Në përvjetorin e 13-të të pranimit të isopolifonisë në UNESCO mjeshtra të këngës popullore u kujtuan në një ceremoni të rrallë të isopolifonisë në Gjirokastër.
Shtëpia mesjetare e Zekatëve mirëpriti grupet polifonike të qytetit dhe krahinave përreth.
Bashkia e qytetit vlerësoi me tituj nderi Xhevat Avdallin pas vdekjes një prej zërave më përfaqësues të isopolifonisë shqiptare.
Koço Vasili drejtuesi i Ansamblit “Lunxhëria” për 40 vjet, Lefter Kondo drejtues i Ansamblit të Dropullit dhe këngëtarja Juli Çenko morën tituj nderi për kontributin e çmuar në ruajtjen, grumbullimin dhe përcjelljen e traditës së këtyre krahinave. Isopolifonia ashtu si edhe muzika qytetare janë përballur përgjatë dekadave të fundit me vështirësitë e vijimësisë dhe përcjelljes tek të rinjtë.
Kostumet që shoqërojnë këtë traditë të kënduar janë duke u dëmtuar dhe duke humbur shumë elementë me kalimin e kohës. Përfaqësuesit e Ansambleve popullore kanë bërë vazhdimisht apel për mbështetjen e përcjelljes në mënyrë autentike të kësaj trashëgimie./ KultPlus.com
U hap në Paris, në sallen Miro, UNESCO, ekspozita “Dritare në Artin Mesjetar Shqiptar”, me rastin e 60- vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO, me pjesëmarrjen e Ernesto Renato Ottone Ramirez, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm për Kulturën në UNESCO, Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, Zëvendës Ministres së MPJE, Artemis Dralo, Ambasadorit të Shqipërisë në UNESCO, Ferit Hoxha dhe personalitete e ambasadorë në UNESCO.
“Çfarë mund të bëjmë për të promovuar paqen në botë? Kjo është çështja që UNESCO-ja shtroi për zgjidhje që kur u krijua në vitin 1945, fill pas luftrave që përgjakën botën.
Një përgjigje për këtë na e ka dhënë Shenjëtorja jonë shqiptare, Nënë Tereza: Shko në shtëpi dhe duaj familjen tënde!”- u shpreh ministrja Kumbaro në fjalën e hapjes.
Kjo ekspozitë në Paris, në sallën Miro, përbën një rrugëtim në historinë e pikturës bizantine dhe pas bizantine të zhvilluar në territorin shqiptar dhe fton publikun e gjerë dhe studiues të fushës në një eksperiencë të rrallë në njohjen e mjeshtërve eponim dhe anonim si dhe atelieve më të spikatura të kohës, nëpërmjet veprës së trashëguar prej tyre.
“Kur Shqipëria hyri në UNESCO, 60 vite përpara, ende nuk e kishim zgjidhur problemin e paqes me veten, ndaj dhe për më shumë se 30 vite prania jonë ishte gati formale, thjesht me dëshirën për të qenë në paqe të rreme me të tjerët. Gjithçka nis pra me njohjen e vetes dhe tjetrit. Ky është thelbi. Dhe njohja nis nga zakonet, traditat, mënyra e jetesës, të shprehura në arkitekturën e shtëpive, qendrave historike apo objektet e rralla, pra në trashëgiminë materialedhe shpirtërore që mbart gjithësecili, nis kështu nga Kultura”- u shpreh më tej në fjalën e saj Kumbaro.
Kjo është arsyeja pse hapi i parë domethënës me UNESCO-n erdhi në vitin 1992 me pranimin e Butrintit në sitet e mbrojtura të trashëgimisë botërore. Për të parën herë një pasuri e jona mori meritën që i takonte duke u bërë pjesë e mozaikut të trashëgimisë botërore. Si për të përligjur konceptin se qytetërimi nuk mund të ndërtohet me kështjella të mbyllura, por me amfiteatër të hapur, nuk mund të kuptohet pra pa shkëmbime, ndikime, marrëdhënie dhe shtresëzime kulturash.
“UNESCO mbetet e pazëvendësueshme në këtë rol unik të rëndësisë që i jep arsimit, kulturës, vlerave të qytetërimeve të cilat përbëjnë garantimin e stabilitetit të vendeve tona, të cilat do të shpëtohen nga Kultura. Shqipëria bëhet pjesëmarrëse në krijimin e vlerave të përbashkëta të qytetërimit evropian, për të cilin kemi strukturën dhe të cilën ne dëshirojmë të zhvillojmë së bashku, sepse e kaluara që ne e ruajmë së bashku do të jetë themeli i së ardhmes sonë”-shtoi Kumbaro në fjalën e saj.
Përtej interesit vizual dhe qëllimit artistik që konsiston në ilustrimin e fazave të pikturës ekleziaste, boshti kryesor në përzgjedhjen e ikonave është paraqitja e aspekteve të realitetit të përditshëm të shoqërisë së kohës, idetë dhe shqetësimet që përshkonin marrëdhëniet njerëzore, apo dhe dimensione të tjera – pjesë e jetës materiale – si civilizimi, veshja, duke i konvertuar ato në koncepte të drejtpërdrejta për t’u kuptuar nga vizitori. Në një këndvështrim më të gjerë, ekspozita kontribuon në kuptimin e ndikimit që ushtroi Civilizimi Bizantin në popujt e tjerë të botës mesdhetare, duke dëshmuar vazhdimësinë e kësaj tradite kulturore dhe estetike në pikturën religjioze edhe pas rënies së Kostandinopojës në vitin 1453 dhe vendosjes në Ballkan të turqve osman.
“E tillë është kjo ekspozitë që ne hapim sot këtu në UNESCO, një gjest i vogël i kulturës sonë të mrekullueshme, Histori e artit tonë, një pjesë e vogël e artit tonë bizantin, që i kemi ekspozuar në një muze të ri dhe të mrekullueshëm të artit mesjetar në Korçë, një qytet i bukur në Shqipëri, me një ekuilibër të përsosur në mes të lindjes dhe Perëndimit, siç është edhe vetë Shqipëria, ku jeta shpirtërore është dashuria njerëzore, si në veprat më të suksesshme të artit”-përfundoi Kumbaro. / KultPlus.com
Për të dytën herë brenda pak muajsh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është takuar me drejtoreshën e përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay. Takimi u zhvillua në Paris, në selinë e UNECO-s, aty ku është hapur ekspozita ‘Një dritare në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë’.
“Audrey Azoulay jo vetëm një mikeshë e mirë, por edhe një dashamirëse e vëmendshme e Shqipërisë për kauzat tona të përbashkëta: Edukimin dhe Kulturën. Kënaqësi dhe nder që të merrja përgëzimet e saj në emër të UNESCO-s, për punën që po bën Shqipëria me Trashëgiminë Kulturore”, thotë minstrja Kumbaro.
Ekspozita dhe takimi me drejtoreshën Audrey Azoulay në selinë e UNESCO-s vjen në kuadër të 60 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në në këtë organizatë. Ekspozita u çel një ditë më parë nga ministrja e Kulturës dhe do të qëndrojë e hapur për disa ditë. Pjesë e kësaj ekspozite është një koleksion i ikonave bizantine, i piktorëve të rrallë shqiptarë. Me rastin e 60 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO, në mesin e muajit tetor u organizua në Shqipëri një aktivitet, ku u evidentua puna kolosale e bërë ndër vite për të mbrojtur dhe promovuar vlerat e trashëgimisë tonë kulturore.
Qyteti antik i Butrintit ishte pasuria e parë që u bë pjesë e trashëgimisë botërore në vitin 1992. Më pas vijoi puna me pranimin e Gjirokastrës, Beratit apo Isopolifonisë. Aktualisht Shqipëria ka aplikuar pranë kësaj organizate me pasuri të tjera. Është duke u shqyrtuar dosja për praninë në po këtë listë të Liqenit të Ohrit për pjesën shqiptare, si zgjerim i pjesës maqedonase.
Miratimi pritet të ndodhë në sesionin e korrikut 2019. Më pas do të aplikohet për qytetin antik të Apollonisë, Amfiteatrin e Durrësit, Varret e Selcës apo Kështjella e Bashtovës. Në bashkëpunim me UNESCO-n ka nisur puna për hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut të Butrintit që do të përfundojë në pranverën e ardhshme, si dhe po punohet për miratimin e ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”. /KultPlus.com
Shqipëria feston sot 60 vjetorin e anëtarësimit në UNESCO. Nga Parku i Butrintit deri tek Liqeni i Pogradecit, 7 pasuri të trashëgimisë botërore dhe në pritje të regjistrojmë të shtatin vendi ynë është një thesar i çmuar i bukurive natyrore dhe historike.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi me anë të disa pamjeve ka ndarë bukuritë dhe veçantinë e pasurive natyrore, kulturore dhe shpirtërore shqiptare të përfshira në listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s.
Ai shprehet se ”Shqipëria ka natyrë të mrekullueshme, histori të pasur dhe kulturë autentike, çfarë e bëjnë atë një vend të admiruar nga turistët. Berati, Gjirokastra, Butrinti, Kodiku i Purpurt i Beratit, Isopolifonia, pyjet e Ahut në Rrajcë dhe Lumin e Gashit, liqeni i Prespës, janë një pjesë e thesareve të identitetit tonë që përfaqësohet në Trashëgiminë Botërore ku në qershor të vitit 2019 pritet të shtohet edhe Liqeni i Ohrit, si një trashëgimi mikse natyrore e kulturore. Këto vlera duhen ruajtur dhe përdorur bazuar në ekuilibrat e zhvillimit të qëndrueshëm”.
Pak mbi këto pasuri…
Berati
Ndërsa Berati dhe Gjirokastra janë të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s si një sit i vetëm, për shkak të ngjashmërive që këto qytete paraqesin jo vetëm nga ana arkitekturore, por sidomos nga ana kulturore e historike. Ato kanë të njëjtat vlera të jashtëzakonshme universale dhe si të tilla janë konsideruar si një. Gjirokastra, qyteti i gurtë, është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, ndërsa Berati i është bashkuar kësaj liste në vitin 2008, gjatë Sesionit të Kebekut të Komitetit të Trashëgimisë Botërore.
Butrinti
Parku kombëtar i Butrintit u shpall Monument Kulture në vitin 1948, ndërsa në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur u përfshi në listën e pasurive Botërore të UNESCO-s.
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarë dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit.
Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit dhe ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit dhe nga kanali i Vivarit.
Brenda parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit (amfiteatri), si dhe ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa – kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj.
Specialistë të arkeologjisë kanë theksuar se “Butrinti është një thesar i jashtëzakonshëm për Shqipërinë” dhe se “çelësi është zhvillimi i ekuilibruar dhe turizmi i padëmshëm”.
Butrinti mbushur me turiste në vitin 1992 gërmimet e ndërmarra në qendrën e qytetit antik të Butrintit nxorën në dritë forumin romak të qytetit. Ndërtesa me tre dhoma ndodhet në pjesën jugore të akropolit në perëndim të ndërtesës me peristil dhe në lindje të dyqaneve romake. Mbishkrimi,i cili daton në shekullin I, pas Krishtit, flet për një tempull kushtuar perëndeshës Minerva.
Shpella e Butrintit ndodhet pranë rrugës automobilistike Sarandë-Butrint, rreth 3 kilometra larg nga qyteza e Ksamilit. Shpella vlerësohet e veçantë për nga natyra dhe për pozicioni i saj dhe ka një sipërfaqe 110 metra katrorë. Sipas arkeologëve, shpella e Butrintit ka vlera të shumta shkencore.
Ndërsa Ujësjellësi i Butrintit ka një gjatësi prej 3.5 kilometra, lartësi të kanalit 6 metra dhe gjerësi 3.5 metra. Teknikisht është një ndërtim i arritur ku gjatë trasesë së tij janë ndërtuar shumë vepra arti si, ura e kanale të përforcuara me mure mbajtëse, si dhe puseta dekantimi e kontrolli. Sipas specialistëve, ujësjellësi i Butrintit ka funksionuar deri nga fundi i shekulli IV pas Krishtit.
Gjirokastra
Një qytet që përbën dëshmi unike të një tradite kulturore të jetës së zhvilluar në shek 14-19, në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet. Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.
Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.
Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.
Kalaja, e ndërtuar në shek. 13, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa pazari (shek. 17) i vendosur në qendër të qytetit ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional me ndërtesa të njëpasnjëshme të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj.
Ndërtimet e kultit, që përfaqësohen nga një xhami, një tyrbe dhe dy kisha brenda ambientit të banesave, nuk luajnë rol në profilin e qytetit.
Berati
I konsideruar si qyteti i “Një mbi një dritareve”, qyteti 2400 vjeçar i Beratit është dëshmi e pasurisë dhe e diversitetit të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike të rajonit të Evropës Juglindore.Qendra e tij urbane reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.
Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë Kështjella, e ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme: ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke.
Ura me 7 harqe e Goricës, nga një urë druri, në vitin 1780 u ndërtua e gjitha prej guri. Ajo është 129,3 m e gjatë, 5,3 m e gjerë dhe ngrihet 10 m mbi lumin Osum.
Ndërtesat e kultit përfshijnë disa kapitole dhe kolonada dhe dëshmojnë se në Berat kanë ekzistuar kisha paleokristiane të shekujve IV–VI (Shën Todri). Ndër kishat më të bukura të ndërtuara në shekujt XIII-XIV janë : Shën Mari Vllaherna, Shën Triadha dhe Shën Mëhilli. Në Berat ka edhe një numër ndërtesash të fesë islame, me vlera të shquara arkitektonike e artistike. Këto kisha, xhami dhe ndërtesa të tjera urbane, sidomos ansamblet e lagjeve Mangalem, Kalaja dhe Gorica, janë perla të arkitekturës mesjetare.
Kishat e Beratit janë të zbukuruara me piktura të stilit bizantin e pas-bizantin, të krijuara nga artistë të ndryshëm të shekujve XII-XIV dhe nga mjeshtrat e shekullit XVI: Onufri dhe biri i tij Nikolla.
Katedralja e Shën Marisë shquhet për ikonostasin e saj, të gdhendur në dru të larzuar me ar, një vepër artistike e cilësisë së parë.
Në Berat është gjetur një vepër e rrallë, epitafi i Glavinicës, një krijim i vitit 1373, i qëndisur në ar, argjend e mëndafsh, që tregon Krishtin e vdekur të kurorëzuar, të rrethuar me shkrime greke.
Kodiku i Purpurt i Beratit (Memoria e botës)
I klasifikuar nga UNESCO te “Memoria e botës”, Kodiku i Purpurt i Beratit daton në shekullin VI dhe është i shkruajtur në pergamen të purpurt. Ai është një nga katër kopjet e vetme të gjetura në të gjithë botën. I dyti është Kodiku i Artë (Codex Aureus) i shekullit IX, i shkruajtur në pergamen me shkronja ari. Që të dy këta kodikë përmbajnë pjesë nga ungjijtë të shkruajtura në greqishten e vjetër. Këta kodikë u rizbuluan në kështjellë në 1972 dhe ruhen sot në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Kodiku i Purpurt i Beratit ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij: sipas Markut dhe sipas Matheut. Është shkruar me gërma të derdhura prej argjendi, sipas vlerësimit të ekspertëve, “në fletë të ngjashme me letrën e zakonshme, që ka të ngjarë të jetë prodhuar nga ngjeshja e shumë elementeve petëzorë me natyrë bimore, siç janë fletët e papirusit”. Por bizantologët mendojnë se lënda e dorëshkrimit është pergamenë.
Teksti i “Codex Purpureus Beratinus” është shkruar në stilin antik scripta-continuae, domethënë pa ndarje të fjalëve nga njëra-tjetra, pa thekse dhe shenja të tjera të veçimit të fjalëve.
Isopolifonia (Trashëgimia shpirtërore)
Iso polifonia shqiptare është realisht një ndër super vlerat e folklorit muzikor shqiptar por edhe të traditës folklorike botërore në përgjithësi. Struktura e ndërtimit të shumëzërëshit polifonik, lab apo tosk, është shprehje e drejtpërdrejtë e unitetit gjenetik të llojit.
Prej praktikës qindra shekullore janë ndërtuar formulat e mësipërme të cilat shprehin në thelb strukturën e iso polifonisë popullore, ajo e cila ngërthen në një të vetëm tiparet e veçanta të zërave të tjerë, përbërës të shumëzërëshit.
Iso polifonia shqiptare u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Shpirtërore të UNESCO-s më 25 nëntor 2005.
Rezerva ndërkufitare e Biosferës Ohër-Prespë
Rezerva Ndërkufitare e Biosferes Ohër-Prespe është prej 4 vjetësh pjesë e Rrjetit Botëror të Biosferës, pas miratimit si e tillë nga Këshilli Ndërkombëtar Koordinues i Programit Njeriu dhe Biosfera të UNESKO-s, në sesionin e tij të 26-të në Jönkoping (Suedi) .
Me një sipërfaqe prej 446,244 hektarësh, RNB përfshin një pjesë të Liqenit të Ohrit dhe rrethinat e saj në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, të cilat janë të listuara në Listën e Trashëgimisë Botërore, si dhe një pjesë e liqenit të Ohrit në Shqipëri.
E gjithë zona e RNB është e pasur me biodiversitet me specie të rralla dhe të rrezikuara në mbarë botën. Për shkak të gjenezës historike të dy liqeneve, lloje të shumta endemike të cilat janë unike janë të pranishme vetëm në këto ekosisteme ujore dhe ato tokësore përreth.
Pyjet e ahut të lashtë
Dy vendet e para natyrore shqiptare kanë marrë mbrojtjen e UNESCO-s si zona të Trashëgimisë Botërore të pyjeve të ahut primar, në korrik 2017.
Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESKO-s ka miratuar zonën e pyjeve të ahut të lumit të Gashit të Shqipërisë dhe Rrajcës, dy zona të mbrojtura në nivel lokal, në Listën e Trashëgimisë Botërore si një zgjerim i zones se Trashëgimisë Botërore të pyjeve të ahut primar të Karpatet dhe Pyjeve të Ahut të Gjermanisë.
Vendimi u mor në sesionin e 41-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në Krakov, Poloni.
Ekspertët shqiptarë që kanë punuar në aplikimin e UNESCO-s, kanë përshkruar zonat e miratuara si ishujt e fundit të pyjeve të virgjër që mbeten në Shqipëri.
Rrajca ndodhet në luginën e sipërme të Bushtricës brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Shebenik Jabllanicës në pjesën verilindore të Librazhdit në rajonin e Elbasanit.
Zona është gjithashtu një habitat i rëndësishëm për rrëqebullin e Ballkanit, një lloj i mbrojtur në Shqipëri.
Këto zona natyrore të Shqipërisë, tashmë zona të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, gjithashtu shërbejnë në zhvillimin e turizmit dhe përpjekjet për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Rajoni liqenit të Ohrit
Shqipëria ka dorëzuar pranë UNESCO-s dosjen dhe aplikimin për të përfshirë pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit, si zgjerim i zonës ekzistuese të Trashëgimisë Botërore të FYROM-së fqinj, si një zonë mikse natyrore dhe kulturore e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Që nga viti 2014, Shqipëria ka qenë pjesë e një projekti të financuar nga BE me Maqedoninë që ka për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe efektivitetit të menaxhimit për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në Liqenin e Ohrit.
Shtrirja e propozuar përfshin të gjithë pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit, Gadishullin e Linit, bregdetin bregdetar në veri të kufirit maqedonas, dhe burimet e Drilonit me rrjedhat që lidhin ato me Liqenin e Ohrit, duke mbuluar gjithsej 11,378.6 ha./ KultPlus.com
Grupi vlerësues i UNESCO-s ndodhet në Shqipëri gjatë kësaj jave, për të vlerësuar dhe parë punën e realizuar lidhur me shpalljen e pjesës shqiptare të liqenit të Ohrit, si zonë e trashëgimisë botërore.
Ky ishte takimi i parë me përfaqësues të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrisë së Kulturës, që do të pasohet me takimet me qeverisjen vendore në Pogradec dhe palën maqedone./KultPlus.com
Ekspertët e misionit “Europa Nostra” shprehen entuziastë për vlerat që përfaqësojnë kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit, duke sugjeruar përgatitjen e dosjes që këto kisha të vlerësohen me statusin e mbrojtjes si trashëgimi botërore nga UNESCO.
Vlerësimi është bërë gjatë një takimi të misionit me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe drejtoreshën e Institutit të Monumenteve, Arta Dollani. Ato pritën në një takim pune misionin e ekspertëve të Europa Nostra-s, përfaqësuar nga Anëtari i Bordit, Paolo Vitti dhe Peter Bond dhe Lourdes Llorens Abando, ekspertë teknikë nga Banka Europiane e Investimit.
Pas vizitës në terren, në kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit, Vitti u shpreh i mrekulluar për vlerat arkitektonike dhe artistike që përcjellin këto monumente të kulturës, frymëzuar nga trashëgimia e kultit bizantin, duke i cilësuar “Thesare Unike” në rajon e më gjerë. Misioni u shpreh entuziast dhe sugjeroi përgatitjen e dosjes që këto kisha të vlerësohen me statusin e mbrojtjes si trashëgimi botërore nga UNESCO./ BallkanWeb./ KultPlus.com
Edhe pse numri i personave që shkruajnë e lexojnë është rritur ndjeshëm në 50 vitet e fundit, në mbarë botën ndodhen ende 750 milionë njerëz, dy të tretat e të cilëve janë gra, që ende nuk dinë të shkruajnë e lexojnë.
Sipas të dhënave të Organizatës Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), gjatë 50 viteve të fundit shkalla e shkrim-leximit në mbarë botën është rritur ndjeshëm, sidomos në popullatën me moshë të re. Megjithatë, UNESCO ka tërhequr vëmendjen se 750 milionë njerëz në botë ende nuk e kanë këtë formim.
Teksa vihet theksi se gratë përbëjnë dy të tretat e personave që nuk dinë shkrim-lexim, bëhet e ditur se 45 përqind e personave që nuk dinë shkrim-lexim jetojnë në Azinë Jugore, 27 përqind në Afrikën Sub-Sahariane, 10 përqind në Azinë Lindore dhe Juglindore, 9 përqind në Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore dhe 4 përqind në Amerikën Latine dhe Karaibe, shkruan Anadolu Agency (AA).
Rritje në normat e shkrim-leximit
Sipas Institutit Statistikor të UNESCO-s, rritja më e madhe në normat e shkrim-leximit në vitet e fundit është arritur në Azinë Lindore dhe Jugore dhe Afrikën Veriore dhe Perëndimore, ku shkrim-leximi është shumë prapa.
Në Azinë Jugore, shkalla e shkrim-leximit për periudhën 1990-2016 u rrit nga 46 për qind në 72 për qind, ndërsa në Afrikën e Veriut dhe Azinë Perëndimore u rrit nga 64 për qind në 81 përqind.
Kjo normë është rritur nga 82 përqind në 96 përqind në Azinë Lindore dhe Juglindore dhe nga 52 përqind në 65 përqind në Afrikën Sub-Sahariane. Ndërkohë shkalla e shkrim-leximit u rrit nga 85 për qind në 94 për qind edhe në Amerikën Latine.
Në disa vende niveli i shkrim-leximit nuk është në nivelin e dëshiruar
Me rritjen e mundësive arsimore sot më shumë të rinj janë në gjendje të lexojnë dhe të shkruajnë.
Instituti Statistikor i UNESCO-s ka theksuar se shkalla e shkrim-leximit në mesin e të rinjve është rritur nga 83 për qind në 91 për qind dhe se numri i të rinjve analfabetë, i cili ishte 170 milionë në vitin 1996, është ulur në 102 milionë në vitin 2016.
Sipas UNESCO-s, 50 vjet më parë, teksa një e katërta e të rinjve 15-24 vjeç nuk dinin shkrim e lexim, theksohet se sot kjo shifër është më pak se 10 përqind e kësaj grupmoshe. Përkundër kësaj, shkalla e shkrim-leximit në mesin e të rinjve në disa vende, veçanërisht në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore, ende nuk është në nivelin e dëshiruar.
Pothuajse të gjithë të rriturit në Azinë Qendrore dhe Lindore, në Evropë dhe Amerikën e Veriut dinë të shkrujnë dhe lexojnë. Krahas këtyre rajoneve, shkrim-leximi i të rinjve në Amerikën Latine dhe në Karaibe është gjithashtu i avancuar.
Në disa vende afrikane, shkalla e leximit në popullsinë e moshës së re është më pak se 50 për qind. Ky problem zakonisht është për shkak të mungesës së shkollimit dhe disa problemeve arsimore. Pavarsisht se në vende të tilla si Malavi dhe Zambia, e drejta për arsim është siguruar për të gjithë, niveli i shkrim leximit ende vazhdon të jetë në nivele të ulëta. Besohet se kjo situatë është shkaktuar nga problemet në lidhje me cilësinë e arsimit dhe marrëdhënien e vendosur me arsimin.
Numri i femrave që lexojnë dhe shkruajnë është më i pakët
Vlen të përmendet se numri i shkrim-leximit te femrave në botë është më i ulët se ai i meshkujve. Sipas të dhënave të viteve të fundit, gratë e reja përbëjnë 59 për qind të njerëzve që nuk dinë shkrim-lexim.
Teksa është i pakët dallimi i shkrim-leximit mes meshkujve dhe femrave në Azinë Qendrore dhe Lindore, Europë, Amerikën e Veriut, Amerikën Latine dhe Karaibet theksohet në Afrikën e Veriut, Azinë Perëndimore dhe Jugore si dhe Afrikën Subsahariane, dallimi në normat e shkrim-leximit midis gjinive është më i madh.
Megjithëse në gjysmën e fundit të shekullit të kaluar ka pasur një progres të konsiderueshëm në botë, numri i shkrim-leximit të femrave nga 5 vende në njërin prej tyre është ende nën numrin e shkrim-leximit të meshkujve. Kjo konsiderohet si një problem i rëndësishëm që duhet të kapërcehet si në aspektin e mundësisë së barazisë ashtu edhe nga ajo e problemeve me të cilat përballen gratë në botën e sotme.
Dita Botërore e shkrim leximit
UNESCO në vitin 1967 vendosi që 8 shtatori të festohet si Dita Botërore e shkrim leximit. Në Ditën Botërore të shkrim leximit, që festohet çdo vit më 8 shtator, organizohen aktivitete të ndryshme për të theksuar rëndësinë e shkrim-leximit të individëve dhe shoqërive dhe për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet që lidhen me këtë temë.
Në vitin 2018, përveç tërheqjes së vëmendjes ndaj mungesës së punësimit të fokusuar në aftësi, pavarësisht nga përparimi i arritur në shkrim-lexim, Dita Botërore e shkrim leximit do të festohet në temën e “shkrim leximi dhe zhvillimi i talenteve”, me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës dhe të punës veçanërisht për të rinjtë./ KultPlus.com
Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s po mbështet të rinj nga Europa Juglindore që të rrisin angazhimin për mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të rrezikuara.
Në Gjirokastër, të rinjtë po nxisin diskutime bazuar në skenarë të ndryshëm rreziku për monumentet, siç janë zjarret, apo tërmetet.
Përfaqësues nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria vlerësojnë nevojën e bashkëpunimit mes ekspertëve në hapësirën shqiptare në rajon, për të kuruar mjaft probleme që ka trashëgimia kulturore në këto vende./ KultPlus.com
UNESCO fton fotoreporterët profesional nga e gjithë bota që të dërgojnë një mostër të fotografive të tyre më të mira që ilustrojnë gazetarët gjersa kryejnë punën e tyre, shkruan KultPlus.
Fotografitë e përzgjedhura do të ndihmojnë që të ngritin vetëdijen për kushtet e punës për gazetarë dhe që të ilustrojnë aktivitetet dhe programet e UNESCO-s që kontribuojnë në mbështetjen e lirisë së shprehjes.
Fotografitë do të përzgjidhen për nga përmbajtja artistike, kreative dhe origjinale. UNESCO do të krijoj një kontratë me fotografët në blerjen e fotografive të zgjedhura, ku të drejtat jo-ekskluzive për fotografitë e zgjedhura do t’i jepen UNESCO-s.
Për informata më të hollësishme klikoni në vegzën e UNESCO-së:
Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit unanimisht kanë miratuar vendimin për binjakëzimin e kësaj komune me Bashkinë e Beratit.
Në këtë mënyrë sipas autoriteteve lokale plotësohet trekëndëshi i bashkëpunimit Prizren, Berat (Shqipëri) dhe Amasja (Turqi), shkruan sot “Koha Ditore”. Madje lidershipi komunal është optimist se Berati e Amasja do të ndihmojnë në ecjen e Prizrenit drejt listës së UNESCO-së.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka paraqitur kërkesën për miratimin e nismës për bashkëpunim komunal ndërkombëtar të Prizrenit me Bashkinë e Beratit.
“Qëllimi i bashkëpunimit është zgjerimi i shkëmbimeve dhe eksperiencave në sektorët e kulturës, ekonomisë, turizmit, trashëgimisë, me qëllim për të dhënë një kontribut për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet qyteteve”, shkruan në kërkesën e tij…/ KultPlus.com
Afirmimi i shtetit të Kosovës në botë dhe anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë, është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës dhe në këtë aspekt institucionet e Kosovës janë duke bërë të gjitha përpjekjet për anëtarësimin e vendit në dy mekanizma ndërkombëtarë, në INTERPOL dhe në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim (UNESCO), konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit të vendit.
Në rubrikën e përjavshme “FOKUS”, të Radios Evropa e Lirë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, si dhe njohës të çështjeve të sigurisë dhe zhvillimeve në vend, thonë se me anëtarësimin në këta dy mekanizma ndërkombëtarë, përveç përfitimeve në fushëveprimet konkrete të këtyre mekanizmave, Kosova do të përfitonte edhe në rritjen e subjektivitetit dhe prestigjit të saj ndërkombëtar.
Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi tashmë është duke punuar në përmbushjen e të gjitha kushteve për anëtarësim në këta dy mekanizma.
“Sa i përket çështjeve teknike që duhet përmbushur, do të thotë, kritereve për INTERPOL, Qeveria e Kosovës është gati dhe sigurisht që sivjet do të aplikojë. Kurse, edhe për UNESCO, Kosova tashmë është gati. Dy ligjet, për trashëgimi kulturore dhe për fetë, janë proceduar në Kuvendin e Kosovës. Dikasteret përkatëse vlerësojnë se Kosova i ka edhe numrat e nevojshëm (të vendeve që votojnë), që të bëhet pjesë e këtyre dy mekanizmave”, thekson Matoshi.
Rruga drejt UNESCO-s, më e vështirë
Ndryshe nga mundësia e sivjetme që Kosova të aplikojë për në INTERPOL dhe eventualisht edhe të pranohet, mundësia eventuale e Kosovës për anëtarësim në UNESCO do të jetë vetëm në vitin 2019, kur edhe pritet Konferenca e Përgjithshme e kësaj organizate.
Megjithatë, zëvendësministri Hoti thotë se Kosova po bëhet gati edhe për këtë sfidë.
“Ministria e Punëve të jashtme e ka finalizuar propozim-kornizën për strategjinë për procesin e aplikimit në UNESCO 2019. Duke qenë se procesi i anëtarësimit në UNESCO kërkon mobilizim gjithëpërfshirës institucional të bazuar në planifikim të procesit dhe veprime të koordinuara ndërinstitucionale, dokumenti përmban kornizën që parashikon reformat legjislative, krijimin e mekanizmave gjithëpërfshirës koordinues në nivel nacional, si dhe fushatë të fuqishme diplomatike të koordinuar me partnerët tanë ndërkombëtarë”, thekson Hoti.
Kosova tashmë ka dështuar një herë për t’u anëtarësuar në UNESCO.
Ish-ministri Hyseni shpreh mendimin se diplomacia e Kosovës nuk guxon ta bëjë gabimin e njëjtë me atë të vitit 2015, kur sipas tij, nuk është punuar mjaftueshëm me vendet, të cilat e kanë njohur Kosovën. Sipas tij, aktualisht nuk ka sinjale për një vazhdimësi të ruajtjes së raporteve dhe kanaleve të komunikimit me vendet që e kanë njohur Kosovën, por edhe me ato që nuk e kanë njohur.
“Ka një moskuptim të veprimit në rrafshin diplomatik, sepse gjërat merren si të garantuara. Në momentin që të ka njohur një shtet, ne sikur e marrim se e kemi të garantuar përkrahjen e atij shteti dhe kjo nuk ndodh ashtu në rrafshin diplomatik. Shenjat dhe sinjalet që vijnë kohëve të fundit, nuk janë shumë të mira dhe nuk janë shumë premtuese”, konsideron Hyseni.
Më 9 nëntor të vitit 2015, Kosova nuk kishte arritur të bëhej pjesë e UNESCO-s për mungesë të tri votave në favor të pranimit të saj. Për pranimin e Kosovës në UNESCO nevojiteshin 95 vota “për”, që nënkuptonin dy të tretat e votave të përgjithshme të vendeve pjesëmarrëse në Konferencë e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila u mbajt në Paris. Në favor të pranimit të Kosovës patën votuar 92 vende./ KultPlus.com
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, ka thënë se Maqedonia do të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
I pyetur nëse Maqedonia do të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Zaev nuk e ka mohuar një gjë të tillë.
“Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Maqedonisë për anëtarësim në UNESCO. Ne do të ndihmojmë edhe në normalizimin e raporteve me Serbinë pasi edhe atë e kemi shtet fqinj”, ka përfunduar Zaev.
Kosova pati një tentim të dështuar që të antarësohet në UNESCO, ndërsa këtë vit ka vendosur që të mos aplikojë fare. Dokumentimi i herës së kaluar dështoi pasi Serbia pati prova se kosovarët kanë shkatërruar një pjesë të trashëgimisë ortodokse serbe në Kosovë, në trazirat e marsit të vitit 2004. / KultPlus.com
Kolo, vallëzim kolektiv folklorik që interpretohet kudo në Ballkan, është futur në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore të Paprekshme në UNESCO.
Vendimi është marrë në sesionin e sotëm, të 12-tin me radhë për këtë vit, që u mbajt në Korenë e Jugut, shkruan KultPlus.
Vallëzimi performohet në Bosnjë, në Bullgari, në Kroaci, në Maqedoni, në Serbi, në Mal të Zi, në Serbi dhe në Slloveni. Secili regjion ka një Kolo të veçantë. Vallëzimi ndodhë duke u kapur krah për krah ndërsa nuk vallëzohet në pjesën lart të trupit.
Vallëzimi performohet në dasma por edhe në ngjarje tjera kulturore e fetare. / KultPlus.com
Kopje digjitale të Kodikëve të Beratit u publikuan në Librarinë Digjitale Botërore të Librarisë së Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kodiku u digjitalizua tërësisht në muajt nëntor-dhjetor 2016 nga Arkivi Qendror Shtetëror në kuadër të bashkëpunimit mes AQSH dhe Librarisë së Kongresit. Drejtori i Arkivit në intervistën për Zërin e Amerikës, ka folur për këtë projekt në kuadër të vitit të Skënderbeut si dhe për projektet e tjera që janë planifikuar:
“Në vitin mbarë Kombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut ne e nisëm fatmirësisht në Uashington me një promovim ndërkombëtar të pasurisë tonë dokumentare, duke promovuam në Librarinë e Kongresit publikimin e Kodikëve të Beratit, është thjeshtë aktiviteti i parë në kuadrin e këtij viti, i cili do të pasohet me shumë aktivitete të tjera, së pari me Javën e Arkivave të Hapura ku do të shihen proceset e punës në Arkivin Qendror Shtetëror”.
Kodiku i Purpurt i Beratit (Codex Beratinus 1) është dokumenti më i hershëm i gjendur në Shqipëri, i shkruar në shekullin e VI p.e.s. Shkruar në pergamenën të purpurt nga ka marrë edhe emrin. Pjese e listës se trashëgimisë botërore të UNESCO dhe ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit. Gjithsej ka 190 fletë, të shkruara me shkronja të derdhura në argjend, ai përmban dy ungjij: sipas Mateut dhe sipas Markut.
Pjesë të tjera të rëndësishme të kodikut janë të derdhura në ar. Kapaku i dorëshkrimit është më i vonshëm se vepra, ai është metalik dhe me zbukurime skenash biblike./ KultPlus.com
Në Butrint janë ndërprerë punimet. Ministrja e Kulturës këtë e konfirmoi në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Shqipërisë, kur po diskutohej Buxheti 2018.
Por edhe në këtë mbledhje vëmendja e komisionit u zhvendos në çështjen ende sensitive, Butrintin.
Pjesë nga debati Vokshi-Kumbaro transmetoi TCh, si në vijim:
Vokshi: A janë ndërprerë punimet?
Kumbaro: Po, derisa të shterohen të gjitha pyetjet.
Vokshi: Ngaqë tha UNESCO, ndaj janë ndërprerë?
Kumbaro: Jo.
Vokshi: Do mbani përgjegjësi nëse gënjeni.
Kumbaro: Më lini të shpjegohem.
2 miliardë lekë është buxheti i vitit të ardhshëm për Ministrinë e Kulturës ndërsa prioriteti i ministrisë do të vendoset në tre shtylla kryesore: Rikonstruksioni i Bibliotekës Kombëtare, Muzeut Historik Kombëtar dhe Galerisë Kombëtare të Arteve./ KultPlus.com
Shqipëria është rizgjedhur në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO dhe një gjë të tillë e ka konfirmuar, ministri i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtne, Ditmir Bushati, shkruan KultPlus.
“Shqiperia rizgjidhet në këshillin ekzekutiv të UNESCO-s. Në këtë mënyrë ne vijojmë si anëtar të Këshillit Ekzekutiv për periudhën 2017-2021, Shqiperia do të vijojë të japë kontributin e saj në fushën e arsimit, shkencës, komunikimit, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, shpirtërore dhe natyrore”, ka thënë ai./KultPlus.com
Drejtoresha e Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, Dr. Mechtild Rössler, mohon që qeveria shqiptare të jetë konsultuar me UNESCO-n për këtë çështje.
Para disa ditësh, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u pyet nëse ndërtimi në Butrint është i konsultuar me UNESCO-n, meqenëse siti në fjalë është nën mbrojtjen e këtij organizmi. Ministrja siç shikohet në video përgjigjet se “patjetër që është konsultuar”. Më tej ajo thotë se ndërtimi i një bar kafeje është në Parkun Arkeologjik është bërë 100% në përputhje me rreullat dhe ligjet, por pa denjuar të sqarojë opinionin të cilit i detyrohet më shumë sesa arrogance karakteristike.
Ndërkohë sot, “shqiptarja.com” publikon një intervistë me drejtoreshën e Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, Dr. Mechtild Rössler, e cila mohon që qeveria shqiptare të jetë konsultuar me UNESCO-n për këtë çështje.
Në vëmendjen tonë kanë ardhur disa artikuj nga media. Ne kemi kërkuar informacion shtesë më 9 Tetor 2017 nga autoritetet kombëtare përgjegjegjëse për ruajtjen e kësaj Pasurie Botërore nëpërmjet Delegacionit Permanent të UNESCO në Shqipëri. Qendra e UNESCO-s për për Trashëgiminë Botërore është njoftuar rreth aktivitetit për të cilin ju pyesni në fund të javës së shkuar. Ne më 9 Tetor 2017 këmi dërguar një letër tek autoritetet kombetare shqiptare përgjegjëse duke u kërkuar më shumë informacion të detajuar për këtë projekt.
shprehet Rössler.
Fakti që UNESCO është njoftuar javën e kaluar ndërkohë që vendimi nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë që në muajin maj, flet vetë për lehtësinë e gënjeshtrës, tipike për këtë kabinet qeveritar. Ky është i njëjti rast si me Velierën në Durrrës, kur tekat, interesat dhe përkedhelja e vetes me “shijet elitare” prej artisti, po krijojnë arna gjithëfarëshe për të cilat kërkohet si minimum një debat publik. Nuk është e ndershme dhe as e drejtë që të luash me ligjin siç bën ministrja në fjalë e cila ndërkohë që aty flitet për ndërtim të ri, me beton dhe tulla, do të kapet tek “argumenti” i përshtatjes së një objekti ekzistues. As edhe me faktin se shtetet janë përgjegjëse për vlerësimet e në sitet arkeologjike. Butrinti nuk është i qeverisë, edhe sikur qeveria të rrijë 50 vjet në pushtet. Kaq gjë shqiptarët e dinë.
Ministri Kujtim Gashi priti sot në një takim njoftues ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin që ka Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Ambasadën e Italisë.
Ministri e ambasadori i vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Italisë në përgjithësi, e sidomos për angazhimin dhe koordinimin e përbashkët të Ambasadës dhe MKRS-së në realizimin e projekteve konkrete me qëllim të arritjes së planeve dhe politikave të ministrisë.
Ministri Gashi e falënderoi ambasadorin dhe përmes tij shtetin e Italisë për kontributin që ka dhënë populli italian në mbështetje të shtetit të Kosovës. Ministri ka veçuar përkrahjen e ambasadës në projektet që janë në interes të MKRS-së duke u shprehur se me intensifikimin e bashkëpunimit përfitimi do të jetë më i madh.
Ministri e ka informuar ambasadorin edhe për objektivat që kanë për synim që t’i realizojnë duke hartuar politika që janë në dobi të avancimit të fushave që ka në përgjegjësi ministria.
Nga ana e tij, ambasadori Sardi e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe e uroi për marrjen e detyrës.
Ambasadori italian u shpreh se ambasada do ta përkrah ministrinë por edhe Kosovën në proceset e saj në afirmimin ndërkombëtar siç është anëtarësimi në UNESCO. Ambasadori Sardi tha se do ta mbështesë ministrinë edhe në avancimin i infrastrukturës ligjore./ KultPlus.com
Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq ka deklaruar se Kosova ende nuk ka aplikuar për pranim në UNESCO dhe, siç tha, është i bindur se do të humbasë kurdo që ta paraqesë kërkesën.
“Kosovës për në UNESCO po i humbasin afatet. Tash për tash Kosova nuk ka bërë kërkesë. Kurdo që ta bëjë kërkesën, ajo duhet ta dijë se ka për të humbur “, citon radiokim të ketë thënë Daçiq, transmeton Koha.net.
“Nuk mund të zgjidhen të gjitha me para e me dhunë. Jam i sigurt se gjatë votimit nuk do ketë shans për të fituar”, ka thënë ai./ KultPlus.com
Një vend është referuar si një Site i Trashëgimisë Kulturore Botërore kur ai është e listuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara UNESCO si i një rëndësie të veçantë kulturore ose fizike.
Deri në korrik të vitit 2017 , ka 1073 vende të trashëgimisë te shpërndara ne 167 shtete të ndryshme: 832 janë kulturore, 206 janë natyrale dhe 35 janë me karakter miks, historiko -natyrore.
Më poshtë është një listë e vendeve që kanë numrin me te madh te site-ve të trashëgimisë kulturore.
Italia – 48 vende të trashëgimisë kulturore
The Santa Maria delle Grazie, në të cilën ndodhet vepra “The Last Supper” nga Leonardo da Vinci, Milano, Itali
Italia mund të mos jetë një nga vendet më të mëdha të botës, por historia e saj e gjatë dhe e thellë e vë në krye të listës së vendeve persa i perket trashëgimisë kulturore. Disa nga këto site janë Venecia dhe laguna e saj, Piazza del Duomo në Pisa, qendrat historike të Sienës, San Gimignano, Firence dhe Napoli, qendra historike e Romës dhe Vatikanit, qyteti i Verona, Santa Maria delle Grazie me “Darkën e Fundit” nga Leonardo da Vinçi në Milano, dhe shumë më tepër.
Spanja – 40 vende të trashëgimisë kulturore
Ujësjellësi romak në Segovia, Spanje
Jo shumë larg Italisë, Spanja është krenare për shumë site të trashëgimisë kulturore botërore. Disa nga këto 39 vende janë: qendrat historike të Toledos dhe Córdobas, qyteti i vjetër i Salamancës, katedralja e Burgos, veprat e Antoni Gaudit (në Barcelonë), qyteti i vjetër i Segovia dhe ujësjellësi i famshëm romak, Shpella e Altamira me pikturat e saj prehistorike, Alcazari në Sevilje, Kulla e Herkulit etj.
Gjermani – 38 vende të trashëgimisë kulturore
Pallati Sanssouci, Potsdam, Germani
Ne jemi ende në Evropë dhe Gjermania nuk është shumë larg Spanjës me numrin e vendeve të trashëgimisë kulturore. Në përgjithësi, vendet e trashëgimisë në Gjermani janë nga periudhat me te vonshme se ato në Itali dhe Spanjë. Disa nga vendet e trashëgimisë kulturore të Gjermanisë janë Museumsinsel (Muzeu Island) në Berlin, Pallatet dhe Parqet e Potsdamit dhe Berlinit, Katedralen e Këlnit, qytetin e Bambergut etj.
Franca – 38 vende të trashëgimisë kulturore
Amfiteatri Arles në Francë – site i trashëgimisë kulturore botërore
Franca ka të njëjtin numër vendesh si Gjermania. Është e mrekullueshme që të gjitha 4 vendet e para në këtë listë janë evropiane dhe kanë së bashku një total prej 160 vende të trashëgimisë kulturore të UNESCO-s nga gjithsej 832 vende të trashegimise ne botë. Disa nga vendet në Francë janë: Katedralja Bourges, Katedralja e Chartres, Katedralja e Amiens, Belfries e Belgjikës dhe Frances, ujësjellësi romak Pont du Gard, amfiteatri romak Arles dhe pikturat shpellore parahistorike në Grotte Chauvet-Pont.
Kina – 36 vende të trashëgimisë kulturore
Muri i madh kinez – site i trashëgimisë kulturore botërore
Kina ka 36 vende të trashëgimisë kulturore botërore, nder te cilat Murin e Madh të famshëm, Qytetin e Ndaluar dhe Mauzoleun e Perandorit të Parë Qin.
Meksika – 27 vende të trashëgimisë kulturore
El Castillo, Chichen Itza, Mesikë – site i trashëgimisë kulturore botërore
Disa prej 27 vendeve të trashëgimisë kulturore të UNESKO-s në Meksikë janë qytetet Pre-Hispanike të Teotihuacan, Palenque, Chichen Itza (shtëpia e piramidës së famshme El Castillo) dhe El Tajín.
India – 27 vende të trashëgimisë kulturore
The Taj Mahal – një nga më të famshmit site të trashëgimisë kulturore botërore
Komiteti i UNESCO-s deklaroi 26 vende në Indi si vende të trashëgimisë botërore për kriteret kulturore. Më i famshëm nga të cilat është Taj Mahal.
Mbretëria e Bashkuar – 26 vende të trashëgimisë kulturore
Westminster Palace në Londër – simbol i qytetit dhe site i trashëgimisë kulturore botërore
Mbretëria e Bashkuar ka 26 vende të trashëgimisë botërore sipas kritereve kulturore. Disa prej tyre janë Pallati Westminster dhe Abbey Westminster, Kulla e Londrës, Stonehenge, qyteti i Bath dhe Qyteti i Vjetër dhei Ri i Edinburgut.
Irani – 21 vende të trashëgimisë kulturore
Bazaar of Tabriz në Iran – site i trashëgimisë kulturore botërore
Disa nga 21 vendet e Iranit janë Kopshti Persian, Tabriz Baza e Kompleksit Historik, dhe Shejh Safi al-Din Khānegāh dhe Ansambli i Shenjtë.
Rusi – 17 vende të trashëgimisë kulturore
Kompleksi i Kremlinit në Moskë, Rusi – site i trashëgimisë kulturore botërore
Vendi më i madh në botë është shtëpia e vetëm 17 vendeve të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë Kremlinin e Moskës dhe Sheshin e Kuq, ansambli i Konventës Novodevichy në Moskë dhe qendra./ KultPlus.com
Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka shfrytëzuar tribunën e Kombeve të Bashkuar për t’u shprehur kundër Kosovës.
Ai duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka përsëritur se Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe ka ftuar vendet anëtare të KB së që të mos lejojnë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, përcjellin medie të Beogradit .
Pjesa tjetër e fjalimit të Vuçiqit ka qenë një demagogji e stilit të tij se si vetëm me zhvillim mund të ruhet paqja në Ballkan, transmeton Koha.net./ KultPlus.com
Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson të ulët, racist dhe të paprecedent filmin dokumentar të qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
Shfaqja e filmit dokumentar përpara ambasadorëve të vendeve anëtare të UNESCO-s, me përmbajtje fyese për Kosovën, në kuadër të fushatës kundërshtuese ndaj anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, është përpjekje në vazhdimësi për ta denigruar shtetin e Kosovës.
“Prezantimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë si pjesë të trashëgimisë së Serbisë është synim për të përvetësuar pasurinë kulturore e fetare të Kosovës dhe për ta transformuar atë. Objektet fetare e kulturore në Kosovë janë pjesë e trashëgimisë së vendit dhe ato nuk mund të tjetërsohen. Ato i takojnë shtetit të Kosovës, qytetarëve të tij pa dallim, janë të ruajtura dhe të mbrojtura me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Për pasurinë e Kosovës përgjigjen qytetarët dhe institucionet e saj”, thuhet në reagim.
Përpjekjet e Kosovës për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare përfshirë edhe UNESCO-n janë legjitime dhe shteti i Kosovës do të vazhdojë t’i përmbushë kërkesat e saj, në pajtim me legjitimitetin ndërkombëtar të pranuar nga më shumë se 110 shtete të botës dhe në përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë.
Pengesat e rrugës së Kosovës për pranim ndërkombëtar dhe anëtarësim në organizmat ndërkombëtar, që vazhdojnë t’i bëhen nga Serbia, janë në kundërshtim me parimet e politikave të fqinjësisë së mirë, në shpërputhje me procesin e normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të dialogut që lehtësohet nga BE-ja dhe kundër procesit të pajtimit të popujve pas një periudhe të rëndë të historisë./ KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare për avancim të shkrim-leximit e cila shënohet çdo vit më 8 shtator ka për qëllim që të ngritë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar në lidhje me problemin e analfabetizmit i cili fatkeqësisht si proces është prezent në shumë shoqëri.
Iniciativa e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për avancim të shkrim-leximit rrjedh nga Konferenca botërore e ministrave të arsimit e organizuar në shtatorin e vitit 1965 në Tehranë e cila temë boshte kishte zhdukjen e analfabetizmit, ndërsa UNESCO si ditë ndërkombëtare e shënon nga viti 1966 me qëllim të promovimit të rëndësisë së arsimimit të fëmijëve dhe të rriturve.
Sipas të dhënave të UNESCO, rreth 775 milionë persona të rritur në planet nuk kanë as minimumin e nivelit të shkollimit, 1 në 5 persona të rritur janë analfabet nga të cilët 2/3 janë femra. Rreth 75 milionë fëmijë nuk vijojnë shkollimin, nuk ndjekin rregullisht shkollimin ose e kanë braktisur tërësisht atë. Në Kosovë, sipas regjistrimit të popullsisë 2011, janë evidentuar gjithësie 55001 persona që nuk dinë shkrim-lexim që përbënë 3.2% të numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe 3.9% të grupmoshave mbi 10 vjet.
Arsimi në Kosovë nuk është i nivelit cilësor ku arsimi fillor ka pjesëmarrjen më të lartë sa i përket përgatitjes shkollore të popullsisë dhe përbën 38.2%, ai i mesëm 24.3% dhe ai i lart 9.3% (vetëm 0.8% me magjistratur- master dhe doktorata).
Shqetësuese janë edhe të dhënat nga braktisja e shkollimit dhe mos regjistrimi i nxënësve në shkollën e mesme duke e vështirësuar kështu edhe më tepër situatën sa i përket nivelit të shkollimit. / KultPlus.com
Butrinti, vendi turistik në Shqipëri i cili u shpall qytet muze më qershor të vitit 1961, është vlerësuar si pasuri e trashëgimisë së njerëzimit dhe mbrohet nga UNESCO që nga viti 1992. Ky vend turistik, tërheqë vizitorë nga vende të ndryshme të botës të cilët mbesin të mahnitur pas kësaj vizite, shkruan KultPlus.
Por këtë verë, në Butrint do të mund të shihni nga afër edhe dy mozaikët e zbuluar për vizitorët.
“Mozaiku i Baptisterit” (shek. IV pas.Kr) dhe “Mozaiku i Dhomës së Zhveshjes” (shek.II pas Kr.) i cili
ndodhet tek Termat Romake.
Mozaikët do të qëndrojnë të ekspozuar deri më 15 shtator 2017. / KultPlus.com