Miliarderi amerikan Elon Musk ka vendosur të ndryshojë logon historike të Twitter.
Përdoruesit e platformës i kanë thënë lamtumirë zogut blu që është zëvendësuar me ikonën e shkronjës “X” në ngjyrë të bardhë, vendosur në një sfond të zi.
Obsesionin për këtë shkronjë, Musk e ka treguar edhe në kompaninë tjetër që ai zotëron e cila është Space X. Musk pyeti më herët miliona ndjekësit e tij nëse ata do të ishin dakord që të ndryshonte logoja e famshme. Që kur Musk bleu Twitter-in në Tetor, kompania ka ndryshuar emrin e saj të biznesit në X Corp, duke reflektuar vizionin e miliarderit për të krijuar një “super aplikacion” si WeChat i Kinës.
Twitter mendohet të ketë rreth 200 milionë përdorues aktivë çdo ditë, por nuk ka performuar mirë ekonomikisht që kur Musk bleu platformën e rrjeteve sociale për 44 miliardë dollarë. Musk shkarkoi rreth gjysmën e stafit në përpjekje për të ulur kostot. Nga ana tjetër reklamuesit kanë qenë të shqetësuar për moderimin e përmbajtjes, por edhe pasigurinë e përgjithshme për të ardhmen e Twitter. / KultPlus.com