Për herë të dytë Gjykata Themelore në Gjakovë ka marrë aktgjykim dënues për të akuzuarin Pjetër Ndrecaj.
Trupi gjykues me kryetar Gëzim Pozhegun e ka dënuar atë me 24 vjet e 6 muaj burgim.
Pjetër Ndrecaj në nëntor të 2018 ishte dënuar me 24 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes, Valbonës, dhe vajzës së tij.
Por në mars të 2019 Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë duke e dënuar atë me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij, në fshatin Brekoc të Gjakovës.
Apeli kishte vlerësuar se gjykata e shkalles së parë, nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese. Por aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe asaj të Apelit u hodhën poshtë nga Gjykata Supreme, e cila kishte kërkuar që procesi të kthehej nga fillimi.
Supremja kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, ku më pas Gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje. Në gusht të vitit 2018 34 vjeçarja Valbona Marku bashkë me vajzën e saj 9 vjeçare u qëlluan me kallashnikov nga bashkëshorti i saj Pjetër Ndrecaj./ Insjaderi/ KultPlus.com