UNIKKO është një prej brendeve më të veçanta shqiptare. Është disenjatorja Greta Dreshaj e cila fshihet pas këtij brendi të cilit lirshëm mund t’i japësh vulën e elegancës.
E arsimuar në qytetin e modës, në Milano, vajza nga Peja kësaj radhe ngriti flamurin e suksesit në “Paris Fashion Week”, aty ku u përfshinë emra të njohur si Channel dhe Yves Saint Laurent.
Si pjesë e paradës së mrekullueshme të modës në Paris, Greta paraqiti një koleksion të guximshëm dhe të sofistikuar, duke kapur vëmendjen e të pranishmëve të cilët e duartrokiten me bindje të plotë.
Ftesa për të prezantuar brendin e saj UNIKKO në një event kaq prestigjioz, është një pasqyrë e vlerësimeve për talentin dhe përkushtimin e saj ndaj fushës së modës.
Sfilata u zhvillua në Westin Paris në Place Vendome, një lokacion i magjishëm që rrëfen elegancën dhe rafinimin. Në këtë shesh të famshëm, ku stilin dhe luksin e gjeni në çdo detaj, Greta Dreshaj la shenjën e saj duke e bërë Kosovën pjesë të skenës botërore të modës. / KultPlus.com




