Qytetet në sytë e Rron Qenës prezantohen në ekspozitën “Udhët që më njohin”

Temperaturat e larta të ditës së mërkurë, 17 korrik, nuk ndaluan që oborri i Galerisë Kombëtare të mbushej plot me njerëz, për të parë 37 piktura, secila ndryshe prej tjetrës e me shumë ngjyra, nga ekspozita “Udhët që më njohin”, të artistit Rron Qena. Qena i cili ka lindur në vitin 1979, që tashmë jeton dhe vepron mes Prishtinës e Bremenit të Gjermanisë ka hapur mbrëmë ekspozitën e tij me piktura nga qytete të ndryshme.

Lidhja e tij me pikturën fillon nga marrëdhënia e ngushtë me babain e tij, Agim Qena, karikaturist i njohur në Kosovë. Një nga seritë e tij më të hershme në vitet e 90, e titulluar “Gjumi”, përfshinë skicimin dhe analizimin e anëtarëve më të afërte familjes së tij, derisa ata flinin.

Kapjet e momenteve plot jetë të pamjeve të lagjeve, të këndeve të qyteteve, portretet me dedikime të njerëzve të dashur, janë perceptime të potencialit frymëzues në ambientin që e rrethon deri sa të shkëndijë magjia e frymëzimit. Qasja me qëllim njohje dhe studimi më të thellë të gjuhës së ngjyrave, evoluon në mjeshtëri pikturimi dhe përbën sintaksën vizuele të pikturës së Qenës.

Cikli i Qenës “Behind the Walls” merr frymëzimi nga muret e larta dhe shumëngjyrëshe të shtëpive në Shkodër, që ngjajnë me pikturat e afreskut. Ky cikël thellohet në temat e izolimit, mbylljes dhe kuriozitetit për atë që fshihet mbrapa këtyre barrierave. Rron Qena i lidh këto vepra me historinë e Shkodrës dhe izolimin e Kosovës, shkruan KultPlus.

Të mërkurën, oborri i Galerisë Kombëtare u mbush plot me studiues të artit, fytyra të njohura të Republikës së Kosovës, gazetarë e artdashës. Në hapje të ekspozitës, kuratori Lulzim Zeqiri dhe piktori Rron Qena, përshendetën të pranishmit, duke iu uruar që të kalojnë sa më mirë.

“Street in Bremen”, “Dardania”, “Mbrapa mureve”, “Blue Road”, “Rrugës për shtëpi”, “My friends are Musicians”, “Almas House”, “Park in Berlin”, “View from Sunny Hill”, “Muret e Shkodrës”, “Në Muzg”, “Prishtina”, “Muharrem Qena”, “Armata”, “Melihate Qena”, “Hana Sleeping”, ishin disa prej emrave të pikturave të ekspozitës.

Kuratori Zeqiri tha për KultPlus se aplikimi për këtë projekt ka qenë në janar të këtij viti, ku është përzgjedhur Rron Qena dhe se prej janarit kanë biseduar se si do konceptohet dhe si do të përzgjedhen pikturat.

“Nuk ka qenë e vështirë sepse ideja ka qenë e bazuar në një periudhë të caktuar të jetës së Rronit, jo në krejt punimet specifikat janë se kur një artist e lë vendlindjen për një arsye të caktuar, shkon në një vend tjetër dhe vendoset të jetoje atje, se si e përjeton ndryshimin kultural dhe vendin ku jeton”, tha Zeqiri për KultPlus.

Ndërkaq, Qena tregoi se piktura e parë dhe më e veçanta ndër të gjitha që ishin të prezantuara në Galeri, ishte “Sleeping Hana” pasi ishte motra e tij, që ai e kishte pikturuar derisa ajo po flinte.

“Piktura e parë ka qenë “Sleeping Hana”, ajo është motra ime duke fjetur, kur isha më i vogël kam vizatu njerëz derisa kanë qenë në gjumë që kanë qenë si model për mua, pasi që nuk kanë lëviz shumë”, tha Qena për KultPlus.

Tutje, ai tha se nuk ka pasur vështirësi në realizimin e pikturave, pasi ka pasur motiv, duke shtuar se pikturat janë realizuar nga Berlini, Bremeni, Pogradeci, Shkodra e Prishtina.

“Jam shumë i lumtur sonte sepse është shumë nxehtë dhe njerëzit përsëri kanë ardhur, më vjen shumë mirë”, u shpreh ai në fund.

Ekspozita do të mbetet e hapur deri më 1 shtator të këtij viti/KultPlus.com