti tragjik i 6 shkurtit.

Theksojmë se Sekniqi është “bashkëthemeluesi më i ri i Ava Labs, i cili ka luajtur një rol kyç në krijimin e Avalanche, një blockchain me shpejtësi të lartë që numëron mbi tre milionë përdorues, dhe [në krijimin e] AVAX, një kriptovalutë me një vlerë tregu prej 4 miliardë dollarë.”

Para se të bashkëthemelonte Ava Labs, Kevin ishte një kandidat për doktoraturë në Shkenca Kompjuterike në Cornell duke kryer kërkime në sistemet e shpërndara, kriptografinë, sigurinë dhe ekonominë. Ai më parë ka bërë kërkime dhe inxhinieri softuerike në organizata të njohura, duke përfshirë Microsoft dhe NASA. / KultPlus.com

Pa shtëpi dhe në temperatura ekstreme, nata e ashpër për miliona turq

Të paktën 5034 jetë njerëzish kanë humbur si pasojë e dy tërmeteve shkatërruese në Turqi dhe në Siri. Ndërsa, më shumë se 21 103 persona të tjerë raportohet të kenë mbetur të lënduar. Sikur të mos mjaftonin lëkundjet e tokës, banorëve në zonat e prekura u duhet të përballen me kushtet ekstreme të motit.

“Kudo bie dëborë ose shi dhe është shumë ftohtë…Kushtet e motit dhe klima po i bën shumë të vështira përpjekjet për të shpëtuar civilët. Mesa duket kjo është sfida më e madhe për të gjithë”, është shprehur një gazetar i Al Jazeera-s, ndërsa raportonte nga terreni.

Thuajse 26.000 ekipe kërkim-shpëtimi janë angazhuar në operacione në terren bashkë me 360 automjete dhe 3361 pajisje shpëtimi e 600 kranë. Megjithatë, ende shumë qytetarë mbeten nën gërmadha. Ndërsa ata që kanë mundur të shpëtojnë po qëndrojnë jashtë nga frika e tërmeteve të tjera.

Sipas OBSH-së, tërmeti ka prekur 23 milionë njerëz, përfshirë këtu edhe 1.4 milionë fëmijë./ A2CNN / KultPlus.com

Të gjitha kafshët dhe shpendët e ndiejnë tërmetin disa sekonda para

Inxhinieri gjeolog, Sazan Guri tregoi në një intervistë për Euronews Albania se kafshët dhe shpendët e ndiejnë tërmetin disa sekonda para se të ndodhë.

Sipas tij nuk ka asnjë formë për të parashikuar tërmetin, përveçse disa sekonda para përmes identifikimit të lëvizjes kaotike të shpezëve.

“Të gjitha kafshët e ndiejnë pa përjashtim sepse kanë 4 milionë marrësa, receptorë, njeriu ka 2 mijë,” – u shpreh Guri.

Goditja e parë e tërmetit shkatërrues në juglindje të Turqisë ishte 7, 8 ballë e pasuar nga qindra pasgoditje 2 prej të cilave 7,5 ballë.

Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Mbi 2700 njerëz kanë humbur jetën deri tani, ndërsa dhjetëra mijëra janë plagosur.

Ekipet e emergjencave po punojnë për nxjerrjen e personave që ndodhen nën rrënoja./ KultPlus.com

Shembet Kështjella historike e Gaziantep, shikoni çfarë ka mbetur pas tërmetit fatal në Turqi

Kështjella historike e Gaziantep u rrënua plotësisht pas tërmetit të madh me magnitudë 7.7 që goditi juglindjen e Turqisë, epiqendra e të cilit është rrethi Pazarcık i Kahramanmaraş.

Ndërsa disa bastione në pjesët lindore, jugore dhe juglindore të Kalasë historike të Gaziantepit në rrethin qendror të Şahinbeut u shkatërruan nga tërmeti, mbeturinat u shpërndanë në rrugë.

Kangjellat prej hekuri rreth oborrit ishin të shpërndara në trotuaret përreth. U shemb edhe muri mbajtës pranë kalasë. Në disa bastione janë vërejtur çarje të mëdha pas tërmetit.

Nga ana tjetër, kupola dhe muri lindor i xhamisë historike “Shirvani”, pranë kalasë, që thuhet se është ndërtuar në shekullin e 17-të, janë shembur pjesërisht. /A2CNN / KultPlus.com

Ambasada e Kosovës në Ankara me njoftim për shqiptarët pas tërmetit shkatërrues në Turqi

Ambasada e Kosovës në Ankara ka reaguar pas tërmetit prej 7.8 shkallësh që ka goditur Turqinë, gjatë së hënës.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, kanë shprehur ngushëllime popullit turk.

“Ndjejmë dhimbje të thellë për viktimat si pasojë e tërmetit që goditi disa provinca të Turqisë në mëngjesin e sotëm. Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për popullin e Turqisë dhe urojmë shërim të shpejtë për të gjithë të prekurit nga ky tërmet”, thuhet në njoftim.

Për raste emergjente nga zonat e prekura nga tërmeti, luten qytetarët tanë të kontaktojnë në numrat emergjentë:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99

Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91

Sipas raportimeve të para, numri i viktimave besohet se është 360, teksa zyrtarët shëndetësorë në kryeqytetin sirian, Damask, kanë raportuar se 237 persona kanë vdekur në zonat që kontrollohen nga Qeveria siriane. / KultPlus.com

Shkolla Finlandeze tani edhe në Turqi


Turqi, 27 qershor 2022 – Shkolla Finlandeze në Kosovë, e cila së fundmi është bërë edhe fenomen global duke u përzgjedhur dhe pasqyruar në gjigandin botëror medial, CNN, çdo ditë si CNN Highlight, tani do të jetë edhe në Turqi.

Me marrëveshjen e nënshkruar mes Finnish Schools International, kompanisë amë të Shkollës Finlandeze dhe Okul Yatirimi, investitorët turq do të kenë mundësinë e blerjes së franshizës së këtij modeli të suksesshëm të edukimit. Në 5 vitet e ardhshme, 22 Shkolla Finlandeze do të hapen gjithandej Turqisë përmes modelit të franshizës dhe në bashkëpunim me kompaninë Okul Yatirimi, kompani lidere në fushën e edukimit në Turqi.

Alejtin Berisha, themelues i Shkollës Finlandeze dhe Finnish Schools International, tha se “pas pasqyrimit në CNN, dhjetra investitorë nga e gjithë bota kanë shprehur interesim në sjelljen e këtij koncepti inovativ të edukimit në vendet e tyre dhe ne kemi zhvilluar modelin më të mirë të franshizës, të cilën tani do ta shohim në gjithë botën, dhe për këtë, jam jashtëzakonisht shumë i lumtur”, u shpreh Berisha.
Shkolla Finlandeze në Kosovë është hapur para 4 viteve, duke sjellur një revolucion më sistemin arsimor në Kosovë. Tani modelin e saj do ta shohim edhe në shumë vende nëpër botë. / KultPlus.com

Në mot të ftohtë, qytetarët e Turqisë presin në radhë për të blerë bukë (VIDEO)

Reshjet e vazhdueshme të borës në shtetin e Turqisë kanë ndikuar që shumë fluturime të pezullohen dhe rrjedhimisht edhe veturat private t’u ndalohet qarkullimi në qytet, shkruan KultPlus.

Për këtë gjë, radhë të gjata janë krijuar edhe për të blerë bukë në furrën më të lirë në Turqi, e cila shet bukën për vetëm 8-9 cent.

Istanbul Halk Ekmek, ose “Buka Publike”, shet një bagutë 250 g (8,8 oz) për 1,25 lira turke (0,09 dollarë), më lirë se në furrat e bukës aty pranë, ku çmimet fillojnë nga 2,50 lira (0,18 dollarë).

Në videon më poshtë shihen edhe radhët e gjata që janë krijuar për të blerë bukë në mot shumë të ftohtë. /KultPlus.com

Koreografi kosovar Robert Nuha, pjesë e ‘Solo Dance Festival’ në Turqi

Koreografi, Robert Nuha do ta përfaqësojë Kosovën në festivalin e vallëzimit bashkëkohor ‘Solo Dance Festival’ në Ankara të Turqisë.

Njoftimin e ka bërë vetë koreografi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan KultPlus.

“I lumtur të njoftoj se do të përfaqësoj Kosovën në stilin bashkëkohorë @solodanceankara në @kermodern në Ankara, Turqi nga data 3 deri 5 shtator!
Me performancën time Solo “InOuT” e cila pati premierën botërore në ‘Laiks Dejot Festival në Riga’, në Letoni një javë më parë!
Faleminderit festivalit dhe @kosovo_in_ankara @emumxhiu për ftesën!”, ka shkruar Nuha.

Robert Nuha më herët ka marrë pjesë në një numër të madh projektesh artistike, me artistë shqiptarë dhe të huaj, duke prezantuar punët e tij në festivale të ndryshme në Gjermani, Itali, Zvicërr, Kroaci, Letoni etj. / KultPlus.com

Piktura me kripë dhe bojëra uji nga një artist sirian

Në Kilis të Turqisë tërheqin vëmendje pikturat e artistit sirian, Husam Teljibini i cili pikturon me lloje të ndryshme të bojërave si dhe me kripë.

Artisti 33-vjeçar, Teljibini i cili erdhi në Kilis para 8 vitesh nga qyteti sirian Azez siguron jetesën me paratë që fiton me shitjen e pikturave të tij.

Ai hapi 12 ekspozita të pikturës në Stamboll, Gaziantep dhe Kilis me piktorë turq dhe sirianë me pikturat e tij me laps të zi, vaj, akrilik dhe me bojëra uji.

Teljibini gjithashtu është vullnetar si mësues për fëmijët që janë të interesuar të pikturojnë.

Teljibini thekson se ishte i interesuar për pikturë që në moshën 15-vjeçare ndërsa diplomua në Departamentin e Dizajnit të Brendshëm dhe Dekorimit në Fakultetin e Arteve të Bukura në Siri.

Ai tregon se kripa e derdhur në tryezë në restorantin ku kishte shkuar për të darkuar me miqtë e tij para dy vitesh në Kilis i dha një ide tjetër për të pikturuar.

“Unë kisha një letër në dorë. U përpoqa të bëja diçka nga kripa e derdhur. Pastaj studentët e mi ishin shumë të gëzuar kur ua paraqita këtë ide. Pasi vendosëm letrat e sfondit të zi në tryezë, ne përpiqemi të bëjmë diçka me një copë të vogël prej letre duke spërkatur kripën e tryezës. Meqenëse sfondi është i zi, del një pamje shumë e bukur me kripë, por fatkeqësisht këto punime nuk janë të qëndrueshme. Ne vetëm i fotografojmë pikturat që i bëjmë. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i ekspozojmë veprat tona”, tha Teljibini./atsh/ KultPlus.com

Muzetë në Turqi kanë pasur gati 9 milionë vizitorë pavarësisht pandemisë

Muzetë turke dhe vendet arkeologjike u vizituan nga më shumë se 8.91 milionë njerëz në vitin 2020, edhe pse shpërthimi i koronavirusit po krijonte kaos në industrinë e turizmit në të gjithë botën.

Një total prej 204 muzeshë, 142 vende arkeologjike dhe 296 muze private prisnin të apasionuarit e historisë nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, e cila siguroi të dhënat.

Më shumë se 3.25 milion objekte historike janë të ekspozuara në 204 muze.

Mesatarisht 40 mijë objekte janë shtuar në koleksionet e muzeve çdo vit dhe 11 mijë e 632 pasuri të luajtshme kulturore janë vendosur në konservim.

Si pjesë e përpjekjeve për të rritur numrin e muzeve në Turqi, 161 muze u rinovuan midis viteve 2002-2020 dhe 43 u hapën me njohje ndërkombëtare.

Përveç kësaj, 16 muze të sapondërtuar – përfshirë në Adana, Uşak, Kayseri, Mersin dhe Van – janë duke mirëpritur vizitorët./ KultPlus.com

Qyteti antik Assos në Turqi do të mbyllet për 500 ditë

Lokaliteti arkeologjik Assos në provincën veriperëndimore Çanakkala të Turqisë do të jetë i mbyllur për 500 ditë derisa zhvillohen punimet e rehabilitimit në një shpat të afërt pasi në rrugën që të çon në portin antik të Assos filluan të bien shkëmbinj dhe fragmente guri.

Po ashtu janë ndaluar dhe aktivitetet e operatorëve turistikë dhe tregtarëve në portin antik në kuadër të projektit të tenderuar muajin e kaluar nga guvernatori i qarkut Ayvacik në Çanakkala, shkruan Anadolu Agency (AA).

Të martën, rruga që të çonte në portin antik u mbyll nga ekipet e xhandarmërisë, e cila ndryshoi planet e vizitorëve.

Në kuadër të projektit, i cili është planifikuar të përfundojë për rreth 500 ditë, shpati pranë portit do të rehabilitohet për të parandaluar që gurët dhe fragmentet e gurëve të paraqesin rrezik mbi portin. Ata kishin filluar të binin për shkak të tërmeteve dhe kushteve natyrore.

Autoritetet thanë se bizneset në rajon do të vazhdojnë aktivitetet e tyre pas përfundimit të punimeve rehabilituese.

Assos, i njohur gjithashtu si Behramkale, ishte një nga qytetet më të rëndësishme portuale të epokës antike dhe posedon trashëgimi kulturore thelbësore nga periudha romake e rajonit, përfshirë teatrin antik, agora, nekropol dhe mure.

Lokaliteti antik, i cili ndodhet 17 kilometra në jug të qarkut Ayvacik, u pranua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 15 prill 2017.

Sipas faqes së internetit të UNESCO-s, Assos, si një qytet-shtet i rëndësishëm në periudhën Arkaike, kishte rolin e tij të rëndësishëm në rajon deri në kohën bizantine.

Arkeologët turq filluan gërmimet në Assos në vitin 1981.

Mbrojtja, promovimi dhe restaurimi i qytetit antik po ndërmerren nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, guvernatori i Çanakkalasë dhe administrata lokale e fshatit Behramkale./ KultPlus.com

Në Turqi protestohet kundër tërheqjes nga Konventa që i mbron gratë

Mijëra gra protestuan të shtunën në Turqi kundër vendimit të autoriteteve për tërheqje nga Konventa që synon mbrojtjen e grave nga dhuna.

Protestueset kërkuan nga presidenti turk, Reccep Tayip Erdogan që të kthejë vendimin e tij për tërheqje nga traktati.

“Përmbyse vendimin, zbato traktatin!”, brohoritën ato gjatë një proteste në lagjen Kadikoy, në anën aziatike të Stambollit.

Një protestuese e quajtur Banu, i tha agjencisë AFP se ajo ishte “ngopur me shtetin patriarkal”.

“Jam ngopur duke mos u ndier i sigurt. Mjaft!”, tha ajo.

Protestuesit mbajtën portrete të grave të vrara në Turqi, me një mbishkrim: “Janë gratë ato që do të fitojnë këtë luftë”.

Protesta të tjera më të vogla u mbajtën në kryeqytetin Ankara dhe qytetin jugperëndimor të Izmirit, sipas raporteve të medias. Konventa e Stambollit e vitit 2011, e nënshkruar nga 45 vende dhe Bashkimi Evropian, kërkon që qeveritë të miratojnë legjislacionin që ndjek penalisht dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave.

Qeveria turke shkaktoi zemërim të brendshëm dhe ndërkombëtar pasi shpalli vendimin për tërheqje. Konservatorët në partinë nacionaliste të Erdoganit dhe aleatët e tyre kanë thënë se traktati dëmton unitetin e familjes.

Organi më i lartë i të drejtave të njeriut në Evropë, Këshilli i Evropës, dënoi tërheqjen e Turqisë nga traktati. Ky mekanizëm ka qenë sponsorizues i këtij dokumenti.

“Kjo lëvizje është një pengesë e madhe sepse pengon mbrojtjen e grave në Turqi, anembanë Evropës dhe më gjerë”, tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejcinovic Buric.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Turqinë, Nacho Sanchez Amor shkroi në Twitter se “kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë aktuale turke: mosrespektimi i plotë i sundimit të ligji. / KultPlus.com

Hapë aplikimet festivali më i madh i aviacionit, hapësirës dhe teknologjisë në Turqi

Filluan aplikimet për “Garat Teknologjike” në kuadër të festivalit më të madh të aviacionit, hapësirës dhe teknologjisë “TeknoFest” në Turqi. Në festivalin e shumë pritur dhe ndjekur nga qindra-mijëra të rijnë vitin e kaluar, kanë aplikuar në konkurse të ndryshme; mbi 100,000 të rinj, 20,197 ekipe nga 81 provinca dhe 84 shtete të ndryshme të botës.

Të rinjtë garuan mes veti dhe në finale arritën 5000 garues. Këtë vit, mijëra të rinj të kualifikuar nga shkollat fillore, shkollat e mesme, universitetet, nivelet pasuniversitare do të jenë në gjendje të marrin pjesë në garat e teknologjisë të organizuara në kategori të ndryshme për të realizuar ëndrrat e tyre. Afati i fundit i aplikimit është 28 shkurt 2021 .

Këtë vit të rinjtë do të kenë mundësi të aplikojnë në 35 kategori të ndryshme!

Për dallim nga viti i kaluar këtë vit hapen konkurset si: Konkurset për gara me rakete, Teknologjitë e Komunikimit, Gara e UAV, Inteligjencës Artificiale, Kulturës dhe Turizmit, Projektet Kërkimore të Polit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, Automjetet Bujqësore pa Tokë dhe Teknologjitë Digjitale organizohen për herë të parë.

Përmes festivalit TEKNOFEST dhe garave dhe kategorive nga Rocket Autonom, Sistemet nënujore,  Sistemet në Bujqësi, Turqia synon të rrisë burimet e saj të trajnuara njerëzore në fushën e inxhinierisë, të rrisë interesimin e të rinjve në prodhimin dhe zhvillimin e teknologjisë kombëtare dhe të krijoj një ndërgjegjësime në fushat e shkencës dhe teknologjisë në botë.Turqia mban konkurset më të mëdha të Teknologjisë nga synohet edhe krijimi i vetëdijes në teknologji dhe shkencë, si dhe kontributi për një të ardhme teknologjike më të shendosh dhe më të sofistikuar.Kuadrot që kalojnë fazën e parë të eliminimeve do të kenë mbështetje me materiale të vlerës mbi  5 milion lira turke.

Ekipet që garojnë në TEKNOFEST dhe kualifikohen për renditjen do të marrin më shumë se 5 milion lira turke.Festivali i Aviacionit, Hapësirës dhe Teknologjisë – TEKNOFEST organizohet nga Ministria e Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me kompanitë prestigjioze të teknologjisë si dhe mbështetet edhe nga institucionet publike, universitetet dhe NGO-të. Festivali do të mbahet me datat 21-26 shtator 2021 në Stamboll. Për të qenë pjesë e festivalit dhe për tu informuar për detajet ju lutem vizitoni faqet e mëposhtme: https://teknofest.org/en/ / KultPlus.com

Një dëshmi e bukur historike, teatri romak ‘’Aspendos’’ në Turqi

Monumentet e trashëgimisë kulturore janë dokumentuese të jetesës aktive të popujve dhe të historisë përgjithësisht. I tillë është teatri ‘’Aspendos’’ në Serik të Turqisë, që është një vlerë antike në vete, shkruan KultPlus.

Ky teatër na jep një vështrim se si ishte jeta në vitet 160 para erës sonë.

I ndërtuar gjatë sundimit të perandorit romak Marcus Aurelius, ky teatër përmban mbishkrime në muret e tij që na tregojnë  për arkitektin grek, Zenon, i cili lindi në Aspendos.

Akustika e teatrit është spektakolare dhe është projektuar të përshtatet për 7,300 deri 7,600 njerëz.

Ndryshe nga shumë teatrot e tjerë në botë, teatri i Aspendos iu nënshtrua një rindërtimi të shekullit të 13-të./ KultPlus.com

Në Turqi gruaja mund të divorcohej nga burri nëse ai nuk i siguronte kafe të mjaftueshme

Ekzistojnë shumë ligje të pazakonta për divorc në të gjithë botën në varësi të kulturës dhe historisë së njerëzve dhe duket se kafeja ndodh të jetë pjesë e listës gjithashtu, shkruajnë mediat e huaja, transmeton KultPlus.

Kafeja për shumë është mënyra e vetme për të filluar një mëngjes të mbarë, dhe mungesa e një doze të kafeinës në mëngjes mund ta dërgoi dikë deri në atë pikë sa të kërkoj edhe divorc.

Dashuria turke për kafenë filloi nga shekulli i 16, kur në 1555 u prezantua në Kostandinopojë (Stambolli i sotëm) dhe filloi kulturën e shtëpive të kafesë në vend. Pija që stimulonte energjinë tek kushdo që e konsumonte atë, nga delet te burrat, ishte arsyeja kryesore pse u bë kaq e njohur.

 Kafeja ka origjinën nga Etiopia ku sipas legjendave thuhet se delet ishin ato që zbuluan manaferrat e kuqe që u jepnin atyre një kënaqësi të papritur kur e konsumonin. Barinjtë pasi e kishin vërejtur këtë vendosën ta provojnë vet dhe gjetën manaferrat për ti pjekur dhe shijuar. Sidoqoftë, në Kostandinopojën e Shekullit 16, pijet filluan të bëhen me fasulet e pjekura dhe jo me manaferrat. Popullariteti i saj i dha rrugë kulturës për kafene dhe i inkurajoi ata të jenë qendrat sociale ku burrat do të zhvillonin mbledhjet e tyre dhe do të kalonin kohën duke biseduar mbi kafenë.

Kafeja u futë aq thellë në kulturën turke sa burrat e konsideronin të merrnin një grua për martesë bazuar në mënyrën se si ajo përgatiste kafenë. Madje erdhi një kohë kur kjo i ngjalli edhe pasiguri Sulltanit (sundimtarit) të Perandorisë Osmane, i cili mendonte që ti mbyllte kafenetë. Ai ishte i shqetësuar për numrin e burrave që mblidheshin së bashku, e të ndanin pikëpamjet e tyre rreth kafesë, pasi qe kjo mund ti shkaktonte probleme shumë shpejtë.

Kafeja dhe Gratë Turke

Megjithëse rëndësia e vërtetë e kafesë mbi shoqërinë e tyre mund të shënohet nga fakti se mungesa e saj mund të qëndronte si baza shumë e vërtetë dhe e kuptueshme për divorc ose jo, por jo për burrat, ky ligj ishte në favor të grave të vendit. Përndryshe të drejtat e grave në Turqi panë një rritje të papritur kur erdhi në jetë ky ligj. Sipas saj, nëse burri nuk do t’i siguronte gruas së tij diçka aq të qartë (në kulturën e tyre) dhe të nevojshme, gruaja mund të divorcohej prej tij. Nuk ka edhe shumë raste të tilla të raportuara ku një grua do të pranonte të linte familjen e saj dhe të shkonte për të mbijetuar vetëm me të gjitha të drejtat e pakta për të cilat është bekuar. Përveç Turqisë, ligji sheh dritën e pranimit edhe në Arabinë Saudite. Ky ishte një hap përpara për t’i dhënë më shumë të drejta liberale pjesës më të injoruar të shoqërisë së tyre, grave. / KultPlus.com

Turqia do të rihapë teatrin 2.200-vjeçar në Laodicea me 15 mijë vende

Një teatër antik në Turqinë jugperëndimore do të rihapet kur të përfundojë puna e restaurimit vitin e ardhshëm, në lokacionin arkeologjik të vjetër 2.200 vjeç.

Qyteti i lashtë i Laodicea, i cili është renditur si një vend në listën paraprake të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, do të fillojë sërish të funksionojë, thuhet në një deklaratë të Agjencisë së Zhvillimit të Egjeut Jugor (GEKA).

Aktivitetet e gërmimit dhe restaurimit në teatrin perëndimor me kapacitet prej 15 mijë njerëz, janë planifikuar të përfundojnë në muajin mars të vitit 2021, thuhet në deklaratë.

“Ne do të realizojmë me lehtësi të gjithë projektin për të cilin jemi angazhuar deri në fund të marsit 2021”, thuhet në deklaratë, ku citohet Celal Şimşek, kreu i gërmimeve në lokacion dhe një arkeolog nga Universiteti Pamukkale në Denizli, shkruan AA.

“Kjo strukturë humbi karakteristikat e saj që nga shekulli i katërt. Sidoqoftë, me përpjekjet që do të realizohen, ajo do të rimarrë tiparet e saj të mëparshme pas 1.600 vjetësh”, shtoi Şimşek.

Duke theksuar se sapo të hapet, teatri perëndimor pritet të tërheqë një numër të konsiderueshëm turistësh, Şimşek tha se 90 për qind e materialeve origjinale të gjetura në zonën e gërmimit po përdoren në restaurim.

Për këtë arsye, Şimşek tha se shpreson për një çmim nga Europa Nostra, që vlerëson projekte të ngjashme.

Sipas UNESCO-s, Laodicea është qyteti i vetëm antik në rajon me dy teatro.

Duke qenë një lokacion ku ndodhen rrënoja historike që datojnë nga 5.500 para erës së re, Laodicea ishte një nga qendrat më të rëndësishme të tregtisë, artit dhe sportit në Anadollin antik dhe ka tërhequr shumë turistë në zonë. / KultPlus.com

Një monument i trashëgimisë botërore në Stamboll kthehet në çështje politike

Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan dëshiron ta shndërrojë monumentin me famë botërore Aja (Hagia) Sofia në Stamboll në xhami. Ai do të fitojë pikë tek votuesit turq, por për planet e tij ka dhe mjaft kundërshtime të forta.

Aja Sofia nuk është vetëm monumenti më i njohur turistik i Stambollit, por edhe një atraksion turistik i gjithë Turqisë. Kupola e madhe dhe afresket tërheqin çdo vit miliona vizitorë dhe i kanë dhënë ndërtesës statusin e një monumenti të trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Por Aja Sofia është më shumë se një kryevepër arkitektonike – dhe ka qenë gjithmonë një simbol politik. Ndërtesa monumentale u ngrit në shekullin e gjashtë pas Krishtit nga perandori bizantin Justinian.

Kur osmanët pushtuan Kostandinopojën në vitin 1453, Sulltan Mehmeti II e shndërroi shpejt kishën në xhami. Edhe themeluesi i Republikës Turke, Mustafa Kemal Ataturku, e përdori kishën për një akt me rëndësi të madhe simbolike: në vitin 1935, ai e ktheu Aja Sofinë në muze. Turqia moderne është një vend laik, ky qe mesazhi i asaj kohe.

Tani Presidenti aktual turk Rexhep Tajip Erdogan dëshiron ta përdorë në mënyrë simbolike ndërtesën në lagjen Fatih të Stambollit. Për shumë prej votuesve të tij nacionalistë-islamikë, Aja Sofia është simbol i pushtimit të Kostandinopojës së krishterë nga osmanët dhe i epërsisë së botës islamike.

Vendim përçarës

Presidenti turk dhe kreu i partisë në pushtet AKP tani po bën gjithçka për të prapësuar vendimin e Ataturkut. Aja Sofia do të vihet përsëri në dispozicion për shërbime fetare islamike. Në Turqi ka pasur diskutime të përsëritura për shndërrimin e Aja Sofisë në xhami – por kësaj radhe planet po marrin një formë të qartë: Gjykata e Lartë Administrative shqyrtoi këtë të enjte nëse dekreti i Ataturkut, me të cilin Aja Sofia u shndërrua në muze në vitet 1930, është ende i ligjshëm. Vendimi pritet pas 15 ditësh.

Përpjekje e Erdoganit për ta kthyer Aja Sofinë nga muze në xhami mund të hapte llogore të reja në shoqërinë turke. Patriarku Bartholomaios i Kostandinopojës, kreu i Kishës Ortodokse, u shpreh rreptësisht kundër shndërrimit të Aja Sofisë në xhami. Aja është një nga monumentet më të rëndësishëm të civilizimit njerëzor dhe u përket jo vetëm pronarëve të tij të drejtpërdrejtë, por “të gjithë njerëzimit”, tha patriarku gjatë një shërbimi fetar në Stamboll

Nuk ka asnjë justifikim fetar

Edhe bota akademike është e shqetësuar për transformimin e mundshëm të muzeut. “Ndërtesa u ka shërbyer dy feve botërore për 1500 vjet pa pasur nevojë të ndryshojë rrënjësisht arkitekturën e saj,” thotë historiani Edhem Eldem nga Universiteti Bogazici i Stambollit. “Në të gjithë botën ka vetëm një numër të vogël kësi lloje ndërtesash. Dhe ne duhet t’i mbrojmë ato”. Aja Sofia është simbol i një trashëgimie të përbashkët, universale njerëzore. “A duam ta izolojmë dhe ta fshehim këtë trashëgimi – apo më mirë t’ia prezantojmë atë gjithë botës?”, pyet Eldem.

Edhe teologu Ihsan Eliaçık mendon në mënyrë të ngjashme. Për të nuk ka asnjë arsyetim apo justikim fetar për një hap të tillë. Në Kuran nuk ka vend për të arritur “një të drejtë përmes shpatës”. “Përvetësimi me dhunë i monumenteve kulturore është i ndaluar”. Aja Sofia është një simbol i paqes midis botës islamike dhe asaj të krishterë, thotë Eliacik.

Tani të gjithë presin vendimin e Gjykatës së Lartë Administrative/DW./ KultPlus.com

Shfaqet mbi një liqen në Turqi kisha 1600-vjeçare

Një nga benefitet më të mëdha të izolimit nga Covid-19 ka qenë impakti tek mjedisi që nga pastrimi i ajrit, ujërave dhe natyrës. Gjatë karantinës u duk sikur planeti Tokë më në fund po merrte frymë.

Shembulli më i mirë i kësaj ka ndodhur në Turqi, ku pastrimi i ujërave në liqenin Iznik ka bërë që për herë të parë të shihen gjurmët nënujore të një kishe antike 1,600 vjeçare.

Fotografitë e pabesueshme janë shpërndarë në mediat e huaja, ku qartësia e kristaltë e ujit ka mundësuar që kisha e kohës Bizantine të dalë në dukje.

Kjo kishë është disa metra e mbuluar disa metra nga uji dhe është zbuluar në vitin 2014-të ekzistenca e saj, por vetëm këto ditë ka qenë e mundur që të shihet me sy të lirë.

Në kohën e gjetjes, Instituti Arkeologjik i Amerikës e quajti këtë kishë si një nga 10 zbulimet më të mëdha të vitit.

Historianët besojnë se kjo kishë antike është ndërtuar në vitin 390 pas Krishtit për nder të Shën Neofitos, një shenjt i krishterë i martirizuar në vitin 303 pas Krishtit./ KultPlus.com

Mbishkrimi antik në gur zbulon civilizimin e humbur në Turqi

Dimrin e kaluar një fermer vendas në jug të Turqisë u rrëzua mbi një gur të madh me mbishkrime misterioze që ishte gjysmë i zhytur në një kanal për ujitje.

Guri, sipas analizave të fundit, zbuloi historinë e lashtë të një civilizimi të humbur që mund të ketë mposhtur mbretërinë Phrygia të mbretit Midas në fund të shekullit VIII para erës sonë.

Sipas një deklarate, disa muaj pasi që e zbuloi gurin, fermeri u tregoi arkeologëve vendas për ekzistencën e tij, transmeton Koha Ditore.

”Menjëherë ishte e qartë se ishte i lashtë dhe ne njohëm gjuhën në të cilin shkruhej në gjuhën luviane e përdorur në epokat e bronzit dhe hekurit”, ka thënë James Osborne arkeolog dhe asistent profesor i arkeologjisë së Anadollit në Universitetin e Chicagos.

Me një traktor, fermeri i ndihmoi arkeologët të nxirrnin nga kanali gurin e rëndë apo shtyllën me mbishkrime.

Sipas deklaratës, shtylla me mbishkrim ishte e mbushur me hieroglifë të shkruar në gjuhën luviane, një nga gjuhët me të vjetra indoevropiane.

Gjuha e shkruar e mbushur me simbole me hieroglifë që datojnë nga Turqia e lashtë, lexohet në sekuenca të alternuara nga e djathta në të majtë dhe nga e majta në të djathtë. /Koha.net /KultPlus.com