Përfaqësues nga 44 shtete, më 16 nëntor 1945, u mblodhën në Londër për të “ndërtuar paqe në mendjen e njerëzve”, për të krijuar një organizatë që do të mishëronte një kulturë të mirëfilltë paqeje, mbështetur në solidaritetin intelektual dhe moral të njerëzimit për të parandaluar shpërthimin e një lufte tjetër botërore.
Në këtë konferencë u themelua UNESCO, akronim në gjuhën angleze për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
Kushtetuta e UNESCO-s, nënshkruar më 16 nëntor 1945, hyri në fuqi një vit më vonë, pas ratifikimit nga 20 vende: Australia, Brazili, Kanada, Kina, Çekosllovakia, Danimarka, Republika Dominikane, Egjipti, Franca, Greqia, India, Libani, Meksika, Zelanda e Re, Norvegjia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Turqia, Britania e Madhe dhe SHBA.
Sesioni i parë i Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s u mbajt në Paris nga 19 nëntor-10 dhjetor 1946 me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 30 vende me të drejtë vote.
Përndryshe, Kosova në vitin 2015 ka aplikuar në këtë organizatë, por nuk ka arritur të anëtarësohet për tri vota. / KultPlus.com
Figura iluministes së shquar shqiptare Parashqevi Qiriazi ka frymëzuar edhe drejtuesit e UNESCO-s për ta përfshirë atë në kalendarin e jubileve të mbështetur nga kjo organizatë për vitin 2020. Pritet që së shpejti Parashqevi Qiriazi të prezantohet në UNESCO.
Në vitin 1919, Qiriazi lundroi nga Nju-Jorku në Francë (për Paris) si delegatja e vetme femër shqiptare në Konferencën e Paqes, kur po rishkruhej harta politike e botës.
Aty, kjo grua 152-centimetra qëndroi dallueshëm, si një Skënderbe në një det burrash politikanë.
Europianët u çuditën se “Shqipëria e prapambetur” (siç pohonin grekët etj) ishte aq e “emancipuar” sa kishte dërguar një përfaqësuese femër të këtij niveli.
Një libër dedikuar historisë së Parashqevi Qiriazi “Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919” vjen nga shkrimtarja Teuta Toska. Çfarë bëri ajo në kohën e lirë? Me kë shoqërohej? Cili ishte mendimi i saj për politikanët e kohës dhe për burrat në përgjithësi? Këto zbulohen në këtë libër, ku autorja paraqet jo vetëm këto, por edhe zgjidh enigma që as nuk dinim që ekzistonin, lidhur me veprimtarinë politike dhe arsimore të Parashqevisë. Ky libër 500-faqësh, që do të dalë në fund të këtij viti, do të befasojë studiues, do të ndriçojë historinë e Shqipërisë politike në fazat më kritike të fillimit të saj dhe, më e mira, do të frymëzojë çdo femër shqiptare dhe do të sfidojë çdo mashkull shqiptar të qëndrojë sa më tepër si burrë e atdhetar.
Gjithashtu “Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve” në Shkup ka pasuruar fondin botues me librin më të ri “Ditari i Parashqevi Qiriazit – Ditët e mia në Konferencën e Versajës”, tërësisht i panjohur për opinionin e gjerë.
Të dy librat janë botuar më rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Parasheqevi Qiriazit.
Ditari i lënë në dorëshkrim nga Qiriazi, dëshmon për punën e palodhshme të kësaj ilumniniste shqiptare, e cila kësaj radhe na paraqitet si dëshmitare e gjallë e një prej ngjarjeve më vendimtare për fatet e popullit shqiptar, siç ishte Konferenca e Versjajës e vitit 1919/20.
Figura emblematike e Parashqevi Qiriazit këtu ndriçohet dhe plotësohet me detaje fare të panjohura, përmes të dhënave autentike që ajo na i prezanton në ditarin e saj dhe ajo përligj zërin më përfaqësues të gruas së shquar shqiptare, e cila, siç mund të shihet nga dëshmitë e ofruara, del të jetë edhe themeluese e diplomacisë shqiptare. Parashqevi Qiriazi ishte delegate e Konferencës së Versajes dhe ditari i saj zbulon dritë-hijet e kësaj konference përmes syrit vëzhgues dhe mjaft aktiv të saj.
Ditari i Parashqevi Qiriazit nuk është thjeshtë kujtim personal i një gruaje që spikati shumë anë të njohura e të panjohura të kësaj Konference, por është edhe fryma dhe konteksti i kohës, të shqiptarëve në raport me Fuqitë e Mëdha, sidomos me SHBA-të, ku shqiptarët, me të drejtë kishin varur të gjitha shpresat./ KultPlus.com
Vallja e Tropojës është po aq e lashtë sa dhe vetë populli që e përfaqëson. Etnokoreografi Skëndër Haklaj tregoi se që prej vitit 2019 po përpiqet që ky kërcim të jetë pjesë edhe e UNESCO-s, sepse kjo valle është një pasuri e çmuar kombëtare. Ai u shpreh se jemi në rrugë të mbarë por shkak për të penguar punën është bërë vetëm pandemia.
‘’ Është fat i madh që ministria e ka marrë në dorë, dje pata takim me zv/ministren për këtë punë, është akorduar fondi, është caktuar grupi i punës shkencore që duhet të plotësohet dosja përfundimtare, janë bërë shumë filmime, ka momente që na del ndonjë problem dhe unë lëvizjet i kam të gatshme tashmë, dhe grupet i kam shumë të gatshme, dhe ata në Tropojë e duan shumë dhe fati më i madh është që Tropojanët e duan vallen’’ tha ai.
Ndër të tjera, ai tregoi se pothuajse të gjithë bëjnë gabim duke e ngatërruar vallen e Tropojës me atë të Rugovës:
‘’ Faktikisht kjo është futja në punë e një shteti tjetër, se Kosova po quhet shtet tjetër….ka motiv tjetër, ka kërcim tjetër se mbi Rugovën është edhe Shota dhe nëqoftëse nuk e dallon në Tropojë me këto bëhet pastaj një tallava që ka shkatërruar muzikën shqiptare , tallvaja e ka shkatërruar. Ai që ka e futur në youtube e ka bërë gabim, po ta takoja do t’i thosha hiqe more djalë se nuk është kjo, nuk është muzika. Rugova mund të zemërohet, por është shumë e çuditshme se nuk kemi nevojë të marrim ne kemi thesarin në Tropojë, e kemi aq shumë sa për ta na e marrë nuk biem defiçit’’ u shpreh ai.
Dosja e “Kcimit të Tropojës” për në UNESCO është në fazën e plotësimit të formularit, i cili do të dorëzohet në muajin mars 2021 për në UNESCO/Shqiptarja.com./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mori sot pjesë në ngjarjen kulturore në të cilën u promovua diversiteti ynë i pasur kulturor, përmes veshjes tradicionale dhe punimeve artizanale në Parkun arkeologjik “Ulpiana”.
Pasi përshëndeti të pranishmit, kryeministri Hoti tha se sot është edhe obligim institucional me qenë bashkë me ministren e Kulturës, por edhe kënaqësi me qenë në këtë ambient për t’i parë vajzat, djemtë, burrat e gratë që i prezantojnë veshjet e trevave të ndryshme shqiptare edhe të komuniteteve që jetojnë në Kosovë që e përbëjnë gjithë atë koloritin dhe trashëgiminë kulturore jo vetëm të Kosovës por edhe të Evropës dhe mbarë botës.
“Është ngjarje shumë e mirë që sot në këtë vend historik mijëra vjeçar bashkë edhe me Manastirin e Graçanicës edhe plot pasuri tjera historike kulturore të Kosovës që përbëjnë histori edhe trashëgimi botërore, të jemi bashkë ne promovimin e këtyre veshjeve kombëtare. Ndjehemi mjaftë të nderuar që kjo trashëgimi e jona nxitë interesim edhe të studiuesve, studentëve, profesorëve nga Kili, India, e nga vendet e ndryshme të botës”, u shpreh kryeministri Hoti.
Kosova së shpejti do ta ketë vendin në hartën e UNESCO-s, tha kryeministri Hoti duke u shprehur i bindur që me eskpertizën që e kemi, me këtë pasuri dhe me kujdesin e jashtëzakonshëm që ka Ministrja e Kulturës në nivelin lokal dhe këtu në nivelin qendror.
“Ne shpejt duhet të lëvizim drejt anëtarësimit edhe në organizata ndërkombëtare për të promovuar më shumë kulturën tonë edhe diversitetin kulturor që e kemi si Kosovë”, theksoi kryeminitri Hoti duke përgëzuar Ministren e Kulturës, Vlora Dumoshi, për këtë organizim dhe në veçanti studentët nga vendet e ndryshme që sot na nderuan dhe na bënë pjesë të komunitetit të trashëgimisë së kulturore dhe arekologjike në nivel botëror”./ KultPlus.com
Berati, ose siç njihet ndryshe ”qyteti i një mbi një dritareve”, është një qytet simpatik i UNESCO-s, plot shtëpi të epokës otomane, struktura mbresëlënëse të kështjellës dhe kishave mistike dhe xhamive, të vendosura në krah të kodrave dhe maleve që kanë në mes lumin Osum, shkruan faqja e njohur turistike, bucketlistly.blog.
Berati është një qytet që nuk duhet ta humbisni kur vizitoni Shqipërinë.
Eksploroni Kalanë e Beratit
Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit. Kalaja është më e madhe se sa duket nga qyteti. Mund të kaloni disa orë duke zbuluar të gjitha kishat bizantine dhe xhamitë osmane brenda kështjellës. Rruga deri në kështjellë nga qyteti është mjaft e pjerrët dhe në mes të nxehtit të verës së Shqipërisë mund të jetë mjaft e padurueshme të ngjitesh në kështjellë gjatë ditës, kështu që shkoni më mirë pasdite atje. Duke parë peizazhin përreth, do të vini re dy male në të dy anët e lumit Osum. Ata janë Tomori dhe Shpiragu. Legjenda thotë ka se këto dy male ishin dikur gjigantët që luftuan me njëri-tjetrin për të fituar zemrën e një gruaje në Berat.
Admironi Kishën e Trinisë së Shenjtë
Brenda mureve të kalasë së Beratit, ndodhet një kishë e jashtëzakonshme, Kisha e Trinisë së Shenjtë. Kjo kishë është një vizitë e domosdoshme nëse jeni të interesuar të shihni një shembull të shkëlqyeshëm të ndikimit të madh të Perandorisë Bizantine të lënë në këtë zonë. Kjo kishë bizantine mesjetare u ndërtua diku midis shekullit XIII dhe XIV.
Vizitoni xhamitë dhe kishat e tjera në Berat
Shumë civilizime kanë arritur të bashkëjetojnë në Berat për shekuj dhe ju mund ta shihni atë nga të gjitha xhamitë dhe kishat që do të gjeni atje. Ka edhe disa kisha dhe katedrale të tjera që duhet t’i shikoni. Aty ndodhen Kisha e Shën Teodorit dhe Kisha e Shën Mërisë si edhe Katedralja e Shën Dhimitrit, e vendosur në skajin lindor të bulevardit ”Republika”. Për xhamitë, ju do të gjeni Xhaminë e Plumbit jo shumë larg nga Katedralja e Shën Dhimitrit si edhe Xhaminë Mbret.
Shëtisni natën në bulevardin ”Republika” dhe përjetoni një xhiro fantastike
Pas perëndimit të diellit, sigurohuni që të shëtisni përgjatë bulevardit ”Republika” dhe të provoni ”xhiron”, një traditë shqiptare pasi bie dielli, ku i gjithë qyteti do të mblidhet së bashku në një bulevard dhe do të ecë lart e poshtë rrugës duke u shoqëruar me njëri-tjetrin. Me njerëz jashtë, duke luajtur shah në natyrë, duke folur me njëri-tjetrin ndërsa ecin lart e poshtë, na duhet të themi se nuk kemi parë kurrë një traditë si kjo. Ajo që jo shumë njerëz e dinë është se bulevardi ”Republika” është gjithashtu vendi më i mirë për të bërë një foto të Beratit.
Vizitoni Muzeun Etnografik
Muzeu Etnografik është një vend i shkëlqyeshëm për të vizituar nëse dëshiron të mësosh për historinë e Beratit dhe kulturën shqiptare. Pamja është gjithashtu e mahnitshme nga ballkoni i muzeut, me pamje nga qyteti. Është një vend i shkëlqyeshëm për të ndaluar për një orë pasi të keni zbritur nga kështjella.
Kanionet e Osumit
Nëse keni një ditë tjetër për të pushuar, ju rekomandojmë ta kaloni atë ditë në natyrë dhe të eksploroni peizazhin përreth të Beratit. Kanioni i Osumit është kanioni më i madh në Shqipëri. Është gjithashtu një shans për ju që të pushoni dhe të notoni në kanion. /atsh/ KultPlus.com
Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë̈ Kulturore Jo Materiale, vendosi shtimin e listës së pasurisë sonë shpirtërore, e cila merret në mbrojtje nga shteti.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bën të ditur se listës për t’u mbrojtur nga shteti i janë shtuar “Kcimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, “Rituali i lashtë i shtegëtimit të bagëtive”, “Xhubleta si teknologji dhe dijebërje artizanale unikale dhe format e përdorimit të saj, “Kcimi i Logut”, Eposi i Kreshnikëve i kënduar dhe shoqëruar me lahutë”, etj.
Margariti shprehet se këto janë të denja për t’u kandiduar edhe si “Kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit”, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Sipas saj, tashmë po punohet për plotësimin e dosjeve, në mënyrë që të mund të kapin afatet e kandidimit.
”Populli ynë ka një traditë mjaft të pasur në këngë, valle, doke, zakone, zejtari, të cilat në epokën e vrullshme të globalizimit dhe teknologjisë rrezikojnë të zhduken. Por pikërisht, këtë të fundit, ne do ta shfrytëzojmë për të ruajtur traditën, ta mbledhim, ta regjistrojmë, digjitalizojmë, ta bëjmë të aksesueshme për studiuesit, por mbi të gjitha, t’ua përcjellim brezave”.
Një ditë më parë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila zhvilloi një takim me banorët e Malësisë së Madhe, tha se është e pafalshme që qeveria ”Rama 2” që nuk ka bërë asgjë këto vite për regjistrimin e Lahutës dhe ”Eposit të Kreshnikëve” si pasuri kombëtare në UNESCO. / atsh/ KultPlus.com
Keqardhje e thellë për vendimin e autoriteteve turke, të marrë pa diskutime paraprake, për të ndryshuar statusin e Shën Sofisë nga muze në xhami, pas një vendimi të gjykatës turke të publikuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, thuhet në një njoftim të UNESCO-s.
“Shën Sofia është një kryevepër arkitekturore dhe një dëshmi unike e ndërveprimeve midis Europës dhe Azisë ndër shekuj. Statusi i tij si një muze pasqyron natyrën universale të trashëgimisë së saj dhe e bën atë një simbol të fuqishëm për dialog”, tha drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s Audrey Azoulay.
Gjykata turke anuloi dje një vendim të 24 nëntorit të vitit 1934, sipas të cilit xhamia e Shën Sofisë shndërrohej në muze.
Ndërkohë, zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin deklaroi se Shën Sofia do të vazhdojë të jetë pjesë e trashëgimisë botërore dhe e hapur për vizitorët.
”Hapja e Shën Sofisë për adhurim nuk i heq statusin e trashëgiminë botërore”, deklaroi Kalin./ atsh/ KultPlus.com
Mbi 100 botime përfshirë libra, fakte historike, harta, fotografi artikuj të gazetave për Shqipërinë në periudha të ndryshme historike, vijnë online për lexuesit shqiptarë kudo në botë.
Në këto ditë të izolimit, organizata ndërkombëtare UNESCO ka hapur e bibliotekën së saj digjitale për të gjithë qytetarët anë e mbanë botës.
Në arkivin e kësaj biblioteke gjenden dokumente të shumta arkivore, fotografi, artikuj e studime mbi aspekte të ndryshme të jetës shoqërore, politike e ekonomike të Shqipërisë.
Pjesë e kësaj biblioteke është edhe vepra “Historia e Skënderbeut” nga Marin Barleti.
Biblioteka është një trashëgimi e mirëfilltë. Në fondin e saj ruhen gati 20 mijë skedarë nga artikujt historikë, të cilët e kanë origjinën nga 193 vende të ndryshme të botës. Të gjitha materiale që ofrohen për lexuesit në shtatë gjuhë të botës.
Biblioteka dixhitale është projekt i Bibliotekës së Kongresit Amerikan, i realizuar me mbështetjen e UNESCO dhe në bashkëpunim me bibliotekat, arkivat, muzetë, institucionet arsimore dhe organizata ndërkombëtare nga e gjithë bota.
Qëllimi i saj është të vendosë në dispozicion në internet, falas dhe në disa gjuhë, materiale parësore të rëndësishme nga të gjitha vendet dhe kulturat e botës.
Materialet e gjendura në fondin e kësaj biblioteke kanë si qëllim promovimin ndërkombëtar dhe ndërkulturor si dhe zgjerimin e aksesit të informacionit mbi materialet për kulturat e vendeve të ndryshme të botës.
Kjo bibliotekë virtuale është krijuar në vitin 2010. /atsh/ KultPlus.com
UNESCO njoftoi se i ka kërkuar Belgjikës sqarime në lidhje me disa vizatime me përmbajtje antisemite që, sipas institucionit, mund të përdoren gjatë edicionit të vitit 2020 të Karnavaleve të Alostit, duke nxitur kështu zemërimin e organizatave hebreje.
Karnavalet e Alostit, që do të zhvillohen në fund të shkurtit në këtë qytet flamand mes Gentit dhe Brukselit, që prej vitit 2010 janë në listën e trashëgimisë njerëzore të UNESCO-s.
Por, ato kërcënohen të hiqet nga UNESCO për shkak të polemikave që shenjuan edicionin e vitit 2019, kur në paradë sfiloi një karrocë me karikatura të hebrenjve ortodoksë të ulur mbi thasë të mbushur me florinj. Alsat.tv /KultPlus.com
“Manteli me pupla” dhe “Merimanga e tokës” ishin dy pjesët e interpretuara mbrëmjen e së dielës, nga Teatri Japonez Noh, pasuri Jomateriale e Trashëgimisë Kulturore Botërore, UNESCO.
Për gati dy orë pjesëmarrësit kanë shijuar interpretimin e artistëve, shoqëruar me instrumente dhe britma. Sinkronizimi, paraqitja skenike mjaft e lartë, kostumet, mbajtën nën emocione publikun që ka shijuar çdo moment të një shfaqje që të kthente sa larg në kohë dhe afër realitetit. Festivali “Takimet Muzikore të Dy Botëve” në edicionin e tij të 13-të bëri të mundur që për herë të parë publiku shqiptar të prekte magjinë e Teatrit Noh.
Ambasadori i Ambasadës Japoneze akredituar në vendin tonë Makoto
Ito, Kryepeshkopi Anastas, drejtues të institucioneve më të rëndësishme të
artit dhe kulturës në Shqipëri, artistë, miq të artit, përfaqësues të
ambasadave të ndryshme, etj, mbushën mbrëmjen e së dielës sallën e Qendrës
Kultrore të Katedrales Orthodokse.
Ilda Mara, drejtuesja e Shoqatës Franko-Shqiptare “Argjiro” pasi falënderoi
të gjithë ata që mundësuan realizimin e këtij festivali, bëri një përmbledhje
të rrugëtimit artistik të tij dhe që këtë vit ka arritur plotësisht të
ndërthurë dy botë në një, të gërshetojë traditën dhe identitetin me klasiken.
Përshëndetje solli në këtë mbrëmje dhe Ambasadori i Japonisë në
vendin tonë, Makoto Ito. Si rezultat i bashkëpunimit mes Ambasadës Japoneze dhe
“Argjiro” u bë e mundur që Teatri Noh të mbërrijë në Shqipëri.
“Unë jam shumë i kënaqur që dhe publikut shqiptar i krijohet
mundësia të njoh traditën tonë të dramës, Noh, atë traditë që familjet tona në
shumë breza e kanë praktikuar, e kanë ndjekur, kush më shumë e kush më pak, por
askush nuk e ka harruar, ndaj dhe jam shumë i gëzuar që dhe në Shqipëri
mbërriti, Noh”, u shpreh për publikun Ambasadori i Japonisë në vendin tonë,
Makoto Ito.
Me titra që shfaqeshin në ekran, mistiken që përfaqësojnë dhe një
paraqitje skenike mjaft të lartë, Teatri Noh, nisi interpretimin e pjesëve, të
cilat kombinoheshin më mënyrë perfekte me instrumentet, veshjet, dhe një mori
aksesorësh që mbushën sallën.
Drama e një peshkatari, që një ditë të jetës së tij gjen mantelin
e një zane, të cilin ja rikthen dhe fal kësaj gjiri ku ai jetonte merr lutje
për bukuri dhe shpresë prej këngës së saj, ishte pjesa e parë që teatri Noh,
interpretoi dhe që u prit me mjaft kërshëri nga publiku.
Ndërsa, më pas publiku u njoh më shumë me instrumentistët e
Teatrit Moh. Me anë të një përmbledhje që solli me fjalë të shpjeguara dhe me
interpretime se si katër instrumentistët, një artist me fyell dhe tre me daulle
mund të kombinohen më mënyrë perfekte mes tyre pa pasur dirigjent dhe aq më
shumë kur muzika shoqërohet me britma.
“Merimanga e tokës” kishte në fokus një Lord që ndërsa sëmuret në
mënyrë të mistershme një natë vizitohet nga një merimangë monstruoze, e cila e
sulmon, por përballet me shpatën e Lordit, i cili e lëndon. Në lojë hyn më i
besuari i Lordit dhe njerëzit e tij. Ai zotohet se do ta vras merimangën dhe
gjurma e çon në një gurë mali, i cili çahet dhe prej andej del merimanga
monstuoze, e cila përpiqet të mashtrojë me rrjetën e saj, por në fund i pritet
koka.
Me një gjuhë japoneze të lashtë dhe me këtë formë arti të
kombinuar mes traditës dhe modernes, Noh, tregoi se si jeta triumfon, se si ëndrrat
na shoqërojnë çdo ditë të saj, se si nëpërmjet artit mund të kuptohemi kaq mirë
me njëri tjetrit, por dhe me ata që ndodhen në botën tjetër.
Me një interpretim dinjitoz, kostume shumë ngjyrëshe që i përshtateshin pjesëve dhe instrumentet që e shoqëronin, teatri Noh, mori duartrokitje nga publiku shqiptar, i cili fal Festivalit “Takimet Muzikore të Dy Botëve”, mundi ti shijonte në Tiranë./ KultPlus.com
Studiuesi Zymer Neziri, mes rapsodëve nga të gjitha trevat shqipfolëse, prezantoi në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë studimin e një jete. Ai e cilëson folklorin shqiptar, pasuri të përmasave të jashtëzakonshme, që duhet që ta nderojnë të gjithë se janë rrënjët edhe identiteti ynë, pavarësisht se në Kosovë edhe në Shqipëri ka pushtetarë shqiptarë që nuk e vlerësojnë sa duhet folklorin. Megjithatë, studiuesi i njohur shpreson që të vazhdojnë të bëhen përpjekje për futjen e lahutës, gjurmët e së cilës janë mbi 2000-vjeçare, për futjen e sa në UNESCO, ashtu sikundër ndodhi para disa muajsh edhe me guslën serbe.
“Çfarë të them?! Dua që të them se po presim ditë më të mira. Këto ditë kanë nisur në dhjetorin e vitin që shkoi, kur ndodhi ajo që ndodhi me projektin serb për lahutën, e cila u pranua në UNESCO. Dosja tani është në Tiranë, por nuk e di gjendjen e saj të saktë. Ajo që mungon do të plotësohet edhe shpresoj, që së shpejti dosja të marrë rrugën e vet në drejtim të Parisit”, shprehet profesor Neziri.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe lahutarë nga Kosova. Ata u bëjnë thirrje, të gjithë intelektualëve shqiptarë, që të bëhen bashkë edhe të punojnë, që Eposi i Kreshnikëve edhe lahuta, të futet në UNESCO sa nuk është vonë.
“Ne jemi paksa të vonuar. Faji është tek ne jo tek të tjerët. Nuk duhet që të krahasohemi me serbët apo malazezët, por ne jemi të vonuar si komb. Kemi pasur mundësi që të reagojmë më herët, por i kemi lënë pas dore, ashtu siç po lëmë pas dore edhe xhubletën. Nuk shkohet në UNESCO me duar në xhepa. Shqipëria është në UNESCO, përse mos të shfrytëzohet kjo, të shkruhet e folura, ritet, këngët, vallet edhe instrumentet. Ne na i marrin këto vlera, sepse rrimë duarkryq. Vetëm së bashku mundet që t’i ruajmë të gjitha, veçmas nuk mundet që të ruajmë asgjë”, shprehet lahutari Vesel Nikçi, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Ansamblit Folklorik “Rugova”.
Isë Elezi edhe Rustem Bajramaj, janë dy nga lahutarët më të njohur në mbarë trevat shqiptare. Teksa rrëfejnë eksperiencën e tyre, si lahutar, që prej vegjëlisë, dëshirojnë që kjo traditë të vazhdohet edhe tek brezat pasardhës
“Ne nuk kemi punuar, ndoshta edhe ne mund të na pranojnë, sepse ne nuk ua marrim serbëve, as ata neve, sepse lahuta është e globit”, thotë Isë Elez Muriqi, lahutari që di mbi 30 mijë vargje.
Rustem Bajrami, lahutari 90-vjeçar, që ka marrë udhën nga Kosova, për të qenë prezent në Tiranë, shprehet se: “ Unë lus kombin shqiptar, që mos të humb veten, të duan njëri-tjetrin edhe mos të duan armikun…”.
Profesor Neziri, i cili numëron rreth 40 vite punë edhe kërkime mbi Eposin e Kreshnikëve ndalet edhe tek emergjenca që duhet bërë për ruajtjen e kësaj tradite, sepse ndonëse në trevat tona janë rreth 300 bartës të eposit të kreshnikëve, vetëm 2 rapsodë dinë rreth 10 mijë vargje.
“Para 40 vitesh 8 lahutarë dinin mbi 10 mijë vargje, sot janë vetëm dy bartës të Eposit të Kreshnikëve. Pra gjendja nuk po ndryshon për të mirë, por është e mirë në krahasim me të tjerët, që nuk e kanë më. Ne kemi edhe 300 bartës të Eposit të Kreshnikëve që dinë mbi 100 mijë vargje. Të hapen kudo shkollat e lahutës, kemi edhe bartës të brezit të rinj, që në vijimësi do të vazhdojnë herë pas here. Unë fajësoj kohën, që ka vepruar kështu me shumë etnokultura, por në këtë rast s’fajësoj vetëm kohën, por edhe pushtetin lokal edhe qendror, që nuk i ruajnë si Monumente të rralla. Ata duhet që të kenë statusin e mbrojtjes shtetërore, edhe pension të shtetit, sepse shumica e tyre jetojnë keq, por shteti nuk është mbrapa tyre”, shpjegon studiuesi Neziri.
Në përfundim të ligjëratës në kuadër të projektit “Tragë” në Akademinë e Shkencave profesor Neziri u bënë thirrje institucioneve shtetërore, që të t’i mbrojnë këto vlera, të cilat përfaqësojnë identitetin tonë kombëtar./shqiptarja / KultPlus.com
Emigrimi i studentëve dhe punëtorëve të kualifikuar po shoqërohet me humbje të kapitalit njerëzor dhe kjo po ndikon negativisht te vendet e varfra. Shqipëria renditet ndër 10 vendet me hemorragjinë më të lartë të njerëzve të arsimuar, transmeton BW raportin e UNESCO-s.
Raporti i Monitorimit Global për Arsimin nga UNESCO për vitin 2019 i kushtoi vëmendje të veçantë faktit se si po ndikon emigracioni në sektorin e edukimit kudo në botë. Studimi gjeti se, shkalla e emigrimit të personave të arsimuar është mbi 20%, në rreth një të tretën e 174 vendeve. Në Shqipëri, deri në vitin 2010, kishin emigruar 26% të personave me aftësi të zhvilluara, raporton UNESCO.
Sipas studimit, Shqipëria dhe Malta renditen me përqindjen më të lartë të emigrimit të personave të arsimuar, ndërsa vendet e tjera të prekura nga ky fenomen janë kryesisht në Afrikë, të tilla si Eritrea, Grenada, Haiti, Sri Lanka etj. Lëvizja në këto nivele do të ketë pasoja të pafavorshme për zhvillimin ekonomik.
Ndihmat në formën e bursave nga donatorët për vendet e varfra, si edhe Shqipëria, mund ta përkeqësojnë këtë prirje, pasi studentët kanë prirje të mos kthehen. UNESCO sugjeron se ndihmat e donatorëve duhet të fokusohen në mbështetjen me logjistikë dhe me fonde tek universitetet në vendet e varfra. Vendet e varfra me emigracion të lartë të personave të arsimuar vuajnë edhe nga keqpërdorimi i fondeve publike për arsimin. Një vlerësim i Bankës Botërore zbuloi se rreth 18% e shpenzimeve publike të arsimit universitar në Afrikën Sub-Sahariane shkuan për bursa studimi jashtë vendit gjatë periudhës 2003-2008.
Sipas të dhënave të OECD-së, emigrimi i shqiptarëve të arsimuar në vitin 2010 dhe 2011 është rritur me 223% krahasuar me vitin 2000 dhe 2001. Kjo rritje ishte më e lartë se emigrimi për pjesë të tjera të popullatës me arsim të mesëm dhe të ulët. Një studim i profesorëve Ilir Gëdeshi dhe Russell King, për llogari të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD) i publikuar së fundmi, tregoi se Shqipëria renditet në mesin e 15 vendeve për emigracion të lartë të personave të arsimuar dhe me grada shkencore. / KultPlus.com
Qyteti i dashurisë dhe karnavaleve prej 118 ishuj të ndarë me kanale, Venecia është një nga destinacionet më atraktive në botë.
Bukuritë natyrore, arkitektura, kanalet, urat dhe trashëgimia kulturore-historike e bëjnë Venecian një nga vendet më të vizituara turistike në botë në të cilin ka lindur edhe artisti i njohur Antonio Vivaldi.
Çdo cep i Venecias përshkruan të kaluarën, më saktë kohën e karnavaleve. Venecia është një nga qytetet më të bukura në botë dhe gjendet në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s. Disa nga vendet më atraktive veneciane turistike janë edhe kanali Grande, ura Ponto Rialto dhe Bazilika Shën Mari. /KultPlus.com
UNESCO është organizatë ndërkombëtare që ruan dhe promovon objektet me rëndësi kulturore dhe historike anembanë botës. Kjo organizatë shpenzon shuma të majme jo vetëm për sigurinë e tyre por edhe për mirëmbajtjen dhe restaurimin e të njëjtave, shkruan KultPlus.com
Lista e objekteve mirëmbahet nga Programi i Trashëgimisë Botërore ndërkombëtar i administruar nga Komisioni i Trashëgimisë Botërore i UNESCO, i përbërë nga 21 shtete anëtare të UNESCO-s të cilat janë zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme.
Këto janë kriteret kulturore për të hyrë pjesë e listës së UNESCO-së:
“Paraqet një kryevepër gjeniale krijuese të njeriut ose
rëndësi kulturore”
“Ekspozon një shkëmbim të rëndësishëm të vlerave
njerëzore, në një hark kohor, ose brenda një zone kulturore në botë, në
zhvillimin e arkitekturës ose teknologjisë, artit monumental, planifikimit
urbanistik, ose dizajn të peizazhit”
“Të mbajnë një dëshmi unike ose të paktën të
jashtëzakonshme për një tradite kulturore apo një qytetërim i cili jeton apo
është zhdukur”
“Është një shembull i shkëlqyer i një lloji të ndërtimit,
arkitekturës, apo ansambël teknologjik apo peizazhin i cili ilustron një fazë
të rëndësishme në historinë njerëzore”
“Është një shembull i shkëlqyer i vendbanimeve njerëzore
tradicionale, shfrytëzimi i tokës, ose shfrytëzimi i detit që është një
përfaqësues i një kulture, ose ndërveprimi i njeriut me natyrën veçanërisht kur
ajo është prekur nga ndikim e ndryshimeve të pakthyeshme”
“Është e lidhur dukshëm ose drejtpërdrejt me ngjarje apo tradita që jetojnë, me ide, ose me besime, me veprat artistike dhe letrare të një rëndësie të jashtëzakonshme universale”. / KultPlus.com
Parku i Butrintit është përzgjedhur nga studentë të Universitetit të Bristolit në Mbretërinë e Bashkuar për të zhvilluar një seri leksionesh në formë filmike lidhur me praktikat e menaxhimit të trashëgimisë botërore.
Modeli shqiptar i menaxhimit të turizmit si dhe konceptet novatore që janë implementuar në Parkun e Butrinti është nominuar për çmimin Green Gown Award në Mbretërinë e Bashkuar.
Duke pasur për qëllim nxitjen e projekteve inovatore në sistemin e edukimit të lartë në të gjithë botën, për këtë çmim votojnë mbi 1 milion studentë.
Në praktikat e tyre mësimore, studentët e universitetit prestigjioz kanë përfshirë modelin e krijuar dhe të administruar nga Drejtoria e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, ku Auron Tare, aktualisht kreu i UNESCO-s për Komitetin Shkencor dhe Teknik për Trashëgiminë Botërore Nënujore ka shpjeguar praktika që ndiqen për mirëmenaxhimin e Butrintit.
Ky model kërkon të krijojë një lidhje sinergjike midis turizmit bregdetar dhe ekonomive lokale të zonave që fillojnë menjëherë pas vijës bregdetare të jugut. Pikërisht këto dy modele u përzgjodhën nga universiteti i njohur britanik për të qenë pjesë e një serie leksionesh mbi modelet më të mira botërore të turizmit të qëndrueshëm duke i përfshirë në programet mësimore.
“Një nga shqetësimet që ne kemi sot është numri i turistëve i cili kur ne filluam projektin 18 vite më parë kishim 2500 turistë në vit. Tani kemi 10 mijë turistë në vit shifër kjo që tregon se Butrinti po bëhet një pikë e suksesshme turistike”, shprehet Tare.ATSH
UNESCO ka shtuar 29 vende të reja nga e gjithë bota në listën e Trashëgimisë Botërore.
Vendet përfshijnë që nga ishuj të mbushur me jetë të egër, pallate të lashtë, shumë prej të cila ruajnë trashëgimi të lëna nga njerëzit e lashtë.
Territoret dhe Detet Australe Franceze, Francë, Kjo zonë në Oqeanin Indian përbëhet nga shumë ishuj, ku jeton një numër shumë i madh shpendësh dhe gjitarësh detarë. Territori prej 67 milionë hektarësh ka popullsinë më të madhe të Pinguinëve Mbret dhe të Albatrosëve Hundë-Verdhë.
Paratyand Ilha Grande, Brazil Kjo zonë përfshin një pyll tropikal të Brazilit, dhe një nga qytezat bregdetare që janë ruajtur më mirë në vendin latino-amerikan. Sipas UNESCO-s, aty jeton një larmi e madhe speciesh në rrezik zhdukjeje, si disa lloje jaguarësh dhe majmunësh.
Bagan, Myanmar, Vendi i shenjtë ka tempuj e manastire të lashta, si dhe vende pelegrinazhi që ruajnë vepra të veçanta të arkitekturës dhe artit budist.
Seouon, Akademitë neo-konfuciane të Koresë së Jugut. Vendi i shenjtë ka tempuj e manastire të lashta, si dhe vende pelegrinazhi që ruajnë vepra të veçanta të arkitekturës dhe artit budist. Ky vend përbëhet nga nëntë institucione arsimore të quajtura “seuonë”, ku nxënësit mësojnë të ndërveprojnë me mjedisin, gjë që shprehet shumë qartë në dizenjon e tyre.
Shkrimet në gur, Kanada. Ky vend në kufirin kanadez me SHBA-në ka gdhendje dhe vizatime të lëna nga vendasit e fiseve “Këmbëzinj”. Gjurmët arkeologjike datojnë që në vitin 1800 p.e.s.
Sot, Komiteti i Trashëgimisë Botërore, i cili po zhvillon sesionin e tij të 43-të, në Baku, Azerbajxhan përfshiu në Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s pjesën shqiptare të liqenit të Ohrit.
“Ndajmë me gëzim dhe krenari një lajm të mirë! Pas një pune shumëvjeçare, më në fund, “trupi” i Ohrit është i plotë në Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Sot, Komiteti i Trashëgimisë Botërore, i cili po zhvillon sesionin e tij të 43-të, në Baku, Azerbajxhan, miratoi zgjerimin e pronës: “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit”. Tanimë edhe pjesa shqiptare i përket trashëgimisë së mbarë botës”, tha Margariti.
Liqeni i Ohrit, një nga liqenet më të vjetër të botës, që ndodhet në Europën Juglindore, konsiderohet një nga rezervat më të mëdha të biodiversitetit dhe njëkohësisht një nga vendbanimet më të vjetra njerëzore në kontinent. Kombinimi i vlerave të dukshme natyrore, me cilësinë dhe diversitetin e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore e bëjnë këtë rajon vërtet unik. /KultPlus.com
A duhet që të merret xhubleta, në mbrojtje nga UNESCO? Koleksionistja dhe poetja Luljeta Dano, një jetë të tërë ja ka kushtuar kësaj pune. Për të xhubleta sot “nuk është e gjallë”!?
“Prodhimi i xhubletës tradicionale, me të gjithë parametrat
e saj, ka ndaluar në vitet 1950 apo 1960. Të prodhohet një xhubletë kërkonte
6-8 muaj. Më pas nuk janë prodhuar më. Natyrisht që në logun e bjeshkëve
shikojmë xhubleta për vajzat e vogla, që nuk kanë lidhje për prodhimin e
xhubletës”, shprehet Dano.
Por, sa ruhet kjo traditë në familjet malësore, aty ku xhubleta
në trajtë kambane, e valëzuar në pjesën e pasme, ruante identitetin e kombit
shqiptar?
“Ndërtimi i xhubletës është shumë i sofistikuar. Gjithë
areali, muzetë shqiptarë dhe koleksionet private kanë një numër që shkon deri
në qindra. Unë kam parë edhe në shtëpitë malësore që në qilarë kanë arka që
janë me xhubleta të paprekura. Pavarësisht se shumë xhubleta kanë dalë nga
tregjet e Shkodrës, Milotit edhe Krujës, është për t’u gëzuar që shumë xhubleta
janë edhe nëpër familje. Mendoj se edhe arkivi shtetëror ka rreth 33 xhubleta.
Koleksionet private shkojnë nga disa dhjetëra në qindra. Unë kam një
përzgjedhje të orientuar tek simbolika e xhubletave. E orientuar në
dekoracionin e tyre, duke përfshirë të gjithë elementët ndërtues të xhubletave
edhe stolitë”, rrëfen koleksionistja.
Dano tregon edhe se cila është puna që bën çdo ditë me
xhubletën për mirëmbatjen e saj.
“Unë punoj çdo ditë në lidhje më xhubletën duke e konservuar. Ajo ka shumë nevojë për mbrojtje nga mikroorganizmat, për botim dhe fotografim. Mendoj se xhubleta më e vjetër ndodhet në Muzeun e Njeriut dhe i përket shekullit të XVIII. Xhubletat më të vjetra që ndodhen në koleksionet shqiptare janë nga shekulli i XIX”, shpjegon më tej. /Shqiptarja/
Pasditen e së premtes u mbyll sesioni i 10 i UNESCO mbi trashëgiminë kulturore botërore. Kjo Konventë e njohur si konventa 2001 merr në mbrojtje të gjithë pasurinë kulturore nënujore dhe iu bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të ruajnë mbrojnë dhe promovojnë këtë trashëgimi.
Po kështu ky sesion zhvilloi zgjedhjet e reja për Këshillin teknik dhe shkencor ku vendet anëtare përzgjedhin kandidaturat që vijnë nga e gjithë bota shkencore e kërkimeve nënujore.
Midis kandidaturave me votim të fshehte Auron Tare rizgjidhet përsëri në këshillin shkencor dhe teknik të UNESCO organizmi më i lartë dhe i vetmi në botë që autorizohet nga Kombet e Bashkuara për të përfaqësuar vendet anëtare në fushën e trashëgimisë kulturore nënujore.
Ky këshill shkencor ka vetëm 12 anëtare dhe janë nga emrat më të njohur në botë të kësaj fushe.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO, Universiteti i Kombeve të Bashkuara dhe National Estate of Chambord (Francë) do të organizojnë një ngjarje ndërkombëtare në kështjellën në Chateau de Chambord solidaritet me komunitetet e Mosulit që po luftojnë për të rimarrë strukturën shoqërore të qytetit në veri të Irakut dhe për të rindërtuar monumentet e saj ikonike, të cilat u shkatërruan nga ISIS-i.
Kjo ngjarje do të mbahet më 26 të këtij muaji, shkruhet në njoftimin e UNESCO-s, përcjell Koha Ditore.
“Organizuar në kuadër të projektit të udhëhequr nga UNESCO-ja, ‘Ringjall shpirtin e Mosulit’ , ngjarja do të sjellë së bashku ekspertë, artistë dhe gazetarë të angazhuar për të ardhmen e Mosulit. Kontributi i tyre do të ndihmojë në formësimin e mëtejshëm të iniciativave të UNESCO-s”, shkruhet në njoftim.
Audrey Azoulay, drejtor i përgjithshëm i UNESCO-s, do të hapë konferencën së bashku me Jean d’Haussonville, drejtor i Château de Chambord dhe David Malone, rektori i Universitetit të Kombeve të Bashkuara. Daniel Rondeau, shkrimtar francez, ish-diplomat dhe anëtar i Akademisë franceze, gjithashtu do të marrë fjalën në hapje. Ati Najib Mikhael Moussa, arqipeshk i Mosulit që nga viti 2018, do të flasë për përpjekjet e tij për të shpëtuar prej ISIS-it dorëshkrimet e lashta dhe do të theksojë rolin që ka pasur komuniteti lokal në rimëkëmbjen e qytetit.
“Folës të tjerë të rëndësishëm në këtë eveniment janë edhe Dominique Charpin nga Kolegji i Francës, Susana Abdul Majid, aktore me origjinë irakiane që luajti në shfaqjen teatrale ‘Orestes’ në Mosul dhe të rinj nga qyteti që rrezikuan jetën e tyre për të informuar botën për ato që po ndodhnin gjatë okupimit”, shkruhet në njoftim.
Ambasadorët dhe delegatët nga UNESCO-ja po ashtu do të marrin pjesë në takim, siç do të bëjnë edhe hulumtuesit dhe dijetarët e rinj në fushën e studimeve për Mesopotaminë, historinë e artit dhe shkenca politike, artistët, shkrimtarët, muzikantët dhe aktorë të teatrit, si dhe përfaqësues të rinj të shoqërisë civile.
Kjo ngjarje kërkon të gjejë mbështetje në frymën apelit të suksesshëm të vitit 1960 për të shpëtuar tempujt e lashtë të Abu Simbelit dhe monumente të tjera të Egjiptit të Epërm. Duke përkuar me festimin e 500-vjetorit të fillimit të ndërtimit të Château de Chambord, kjo ngjarje shpall Mosulin si simbol të gjallë të diversitetit historik të Irakut dhe simbol të rezistencës në ditët e sotme, duke denoncuar urrejtjen kriminale dhe dhunën e ekstremizmit./Koha.net/
TIRANË, 18 qershor/ Në qytetin e Brestit në rajonin e Bretanjës në Francë po zhvillohet nga 17-19 qershor takimi mbi mbrojtjen e trashëgimisë botërore nënujore organizuar nga UNESCO.
Ky takim ka mbledhur ekspertë, studiues dhe politikbërës nga e gjithë bota për të përcaktuar hapat dhe politikat mbrojtëse të pasurive botërore nënujore.
Në panelin kryesor të takimit krahas Ministrit të Kulturës të Francës dhe Drejtoreshës së Përgjithshme të Unesco-s është vendosur Auron Tare, kryetar i Këshillit Shkencor të UNESCO-s për pasuritë botërore nënujore.
Shqipëria renditet shumë lart për zbulimet nënujore. Gjiri i Vlorës, Sarandës, Durrësit, Ksamilit, Karaburunit, Sazanit e deri në afërsi të Zvërnecit, përpos bukurive natyrore, fshehin relike të shumta të një rëndësie të veçantë historike. Zbulimi i këtyre pasurive nënujore me vlera të mëdha është në të mirën e Shqipërisë, si atraksione turistike/ ATSH/ KultPlus.com
Koleksionistja e kostumeve popullore shqiptare Linda Spahiu e sheh si shqetësim mungesën e një muzeu etnografik në Tiranë. Spahiu thotë se pasuria e kostumeve popullore shqiptare është e jashtëzakonshme, ndaj kjo pasuri ka nevojë të ruhet e transmetohet ndër breza.
Bukuria e kostumeve popullore shqiptare prej vitesh e ka
rrëmbyer pediatren Linda Spahiu. Përmes një mini ekspozite ajo prezantoi
disa artefakte të pakonestueshme në muzeun Historik Kombëtar.
Për koleksionisten rikthimi tek rrënjet është po aq i
domosdoshëm sa edhe shëndeti. Ruajtja e kësaj trashëgimie të çmuar ndër breza
është mision më vete dhe domosdoshmëri për vijimësi.
Mungesa e një muzeu etnografik prej vitesh është një problem
i madh sipas saj, pasi as turistët nuk kanë mundësi që të njihen me këtë
pasuri të paçmuar të popullit tonë.
Linda Spahiu rendit si kryeartefaktin me të veçantë
xhubletën, e cila daton rreth 4000 mijë vjetë më parë. Sipas saj ky
artefakt i rrallë duhet të jetë pjesë e trashëgimisë nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Disa prej kostumeve popullore shqiptare u prezantuan për disa orë në Muzeun Historik Kombëtar. /ABC News Albania/KultPlus.com
UNESCO ka vendosur në listën e trashëgimisë njerëzore “artin e murit të thatë”, si dëshmi e marrëdhënies harmonike mes njeriut dhe natyrës.
Lajmi është konfirmuar pas një postimi të organizatës në llogarinë e saj në Tuiter, ku ka përgëzuar 8 vende të Europës, të cilat e kanë propozuar nismën për njohjen e traditës së gadishullit: Italia, Kroacia, Qipro, Franca, Greqia, Sllovenia, Spanja dhe Zvicra.
Në motivacionin e UNESCO-s thuhet se “Arti i murit të thatë mbledh të gjitha njohuritë mbi ndërtimin e strukturave të gurit që kanë të bëjnë me vendosjen e gurëve njëri mbi tjetrin, pa përdorur asnjë element tjetër.
Ky lloj muri përfaqëson një nga shembujt e parë të prodhimit njerëzor dhe është i pranishëm në shkallë të ndryshme në pothuajse të gjitha rajonet italiane, si për qëllime banimi, edhe për qëllime bujqësore, veçanërisht në zonat me të mbjella”.
“Strukturat e ngritura në të thatë janë gjithmonë në harmoni të përsosur me mjedisin dhe teknika ilustron një marrëdhënie harmonike mes njeriut dhe natyrës. Praktika kryesisht transmetohet nëpërmjet aplikimit praktik të përshtatur ndaj kushteve të veçanta të çdo vendi”, thuhet më tej.
Këto mure “luajnë një rol jetësor në parandalimin e ortekëve, përmbytjeve, në luftimin e erozionit të tokës, përmirësimin e biodiversitetit dhe krijimin e kushteve më të mira mikroklimatike për bujqësinë”./Tema TV/ KultPlus.com
Muzika Reggae i është shtuar listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Kombet e Bashkuara e kanë konsideruar këtë muzikë si të denjë për tu mbrojtur dhe promovuar. Kjo rrymë muzikore, e cila lindi nga Xhamajka në vitet 1960, falë artistëve si Toots dhe Maytals, Peter Tosh dhe Bob Marley, iu shtua koleksioneve të “trashëgimisë kulturore të paprekshme”.
Unesco e ka vlerësuar muzikën rege si një rrymë socio-politike, sensuale dhe shpirtërore”, që ka depërtuar në të gjithë botën.
Reggae u bë popullor në Shtetet e Bashkuara, por veçanërisht lulëzoi në Britani të Madhe, e cila ishte bërë shtëpia e shumë emigrantëve xhamajkanë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Përfaqësuesi i kësaj muzike është padyshim Bob Marley, i cili për xhamajkenët është një revolucionar që nëpërmjet këngës zgjonte ndërgjegjen ndër masat kundra anarkisteve në pushtet. Fale koncerteve të shumta sodalitare në Afrikë, ai u bë urë lidhese mes Xhamajkës dhe pjesës tjetër të kontinentit të zi. Por mbi të gjitha ishte zëri i dashurisë romantike dhe vëllazërore në mbarë botën.
UNESCO e ka vlerësuar këtë muzikë si unike dhe më një kontribut të rëndësishëm në botë për çështjet e padrejtësisë, rezistencës, dashurisë dhe njerëzimit, dhe që ka përcjellë mesazhe të forta për njerëzimin./KultPlus.com