Ja, ra mbrëmja. Ti s’je më. Ku ke shkuar? Unë s’e di. Ne u prishëm për hiçgjë, edhe gjatë do mbajmë mëri.
Do harrohen telefonat, nëpër pellgje sytë do na thahen. Si prelud do bjerë nga qielli, një dëborë… kristal i bardhë.
Dhe kështu, gjersa një ditë, të na thotë jeta ne: Harro! Do të mbesim anonimë, do të jemi ne përemra, Unë “Ai” dhe ti “Ajo”.
Mbi ne ra ndarja si një dëborë, mbuloi gjithçka: puthjet dhe fjalët. Dhe vitet shkuan dalngadalë, ujrat u ndotët, lumejtë u thanë.
Por, qaramanë, jo, s’do të bëhemi, se na u thye ëndrra ty dhe mua. Ndonjë ditë nëpër botë, sytë tanë kur të takohen, s’do të ketë urrejtje brenda./KultPlus.com
Ndonëse autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi, Ali Podrimja ka pikasur me disa prej tyre në mënyrë më të theksuar, shkruan KultPlus.
Madje vargjet e poezisë “Unë, biri yt, Kosovë” të poetit po vazhdojnë
të frymëzojnë brezat e rinj në Kosovë. Këto vargje të fuqishme janë bërë një
lloj himni që shpalos një krenari e shfaq dashuri deri në vdekje për vendin.
Padyshim që krenarë për këto vargje janë edhe familjarët e Podrimës.
Vajza e Ali Podrimës, Donika Podrimja ka treguar për
KultPlus së është krenari që vargjet e babait vazhdojnë të frymëzojnë brezat e
rinj të pasluftës për një Kosovë bashkëkohore që frymon shpresë.
“Është krenari kur vargjet e babait, që na kanë mbajtur të
palëkundur në kohërat më të rënda për shqiptarët, vazhdojnë të frymëzojnë
brezat e rinj të pasluftës për një Kosovë bashkëkohore që frymon shpresë.
Vargjet e Ali Podrimës për ne si familje janë muzikë e spektakleve madhështore
të djemve të Kosovës.
Më poshtë po ju sjellim poezinë “Unë, biri yt, Kosovë”
“Unë, biri yt, Kosovë’’
Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji, dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta e të shpërthej do si vullkan: – më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë. Unë biri yt. / KultPlus.com