Grabitësit kanë vjedhur të enjten pikturën e mjeshtrit holandez të kohës së artë, Frans Hals, në një muze të vogël afër qytetit holandez të Utrechtit, ka bërë të ditur policia.
Me një vlerë që sipas ekspertëve shkon në 15 milionë euro, kryevepra, që daton nga 1626-a, është marrë nga “Hofje van Aerden Museum” mëngjesin e hershëm të së enjtes kur hajdutët kanë hyrë në ndërtesë prej derës së pasme.
Kjo është vjedhja e dytë e një pikture në një muze të mbyllur në Holandë për shkak të pandemisë me Covid-19, pasi në mars ishte vjedhur një pikturë e Van Goghut nga “Singer Laren Museum”.
“Rreth orës 3:30 të mëngjesit, alarmi ka rënë, dhe agjentët kanë hyrë drejt e në muze”, ka thënë policia përmes një kumtese teksa ka bërë thirrje për dëshmitarë.
“Pasi menaxheri i Muzeut mund të jepte qasje për hapësirën dhe ndërtesën, qëlloi që dera e pasme ishte e hapur dhe një pikturë qe vjedhur”.
RTL Nieuws ka cituar ekspertin e artit Arthur Brand i cili e ka vlerësuar pikturën rreth 15 milionë euro.
“Kriminelët e dinë se muzetë kryesorë kanë siguri të mjaftueshme”, ka thënë ai për transmetuesin holandez, por muzetë më të vogël regjionalë kanë më pak siguri.
“Ata mbase kanë menduar se kjo pikturë kishte vlerë goxha të madhe të parave, dhe ishte relativisht e lehtë të vidhej”.
Piktura “Two Laughing Boys” është vjedhur dy herë rresht në historinë e saj katërshekullore, përfshirë edhe një të fundit në maj të 2011-s kur qe vjedhur prej të njejtit muze. Policia e riktheu atë më vonë gjatë po të njejtit vit kur arrestoi katër burra që po përpiqeshin ta shisnin atë.
Piktura e Van Goghut është marrë në Laren, “Spring Garden” e 1884-s, nuk është gjetur.
Hals, një bashkëkohës i piktorit holandez Rembrandt van Rijn, ishte lindur në fillim të viteve 1580 në Antwerp dhe si fëmijë që vendosur në qytetin holandez të Haarlemit.
Ai nisi të punonte si restaurues arti para se të bëhej piktor portretesh. Njihet më së shumti prej pikturës së tij “The Laughing Cavalier” ashtu si dhe prej një grup portretesh të tjera. Ka vdekur në Haarlem më 1666.
Folegj: Me një vlerë që sipas ekspertëve shkon në 15 milionë euro, kryevepra, që daton nga 1626-a, është marrë nga “Hofje van Aerden Museum” mëngjesin e hershëm të së enjtes kur hajdutët kanë hyrë në ndërtesë prej derës së pasme. / Koha.net / KultPlus.com