Financial Times: Po rritet numri i grave në krye të kompanive në botë

Edhe pse ende në pakicë, gratë janë gjithnjë e më të shumta në krye të kompanive në të gjithë botën, sipas një studimi të publikuar nga organizata e liderëve të rinj YPO, ”Financial Times” dhe ”UN Women”, transmeton KultPlus.

Nga më shumë se 2 000 përgjigje të ardhura nga 106 vende marrë nga rreth 30 000 anëtarë të YPO në mars, një e katërta e të cilave ishin gra, shumica (57%) mendojnë se organizata e tyre është më larmishme në nivelin gjinor sesa pesë vjet më parë.

Sidoqoftë, përparimi është materializuar ngadalë.

Sipas një studimi tjetër të fundit të kryer nga instituti ”Heidrick & Struggles”, cituar nga YPO, vetëm 5% e menaxherëve të përgjithshëm në botë janë aktualisht gra.

“Unë shoh një vetëdije të fortë nga të gjithë”, theksoi Xavier Mufraggi, drejtues i YPO-s, transmeton tutje KultPlus.

”Ekziston gjithashtu, sipas tij, një vetëdije për stilin e menaxhimit që sjellin anëtaret tona femra me një qasje më globaliste të lidershipit, që është më në përputhje me brezat e rinj”, shton ai.

”Pothuajse një në dy drejtuese femra theksojnë se u është dashur të paktën dy vite për të kapërcyer paragjykimet dhe duhet mesatarisht dy vite më shumë për femrat sesa për burrat të ngjiten në majën e piramidës sipërmarrëse”, sipas studimit.

”Metoda më fleksibile të punës, me miratimin masiv të telepunës, ka të ngjarë të luajë në favor rritjes së barazisë gjinore me daljen nga kriza shëndetësore”, sipas tij. / KultPlus.com

Sonte ndriçohet me ngjyrë portokalli Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”

Në kuadër të fillimit të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, UN Women do të organizojë një ceremoni ku do të ndriçohet Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” me ngjyrë portokalli, shkruan KultPlus.com

Përndryshe, çdo vit në vende të ndryshme zgjidhen ndërtesa ikonike të vendeve përkatëse dhe ndriçohen me ngjyrë portokalli.

Këtu keni njoftimin e plotë të UN Women:

“Shënimi i Fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” Ceremonia e Ndriçimit të Bibliotekës Kombëtare Publike UN Women ka kënaqësi t’ju ftojë në hapjen e Fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” e cila do të shoqërohet me ndriçimin e Bibliotekës Kombëtare Publike “Pjeter Bogdani” në Prishtinë në ngjyrën portokalli.

16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore është një fushatë ndërkombëtare vjetore që fillon më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe zgjat deri më 10 Dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Çdo vit ndërtesat ikonike në të gjithë botën ndriçohen në ngjyrë portokalli për të ngritur vëmendjen globale ndaj kërcënimit të dhunës ndaj grave dhe vajzave. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë zyrtarë të profilit të lartë nga institucione dhe organizata vendore dhe ndërkombëtare.

Kurse, të pranishmëve do t’i drejtohet Alia El-Yassir, Drejtoreshë Rajonale e UN Women për Evropë dhe Azi Qendrore, si dhe Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillimin nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Data: 25 nëntor 2019 (e hënë) Koha: 19:00 Vendi: Biblioteka Publike Kombëtare “Pjetër Bogdani”.

Edhe tri ditë kohë deri në mbyllje të konkursit të poezisë “Dita e Paqes”

Në vitin 1981 Kombet e Bashkuara shpallën 21 shtatorin si “Dita e Paqes,” datë e përbashkët për angazhim global mbi ndërtimin e një kulture të paqes.

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Paqes, KultPlus, mbështetur nga UN Women ka shpall të hapur konkursin “Poezi për Paqe” ku çdo ditë vijnë poezi nga më të ndryshmet. Tashmë kanë mbetur vetëm edhe tri ditë kohë për të gjithë ato që mendojë të bëhen pjesë e garës.

Konkursi është i hapur për të gjitha poetet gra dhe vajza të të gjitha moshave, dhe komuniteteve në Kosovë. Aplikimi për këtë konkurs bëhet përmes dërgimit të një poezie autoriale në adresën [email protected], me subjektin “Konkurs: Poezi për Paqe.” Aplikimet do të vlerësohen nga një juri profesionale, ku do të zgjedhen 20 poezitë më të mira.

Autoret e këtyre 20 poezive do të ftohen në një punëtori të shkrimit të poezisë dhe shkrimit kreativ, ku do të pajisen me njohuri shtesë për shkrim kreativ. Nga pjesëmarrëset e punëtorisë pritet shkrimi i një poezie mbi paqen. Juria profesionale do të zgjedhë 10 poezitë më të mira të cilat do të lexohen në një ngjarje të veçantë dhe do të publikohen në KultPlus.

Tre poezitë më të mira shpërblehen nga organizatorët. Thirrja do të jetë e hapur deri më 12 tetor 2019. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Youth for Kosovo” mbështetur nga UN Peacebuilding Fund, dhe zbatuar nga UN Women, UNDP-UNV dhe UNICEF. /KultPlus.com

Pesë figura të njohura kosovare, kërkojnë parandalimin e dhunës ndaj grave (VIDEO)

Un Women ka lansuar një video me pesë figura të njohura publike të cilat transmetojnë një mesazh të fuqishëm për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, shkruan KultPlus.

Në këtë video marrin pjesë alpinistja Uta Ibrahimi, gazetari Blerim Vuniqi, Kapitenja Tahire Haxholli, gazetari Adriatik Kelmendi dhe aktorja Adriana Matoshit. Ata përmes paraqitjes së tyre u bëjnë thirrje të gjithë njerëzve të mos heshtin dhe të reagojnë kundër dhunës.

Kjo video është pjesë e fushatës së 16 Ditëve të Aktivizimit Kundër Dhunës ndaj Gruas. Kjo fushatë e organizuar nga Un Women ka filluar aktivitetet e saj që nga 25 Nëntori ndërsa do të vazhdoi deri më 10 Dhjetor të këtij viti./ KultPlus.com

Dhuna ndaj gruas shfaqja e radhës e Trupës së Baletit të Kosovës

Në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas, Baleti Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me UN Women do të sjellë premierën e shfaqjes “Një ditë”, nën koreografinë e koreografes Christie Coleman.

Kjo shfaqje paraqet ngjarjet e përditshmërisë kosovare në raport me trajtimin ndaj gruas. Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës ka thënë për KultPlus, se projekti është ofruar nga UN Women.

“Edhe pse kemi dhënë gjashtë premiera për këtë vit, e kemi pranuar këtë projekt për shkak se kemi dashur edhe ne të japim kontributin tonë kur bëhet fjalë për dhunën në familje”, tha Brahimaj.

Premiera do të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 25 nëntor ndërsa në këtë shfaqje do të luajnë gjithsej tetë balerinë, në përbërje të katër çifteve.

Pas prezantimit se kësaj shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ajo do të vazhdoj të shfaqet edhe në pesë qytete të tjera të Kosovës duke përfshirë Pejën, Gjakovën dhe Gjilanin./ KultPlus.com

Disenjatorja shqiptare, anëtare e komitetit të edicionit të 30-të të UN Women në New York

Më 18 tetor do të mbahet mbrëmja gala e edicionit të 30-të të UN Women në New York, shkruan KultPlus.

Në këtë ceremoni që do të mbahet në New York ku do të marrin pjesë gra të fuqishme, anëtare e komitetit është edhe disenjatorja shqiptare Sara Shala.
Vetë Sara Shala ka njoftuar për KultPlus se është pjesë e kësaj ceremonie që është e rëndësishme për të gjitha gratë në gjithë botën.

Sara Shala është disenjatore e aksesorëve, e cila nëpërmjet punës së saj ka realizuar edhe ekspozim të punës së saj, duke përfshirë edhe sfilata të rëndësihme në New York, ku modelet kanë pasë vathë, varëse e unaza të brendit të Sara Shalës./KultPlus.com