Mbrëmë, në KultPlus Caffe Gallery është bërë promovimi i librit ukrainas për fëmijë “Irpini është shtëpia ime”, në gjuhën shqipe, si dhe hapja e ekspozitës me piktura të studentëve të Fakultetit të Arteve me imazhe nga lufta, si thirrje për paqe, event ky gjatë të cilit mediumi KultPlus mori mirënjohje nga Komuna e Irpinit.
Kryetari i Komunës së Irpinit, Oleksandr Markushyn, përmes Organizatës së Gazetarëve të Ukrainës në Kosovë, ka ndarë mirënjohje për KultPlus, drejtuar Ardianë Pajaziti dhe Rexhep Krasniqi.
“Ne shprehim mirënjohjen tonë për organizatën KultPlus.com, për zemrën tuaj të sinqertë, pozicionin aktiv publik, mbështetjen për Ukrainën dhe popullin ukrainas, për kontributin krijues në ndërtimin e urave ndërkulturore të miqësisë mes Kosovës dhe Ukrainës”, shkruhet në mirënjohje.
Tutje, KultPlus.com është falënderuar edhe për pjesëmarrjen në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Prishtinë, ku u prezantua për herë të parë në gjuhën shqipe libri “Irpini është shtëpia ime”.
“Rroftë Kosova”
Gjatë këtij , thuhet në fund të mirënjohjes./KultPlus.com
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka arritur mbrëmë në Tiranë, ku sot do të pritet në takim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Tashmë është bërë e ditur edhe agjenda për ditën e sotme, ku pas takimit kokë me kokë pritet të ketë edhe një takim bilateral mes dy delegacioneve, atij ukrainas dhe delegacionit shqiptar.
Ky takim sipas agjendës është parashikuar të fillojë në orën 9:30 dhe do përfundojë me firmosjen e një marrëveshje.
Ndërsa, në orën 11:00 pritet që liderët të mbërrijnë në pallatin e Kongreseve ku do të zhvillohet më pas Samiti.
Agjenda e Samitit të Ukrainës (28 Shkurt 2024)
09.00 – Presidenti Zelensky do të mikpritet nga Kryeministri Rama, në Kryeministri.
09.05 – Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidentin e Ukrainës Zelensky.
9.30 – Takimi bilateral mes dy delegacioneve.
10.10 – Firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës
11.00 – Doorstep dhe mbërritja e liderëve ( Pallati i Kongreseve)
11.30-Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit.
13:00 – Foto Familjare
Të gjitha mediat
13.30 – Kryeministri Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.
Britania është zotuar të shpenzojë mbi 286 milionë euro gjatë vitit të ardhshëm për municione artilerie për Ukrainën.
Kievi po përballet me mungesa municionesh dhe u ka kërkuar aleatëve ndihmë më të madhe, shkruan Sky News.
Sipas Britanisë, kjo ndihmë do t’u mundësojë forcave të Ukrainës edhe të rikuperojnë dhe rivendosin automjetet e dëmtuara nga armët antitank dhe minat tokësore. /KultPlus.com
Trupa e Baletit Etoile, ardhur nga Ukraina, i ka sjellë publikut durrsak e jo vetëm, traditën, kulturën dhe shpirtin e vërtetë ukrainas.
Të pranishëm në teatrin “Aleksander Moisiu”, përveç artdashësve, kanë qenë edhe kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, ambasadori i Japonisë, Takada Mitsuyuki, si dhe mjaft personalitete të tjera.
Teatri “Aleksandër Moisiu” hapi dyert dhe mikpriti për 3 javë këtë trupë, duke mbështetur në çdo aspekt të gjithë këtë sipërmarrje me përmasa të mëdha.
Publiku për dy orë rresht ndoqi me vëmendje këtë shfaqje të vecantë.
“Yjet e Trupës së Baletit Klasik të Ukrainës vendosën që përpos çdo lloj traume e tragjedie që po kalon qyteti i tyre i origjinës, Kharkhivi, të gjejnë forcën e të krijojnë duke inspiruar e shpërndarë artin”, shkroi në rrjetet sociale ministrja Milva Ekonomi.
Trupa ukrainase interpretoi baletin “Princesha e akullit” me koreografi të Andrea Heise, e cila është një histori romantike me muzikën e Mozart, Vivaldi, Halvorsen dhe Leontovich. / atsh / KultPlus.com
Që nga 22 marsi 2023, UNESCO ka verifikuar dëmtime në 248 objekte në Ukrainë, sipas unesco.org.
Që nga 24 shkurti 2022, dita kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës, në ish-republikën sovjetike janë shkatërruar 107 objekte fetare, 21 muze, 89 ndërtesa me interes historik dhe/ose artistik, 19 monumente dhe 12 biblioteka.
UNESCO po kryen një vlerësim paraprak të dëmit për pronat kulturore duke kontrolluar incidentet e raportuara me burime të shumta të besueshme.
Këto të dhëna të publikuara përditësohen rregullisht.
UNESCO po zhvillon gjithashtu, me organizatat e saj partnere, një mekanizëm për vlerësimin e pavarur të koordinuar të të dhënave në Ukrainë, duke përfshirë analizën e imazheve satelitore, në përputhje me dispozitat e Konventës së Hagës të vitit 1954 për mbrojtjen e pronës kulturore në rast konflikti të armatosur./ atsh / KultPlus.com
Arti pamor, kultura dhe edukimi paraqiten në një vijë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e cila si thesar për kombin, shërben si një institucion ku njerëzit mund të vijnë për të parë nga afër ekspozita speciale dhe programe të tjera publike, të gjitha pa pagesë. Galeria Kombëtare e Kosovës, e themeluar në vitin 1979 më 2 shkurt, si institucioni më i shquar në vend ka mision, vizion dhe vlera të rimenduara që synojnë të nderojnë të kaluarën e vendit, t’i përgjigjen të tashmes dhe të frymëzojnë brezat e ardhshëm me një gjuhë të përbashkët, shkruan KultPlus.
Për herë të parë në historinë e saj disa vjeçare, GKK ka hapur një ekspozitë ku paraqet edhe arkivin e saj, me materiale që datojnë nga viti 1960 e tutje, duke rikujtuar e vënë në pah vlerat e pakrahasueshme që kanë sjellë ndër vite artistët nga vendi më i ri në Evropë.
Si në shumë hapësira të tjera publike, edhe GKK është “pushtuar” me vepra të artistëve vendorë e ndërkombëtarë, në kuadër të “Manifesta 14”, e cila synim ka që të rikthejë hapësirat publike te qytetarët, por edhe përmes institucioneve sikurse Galeria, të arrijë që të futet në zemrën e mendjen e secilit, për të rikujtuar se arti është diçka që të bën të marrësh frymë me një lloj tjetër lumturie.
Duke filluar nga artistja e huaj, Selma Selman me veprën e saj “You have no idea”, GKK hap këtë ekspozitë, duke përcjellur mesazhin e artistes, e cila ka të bëjë me atë se njerëzit nuk e dinë se kush është ajo, nuk e dinë për praninë ose mungesën e dhimbjes në jetën e saj dhe tutje zbulon edhe fuqinë e dinamikën e empatisë, duke hedhur dyshime mbi përshtatshmërinë e saj si bazë për takimin politik.
Diversitet i veprave
Grupi artistik “HAVEIT” kishte performuar para disa ditëve performancën e tyre me gota, që në thelb tentojnë të paraqesin gratë dhe menyrën se si ato nuk janë të “denja” për të bërë pazarin e mëngjesit me shportën plot gota.
Duke vazhduar tutje në sallën tjetër, kukulla gjigante paraqiten në sytë e vizitorëve, të cilat sipas artistit Dardan Zhegrova, janë një formë e lashtë e rrefimtarisë që kanë udhëtuar përgjatë rrugëve të ndryshme nga Azia në Evropë. Zhegrova, i cili si fëmijë është rritur në frymën e teatrit “Dodona”, teatri i kukullave në Prishtinës, tenton të mbështetet në historinë e pasur me kukullat e tij të mëdha me dy fytyra.
Në mesin e disa veprave në GKK, është edhe pjesa e artistes së huaj Alevtina Kakhidze, me veprën “Pushtimi”, e cila vjen nga Kieve dhe jeton në Muziçi. Ajo e përshkruan veten si artiste dhe kopshtare, derisa si pjesë e ekspozitës janë “bimët”, dhe gjatë dekadës së fundit një pjesë e madhe e hulumtimit të saj është fokusar në vëzhgimin e botës bimore. Ajo thekson se “bimët” në habitatet e veta dhe të huaja, duke trajtuar tema si pushtimi, dominimi dhe përkatësia.
Valentina Bonizzi, nga Milani, e cila jeton në Tiranë, ka prezantuar veprën e saj “Homazhe Kafkës”, vepër që tregon një video të inçizuar në një vend dhe paraqitet rrëfimi i një personi, që mbetet, pambarisht në portat e ligjit, duke pritur t’i jepet qasje, por pa ardhur në një përfundim të tillë. Ashtu si Kafka, Bonizzi reflekton po aq mbi zërin që njerëzit kanë përpara ligjit sa mbi shkallën në të cilën ata e përdorin atë.
Mes shumë ekspozitave, veprave të ndryshme, diversitetit të artistëve, si pjesë e padiskuteshme e artit, Galeria e hapi edhe arkivin e saj. Arkivi mbledh, ruan dhe vë në dispozicion dokumentacione në lidhje me të kaluarën, duke përfshirë veprat e disa prej artistëve më të mëdhenj në histori të Kosovës.
“Thesaret e fshehura” të Galerisë
Një rezervuar i jashtëzakonshëm i krijuesve shqiptarë, dalin nga arkivi sikurse “thesare të fshehura”. Koleksioni i veprave të Galerisë Kombëtare të Kosovës, padyshim paraqet vetëm majën e një ajsbergu.
Vëzhguesi i ekspozitave, Xhevat Rrahimi, njoftoj për KultPlus se “Manifesta 14” është një vlerë e shtuar për Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe jo vetëm, duke njoftuar se kanë qenë më shumë se 1 mijë vizitorë që nga hapja e ekspozitave.
Arkivi si thesar i paçmueshëm
“Është hera e parë që arkivi ka dalë si ekspozitë. Në arkivin që e kem na është një thesar i paçmuar që e ruajmë me vite të tëra. Por, nuk mund të them se mund t’i ruajmë si duhet, për shkak të kushteve si janë. Edhe pse niveli i kushteve nga Ministria nuk është në gjendje të mirë, ne shpresojmë që në të ardhmën të bëjmë kushte edhe më të mira”.
Pjesë e (pa)ndashme e Galerisë – arkivi
“Ideja e Ministrisë për një Muze Bashkëkohor daton që nga paslufta, si ide, por ende nuk është e realizueshme. Edhe ne e mirëpresim realizimin e muzeut të artit bashkëkohor, por thesarin e Galerisë, mendoj se më së miri e ruan vetë Galeria dhe njerëzit kompetentë këtu”.
Vizitorët besnik – pjesë e përhershme e Galerisë
“Mund të them që “Manifesta 14″ ia ka shtuar një vlerë Galerisë, por ne i kemi vizitorët e tillë që nuk na braktisin asnjëherë. Kemi vizitorë edhe të nivelit ndërkombëtarë edhe vendorë”.
Kritiku amerikan i artit, Jerry Saltz, thotë se veprat e artit shpesh zgjasin përgjithmonë, ose thuajse shumë gjatë. Por vetë ekspozitat, veçanërisht ekspozitat e galerive, janë si lulet; ato lulëzojnë dhe më pas vdesin, pastaj ekzistojnë vetëm si kujtime, ose të shtypura në revista dhe libra, njësoj sikurse në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku vepra të ndryshme të Lirije Bulliqit, Nusret Salihamixhiqit, Muslim Mulliqit, Ibrahim Kodrës, Gjelosh Gjokajt e shumë artistëve të tjerë, jetojnë brenda mureve të objektit dhe si të tilla, gjithnjë e lënë “aromën” e tyre magjike e të paharrueshme, njësoj si veprat që kanë lënë pas vetes. /KultPlus.com
Miliona ukrainas janë larguar drejt vendeve fqinje, që kur Rusia filloi sulmin ndaj vendit të tyre. Të tjerë janë zhvendosur drejt Ukrainës perëndimore, që për momentin është relativisht e sigurtë. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Anna Kosstutschenko, na sjell historitë e vullnetarëve në qytetin Lviv, që kanë hapur shtëpitë e tyre për të zhvendosurit.
Tre vjeçarit Matviy i pëlqen të luajë jashtë, të hidhet mbi trampolinë dhe të shëtisë në kopsht.
Gjërat do të ishin edhe më mirë nëse do të kishte babanë pranë. Por, kjo nuk është e mundur, pasi babai i tij ka shkuar në luftë.
“Përkrah meje gjendet motivuesi im kryesor. Ai nuk është fëmija im, nuk është nipi im, por jemi bërë miq që ditën e parë që u takuam dhe jam shumë i lumtur që e shoh çdo ditë!”, thotë Dr. Serhiy Rubanov, banor dhe vullnetar në qytetin Lviv.
Serhiy dhe Galyna Rubanov mirëpritën Matviyn dhe familjen e tij në shtëpinë e tyre në rrethinat e Lvivit në muajin mars, pasi atyre iu desh të largohen nga qyteti Kharkiv, të cilin forcat ruse vazhdojnë ta bombardojnë që kur filluan sulmin më 24 shkurt.
“Hodhëm sytë nga dritarja dhe dukej si një mjegull. Zhurma ngjasonte me bubullimat, por shumë më e lartë. Ndezëm televizorin dhe morëm vesh se po sulmoheshim nga të ashtuquajturit vëllezërit tanë”, thotë Anna, gjyshja e Matviyt.
Më 4 mars, e gjithë familja, së bashku me stërgjyshen invalide të Matviyt dhe qenin e tyre, u larguan nga Kharkivi. Kur mbërritën në Lviv, vullnetarët i vendosën në banesa të përkohshme derisa një familje vendase u ofroi strehim.
“Gjyshi dhe babai i tij e sollën djalin këtu dhe u kthyen prapë për të luftuar. Cila është gjëja më e çmuar në vendin tonë? Fëmijët tanë, nipërit tanë. A mund të luftosh duke ditur se fëmijët gjenden në rrezik?”, thotë dr. Rubanov.
Familja e Matviyt gjeti këtu një shtëpi të re.
Ata gatuajnë, bëjnë pazar, madje edhe kujdesen për perimet në kopsht. Nëna e Matviyt, Katerina, thotë se po i ndihmon normaliteti i rikthyer në jetën e përditshme të familjes.
“Kur mbërritëm na duhej diçka për të hequr mendjen. Galyna na e dha këtë mundësi. Mbollëm qepë të njoma, rrepa, majdanoz dhe patate. Serhiy na ndihmoi për gjithçka”, thotë Katerina.
Megjithëse janë të sigurtë këtu, lufta ka lënë gjurmët e saj në familje. Matviy vazhdon të trembet nga zhurmat e larta.
“Ka shumë ankth, frikësohet nga zhurmat e larta dhe avionët që fluturojnë… Ka një batanije që e mban me vete që nga koha kur ishte foshnje”, thotë gjyshja e Matviyt, Anna.
Kateryna dhe familja e saj luten që lufta të përfundojë së shpejti dhe babai dhe gjyshi i Matviyt të kthehen të gjallë në shtëpi. Kateryna ëndërron që një ditë djali i saj i vogël të mos ketë më frikë nga zhurmat e larta./VOA /KultPlus.com
Qyteti i Izyum – i njohur si porta e rajonit të Donbasit dhe Detit të Zi – po përjeton luftime të ashpra pasi rusët e përdorin atë si një stacion për të sulmuar qytetet në lindje, shkruan BBC, përcjell KultPlus..
Tani, ekziston frika se Izyum do të bëhet Bucha e ardhshme, vend ku Rusia akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile, duke përfshirë ekzekutime dhe tortura.
Izyum thuhet se ka përqendrimin më të lartë të trupave ruse në Ukrainë.
Qyteti strategjik, i vendosur 70 milje në jug-lindje të Kharkiv ra plotësisht në duart e rusëve më 1 prill.
Pothuajse 80% e ndërtesave të banimit të qytetit janë shkatërruar dhe linjat e trenave janë ndërprerë, thotë nënkryetari i bashkisë së qytetit.
Njerëzit që kanë arritur të largohen nga Izyum i thanë BBC-së se është në prag të një katastrofe humanitare. /KultPlus.com
Majlinda Kelmendi ka bërë një duel në stërvitje me xhudisten ukrainase, Daria Bilodid, e cila është larguar si refugjate nga vendi i saj për shkak të pushtimit rus dhe luftës që po zhvillohet atje, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi të shpërndarë nga trajneri kosovar, Driton Kuka, shihen edhe në fotografi dy xhudistet, të cilat kanë lënë gjurmë në sportin e xhudos.
“Dy kampione të mëdha”, ka shkruar Kuka, duke thënë se së shpejti do të vijnë në Kosovë edhe Bilodid së bashku me xhudistë të tjerë.
Kuka së bashku me Majlindën janë duke marrë pjesë në qendrën olimpike të trajnimit në Tata të Hungarisë, e duke u bërë gati për garën e radhës. /KultPlus.com
Kryetari i qytetit Mariupol ka deklaruar se shifrat e fundit flasin për më shumë se 20 mijë civilë të vrarë nga sulmet ruse që nga fillimi i agresionit në Ukrainë.
Kryetari Vadym Boichenko ka thënë se është e pamundur të kalkulohet numri i saktë i të vrarëve shkaku i luftimeve në rrugë shkruan The Guardian.
Ndërkaq në qytetin Bucha aty ku ndodhi masakra më e madhe deri më tani e ushtrisë ruse, janë gjetur 403 trupa të civilëve të vrarë deri tash.
Mariupoli, që gjendet në juglindje të Ukrainës, është i rrethuar nga trupat ruse. Ky qytet është goditur më së keqi nga bombardimet dhe sulmet ajrore ruse.
Ukraina ka thënë se banorët që ende gjenden në qytet nuk kanë qasje në ujë, rrymë dhe nevoja të tjera bazike.
Rrethimin e qytetit të Mariupolit zyrtarët ukrainas e kanë quajtur krim lufte. Ky qytet është i një rëndësie të madhe për Rusinë, pasi nëse bie nën kontrollin rus, do të krijonte një urë tokësore midis Krimesë së aneksuar nga Moska dhe rajonit lindor ukrainas të Donbasit, pjesë të së cilit, që prej vitit 2014, kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia. / KultPlus.com
Camila Cabello, Ed Sheeran dhe Snow Patrol do të luajnë të gjithë në koncertin humanitar të javës së ardhshme për Ukrainën, përcjell KultPlus.
Biletat për shfaqjen dalin në shitje sot, më 22 mars, me koncertin që do të zhvillohet në Birmingham më datë 29 të këtij muaji.
Cabello u shpreh se të gjithë kemi një përgjegjësi për të ndihmuar rreth kësaj çështje.
Koncerti do të drejtohet nga Spice Girl Emma Bunton, së bashku me Marvin Humes dhe Ronan Kemp, ku do të marrin pjesë edhe The Manic Street Preachers dhe Tom Odell.
Të ardhurat nga koncerti do të shkojnë për apelin humanitar të Ukrainës të Komitetit të Emergjencave të Fatkeqësive, i cili ofron ushqim, ujë, strehim dhe ndihmë mjekësore për refugjatët në Ukrainë dhe vendet fqinje. /KultPlus.com
Një nga dyqanet më të mëdha në botë, Zara, do të bëjë mbylljen e më shumë se 500 dyqaneve në Rusi, ku edhe madje do të ndalë pjesën e porosisë online, përcjell KultPlus.
Industria de Diseno Textil SA tha të shtunën se po ndalon përkohësisht operacionet në 502 dyqanet e saj në Rusi. Ato përfshijnë 86 pika të markës së saj më të madhe Zara. Markat e tjera të modës të pronarit, Inditex, përfshijnë Bershka, Massimo Dutti dhe Pull & Bear.
Ai nuk specifikoi arsyet e sakta të vendimit, duke thënë vetëm se nuk mund të garantonte vazhdimësinë e operacioneve dhe kushtet e tregtimit në vend.
Rusia është një treg i rëndësishëm për prodhuesit e modës së shpejtë. Ajo përbën rreth 8.5% të fitimeve totale të grupit para interesit dhe taksave, tha kompania.
“Inditex vazhdon të ketë prioritet fuqinë e saj punëtore prej më shumë se 9,000 njerëzve, me të cilët do të zhvillojë një plan të veçantë mbështetjeje që tani e tutje”, tha kompania.
Gjiganti tjetër i modës Hennes & Mauritz AB tha në fillim të javës se po ndalonte të gjitha shitjet në Rusi. /KultPlus.com