Dritëro Agolli: Udhëtim në botën e teqeve

Kjo pjesë e shkëputur nga libri “Teshtimat e Lirisë”, tregon për një udhëtim të para dymbëdhjetë viteve të Dritëro Agollit me mikun e tij, shkrimtarin e madh turk dhe një nga romancierët e shquar botërorë, Jashar Qemali, të cilët gjatë një udhëtimi gjuetie në Lezhë, u ndalën në Fushë-Krujë, në vendin e teqesë.

Udhëtim në botën e teqeve

-Cok gyzel! – tha Jashar Qemali, që shqip do të thotë “shumë bukur”!

-Këtu ka qenë një teqe, Jashar bej – tha Dritëroi.

Jashari, i gjatë si div, me një sy dhe me shpatulla si shkëmb, shtrëngoi nofullën me dorë dhe psherëtiu:

-Gjynah!

Pas kësaj fjale heshtën të dy. Të heshtur u futën të dy në makinë dhe vazhduan rrugën për në hotelin e gjuetisë të Lezhës. Në hotel kur ishte shtruar tryeza, ata u ulën dhe Dritëroi, e pyeti:

-Jashar bej, pse the “gjynah” atje përballë kopshtit të teqesë?

Jashar bej mori picetën dhe fshiu fytyrën e djersitur si një baba teqeje.

-Ah,-tha-, teqetë kanë qenë gjëra të bukura.

Nuk ishin vetëm gjëra të shenjta, por edhe konake mikpritës. Kthehej udhëtari i lodhur natën. E prisnin dervishët dhe vetë babai. Tregoheshin historira, këndoheshin vjersha, ngriheshin dolli për mysafirin, i uronin udhë të mbarë…Ah, teqetë! Gjynah që i kini prishur!

Dritëroi nuk e dinte që Jashar Qemali ishte një njohës i madh i bektashizmit, i besimit, i moralit dhe i zakoneve të këtij sekti të çuditshëm. Madje ai nuk e dinte se Jashari kishte ndër mend të shkruante një libër për bektashinjtë. Kishte kohë që Dritëroi se kishte takuar atë që ta pyeste nëse ai e kishte shkruar këtë libër. Dritëroi dinte një gjë, që ai kërkonte historia teqesh, baballarësh, myhipësh dhe zakonesh të familjeve bektashiane.

-Pse kërkon nga unë për bektashinjtë? – e pyeti Dritëroi.

Ai qeshi.

-E di, e di, që je komunist, por kam lexuar novelën tende të përkthyer edhe në frëngjisht, dhe italisht “Lamtumirë, kapedani im!” Atje është personazh simpatik edhe një baba teqeje! Gjyshërit e tu duhet të kenë qenë bektashinj! He-he! Mos ma fshih! – dhe qeshi përsëri me zë të lartë.

Dritëroi mori nga tryeza gotën, e shtrëngoi me të 4 gishtërinjtë dhe gishtin e madh e mbante të ngritur mbi buzët e gotës dhe tha:

-Bromb, Jashar bej!

Jashar Qemali e hapi njërin sy sa një arrë, u ul në gjunjë, ia mori dorën dhe ia puthi, duke i thënë:

-Hejvallah, baba!

U ngrit dhe shtoi:

-Të zura! Kështu e mbajnë gishtin e madh mbi buzët e gotës vetëm bektashinjtë, që do të thotë: “Në të gjithë gjërat perëndia! Të zura!” – përsëri Jashar Qemali, ky turk i zgjuar me emër botëror.

Jashar bej nuk gabonte. Gjyshja dhe gjyshi i Dritëroit ishin myhipë bektshinj. Të bëhesh myhipë, duhet të rrjedhësh nga një oxhak i ndershëm, me moral të lartë, të kërkosh drejtësi, të jesh human, të mos gënjesh dhe të synosh drejt së vërtetës, ta mbash shtëpinë të pastër si shpirti dhe të mos lodhesh nga miqtë. Me të ligun të mos ngrohesh në një vatër.

2.Jashar Qemali kërkonte të dinte nga Dritëroi për familjen bektashiane shqiptare. Por atij nuk i shkonte në mendje, që kishte pak studime ose aspak ka pasur për bektashizmën dhe për zakonet dhe moralin e familjeve që i përkisnin këtij sekti. Dritëroi mbështetet vetëm në ato që mban mend nga e kaluara e familjes së tij dhe nga familjet e tjera, me të cilat kishte marrëdhënie familja e tij. Kështu në vështrimin vetiak të Dritëroit, familja bektashiane është si gjithë familjet e tjera shqiptare që ka po ato zakone dhe po atë konstitucion shpirtëror, veçse bart disa veçori të formuara nga vetë morali bektashian.

Vetë perceptimi i zotit në mënyrë individuale, vetë trajtimi i tij me një bazë brenda natyrës dhe jo jashtë saj, domethënë që zoti ndodhet brenda njeriut, brenda luleve, brenda pemëve dhe brenda qenieve, – e çlironte familjen nga fanatizmi i rëndë dhe i jepte mundësinë asaj të arsyetonte dhe të kuvendonte për shumë gjëra pa frikë se ndonjë mbifuqi e llahtarshme do ta mallkonte.

Duke parë zotin brenda natyrës, ato krijuan kultin e Tomorit. Në Tomor zu vend Abaz Aliu. Në Tomor është zoti. Atje bëheshin dhe festat. Duke u nisur nga ato çka thamë pak më lartë, familjet bektashiane njerëzit kishin çuditërisht një barazi të vetëdijshme, barazi midis burrave dhe grave, në mes të mëdhenjve dhe të vegjëlve, pasi tek të gjithë brenda për brenda ndodhej zoti. Por këtë zot secili e përfytyronte sipas mendimit të tij, sipas ndjenjës së vet. Pasi është mëkat, fjala vjen, të rrahësh një grua apo një fëmijë, pasi ke rrahur vetë zoti që fshihej brenda trupit të tyre.

Kjo e bënte familjen bektashiane që të kishte harmoni jo vetëm mes frymëve të saj, por edhe në mes orendive e sendeve, për vendosjen e tyre bukur dhe pastër, pa rrëmujë e pa rregullsi. Madje edhe kur pyetej njëri, nuk përgjigjej tjetri që nuk ishte pyetur. Kur përgjigjej pa u pyetur, Dritëroit i kujtoheshin fjalët e Nizamiut, poetit të madh persian “Mos u përgjigj pa u pyetur, sepse e pret xhevahirin e fjalës me sëpatë”.

Në familjen bektashiane, brenda barazisë, respektoheshin veçanërisht gjyshi dhe gjyshja, aq tepër kur ato ishin myhipë. Dhe nuk kishin si të mos respektoheshin kur ata shkonin shpesh në teqe, në tempullin e perëndisë, takoheshin me babanë dhe me dervishët.

Një ditë kur po kthehej nga teqeja gjyshi i Dritëroit ishte takuar me baba Ahmetin dhe kishin folur për diturinë apo për injorancën dhe padijen. Dhe njëri që ishte ndodhur atje i kishte thënë se i trembej diturisë dhe të diturve. “- i përveshet baba Ahmeti dhe i thotë: “ Kush ka turp nga drita, përqafon errësirën!”

Pikërisht kjo frymë e diturisë dhe e urtësisë vinte edhe në familjen bektashiane. Fëmijët nxiteshin të mësonin dhe të shkonin nëpër shkolla. Po të kishin mundësi edhe nëpër shkolla të larta, se nuk është turp të bëhesh lypsar i diturisë. Nuk kishte familje me frymën e këtij sekti që të mos dinin vjershat e Naim Frashërit përmendësh. Vjershën e mahnitshme “Abaz Aliu” e dinin të gjithë ta recitonin që fëmijë:

Engjëll që mu qase pranë,

Nga i madh Zot,

Pse më rrëfen Qerbelanë?

A do të derdh lot?

Dritëroi vjershat e Naimit i kishte mësuar përmendësh që në shtëpi pa shkuar në shkollë, pasi i dëgjonte kur i këndonte gjyshi, gjyshja, babai i tij dhe xhaxhallarët.

3.Tek ia tregonte këto Jashar Qemalit teksa po shkruante dhe të tjera, Jashari i tha:

– Agolli bej, pse nuk shkruan një libër për bektashinjtë?

Dritëroi qeshi. Jashari dinte shumë gjëra nga realiteti i tyre i atëhershëm. Pritja e bujshme që iu bë nga shkrimtarët dhe rrethet e tjera kulturore-artistike, jo partiake-shtetërore, e hutoi megjithëse si njeri i zgjuar, realitetin e ndjeu.

-Eh, pastaj…- foli Dritëroi.

– Nuk ka gjë që nuk je besimtar ti vetë. Ti mund të shkruash pavarësisht nga bindjet e tua. Edhe ata që nuk janë besimtarë, bektashizma i pranon. Pastaj shtëpia juaj ka besuar në bektashizmin – ia preu fjalën Jashar Qemali.

– Vështirë, vështirë, Jashar bej! – tha Dritëroi dhe shtoi: – E di, Jashar bej, që emrin ma ka vënë baba Ahmeti i Kuçit?

– Ah! – bëri Jashar Qemali dhe u ngrit në këmbë nga tryeza me gotën në dorë, me gishtin e madh mbi buzët e saj, sic i mbajnë bektashinjtë:

– Bromb, për ty dhe për shpirtin e baba Ahmetit! – shtoi ai dhe e piu.

Dhe vërtet, emrat në familjen bektashiane zakonisht i vendoste babai i teqesë.

-Pa baba Ahmetin nuk vihet emri! Më thertë Haxhi Bektashi, punë që nuk bëhet! – thoshte gjyshi i Dritëroit.

Kur u kthye baba Ahmeti, shtëpia e tyre gjëmoi nga zijafeti dhe këngët. U mblodhën burrat myhipë të fisit dhe kushërinjtë e parë dhe të dytë të gjyshit të Dritëroit. Kue u shtrua në sofër bakllavaja, baba Ahmeti i shëndetshëm , me tacin gjysëm jeshil, u ngrit në këmbë dhe thirri tri herë: “Dritëro, Dritëro, Dritëro!”- dhe ju kthye të gjithëve:

-Thërrisni edhe ju “Dritëro!”

Dhe të gjithë thirrën me zë të lartë emrin e tij,

emrin që i ndjeri ka sot. Nënës së tij i vinte turp dhe nuk e thërriste.

Kur Dritëroi u rrit dhe filloi flas, mori vesh që emrin ia kishte vënë baba Ahmeti dhe në shtëpi e tyre krenoheshin me këtë gjë. Një ditë Dritëroi zihet keq me të. Gjyshi i tij i jep një shqerrë mashkull që ta rriste si manar. Manari kur mësohet, të ndjek nga pas, vjen në sofër m ty, fle me ty. Dritëroi e rriti këtë manar, e bëri dash dhe nuk e dinte çka e priste të shkretin!

Gjyshi i tij një mëngjes i tha se manarin do ta bënte kurban në teqenë ë baba Ahmetit, që ta ka vënë emrin. Dritëroi nuk e dinte kuptimin e jalës kurban.

-Do ta them në shkallët e teqesë! – i tha gjyshi. – Do ta therim që ti të rritesh e mos të të gjejë gjë.

Dhe e shpien me gjyshin manarin në teqe. Dy dervishë, e shtrinë manarin në shkallën e fundit të teqesë dhe e therën. Erdhi baba Ahmeti. Qëndronte në krye të shkallëve. Dritëroi, 9-vjecar, iu lëshua dhe donte t’ia griste dollomanë. Babai duke qeshur u ul që ta kapte dhe papritur u rrokullisën të dy nëpër shkallët e teqesë deri te manari i therur.

Kjo ishte zënka e parë me baba Ahmetin. Zënkat e tjera me baballarët ishin ideologjike.

Baballarët e teqeve, në të shumtën e rasteve, kërkonin emra shqip, emra me kuptim dhe ndonjëherë të formuar nga gjuha shqipe. Këtu tregohet jo vetëm iluminizmi i tyre, por edhe ndjenja e një patriotizmi të thellë e të kulturuar. Madje edhe në martesat kërkohej ai oxhak nga i cili të dilte “tym i ëmbël”, d.m.th “edhe tymi i atdheut është i ëmbël”. Nuk kishte rëndësi nëse ky oxhak ishte i pasur apo i varfër, i kësaj feje apo i asaj tjetrës. Mjafton që oxhakët ti kishin ndërtuar fisnikët dhe të ndershmit.

Pandershmëria, djallëzia, hipokrizia, keqdashja dënohen rëndë nga familja bektashiane.

4.Njëherë ndodhi kështu. Një nga të afërmit e Dritëroit, nga ana e gjyshit, ishte tepër dredharak dhe hileqar. Të dy me gjyshin e tij ishin myhipë. Hileqari nuk e meritom emrin e myhipit. Në fshat ai bëri mjaft hile e dredhi për punë toke. Gjyshi i Dritëroit u zu rëndë më të dhe i tha: “Haram që je myhip!” Shkoi baba Ahmeti në fshat. Hileqari u zu dhe me baba Ahmetin. Baba Ameti ia hoqi tacin nga koka dhe e mallkoi.

Për çudi, ndofta dhe rastësi, hileqarit i ra damllaja dhe ia mori gjysmën e gojës dhe gjysmën e trupit. Në fshat thonin që e zuri mallkimi i baba Ahmetit. Gjyshi i Dritëroit nguli këmbë që hileqarit t’i hiqej titulli i myhipit, por baba Ahmeti kundërshtoi:

-Ah, more Nesim, titullin ia hoqi Haxhi Bektash Veliu, se ia dërgoi damllanë dhe ia mori gojën, dorën dhe këmbën!

Gjynah, ç’t’i marrim më shumë, le të jetë myhip!

-Allahu është i madh! – i tha gjyshi i Dritëroit!

Baba Ahmeti qeshi dhe siç tregonte i ati i Dritëroit rrëfeu një histori të vogël. Historia është kjo: “Një bektashi kishte hipur në një shkëmb, që binte thikë në det. Kishte mbetur atje dhe nuk mund të zbriste. Nën shkëmb në det ishte një varkë e madhe. Një kalimtar hebre e pa bektashinë dhe e thirri: “Bektashi, hidhu në varkë, se Allahu është i madh!” Bektashiu iu përgjigj: – “Allah byhyk, ama kaik kyçyk!” që do të thotë shqip: “Allahu është i madh, por varka është e vogël!”

Baballarët ishin njerëz me humor dhe shpesh bënin shaka, veçanërisht baba Ahmeti.

5.Ato ditë kur ishte Qemal Jashari, përveç kuvendimeve për letërsinë shqipe dhe turke, folën shpesh herë dhe për bektashizmën. Po atë vit erdhi në vendin tonë një shkrimtar dhe publicist italian, Mario Biondi. Dritëroi e shpuri në Devoll, në një festë përkujtimore antifashiste. Atje i foli dhe për bektashizmin.

Për dreq italiani shkroi në revistën “Espresso” të Italisë një artikull për Shqipërinë, ku krahas të tjerave, përmendej dhe Dritëroi si një bektashi i mbaruar. Mario Biondit iu bë vizë e kuqe si mik i Shqipërisë dhe u ndalua të vijë, pasi kishte nxjerrë dhe varfërinë e Shqipërisë, disa dallime në mes popullit të thjeshtë dhe pushtetarëve, megjithëse artikullin e kishte shkruar me dashuri për vendin dhe popullin tonë.

-Po ti duhet të shkruash për bektashinjtë dhe bektashizmën, Agolli bej! – përsëriste Jashar Qemali tek i tregoja dhe për kushëririn tim, Muharremin, që këndonte bukur këngët e bektashinjve dhe që kishte shërbyer në teqe deri sa ishin mbyllur ato.

Ishte e vështirë të kuptonte i madhi Jashar brendësinë e shpirtit të tyre të komplikuar. Por ndofta Dritëroi do të ulet dhe do të shkruan, pasi të ketë bërë dhe studimet, duke i lidhur me kujtimet e hershme.

Ndofta do të arrij të jap shpirtin e ndërlikuar të shqiptarit gjatë disa periudhave, ndofta…, ndofta pas një periudhe më të qetë, pa tensione politike e sociale… /KultPlus.com