Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, sot me rastin e 33 vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës ka organizuar një pritje për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”.
Në njoftimin e AGK-së, është bërë e ditur se në këtë ngjarje të pranishëm ishin ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode, zëdhënësja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Lindsay Jagla, si dhe bashkëpunëtorët e AGK-së, që ndihmojnë në zbatimin e këtij programi.
AGK-ja nga prilli i vitit 2022, ka zbatuar programin që u mundëson gazetarëve ukrainas që kanë ikur nga lufta, të vazhdojnë punën e tyre si gazetarë në Kosovë.
“Ata bëjnë një punë të jashtëzakonshme duke raportuar në baza ditore nga Kosova, për Kosovën e Ukrainën, atdheun e tyre”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
” Gazetarët në Rezidencë – Kosovë, është program i iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, në kuadër të programit mbështetës, Voices of Ukraine, zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe iniciativa Hannah Arendt e Qeverisë së Gjermanisë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Në KultPlus Caffe Gallery është bërë promovimi i librit ukrainas për fëmijë “Irpini është shtëpia ime”, në gjuhën shqipe, si dhe hapja e ekspozitës me piktura të studentëve të Fakultetit të Arteve me imazhe nga lufta, si thirrje për paqe. Libri përfshin poema, ese, dhe përralla të fëmijëve të shtetit të Ukrainës, përkatësisht të qytetit të Irpinit.
Në këtë libër fëmijët me admirim kanë paraqitur vendlindjen dhe vendet e tyre më të dashura, duke përfshirë edhe përvojat e tyre gjatë kohës dhe pas pushtimit të shkurtit të vitit 2022. Përmes artit të tyre fantastik, fëmijët e Irpinit kanë shprehur ëndërrat e tyre mbi një të ardhme pa luftë, të sigurtë dhe në paqe.
Në këtë ngjarje Kryetari i Komunës së Irpinit, Oleksandr Markushyn, përmes Organizatës së Gazetarëve të Ukrainës në Kosovë ka ndarë mirënjohje për mediumin KultPlus, duke shprehur mirënjohje të thellë për bashkëpunimin dhe promovimin e vlerave ukrainase si dhe ndërtimin e urave ndërkulturore në mes të dyja vendeve.
Këtë ngjarje e cila u mbajt në qendrën e artit dhe të kulturës, KultPlus Caffe Gallery, e udhëhoqi Anna Krasniqi, e cila me shumë shije prezantoi artin e bashkëmoshatarëve të saj.
“Jemi shumë të lumtur të ju shohim të gjithëve në KultPlus Caffe Gallery. KultPlus dhe Organizata e Gazetarëve të Ukrainës sot do të prezantojë librin “Irpini është shtëpia ime” i cili është i ilustruar nga fëmijët e Ukrainës”, ka thënë prezantuesja Krasniqi.
Ndërsa, panelistja Tetiana Kraselnykova më tutje tregoi edhe arsyen e botimit të këtij libri në gjuhën shqipe, duke falënderuar të gjithë ata që mundësuan një promovim të tillë.
“Ne duam që përmes këtij libri ju të njihni historitë e ukrainasve të vegjël të cilët kanë përjetuar frikë dhe dhimbje, e të cilët vazhdojnë të lidhen me dashurinë hyjnore dhe Fitoren e Ukrainës. Tani ka histori dhe zëra që mund t’i dëgjoni dhe lexoni në shqip falë punës së shkëlqyer të përkthyesit tonë Elvi Sidheri”, ka thënë gazetarja ukrainase Kraselnykova.
Ndërsa drejtoresha e KultPlus Caffe Gallery, Ardiana Pajaziti, tha se promovimi i këtij libri për të paraqet një ndejnjë shumë të veçantë pasi historia e autorëve të librit është e ngjajshme me atë të fëmijëve të Kosovës.
“Është një emocion shumë i veçantë për promovimin e librit ‘Irpini është shtëpia ime’, për faktin se me të drejtën e botimit të KultPlus arritëm ta sjellim edhe në gjuhën shqipe përjetimet e fëmijëve të qytetit të Irpinit, në të njëjtën kohë edhe ilustrimet nga ky qytet. Për ne kosovarët një përvojë e tillë nuk është e largët. E kemi ende në memorien tonë. Dhe pikërisht për këtë fakt, KultPlus bashkë me Organizatën e Gazetarëve të Ukrainës e kemi realizuar këtë prurje për të ngritur vetëdijen dhe për të uruar paqe jo vetëm për Ukrainën por për të gjitha vendet në krizë të luftës”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.
Gjatë ngjarjes promovuese u paraqitën edhe video përshëndetëse nga persona të cilët kishin kontribuar në botimin e këtij libri si krijuesja e dizajnit Sofia Martyniuk. Kurse ëmbëlsia e gjithë mbrëmjes ishte recitimi i poezive nga fëmijët ukrainas në gjuhën ëmë dhe atë shqipe, përmes së cilave shpreheshin ndjenjat dhe dëshirat e tyre më të thella për vendlindjen e tyre e cila tashmë është vatër e luftës.
Krejt në fund të ngjarjes, të pranishmit patën rast për të shijuar ekspozitën me punime nga studentët e Fakultetit të Arteve, për të blerë pikturat dhe librin e sapo promovuar. Ndërkaq Zyra e Presidentes së Kosovës, e përfaqësuar nga Donika Kadaj- Bujupi bleu libra në vlerë prej një mijë euro, të cilat do të shpërndahen në shkollat e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com