Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës zyrtare disa ditore që po zhvillon në komunat e banuara nga arbëreshët në Kalabri u prit nga Ipeshkvi i Eparkisë së Ungrës, Hirësia e Tij Donato Oliverio në Katedralen e Civita.
Meta u shpreh se, pati gjithashtu kënaqësinë e veçantë të merrte pjesë në meshën e shenjtë të Javës së Madhe të Pashkës.
“Mirënjohje të thellë për veprimtarinë e çmuar të Hirësi Oliverio në mbështetje të bashkësisë Arbëreshe në Itali, në veçanti për përpjekjet e Tij të pareshtura në ruajtjen dhe përcjelljen e riteve fetare dhe të traditave kishtare në gjuhën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, theksoi Meta.
“Të dyfishojmë përpjekjet tona që trashëgimia kulturore Arbëreshe, “Moti i Madh”, të jetë pjesë e UNESCO-s, sepse është një pasuri unike jo vetëm për Shqipërinë dhe Italinë, por edhe për Europën dhe botën”, nënvizoi Meta./atsh/ KultPlus.com
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Trashëgiminë Kulturore (UNESCO) thotë se të paktën 53 vende historike, ndërtesa fetare dhe muze të Ukrainës janë dëmtuar ose shkatërruar pjesërisht që nga fillimi i luftës.
UNESCO thekson se lista nuk është përfundimtare dhe ekspertët vazhdojnë të kontrollojnë raportet për dëme të tjera.
Dëmet në 29 objekte fetare, 16 objekte historike, katër muze dhe katër monumente u verifikuan nga imazhet satelitore dhe raportet e dëshmitarëve.
Më shumë dhjetëra lokacione ndodhen në Kharkiv, një nga zonat më të prekura nga granatimet në Ukrainë.
Lista nuk përfshin asnjë informacion për vendeve apo ndërtesat në qytetin e rrethuar të Mariupolit./ KultPlus.com
Në kuadër të Ditës Botërore të Poezisë, dje në KultPlus Caffe Gallery u mbajt ora letrare e organizuar nga PEN Qendra e Kosovës dhe KultPlus, me ç’rast krijimet e veta artistike i lexuan: Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Ibrahim Kadriu, Lulzim Tafa, Dije Demiri Frangu, Lindita Tahiri, Naime Beqiraj, Nerimane Kamberi dhe Mustafa Balje, shkruan KultPlus.
Dashuria për poezinë, pasioni për krijimet artistike të poetëve të huaj dhe shqiptar, rrezatimi në sy që pasonte nga secili i pranishëm për këtë ditë të rëndësishme, veçse ishin tri shtyllat kryesore që përmblodhën ditën e djeshme nën strofullën e ngrohtë të ambientit.
Kjo ditë e cila është shpallur nga UNSECO si dita botërore e poezisë që nga viti 1999, synon që të nderojë poetët, leximin, shkrimin e po ashtu edhe ndërlidhjen e saj me artet e tjera. Ndonëse poezia është e pakrahasueshme në artin e saj e po ashtu e konsideruar edhe si “mbretëresha e arteve”, lidhja e poezisë me artet e tjera vlerësohet si lidhje e veçantë, qofshin lidhjet ato që i shpalosin ndjenjat e përbashkëta mes njerëzve apo edhe ato të kundërtat.
Dje, shprehja lirike ishte ajo që mbizotëroi në tryezën e KultPlus Caffe Gallery, më së miri edhe nga vetë të pranishmit që ishin të ulur në formën e një rrethi dhe krijuan një bashkëbisedim por edhe interpretuan pozitë e tyre si dhe të autorëve të mirënjohur shqiptar.
Ishte profesori dhe shkrimtari Sali Bashota ai i cili e nisi këtë ngjarje me një rast fjale.
“Mirë se erdhët në këtë aktivitet të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës së bashku me KultPlus në kuadër të Ditës Botërore të Poezisë. Është një ditë e veçantë në radhë të parë për poetët pastaj për adhuruesit e poezisë. Jemi mbledhur këtu sot bashkë për të nderuar e kujtuar poetë të njohur të letërsisë botërore dhe të letërsisë shqipe të cilët kanë treguar se poezia është mbretëresha e arteve”, thotë Bashota.
Sipas tij, një krijim poetik i cili buron nga shpirti dhe adresohet te lexuesi, për të cilën Jorge Luis Borges ka thënë se nuk mund të shpjegohet kurrë, por vetëm të përjetohet dhe ndjehet shpirtërisht.
Fillimisht ishte shkrimtari Ibrahim Kadriu ai që nisi i pari të lexonte njërën nga poezitë e tij.
“Kjo koha e këtij gripi na ka kapluar të gjithëve dhe njëkohësisht na ka ofruar dhe ide. Kështu që e kam një poezi të shkruar para dy vjetëve, pikërisht në atë kohë që ndodhi pandemia”, thotë Kadriu, i cili më pas e interpreton poezinë e tij.
Pastaj poetja Djie Demiri-Frangu, interpretoi disa poezi nga libri i saj i titulluar “Qumështi i poezisë”.
Ndërkaq, Lulzim Tafa duke mos dashur që të shpjegojë asgjë, vetëm lexoi poezinë “Andrra”.
Më pastaj ishte poetja Naime Beqiraj e cila fillimisht lexoi njërën nga poezitë e saj më të fundit, “Poetët desin n’kambë”. Gjithashtu, ajo e përkujtoi poetin e saj më të dashur, Azem Shkreli, e nga krijimet e të cilit, interpretoi poezinë “Lirikë me shi”.
“Mos harresa”, dhe “Asnjeri”, ishin dy poezitë e radhës që u interpretuan nga vetë shkrimtari Ibrahim Berisha, e të cilat u pëlqyen mjaft shumë nga të pranishmit.
Tutje, profesoresha Lindita Tahiri interpretoi dy nga poezitë e saj.
“Unë do ta lexoj një poezi para dyzet viteve kur fillova të shkruaj për respekt ndaj Azem Shkrelit”, thotë ajo para se të vazhdonte me interpretimin e saj.
Ndërsa, Mustafa Balje po ashtu lexoi një nga poezitë e tij. Kurse poetja Nerimane Kamberi, ishte ajo që kishte zgjedhur më shumë poezi për të interpretuar e kjo vjen si pasojë e tri rasteve të cilat i tregon ajo vetë.
“Unë do të lexoj sot më shumë sepse do të lexoj për tri raste. E para është një poezi që kujton poetë të tjerë, poezia e dytë është e kushtuar ndaj grave por në veçanti motrës time e cila e ka ditëlindjen sot dhe për mua është shumë me rëndësi. E treta i kushtohet Sazana Çapriqit, sepse sot bëhet një vit që kur ajo është varrosur”, thotë Kamberi.
“Ftesë për të marrë udhë”, “Hanëmet nuk qajnë” dhe “Banja e grave”, titulloheshin poezitë të cilat erdhën nën interpretimin e poetes Kamberi.
Ndërsa, krejt në fund poeti dhe shkrimtari Sali Bashota me shumë emocion, interpretoi tri nga poezitë e tij, e që ishte “Mësohu me vdek si Ali Podrimja”, ajo që la më së shumti mbresa.
Të pranishmit, të emocionuar nga këto poezi, vazhduan bisedat rreth poezisë nën shoqërimin e melodive shqipe brenda hapësirës së KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti uroi sot Ditën Botërore të Poezisë me një fotografi të rrallë të poetëve të njohur shqiptarë.
“Me këtë fotografi të rrallë, që bën bashkë majat poezisë shqipe: Poradeci, Koliqi, Fishta e Asdreni, ju uroj: Gëzuar Ditën Botërore të Poezisë”, tha Margariti.
Që nga viti 1999, 21 marsi përkujtohet si Dita Botërore e Poezisë, hyjneshës së fjalës. Qëllimi kryesor i Ditës Ndërkombëtare të Poezisë ishte të vinte në pah rëndësinë e madhe që letërsia luan në jetën kulturore.
E praktikuar gjatë historisë – në çdo kulturë dhe në çdo kontinent – poezia flet për njerëzimin tonë të përbashkët dhe vlerat tona të përbashkëta, duke e shndërruar poezinë më të thjeshtë në një katalizator të fuqishëm për dialogun dhe paqen.
UNESCO miratoi për herë të parë 21 Marsin si Ditën Botërore të Poezisë gjatë Konferencës së saj të Përgjithshme të 30-të në Paris në vitin 1999, me synimin për të mbështetur diversitetin gjuhësor përmes shprehjes poetike dhe për të rritur mundësinë që gjuhët e rrezikuara të dëgjohen.
Dita Botërore e Poezisë është rasti për të nderuar poetët, për të promovuar leximin, shkrimin dhe mësimin e poezisë, për të nxitur konvergjencën midis poezisë dhe arteve të tjera si teatri, vallëzimi, muzika dhe piktura. Ndërsa poezia vazhdon të bashkojë njerëzit nëpër kontinente, të gjithë janë të ftuar të bashkohen.
“E renditur me fjalë, e ngjyrosur me imazhe, e goditur me metër të duhur, fuqia e poezisë nuk ka asnjë ndeshje. Si një formë intime e të shprehurit që u hap dyert të tjerëve, poezia pasuron dialogun që katalizon gjithë përparimin njerëzor dhe është më i nevojshëm se ndonjëherë në kohë të turbullta”, ka thënë Audrey Azoulay, drejtoreshë e Përgjithshme e UNESCO-s, me rastin e Ditës Botërore të Poezisë 2022.
Para caktimit të 21 marsit, si dita botërore e poezisë, ishte 15 tetori që kremtohej në të gjithë botën me aktivitete të larmishme letrare, pasi përkonte me datëlindjen e poetit epik romak, Virgjil. Në disa vende kjo traditë e të festuarit në muajin tetor vazhdon të ruhet ende. / KultPlus.com
Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO dita botërore e poezisë. Vendimi i marrë në kongresin e 30-të të kësaj agjencie, zhvilluar në Paris, ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike.
Në të njëjtën kohë, caktimi i një dite ndërkombëtare për poezinë bëhet edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë, traditën gojore.
Ndërsa në kohët antike, në Greqinë e lashta poemat e Homerit mësoheshin përmendësh nga aedët dhe recitoheshin kryesisht në ambiente publike tashmë duket se poezisë i ka humbur ky tipar i vet kryesor. / KultPlus.com
Nën patronazhin e UNESCO-s dhe Byrosë Rajonale për Shkencë dhe Kulturë në Evropë, sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, 21 Shkurti, shkruan KultPlus.
Mbrojtja e gjuhëve në botë, lufta kundër zhdukjes së tyre dhe ruajtja e identitetit të kombeve nëpërmjet gjuhës, janë qëllimet kyçe të manifestimeve që sot do të organizohen në suaza botërore.
Analizat e UNESKO-s tregojnë se mund të zhduken rreth 2.500 gjuhë nga pothuajse 6.000 që fliten në botë. Në 90 vitet e kaluara janë zhdukur rreth 200 gjuhë, ndërsa 199 i flasin më pak se dhjetë njerëz. E fundit që është zhdukur është gjuha “ajake”, të cilën e folur një grua e cila ka vdekur në vitin 2008 në Aljaskë.
Arsyet kryesore për zhdukjen e gjuhëve janë luftërat dhe dëbimi i detyrueshme. Emigrantët gjithashtu e përziejnë gjuhën amtare me gjuhën e shtetit në të cilin jetojnë që të integrohen më mirë. Megjithatë, ka shembuj, më së shumti në Australi, ku gjuhët të cilat janë “nën kërcënim” i flasin të rinjtë, tha një përfaqësues i UNESKO-s.
Tridhjetë nga gjuhët që fliten në Francë midis të cilave edhe normane dhe bretonike, janë “nën kërcënim të fuqishëm të zhdukjes”. / KultPlus.com
Pas picave napolitane, ekspresi i famshëm pret që të njihet nga agjencia e OKB-së, si trashëgimi kulturore: Italia do të çojë në UNESCO edhe kafen ekspres.
“Është një ritual autentik dhe një shprehje e socializimit tonë si popull, tipar që na dallon në mbarë botën”, – shprehet Gian Marco Centinaio, nënsekretari për Bujqësinë, duke konfirmuar se aplikimi ishte dorëzuar.
Kafeja ekspres u bë shpejt një pjesë integrale e identitetit kombëtar, pasi u shfaq për herë të parë në Torino, në fund të shekullit XIX.
Konsumimi i një ekspresi, sjell edhe një rast për t’u takuar, për të diskutuar mbi politikën, a futbollin, për të shprehur pakënaqësitë apo ankesat, për t’u pjtuar me dikë ose për t’i paguar borxhin.
Sipas Institutit Italian Espresso, themeluar më 1998 me qëllimin specifik për të mbrojtur dhe promovuar ekspresin origjinal, tregu vlen më shumë se 4 miliardë euro (3.3 miliardë £) në vit. Ndërsa, më shumë se 90 për qind e italianëve, pijnë të paktën një filxhan në ditë.
Rregulloret strikte të institutit për ekspresin e përsosur, përfshijnë përdorimin e një përzierje të çertifikuar kafeje, pajisje të çertifikuara dhe deri te personeli i licensuar.
Tradita e ekspresit italian kërkon që shkuma e lehtë që qëndron në sipërfaqe të pijes “duhet të jetë uniforme dhe e qëndrueshme, për së paku 120 sekonda, nga koha kur kafeja është bërë dhe nuk është përzier ende”.
Ngjyra e ekspresit ideal, duhet të jetë “kafe- lajthi, në kafe të errët dhe karakterizohet nga reflekse të errëta“.
Centinaio thotë, se kandidatura e ekspresit është një mënyrë për të festuar rikthimin në ndërveprimin social në Itali, pas kufizimeve që kushtëzoi pandemia, dy viteve të fundit./konica.al /KultPlus.com
Liqeni i Ohrit, që afekton jetën e më shumë se 180 mijë banorëve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, kërcënohet nga tonelata mbetjesh të industrisë minerare dhe nga ujërat e zeza që derdhen në të. Efektet kanë filluar të ndihen dhe disa lloje peshqish janë drejt zhdukjes. Nëse këto probleme nuk marrin zgjidhje sipas orientimeve të UNESCO-s, atëherë liqeni i Ohrit rrezikon të dalë përfundimisht nga lista e pasurive botërore.
Autor: Roland Beqiraj
Misioni i fundit i ekspertëve dhe vëzhguesve të UNESCO-s, i cili pa nga afër situatën në të gjithë zonën e mbrojtur të Pogradecit, që përfshin një sipërfaqe prej 11.300 ha, la mbi tryezën e autoriteteve shqiptare 32 rekomandime.
Zhvendosja e mineraleve apo mbetjeve të tyre, të depozituara prej vitesh në bregun e liqenit dhe në peizazhin e mbrojtur, trajtimi i ujërave të zeza, që derdhen në liqen, si dhe rehabilitimi i fushës së mbetjeve, u konsideruan emergjencë.
Edhe pse ky site i trashëgimisë natyrore dhe kulturore, veç statusit të UNESCO-s, gëzon edhe statuse të tjera mbrojtëse nga legjislacioni vendas, autoritetet, jo vetëm që nuk janë treguar të gatshme për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kjo mbrojtje e shumëfishtë, por janë neglizhente ndaj problematikave.
Industria minerare e ktheu në “tokë të djegur” zonën e mbrojtur
Ismet Krasta është një prej minatorëve të Çervenakës, i cili prej vitesh punon për nxjerrjen e mineralit të hekur-nikelit në një minierë, që ndodhet në pjesën lindore të fshatit.
Mbarimi i rezervave nëntokësore të mineralit, i cili vazhdon të ketë treg të sigurt në Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera të rajonit, i ka orientuar subjektet e shfrytëzimit drejt nxjerrjes së mineralit nga faqet e maleve, përmes asaj që minatorët e quajnë teknika me zbulim.
“Kam vite që punoj si minator dhe kompania është përpjekur që të mos e lërë për një kohë të gjatë mineralin e depozituar në të njëjtin vend, por ta ngarkojë sa më parë nëpër kamionë dhe ta dërgojë drejt Qafë-Thanës, për të mos shkaktuar edhe ndotje të ambientit”, – thotë Ismeti.
Zona e Gurit të Kuq
Çervenaka është një prej fshatrave buzë liqenit të Ohrit, ku është përqendruar një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit minerar të Pogradecit.
Bilal Krasta, i cili ka punuar për 10 vite në galeritë e Çervenakës, thotë se procesi i ndarjes së sterileve është i vështirë dhe zgjat disa ditë, ndaj ndotjet nuk janë të pakta.
Shirat e shumtë i shpëlajnë sterilet, duke i çuar në liqen dhe duke kontaminuar kështu të gjithë basenin ujor. Pasojat negative bien edhe mbi shëndetin e banorëve që jetojnë buzë liqenit, të cilët e përdorin ujin e tij për të vaditur, për të larë apo edhe konsumojnë sistematikisht peshkun e tij.
Bilal Krasta, ish-minator
Në hyrje të Pogradecit, përgjatë bregut të liqenit të Ohrit, gjendet ende çfarë ka mbetur nga ish-stacioni i trenit të Gurit të Kuq, ndërsa mbi aksin nacional ndodhet gërmadha e ish-fabrikës së përpunimit të hekur-nikelit, ku ka ende sasi të pakta mbetjesh minerale.
E gjithë sipërfaqja rreth tyre është një vend-depozitim gjigant për mbetjet e ndryshme, mes të cilave edhe ato minerare.
Me sy të lirë dallohen mbetjet në pirgje masive të qymyrit, hekur-nikelit dhe kromit në Gur të Kuq, Pojskë dhe Çervenakë, kurse dampat, ku për dekada është pastruar minerali, janë dëshmi e masakrës mjedisore që është bërë në kurriz të liqenit.
Mbetje të mineraleve në afërsi të bregut të liqenit
Popullimi i bregut të liqenit pas viteve ‘90 i ka ekspozuar banorët veç të tjerash edhe ndaj ndotjeve të mbetjeve sterile të mineraleve.
Përveç Çervenakës, në Peizazhin e Mbrojtur Ujor-Tokësor sipas Bashkisë së Pogradecit, aktivitet minerar ka edhe në afërsi të fshatrave Pojskë, Memelisht, Gur të Kuq dhe në fshatra të tjerë, të përfshirë në perimetrin e zonës së mbrojtur.
Sipas Bashkisë së Pogradecit, vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin dhjetë subjekte, të cilat shfrytëzojnë nëntokën dhe sipërfaqen për nxjerrjen e mineraleve të hekur-nikelit, kromit, qymyrit, si dhe mineraleve të tjera.
Këto subjekte përveç dëmit të shkaktuar në liqen përmes aktivitetit të tyre dhjetëvjeçar, në mënyrë sistematike nuk kanë respektuar as lejet mjedisore, çfarë është konstatuar edhe nga kontrollet e inspektorëve të Administratës së Zonave të Mbrojtura në Korçë.
“Nga ana jonë janë mbajtur tri procesverbale për subjektet minerare, që janë konstatuar duke kryer gërmime në fond pyjor pa u pajisur me dokumentacionin përkatës. Gjithashtu, është gjetur në shkelje edhe një subjekt, i cili ushtron aktivitet në galeri”, – thotë Iljon Thanasi, drejtor i ADZM në Korçë, duke shprehur qartazi kundërshtimin për veprimtarinë e industrisë minerare në Zonën e Mbrojtur të Pogradecit.
“Administrata e Zonave të Mbrojtura, Korçë që me krijimin e saj nuk ka lidhur asnjë kontratë për dhënie sipërfaqeje në përdorim për aktivitete minerare, pasi ne jemi kundër zhvillimit të këtij aktiviteti në territorin e zonave të mbrojtura, ku më problematike ndër vite ka qenë dhe vazhdon të jetë zona e Çervenakës( ish-karrierat e minierës)”, – shprehet Thanasi.
Ndërkohë që mbetet e pazgjidhur edhe problematika e subjekteve që e kanë mbyllur aktivitetin shfrytëzues, por mbetjet minerale ende nuk i kanë zhvendosur.
Një nga rekomandimet emergjente, të adresuara nga UNESCO, është edhe mbyllja e dampës së Shllameve dhe rehabilitimi i sipërfaqes pas shfrytëzimit. Por, nga një vëzhgim në terren konstatohet se autoritetet, që ligji ngarkon me përgjegjësi, nuk e kanë përmbushur këtë detyrim.
E pyetur në lidhje me ecurinë e punës për zhvendosjen dhe rehabilitimin e kësaj sipërfaqeje, Bashkia e Pogradecit është kontradiktore në përgjigje.
Nga njëra anë bashkia thotë se subjekti, që e ka shfrytëzuar, është duke zhvendosur mbetjet e hekur-nikelit, por nga ana tjetër thotë se vetë ajo është në kërkim të gjetjes së një vend-depozitimi jashtë zonës së mbrojtur, ku mund të grumbullohen këto mbetje.
Dampa e Shllameve
Fillimin e procedurave për përcaktimin e vend-depozitimit të mbetjeve minerale e pranon edhe institucioni i Prefektit të qarkut të Korçës dhe më tej pritet zhvendosja e tyre nga firmat që ushtrojnë aktivitet.
E shfrytëzuan, asnjë kompani nuk bën rehabilitim
Pavarësisht detyrimit ligjor shumica e subjekteve, që e kanë shfrytëzuar apo vazhdojnë të shfrytëzojnë nëntokën dhe sipërfaqen në zonën e mbrojtur të Pogradecit, nuk e kanë rehabilituar territorin që kanë marrë në përdorim sipas kontratës.
“Asnjë subjekt minerar nuk e ka bërë rehabilitimin e sipërfaqeve të aksidentuara ndër vite dhe ky është një problem shqetësues edhe për ne si institucion. Ne e kemi ngritur disa herë këtë shqetësim, por situata nuk ka ndryshuar”, – thotë ADZM në përgjigjen e kërkesës për informacion.
“Mospërmbushjen e detyrimit për rehabilitimin e territorit të dëmtuar nga aktiviteti minerar subjektet e kanë justifikuar me pagesën që i derdhin si garanci financiare çdo vit Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.”, – thuhet më tej në përgjigje.
Në një përgjigje zyrtare Ministria e Infrastrukturës thotë se përgjegjësia për rehabilitimin e mjedisit është e subjekteve që e kanë shfrytëzuar, por i është shmangur pyetjes se sa është shuma e depozituar nga subjektet minerare të Pogradecit në formën e garancisë mjedisore.
“Në rastin kur zotëruesi i lejes minerare, që përfshin shfrytëzimin, braktis zonën e lejes minerare apo nuk përfundon zbatimin e plotë të planit të rehabilitimit, rehabilitimi kryhet nga subjekte të specializuara, të përzgjedhura nga struktura përgjegjëse, sipas procedurave të prokurimit dhe shpenzimet përballohen me fondet e garancisë financiare. Ministria nuk mund të alokojë fonde, për sa kohë lejet minerare janë aktive dhe në proces të zhvillimit të aktivitetit minerar”, – thotë MEI në përgjigjen e saj zyrtare për INA MEDIA.
Një subjekt minerar, i cili foli në kushtet e anonimatit, tha për INA MEDIA-n se garancia financiare është e ndryshme për subjektet dhe llogaritet në bazë të sipërfaqes që aksidentohet nga nxjerrja e mineraleve, por mesatarisht ata paguajnë nga 200 deri në 250 mijë lekë në vit.
Eksperti Qirjo ngre shqetësimin se mbetjet nga nxjerrja e mineraleve, që ndryshe quhen mbetje sterile, janë një ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në ndotjen e liqenit dhe kërcënojnë ekosistemin e kësaj trashëgimie, ndër më të rrallat në botë.
Kjo problematikë e mbartur ndër vite mbetet e pazgjidhur edhe sot që liqeni i Ohrit ka marrë statusin e UNESCO-s.
“Jo vetëm mbetjet sterile, por edhe minerali, që nxirret nga galeritë e Pogradecit, kryesisht kromi dhe hekur-nikeli, kanë në përbërje të tyre elemente të tjera, si kobalti, arseniku, volframi, të cilat, kur mbërrijnë në liqen nëpërmjet rrjedhjeve sipërfaqësore të përrenjve pas shirave, sjellin dëm të jashtëzakonshëm për ekosistemin e liqenit”, – thotë Qirjo.
Për ekspertin rasti më flagrant i ndotjes së liqenit është depozitimi transit i mineralit në Gurin e Kuq.
“Kur shiu bie mbi mineralin, që është i depozituar në ambient të hapur, merr me vete dhe çon në liqen veç hekurit, nikelit, edhe kobalt, arsenik dhe titan, elemente që konsiderohen toksike për liqenin.”, – sqaron ai.
Eksperti shton më tej se këto mbetje toksike depozitohen në organizmin e gjallesave të liqenit nëpërmjet ujit ose ushqimit të kontaminuar, pa mundur të treten apo asimilohen.
Në këtë mënyrë toksiciteti i gjallesave të liqenit, si për shembull peshku, kalon te njerëzit që e konsumojnë.
Peshku rrezikon të zhduket nga Ohri
Selmani, pas 5 orësh me varkën e tij në ujërat e liqenit të Ohrit, ka mundur të dalë vetëm me një peshk të kapur me grep. Peshkatari, që për 30 vite me radhë ka peshkuar në pjesën shqiptare të liqenit, tregon se situata ka ndryshuar dhe përveç rrallimit të peshkut disa specie janë zhdukur.
“Nga Lini deri në Tushemisht shkojmë me varkat tona, jo vetëm unë, por të gjithë peshkatarët dhe nuk ka aq peshk sa ka pasur vite më parë. Ka ditë që nuk kapim asgjë dhe ka disa arsye që kanë ndikuar. Përveç peshkimit të paligjshëm, liqeni ka ndotje nga mineralet që janë në Gur të Kuq, nga ujërat e zeza të fshatrave, se qyteti e ka të zgjidhur, dhe nga vaskat e troftës.”, – tregon ai, teksa tërheq varkën buzë bregut.
Rreziku që i vjen liqenit nga mbetjet sterile ka dhënë efektet e para, duke arritur deri në zhdukjen e njërës prej specieve të peshkut të këtij liqeni.
“Ndotja, që shkaktohet nga mbetjet sterile, është shumë e rrezikshme, sepse ka sjellë dëme kolosale në faunën e liqenit dhe madje ka zhdukur gjallesa, një prej të cilave është edhe peshku skorbus”, – thotë eksperti Mihallaq Qirjo.
Kërkesat e organizatës së trashëgimisë botërore për ruajtjen dhe menaxhimin e zonës së mbrojtur, duke hartuar dhe duke zbatuar strategji për reduktimin e ndotjes, janë të panegociueshme, konstatojnë ekspertët.
Zvarritja apo neglizhenca për përmbushjen e tyre mund të sjellë penalitete për palën shqiptare, e cila kërkoi me këmbëngulje që liqeni i Pogradecit dhe zona rreth tij të merrnin statusin e UNESCO-s.
Pasuri botërore, por ujërat e zeza i trajton në mënyrë primitive
Qyteti liqenor ka të zhvilluar më së shumti turizmin sezonal dhe banorët, bizneset dhe pushteti vendor janë fokusuar fort te perspektiva turistike e kësaj zone.
“Poradecarët jetojnë nga liqeni. Dikush peshkon, dikush lëshon shtëpitë me qira, dikush ka lokal, hotel, dyqanet kanë më shumë punë nga turistët”, – thotë Mehmet Cani, i moshuari që ka punuar për 54 vite si agronom në zonën e Pogradecit.
I moshuari kujton se liqeni ka qenë aq i pastër, sa uji i tij iu shërbente banorëve, jo vetëm për të larë, pastruar, por edhe për konsum.
“Kur kam qenë unë fëmijë, e pinim ujin e liqenit, aq i pastër ishte. Para viteve ’90 në Pogradec funksiononte kolektori i ujërave të zeza, ndaj uji i liqenit ishte kristal. Me ndryshimin e sistemit dhe shtimin e ndërtimeve, por edhe me ardhjen e banorëve të rinj, të gjitha kusuret ranë mbi liqen. Në zonat informale inertet hidheshin në lumenj. Liqeni ishte dhe vazhdon të jetë i pambrojtur”, – tregon Cani, që ndër të tjera pohon se ka ende familje që i derdhin ujërat e zeza në lumenj apo direkt në liqen.
Mehmet Cani
Lini, një ndër fshatrat më të njohur, i përfshirë edhe në listën e 100 fshatrave turistikë, e ka ende të pazgjidhur problemin e kanalizimeve të ujërave të zeza, të cilat banorët i shkarkojnë në liqen.
Fshati Lin
“Ne kemi gropë septike. Kur mbushet gropa, e zbrazim me kova, të cilat i derdhim në liqen. Gati 70% e fshatit i derdh ujërat e zeza direkt në liqen, ndërsa pjesa tjetër ka gropa septike, por edhe ato kuptohet që në liqen përfundojnë. ”, – thotë Avni Sulollari.
Sipas tij, banorët e Linit, të vetëdijshëm për këtë situatë, nuk e përdorin liqenin për t’u larë.
“Edhe turistët na janë ankuar për erën e keqe që vjen nga liqeni, por ne s’kemi çfarë të bëjmë, sepse bashkia nuk na e ka zgjidhur problemin.”, – shtoi më tej ai.
Bashkia e Pogradecit trajton një pjesë të konsiderueshme të ujërave të përdorura në impiantin e Zagorçanit, i cili u ndërtua vite më parë, duke dhënë zgjidhje për pjesën më të madhe të qytetit të Pogradecit dhe pjesërisht për Buçimasin dhe Zagorçanin.
Problematika mbeti e pazgjidhur për shumicën e njësive administrative. Në fshatrat e njësive administrative Udënisht, Çërravë dhe një pjesë e Buçimasit, që ndodhen brenda zonës së mbrojtur, banorët përdorin ende gropa septike, duke e bërë të pamundur që të shmanget ndotja e liqenit.
“Ujërat e zeza, që derdhen në liqen, rritin sasinë e masës organike, e cila kthehet në lëndë ushqyese për specie si algat. Ato marrin oksigjenin dhe zhdukin dhjetëra specie të rralla, mikroorganizma, likenet, myku dhe kërpudhat, çka e varfëron liqenin”, – sqaron eksperti i mjedisit, Mihallaq Qirjo.
Përveç banorëve, edhe bizneset, që zhvillojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë, ujërat e zeza i derdhin në gropa septike, duke shkaktuar të njëjtën ndotje.
Ndryshe nga shpjegimi i ekspertëve për dëmet që i shkaktohen liqenit nga përdorimi i gropave septike, Bashkia e Pogradecit e konsideron si një zgjidhje për të shmangur ndotjen e liqenit.
“Bizneset, që zhvillojnë aktivitetin nga Pogradeci deri në Tushemisht, janë të lidhura me rrjetin e kanalizimeve, kurse në Njësinë Administrative Udënisht kanë gropa septike, por është në proces tenderimi projekti i kanalizimeve për të gjithë fshatrat e kësaj njësie”, – sqaron Bashkia Pogradec në përgjigjen e saj të kërkesës për informacion.
Sipas vendorëve, zgjidhja e kësaj problematike do të vijë me ndërtimin e disa impianteve të përpunimit të ujërave të zeza dhe sistemimin e rrjetit të kanalizimeve për çdo fshat, por vetëm për disa prej tyre ka nisur puna.
Si pasojë e mungesës së kanalizimeve, shumë fshatra në afërsi të liqenit i derdhin ujërat e zeza në kanalet që iu kalojnë para shtëpive të tyre, të cilat më pas përfundojnë në lumë.
Janë rreth 40 lumenj dhe përrenj në pjesën shqiptare, që derdhen në liqenin e Ohrit, të cilët sigurojnë rreth 30% të sasisë së ujit që furnizon liqenin.
Lumi i fshatit Çërravë, ku jetojnë rreth 1500 banorë, është mbushur me mbeturina të ndryshme, sidomos mbetje plastike. Pirgje me pleh janë depozituar në të dy anët e lumit nga banorët që kanë shtëpitë afër tij.
Edhe pse në fshat ka konteinerë mbeturinash, banorët kanë gjetur si rrugën më të shkurtër lumin që iu kalon pranë.
Aqif Kapa thotë se, veç mbeturinave, fermerët hedhin në lumë edhe prodhimet e tyre bujqësore, që iu mbeten pa shitur.
“Jemi 400 shtëpi në këtë fshat. Sikur nga një kokërr mollë të hedhim në lumë, e bëjmë magazinë lumin”, – thotë ai.
Lumi i Çërravës
Ky fshat nuk ka kanalizime, çfarë bën që ujërat e zeza të derdhen në lumin e Çerravës dhe më pas në liqen. “Dimër-verë të njëjtin shqetësim kemi. Në sezonin e shirave ujërat e zeza shpërthejnë nga kanalet e fshatit në rrugë dhe mbushin lumin. Taksat ia paguajmë bashkisë, por shërbime nuk marrim. Në dimër, bela nga shirat, në verë mbytemi nga era e keqe”, – thotë Flutur Balliu, banore e Çërravës.
Në krah të djathtë të segmentit që të çon në parkun e Drilonit, degëzohet një rrugë dytësore që të nxjerr në fshatin Zagorçan. Paralelisht me rrugën kalon edhe lumi i fshatit që është i mbushur me mbetje ushqimore, plastike dhe një pjesë të tij kallamishtet po e kthejnë në kënetë.
Lumi i Zagorçanit
Fshati shtrihet në afërsi të impiantit që ka zgjidhur problemin e ujërave të përdorura të qytetit, por në dy lagje të tij përballet me mungesën e kanalizimeve. Edhe këtu banorët kanë nxjerrë në anë të rrugës tubacionet e tualeteve të shtëpive të tyre.
Të ndërgjegjshëm për ndotjen mjedisore që shkaktohet në mjedisin ku ata vetë jetojnë, por edhe në liqen, banorët thonë se nuk kanë asnjë alternativë tjetër.
“Jetojmë në mes të ujërave të zeza, që vetë i derdhim në mes të fshatit, por nuk kemi ku t`i çojmë tjetër. Impianti afër fshatit zgjidhi hallet e qytetit, por jo tonat”, – thotë Vergjinush Çinari, banore e Zagorçanit.
Nga kanali i fshatit ujërat e përdorura përfundojnë në kompleksin ujor të Drilonit, i cili në një pjesë të tij është i mbushur me kallamishte. Sipas ekspertëve, kallamat rriten vetëm në ujëra të ndotura, moçalike dhe prezenca e tyre është një tregues i ndotjes së shkaktuar nga shkarkimi i ujërave të zeza.
“Mbushja e Drilonit me kallama apo ligatina nuk është një dukuri natyrore, – thotë eksperti Qirjo, – por është shkaktuar nga ndotja. Driloni vite më parë nuk ka pasur kallama dhe uji i burimit të tij ka qenë 90% i pastër dhe i pijshëm”.
Përveç rekomandimeve për trajtimin e ujërave të përdorura, UNESCO ka ngritur alarmin, duke i kërkuar palës shqiptare ndërhyrje urgjente për rehabilitimin e fushës së mbetjeve që ndodhet brenda territorit të zonës së mbrojtur në fshatin Piskupat.
Fusha është e vendosur në skarpatin e rrugës pyjore, e cila bie mbi një përrua natyror, çka bën që ujërat e ndotura të rrjedhin pa kontroll drejt liqenit.
Shqipëria ka vetëm 2 vite kohë për të përmbushur një listë me 32 rekomandime të lëna nga UNESCO, por ruajtja e statusit të liqenit kërkon detyrimisht të njëjtin angazhim edhe nga pala maqedonase, konstatojnë ekspertët.
“Në korrik të këtij viti në sesionin e 44-ët në Kinë, UNESCO i dha mundësinë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që për 2 vjet të rregullojnë mënyrën e konceptimit, ruajtjes dhe menaxhimit të këtij ekosistemi, me qëllim që rajoni i liqenit të Ohrit, si trashëgimi natyrore dhe kulturore, të mos futet në listën e site-ve që janë në rrezik.”, – tregon eksperti Arjan Merolli.
Ai shton më tej se mungesa e kulturës së bashkëpunimit dhe e strategjisë për ruajtjen e liqenit të Ohrit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut shihet me rezerva edhe nga UNESCO, duke ngritur shqetësimin se këto problematika mund të bëhen shkak që të dyja vendet të humbin statusin si trashëgimi botërore.
Ministria e Kulturës në përgjigje të kërkesës për informacion në lidhje me atë që është bërë deri tani nga pala shqiptare për të përmbushur rekomandimet e UNESCO-s, sqaron se në korrik të këtij viti, “Komiteti i Trashëgimisë Botërore i ka kërkuar të dy shteteve, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të përgatisin dhe paraqesin një plan të detajuar, strategjik të rimëkëmbjes, të shoqëruar me një plan-veprimi me afate kohore dhe brenda datës 1 shkurt 2022 të dyja vendet duhet të paraqesin raportin e progresit mbi gjendjen e konservimit të pasurisë botërore dhe zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore”.
Kur na ndajnë më pak se dy muaj nga takimi i 1 shkurtit, nga sa konstatohet në terren, pala shqiptare ka mbetur ende në stadin e hartimit të strategjisë dhe duket qartë se do të ketë shumë pak material për të dorëzuar sa i takon zbatimit të rekomandimeve të UNESCO-s, ku prioritet mbeten problematikat mjedisore. / KultPlus.com
Kaligrafia arabe tashmë është trashëgimi botërore jomateriale. Futja në lisën e UNESCO-s – siç ka njoftuar Organizata Botërore e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë e Kulturë me vendimin të së martës – do të mundësojë ruajtjen e kësaj mjeshtërie të moçme të shpërndarë në botën arabo-myslimane.
Propozimin e adresuar në UNESCO, në krye me Arabinë Saudite e kanë mbështetur 16 vende, ku islami është religjion i shumicës. Vendimin UNESCO-ja e ka bërë të ditur nëpërmjet “Twitterit”. Ministri saudit i Kulturës, Badr ben Abdalah ben Farhan, e ka mirëpritur një vendim të tillë dhe ka vlerësuar se ai do të kontribuojë në zhvillimin e kësaj trashëgimie kulturore, ka njoftuar agjencia shtetërore e këtij vendi.
“Kaligrafia arabe është praktikë artistike e shkrimit me dorë në një mënyrë të rrjedhshme që të vijnë në shprehje harmonia, ndjeshmëria dhe bukuria”, ka njoftuar UNESCO. Ky lloj shkrimi gjithherë ka shërbyer si simbol i botës arabo-muslimane, ka thënë Abdelmaxhid Mahbub, përfaqësues i Shoqatës për Mbrojtjen e Historisë Saudite, organizatë joqeveritare që është angazhuar për marrjen nën mbrojtje të këtij lloj shkrimi si trashëgimi jomateriale. Ai ka shprehur keqardhje që shumë njerëz tash nuk shkruajnë me dorë për shkak të zhvillimit të teknologjisë dhe që dita-ditës numri i artistëve të kaligrafisë arabe po bie. Ka vlerësuar që regjistrimi i kësaj mjeshtërie si trashëgimi jomateriale në Lisën e UNESCO-s, me siguri që do të ndikojë pozitivisht në ruajtjen e saj.
Trashëgimia jomateriale ose “trashëgimia e gjallë” është “trashëgimi e paraardhësve tanë të cilën ua bartim pasardhësve tanë”, ka theksuar UNESCO.
“Që një praktikë kulturore të definohet si trashëgimi kulturore jomateriale, ajo duhet të jetë dinamike…duhet të ketë kuptim në jetën e njerëzve”, ka thënë Tim Curtis, sekretar i Konventës së UNESCO-s në këtë temë, të miratuar në vitin 2003./KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha se, “një nga çështjet më prioritare të qeverisë është krijimi i një kornize të shëndosh ligjore kundër trafikut të objekteve të trashëgimisë kulturore”.
Duke marrë fjalën sot, në seancën plenare të Kuvendit, Margariti vuri në dukje se, nuk bëhet fjalë vetëm për një memorandum por për një sërë aktesh nënligjore, që forcojnë luftën pa kompromis kundër trafikimit të pasurive tona kulturore.
Sipas saj, që prej 2018 Ministria e Kulturës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë kanë nisur punën për hartimin e një Marrëveshjeje Bashkëpunimi në respekt të Konventës së UNESCO-s, 1970, që u finalizua me nënshkrimin e memorandumit në muajin gusht në Uashington, me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Kulturën dhe Edukimin, Matthew Lussenhop, duke zyrtarizuar kështu angazhimin tonë për të qenë krah për krah në një luftë, që nuk na përket vetëm ne.
Gjithashtu vijoi ministrja, një hap tjetër i rëndësishëm në krijimin e kësaj kornize ishte edhe vendimi i Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe mënyrave të administrimit të bazës së të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura”, një proces i nisur me miratimin e ligjit “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, që lidhet direkt me mënyrën e administrimit të bazës së të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura, të hyra ose të dala në mënyrë të paligjshme nga territori i Republikës së Shqipërisë”.
Margariti vuri në dukje se, “hartimi i kuadrit ligjor vjen sipas eksperiencave ndërkombëtare, siç është skema e bazës së të dhënave e miratuar nga Interpol, si dhe sistemi në zbatim në Itali, që përmban një informacion të mjaftueshëm për krijimin e pasaportave të sakta, sipas një modeli të miratuar nga UNESCO për çdo objekt që rezulton i trafikuar në mënyrë të paligjshme”.
Ajo theksoi se, “viteve të fundit është forcuar bashkëveprimi me Interpolin, Europolin, pikat doganore dhe po punohet ngushtësisht me vendet fqinje për identifikimin dhe kthimin e veprave që rezultojnë të vjedhura”.
“Aktualisht jemi duke çuar përpara një proces delikat atë të kthimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut të 27 ikonave të identifikuara tashmë. Me përfundimin e procedurave këto vepra do të kthehen në vendin e origjinës. Ndërsa kemi edhe të tjera çështje të hapura për vepra me origjinë Shqipërinë, të kapura në vende të tjera, të cilat do të kthehen në vend. Në historinë e saj të afërt dhe të largët, Shqipëria ka kaluar momente kritike në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Gjatë viteve 1991 dhe 1997 u grabitën dhe u trafikuan vlera të rëndësishme të trashëgimisë materiale. Por tanimë Shqipëria e ka kaluar fazën e tranzicionit, ka dalë nga listat e zeza të trafikimit”, deklaroi Margariti.
Ministrja deklaroi se, “Shqipëria është një vend me një trashëgimi të pasur kulturore materiale dhe jomateriale, që po bëhet gjithnjë e më tepër tërheqëse për të huajt, që numëron mbi 2220 monumente kulture e mijëra artefakte. Ndaj edhe duhet t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë ruajtjes, mbrojtjes, konservimit dhe menaxhimit të pasurisë sonë, për ta shndërruar atë në një burim ekonomik të qëndrueshëm për vendin tonë”.
Ajo vuri në dukej se, ratifikimi i memorandumit me SHBA është padyshim një nga ato gurë themeltarë për nënshkrimin e së cilit jemi sa të kënaqur aq edhe të vetëdijshëm në përmbushjen e tij.
“Mbi bazën e këtij Memorandumi Shtetet e Bashkuara të Amerikës angazhohen të luftojnë trafikimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe ta mbrojnë atë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kufizojnë importimin të kategorive të caktuara të materialit arkeologjik, që datojnë nga 300,000 vite më parë deri në vitin 1750 P.K. dhe kategori të caktuara të materialit etnologjik, nga viti 400 P. K. deri në vitin 1913, që mund të jenë elemente arkitekturore nga strukturat historike ose fetare; objekte funerale; rituale dhe ceremoniale; piktura; dokumente të shkruara; tekstile; si edhe armë e parzmore të identifikuara në listën që do të shpallet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç rasteve kur Republika e Shqipërisë vërteton se ky eksportim nuk është i paligjshëm”, tha ministrja.
Margariti deklaroi se, objektet e konfiskuara në SHBA do të rikthehen në Shqipëri. Nga ana tjetër, Shqipëria do të ndajë informacione rreth gërmimeve të paautorizuara, vjedhjeve të pasurive kulturore, trafikimit të pasurive kulturore dhe kërcënimeve të tjera që rrezikojnë trashëgiminë e saj kulturore.
“Pas miratimit në Këshillin e Ministrave të ratifikimit të memorandumit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “Vendosjen e kufizimeve të importit për kategoritë e materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë”, tashmë është momenti që të votohet edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe jam e bindur, që do të gjejë mbështetjen tuaj të plotë, pasi ky nënshkrim me partnerin tonë strategjik, SHBA, përbën një hap mjaft i rëndësishëm në luftën kundër trafikimit të trashëgimisë kulturore”, përfundoi Margariti. / KultPlus.com
Ansambli i Këngëve dhe Valleve “ Kemajl Azizi” nga Vitia, është pranuar zyrtarisht partner i Organizatës CIOFF, që përndryshe është partner zyrtar i UNESCO-së (Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara), përcjellë KultPlus.
Komuna e Vitisë ka njoftuar për lajmin përmes një postimi në llogarinë e tyre zyrtare në “Facebook”, ku edhe kanë bërë të ditur se me të gjitha votat e shteteve anëtare me të drejtë vote, është votuar në kongresin 50-të në Budabest të Hungarisë që A.K.V “Kemajl Azizi” nga Kosova të jetë partner zyrtar i kësaj organizate që cilësohet si ndër më të mëdha në botë.
Arsim Abazi, Drejtor Ekzekutiv i AKV “Kemaj Azizi”, ka potencuar rëndësinë e pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare duke thënë se Integrimi ne arenën ndërkombëtare për promovimin e trashëgimisë kulturore në nivel ndërkombëtar është shumë e rëndësishëm për vendin tonë. Ai shtoj se përmes tyre, Kosova po promovon vlerat e mirëfillta kulturore të etnosit shqiptar në çdo cep të botës.
Drejtori Abazi falënderoj të gjithë ata që kanë mbështetur A.K.V “Kemaj Azizi” në këtë arritje në veçanti kryetarin e komunës së Vitisë, Sokol Haliti më pas edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ambasadën e Kosovës ne Hungari por edhe të gjithë artistet e këtij ansambli për punën e tyre të madhe duke u zotuar se ata do të vazhdojnë të promovojnë vlerat e mëdha që ka kultura shqiptare në Kosovë.
Këshilli Ndërkombëtar i Organizatave të Festivaleve Folklorike dhe Arteve Popullore është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare në Partneritet Zyrtar me UNESCO-n dhe është i akredituar për të ofruar shërbime këshillimore për Komitetin e Konventës së UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. /KultPlus.com
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ngriti çështjen e kthimit të mermerëve të Partenonit në Greqi në fjalimin e tij në një darkë për të festuar 75 vjetorin e UNESCO.
Në shtator, UNESCO miratoi një vendim që pranon se kthimi i mallrave kulturore në vendet e tyre të origjinës është një çështje për bisedime midis vendeve dhe jo muzeve.
Mermeret e Partenonit mbahen prej kohësh në Muzeun Britanik.
‘’Britania e Madhe duhet t’i bashkohet Greqisë në një dialog të vullnetit të mirë, veçanërisht pasi “ky vit shënon dyqindvjetorin e fillimit të Luftës së Pavarësisë Greke. Nuk mund të kishte një kohë më të mirë për rikthimin e seksionit. se mungon dhe ribashkimi i Mermereve të Partenonit në Greqi, vendi i origjinës së tyre”, theksoi kryeministri.
Ai i quajti antikitetet “monumente emblematike, të lidhura pazgjidhshmërisht me identitetin e një kombi” dhe tha se “Mermeret e Partenonit në Londër duhet të ribashkohen me shumicën e Mermereve të Partenonit në Athinë”, në Muzeun e Akropolit.
Mitsotakis ndodhet në Paris për të marrë pjesë në bisedimet për çështjen libiane të iniciuara nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe UNESCO po feston 75 vjetorin e saj në selinë e saj në Paris./KultPlus.com
UNESCO organizoi një ceremoni për dorëzimin vullnetar të një pllake guri të epokës së Majave, e zhdukur nga zona arkeologjike Piedras Negras në Guatemala në vitin 1960.
Dorëzimi iu bë Ambasadorit të Guatemalës nga një koleksionist privat.
“Kam kënaqësinë të përshëndes dhe falënderoj vullnetin e zonjës Manichak Aurance, kompanitë private, si dhe institucionet publike dhe organizatat shumëpalëshe dhe shoqërinë civile për gjestin e pranimit të dorëzimit vullnetar të fragmentit që u mor nga toka jonë, ” tha ambasadori Francisco R. Gross Hernández.
Kjo pllakë u zhduk nga zona Piedras Negras në vitin 1960. Ajo u rishfaq në Paris në vitin 2019 gjatë një ankandi.
Falë mobilizimit të përbashkët të Guatemalës, Francës dhe UNESCO-s, shitja u pezullua dhe filloi ndërmjetësimi.
“Jam sinqerisht e lumtur dhe shumë krenare që do t’ju dhuroj këtë artefakt që im shoq dhe unë kishim shumë për zemër dhe të kontribuoj në ruajtjen e trashëgimisë së Guatemalës”, tha Znj. Manichak Aurance e cila vendosi të kthejë vullnetarisht fragmentin në Guatemalë.
Ky fragment i rëndësishëm tregon pjesën e sipërme të mbulesës luksoze të kokës së një sundimtari antik të Piedras Negras, i cili hipi në fron në vitin 729 pas Krishtit. Fragmenti përshkruan sundimtarin me një fustan nefriti të veshur nga perëndia e misrit.
Artefakti do të ekspozohet në Muzeun Kombëtar të Arkeologjisë dhe Etnologjisë në qytetin e Guatemalës./oranews/KultPlus.com
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi ishte qytezën arbëreshe Vakarici (Vaccarizzo Albanese) për të mbështetur kandidaturën e praktikave rituale arbëreshe të pranverës “Moti i Madh” për njohjen si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO -s.
Akademia është pjesë e grupit të punës për dosjen e kësaj trashëgimie mbi 500-vjeçare.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi siguroi grupin e punës se mbështetja institucionale do të jetë e përhershme dhe në rritje.
“Jo vetëm për dosjen “Moti i Madh”, por në përgjithësi për trashëgiminë arbëreshe në tërësi, për studimin dhe botimin e saj, Akademia e Shkencave do të shtojë vëmendjen dhe investimin intelektual. Projektet që kanë realizuar anëtarët arbëreshë të Akademisë së Shkencave Francesco Altimari e Matteo Mandalà janë të mirëpritur për t’u kurorëzuar”, tha Gjinushi.
Gjinushi tha se, “trashëgiminë arbëreshe për më shumë se gjashtë shekuj e kanë ruajtur vetë bartësit e saj. Regjistrimi në UNESCO i njeh asaj një vlerë që ka merita dhe rëndësi jo vetëm për komunitetin, por edhe për kulturën njerëzore”.
Akad. Francesco Altimari bëri të njohur kronologjinë e projektit “Moti i Madh”, numrin e madh të universiteteve dhe të studiuesve që kanë kontribuuar për aspektet shkencore të dosjes (Cosenza, Palermo, Lecce, Venezia, Milano etj.), si dhe nga Shqipëria.
Akad. Matteo Mandalà u përqendrua në kushtëzimin zanafillës të riteve e ritualeve kalendarike-pranëverore arbëreshe e shqiptare me rrjedhat e ciklike të jetës agrare.
Akad. Shaban Sinani paraqiti punën që ka bërë skuadra shqiptare për plotësimin e dosjes “Moti i madh” me një fashikull nga trashëgimia e ngjashme në Shqipëri, duke theksuar ciklet kryesore, si llazoret (këngët e të ringjallurit të parë Shën Lazrit), kullanat (dikur të lidhura me fillimin e vitit, sot kryesisht këngë të Pashkëve), evangjelizmoi (edhe këto këngë të ringjalljes), rrushajet (këngë të “ditës së luleve” – rosaliae diem), karnevalet, këngët e Shën Gjergjit etj. Ka një simetri të plotë mes këtyre cikleve dhe atyre që janë mbledhur e dëshmohen edhe sot tek arbëreshët. Sinani theksoi se pjesa më e madhe e tyre janë desakralizuar dhe madje një pjesë janë kënduar edhe në skena, duke përfshirë periudhën komuniste, si këngë lodra apo ushtrime vjershërimi e kujtese.
On. Mario Brunetti, një figurë emblematike e botës arbëreshe, nismëtar i projektligjit italian që i njeh arbërishtes, theksoi se mbështetja e Akademisë së Shkencave është një dukuri e re shumë pozitive. E përforcuar kjo me mbështetjen administrative dhe diplomatike të shtetit shqiptar e të Kosovës, rrit besimin tonë që “Moti i Madh” të fitojë statusin që i takon si trashëgimi e njerëzimit. Dhe ky është një nga rastet që kultura e pakicës rrit vlerat e asaj të shumicës.
Në konferencë ishin të pranishme dhe përshëndetën Meri Kumbe, zëvendësministre e kulturës; Anila Bitri, ambasadore e Shqipërisë në Itali; Lendita Haxhitasim, ambasadore e Kosovës. / KultPlus.com
Prej 39 vjetësh në komunitetin arbëresh të Vakaricit (ital. Vaccarizzo) çdo vit zhvillohet Panairi i Veshjeve Arbëreshe.
Ky Panair, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij ngulimi pasi përfaqëson një moment takimi mes komuniteteve të ndryshme arbëreshe dhe një bashkim shpirtëror përmes kulturës.
Këtë vit është konceptuar të mbahet Dita Studimore mbi temën “Moti i madh”- Kandidatura UNESCO e praktikave rituale arbëreshe të pranverës: perspektiva të kulturës arbëreshe në epokën e globalizimit. Aktiviteti mbahet sot me 25 shtator, nga ora 10.30-12.00 në Palazo Marino të Vakaricit.
Vaccarizzo Albanese u themelua rreth vitit 1470, pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeut nga grupe refugjatësh që u vendosën në kodrat e Pre-Sila greka, duke themeluar ndër të tjera edhe fshatrat San Demetrio Corone, Macchia, San Giorgio Albanese, San Cosmo Albanese, Santa Sofia d’Epiro dhe Spezzano Albanese. / KultPlus.com
Mozaiku i Linit në Pogradec tashmë i restauruar ka tërhequr vëmendjen e publikut. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli në vëmendje punën e kryer, ndërsa shtatori është muaji i trashëgimisë kulturore.
“Restauruam dhe hapëm për publikun Mozaikun e Linit, Pogradec, këtë copëz trashëgimie e mbrojtur nga UNESCO”, u shpreh Margariti.
Mozaiku i Linit iu nënshtrua ndërhyrjeve pas 20 vitesh, rikonstruktim dhe pastrim, duke u rikthyer në bukurinë e saj si një nga vendet e mbrojtura nga UNESCO.
Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, realizuan hapjen e mozaikut që ndodhet në bazilikën e Linit.
Pasi u larguan shtresat e rërës, u realizua pastrimi me kujdes i sipërfaqes. Gjendja e tij do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe pastrimi i tij do të bëhet në mënyrë periodike.
Mozaiku shumëngjyrësh ka zbukurime kafshësh, bimore e gjeometrike, ku mbizotërojnë simbolet e kultit./atsh/KultPlus.com
Është një ritual veror i natës në pjesën më të madhe të Spanjës: ndërsa nxehtësia përvëluese e ditës zbutet, karriget nxirren në rrugë për një bisedë alfresko. Tani një fshat në Spanjën jugore po kërkon që tradita të njihet nga Kombet e Bashkuara si një thesar kulturor.
Qëllimi është që të mbrohet zakoni shekullor nga kërcënimi i dhunshëm i mediave sociale dhe televizionit, tha José Carlos Sánchez, kryebashkiaku i Algar, një qytet me rreth 1,400 njerëz. “Është e kundërta e mediave sociale,” i tha ai për Guardian, transmeton KultPlus. “Kjo ka të bëjë me bisedat ballë për ballë.”
Sánchez kohët e fundit aplikoi për të shtuar zakonin në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të Unesco, duke shpresuar se do të jetë në gjendje të fitojë një vend në një katalog që shkon nga arti i prodhimit të picave napolitane në kulturën e saunës në Finlandë dhe një garë të kositjes së barit në Bosnjë dhe Hercegovina.
Sánchez, i cili rregullisht kalon mbrëmje të këndshme verore në pragun e shtëpisë së nënës së tij 82-vjeçare, është i shpejtë të listojë përfitimet e shumta të asaj që njihet si charlas al fresco, nga kursimet e energjisë të marra nga fikja e ajrit të kondicionuar për disa orë deri te ndjenja e komunitetit me fqinjët që ndajnë thashethemet e ditës ose komentojnë lajmet e fundit.
Bisedat e natës gjithashtu ofrojnë një lloj lirimi psikologjik, duke e mbajtur vetminë larg, në një kohë kur shqetësimet rreth shëndetit mendor janë shtuar, argumentoi ai. “Banorët dalin në rrugë dhe në vend që të ndiejnë se janë vetëm, ajo që marrin është një seancë terapie,” tha 38-vjeçari. “Ata ndajnë historitë e tyre ose problemet që po kalojnë dhe fqinjët përpiqen të ndihmojnë.”
Banorët në fshatin e vogël kanë reaguar ngrohtësisht ndaj ofertës së tij për statusin e trashëgimisë botërore, tha ai. “Deri më tani nuk kam marrë asnjë kritikë, ka qenë shumë pozitive. / KultPlus.com
Rebelët nga rajoni Tigray i Etiopisë kanë marrë kontrollin e qytetit të Lalibela, një vend nën mbrojtjen trashëgimisë botërore të Unescos në rajonin fqinj Amhara.
Lalibela, shtëpia e kishave të shekullit të 13 -të të gdhendur nga shkëmbi, është një vend i shenjtë për miliona të krishterë ortodoksë.
Banorët kanë ikur për shkak të rebelëve, thonë zyrtarët vendas.
Mijëra njerëz janë vrarë që kur shpërtheu lufta nëntorin e kaluar. Luftimet tani po përhapen në Amhara dhe Afar, një rajon tjetër në kufi me Tigray.
Miliona njerëz janë zhvendosur gjithashtu.
Si forcat rebele Tigray ashtu edhe ushtria etiopiane dhe aleatët e saj janë akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime lufte./KultPlus.com
Kjo lëvizje shënon hapin e parë të bërë ndonjëherë nga UNESCO në drejtim të njohjes së trashëgimisë kulturore hebraike në Gjermani. Edhe një zgjatim i kufirit ushtarak romak, Limes, është njohur me këtë rast
Trupa kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, ka njoftuar se dy vende në Gjermani kanë marrë statusin e Trashëgimisë Botërore. Anëtarët e Komitetit kanë njohur qytetet gjermane të Mainzit, Speyerit dhe Wormsit për rolin e tyre si qendra të kulturës hebraike në Evropë gjatë mesjetës – që shënon njohjen e parë nga UNESCO të trashëgimisë kulturore hebraike në Gjermani.
Ata, po ashtu, kanë miratuar edhe aplikimet për njohje të një seksioni të Limesit – kufiri i jashtëm i Perandorisë Romake – përgjatë lumit Rhin.
Cilat janë qendrat hebraike me status në UNESCO?
Mainz, Speyer dhe Worms njihen si vendet SchUM – për germat e para të emrave të tyre hebrenj gjatë mesjetës. Të tri qytetet bëjnë pjesë në atë që dikur quhej si “Jerusalemi i Rihinit”.
Ato ishin fort ndikuese për kontributet në gjuhën hebraike, studimet fetare, si dhe stilin fetar arkitekturor.
Shteti Rihneland-Palatinate luftoi për njohje për më shumë se 15 vjet. Avokatët shënonin se problemi i tyre më i madh ishte fakti që kaq pak artefakte fizike mbetën pas shekuj plaçkitjesh e vandalizmi shkatërrimtar.
Më në fund, Komiteti i njohu varrezat, sinagogën dhe banjat rituale Mikvah në këto qytete si emra të denjë për Trashëgiminë Kulturore Botërore. Varreza e Heiligen Sandit në Worms, fjala vjen, shpesh konsiderohet si më e vjetra dhe më e madhja varrezë hebraike në Evropë, me varre që datojnë nga shekulli i nëntë.
Mungesa e vendeve të ruajtura historike, thotë Andreas Lehnardt, profesor i studimeve hebraike në universitetin e Mainzit “Johannes Gutenberg”, është shpesh një zhgënjim për mysafirët e huaj që kërkojnë të lidhen me të kaluarën e pasur hebraike të rajonit, “por”, shton ai, “kjo është thjesht një reflektim i historisë hebraike në Gjermani”.
Mbështetësit e aplikimit, si kryetari i Wormsit Alfred Kessel, thonë se shquarja nga UNESCO-ja do të ndihmojë jo vetëm në rritjen e turistëve, por edhe do t’iu dalë në krah komuniteteve për të ruajtur atë çka ka ngelur nga ajo që dikur ishte qendër e rëndësishme e kulturës hebraike dhe mësimit fetar.
Çka është seksioni i Limesit që fitoi statusin e UNESCO-s?
Limesi i poshtëm gjerman shtrihej nga Rheinbrohli në shtetin e Rhineland-Palatinate, përmes North Rhine-Westphalia në Detin e Veriut në Holandë. Njohja e tij avancon vizionin e UNESCO-s për ta vënë gjithë kufirin ushtarak – që shtrihej nga Skocia deri në Detin e Zi – nën mbrojtje si vend i trashëgimisë kulturore panevropiane.
Maria Böhmer, kryetare e Komisionit gjerman në UNESCO, ka thënë se disa prej “mbetjeve më të vjetra të skajit të Perandorisë Romake” janë gjetur në vend.
“Romakët ndërtuan fortesa dhe vendbanime përgjatë Rhinit që do të rriteshin për t’u bërë qytete të mëdha si Këlni, Boni e Nijmegeni. Ato lulëzuan për shkak se Limesi nuk ishte mbyllje, por më tepër lehtësonte shkëmbimin mes Romës dhe fqinjëve të saj”.
Pavarësisht të qenit kufi, Limesi nuk ishte thjesht një vijë statike e mbrojtjes, por më tepër një vend shkëmbimi, me dogana dhe tregje të vendosura në kalimet kufitare, ashtu sikurse edhe me kulla vrojtimi e fortesa gjatë gjithë strukturës.
Vendimi për një seksion të mëtejmë, të njohur si Limesi danubian, i është dorëzuar një grupi punues për rishqyrtim.
Hungaria rrëzoi propozimin – e ngritur nga Gjermania, Austria, Sllovakia e Hungaria – duke e tërhequr papritur pjesën e saj të aplikimit. Komiteti e quajti këtë vendim si “të paprecedent”. /dw/ KultPlus.com
UNESCO, krahu arsimor, shkencor dhe kulturor i Kombeve të Bashkuara, ka shtuar nëntë zona të reja në Listën e Trashëgimisë Botërore.
Ato përfshijnë një qytet port kinez të njohur si “emporiumi i botës”, një vend i Arabisë Saudite që përmban mbishkrime shkëmbore që shtrihen në 7,000 vjet dhe një rrjet ndërkombëtar të qyteteve evropiane të llixhave, transmeton KultPlus.
Quanzhou, i vendosur në bregdetin e provincës Fujian të Kinës nga lumi Jin, fitoi një vend në listë për rëndësinë e saj në tregtinë detare midis shekujve 10 dhe 14 të e.s., raporton Phoebe Zhang për South China Morning Post./KultPlus.com
Feneri i fundit i banuar i Francës ka marrë statusin e UNESCO-s
Feneri Cordouan është i fundit i banuar në Francë dhe vetëm i dyti, pas Kullës së Herkulit në La Coruña në Spanjë, që do të shtohet në listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco, transmeton KultPlus.
Cordouan u ndërtua në fund të shekullit të 16-të dhe mbikëqyr Oqeanin Atlantik nga gryka e grykëderdhjes Gironde në Francën jug-perëndimore./KultPlus.com
Komiteti ka votuar për ta hequr qytetin në veriperëndim të Anglisë nga statusi i tij për shkak të shqetësimeve rreth rizhvillimit, veçmas në bregun e tij
Liverpooli ka përjetuar një moment të rrallë palavdie të mërkurën me rastin e heqjes së tij nga lista e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, pasi e kishte fituar 17 vjet më parë, për shkak të shqetësimeve mbi zhvillimet në qytet, më së shumti në bregdetin e tij të famshëm.
Vendimi është bërë në Fuzhou të Kinës, pas një votimi të fshehtë nga komiteti i UNESCO-s, duke mbështetur rekomandimin e bërë në qershor për ta zhveshur Liverpoolin nga statusi i tij i mbrojtur, një lëvizje kjo që do të jetë goditje për prestigjin e qytetit që po orvatet ta rivitalizojë veten në vitet e fundit. Richard Kemp, kryetar i partisë më të madhe opozitare në Këshillin e qytetit, e ka përshkruar humbjen e statusit si “ditë e turpit për Liverpoolin”.
Një raport i publikuar në qershor nga komiteti shprehte “keqardhje të thellë” dhe theksonte se zhvillimet në qytet dhe në bregdetin e tij kanë “përftuar një përkeqësim serioz dhe humbje të pakthyeshme të atributeve”, si dhe “humbje të ndjeshme të autenticitetit dhe integritetit të tij”.
Liverpooli e fitoi statusin e tij në trashëgiminë botërore më 2004, në përnjohje të historisë së tij tregtare e detare, të reflektuar në një arkitekturë madhështore. Si një prej qendrave më të mëdha të tregtisë botërore në shekujt 18-të dhe 19-të, Liverpooli krijoi mirëqenien e tij kryesisht prej tregtisë transatlantike me skllevër.
Lista e trashëgimisë është e krijuar për të përnjohur dhe ruajtur monumentet, ndërtesat dhe vendet e tjera, ku shtetet anëtare, në mënyrën më të madhe të mundshme, janë të obliguara t’i ruajnë.
Vetëm dy vende të tjera kanë humbur statusin e tyre të trashëgimisë: strehimorja arabe e Oryxit në Oman, më 2007, pasi një numër oriksësh (një antilopë e madhe – v.j.) nisën të pakësoheshin në mënyrë të thiktë dhe Qeveria e kufizoi madhësinë e strehës për 90 për qind; si dhe “Dresden Elbe Valley” në Gjermani, dy vjet më vonë, për shkak të ndërtimit të një ure që kalonte përmes saj.
Në rastin e Liverpoolit, shqetësimi është fokusuar pjesërisht në planin rigjenerues, në vlerë prej 7 miliardë dollarësh, për bregun historik. Projekti përfshin apartamente luksoze dhe ndërtesa të larta, duke ngritur shqetësime se ato mund të rrezikojnë vijën qiellore dhe arkitekturën e tij, duke bërë që qyteti të vendosej në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik më 2012.
Në një deklaratë, bashkiakja e Liverpoolit, Jonne Anderson, ka thënë se ajo është “fort e zhgënjyer dhe e shqetësuar” nga vendimi i së mërkurës.
“Vendi ynë i trashëgimisë botërore nuk ka qenë kurrë në një gjendje më të mirë duke përfituar me qindra miliona funta investime gjatë dhjetëra ndërtesave të listuara dhe domenit publik”, ka thënë ajo. “Ne do të punojmë me Qeverinë për të shqyrtuar mundësinë nëse mund të apelojmë, por çfarëdo që ndodh Liverpooli do të jetë gjithmonë një qytet i trashëgimisë botërore”.
Kim Johnson, ligjvënëse kombëtare, distrikti i së cilës përfshin edhe bregdetin në fjalë, ka thënë në Twitter se vendimi ishte thellësisht zhgënjyes, por Liverpooli do të “vazhdojë të rritet e të zhvillohet si qytet që sjell rigjenerim për të gjithë”.
Ajo ka shtuar: “Vetëm shpresojmë që ne do të respektojmë bregdetin tonë mjaftueshëm sa për të mbështetur dizajnin e mirë që plotëson vijën tonë qiellore me famë botërore”.
Një zëdhënës i Qeverisë britanike ka shprehur gjithashtu zhgënjim, duke shtuar se Qeveria ende beson se Liverpooli e meriton statusin e Trashëgimisë së Mbrojtur “duke marrë parasysh rolin e ndjeshëm që limanet historike dhe pjesa tjetër e qytetit ka luajtur gjatë historisë”.
Liverpooli përftoi mirëqenie të lartë si një pikë tregtare gjatë shekujve 18-të e 19-të, përfshirë edhe atë si porti mbizotërues britanik në tregtinë transatlantike të skllevërve. Qyteti kontrollonte 40 për qind të tregtisë së skllevërve në fund të shekullit të 18-të.
“Liverpooli shpesh është quajtur si ‘kryeqytet botëror i skllavërisë’, për shkak se ishte qyteti-port më i madh në Evropë në tregtinë me skllevër në shekullin e 18-të derisa ndodhi ndalimi ligjor i kësaj tregtie më 1807”, ka thënë Sarah Moody, historiane në Universitetin e Bristolit. International Slavery Museum u hap më 2007 në Royal Albert Dock në zemër të vendit të trashëgimisë së mbrojtur.
Qyteti thotë që 40 për qind e gjithë tregtisë botërore kalonte nëpërmjet portit të tij në fillim të shekullit të 19-të dhe i ruajti pasurinë dhe statusin e tij gjer në fillim të shekullit pasues. /koha/ KultPlus.com
Liverpulit në Mbretërinë e Bashkuar iu hoq statusi i Trashëgimisë Botërore, pasi një komitet i Kombeve të Bashkuara konstatoi se zhvillimet atje e kërcënojnë vlerën e qytetit.
Vendimi u mor pas një votimi të fshehtë nga komiteti i UNESCO-s në një takim në Kinë.
UNESCO – agjenci për kulturë, arsim dhe shkencë e Kombeve të Bashkuara – tha se zhvillimet e reja, përfshirë stadiumin e ri të planifikuar të klubit futbollistik Everton, kanë rezultuar me një “përkeqësim serioz” të qytetit historik.
Kryetarja e bashkisë së qytetit tha se vendimi është “i pakuptueshëm”.
“Lokacioni ynë i Trashëgimisë Botërore nuk ka qenë kurrë në gjendje më të mirë”, tha Joanne Anderson.
Ajo tha se do të bisedojë me Qeverinë britanike për të parë nëse qyteti mund ta apelojë vendimin, i cili, sipas saj, vjen “një dekadë pasi UNESCO e vizitoi për herë të fundit Liverpulin”.
Qeveria tha se është “jashtëzakonisht e zhgënjyer” dhe se beson se Liverpuli ende e meriton statusin e tij të Trashëgimisë Botërore, “marrë parasysh rolin e rëndësishëm që doket historike dhe qyteti kanë luajtur gjatë gjithë historisë”.
Liverpulit i është dhënë statusi i Trashëgimisë Botërore në vitin 2004.
Ai është vendi i tretë që e humb atë, prejse ka nisur përpilimi i listës në vitin 1978.
Shenjtërorja arabe Oryx në Oman e ka humbur në vitin 2007, ndërsa Lugina Dresden Elbe në Gjermani më 2009. / Express / KultPlus.com
Komiteti i “UNESCO”-s për Trashëgiminë Botërore kërkon ndërprerjen urgjente të punimeve në Bypass-in e Gjirokastrës. Rezoluta vë në dukje se një informacion i dërguar nga një palë e tretë, jo nga qeveria shqiptare “skicon një situatë shumë shqetësuese të projektit”.
Ata theksojnë se, sipas dëshmive, projekti do të ketë një “ndikim negativ në vlerat e zonës”. Në janar të 2021-shit, qeveria paraqiti një kërkesë për rishikimin e një propozimi të rihartuar për projektin e Bypass-it.
“UNESCO” kërkoi informacion shtesë, por qeveria shqiptare nuk arriti t’i përgjigjej. Së shpejti pritet që të vijë edhe një mision monitorimi për të vlerësuar nëse ndërhyrjet kanë dëmtuar “vlerat e trashëgimisë kulturore”.
“UNESCO” i rekomandoi Shqipërisë që të ndalojë këtë projekt derisa një mision të vlerësojë ndikimin e tij në vlerat universale të zonës dhe të bëjë rekomandime e duhura.
Ky vendim është botuar në projekt-rezolutë para Sesionit të 44-të të takimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që zhvillohet midis 16 dhe 31 korrik në Kinë./ Abcnews.al / KultPlus.com