Sonte nis ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, Çeku: Puna e RLIOF e vendosë Kosovën në rrafshin operistik ndërkombëtar

Flonja Haxhaj

Në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, sot është mbajtur konferenca hapëse e festivalit ‘Ramë Lahaj International Opera Festival, shkruan KultPlus.

Koordinatorja artistike e këtij festivali, Ulpiana Alijaj e mori fjalën e para ku u shpreh e lumtur për hapjen e edicionit të dytë të RLIOF duke e cilësuar si një ndër festivalet më të shëndetshme dhe më të rëndësishme për ta vënë jo vetëm Kosovën por edhe artin operistik në një piedestal evropian por edhe më gjerë.

“Në festivalin tonë këtë edicion do të paraqesim një gamë shumë të gjerë të repertorit operistik, por nisur ky edhe nga thelbi dhe muzika shqipe dhe të cilës i kemi dhënë një vend shumë të rëndësishëm dhe që jo më kot e nisim sot festivalin tonë me ‘Ensamble evening’ dhe me një lëvrim të mirë të muzikës folklorike shqiptare e sjellë kjo në një mënyrë shumë të rafinuar nga “Don’t listen to your neighbours” për të vijuar pas me një mbrëmje speciale në kuadër të ‘Opera night’ ku do të kemi dy kolegë nga Italia, sopranoja Erika Grimaldi dhe tenori Leonardo Caimi shoqëruar nga pianisti kosovar Mennan Berveniku i cili vjen enkas për këtë event”, tha Alijaj duke dhënë detaje për programin operistik të këtij festivali.

Po ashtu me datën 26, do të ketë mbrëmje të dedikuar enkas për repertorin e këngëtares Nexhmije Pagarusha.

“Në këtë mbrëmje do të celebrojmë edhe një kompozitor shumë të rëndësishëm shqiptar siç është Çesk Zadeja në 95-vjetorin e lindjes së tij dhe në këtë kuadër do të kemi edhe vepra që do të jenë premierë për skenën kosovare edhe për skenën shqiptare, pasi kemi sjellë vepra të cilat janë premierë në skenën e festivalit  tonë”, tha Alijaj e cila tutje tregoi se më datë 28 do të jetw një mbrëmje shumë interesante, konkludimi i një pune intensive, i cili përmbyllet me koncertin e ‘New Generation’ dhe ofrohet nga e gjithë puna që do të zhvillohet gjatë këtyre ditëve nga mjeshtri i zërit, Jean Bernard Thomas shoqëruar në piano nga Fjorda Veizaj dhe për të arritur kulmin e festivalit në datën 31 në sheshin ‘Skënderbeu’ ku përkrah tenorit Lahaj dhe miqve të tjerë do të performojw për herë të parë në trojet shqiptare një soprano e nivelit ndërkombëtar siç është Angela Gheorghiu.

Më pas fjalën e mori vetë themeluesi i festivalit, Ramë Lahaj i cili falënderoi të gjithë ata që e bënë të mundur realizimin e ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ e që këtë vit shënon edicionin e dytë.

“Ajo që më bën të vazhdoj dhe ta përballoj tërë këtë stres është që në shoqërinë tonë të fillojë një lloj tradite ose një festival i natyrës së tillë, që jo vetëm që se ka pasë Kosova por as rajoni. Ajo që më shtyn për me jep tërë këtë energji është dëshira për ta realizuar një festival i cili do të kthehet në traditë dhe do të jetë pjesë e pandashme sepse jam i sigurt që i duhet edhe institucioneve të Kosovës, sidomos nëse flasim për operan, meqë jemi në planifikim të ndërtimit të Institucionit të Operas”, u shpreh Lahaj i cili shtoi se me këtë festival ka dashur të paraprijë, të ndihmojë dhe t’i dalë në ndihmë të gjithë talentëve rinj, që e kanë talentin, por mundësinë të dalin jashtë, të punojnë me trajnerë e kanë pothuajse të pamundur, përcjell KultPlus.

Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrualla Çeku i cili u shpreh shumë i nderuar për prezencën e tij në këtë panel.

Ministri Çeku deklaroi se Kosova që nga viti i kaluar ka bërë hapa konkretë në themelimin e Institucionit të Operas së Kosovës dhe nga ky vit ka proceduar me funksionalizim të këshillit, me staf, me program vjetor dhe zhvillim të kapaciteteve infrastrukturore.

“Puna e komunitetit artistik që përfshin edhe kontributin e Ramë Lahaj dhe kolegët e tij vendorë e ndërkombëtar në festival ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, që është unik në Kosovë e rajon po e vendosë Kosovën në rrafshin operistik ndërkombëtar gjë të cilën Ministria e Kulturës e vlerëson shumë në veçanti në aspektin e diplomacisë kulturore”, u shpreh Çeku, e i cili thotë poashtu se Ministria e Kulturës e vlerëson faktin që Ramë Lahaj si artist i skenës botërore operistike kthehet në Kosovë dhe kontribuon përmes festivalit dhe fondacionit ‘Rame Lahaj’.

Në panelin e konferencës hapëse të festivalit ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ foli edhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama.

“Ky festival operistik ofron kontribut të rëndësishëm e të drejtpërdrejtë  në pasurimin e jetës kulturore të kryeqytetit duke bërë Prishtinën një platformë të rëndësishme të artit operistik meqë festivali ‘RLIOF’ është i vetmi në Kosovë dhe rajon me strukturë të tillë ku përveç programit të pasur dhe artistëve kulminantë, punohet edhe me talentët e rinj për të ndihmuar institucionet kulturore të Kosovës”, tha Rama.

Përparim Rama u shpreh po ashtu se me këtë festival dhe me ngjarjen kulminante më 31 korrik në sheshin kryesor të Prishtinës, jo vetëm që publikut u ofrohet një program me cilësi të lartë artistik të këtij zhanri, por ardhja e artistëve të shquar e promovon Prishtinën në arenën ndërkombëtare, në aspektin më të rëndësishëm, atë të artit dhe të kulturës. 

E për fund, fjalën e mori mjeshtri i zërit, Jean Bernard Thomas, i cili njëherit është edhe trajnuesi i Ramë Lahaj dhe që në këtë festival ka ardhur të ushtrojë edhe shumë talentë të rinj kosovarë.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu për të marrë pjesë në festivalin e Ramë Lahaj, të cilin e kam njohur pak vite më parë dhe siç e dini unë jam trajnuesi tij, ne punojmë sëbashku ai është tenor edhe unë jam po ashtu tenor. Unë jetoj shumë larg nga këtu dhe po i thosha Ramës dy ditë para se të vija këtu që njerëzit më flisnin keq për Kosovën dhe jam shumë i surprizuar të shoh si janë evropianët këtu dhe se sa zëra të mirë ka këtu”, tha Jean Bernard Thomas, i cili pas përfundimit të konferencës filloi punëtorinë e tij.

Ramë Lahaj International Opera Festival, i vetmi festival i llojit të tij në rajon, prezanton edicionin e tij të dytë i cili do të zhvillohet në datat 21.07-31.07.2022. Synimi i festivalit është të ndërtojë një urë mes skenës kosovare dhe asaj ndërkombëtare, të nxitë dhe të ofrojë një mjedis ku artistë të rinj premtues zhvillohen dhe ekspozohen, duke hedhur kështu themelet e një tradite të artit të operas./ KultPlus.com