Panairi i Librit në Tuz, marrin pjesë dhe shtëpi botuese nga Shqipëria

Komuna e Tuzit ka organizuar panairin e pestë të librit, një ngjarje kulturore e rëndësishme që tërheq vëmendjen e shtëpive botuese dhe dashamirësve të librit.

Ky panair synon të promovojë letërsinë, autorët dhe botimet e reja, duke krijuar një platformë për të lidhur lexuesit me krijimet më të fundit nga shtëpitë botuese të ndryshme.

Në këtë panair, morën pjesë shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, duke ofruar libra në fusha të ndryshme si historia, filozofia dhe arti. Kjo ngjarje ndihmon gjithashtu në nxitjen e bashkëpunimit kulturor mes vendeve të rajonit dhe përhapjen e vlerave të përbashkëta kulturore përmes librave.

Në Panairin e Librit,Tuz 2024, janë të pranishme edhe botimet e Akademisë të Shkencave të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Shkodra i bashkohet Tuzit të Malit të Zi në festimet e karnavaleve

Shkodra i është bashkuar festimeve në Komunën e Tuzit në Malin e Zi, në festën e Karnavaleve.

Banda e qytetit dhe artistët shkodranë janë bërë pjesë e karvanit në qendër të komunë.

Artistët shkodranë janë pritur nga Kryetari i Komunës Tuz, Liridon Gjelaj.

Në emër të bashkisë Shkodër, Nënkryetari Rudin Beka, vlerësoi këtë bashkëpunim mes dy qyteteve Tuzit dhe Shkodrës, ndërkohë që i ftoi ata në javën e ardhshme në festimet 3 ditore të karnavaleve në Shkodër.

Festa e karnavaleve në Komunën e Tuzit është kthyer në një traditë të përvitshme që ka nisur që nga viti 1996. Artistët kanë interpretuar në qendër të komunës duke tërhequr interesin e banorëve të zonës të cilët kanë marrë pjesë në këtë ngjarje festive. Në Shkodër, Karnavalet do të mbahen për 3 ditë me radhë ku përveç ekipit të Tuzit që do të marrë pjesë do të ketë shumë surpriza në datat 23-24-25 Shkurt./TopChanel/KultPlus.com

Shtatorja e Skënderbeut do të vendoset në Tuz të Malit të Zi

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët njoftoi se shtatorja i heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, do të vendoset edhe në komunën e Tuzit, në Mal të Zi.

Kryetari i kësaj komune, Nik Gjeloshaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, udhërrëfyesi i kombit shqiptar, kryeheroi dhe frymëzimi ynë i fuqisë dhe trimërisë, krenaria e qëndresës dhe bashkimit të shqiptarëve, do të vendoset në vendin më të bukur që ka Malësia, në sheshin qendror dhe njëkohësisht edhe sheshi do të fitojë emrin “Sheshi Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

“Në këtë mënyrë, Skënderbeu nderohet duke e respektuar të kaluarën por edhe të shërbejë që të jetë aty ku gërshetohen e ardhmja dhe zhvillimi”, shkruan Gjeloshaj.

Bëhet me dije se Kuvendi Komunal i Komunës së Tuzit e ka miratuar vendimin për vendosjen e shtatores së Skënderbeut pa asnjë votë kundër. Nik Gjeloshaj ka deklaruar se, përmendorja e kryeheroit të shqiptarëve, do të realizohet në bashkëpunim me diasporën shqiptare të Malit të Zi dhe do të vendoset në sheshin e financuar nga kryeqendra e shqiptarëve, Tirana./ atsh / KultPlus.com

‘I nxjerr unë lopët në livadh, vetëm mos më martoni’ – Emina Çunmulaj rrëfen jetën në Tuz

Modelja shqiptare Emina Çunmulaj, e cila tashmë një karrierë në mbarë botën, ka rrëfyer në podcastin e Kryeministrit Edi Rama se si e nisi karrierën si modele.

Ajo tregon, se pasi familja u kthye nga SHBA ishte vetëm 5 vjeç dhe u vendosën në Tuz të Malit të Zi.

Çunmulaj tregon se i është dashur të përballet me tabutë e një vendi të vogël, pasi kërkonte diçka më të madhe për veten e saj, një karrierë përtej Tuzit.

Çunmulaj ka treguar edhe momentin se kur vendosi që të marrë pjesë në një kompeticion.

Ajo përdori një gënjeshtër të bardhë, duke i thënë punonjës në argjendarinë e babasë, se familja e kishte lejuar të merrte pjesë. Më pas ajo fiton kompeticionin dhe u tregon prindërve që ishin për një vizitë në SHBA se çfarë kishte bërë para se të lexonin titujt e gazetave ‘’Emina Çunmulaj, shqiptarja filloi një karrierë në mes të Jugosllavisë!’’.

Kryeministri Edi Rama: Po si ndodhi që linde atje dhe erdhe të qash në Tuz?

Emina Çunmulaj: Mami dhe babi ikën si emigrantë dhe ju dorëzua babit letra e deputetit që të kthehej mbrapa dhe vullnetarisht u kthye. Mami ishte shtatzënë, me tri vajza dhe i tha babit, e ndjej veten se e kam djalë dhe nuk dua që t’ia humb të drejtën djalit që ta ketë pasaportën amerikane. Tha, unë po rri me fëmijët, se kishte të drejtë, e lejonin, dhe tha t’i kthehu. Mbas tre muajve lindi vëllai, siç e kishte menduar ajo dhe pastaj u kthye. Unë isha pothuajse gati 5 vjeç dhe jemi rritur në Jugosllavi, deri në moshën 15 vjeçare kur mora guxim t’u them babit dhe mamit se do bëhem modele.

Kryeministri Edi Rama: Nga erdhi ky guximi atje, në atë fshatin e vogël.

Emina Çunmulaj: Shumë gjëra kanë ndikuar. Sidoqoftë unë deri diku jam rritur me këtë mendim në kokë, se si është e mundur që prindërit e mi, na kanë sjellë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Na kanë dhënë gjithë atë që mundeshin dhe në fund të fundit na kanë kthyer mbrapa në një vend që është “third world country” në atë kohë, edhe nuk mundesha ta besoja që ardhmëria ime është aq e kufizuar sa është gjithë fshati dhe gjithmonë mendoja se do ngel në “footsteps” të mamit tim. Jo se është një gjë e keqe. Mami im ka qenë një grua e jashtëzakonshme. Një nënë e paparë, por gjithmonë kam dashur diçka më të madhe për veten dhe nuk dija se si do ja arrija sepse të gjitha vajzat e fshatit nuk shkonin më shumë se tetë klasë, pothuajse dhe gjimnazi.Kjo kulturë, ky mentalitet që vajzat duhet të martohen në moshën 15 vjeçare dhe unë i thoja vetes, do bëj gjithçka në botë vetëm të mos përfundoj ashtu. Që në moshën 10 vjeçare unë i thoja mamit, mi jep mua lopët, unë do i sjell lopët në livadh, s’është problem. Më jep mua punë jashtë shtëpie, do e bëj unë, s’është problem. Vetëm mos mësoj të gatuaj, mos mësoj të laj, të fshij se nuk doja të më martonin në moshën 14-15 vjeçare. Ndërkohë, vinin njerëzit më kërkonin dorën. Unë qaja, thoja të lutem mos më martoni dhe e kuptoja që është një moment fiks “silver line” në jetë kur erdhi “Elite model look” në Jugosllavi në atë kohë dhe kërkonin modele.

Të gjitha shoqet e mia të shkollës më thonin “You have to be a model!’’. Po ku ta merrja guximin t’i them unë babit që në atë kohë ishte një baba i fortë dhe mamit që kishte frymëzimin, mburrjen e një gruaje myslimane që duhet të prezantohet, duhet të jetë e fortë për familjen e vet, pra t’i thoja mamit dua të bëhem modele.

Mirëpo, babi kishte një argjendari në atë kohë dhe një grua që punonte në argjendari, ka pasur një vajzë që do e sillte në kompeticion. Dhe unë i thashë më ka lënë babi, “dad, sorry”, e gënjeva, por ishte ky momenti që e dija që në qoftë se nuk i marr këto vepra në duart e mia do përfundoj pothuajse si të gjitha vajzat e fshatit. E martuar, me fëmijë në moshën 20 vjeçare dhe ky është “my destiny’’. Dhe e bëra, ika, fitova dhe brenda dy ditëve babi, mami ishin në Amerikë në atë kohë se kishin të drejtë pas 40 viteve t’u jepet ‘’green card’’ edhe u tregova se ka ardhur koha që…., iu kam thënë një gënjeshtër shumë të madhe, por do e dinë gjithsesi se gazetat të nesërmen do të shkruajnë: ‘’Emina Çunmulaj, shqiptarja filloi një karrierë në mes të Jugosllavisë!’’.

Ky ka qenë titulli në përgjithësi. Pastaj u zbut pak situata. Babi tha: Okay, mund të shkosh në Beograd, – se në atë kohë konkursi ishte në Beograd, për të përfaqësuar Malin e Zi në konkursin e Jugosllavisë, – mund të shkosh, por duhet të shkosh me familjarë. S’ka problem i them, vetëm të shkoj dhe kam fituar. Kjo ka qenë një “boom” i madh, kurse për mua kjo ka qenë një “push” aq i madh që i kam thënë vetes, kurrgjë s’ka mundur të vijë ndërmjet meje dhe qëllimit që kam. Dhe kështu nisi karriera. Më dorëzojnë një kontratë worldwide, unë e nënshkrova dhe s’ka pasur kthim më./insajderi/KultPlus.com

Shpallen fituesit e festivalit “Rapsha 2022” në Tuz

Në Tuz të Malit të Zi është zhvilluar festivali mbarëkombëtar i folklorit “Rapsha 2022”.

Ky ishte edicioni VI i festivalit, i cili organizohet çdo 4 vjet. Të 3 netët e festivalit “Rapsha 2022” janë zhvilluar në ambient të hapur, në Vitojë.

Në këtë festival morën pjesë 24 shoqata e ansamble artistike nga të gjitha territoret ku jetojnë shqiptarë. Shqipëria u përfaqësua me ansamblet folklorike nga Vlora, Elbasani, Berati, Tirana, Kelmendi, Laçi, Kukësi e Fieri.

Organizatorët e “Rapsha 2022” thonë se qëllimi i këtij eventi është ruajtja, kultivimi dhe trashëgimia e folklorit shqiptar.

Festivali i organizuar në Tuz, ka karakter garues dhe pjesëmarrësit vlerësohen nga një juri profesionale, për performancën e tyre e cila zgjat 15 minuta. Juria përbëhej nga prof. dr. Afërdita Onuzi (kryetare), dr. Bashkim Lajçi, prof. Dilaver Kryeziu, dr. Bekim Ramadani dhe Esat Ruka, të cilët u shprehën se nuk e kishin të lehtë përzgjedhjen e grupeve më të mira pjesëmarrëse.

Vendin e parë e fitoi ansambli “Çeta e profetëve” Krumë, Has, Kukës. Vendin e dytë, ansambli folklorik “Çipini” nga Vlora dhe vendin e tretë shoqëria kulturore artistike “Jahi Hasani” nga Gostivari. Ndërsa çmimin special të jurisë profesioniste e mori shoqëria kulturore artistike “Malësori”.

Përpara se të ngjiteshin në skenë, ansamblet pjesëmarrëse parakaluan në qendër të Tuzit, me veshjet e tyre folklorike shumëngjyrëshe. Edicioni i gjashtë i këtij festivali i solli gjallëri jo vetëm Vitojës, por krejt Malësisë, e sidomos qendrës së Tuzit. / KultPlus.com

Hapet ‘Expo Trieshi 2020’, panairi i ushqimit dhe produkteve tradicionale

Për herë të parë, në Triesh të Tuzit, organizohet panairi i ushqimit dhe i produkteve tradicionale, përcjellë KultPlus.

Ky që njëherit është edhe edicioni i parë i këtij panairi, do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës ‘BESA’ në Triesh, këtë të diel duke filluar nga ora 10:00

Në këtë panair, siç thuhet në njoftimin e publikuar nga Nik Gjeloshaj, të gjithë të interesuarit mund të marrin pjesë me prodhimet e veta të përpunuara ose të përgatitura.

”Ju ftojmë të merrni pjesë në panairin e parë Expo-Trieshi 2020
Në këtë panair do të prezantohen dhe shiten prodhimet dhe ushqimet tradicionale të trevës.

Të interesuarit mund të marrin pjesë me prodhimet e veta të përpunuara ose të përgatitura.

Aktivitetet shtesë do të jenë: Vallet tradicionale, gjuajtja me shigjetë dhe muzikë argëtuese”, thuhet ndër të tjera në njoftim. / KultPlus.com

Hapet në Tuz ekspozita e artistit të njohur Gjelosh Gjokaj

Në Tuz të Malësisë së Madhe është hapur ekspozita retrospektive e piktorit të njohur Gjelosh Gjokaj, me origjinë nga kjo anë.

Me këtë rast, në praninë e publikut, u ekspozuan një numër i konsiderueshëm i pikturave të artistit Gjelosh Gjokaj, të punuara me teknika të ndryshme, me shumë mjeshtri, bën të ditur “Zëri i Amerikës”.

Ekspozitën e organizoi fondacioni “Gjelosh Gjokaj” dhe Komuna e Tuzit.