Shpërngulja (e pavullnetshme) e shqiptarëve nga trojet e veta në Turqi

Marrëveshja turko-greke, 97 vjet më parë në Lozanë të Zvicrës, firmosi shkëmbimin e popullatës. Më 30 janar të vitit 1923, u nënshkrua në Lozanë, marrëveshja e veçantë turko-greke, mbi shkëmbimin e grekëve të Anadollit, me “turqit” (këtu u përfshinë shqiptarët e besimit mysliman, nga Çamëria) e Greqisë.

Me një dekret, Greqia përvetësoi pronat e shqiptarëve myslimanë dhe jo zyrtarisht i trajtoi si popullsi shkëmbyese, ashtu siç e parashihte Marrëveshja e Lozanës, për turqit e Greqisë.

Sipas marrëveshjes, duke filluar që nga 1 maji i vitit 1923: “…duhet të kryhet shkëmbimi, i detyrueshëm i shtetasve “turq” të besimit ortodoks.

Grekët e vendosur në tokat turke, gjithashtu edhe i shtetasve grekë të besimit mysliman, nga të vendosur në tokat greke.

Të shkëmbyerit duhet të linin vendin e origjinën dhe duhej të fitonin atë të vendit ku shkonin, pa të drejtë kthimi.

Ndërsa, në verë të vitit 1924, procesi i shkëmbimit mori karakter masiv.

Pas kësaj në vitin 1938 qeveria e Mbretërisë Jugosllave ka nënshkruar një konventë me qeverinë e Republikës së Turqisë për emigrimin e popullatës turke (në të vërtet ishte fjala për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të konfesionit mysliman), nga pjesa jugore e Serbisë, gjegjësisht nga Kosova dhe trevat tjera shqiptare që shtriheshin në 3 banovina: në banovinën e Zetës, Moravës dhe të Vardarit.

Konventa:

Mbi rregullat e emigrimit të popullatës turke * (*Fjala është për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të konfesionit mysliman) nga regjioni i Serbisë së Jugut në Jugosllavi.

Qeveria e Republikës së Turqisë dhe Qeveria e Madhërisë së Mbretit të Jugosllavisë konstatojnë:

– Emigrimin (shpërnguljen) e myslimanëve nga regjioni i Serbisë së Jugut, dhe

– Njëherit vlerësojnë se kjo popullatë nga ana tjetër, në përgjithësi, i ka humbur të drejtat e regjimit të lirë në Jugosllavi, dhe së bashku janë përcaktuar ta braktisin territorin e Mbretërisë, me dëshirën e tyre legjitime, në mënyrë që t’u bashkohen etnikëve të tyre natyral në Turqi.

Ata shfaqën dëshirën që të nënshkruajnë Konventën sipas së cilës caktohen mënyrat e shpërnguljes si dhe pre-impotencat e tyre përkatëse të:

Madhërisë së tij, Mbretit të Jugosllavisë;

M.

Ekselenca e tij, Zoti Kryetar i Republikës së Turqisë.

M.

Ato do të komunikojnë dhe do t’i përmbushin dëshirat e tyre, sipas mënyrave të caktuara me dispozitat vijuese:

Neni 1.

Me këtë konventë identifikohen shtetasit jugosllavë me fé, kulturë dhe kombësi myslimane dhe që flasin gjuhën turqishte.

Ndërsa, me këtë Konventë nuk identifikohen, personat për të cilët hyrja në Turqi është ndaluar sipas ligjeve dhe rregullave të Turqisë, të cilat janë në fuqi, edhe atë: popullata nomade dhe ajo jevge.

Neni 2.

Regjionet, të cilat i nënshtrohen emigrimit sipas kësaj Konvente, janë si vijon:

1. Rajoni i Banovinës së Vardarit:

Rajoni i Malit Sharr (Prizreni); Gora (Dragashi); Podgora (Suha-Reka); Nerodimja (Ferizaj); Donji Pollog-Pollogu i Ulët (Tetova); Gornji Pollog-Polloga i Sipërm (Gostivari); Galica (Rostusha); Dibra (Dibër); Struga (Strugë); Graçanica (Prishtinë); Kaçaniku (Kaçanik); Gjilani (Gjilan); Presheva (Preshevë); Prespa (Resnja); Poreçi (Juzhni Brod-Makedonski Brod); Prilepi (Prilep); Bitoli (Manastiri); Kavadarci (Kavadari); Marihovo (Manastiri-Marihovë); Negotin Na Vardaru (Negotini i Vardarit); Skopje (Shkupi), Kumanova (Kumanovë); Velesi (Velesi); Ovçe Pole (Ovçe Pole); Radovishte (Radovishte); Strumica (Strumicë); Dojrani (Valandova); Gjevgjelija (Gjevgjelija); Kriva Pallanka (Kriva Pallanka); Kratovo (Kratova); Carevo Sello (Carevo Sello); Malesi (Berovo).

2. Rajoni i Banovinës së Zetës, përfshin:

Pejën (Pejë); Istokun (Istog); Mitrovicën e Kosovës (Mitrovicë e Kosovës); Gjakovën (Gjakovë); Podrimjen (Rahovec).

3. Rajoni i Banovinës së Moravës përfshin:

Llapin (Podujevë); Vuçiternën (Vuçitërnë); Drenicën (Sërbicë).

Qeveria jugosllave do të caktonte se nga cili regjion do të fillonte emigrimi (shpërngulja).

Neni 3.

Numri i familjeve, për të cilat Qeveria turke merr obligimin që t’i pranojë nga regjionet e përmendura në Nenin 2, sipas kushteve të kësaj Konvente, përbëhet prej 40.000 familjesh. Këtu përfshihen familjet e përbashkëta dhe anëtarët e tyre (personat) dhe fëmijët e një gjaku, të cilët në momentin e nënshkrimit të kësaj Konvente, jetojnë në një bashkësi familjare të pandarë dhe nën një kulm të përbashkët.

Neni 4.

Riatdhesimi i këtyre 40.000 familjeve do të realizohet për gjashtë (6) vjet, sipas këtyre proporcioneve:

1. Në vitin 1939 – 4.000 familje

2. Në vitin 1940 – 6.000 familje

3. Në vitin 1941 – 7.000 familje

4. Në vitin 1942 – 7.000 familje

5. Në vitin 1943 – 8.000 familje

6. Në vitin 1944 – 8.000 familje

Nëse ky numër i familjeve nuk mund të realizohet sipas viteve të parapara për shkak të pengesave-vështirësive eventuale, dy palët kontraktuese, do të bëjnë marrëveshje sipas dispozitave përkatëse ligjore mbi numrin e të emigruarve (të shpërngulurve), të cilët do të evakuohen nga njëra anë, dhe do të pranohen nga pala tjetër, tre muaj para fillimit të emigrimit. Por, kuptohet se këto ndryshime eventuale të numrit të të emigruarve (të shpërngulurve) në vit, nuk mund të zgjatet më tepër se një vit gjatë gjashtë (6) viteve të caktuara -të fiksuara për emigrim (për shpërngulje). Koha e emigrimit (shpërnguljes) për çdo vit do të zgjasë (do të fillojë) prej muajit maj deri më 15 tetor, pos kontingjentit të vitit të parë, i cili do të fillojë në fillim të muajit korrik të vitit 1939.

Neni 7.

Qeveria jugosllave duhet t’i paguajë Qeverisë turke shumën prej 500 lirash turke për një familje, ndërsa shuma e tërësishme do të jetë 20.000.000 lira turke për 40.000 familje, në bazë të së cilës shumë, këto familje do të merren në konsiderim. Përkundër kësaj pagese globale, të gjitha pasuritë e patundshme fshatare që u përkasin të shpërngulurve, në pajtim me Nenin 6, mbeten pronë e Qeverisë Jugosllave. Sa i perket pasurisë së tundshme dhe të patundshme fshatare, e cila i takon kombësisë myslimane ose Evkafit (Vakëfit), kuptohet se kjo Konventë nuk i dëmton dispozitat e Ligjit ekzistues, i cili i rregullon ato.

Neni 8.

Qeveria jugosllave më 1. prill dhe më 1. tetor të çdo viti do të kryejë (bëjë) pagesën periodike (semestrale), e cila do të jetë në proporcion me familjet që shpërngulen, të cilat do të evakuohen gjatë vitit, e që mund të zvogëlohet ose të rritet në proporcion me numrin e tyre. Pagesa, shuma e së cilës është caktuar me nenin e mëparshëm (Neni 7) do të bëhet në 12 kiste e ndarë për gjashtë (6) vjet.

Neni 9.

Qeveria jugosllave, secilën pagesë do ta bëjë në këtë mënyrë:

30% në deviza, të cilat duhet t’ia lejojë në dispozicion Qeverisë së Republikës së Turqisë përmes Bankës Popullore të Jugosllavisë;

70% në dinarë, duke i deponuar në Bankën Popullore të Jugosllavisë, në dobi të xhirollogarisë – në favor të Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Banka Popullore e Jugosllavisë, për secilën pagesë do ta njoftojë menjëherë Legatën e Turqisë në Beograd, se depozita është bërë në xhirollogarinë e tyre.

Neni 10.

Për shndërrimin e dinarëve në lira turke, Banka Popullore e Jugosllavisë dhe Banka Qendrore e Republikës së Turqisë do të realizojnë, në marrëveshje të përbashkët, sipas kursit të ndërrimit në lira turke, i cili vlen ditën e ndërrimit, përkatësisht në ditën e secilës pagesë.

Neni 11.

Shumat (fondet) e deponuara në Bankën Popullore të Jugosllavisë do të shfrytëzohen nga ana e Qeverisë së Republikës së Turqisë, qoftë në të gjitha format ose pagesat dhe shpenzimet, të cilat do të bëhen në Jugosllavi, qoftë për blerje në tregun jugosllav, përveç mallrave, eksportimi i të cilave është i ndaluar dhe i kushtëzuar me pagesat e tyre në deviza (siç janë): bakri, leshi, prodhimet nga lëkura, prodhimet nga druri i arrës, frutat e vajrave, ullinjtë, gruri dhe misri.

Blerja e të gjitha këtyre mallrave do të realizohet, duke ia destinuar ato Turqisë. Këto mallra do të lirohen nga çdo tatim, taksë ose nga çdo ngarkim tjetër i eksportimit. Kuptohet se, për eksportim nuk do të zbatohen dispozitat e parashikuara në bazë të marrëveshjeve komerciale (tregtare) të lidhura ose që do të lidhen, por ajo do të bëhet në pajtim me dispozitat e kësaj Konvente.

Neni 12.

Personat që do të evakuohen gjatë periudhës së shpërnguljes, të cilët do të shpërngulen sipas listës vjetore, duhet të japin (paraqesin) deklaratë me shkrim para autoriteteve jugosllave në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi shtetasit jugosllavë që është në fuqi, se heqin dorë nga shtetësia Jugosllave me dëshirë. Këta persona do t’i kenë cilësitë dhe do t’i gëzojnë të drejtat e të shpërngulurve sipas ligjeve turke, që nga momenti kur përfaqësuesit e Turqisë, të cilët do të emërohen për këtë çështje, do t’i nënshkruajnë listat vjetore të emigrimit në Turqi.

Neni 13.

Të shpërngulurit, në përgjithësi, do të jenë të lirë t’i likuidojnë ose t’i bartin me vete të gjitha mallrat (e pasurinë) e veta të tundshme të të gjitha llojeve, me të cilat posedojnë (si pronë personale), pastaj shtazët e shpezët nga fermat e tyre, instrumentet, makinat etj. të cilat përdoren në punë bujqësore ose industriale ose për ushtrimin e zejeve e profesioneve të tjera.

Megjithatë, për transportin e mallrave dhe të pasurisë së tyre të tundshme, veglave bujqësore, pastaj nga 4 kafshë të trasha dhe nga 10 kafshë të vogla, duke mos i llogaritur të vegjlit e tyre, vjetët etj.; Qeveria Jugosllave merr përsipër që ato t’i transportojë gratis deri në limanin e zbarkimit të tyre në Selanik.

Për transportin e mallrave, të shpërngulurit gëzojnë zvogëlimin e taksave sipas tarifës në fuqi. Megjithatë, nuk gëzojnë zvogëlimin e taksave për kafshë, si p.sh. gjashtë kafshë të trasha dhe 20 kafshë të imëta (të vogla) duke mos i llogaritur të vegjlit e tyre, për secilën familje që shpërngulet.

Eksportimi i kafshëve bëhet sipas dispozitave të Konventës ekzistuese veterinare dhe në bazë të certifikatës së veterinarit, të cilat do të sigurohen gratis për ata që shpërngulen.

Neni 14

Ata që shpërngulen janë të autorizuar, që në mënyrë të barabartë të importojnë: ekskluzivisht stolitë e tyre personale, pikërisht qaforet ose pjesët e tyre, gjerdanët nga ari, argjendi, të cilat i mbajnë në qafë femrat, si dhe secili nga ata nuk mund të importojnë më shumë se një sosh.

Përkundër kësaj, secili kujdestar i familjes është i autorizuar që lirisht të importojë, në të dalë nga Jugosllavia, shumën prej 2.000 dinarësh, si dhe shumën prej 4.000 dinarësh të shndërruar në kundërvlerë në deviza. brendshëm, pas likuidimit të pasurisë së tyre të tundshme dhe të patundshme në qytet e në fshat, mallrat, eksportimi i të cilave nuk është i kushtëzuar në deviza ose i ndaluar në Jugosllavi si dhe importimi i të cilave nuk është i ndaluar në Turqi. Të gjitha këto mallra do t’i nënshtrohen taksave dhe ngarkesave të tjera të eksportimit dhe të importimit.

Neni 15.

Banka Popullore e Jugosllavisë do të hapë xhiro-llogarinë speciale në emër të Qeverisë së Republikës së Turqisë në Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë, në të cilën secili i shpërngulur do të ketë mundësinë të deponojë të gjitha shumat që i takojnë dhe me të cilat disponon, në pikëpamje të garantimit të transferimit përmes blerjes së mallrave në Jugosllavi, Banka Popullore e Jugosllavisë do ta njoftojë Legatën e Turqisë në Beograd për secilën pagesë të bërë në efektiv, me udhëzim të detalizuar të deponuesit. Këto shuma, kështu të transferuara në Turqi, përmes mallrave të blera në Jugosllavia, do t’u kthehen të interesuarve nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë.

Neni 16.

Fondet, mallrat, vlerat, mobilet dhe të gjitha objektet e tjera, të cilat u përkasin të miturve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, të cilëve ua ka besuar kujdestari i familjes dhe të besuara nga organet kompetente jugosllave, do t’i paguhen ose do t’i lejohen Qeverisë së Republikës së Turqisë, që në të ardhmen do t’i sigurojë administrata dhe mbrojtja e tyre, deri sa të rriten ata, ndërsa shpagimi i tyre do t’i bëhet kryetarit të familjes, i cili e gëzon këtë të drejtë në pajtim me ligjet e Turqisë.

Neni 17.

Të gjithë të rinjtë myslimanë, familjet e të cilëve janë regjistruar në listat vjetore të shpërnguljes, e të cilët ende gjenden në radhët e armatës jugosllave, menjëherë do të lirohen nga shërbimi ushtarak i mëtejmë, dhe në të njëjtën kohë do të shpërngulen së bashku me familjet e tyre. Nën të njëjtat kushte, nuk do të përfshihen, të rinjtë myslimanë turq që jetojnë në regjionet, popullsia e të cilave është caktuar të emigrohet gjatë vitit vijues.

Neni 18.

Nga ana e Qeverisë jugosllave do të emërohet një Komision special, i cili do të angazhohet për hartimin e listës vjetore për të shpërngulurit, duke e detalizuar me të gjitha shënimet e nevojshme mbi kushtet, profesionin dhe zejet e emigrantëve. Listat duhet t’u prezantohen përfaqësuesve të Qeverisë turke, dhe njëherit duhet të zbatohen nga ana e tyre, ato do të shërbejnë si bazë për lejimin e dhënies së pasaportit turk, si dhe për llogaritjen e numrit të familjeve të të shpërngulurve.

Ky Komision jugosllav do të mbajë bashkëpunim të përhershëm me të deleguarit turq, dhe në kërkesë të tyre, duhet t’u ofrojë atyre të gjitha informatat për të cilat ata kanë nevojë.

Neni 19.

Nisja dhe ngarkimi i të shpërngulurve do të bëhet në bazë të pasaportave turke kolektive, të cilat do t’u lejohen atyre nga autoritetet konsullore të Qeverisë së Republikës së Turqisë në Jugosllavi. Pasaportat kolektive turke si dhe të gjitha dokumentet e tjera të nevojshme, të cilat vlejnë si dëshmi, përgatitja e listave vjetore dhe e vizave përkatëse në pasaporta për të dalë nga Jugosllavia, absolutisht do të bëhen gratis.

Neni 20.

Në zonën e lirë të Jugosllavisë, në Selanik, do të konstituohet një komision mikso turko-jugosllav i përbërë nga nëpunësit, të emëruar nga të dy qeveritë, i cili do të angazhohet, në marrëveshje të përbashkët, për të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme, sipas rrethanave dhe kushteve të ngarkimit dhe të zbarkimit të të shpërngulurve.

Neni 21.

Kjo Konventë hyn në fuqi ditën e ratifikimit të saj nga ana e të dy qeverive.

Njëherit, nënshkruesit, këtë Konventë do ta vërtetojnë me vulat përkatëse.

E hartuar në gjuhën frënge në vitin 1938/Konica.al / KultPlus.com

Dhëmbët e njerëzve si bizhuteri gjenden në rrënojat e qytetit 9000-vjeçar turk

Studiuesit e rrënojave të Çatalhoyukut në Turqinë qendrore kanë zbuluar prova që banorët dikur mbanin dhëmbë njerëzorë si bizhuteri.

Një grup arkeologësh zbuluan tre dhëmbë njerëzorë të ruajtur ndërsa ishin në një gërmim në qytetin proto-neolitik, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Dhëmbët datojnë rreth afro 6.500 vjet para Krishtit dhe dy prej tyre treguan shenja se ishin krijuar në një formë konike duke përdorur një mikro-shpim, në mënyrë që ata të mund të vendosnin një tel dhe të përdorej si bizhuteri.

Studiuesit besuan se dhëmbët vinin nga të rriturit e moshës së mesme dhe ishin hequr pas vdekjes, sipas një raporti të kontribuuesve të revistës Forbes, shkruan Daily Mail.

“Këto zgjedhje materiale – dhe gjëja e rrallë e tyre në përgjithësi – sugjerojnë një vlerë më të thellë simbolike”, thotë studiuesi i Universitetit të Kopenhagës, Scott D. Haddow.

Haddow dhe kolegët e tij thonë se ky është rasti i parë i dokumentuar i dhëmbëve të njeriut të modifikuar artificialisht nga bluarja dhe shpimi për t’i kthyer ato në objekte dekorative.

Ndërsa hulumtimet e mëparshme kanë treguar përdorimin e dhëmbëve të kafshëve si objekte dekorative, dhëmbët e rritur mund të kenë një rëndësi të veçantë kulturore midis banorëve të Çatalhoyukut.

Në kulmin e saj, Çatalhoyuk kishte një popullsi prej rreth 8,000 njerëz, të cilët me kalimin e kohës, u detyruan të shkonin më larg jashtë qytetit për të gjetur tokë për kullota, parcela të reja toke për bujqësi dhe dru zjarri.

Çatalhoyuk është një nga shembujt më të hershëm të jetesës së dendur urbane, me më shumë se 8,000 banorë. Ai përfundimisht u braktis rreth vitit 5950 para Krishtit për shkak të ndryshimeve klimatike dhe burimeve të varfra për jetë.

Gjithashtu, Çatalhoyuk është një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në botë. Banorët e qytetit ishin fermerë të hershëm dhe për dallim nga qytetet e mëvonshme, nuk ka asnjë hierarki të dukshme – nuk ka shtëpi për priftërinj ose prijës, nuk ka tempuj dhe asnjë hapësirë publike.

Qyteti mbijetoi për rreth 2,000 vjet por hulumtimet e reja tregojnë se një kombinim i sëmundjes, dhunës dhe përfundimisht ndryshimit të klimës çoi në shkatërrimin e tij./ KultPlus.com

Brezi i pestë i familjes vazhdon traditën nga Kosova në Turqi për përgatitjen e bozës

Brezi i katërt dhe i pestë i familjes Mercan në rajonin Pazaryeri të qytetit Bilecik vazhdon profesionin e përgatitjes së bozës, të cilën e ka filluar në vitin 1917 në Kosovë dhe më pas e kanë transferuar në Turqi.

Prodhimi i bozës që Abdullah Efendi e filloi në Prizren të Kosovës u transferua në Turqi nga djali i tij Osman Ağa, të cilën në brezin e katërt e vazhdoi më pas djali i tij Abdullah Mercan. Ndërkohë që fëmijët e Mercanit, si brezi i pestë, vazhdojnë prodhimin e bozës, emri i së cilës identifikohet me familjen e tyre.

Prodhuesi i bozës Abdullah Mercan në një prononcim për AA tha se profesioni i bozaxhiut është një punë e vështirë dhe se në Turqi bëhet nga shumë pak profesionistë.

“Boza është shija e patjetërsueshme e muajve të dimrit. Ajo forcon kockat dhe lehtëson tretjen”, thotë Mercan.

Ai tha se bozën e prodhojnë me mel dhe miell misri. “Disa prodhues të bozës përdorin miell gruri për shkak se meli është i shtrenjtë, por ne nuk përdorim miellin e grurit”, tha Mercan.

Mercan tha se boza rrit qumështin tek nënat që ushqejnë fëmijët me gji, është i dobishëm dhe një produkt i ushqyeshëm për fëmijët dhe zhvillimin e kockave. “Fëmijët dhe nipërit tanë janë rritur me bozën. Dihet që nga kohët e shkuara se boza e thartë bën mirë për gripin dhe të ftohurit. Ajo bën mirë nëse pihet pasi të mbahet për një kohë dhe të thartohet. Boza e thartë ndërpret tempertaturën e nxehtë të trupit. Është një qetësues i mirë i temperaturës, mund ta provojë kushdo”, shtoi Mercan.

Mercan thotë profesioni i bozaxhiut njihet mirë nga personat që kanë emigruar në Turqi nga Ballkani. Sipas tij, më parë ka pasur më shumë prodhues të bozës.

“Në Turqi kanë mbetur 3-5 kompani që vazhdojnë këtë profesion. Me kohën ka patur një pakësim në këtë profesion për shkak se është punë e lodhshme. Në disa vende boza nuk njihet, por më shumë si burim shërimi ajo konsumohet në Stamboll, Kocaeli, Eskişehir dhe Bursa. Ne furnizojmë edhe qytetet si Ankaraja dhe Izmiri kur kemi porosi. Kur një person e provon bozën nuk heq më dorë prej saj, krijon varësi. Boza që ne prodhojmë jashtë rajonit tonë njihet me emrin e vjetër ‘Boza Pazarcık‘. Ajo në zonën tonë konsumohet kryesisht me ‘hallvën Pazarcık‘”, tha ai.

Në vazhdim Mercan shpjegoi gjithashtu se prodhimi i bozës fillon me ftohjen e motit dhe vazhdon deri në muajin prill.

Hatice Aydoğan Özsökmen e cila ka ardhur nga Stambolli në rajonin Pazaryeri, duke tërhequr vëmendjen se boza që prodhohet në këtë zonë nuk mund të zëvendësohet me një tjetër, tha se “Boza e prodhuar me mel dhe miell misri është më cilësore. Konsumova bozën Pazarcık dhe jam bërë e varur. Ua rekomandoj të gjithëve këtë bozë e cila është burim shërimi”. / KultPlus.com

Qeveria turke ka shkatërruar më shumë se 300 mijë libra

Më shumë se 300 mijë libra janë larguar nga shkollat turke dhe bibliotekat dhe janë shkatërruar që nga viti 2016 sipas ministrisë së edukimit në Turqi.

Ministri Ziya Selcuk ka deklaruar të hënë se 301.878 libra janë shkatërruar si shkak i zhdukjes së gjithçkaje që ka lidhje me Fethullah Gylenin, një klerik mysliman që akuzohet për instigimin e grushtshtetit të dështuar të vitit 2016. Gylen gjithmonë ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje.

Gjithashtu, organizatat e mbrojtjes së fjalës së lirë kanë alarmuar për mbylljen e 29 shtëpive botuese në Turqi. Arsyeja e mbylljes së tyre është shpërndarja e propagandës terroriste.

Edhe 200 mediume janë mbyllur, 80 shkrimtarë kanë qenë subjekt i hetimeve dhe persekutimeve ndërsa 5822 akademikë janë përjashtuar nga puna në 118 universitete publike./Gazeta Express / KultPlus.com

Si arriti të fitojë bursë për studime në Turqi studenti kosovar

Studenti i Kolegjit Universum Ard Simnica do të studiojë me bursë të plotë një semestër në “Altinbas University” në Turqi në kuadër të bursave ndërkombëtare që i ofron Kolegji Universum për studentë.

Apliko edhe ti https://bit.ly/2HuMame

Ardi, është një nga 103 studentët e Kolegjit Universum që kanë përfituar bursë ndërkombëtare për shkëmbim semestral në 22 shtete tē BE-së dhe Turqi. Çdo student përfiton shkollim falas dhe bursë 6,066€. 

Bëhuni pjesë e Kolegjit Universum dhe studio në universitetet më prestigjioze të botës. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame

Këtë vit Kolegji Universum ka shtuar bashkëpunimet me Universitete duke arritur në 395 numrin e bursave për 2019/2020, pra studentët e Kolegjit Universum këtë vit mund ti vazhdojnë studimet me bursë të plotë në 78 Universitete dhe në 22 shtete të BE-së. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame

Në kuadër të këtyre bashkëpunimeve kanë përfituar edhe stafi akademik si dhe ai administrativ i Kolegjit me vizita studimore, trajnime dhe ligjërata publike në këto universitete. Po ashtu, profesorë nga këto Universitete ligjërojnë në Kolegjin Universum. E gjitha kjo bëhet me qëllim të ngritjes së cilësisë së arsimit në vend.

Për më shumë informata rreth mundësive të studimit jashtë vendit, ju lutem ndiqni faqet në facebook & instagram, kontaktoni në: +383 44 144 062 ose [email protected]. / KultPlus.com

Gjuha shqipe, lëndë zgjedhore në Turqi

Mësimdhënia e gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore në shkollat 8 vjeçare në Turqi, përkrah kurseve intensive të pavarura të shqipes u konsiderua sot si një arritje e rëndësishme nga Ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Genti Gazheli.

Në mesazhin drejtuar shqiptarëve me rastin e festave të fundvitit, Gazheli evidentoi të gjitha sfidat dhe arritjet gjatë vitit 2018.

“2018-a po mbledh rrezet e fundit dhe kjo ambasadë mendon se i ka përmbushur më së miri sfidat që u shfaqën. Sfidat tona në të shumtën e rasteve ishin dhe janë kurorëzim suksesesh. Viti që po lëmë, për nga ana e realizimit të objektivave, mund të thuhet se ka shumë pika për tu vënë në pah”, tha Gazheli.

Numri i individëve apo i bizneseve, që duan të vijnë në Turqi apo të shkojnë në Shqipëri, sipas ambasadorit, është gjithnjë në rritje, transmeton atsh.

“Natyrisht, marrëdhëniet strategjike me Turqinë janë të përsosura dhe ne vazhdojmë të punojmë për cilësi të lartë në këtë aspekt. Gjithësesi, krahas këtyre marrëdhënieve të mira politike, fusha ekonomike mbetet përparësi, ku duhet punuar më tepër për këtë qëllim. Në këtë pikë ndërhyrja e Turqisë është thelbësore”, tha Gazheli.

Përsa i përket gjeopolitikës, Gazheli vlerësoi se Turqia është një ndër partnerët besnik të Shqipërisë dhe të çështjes shqiptare kudo në botë, të cilën e ka vërtetuar me mbështetjen e fundit të kandidaturave tona në OSBE, në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal etj.

Përveç kësaj, Gazheli theksoi se ambasada shqiptare ka qenë aktive si në diplomacinë ekonomike me vizitat që ka bërë dhe në thithjen e investimeve. Po ashtu, ai nënvizoi asistencën e ofruar shqiptarëve apo rolin e ambasadës në ekuilibrin e marrëdhënieve me vendin pritës dhe vendin që mbulojmë.

Gjithashtu, Gazheli theksoi se shumë të sëmurë që zgjedhin të kurohen në Turqi falë marrëveshjes midis dy shteteve tona gjejnë mbështetje dhe zgjidhje këtu. /KultPlus.com

Promovohet libri i dramave shqipe të përkthyera në Turqi, theksohet interesimi i lexuesve atje (FOTO)

Gili Hoxhaj

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Qendra Multimedia nga Prishtina, në bashkëpunim me shtëpinë botuese nga Turqia Mitos Boyut, organizuan promovimin e librit “Antologji e dramës bashkëkohore nga Kosova” [Çagdas Kosova Oyunlari Seçkisi], i botuar sivjet në Turqi, shkruan KultPlus.

Në përmbledhjen “Antologji e dramës bashkëkohore nga Kosova” [Çagdas Kosova Oyunlari Seçkisi] janë përfshi dramat e autorëve: Xhevdet Bajraj, Ilir Gjocaj, Visar Krusha dhe Jeton Neziraj.

Dramaturgu dhe udhëheqësi i Qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj u shpreh se ky promovim aksidentalisht ka qëlluar në dhjetëvjetorin e Himnit të Kosovës ndërsa tha se aksidentalisht mund ta quaj edhe faktin që ky libër botohet me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pasi që ky është botimi i parë jashtë Kosovës që financohet nga MKRS.

“Nëse nuk gaboj është hera e parë që Ministria e Kulturës ka financuar një botim jashtë Kosovës dhe e cilësoj si një hap shumë të mirë dhe shpresoj që do të vazhdoj edhe me botime të tjera të kësaj natyre”, theksoi Neziraj.

Sot para publikut në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, erdhi Drejtori i shtëpisë botuese Mitos Boyut, Turhan Yılmaz Öğüt. Mitos Boyut është shtëpia botuese më e madhe në Turqi e cila veprimtarinë e saj kryesore e ka botimin e dramave dhe librave të fushës së Teatrit.

Neziraj e cilësoi botuesin Turhan Yılmaz Öğüt, si një botues legjendar.

“Turhan Yılmaz Öğüt është botues legjendar dhe botuesi më i madhi dramave në Evropë pasi që boton një numër të madh të dramave të autorëve turq dhe jo turqtha ai.

Më herët kjo shtëpi botuese ka botuar edhe librat e Stefan Çapalikut, Doruntina Bashës e Jeton Nezirajt. Botuesi i njohur turk, Turhan Yılmaz Öğüt tregoi se për 25 vite shtëpia e tij botuese ka botuar ekskluzivisht vetëm drama, duke nxjerrë kështu rreth 800 botime, prej tyre 600 janë libra të dramave kurse pjesa tjetër përben tekste teorike që kanë të bëjnë me dramaturgjinë.

“Shtëpitë botuese në Turqi zakonisht hezitojnë që të botojnë vepra të dramës pasi numri i tirazhit është i ulët. Ne në botimet tona bëjnë përpjekje që ta mbajmë gjallë traditën e dramaturgjisë në Turqi. Edhe pse vëllimi i punës tonë duket të jetë i lartë me 800 botime, numri i stafit tonë është i ulët pasi që jemi vetëm tre veta dhe me këtë staf e kemi bërë gjithë këtë punë”, u shpreh botuesi Öğüt.

Botuesi Öğüt theksoi se përpiqen që në shtëpinë e tyre botuese të përfshijnë edhe teatrot e letërsive që nuk i përkasin letërsisë perëndimore por që janë pjesë e letërsisë botërore.

“Për 20 vite me radhë kemi kontribuar që të krijojmë teatro që prodhojnë vepra teatrale. Mund të them se krijuesit modern të kohëve të fundit janë të gjithë ata që ne kohëve të fundit u kemi kontribuar atyre”, tha tutje Öğüt.

Ai tutje u shpreh se një rëndësi të jashtëzakonshme në botimet e tyre kanë autorët e Ballkanit pasi që stili i jetës së tyre është shumë i afërt me stilin e jetës së turqve. Tutje ai theksoi se kjo ndodhë edhe për faktin se ai vet dhe përkthyesja janë me prejardhje nga Ballkanit. Lidhur me interesimin për veprat e autorëve shqiptar, tashmë të përkthyera, botuesi Öğüt u shpreh se interesimi është relativisht i mirë pasi që kanë kapur lexues të rinj që duan ta njohin Ballkanin.

“Krijuesit nga Ballkani pasi që i përkasin stilit të jetës që është e afërt me neve, janë shumë simpatik edhe për neve edhe për lexuesit tanë. Po ashtu kemi përkthyer edhe autorë nga Irani, Japonia, Kina, por numri i përkthimeve nga këto vende është më i ulët. Në të ardhmen do të vazhdojmë të përkthejmë krijuesit nga Ballkanit pasi që unë dhe përkthyesja jemi me prejardhje nga Ballkani dhe ne do të vazhdojmë edhe më tutje me këtë interesim”, tha botuesi Öğüt.

Përkthyesja e librit, Senem Cevher thotë se ka punuar një kohë të gjatë mbi veprat e Jeton Neziraj, ndërsa shpreson se edhe tre autorë të rinj të cilët i ka njohur përmes tij, të gëzojnë famën që ka Neziraj në Turqi.

“Jetoni është një autor mbi të cilin punoj një kohë të gjatë. Për herë të parë e kam përkthyer veprën “Urat” kurse me përkrahjen e tij tani jam njoftuar edhe me tre autorë të rinj, me Xhevdet Bajraj, Visar Krusha dhe Ilir Gjocajn. Unë shpresoj që edhe këta tre autorë do të fitojnë një famë të njëjtë në Turqi. Do të dëshiroja që të dija gjuhën shqipe në mënyrë që të përktheja në gjuhën origjinale”, u shpreh përkthyesja Cevher.

Po ashtu në këtë promovim është folur edhe për interesimin e teatrove turke për inskenimin e dramave shqipe atje.

““Pallati i ëndrrave” nuk do të inskenohet në teatrin shtetëror, pas dy javësh kemi zgjedhje në Turqi dhe nwse diçka do të ndryshoj, ajo mund të inskenohet. Por ajo po ashtu wshtw vwnw nw skenw dy herw nw teatro tw tjera nw Turqi. “Liza fle” është shfaqur po ashtu. Visar Krusha kemi bindjen se brenda dy tri vitesh do të shfaqet në teatrot shtetërore pasi që në Turqi kohëve të fundit kërkohet më shumë komedia. Për dramën e Xhevdetit do të kenë interesim teatrot private pasi që është një monodramë”, u shpreh përkthyesja Cevher.

Ajo tutje tregoi se përkthimin e këtyre veprave shqipe i ka përkthyer në vende të ndryshme të botës. Ajo tutje tregoi se përkthimi i librit të Visa Krushes i zgjatur gjashtë muaj dhe e ka përkthyer në Amerikën Jugore. Veprën e Jeton Neziraj e kam përkthyer në Argjentinë kurs veprën e Ilir Gjocajt e kam përfunduar në Buenos Aires dhe veprën e Xhevdet Bajres në Ugait.

Puna e përkthyeses Senem Cevher është ngushtë e lidhur me teatrin, ku ajo punon si aktore e regjisore dhe fakti që përkthimi nuk është punë primare , ajo u shpreh se përkthen vetëm ato vepra të cilat e entuziazmojnë.

“Profesioni im primar nuk është përkthimi, unë nuk jam arsimuar për këtë. Unë mendoj qe e zotëroj një fluiditet gjuhësor pasi që vij nga teatri pasi qe këtë e vërej në vlerësimet që u bëhet veprave të mija ku gjithkush thotë se përkthimi rrjedh si ujë dhe shumëkush thotë se kjo vjen nga fakti se unë vij nga teatri. Unë pasi ta përfundoj përkthimin, distancohem nga vepra dhe pastaj e lexoj me zë të lart pasi qe edhe dëgjuesi mund ta dëgjoj më mirë. Unë i përkthej vetëm autorët që me entuziazmojnë, unë nuk bëj përkthim me porosi, këtë lë ta bëjnë atë që e kanë punë të parë”, përfundoi Cevher.

Po ashtu kjo vepër do të promovohet edhe në qytetin e Prizrenit. / KultPlus.com

“Martesa”, filmi i Blerta Zeqirit me premierë edhe në Turqi

Filmi i metrazhit të gjatë “Martesa” me regjisore Blerta Zeqirin do të ketë premierën turke gjatë muajit prill në Instambul Film Festival, në Turqi, shkruan KultPlus.

Filmi “Martesa”, që u përkrah financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese. Treshen e personazheve kryesore të filmit me skenar të Blerta Zeqirit dhe Keka Kreshnik Berishës e interpretojnë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu. E gjithë ngjarja shtjellohet, para dhe gjatë martesës së Bekimit me Anitën, e cila nuk është në dijeni se Bekimi është ende në dashuri me shokun e tij më të mirë, Nolin.

Ngjarja prekë kohën e luftës në Kosovë, atëherë kur dy të rinj, Bekimi dhe Noli jetojnë brenda një ndërtese, ku edhe fillojnë të ndjejnë shenjat e para të dashurisë për njëri-tjetrin. Shumë vite më pas, luftën më të madhe do ta kenë me barrierat e kësaj dashurie.

Anita, është vajzë e një familjeje të të zhdukurve gjatë luftës. Martesën e çiftit, me mjaft emocion e pret familja e Bekimit, por jo dhe ai vet. Madje rrjedha e ndjenjave të tij, vjen e komplikohet me kthimin e Nolit, i cili është muzikant. Ai në Prishtinë vjen pas disa vitesh jetë në Francë.

Ata të cilët dëshirojnë që të shohin filmin në kuadër të këtij festivali duhet që të blejnë biletat në faqen e festivalit. Ky film do të shfaqet gjatë muajit prill, më 14, 15 dhe 17 Prill. / KultPlus.com

Arbana Hajredinaj, pjesë e Ekspozitës Ndërkombëtare në Turqi

Artistja kosovare Arbana Hajredinaj do të marr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare që do të mbahet në Eskishehir në Turqi. Kjo ekspozitë është e organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Eskishehirit, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë përveç Hajredinajt do të ketë edhe artistë tjerë nga Romania, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Hungaria, Sllovenia, Maqedonia, Qipro, Bullgaria dhe nga Turqia. Ekspozita do të hapet me 7 tetor në Galerinë e Arteve në Eskishehir.

Artistja Arbana Hajredinaj është e njohur për krijimtarinë e saj dhe kontributin e saj në fushën e Artit Pamor. Ka mbi 10 ekspozita personale si ajo në Galerinë Kombëtare të Arteve në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, pastaj performancën e saj në Tiranë, e shumë ekspozita tjera. Bienali i Artit në Ekuador, Bienali i Artit në Venedik, në Japoni, Qipro, Turqi e vende tjera janë vetëm disa nga ekspozitat ku ajo është përfaqësuar me veprat e saj. Ajo është një ndër 100 të nominuarit për Çmimin Botëror për Artin Vizual apo Oskarin për Artin Vizual në Dubai e cila do të mbahet me 17 nëntor të këtij viti. Veprat e Arbana Hajredinajt gjenden në Muze ndërkombëtare e koleksione të ndryshme. Ka bashkëpunuar me artistë të ndryshëm ndërkombëtarë për realizimin e disa video projeksioneve të ndryshme…/ KultPlus.com