Mariupoli: Si u shndërrua në varrezë një qytet i begatshëm

Kujdes: Përmbajtja mund të jetë shqetësuese për disa shikues! 

Qyteti-port i Mariupolit ishte vendbanim i 400,000 personave, para pushtimit nga Rusia. Ai është rrethuar nga trupat ruse dhe po bombardohet vazhdimisht qe më shumë se 50 ditë.

Qyteti është shndërruar në gërmadha, teksa Rusia pohon se tani e ka në kontroll gati të plotë.

Mijëra civilë besohet të jenë vrarë dhe dhjetëra mijëra të tjerë të kenë mbetur të ngujuar në qytet. /REL/ KultPlus.com

Empire State Building shkëlqen me ngjyrat e flamurit ukrainas

Empire State Building, rrokaqielli ikonë i Nju Jorkut, u ndriçua me ngjyrat e flamurit të Ukrainës.

Nisma, në solidaritet me popullsinë dhe forcat ukrainase që po luftojnë kundër Rusisë do të vazhdojë për 15 minuta çdo mbrëmje, pas perëndimit të diellit, deri më 1 qershor.

Shumë shtete kanë ndriçuar ndërtesat e tyre të rëndësishme me flamurin ukrainas, në shenjë solidariteti me atë çka po ndodh në ish-republikën sovjetike. / KultPlus.com

Deputetja ukrainase: Asnjë pjesë nga territori ynë nuk duhet të jetë në tryezën e negociatave

“Asnjë pjesë e Ukrainës nuk duhet të jetë në tryezën e negociatave”. Kështu ka deklaruar deputetja ukrainase Lesia Vasylenko,  ndërsa vendi vazhdon rezistencën, pavarësisht nga bombardimet e Rusisë të qyteteve në të gjithë vendin të hënën.

Vasylenko, një deputete i Partisë Holos, e zgjedhur në vitin 2019, foli për CNN pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina nuk do të hiqte dorë nga territori në lindje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

“Ukraina po shkruan historinë e saj, të re dhe po shkruan gjithashtu historinë e re të botës,” tha Vasylenko për CNN New Day nga Praga, Republika Çeke.

“Nëse në ndonjë rrethanë Ukraina detyrohet të heqë dorë nga territoret, do të jetë një rrezik jo vetëm për ukrainasit që jetojnë në Ukrainë, por për të gjithë botën”, shtoi ajo.

“Sepse atëherë agresorëve do t’u dërgohet një mesazh me zë të lartë dhe të qartë se është në rregull të hysh për të rrëmbyer toka, është në rregull të fillojmë luftëra agresive dhe të terrorizojmë popullatën civile, sepse askush në fakt nuk do të bëjë asgjë për këtë.”

Ajo tha gjithashtu se Rusia ka kryer krime të shumta lufte gjatë luftës në Ukrainë, një pretendim i bërë nga disa zyrtarë ukrainas që Kremlini e ka mohuar.

Vasylenko mori vëmendjen disa javë më parë, pasi në nisje të pushtimit mori armën për të mbrojtur vendin e saj nga agresioni ushtarak i Rusisë. /abcnews.al / KultPlus.com

Zelensky: Presidenti Biden duhet të vijë në Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje presidentit amerikan Joe Biden të vizitojë Ukrainën.

“Unë mendoj se ai është lideri i Shteteve të Bashkuara dhe kjo është arsyeja pse ai duhet të vijë këtu”, tha Zelensky gjatë një interviste për CNN.

“Është vendimi i tij, sigurisht, dhe çdo plan do të varet nga situata e sigurisë”, tha Zelensky duke shtuar se ai mendon se ka gjasa që Biden të vizitojë vendin.

Uashingtoni thuhet se po shqyrton mundësinë për dërgimin e sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin ose sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Ukrainë, gjë që nëse është e vërtetë do ta bënte të pamundur që vetë Biden të udhëtonte në Kiev në një të ardhme të afërt./a.i/KultPlus.com

Zelensky ftesë Macron: Eja shiko gjenocidin e ushtrisë ruse

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një intervistë për CNN se ai ka ftuar presidentin francez Emmanuel Macron të vizitojë Ukrainën për të parë vetë se forcat ruse kishin kryer “gjenocid”.

Macron ka hezituar të përdorë fjalën gjenocid, duke deklaruar më parë se ai “nuk ishte i sigurt se një përshkallëzim i retorikës i shërben kësaj kauze.”

“E ftova të vijë kur të ketë mundësi. Do të vijë të shohë dhe jam i sigurt se do ta kuptojë”, tha Zelensky.

Zelensky ka thënë më parë se hezitimi i Macron për të përdorur termin ishte “shumë i dhimbshëm për Ukrainën”.

Shtetet e Bashkuara, të cilat historikisht kanë hezituar të akuzojnë shtetet për gjenocid, javën e kaluar akuzuan presidentin rus Vladimir Putin për kryerjen e akteve të gjenocidit duke u përpjekur të “fshijë idenë” e një identiteti ukrainas.

Konventa e OKB-së për gjenocidin, nënshkruese e së cilës është SHBA, kërkon që vendet të ndërhyjnë pasi gjenocidi të identifikohet zyrtarisht. /abcnews.al/ KultPlus.com

Zelensky: Ukraina nuk do të heqë dorë nga territori i saj për t’i dhënë fund luftës me Rusinë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina nuk është e gatshme të heqë dorë nga territori në pjesën lindore të vendit për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Ai gjithashtu njoftoi se ushtria e Ukrainës është e përgatitur të luftojë ushtrinë e Moskës në rajonin e Donbasit në një betejë që ai thotë se mund të ndikojë në rrjedhën e gjithë luftës.

Zelensky shtoi se vendi i tij nuk ka asnjë garanci se Rusia nuk do të përpiqet përsëri të pushtojë Kievin nëse është në gjendje të pushtojë Donbasin.

“Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme për ne që të mos i lejojmë ata, të qëndrojnë në këmbë, sepse kjo betejë … mund të ndikojë në rrjedhën e të gjithë luftës. Sepse nuk i besoj ushtrisë ruse dhe udhëheqjes ruse,” vazhdoi ai. “Kjo është arsyeja pse ne e kuptojmë se fakti që ne i luftuam ata dhe ata u larguan, dhe ata po iknin nga Kievi — nga veriu, nga Chernihiv dhe nga ai drejtim — nuk do të thotë nëse ata janë në gjendje të kapin Donbas, ata nuk do të shkojnë më tej drejt Kievit”, ka thënë Zelensky. /KultPlus.com

m

Biden: Populli amerikan do të vazhdojë të qëndrojë me popullin e guximshëm ukrainas

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka njoftuar për ndarjen e 800 milionë dollarësh në armë, municione dhe ndihmë të tjera të sigurisë për Ukrainën, përcjell KultPlus.

Ndërsa Rusia përgatitet të intensifikojë sulmin e saj në rajonin e Donbasit, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i ofrojnë Ukrainës aftësitë për t’u mbrojtur.

“Kjo paketë e re ndihme do të përmbajë shumë nga sistemet shumë efektive të armëve që kemi ofruar tashmë dhe aftësi të reja të përshtatura për sulmin më të gjerë që presim që Rusia të nisë në Ukrainën lindore. Këto aftësi të reja përfshijnë sisteme artilerie, raunde artilerie dhe transportues të blinduar të personelit. Kam miratuar edhe transferimin e helikopterëve shtesë. Përveç kësaj, ne vazhdojmë të lehtësojmë transferimin e aftësive të rëndësishme nga aleatët dhe partnerët tanë në mbarë botën”, ka thënë Biden.

I pari i ShBA-së ka njoftuar se populli amerikan do të vazhdojë të qëndrojë me popullin e guximshëm ukrainas në luftën e tyre për liri. /KultPlus.com

Osmani thotë qartë për CNN: Kosova do të qëndrojë si komb i pavarur dhe sovran

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë ekskluzive për median e njohur ndërkombëtare, CNN, ku ka biseduar për luftën në Ukrainë dhe si mund të ndikojë ajo në Kosovë, përcjell KultPlus.

Osmani gjatë kësaj interviste ka biseduar edhe për veprimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kohës sa ai ishte pjesë e ish-presidentit, Sllobodan Millosheviqit.

“Ai [Aleksandar Vuçiq] voton pro rezolutës së OKB-së që e dënon pushtimin rus të Ukrainës, por kur duhet të ndërmarrë veprime kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, qoftë ekonomike apo të tjera, ai asnjëherë nuk i ndërmerr këto veprime. Në fakt, Beogradi është i vetmi kryeqytet evropian, ku janë organizuar protesta pro Putinit me mbështetjen e plotë të qeverisë, ashtu si edhe të opozitës. Më duhet t’jua rikujtoj se presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shërbyer si ministër i Propagandës në pushtetin e e Millosheviqit. Ai është shumë i mirë të bëjë propagandën që Rusia e mbështet”.

Ajo deklaroi se Kosova, që Serbia e sheh si shtet të përkohshëm, do të mbrojë me çfarëdo çmimi pavarësinë dhe sovranitetin e vet.

“Në 10 vjetët e fundit, ai ka arritur të rrisë bashkëpunimin politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në nivelin që nuk ka qenë asnjëherë më parë. Vetëm një shembull, në vitin 2012 numri i ushtrimeve ushtarake mes Serbisë dhe Rusisë ka qenë 2 në vit, derisa tani është më shumë se 100 në vit. Ditëve të sotme shohim marrëveshje për blerjen e armëve mes Serbisë dhe Rusisë, si dhe Serbisë dhe Kinës, dhe kjo na shqetëson të gjithëve në rajonin tonë”.

“Sa më shumë armë që blejnë, aq më shumë bëjnë përpjekje destabilizuese ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia vazhdon të na shohë si shtete të përkohshme, çka qartazi nuk është e vërtetë. Ne jemi këtu për të qëndruar si kombe të pavarura, sovrane, dinamike dhe demokratike. Do të mbrojmë atë që kemi arritur dhe jemi gati të paguajmë çfarëdo çmimi për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin e pavarur dhe sovran që e kemi sot”.

Ajo gjithashtu ka shtuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjitha shtetet, qofshin të vogla apo të mëdha, të qëndrojnë së bashku kundër agresionit rus.

“Kemi humbur shumë njerëz në luftën e Kosovës. e madje data 14 prill shënon edhe Ditën Kombëtare të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë. Çfarë po shohim në Ukrainë, njerëz duke u vrarë, fëmijë duke u vrarë, gra e burra po përdoret si një mjet për luftë. Kur lufta të mbarojë, njerëzit të cilët kryen krime duhet të përballen me drejtëinë, gjë të cilën nuk e kemi parë, fatkeqësisht, në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, ku jemi përballur me mohimin e gjenocidit. Nuk kemi parë drejtësi për viktimat e luftës akoma”. /KultPlus.com

Duke folur për pushtimin rus, Osmani kujton luftën e Kosovës: Ne flasim e jetojmë falë bombardimeve të NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë ekskluzive për median e njohur ndërkombëtare, CNN, ku ka biseduar për luftën në Ukrainë dhe si mund të ndikojë ajo në Kosovë, përcjell KultPlus.

Në intervistë me gazetaren, Christiane Amanpour, Osmani deklaroi se Kosova është një vend i vogël, por ka një zë të veçantë në mënyrën se si ata e shohin luftën në Ukrainë nga pushtimi rus.

“Edhe pse jemi një vend i vogël, besoj se kemi një zë të veçantë në mënyrën se si e shohim luftën në Ukrainë nga pushtimi rus, gjë që na kujton se çfarë u desh të kalonim para 23 viteve edhe populli i Kosovës. Ne ishim viktimë e gjenocidit dhe krimeve të luftës, por bota nuk na riktheu shpinën dhe ne jetojmë sot falë bombardimeve të NATO-s”.

Tutje, ajo tha se me një njeri sikurse Putini, paqja nuk mund të arrihet, e lufta në Ukrainë mund të ndikojë në Ballkanin Perendimor.

“Ne gjithashtu duhet të kuptojmë që çfarë po ndodhë në Ukrainë mund të ndikojë në të gjithë botën, sidomos për neve në Evropë. Mund të duket se jemi shumë larg nga Ukraina, por hegjemonia dhe mentaliteti imperalist që Rusia po mundohet të shtyjë përpara është diçka që mund të ketë ndikim edhe në Evropë. Rusia është përpjekur për një kohë të gjatë që të destabilizojë Ballkanin Perendimor përmes Serbisë, që e shohin si një aleat për një kohë të gjatë dhe këtë e kanë bërë përmes përpjekjeve që të destabilizojnë në Kosovë, Bosnjë dhe në Mal të Zi. Këto përpjekje për destabilizim kanë mundësuar ekzistimin e një shqetësim të ri dhe më të rrezikshëm”, deklaroi presidentja. /KultPlus.com

Ukraina thotë se rusët vranë afër 200 fëmijë që nga nisja e luftës

197 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Në një komunikatë për media, ajo shtoi se janë 351 fëmijë të tjerë që janë lënduar.

Zyra tha se shifrat më e lartë e vdekjeve të fëmijëve janë në rajonin e Donteskut, Kievit dhe Kharkivit.

Po ashtu, në komunikatë u tha se numrat s’janë përfundimtarë./Gazeta Express/ KultPlus.com

Kalush Orchestra, grupi ukrainas që do të sjell përzierjen e tyre të elementeve moderne dhe instrumenteve etnike në skenën e Eurovision

Faqja zyrtare e Eurovision Song Contest në facebook, sot ka njoftuar publikun me grupin folklorik të hip-hopit të Ukrainës Kalush Orchestra të cilët do të sjellin përzierjen e tyre të elementeve moderne dhe instrumenteve etnike në skenën e Eurovision në Torino, shkruan KultPlus.

Kalush Orchestra është një grup hip-hop ukrainas që ndërthur motive etnike me tinguj modernë duke përdorur instrumente të ndryshme popullore.

Grupi mori emrin e qytetit ukrainas të Kalush. I vendosur në rrëzë të maleve Karpate, ai shërben si një nuskë që frymëzon grupin të përfshijë elemente të ndryshme folklorike dhe muzikë autentike ukrainase në këngët e tyre. Për më tepër, është vendlindja e anëtarit të grupit Oleh Psiuk.

Hyrja e tyre në Eurovizion, është një homazh për nënën e Oleh.

Një nga anëtarët e grupit tashmë ka përvojë në Eurovision Song Contest: Ihor udhëtoi në Roterdam vitin e kaluar për të konkurruar me grupin e tij tjetër, Go_A. / KultPlus.com

Mbi 20 mijë civilë të vrarë në qytetin Mariupol në Ukrainë

Kryetari i qytetit Mariupol ka deklaruar se shifrat e fundit flasin për më shumë se 20 mijë civilë të vrarë nga sulmet ruse që nga fillimi i agresionit në Ukrainë.

Kryetari Vadym Boichenko ka thënë se është e pamundur të kalkulohet numri i saktë i të vrarëve shkaku i luftimeve në rrugë shkruan The Guardian.

Ndërkaq në qytetin Bucha aty ku ndodhi masakra më e madhe deri më tani e ushtrisë ruse, janë gjetur 403 trupa të civilëve të vrarë deri tash.

Mariupoli, që gjendet në juglindje të Ukrainës, është i rrethuar nga trupat ruse. Ky qytet është goditur më së keqi nga bombardimet dhe sulmet ajrore ruse.

Ukraina ka thënë se banorët që ende gjenden në qytet nuk kanë qasje në ujë, rrymë dhe nevoja të tjera bazike.

Rrethimin e qytetit të Mariupolit zyrtarët ukrainas e kanë quajtur krim lufte. Ky qytet është i një rëndësie të madhe për Rusinë, pasi nëse bie nën kontrollin rus, do të krijonte një urë tokësore midis Krimesë së aneksuar nga Moska dhe rajonit lindor ukrainas të Donbasit, pjesë të së cilit, që prej vitit 2014, kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia. / KultPlus.com

Protestoi kundër pushtimit në Ukrainë, gazetarja ruse punësohet në Evropë

Gazeta gjermane ‘Die Welt’ ka punësuar gazetaren ruse Ovsyannikova, 43 vjeç, e cila protestoi kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia, gjatë edicionit të lajmeve në mbrëmje.

E përditshmja gjermane deklaroi se gazetarja ruse do të jetë një korrespondente e pavarur për Die Welt, duke raportuar lajme nga Ukraina dhe Rusia, si dhe do të jetë një bashkëpunëtore e rregullt në kanalin e saj televiziv të lajmeve.

Ovsyannikova, një redaktore në televizionin rus të Channel One, u shfaq në setin e lajmeve të mbrëmjes së saj kryesore Vremya (Time) në mars duke mbajtur një poster që lexonte “No War” në anglisht. Ishte një ngjarje shumë e pazakontë në Rusi, ku media shtetërore kontrollohet rreptësisht.

Pas protestës së saj, ajo u ndalua dhe u mor në pyetje për 14 orë përpara se të lirohej dhe u urdhërua të paguante një gjobë prej 30,000 rubla (280 dollarë).

Por ajo mund të përballet me ndjekje të mëtejshme, duke rrezikuar vite burg sipas ligjeve të reja. / KultPlus.com

Zelensky: 938 institucione arsimore dhe pothuajse 300 spitale të shkatërruara në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i është drejtuar Parlamentit të Koresë së Jugut, ndërsa vazhdon thirrjen e tij për ndihmë ndërkombëtare.

Ai tha se forcat ruse kishin shkatërruar 938 institucione arsimore dhe pothuajse treqind spitale që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt.

Zelenskyy tha gjithashtu se trupat e Kremlinit kishin shkatërruar ‘me vetëdije’ zonat e banuara dhe qytetet me tanket dhe artilerinë e tyre.

“Tani kemi vetëm rrënoja në vend të qyteteve normale paqësore. Ne nuk mund të numërojmë as numrin e vdekjeve”, tha ai.

Udhëheqësi ukrainas tha se ekipet e urgjencës në veri të vendit po vazhdonin të pastronin rrënojat pas bombardimeve ruse, por një pjesë e rajonit ishte ende një fushëbetejë aktive.

Ai vazhdoi duke thënë se pushtuesit rusë kishin dërguar mijëra ushtarë dhe një numër kolosal pajisjesh në vend, në një përpjekje për të përgatitur sulme të reja.

Duke trajtuar situatën e rëndë në Mariupol, Zelensky tha se qyteti i rrethuar kishte mbetur i bllokuar që nga 1 marsi, me autokolona ushqimore të paaftë për të hyrë. / Klan Kosova / KultPlus.com

In this image from video provided by the Ukrainian Presidential Press Office, Ukrainian President Volodymyr Zelenskyy speaks from Kyiv, Ukraine, early Monday, March 21, 2022. (Ukrainian Presidential Press Office via AP)

Kurti përfshihet me liderët botërorë për të dërguar mesazh të fortë uniteti dhe solidariteti në Ukrainë (VIDEO)

Në një video të shpërndarë nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, janë të përfshirë liderë nga e gjithë bota që po dënojnë agresionin rus nga Vladimir Putin në Ukrainë, shkruan KultPlus.

“Më shumë se 10 milionë njerëz duhej të largoheshin nga bombat e Putinit dhe të kërkonin strehim brenda Ukrainës ose në vendet fqinje. Dje bota u bashkua me një mesazh të fuqishëm uniteti dhe solidariteti. Të dashur popull ukrainas, qëndroni të fortë. Ne jemi me ty. Ne #QendrojmëPërUkrainën”, shkruhet në postimin e Ursula Leyen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili shihet përkrahë liderë botërorë përfshirë këtu kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson dhe vetë Volodymyr Zelenskyn, shihet duke thënë se Kosova është rreshtuar krahë shteteve më demokratike të botës dhe i ka vënë sanksione Rusisë.

“Kosova është bashkuar së bashku me vendet më demokratike në botë për t’i vënë sanksione ndaj Rusisë. Që të qëndrojmë me Ukrainën, ne jemi zotuar që të pranojmë 5 mijë refugjatë ukrainas dhe gjithashtu kemi shprehur gatishmërinë tonë për t’i strehuar 20 gazetarë nga Ukraina”. /KultPlus.com

Johnson befason të gjithë, viziton Kievin dhe ulet të diskutojë me Zelenskyn

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson ka zhvilluar bisedime në Kiev me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, përcjell KultPlus.

Vizita e zotit Johnson në Kiev nuk u njoftua paraprakisht dhe treguesi i parë se ai ishte në qytet erdhi kur fotografia e takimit të tij me Presidentin Zelensky është postuar në Twitter nga ambasada e Ukrainës në Londër.

“Ata do të diskutojnë mbështetjen afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën dhe kryeministri do të përcaktojë një paketë të re ndihme financiare dhe ushtarake”, bëhet e ditur nga MB.

Andriy Sybiha, nënkryetari i zyrës së presidentit ukrainas, tha: “Britania e Bashkuar është lider në mbështetjen e mbrojtjes për Ukrainën. Lider në koalicionin kundër luftës. Lider në sanksionet kundër agresorit rus.”

Johnson është lideri i fundit perëndimor që udhëton në kryeqytetin ukrainas për bisedime me presidentin e vendit.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell bënë vizita të dy të premten dhe kancelari austriak Karl Nehammer më herët të shtunën. /KultPlus.com

Pink Floyd po publikon këngën e parë pas tri dekadave për të mbledhur para për Ukrainën

Pink Floyd po publikon muzikën e parë të re në pothuajse tre dekada për të mbledhur para për popullin e Ukrainës, njoftoi grupi të enjten, përcjell KultPlus.

“Hey Hey Rise Up” përfshin anëtarët e Pink Floyd, David Gilmour dhe Nick Mason, me vokal nga këngëtari ukrainas Andriy Khlyvnyuk i grupit BoomBox.

Kënga paraqet Khlyvnyuk duke kënduar një këngë patriotike ukrainase nga një klip që ai regjistroi përpara Katedrales së Shën Sofisë në Kiev dhe e postoi në mediat sociale.

Gilmour, i cili performoi me BoomBox në Londër në vitin 2015, tha se videoja ishte “një moment i fuqishëm që e bëri atë ta rikthejë edhe në muzikë”.

Pas pushtimit të Rusisë, Khlyvnyuk ndërpreu një turne në SHBA për t’u kthyer në Ukrainë dhe për t’u bashkuar me një njësi të mbrojtjes territoriale.

Kënga do të publikohet të premten dhe grupi thotë se të ardhurat do të shkojnë për Fondin e Ndihmës Humanitare të Ukrainës.

Pink Floyd u themelua në Londër në mesin e viteve 1960 dhe ndihmoi në krijimin e skenës psikedelike në Mbretërinë e Bashkuar përpara se të publikonte albumet me ndikim të viteve 1970, duke përfshirë “The Dark Side of the Moon”, “Wish You Were Here” dhe “The Wall”.

Anëtari origjinal Roger Waters u largua në 1985, dhe anëtarët e mbetur të Pink Floyd regjistroi për herë të fundit së bashku për albumin e vitit 1994 “The Division Bell”. /KultPlus.com

Serbia voton ‘pro’ pezullimit të Rusisë nga OKB, Rama: Lajm i mirë për rajonin

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të enjten pezulloi Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut për shkak të raporteve për “shkelje të rënda dhe sistematike dhe abuzime të të drejtave të njeriut” nga pushtimi i trupave ruse në Ukrainë, raporton Reuters, përcjell KultPlus.

Për këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur për rrështimin e Serbisë me Perëndimin.

“Pezullimi i Rusisë nga Human Rights Council në OKB refuzim i fortë për të pranuar shkeljen brutale të çdo lirie e të drejte dhe krimet mizore të luftës në Ukrainë.Rreshtimi i Serbisë përsëri me Perëndimin në këtë përshkallëzim të ri kundër agresionit rus, lajm i mirë për rajonin!”, ka shkruar ai.

Propozimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u votua pro nga 93 anëtarë, derisa 24 vende votuan kundër dhe 58 të tjera abstenuan. /KultPlus.com

OKB-ja pezullon Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të enjten pezulloi Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut për shkak të raporteve për “shkelje të rënda dhe sistematike dhe abuzime të të drejtave të njeriut” nga pushtimi i trupave ruse në Ukrainë, raporton Reuters, përcjell KultPlus.

Propozimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u votua pro nga 93 anëtarë, derisa 24 vende votuan kundër dhe 58 të tjera abstenuan.

Befasia në këtë votim ishte rreshtimi i Serbisë përkrah vendeve perendimore, duke votuar “pro” pezullimit të Rusisë nga OKB-ja.

Pezullimet janë të rralla. Libia u pezullua në vitin 2011 për shkak të dhunës kundër protestuesve nga forcat besnike të liderit të atëhershëm Muammar Gaddafi.

Rezoluta e miratuar nga drafti i Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh shpreh “shqetësim të madh për krizën e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe humanitare në Ukrainë”, veçanërisht për raportet për abuzime të të drejtave nga Rusia. /KultPlus.com

Ukraina paralajmëron për hapjen e korridoreve humanitare

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se shtatë korridore humanitare do të hapen më 5 prill për të evakuuar civilët nga disa prej zonave më të goditura nga lufta, përfshirë qytetet jugore të Mariupolit dhe Berdianskas.

Vereshchuk tha përmes një postimi në Telegram se banorët e këtyre dy qyteteve do të lejohen të evakuohen vetëm përmes transportit privat dhe më pas do të udhëtojnë drejt qytetit të Zaporizhjas.

Korridore të tjera do të hapen në qytetin Tokmak, në rajonin Zaporizhja, dhe në qytetet Severdonjecks, Lisiçansk, Popasna dhe Hirske, që gjenden në rajonin e Luhanskut.

“Pavarësisht premtimeve të udhëheqjes së tyre, forcat ruse nuk po lejojnë që askush të udhëtojë për në Mariupol”, tha Vereshchuk.

“Ata kanë bllokuar përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Manhush [rreth 20 kilometra në perëndim të Mariupolit]…. por, pas negociatave, ata u liruar mbrëmjen e kaluar dhe u dërguan në Zaporizhja”, shtoi ai.

Ende është e paqartë nëse Rusia është pajtuar që të ndërpresë luftimet në zonat ku është njoftuar se do të hapen korridoret humanitare.

Përpjekjet e mëhershme nga Ukraina për të evakuuar civilët përmes korridoreve humanitare gjerësisht kanë dështuar për shkak se luftimet kanë vazhduar pavarësisht se disa marrëveshje armëpushimi ishin arritur me Rusinë./REL/ KultPlus.com

Thirrja e Klitschkos për Perëndimin: Çdo euro që e këmbeni me Rusinë është gjak ukrainas

 

Kryebashkiaku i Kyivit, Vitali Klitschko, u ka kërkuar politikanëve europianë që të ndërpresin të gjitha lidhjet tregtare me Moskën, duke thënë se pagesat ndaj Rusisë janë të mbuluara me “gjak” dhe ndihmojnë për të financuar ushtrinë e saj.

“Çdo euro, çdo cent që merrni ose dërgoni në Rusi ka gjak; janë para të përgjakshme dhe gjaku i këtyre parave është gjaku i Ukrainës. Gjaku i popullit ukrainas”, tha Klitschko, raporton BBC.

Klitschko gjithashtu përshkroi “gjenocidin e ukrainasve” pas një vizite në Bucha këtë javë.

Ai thotë se pa civilë të vdekur, duke përfshirë një grua të moshuar, dhe një makinë me një flamur të bardhë dhe shkronjat “fëmijë” nga jashtë që ishin qëlluar dhe kishte gjak brenda. / Gazeta Express / KultPlus.com

Zelensky viziton Buchan, thotë se Rusia ka kryer gjenocid në Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vizituar Buchan, pas shfaqjes së imazheve të civilëve të vrarë.

Ai vizitoi rrugën në të cilën një kolonë ruse ishte në pritë, si dhe foli me banorët vendas, raporton BBC.

Zelensky përsëri tha se Rusia ka kryer krime lufte dhe gjenocid në Ukrainë.

Ai u pyet nga gazetarët nëse ende ka gjasa që të vazhdojnë negociatat për paqe, ku u përgjigj: “Po, sepse Ukraina duhet të ketë paqe. Ne jemi në Evropën e shekullit të 21-të. Ne do të vazhdojmë përpjekjet diplomatike dhe ushtarake”. /Zëri / KultPlus.com

Regjime gjenocidale në Ukrainë, Kurti: Rusia duhet të mbajë përgjegjësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për luftën dhe gjenocidin që po ndodhë në Ukrainë nga pushtimi rus, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Twitter”, i pari i ekzekutivit ka shkruar se autorët e masakrave duhet të sillen përpara drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi.

“Varrezat masive, njerëzit e vrarë brutalisht me gjymyrë të humbur, shtëpi të djegura dhe qytete të kthyera në rrënoja janë të gjitha skena të njohura nga regjimet gjenocidale. Autorët e Masakrës Bucha duhet të sillen para drejtësisë dhe Rusia duhet të mbajë përgjegjësi”, ka deklaruar Kurti.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për kryerjen e vrasjeve në qytetet afër Kievit, duke përfshirë Bucha, Irpin dhe Hostomel, me presidentin Volodymyr Zelenskyy që i cilësoi forcat ruse si “vrasës, torturues dhe përdhunues” që po kryenin “gjenocid” në vendin e tij. /KultPlus.com

Zelensky në ceremoninë e çmimeve Grammy: Kam një ëndërr për qytetarët e Ukrainës

Në ceremoninë e çmimeve ‘Grammy’, pati një paraqitje speciale edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky me një dedikim emocional për viktimat e pushtimit rus në vendin që ai udhëheq, shkruan KultPlus.

Paraqitja speciale e Zelensky për këtë ceremoni u bë përmes një video që ishte inçizuar më herët, ku ai vlerësoi lart edhe rolin e muzikës.

“Lufta nuk na lë të zgjedhim se kush do të mbijetojë dhe kush do të qëndrojë në heshtje të përjetshme”, vazhdoi ai. “Muzikantët tanë veshin veshje të blinduara në vend të smokingëve. Ata u këndojnë të plagosurve në spitale, madje edhe atyre që nuk i dëgjojnë. Por muzika do të depërtojë gjithsesi”, ka thënë ai.

Zelenskiy lavdëroi bashkatdhetarët e tij duke thënë: “Ne mbrojmë lirinë tonë. Të jetojmë. Të dashurojmë. Të tingëllojmë. Në tokën tonë, ne po luftojmë Rusinë që sjell heshtjen e tmerrshme me bombat e saj. Heshtja e vdekur. Mbushni heshtjen me muzikën tuaj! Mbushni atë sot për të treguar historinë tonë”.

Ai iu kërkoi shikuesve të “Grammy Awards” që të mbështesin publikisht Ukrainën: “Unë kam një ëndërr që ata të jetojnë”, tha ai për popullin ukrainas. “Dhe të lirë. Të lirë si ju në skenën e Grammyt”.

Një paraqitje speciale pati edhe Dua Lipa së bashku me këngëtaren Megan Thee Stallion. /KultPlus.com