Uranik Emini
Në mesin e shumë sukseseve dhe gjërave pozitive që “Sunny Hill” ka sjellë në Kosovë, ata janë munduar edhe të ndihmojnë sa më shumë të rinjtë në Kosovë, të cilët për shkak të mungesës së liberalizimit shpeshherë janë të kufizuar në mundësitë që ofron arena ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
Musikmakarna – Akademia e Kantautorëve të Suedisë së bashku me drejtoreshën Ulla Sjöström, përgjatë tre ditëve sa është zhvilluar festivali, kanë punuar me disa të rinj nga Kosova, duke i ndihmuar atyre që të zhvillohen profesionalisht.
Në një intervistë për KultPlus, Sjöström ka bërë të ditur se kishte biseduar me Dukagjin Lipën për të bërë diçka për talentet e rinj në Kosovë.
Sipas saj, Suedia është një nga vendet më të mira në botë sa i përket këngëve “pop”.
Shkolla që ajo drejton tani është themeluar më shumë se 20 vjet më parë dhe ka një reputacion të madh në botë, madje “Forbes” ka shkruar për madhështinë e tyre. Ata kanë arritur shumë në karrierën e tyre, duke punuar vetëm me shumë mund dhe përkushtim.
Musikmakarna synon të zhvillojë kantautorë të ardhshëm në Suedi, si dhe ndërkombëtarisht. Me një përvojë shumëvjeçare si edukator, ata sot bashkëpunojnë me botuesit më të njohur të muzikës në mbarë botën.
“Duke qenë se mundësitë për talentë këtu në Kosovë janë të pakta, ne kemi vendosur të bëjmë diçka për ta, 3 talentëve nga Kosova i kemi premtuar që do t’i dërgojmë në Los Angeles, ku ka edhe një shkollë tjetër sikurse e jonja, në të cilën unë jam anëtare e bordit”, thotë ajo.
Së bashku me kompozitorin Florent Boshnjaku, ata punuan për tre ditë me të rinj të ndryshëm, duke organizuar punëtori të ndryshme me ta.
“Punëtoritë kaluan mbi pritjet tona! Të rinjtë që kishim pjesëmarrës ishin vërtet të interesuar, punëtor, të zgjuar dhe të lehtë për t’u adoptuar. Ne u habitëm gjithashtu që të gjithë flasin aq mirë anglisht! Pjesëmarrësja më e vogël ishte vetëm 12 vjeçe dhe e menaxhonte gjuhën në mënyrë perfekte, si të tjerët. Kështu që komunikimi me grupet ishte i lehtë! Ata krijuan 2 këngë e gjysmë gjatë këtyre pak ditëve, gjë që është shumë e mirë, veçanërisht duke pasur parasysh që shumica prej tyre nuk kanë shkruar këngë të tilla më parë”, tha drejtoresha.
Sa të suksesshme kanë qenë gjatë këtyre tri ditëve ka bërë të ditur edhe Dua Lipa në një postim në “Instagram”, duke thënë se ishte shumë e emocionuar prej tyre.
“SunnyHillFoundation është bashkuar me Musikmakarna, akademinë e kantautorëve në Suedi për të krijuar një program të ri për kantautorët e rinj të talentuar në Kosovë. Unë zbrita në studio sot për të parë se çfarë kanë bërë ata dhe u mahnita plotësisht nga talenti dhe produktiviteti i seancave brenda vetëm disa ditësh nga fillimi. U ndjeva vërtet e frymëzuar dhe jam shumë e emocionuar që ne vazhdojmë të punojmë së bashku për të parë këtë program të rritet në diçka vërtet të bukur”, thuhet në postimin e saj.
E pyetur se sa është dakord me Dua Lipën në këtë drejtim, Sjöström thotë se ata i kanë marrë një pjesë të zemrës.
“Unë mund vetëm të pajtohem me Dua Lipën, ata ishin fantastikë si persona dhe si studentë të seminarit në shkrime dhe prodhime krijuese! Ata thjesht donin të mësonin më shumë dhe dukej se nuk lodheshin kurrë. Nxënësit e mi nga Suedia, producentja Vilma Sunding dhe kantautorja Elise Hedengren, patën të njëjtën përshtypje. Ata na morën një pjesë të zemrës!”.
Sunny Hill Foundation dhe Musikmakarna kujdesen për talentët e rinj nga Kosova
“Sunny Hill dëshiron të organizojë më shumë punëtori, ndoshta në tema të ndryshme, por edhe në shkrimin e këngëve krijuese, dhe të përfshijë më shumë pjesëmarrës të rinj, vitin e ardhshëm në Sunny hill Festival. Ata me të vërtetë kujdesen për talentet e rinj dhe duan t’u japin atyre mundësi për t’u zhvilluar. Me sa kuptoj, më shumë është planifikuar dhe më shumë do të vijnë”.
Kurse intensive, qëllimi kryesor = suksesi
“Përveç kësaj, ata janë duke punuar me shkollën Oak’s Institute of Arts & Innovation në Westlake, Los Angeles, për të përgatitur një kurs intensiv gjatë një muaji pranverën e ardhshme, për tre talentë nga Kosova. Kjo do të jetë një përvojë e shkëlqyer për të zgjedhurit!”
E ardhmja e ndritur
“Ne mendojmë se duhet të bëjmë më shumë për të rinjtë e Kosovës, do të donim ta bënim këtë! Dhe ne kemi ide! Pra, le të shohim se çfarë sjell e ardhmja!”, përfundon ajo. /KultPlus.com