Sot, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare

Sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur si e tillë nga UNESCO, në nëntor 1999. Ideja për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare ishte iniciativë e Bangladeshit.

Sipas të dhënave të OKB, çdo dy javë një gjuhë zhduket, duke marrë me vete një trashëgimi të tërë kulturore dhe intelektuale.

Të paktën 45% e rreth 7000 gjuhëve që fliten në botë janë të rrezikuara. Vetëm disa qindra gjuhëve u është dhënë vërtet një vend në sistemet arsimore dhe në domenin publik, dhe më pak se 100 përdoren në botën dixhitale.

Shoqëritë shumëgjuhëshe dhe multikulturore ekzistojnë nëpërmjet gjuhëve të tyre, të cilat transmetojnë dhe ruajnë njohuritë dhe kulturat tradicionale në mënyrë të qëndrueshme.

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare festohet çdo vit për të promovuar diversitetin gjuhësor dhe kulturor dhe shumëgjuhësinë. OKB u bën thirrje shteteve të saj anëtare “të promovojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e të gjitha gjuhëve të përdorura nga popujt e botës”.

Sot po rritet vetëdija se gjuhët luajnë një rol jetik në zhvillim, në sigurimin e diversitetit kulturor dhe dialogut ndërkulturor, por edhe në forcimin e bashkëpunimit dhe arritjen e arsimit cilësor për të gjithë, në ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse të dijes dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore./atsh/KultPlus.com