Biljana Miranoviq, redaktore në Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore, në Podgoricë, ka dhënë një intervistë për “Prosvjetni rad”, lidhur me romanin e Ag Apollonit, “Ulurima e Ujkut”, të cilin e kanë përfshirë brenda kolanës së autorëve të famshëm botërorë, si: Umberto Eco, Ewa Lipska, Adam Zagajeaski etj.
Së fundi, në botimin e Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore – Podgoricë, brenda bibliotekës “Mostovi”, u botua romani “Ulurima e Ujkut”, i një autori shumë të çmuar kosovar – Ag Apolloni. Me këtë rast bëmë bisedë me redaktoren e këtij botimi, Bilana Miranoviq.
Si erdhi deri te bashkëpunimi me Ag Apollonin?
Ag Apolloni është një shkrimtar bashkëkohor kosovar, i cili ia arriti ta kapë atmosferën e kohës në të cilën jeton, ta shpjegojë prej së afërti dhe të shtrojë pyetje të rëndësishme për dekadat gjatë të cilave ai vepron. Krijimtaria e tij letrare është e njohur në rajon, po ashtu edhe në Evropë, dëshmi janë përkthimet e veprave të tij në anglisht, italisht, çekisht, maqedonisht dhe serbisht. Romani “Ulurima e ujkut” është botuar në vitin 2013, në Prishtinë, kurse në gjuhën malazeze është përkthyer në vitin 2022. Me opusin letrar të Apollonit jemi njoftuar më thellësisht gjatë Panairit të librit në Tuz, në vitin 2021, kurse bashkëpunimi ynë është konfirmuar në edicionin e 24 të Panairit te Librit në Tiranë, po në të njëjtin vit. Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore – Podgoricë, si promovoues i librave, në panairet e librave në Tuz dhe Tiranë, vizitorëve u prezanton tekste të pasura shkollore dhe jashtëshkollore, në gjuhën shqipe, e cila ështe një segment shumë domethënës i shtëpisë sonë botuese.
Na tregoni diçka për romanin, çfarë tematike ka në fokus, dhe çfarë e rekomandoi për përkthim dhe botim në Ent?
“Ulurima e ujkut” është një roman ekzistencial, në të cilin narratori, tridhjetëvjeçar, përmes një udhëtimi simbolik përgjatë Ferrit të Dantes, haptas flet për kohën dhe mjedisin në të cilin jeton. Shpreh revoltë kundër gjithçkaje shqiptare: historisë shqiptare, letërsisë, politikës, institucioneve, dhe mentalitetit shqiptar. Është kritik ndaj tërë botës, sidomos ndaj rajonit të Ballkanit. Shtjellon tema të llojllojshme prej disa perspektivave. Aludon për paaftësinë politike në Kosovën dhe Ballkanin e sotëm, aludon për problemet e sistemit arsimor dhe sistemit të shëndetësisë, për ekstremizmin fetar që vjen duke u rritur, dhe aludon për varfërinë. Romani flet për vuajtjet e njerëzve gjatë luftës, për të vdekurit, për të humburit, për fatin e tmerrshëm të njerëzve të cilët krimet e përjetuara nuk mundën t’i ballafaqojnë, e as të jetojnë me to, por përfunduan në spitale, apo bënë vetëvrasje për shkak të tyre.
Njëkohësisht dhe shumë haptas, në stil të Bukowskit, përshkruan marrëdhëniet e dashurisë dhe marrëdhëniet seksuale në nivele të ndryshme të kotësisë së tyre. Vepra është e mbushur me melankoli, me zemërim të përcjellë me ironi. Në aspektin e zhanrit, teksti përmban segmente të brikolazhit, përmes poezisë, intervistave skenike e përfundon deri te drama.
Në roman shpesh hasim në aludime dhe citate, në një numër të madh të referencave në vepra të tjera letrare, në pop-muzikë, film, teatër dhe pikturë. Autori është në gjendje të përziejë kalimtaren me atë të pavdekshmen, dhe jo rastësisht “Ulurima e ujkut” ka trembëdhjetë kapituj. Ngjarjet janë të bazuara në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Itali, dhe në Vjenë, aty ku përfundon romani. Romani është i shkruar në mënyrë të thjeshtë, të kuptueshme, merret me tematika të cilat i njohim mirë të gjithë. Duke i përdorur veçantitë lokale, autori vë gisht në probleme universale. Pra, krejt të lartpërmendurat e rekomanduan këtë roman për përkthim dhe botim në Ent.
Si do ta karakterizoni gjuhën dhe stilin në të cilin është shkruar romani? Si është dukur transpozimi i kësaj vepre në një gjuhë tjetër nga këndi i përkthyesit?
Regjistri stilistik në romanin “Ulurima e ujkut” është i gjerë, rrjedh prej dialekteve më të rënda e deri në fjalorin e një profesori të universitetit. Romanin në gjuhën malazeze e përktheu Danilo Brajoviq. Transpozimi i një regjistri kaq të gjerë stilistik është gjithsesi kërkues dhe sfidues, por në këtë rast, sipas mendimeve të shumë personave, Danilo Brajoviq, ia doli me sukses.
Që të kemi një njohuri më të madhe për punën e përkthyesit e gjithashtu për sfidën që ia paraqiti ky roman, do të doja ta citoja vetë Danil Brajoviqin: “Romani ‘Ulurima e Ujkut’ është një mozaik esesh, këngësh, tekstesh, tregimesh, ditarësh, dialogësh, me një gjuhë të stuhishme, të dhunshme, emocionale, e cila ngrin dhe ngroh njëkohësisht, gjuhë krenare, gjuhë e trazuar, e cila lë përshtypje të fortë të spontanitetit dhe sinqeritetit. Është një prozë e cila mbështetet dhe ndërtohet në themelet e poezisë dhe dramës. Është një lirikë me elemente të pasura të mitologjisë, filozofisë, muzikales, dhe shpirtërores. Jehona e egërsisë brenda nesh shfaqet në konfrontimet alegorike brenda kësaj vepre. Gërshetimi i të gjitha këtyre elementeve është padyshim i ndërlikuar, por efekti është mbresëlënës. Autori është në gjendje të përziejë kalimtaren me të pavdekshmen, me këtë gjë tregon sasinë e dijes dhe lehtësinë të cilën mund t’ia mundësojnë vetes vetëm ata shkrimtarë me aftësi të mëdha, që janë profesionistë në këto lloje të proceseve letrare. Është karakteristik numri i madh i citateve që nuk e kanë për funksion të tregojnë horizontet e autorit, apo që ta bëjnë lexuesin që të ndihet inferior në çdo faqe të librit që shpalos një kontekst të pasur, sepse Ag Apolloni nuk bën dallime mes citateve të Gëtes dhe teksteve të këngëve të Justin Timberlake. Duke i pasur të gjitha këto parasysh, vetë procesi i përkthimit ka qenë kërkues dhe sfidues, si nga aspekti leksik, ashtu edhe nga aspekti i sintaksës, por edhe nga aspekti që të njihet dhe të përçohet çdo emocion, notë, erë, ritëm, ngjyrë etj., të cilat ishin prezente me bollëk. Vetë përkthimi paraqet transformimin e një vepre letrare në një gjuhë tjetër, por duke mos e ndryshuar përmbajtjen e saj, në aspekt artistik, figurativ, diskurs poetik, që të mund të përçohen eksperiencat e njëjta, emocionet e njëjta si në origjinal (as më pak, e as më shumë). Dhe, për fund, procesi i këtij përkthimi është shoqëruar me ndjenja të përgjegjësisë profesionale dhe një vemendje të posaçme, por përveç këtyre ndjenjave, edhe me ndjenjën e kënaqësisë që lexuesve të Malit të Zi do të mund t’ua përçoj në gjuhën malazeze, çdo gjë që e bën këtë libër kaq të jashtëzakonshëm.”
Pse mendoni që ky roman do të mund t’u interesonte shumë lexuesve në Mal të Zi?
“Ulurima e ujkut” është një roman bashkëkohor, i shkruar në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme. Haptas flet për mentalitetin e Ballkanit, dhe për problemet të cilat i kemi të përbashkëta të gjithë, e jo vetëm në Ballkan. Autori ia ka arritur që me specifika lokale të tregojë problemet universale, të cilat janë motivi themelor i këtij romani. Narratori i romanit është një ballkanik kontinental, pa sharm mesdhetar, i shkolluar, i suksesshëm, mizogjen, i dhunshëm, konsumon drogë me kontroll, kurse alkoolizohet pa kontroll. Është një tridhjetëvjeçar. E ka një katalog të mbushur me femra të bukura, shumicën e rasteve femra të huaja, arsye kjo pse s’mund të jetë me femrën që don; beson në dashurinë e vetëm një gruaje – në dashurinë e nënës. Ulërin si ujk gati në çdo anë të këtij romani. Janë ulërima të tmerrshme të pashpresës, dhimbjes, zemërimit, por edhe ulurima të epshit. Mes të tjerave, më lehtë është t’i shohësh dobësitë e tjetrit, se ato të tuat.
Libri është i botuar brenda bibliotekës “Mostovi” (“Urat”). Mbi cilat ide është themeluar ajo?
“Ulurima e ujkut” është libri i tetë në produksionin e bibliotekës “Mostovi”. Siç thotë vetë emri, edhe sipas fjalëve të Nagja Durkoviqit, këshilltares për botim në Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore – Podgoricë, kjo bibliotekë përpiqet për të lidhur vizionet e ndryshme të botës së krijimtarisë dhe njeriut brenda saj, format e letërsisë, stilet letrare, gjuhën, si dhe reagimin e lexuesve, gatishmërinë e tyre që të lexojnë krijimtaritë më të vlefshme letrare. Brenda këtij edicioni, do të botojmë veprat e famshme të autorëve letrarë botërorë, të shkruar për fëmijë, të rinj dhe të rritur, mes ndërmjetësimit të përkthyesve më të mirë nga Mali i Zi, si dhe nga rajoni. Duam që kjo bibliotekë të inkurajojë përkthimin e veprave letrare në Mal të Zi, dhe në këtë mënyrë të kontribuojmë në atë segment që i mungon më së shumti kulturës sonë.
(Shkrimi u botua në revistën pedagogjike malazeze, “Prosvjetni rad”, nr. 63, f. 20)
Përktheu nga gjuha malazeze: Donika Berishaj. / KultPlus.com